Wednesday, August 18, 2010

Ngjarja në Himarë, reagon Janullatos. Arrestohen 7 persona

UPDATE- Policia ka arrestuar 7 persona të akuzuar për ngjarjen ne Himare, ku 36-vjeçari Aristotel Guma u gjet i vdekur ne rruge i perplasur nga nje makine.

Ngjarje që u pasua me rebelim të banorëve të zonës dhe bllokim për 13 orë të rrugës Vlorë-Himarë. Sipas burimeve policore janë shoqëruar shtetasit; Bledar Memia 22 vjeç, Aleksander Gjokaj, 21 vjec; Andi Kotorri, 25 vjec; Dijon Bushi, 19 vjec; Fabjon Jahaj 21 vjec; Endrit Salataj 22 vjec, të gjithë nga Vlora dhe shtetasi Juxhin Mustafaraj nga Tirana.

Për ngjarjen ka reaguar kryepeshkopi Anastas Janullatos, i cili bashkë me ngushëllimet për familjarët e viktimës ka bërë apel për gjakftohtësi. "Ngushëlloj me gjithë shpirt familjen e tij, dhe lutem që Perëndia të preh në paqe shpirtin e tij.

Veprime të tilla dhune të paargumentuar, të dënueshme pa asnjë ekuivok nga çdo person me arsye, përbëjnë kërcënim për cenimin e klimës së bashkekzistencës paqësore, për të cilën të gjithë qytetarët e përgjegjshëm të Shqipërisë kanë bërë vazhdimisht përpjekje"- thuhet në deklaratën e Janullatosit.

Sipas deklaratës, në këtë moment kritik prej çdokujt kërkohet përgjegjshmëri dhe gjakftohtësi, shmangie të akteve të hakmarrjes, investigim për të vërtetën dhe imponim të drejtësisë. "Për më tepër është e domosdoshme që të intensifikohen përpjekjet që të sigurohen liritë e çdo qytetari dhe në përgjithësi të të drejtave të njeriut",- përfundon deklarata. 12.30 Disa protestues të Himarës sulmojnë me thikë një operator dhe një gazetare të një mediaje vizive që po filmonin momentet e zhbllokimit të aksit Vlorë-Sarandë.

Rreth orës 12:00 operatori Erand Haruni ka qenë duke filmuar ndërkohë që dy persona i kanë kërkuar kamerën. Megjithëse i rrethuar nga policët, personat kanë mundur që ta arrijnë duke e qëlluar me thikë dhe duke I shkaktuar fatmirësisht plagë të lehta. "U sulën dy vetë", rrëfen operatori. "Ishim të rrethuar me policë, por policet thjesht ngushtuan rrethin në mënyrë që banorët të mos afroheshin. Por ata nuk u ndalën dhe arritën të thyenin kamerën dhe mikrofonin. Më pas, një nga policët mori kamerën në mënyrë që banorët të shkonin drejt tij e për t'I shmangur ndaj meje. Duhet të isha larguar më parë, por mendova që do të ishte mirë ta filmoja situatën deri në fund", rrëfeu operatori Haruni. Personat që sulmuan janë emigrantë në shtetin grek që kthehen gjatë verës. Sipas dëshmive, ata u kanë thënë policëve se kërkojnë mbrojtje nga policia greke dhe jo ajo shqiptare. Ndërkaq aksi rrugor ka mundur të zhbllokohet vetëm për pak kohë, ndërsa banorët e kanë bllokuar sërish atë.

E gjithë kjo situatë është krijuar pasi dje rreth orës 21:00 është gjetur i vdekur shtetasi Aristotel Guma, 36 vjec. Sipas burimeve në vendngjarje mësohet së mbrëmë pesë persona nga Vlora janë grindur me një grup personash nga Himara me të cilëve dhe viktima, për shkaqe ende të panjohura. Pasi grupet janë ndarë, personat ng Vlora kanë hypur në makinën e tyre, ndërsa viktima në motorcikletë. Në këtë moment personat nga Vlora kanë përplasur motocikletën e 36 vjecarit duke e lënë atë të vdekur. Sipas policisë përplasja ka qenë aksidentale, por banorët e Himarës mendojnë se ka qenë e qëllimshme dhe menjëherë pas kësaj ata kanë bllokuar rrugën duke kërkuar zbardhje e plotë të ngjarjes.

ARLINDA GJYPI-Shekulli

No comments: