"Kjo është një nga kështjellat më vjetra të vendit, me fillime në shekullin e 4-t para krishtërimit, e cila ka shërbyer në shekuj e mijëvjeçarë si një mburojë e pamposhtur e kombit shqiptar. Kujtoj këtu se pas rënies së Krujës, Gjon Kastrioti, djali i Skënderbeut, vendosi të bëjë mbrojtjen e trevave shqiptare nga kjo kështjellë".
Me vepra, kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha e ka dorëzuar kalanë dhe mbarë Himarën e Shqipërisë. Ai nuk ka guximin të thotë një gjysmë fjale, edhe pse kryetari i bashkisë mesditën e djeshme sfidonte autoritetet shqiptare, duke shpallur mbylljen e "kufijve" të Himarës për turistët.
Vrasja e një të riu në zonë, mbrëmjen e dy netëve më parë, shërbeu për të treguar, veç mungesës së shtetit dhe lulëzimit tragjik të krimit në vend, se Himara kontrollohet nga një pushtet paralel dhe jashtë juridiksionit të qeverisë shqiptare dhe si rëndom vitet e fundit, aty sfidohen të gjitha ligjet e shtetit shqiptar. Vrasja e shtetasit Aristidh Guma, për fat të keq është një lajm tjetër i zi në vend.
Është krimi i përditshëm që ka mbërthyer Shqipërinë nga veriu në jug. I ndjeri Guma si qindra të tjerë kanë qenë viktima të tij, sepse shteti është i pafuqishëm për të parandaluar vrasjet, plagosjet, krimet ordinere dhe deri te ato të porositura. Për këtë situatë dramatike, fajtore është qeveria që kryeson rekordmeni Sali Berisha, pastaj Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, krah i djathtë i tij.
Nëse Himara do të kërkojë realisht përgjegjësin e vrasjes së të riut dy net më parë, ta kërkojë te klima konfliktuale që mbjellë në vend retorika alla-sali, te pasiguria totale dhe mospërgjigjja vrastare e strukturave shtetërore ndaj rritjes së krimit të rrugës. Berisha heshti si gjithnjë, edhe dje në mbledhjen e qeverisë, ndonëse ishte informuar që një mbrëmje më parë për krimin e radhës, bllokimin e rrugës dhe kalvarin që kaluan mbi 12 orë ata mijëra udhëtarë vendas dhe të huaj që ranë viktima të mungesës së autoritetit shtetëror në "Kështjellën" e Himarës.
Kryeministri i shqiptarëve nuk tha asnjë fjalë, as për të ngushëlluar familjen e viktimës, as për të bërë thirrje për qetësi te banorët e
revoltuar, as për t'i tërhequr veshin zaptuesit të ri të kështjellës së Gjon Kastriotit, se askush nuk mund të dalë mbi ligjin dhe mbi autoritetin e shtetit.Foli për "bumin turistik" (!) Ata turistë fatkeq që kaluan natën jashtë në Himarë zor se do të binden të kthehen më në një vend ku ligjin e bën vetëgjyqësia. Foli për rekordin personal në not, kinezërirat e medaljes dhe dialogjet imagjinare për peshkaqenë, por kurrsesi për Himarën. Që kur Sali Berisha vendosi të bëhej më grek se grekët dhe të shpallte aleancën anti-shqiptare me atë çka përfaqëson një si Vasil Bollano, Himara ka qenë krahina më e trazuar e Shqipërisë. Në zgjedhjet e rregullta parlamentare apo vendore, ligjin dhe votën e kanë bërë votuesit e sjellë me autobusë nga Athina dhe jo banorët që jetojnë në atë zonë, mesazhet i kanë sjellë në greqisht dhe po në greqisht janë përcjellë prej autoriteteve të Himarës, deputetët që vijnë po nga Athina. Në çdo trazirë, të nisur për shkaqe banale, kryetari i bashkisë së Himarës do të ankohet për dhunën ndaj minoritetit etnik grek nga ana e policëve shqiptarë.
Kanë qenë deklaratat ksenofobe dhe antishqiptare të z. Bollano ato që kanë detyruar disa herë të rinj nga Vlora apo rrethe të tjera që të ndërmarrin udhëtime të organizuara në drejtim të Himarës, me në krye flamurin kombëtar të Shqipërisë. Kanë qenë thirrjet në gjuhën greke, presioni për të folur vetëm greqishten dhe jo gjuhën shqipe, ato që kanë ndezur tensione mes banorëvetë Himarës dhe me të tjerë. Ka qenë sfida e bashkisë së drejtuar nga z. Bollano për të shkulur çdo tabelë rrugore me germa shqipe, për të treguar se zona nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë, por me Greqinë, ajo që nxiti edhe reagimin e drejtësisë shqiptare.Por drejtësia dhe ligji nuk arriti të vihej në vend. Dhe as ka për tu vënë në vend. Sepse z. Bollano dhe ajo çka ai përfaqëson është i paprekshëm, nën mbrojtjen e kryeministrit të këtij vendi - edhe kur shkul tabelat, edhe kur mbyll kufijtë dhe kur shpall si fortesë të tij, kështjellën e Gjon Kastriotit.
Arben Rrozhani
Burimi: Shekulli
No comments:
Post a Comment