Elita kulturore shqiptare ka krijuar një realitet virtual për shqiptarin e keq, të pacivilizuar dhe primitiv.
Fryma që përhapin kalorësit e suksesit publik thotë: "Urre veten" Po kthehet në virtyt paaftësia për të interpretuar dhe kuptuar thelbësisht Shqipërinë Është tragjike kur shikon se sa shumë nuk e kupton shqiptari shqiptarin.
Këtu nuk e kam për elitën politike, mos më keqkuptojë njeri, pasi elita politike historikisht e ka njohur shumë mirë popullin e saj: për të abuzuar mbi të, për ta shtypur, për ta terrorizuar e për më tepër, edhe korruptuar.
Ky është një shkrim për një pjesë tjetër të elitës së një vendi, për atë pjesë e cila, ndonëse nuk ka ndonjë kapital ekonomik të konsiderueshëm, pretendon dhe beson se është mbartëse e një kapitali kulturor. Kudo në vendet moderne, si ky i yni, ka një elitë të tillë e cila vetëvendoset në një pozicion diku, nën atë elitën e madhe ekonomiko-politike, por që luan rolin e ndërmjetësit dhe katalizatorit midis popullit, të ashtuquajtur të thjeshtë, dhe shtresave të larta.
Për ta thënë më troç, kjo është ajo pjesë e shoqërisë e cila mbart atë kapitalin e caktuar kulturor, por në tërësinë e saj, për mbijetesë, është e varur drejtpërdrejt nga elita e madhe e fuqishme, dhe të dyja bashkë, në negociatë të vazhdueshme dhe flirtim më njëra-tjetrën, thënë shqip, "bëjnë ligjin".
Është e dhimbshme dhe bezdisëse kur shikon këtë pjesë të shoqërisë e cila në vetvete duhet të luante rolin e lokomotivës së alternativave, të ketë marrë rolin e një vetëfshikullueseje, këtë radhë jo më si murgjit mesjetarë për mëkatet e veta, pasi nuk ia kërkon njeri këtë, por për ato që shihen, anatemohen dhe përqeshen, si defektet e të tjerëve, që në ketë rast është populli ynë i varfër.
Nuk do shumë të kuptosh e të shohësh këtë mori përbuzjeje, përbaltjeje dhe gjykimi që kjo elitë kulturore konfuze i bën popullit të saj përditë, kudo, në media të shkruara, në televizione, apo gjithnjë e më tepër nëpër blogje të panumërta interneti. Një elitë e kthyer në xhelat morali dhe etike, duke vërshuar pareshtur me një frenetizëm titanik për t'u mbivendosur mbi këtë popull, duke anatemuar çdo bëmë të tijën, çdo shije të tijën, qoftë kjo edhe mënyrën e tij për të pushuar, për të vdekur, për të festuar apo për të bërë pazarin e përditshëm tek tregu i perimeve.
Është normale dhe që elita të caktuara, ose aspirantë të ngjitjes se shkallëve të vështira sociale, të përpiqen që të distancohen dhe diferencohen nga "populli poshtë", por në vendin tonë kjo rendje për diferencim ka marrë përmasa qesharake dhe deri diku poshtëruese.
Është një luftë e përditshme vetëmohimi, fyerjesh dhe gjykimi që këta myftinj, zaimë, hoxhallarë apo priftërinj të rinj të këtij rendi shumë të sofistikuar strategjish mbijetese, i bëjnë realitetit duke e shpallur dhe shpartalluar atë si absurd, të pakuptueshëm, të pacivilizuar, idiot apo thjesht dhe saktë: shqiptar.
Kjo fjalë është sjellë në diskursin e përditshëm të kumbojë në mënyrën më të keqe të mundshme nga këta Nastradinë me aureole perëndimore, të mirëpërshtatur estetikisht, pa kuptuar se janë duke bartur në vete atë rrjedhë nga lart poshtë që në vazhdimësi kontaminon dhe infekton gjithë shoqërinë e këtij vendi.
Në anën tjetër kemi ata, të tjetërsuarit brenda tokës së tyre, ata që historikisht e gjejnë veten poshtë e në mundim të vazhdueshëm marrin dhe imitojnë atributet e pjesës dhe shtresave të mësipërme. Këta përthithin dhe shpërndajnë më tej trende dhe idioma të cilat vijnë dhe perceptohen si atribute të pandara të elitave përkatëse.
Ka një konstatimin retorik që përkufizohet në disa shprehje të cilat i dëgjon nga të gjithë tek shprehen në kor, duke filluar nga lypësi i rrugës, fatorinoja i autobusit, polici i trafikut e deri tek njerëzit më të kualifikuar të mundshëm: "Nuk bëhet ky vend", "Ça të bësh, jetojmë në Shqipëri". Ose më lakonikë akoma: "Si në Shqipëri".
Nëse vë në pikëpyetje diçka, të përgjigjen: "Po ti, nuk jeton në Shqipëri?", çka nënkupton "nuk ka zgjidhje kjo punë". Ndërsa për të epitomizuar gjithë të zezat e botës ndaj dikujt, mjafton të thuhet: "Shqiptar hesapi". Të gjitha këto bashkohen në një idiomë të vetme, të kthyer në himn kombëtar: "Shqipëria është absurde! Nuk ka zot që ta kuptojë këtë vend!". Ky është momenti më sublim kolektiv që ndajmë në stadin e këtij realiteti të ri: distancimi ndaj budallallëkut të të tjerëve (!), i cili mbetet vazhdimisht i paartikuluar por i nënkuptuar.
A është vërtet ky realitet kaq budalla dhe i padashur nga kalorësit e suksesit publik? E gjithë kjo vorbull, ky vorteks pakënaqësie kolektive me diçka dhe gjithçka eluzive, është shndërruar në një mantra për shqiptarin e gjunjëzuar nën rrotën historike që i ka zënë "bishtin" e vënë në radhë të parë nga elita e tij: Urre veten!
Rrjedha e këtij vetpërçmimi nga lart poshtë, ka një origjinë që buron nga vullneti i pashtershëm i elitës kulturore për t'u distancuar nga unë, nga ti, nga vetja; nga ajo që në perceptimin e saj është pjesa e shëmtuar e qenies shqiptare: shqiptari vetë, pra, ky njeri i paqytetëruar.
Luhet kështu një lojë kukullash me identitetin, lojë e vjetër dhe e njohur për të gjithë ata që synojnë të ngjisin shkallët e hierarkisë shoqërore. Në këtë frymë të kthyer në proces poshtërimi, në këtë mësymje për "lart", krijohet kjo farsë identitetesh me apoteozë një legenosje totale. Në këto zig-zage na përplaset në fytyrë një histori tjetërsimi që funksionon në bërjen dhe zhbërjen e njëri-tjetrit. Këtu shqiptari arrin të zhvishet nga identiteti i tij human duke u shndërruar në turmë, në masë apo thjesht, në popull.
Duket sikur elita kulturore ka marrë iniciativën për të vendosur virtualisht një kufi ndarës mes popullit të saj, pra mes vetes dhe atij tjetri fiktiv, prej të cilit kërkon të distancohet. Po të lemë elitën kulturore një moment, tek populli i thjeshtë, atje poshtë, dhe i poshtëruar, do të shohim se ai e përshtat në mënyrën e tij këtë ndjesi dhe performancë të sjellë nga njerëzit e sipërm si një instrument diferencimi ndaj mjedisit human që e rrethon.
Sa më shumë t'i mëshosh kësaj vale, aq më të forta janë shanset për t'u pranuar në këtë vëllazëri snobësh të cilët mendojnë se ushqehen duke pështyrë mbi popullin e tyre. Me sa duket nuk ka rrugë tjetër. Pasi kjo performancë është historike dhe ky virtualitet tepër i pranishëm, bën të mundur këtë diferencim jetik për elitën tonë kulturore dhe mbijetesën e saj. Kulmin këtu, për mendimin tim, e arrin momenti kur këta njerëz nisin e tallen me popullin e tyre dhe aq më keq, me mënyrën sesi këta të tjerë mundohen të realizojnë dëshirat e veta.
Këta njerëzit e thjeshtë, i bie që edhe ëndrrat t'i kenë jo aq të pranueshme dhe përgjithësisht gabim! U kujtoj se sa më virtuale të bëhen rendet shoqërore dhe sa më të kontrolluara të jenë ato, armiku më i madh mbeten ëndrrat e të tjerëve. Nuk ka gjë më destabilizuese për një rend virtual sesa aspiratat që njerëzit kanë për jetët e tyre dhe mënyra më mirë për t'i kontrolluar është të tallesh me to.
Ëndrrat e popullit bëhen shqetësuese. Ato befas interferojnë me një realitet simulakre dhe simulimi në një rend shoqëror që bëhet gjithnjë e më i mbyllur. Çdo tentativë e shqiptarit për të realizuar një ëndërr të tijën kthehet në irritim për elitën kulturore. Ajo del me peticione, ajo rreshtohet në neveri. Kjo sa vjen e bëhet më e modës.
Mendimtarë të kualifikuar, shpeshherë me diploma të bukura dhe me CV të pasura në xhep, i japin të drejtë vetes të mos u pëlqejë mënyra si shqiptarët luftojnë për jetën dhe familjet e tyre. Këtyre tipave nuk u pëlqen mënyra si shqiptarët ndërtojnë shtëpitë, me sa kate i ndërtojnë, çfarë ngjyre i lyejnë, nga i kthejnë dritaret, si i ngrejnë ballkonet. Këtyre nuk u pëlqen si i mbajnë flokët njerëzit, si vishen vajzat, si rrinë ulur burrat apo si zbukurohen gratë.
Këtyre nuk u pëlqen si bëhet politika, si luhet muzika, çfarë dëgjon shoferi i fugonit, çfarë filmash shohin gratë shtëpiake, çfarë shfaqjesh kanë më shumë publik në teatër, sa herë lahen njerëzit në ditë apo në javë, për kë votojnë shqiptarët, si bëjnë njerëzit tifozllëk në stadium, si njerëzia shkollohet, si njerëzit duan të çojnë fëmijët në shkolla jashtë apo brenda, pse njerëzit zgjedhin filan profesion dhe jo një tjetër.
Këtyre nuk u pëlqejnë veçanërisht dialektet e të tjerëve, dhe aversion special kanë me emrin ekzotik që dikujt i kanë vënë prindët. Njerëzit tanë të iluminuar nuk i zë gjumi natën nga pakënaqësia, dhe të acaruar nuk mund të rrijnë pa e shprehur. Sejcilit mjafton t'i japësh një mikrofon dhe nuk nguron një sekondë të shprehë shqetësimin shumë qytetar për gjithë mënyrën se si jeton shqiptari i zakonshëm. Hapësira publike mediatike është e hipertrofizuar me këtë lament të përgjithshëm prej fletërrufesh imanente ku sejcili elitar kulturor i afirmuar apo thjesht aspirues, është një Zeus i vogël në majë të kullës së fildishtë ku ka pozicionuar veten apo edhe shoqërinë e tij të ngushtë, natyrisht shumë të zgjedhur.
Është kthyer në shaka praktike fakti që mjafton t'i japësh dikujt 15 minutat e tij të famës dhe nis menjëherë këngën e vuajtjes për zgjedhjet dhe zgjidhjet e gabuara që bëjnë gjithmonë ata, të tjerët, që kemi fatkeqësinë t'i kemi kaq pranë.
Shqiptarët shpallen vazhdimisht në mënyrë konkrete dhe të detajuar si primitivë, tuhafë, pisanjosë, të trashë, kriminelë, kokëpalarë, imorale dhe imoralë e të tjera bukurira si këto.
Ata më të guximshmit dhe më të papërmbajtshmit, arrijnë edhe ta reduktojnë popullin e tyre, fare thjesht,në kafshë. Në këtë dehumanizim të hapësirës publike të gjithë ndjehen Nietzsche të veckël, superiorë, supernjerëz, njerëz të veçantë. Neveria me realitetin shqiptar arrin kulmin kur ajka e njerëzve të kulturuar nuk denjon të ndyjë duart duke marrë pjesë në zgjedhje, e aq më keq pastaj të shprehë, larg qoftë, ndonjë simpati politike në publik.
Kjo është ajo paanshmëria e intelektualëve të shquar që kopjohet sa vjen e zbret më poshtë në hierarkinë e aspirantëve të intelektit. Të qëndrosh mbi realitetin është punë mode. Këtu, në këtë rezervat, ndodh një barazim reduktiv i gjithkujt në një hiç. Një mohim total i çdo përpjekjeje të çdokujt, për çfarëdolloj gjëje qoftë ajo mbi dhé.
Kemi të bëjmë pra, me një proces post-moderno kripto-fashist i cili tjetërson çdo korrelacion social. Rrezikshmëria e këtij fenomeni tipik të një elite kulturore provinciale është se po ndikon në një shkërmoqje tragjike të organizimit të alternativave dhe bashkërendimit të veprimit në realitetin shoqëror. Është katastrofale për kohezionin e një shoqërie përhapja masive e një fryme mosbesimi, intrigash dhe konspiracionesh të cilat sjellin dekurajim të çdo ëndrre të mbetur pezull pa një nismë apo angazhim shoqëror real të vërtetë. Nga njëra anë kemi frymën e shpalljes së gjithçkaje, të çdokujt dhe çdo gjëje si të marrë fund, nga ana tjetër përsëritjen se realiteti ynë është përfundimisht absurd që nuk ka zot ta kuptojë.
Kjo përmbytje zhgënjimi, në radhë të parë, buron nga disa njerëz shumë të mirë që gëzojnë prestigj e respekt, dhe me këtë jetojnë, të nisur nga dëshira e mirë, sigurisht, duke thënë vetëm gjysmë të vërteta.
E këta miq tanët ndjehen gjithmonë të zhgënjyer nga realiteti. A thua realiteti iu kishte një borxh që nuk ua ka kthyer kurrë. Psikologjia e të parit të vendit si një territor që i ka vetëm borxhe këtij supermenit postmodern, është një nga gjeneratorët e një fryme mosbesimi ndaj gjithkujt tjetër që paralizon të ardhmen e vendit përgjithmonë. Kush ka mbetur pa rrëmbyer diçka, krijon një tym atmosfere të pashpresë që këta mercenarë mediatikë tashmë kanë instaluar.
Dhe vjen e bëhet evidente në shtresa më të gjera sociale, ku mbizotëron pavetëdija për mënyrën se si funksionon një shoqëri moderne, përfshi këtu sidomos elementet më jetike dhe bazat e koordinimit të aksionit social. Këto fenomene kanë një dozë pafajësie brenda, por sido që të jenë, në thelb, dua të theksoj, se janë pjellë e këtij procesi të tejzgjatur vetëpërçmimi, proces i cili dëshmon për një papërgjegjshmëri të plotë historike të elitës së sotme kulturore. Një papërgjegjshmëri që ia kalon njëqindfish asaj të elitës politike në përgjithësi. Pa e kuptuar as vetë, dhe për këtë jam i bindur, kjo elitë kulturore po kontribuon, duke vendosur gozhdët e fundit në asgjësimin e mundësive të ndryshimit të kësaj shoqërie.
Ju siguroj, të gjithë në thelb janë shumë të kënaqur. Por sidoqoftë, këtu nuk jemi vetëm. Këto janë procese karakteristike për elitat kulturore të vendeve në zhvillim, ose thënë ndryshe të botës së tretë, të cilat e kanë vendosur veten në balona virtuale lundruese në ajër, mbi kokat e popujve të stërmunduar dhe të lodhur.
Rrugë të mbare miqtë e mi!
Por përpara se të ndahemi dua të shtroj këto pyetje: Si ka mundësi që kjo elitë kulturore e kupton kaq pak popullin e saj? Si ka mundësi që në vazhdimësi, vit pas viti, kuptohet kaq keq dhe me kaq vonesë konteksti ku ndodhet populli ynë?
Si ka mundësi që këta njerëz të vetëkënaqur dhe të verbër nuk e kuptojnë se me sjelljen e tyre janë thjesht një mekanizëm i lirë në dorën e një sistemi të cilin e krijojmë vetë, dhe është në dorën tonë ta ngremë e ta drejtojmë si të duam? Kjo shtresë shoqërore, mund të mos e kishte braktisur popullin e saj, por mundej edhe të merrte në ndërgjegje dhe në duar hartat dhe alternativat e mundshme dhe të hapura për këtë vend, të cilat kurrë nuk janë artikuluar.
Por në të kundërt, realiteti shoqëror është braktisur, dhe mbetet pas një tym paaftësie për të prodhuar qoftë edhe një ide të lidhur me kontekstin tonë lokal dhe global. Situata ku ndodhemi dhe kjo elitë kulturore pubertale që kemi, po mbjell një sistem hipokrizie dhe paditurie publike, i cili mund të sjellë vrulle të pallogaritshme energjish destruktive në të ardhmen nga poshtë lart. Kjo sepse gradualisht, përveç kafepirjes së pafund, po kthehet në virtyt paaftësia për të interpretuar dhe kuptuar thelbësisht Shqipërinë.
Ai që e bën rend ta zhvat, duke u bërë pjesë e asaj elitës së madhe fare, ndërsa pjesa tjetër, kjo kulturorja shumë e zhvilluar, thjesht bën sikur nuk e sheh. Për këtë shkak ajo është kthyer në bartëse të drejtpërdrejtë dhe efikase të kontributit fatkeq historik të alienimit të çdokujt në vendin e tij. Kjo lloj simulakre intelektuale e paplotësuar dhe e dekontekstualizuar, ka ngritur një rend shoqëror i cili ka tendencën të kryeje një pastrim të ri etnik të trojeve tona nga çdo njeri që ka nevojë jetike të respektojë veten e vet. Pjesa më elegante ekzistenciale e këtij diskursi elitar arrin deri atje sa të artikulojë që pjesa më e madhe e njerëzve në ketë vend jetojnë kot.
E pra kjo kotësi e projektuar mbi të tjerët, mund të jetë tashmë duke instaluar një model humnere dhe hendekësh artificialë. Nuk kisha ndërmend këtu të bëja historinë e popullit tonë të varfër, të bukur, të mirë dhe fatkeqësisht të vuajtur. Kjo nuk më takon, por mbetet, mendoj, pjesë e procesit të brendshëm dhe formimit të sejcilit prej nesh, aq sa vetë e ndjejmë të nevojshme dhe të arsyeshme. Megjithatë, dua ta mbyll duke kujtuar se nuk ka asgjë absurde dhe të pakuptueshme mbi dhé. Ajo çfarë mungon është urtësia, përkushtimi, integriteti, personaliteti dhe vullneti i mirë; si instrumenti i vetëm, por gjithmonë i mundshëm, universal.
Realiteti nuk është absurd, as i yni, as i juaji, as i huaji, dhe pa një reflektim më të gjerë në këto procese identifikimi dhe rivlerësimi të vetes, rrezikojmë të mbetemi përjetësisht një vend qesharak, i ruajtur nga këta Kerberosë të Hadit. Regjisor, antropolog social
Jona Shanaj,G. Shekulli
No comments:
Post a Comment