Disa ditë më parë, mediat njoftuan se organet e rendit publik kishin instaluar radarë, pra kamera kontrolli, në rrugën e shpejtësisë së madhe Tiranë - Durrës.
Nuk mund të mos konsiderohet një lajm i mirë. Mirëpo, nuk e kam fjalën te çështja teknike e përdorimit të mjeteve elektronike për të garantuar një lëvizje normale të automjeteve dhe shmangien e aksidenteve, por më tepër te një rreth problemesh të tjera shoqërore që lidhen me të.
Kuptohet që e gjithë shoqëria është e interesuar që të ulen aksidentet rrugore. Brenda një viti, ndër ne ka dhjetëra të vrarë dhe sa e sa të plagosur nga këto aksidente. Pastaj pa fund të rrezikuar, të traumatizuar, kurse grindjet dhe sherret në rrugë midis drejtuesve të automjeteve janë të panumërta.
Në ndryshim nga vende të tjera, anëtare të Bashkimit Evropian, te ne humbja e jetës së dikujt si pasojë e aksidenteve në rrugë, plagosjet e të tjera, janë kryesisht çështje që kanë të bëjnë me anën humane: ikën një jetë njerëzore që askush veç Zotit nuk ka të drejtë ta marrë, shkaktohen plagë familjare, dhimbja e të afërmve, fëmijë që mbesin shpeshherë jetimë e kështu me radhë. Jo se këto nuk ndodhin edhe në Perëndim, por atje, e gjitha kjo shoqërohet edhe me fatura të rënda për kompanitë e sigurimit të jetës së njeriut fatkeq, pra të viktimës, të cilat janë të detyruara të paguajnë për kompensimin e dëmeve që shoqërojnë gjithmonë humbjen e një jete njeriu. Në dallim nga këto raste, shkalla e sigurimit të jetës te ne është në nivele ende të ulëta. Në këtë mënyrë edhe presioni i agjencive të sigurimit të jetës te ne mbi autoritetet e mirëmbajtjes së rrugëve, qarkullimit rrugor, pra mbi forcën publike është shumë më i dobët se gjetiu. Nuk ka raste të spikatura ku avokatët e këtyre agjencive të angazhohen për të mbrojtur çështje ku të dalë në pah se i kujt ishte në të vërtetë faji për një aksident të bërë. Pra, ishte i drejtuesit të automjetit, i kalimtarit të aksidentuar, apo i të metave të sinjalistikës rrugore, apo i cilësisë së xhadesë?
Duke më rastisur të udhëtoja një ditë në një rrugë dytësore në Gjermani, diku në një zonë rurale jo pak të thellë, të larguar nga akset kryesore rrugore, ngjitur për në majën e një kodre, pashë se anash rrugës së ngushtë kishte pa fund flamurka të vegjël prej metali, ngjyrë të verdhë, ngulur në disa si shtiza jo fort të gjata në tokë. Më bëri përshtypje, prandaj gjeta rastin të pyesja dikë për sa më sipër. Ai më tha me një lloj shpërfillje se dukej që për të ishte një fakt krejt rutinë: "Është komuna që mirëmban kanalizimet anash rrugës, pra bën meremetime dhe prandaj, sikurse e sheh, janë hapur disa gropa. Komuna është e detyruar t'i shënojë me flamurë në mënyrë që automobilistët pastaj të mos thonë se nuk i panë ato gropëza të vogla dhe ta hedhin në gjyq me akuzën se për shkak të gjendjes së përkohshme të rrugës iu është dëmtuar automobili. Po të ndodhë kjo, ata bëjnë ankesë pranë agjencive të tyre të sigurimeve dhe avokatët e këtyre të fundit e hedhin komunën në gjyq për të paguar dëmin".
Parë kështu, më duket se vendosja e radarëve në formën e kamerave në rrugën e shpejtësisë së madhe Tiranë - Durrës është e shtyrë më tepër nga ideja për të shmangur dramat njerëzore, për të shmangur numrin e madh të aksidenteve rrugore, sesa nga interesa financiare të operatorëve që në kohët moderne janë të specializuar për të bërë sigurimin financiar të jetës njerëzore.
Ka qenë dhe vazhdon të mbetet shumë problematike rruga Tiranë - Durrës, por edhe aksi rrugor që shkon drejt Lushnjës e tani edhe aksi rrugor Tiranë - Shkodër, gradualisht ndofta edhe rruga e re cilësore që shkon drejt Kukësit, për numrin e madh të aksidenteve rrugore. Por, jo vetëm kaq. Janë gjakosur shumë këto rrugë duke rrezikuar të kthehen në kasaphana, me një numër të madh aksidentesh që duhet thënë hapur nuk janë të pakët edhe në Perëndim. Edhe gjetiu ka shumë jetë njerëzore që humbasin rrugëve. Por, kjo është njëra anë, sigurisht më e rëndësishmja, por jo e vetmja.
Në rrugët që lejojnë njëfarë shpejtësie vëre edhe dukuri të tjera sociale.
Cilat mund të ishin disa prej tyre?
Një marrëdhënie të keqe, të papërshtatur të shqiptarit me teknologjinë e lartë.
E kam shkruar edhe herë të tjera se ne si komb, në shekullin e kaluar, patëm një marrëdhënie të pagjetur me industrinë dhe teknologjinë, për një mijë arsye që nuk është vendi t'i analizojmë këtu. Gjithsesi, për shumë shtresa të popullsisë është njohur një kalim i shpejtë, pothuajse i menjëhershëm, nga përdorimi i kafshëve të punës në familjen rurale, nga shfrytëzimi i qerres, i kalit, kaut, gomarit, si mjete transporti dhe lëvizëse, drejt automjeteve shpesh shumë moderne dhe që japin mundësi për të çliruar shpejtësi të mëdha.
Brenda pak vitesh është kryer ky hop cilësor, i cili jo gjithmonë kuptohet dhe shpjegohet me të gjitha përmasat e veta të rëndësishme dhe me anët e veta kontradiktore. Kur individi që banonte në zonat rurale, kishte në përdorim qerren apo kafshët e transportit, kufizimet në shpejtësi nuk kishte arsye t'i vendoste ai. Sado shpejt që të ecë mushka, pela, kali, gomari apo bualli, kjo shpejtësi mbetet e kufizuar. Nuk ka nevojë as për vetëpërmbajtje etike, as për norma morale kufizuese, as edhe për ndërgjegje të lartë për t'i thënë "Ndal!" tentacionit për të fluturuar.
Gomari, pela, mushka i dinë vetë kufizimet e tyre dhe kanë shpeshherë një vetëpërmbajtje shumë më të shkëlqyer instiktive sesa njeriu më i arsimuar. Jo më kot, tregojnë se Nastradini i hipte gomarit mbrapsht. Kafsha e tij e njihte rrugën vetë dhe mund ta drejtonte njeriun shpeshherë më mirë sesa po t'i kishte vetë njeriu frerët.
Nga ana tjetër, transporti dhe lëvizja me kafshë pune është bërë në hapësira shumë të gjera dhe të parregulluara gjithmonë me kufij ngushtësisht të përcaktuar, sikurse është rasti i xhadesë publike, ku mijëra e mijëra drejtues automjetesh janë të detyruar ta ndajnë atë së bashku, pra të respektojnë njëri-tjetrin. Aq më shumë që duke lëvizur me kafshë transporti, nuk ka pasur nevojë fare të respektohen disa sisteme shenjash dytësore, sikurse janë shenjat shpesh abstrakte të qarkullimit rrugor.
Kurse tani kemi një revolucion të madh kulturor. Dhe fatmirësisht. Por, me pasojat e veta. Djaloshi që dikur e mbanin mbyllur në një zonë të largët rurale, tani lëviz lirshëm nëpër rrugët e kombit dhe më larg akoma, duke rrahur rrugët e Ballkanit dhe të Evropës. Ka në përdorim edhe një automjet të fuqishëm, jo aq mirë të kontrolluar teknikisht, por që jep mundësira për shpejtësira marramendëse në zhvendosje. I mësuar të drejtojë pa pasur nevojë të ketë frena moralë në ndërgjegje, automobilisti tani ka nevojë të zbulojë mundësira të mëdha, dehet nga shpejtësia, jeta e tij ka fituar një përmasë që nuk e ka njohur më parë. Kjo e bën të fluturojë dhe... të aksidentohet duke humbur jetën e vet ose duke u bërë vrasës pa dashje, pra duke marrë jetë njerëzish.
Një Toyota nuk është si pela e fshatit.
Pela përmbahet vetë, edhe rrugën e nuhat vetë se sa e rrezikshme është, edhe fuqia e saj për të vrapuar me trok është e kufizuar. Kurse Toyota nuk përmbahet. Sa më shumë t'i shkelësh pedalin e gazit, aq më shumë fluturon. Këtu drejtuesi i automjetit ka nevojë që përpara sesa të ketë frena të kontrolluar nga ana teknike, i duhet të zotërojë frena moralë për t'i thënë vetes "Ndal! Ku shkon?" Por, kjo sjellje etikisht nuk mësohet kollaj. Është dehëse shpejtësia e automjetit, sepse hap një univers të ri, kalimi te i cili shpesh paguhet me humbjen e jetës.
Por, ka edhe dukuri të tjera. Nëpër rrugët tona vihet re shfaqja e të fortit.
I forti, jo në kuptimin fizik të fjalës, por i një kategorie shoqërore që e konsideron veten të fortë në kuptime të tjera. Dikush ka rënë në një veturë të fuqishme. Ka shpesh nevojë dhe dëshirë të papërmbajtshme për ta treguar fuqinë e tij kundrejt të tjerëve. Më shumë i jep kënaqësi fakti që parakalon të tjerët, duke thyer rregullat e kufizimit të shpejtësisë sesa të pasurit e një autoveture. Si një plumb i shpejtë parakalon të gjitha automjetet që sheh në horizont përpara tij. Pastaj, ka parë në televizion edhe gara të shpejtësive të mëdha me automjete sportive. I duket se edhe ai ka mundësi t'i imitojë pikërisht nëpër rrugët e kombit, duke vendosur në rrezik jetën e tij dhe të tjerëve. I ngjitet bishtit të autoveturave të të tjerëve dhe gati sa nuk i tmerron nga frika pasagjerët që ndodhen në to. Kërkon me urgjencë t'i hapet rruga, duke bërë shenja të alarmuara me drita të gjata. Kush nuk hap rrugën, ka rastin të dëgjojë burinë alarmuese të makinës pas tij, që duket si një luan i xhindosur, nëse krahu nuk i hapet shpejt, atëherë, s'ka problem, parakalimi realizohet edhe në krahun e djathtë.
E keni dëgjuar shprehjen e tanishme: "Hap krahun!"?
Është fjala jo për një kërkesë që lidhet me qarkullimin rrugor. Kjo shprehje përdoret në jetën e përditshme, pra në jetën profesionale ose në marrëdhëniet e biznesit. Përdoret në kuptimin kur dikush që është më kompetitiv, më i suksesshëm, kërkon që të tjerët t'ia njohin këtë aftësi dhe të mos i pengojnë rrugën. Në njëfarë mënyre një sjellje normale. Por, është interesante që shprehja përdor një metaforë që vjen nga qarkullimi rrugor. Në njëfarë mënyre, në jetë dikush sillet si në rastin e lëvizjes me automjet mbi një xhade të shpejtësive të mëdha, kurse në rrugën e madhe, e nget makinën sikur është në një kompeticion profesional apo tregtar ku i duhet t'i kalojë të tjerët. Shpejtësia e madhe në rrugë kur drejton makinën, vjen edhe nga dëshira për të pasur sukses në një sjellje që simbolikisht shenjon jetën në përgjithësi. Heq një pjesë të stresit të përditshëm brenda një jete ku jo gjithmonë janë të hapura rrugët për sukses personal. Duket sikur shoferi i thotë vetes: "Në jetë nuk kam shumë sukses, por ja, në këtë garën tjetër, të qarkullimit rrugor, unë fluturoj dhe i lë të tjerët pas".
Autoritetet ndaluese në shoqërinë tonë aktuale kanë shumë vështirësi për të vepruar.
Si pedagogu, ashtu edhe polici rrugor. Po të shikosh se sa është kalueshmëria në universitetet shqiptare sot, do të kuptosh se mekanizmi përzgjedhës nuk funksionon pothuajse fare. Në fund të fundit, të gjithë kalojnë. E ka vështirë trupa pedagogjike të thotë "Ndal!" për ata që nuk e meritojnë. Po kështu ndodh herë pas here edhe me punonjësit e rendit, të cilët duhet thënë se manifestojnë një sjellje shumë humane, sillen me respekt dhe sinqeritet me qytetarët, janë kurdoherë të gatshëm të ndihmojnë, ndonëse punojnë në kushtet e një mbilodhjeje dhe stërmundimi profesional.
Është vështirë ta gjobitësh të fortin.
Po kështu, të gjithë ata që kapen në kundravajtje kanë nga një mik diku në dikaster apo në pushtetin lokal, po të gërmohet shumë fajtori dhe polici do të gjejnë mes tyre se në fakt janë kushërinj, kanë bërë krushqi të largëta, kanë qenë shokë në çerdhe, se fëmijët e tyre bëjnë pjesë në të njëjtin rreth shoqëror e kështu me radhë. E kush ka fuqi morale të presë fletën e gjobës, pra të mbesë në klasë, në këto kushte? Brenda disa muajsh do të grindet me të afërmit, do ta tregojnë me gisht në lagje si njeri i pamëshirshëm, si i keq, me karakter të vështirë e kështu me radhë, pafund nofka që njerëzit që nuk zbatojnë rregullat e kanë për zanat tua ngjisin atyre që bëjnë detyrën e tyre si qytetarë korrektë.
Ushtrimi i autoritetit ndalues kryhet si rregull brenda shoqërive anonime, atje ku lidhja sociale është relativisht e dobët dhe e largët mes njerëzve, dhe jo në shoqëritë me lidhje klanike shumë të forta, ku edhe komshiu në lagje paraqitet jo si individ që mund t'i presësh fletën e gjobës apo t'i mbesësh vajzën për vjeshtë, por si një qenie e dashur, sublime, si një hyjni e mistifikuar, si mik, për të cilin ke detyrë ta mbrosh nga çdo polic apo pedagog që kërkon të bëjë punën e vet.
Kthehemi te radari, pra te kamera e fshehtë në rrugë. Pikërisht në këto kushte shumë të veçanta, roli i tyre është shumë i madh. Duke e shkëputur mbajtjen e sigurisë nga marrëdhëniet sy më sy mes shoferit të pandërgjegjshëm dhe punonjësit të ruajtjes së rendit, pra duke i penguar këta që të dalin kushërinj me njëri-tjetrin, kamerat japin mundësi që pushteti të ushtrohet në mënyrë anonime, pra të drejtë.
Duke mos pasur frena moralë në kufizimin e shpejtësive të mëdha, shoferi i sotëm shqiptar ka nevojë të frenohet nga syri i ndëshkimit. Por, nuk ka mundësi që në çdo pesëdhjetë metra të vendoset nga një polic nëpër rrugët e vendit. Ndofta policët rrugorë nuk e dinë se çfarë ndodh pas kurrizit të tyre. Shoferët sapo i shohin nga larg e ulin shpejtësinë. Japin një lloj shfaqjeje, një lloj spektakli. Duken si qengja të butë. Sillemi sikur të ishim nxënës të urtë dhe shembullorë. Por, sapo i lënë pas policët, gara e çmendur e automjeteve rinis edhe më e nxehtë se më parë.
Të dukshëm jemi të ndershëm; sapo bëhemi të padukshëm, pra larg syrit ndëshkues, nisim çapkënllëqet e rrezikshme.
Nuk mund të mos rikujtoj atë monument që ka gdhendur Platoni te vepra e tij e famshme "Republika". Një bari gjeti një unazë, duke ruajtur dhentë dhe lopët nëpër fusha. Vuri re se ajo unazë kishte një veti të çuditshme. Po ta ktheje në një anë, bëheshe i padukshëm. Tundimi e kapi menjëherë. Bariu i urtë dhe i nënshtruar u bë i padukshëm dhe gjëja e parë që bëri, ishte të futej në krevatin e mbretëreshës, pra të thyente tabunë themelore të shtetit.
Sapo i ikin syrit të policit, qengjat bëhen ujq, luanë, tigra dhe shpejtësitë bëhen përsëri marramendëse. Kamerat, duke krijuar mundësinë e kontrolleve shumë të gjera, kanë aftësinë për ta shmangur këtë dukuri. Jo më kot ato përdoren aq gjerësisht në Perëndim.
Problemi është se mekanizmi i gjobave që vijnë nga evidentimi i shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, duhet të veprojë sa më shpejt që të jetë e mundur, se ai duhet bërë sa më shumë transparent. Përndryshe, rrezikon që drejtuesit e pandërgjegjshëm të automjeteve të nisin të përhapin thashethemin se në fakt vendosja e kamerave nuk ka ndodhur, se edhe aparaturat e policëve rrugorë për të matur shpejtësitë e automjeteve shpesh janë me defekte dhe nuk punojnë, se gjithçka, me një fjalë, lejohet, sa kohë që bariu ka gjetur unazën magjike.
Artan Fuga, G. Standart

No comments:
Post a Comment