Sunday, August 29, 2010

Mos ka ardhur koha të krijohet dhe Policia Drejtshkrimore?!

Gjuhën e kemi të bukur, vërtet shumë të bukur. Ajo tingëllon tejet e këndshme në gojën e atyre që e flasin si duhet dhe siç ajo e meriton e natyrisht që dinë dhe ta respektojnë atë. Për mua gjuha shqipe ka një kantilenë dhe muzikalitet të veçantë, që rrallë gjuhë të tjera në botë e kanë.

Ajo është si një simfoni e harmonizuar mjeshtërisht, ku tema, motivet dhe meloditë krijojnë së bashku një tërësi perfekte, së cilës as mund ti shtosh e as mund ti heqësh gjë. Gjithashtu njihen historikisht përpjekjet dhe sakrificat sublime të të gjitha kohrave dhe brezave për ta ruajtur gjuhën tonë nga asimilimi, për ta pasuruar atë dhe për ta bërë sa më kombëtare.

Kam dëgjuar dhe dëgjoj me ëndje disa folës të operatorëve të ndryshëm radio-televizivë, jo vetëm nga timbri i veçantë i zërit të tyre, por para së gjithash nga korrektesa e shqiptimit dhe e përcjelljes me kulturë gjuhësore të gjithçkaje që prezantojnë. Janë të shumta figurat e spikatura në këtë fushë dhe personazhet që meritojnë respektin dhe mirënjohjen tonë për kontributin e tyre madhor në këtë aspekt. Kuptohet që gjuhëtarët e të gjitha kohërave dhe akademikët e kësaj fushe, mbeten përjetësisht korifejtë e saj.

Por ç’po ndodh aktualisht me gjuhën e folur e sidomos me atë të shkruar?!
Mjafton të ndjekësh një seancë parlamentare që të përballesh me përdorimin e një terminologjie të huaj, totalisht të panevojshme ku mjaft prej këtyre fjalëve, jo vetëm tingëllojnë më bukur në shqip, por dhe përcillen më lehtë dhe e bëjnë fjalimin apo diskutimin më të qartë e thjeshtësisht të kuptueshëm.
Nuk po ndalemi tek dialektizmat apo zhargonet vulgare, se s’ia nxjerrim dot fundin këtij fenomeni vetëm me një shkrim në gazetë. Në shkrimin tim do doja të ndalesha veçanërisht dhe realisht në gjuhën e shkruar, duke marrë shkas nga disa tabela lokalesh apo dyqanesh, lajmërimesh dhe njoftimesh.
Duke kaluar në një nga lagjet e brendshme, (që ruan ende karakterin tradicional me ndërtimet e saj) lexova një tabelë të madhe mbi fasadën e një dyqani: Çëpojmë vesh për vathe.
Duke ecur me buzën në gaz u përballa me një tjetër tabelë; kësaj rradhe qesha i sforcuar nën buzë se kush më shihte më merrte për të lajthitur. “Shpia shitet”, por të dyja S-të ishin konfiguruar në një tjetër stil.
Diku nga periferia (lagja mbrapa Fakultetit të Mjekësisë) tabelë tjetër “Shes buk thekëre”.
Në një rrugë mjaft të qarkulluar tabela ”Pik karburanti”.

Vazhdojmë: “Lule naturale”, “Bylmet Jugu”, “Gjiz pa krip”, Djath “Dele”, “Farmaci buiqësore”, “Kurse robaqepësie”, “Kopështi x...”, “Kërkojm shitse”, “Mish CICI”, “Pica me fur drruri”, “Riparojm magnjitofona”, “Qymir druri”, “Klinik dentare”, “Dyshek original”, “Hulluqe xingato”, “Mallra të përdorura “Firmato”, “Kemi arta dhe artllase”, Farmacia X në rrugën“Bardhyl” ofronte peshore elektronike, gjatë autostradës Tiranë-Durrës: “Kemi pjesë për FJAT”, në një banak ngrirës prezantoj akullore me shije çikollate etj, etj,.

Këto janë vetëm një pjesë e vogël e kësaj tragjikomedie të gjuhës së shkruar shqipe, vënë në skenë me regjinë e të paditurve; nga ata që dhe pse me prona e kapitale, ende janë defiçentë ndaj një detyrimi sa moral e shoqëror aq dhe kulturor e atdhetar.

Gjuha është element kombformues. Pa të je askushi.
Mos harrojmë që ka mjaft të huaj, të cilët e kanë mësuar shqipen me gramatikë dhe dinë ta flasin e ta shkruajnë korrektësisht. Ka dhe misionarë të moshave relativisht të reja, me të cilët ndeshemi përditë në kryqëzime rrugësh tek na ofrojnë literaturë dhe asistencë për mësimin e një gjuhe të huaj, të cilët (po t’ju’a kërkonim) s’do hezitonin të na jepnin leksione dhe për shqipen (veçanërisht atyre që e plagosin atë).

I dashur i paditur!

Mirë që vet nuk di dhe as ke ndërmend të mësosh, por së paku pyet një që di pak më shumë se ty. Jo për gjë, po ajo tabela jote gjithë gabime trashanike, të prish punë jo vetëm ty, sepse kanë ndryshuar kohët e së bashku me të edhe njerëzit, por na turpëron dhe ne në sytë e botës.
Ndoshta kjo thirrje nuk do të mjaftonte për ta ndryshuar gjendjen e sipërpërshkruar.

Mos vallë ka ardhur koha për krijimin e një strukture të re, qoftë dhe të përkohshme, e cila të ndjekë me prioritet këtë dukuri realisht shqetësuese? Le ta quajmë Policia Drejtshkrimore, e cila të ketë atribute dhe kompetenca të gjobisë kundravajtësit, pse jo dhe ti pezullojë ata deri në zbatimin e detyrimit ligjor ndaj gjuhës sonë amtare, për të mos lejuar bastardime, deformime dhe shëmtime të njërës prej gjuhëve më të vjetra në kontinent.




Petraq Floku, T. Observer


No comments: