Vëzhgimi/ Një pjesë e madhe e studentëve punojnë në vende që nuk kanë lidhje me arsimimin e tyre
Për "të mbijetuar" të rinjtë punojnë si kamerier, operatorë telefonik, shitës dhe shpërndarës produktesh
Dita e punës edhe për të nis në orën 8 të mëngjesit. Pasi hap qepenin e rëndën të dyqanit në rrugën "Nikolla Tupe", Krisilda nis rutinën e përditshme të shitjes së këpucëve. Në këtë vend pune ajo ka gati një vit.
Pas diplomimit thuajse një vit më parë nisi punë në këtë dyqan të vogël, me shpresën se ndërkohë që punonte këtu do ti dilte një vend pune në profesionin e saj. Krisilda është vetëm 24 vjeç, është diplomuar më 2009-ën në fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, për Gjuhë-Letërsi dhe tani pret të gjej një vend pune si mësuese.
Teksa shfleton një gazetë në tryezën e dyqanit, (shtypin ka nisur ta lexoj që kur ka filluar punë në këtë dyqan), ajo tregon se shpresat për të gjetur një vend pune në një shkollë sa vijnë e shuhen. "Kam dorëzuar qindra cv, kudo në shkolla private, kam dorëzuar edhe dokumentet në drejtorinë arsimore në Tiranë, por askund nuk i kanë dhënë një shpresë, për të nisur punë",- thotë ajo.
Në fakt si Krisilda, në Tiranë ka dhjetëra vajza të reja që paraqiten çdo ditë në sekretaritë e shkollave jo publike apo në drejtorinë arsimore në Tiranë, me një tufë letra në duar në kërkim të një vendi pune.Shumë pak prej tyre arrijnë të gjejnë një punë në profesionin e tyre, pjesa më e madhe ashtu si Krisilda, gjejnë një punë "rezervë", dhe presin një rast tjetër. Të tilla vajza, madje edhe djem në kryeqytet gjen plotë.
Pas përfundimit të studimeve disa kanë zgjedhur të jetojnë "me forcat e tyre" në kryeqytet e të tjerë të nisur nga kushtet jo të mira ekonomike duhet të punojnë një vend çfarëdo për të mbijetuar. Kjo punë e çfarëdoshme mund të jetë shitëse në një dyqan rrobash apo stolish, operator telefonin në kompanitë e huaja, që nuk janë shumë bujare me pagesën e punonjësve, kamerierë apo edhe agjentë marketingu ndryshe shpërndarës produktesh.
Ajo që të bën më shumë përshtypje teksa pyet këta të rinj për shkollimin e tyre, është se një pjesë e mirë kanë përfunduar studimet për degë tepër të lakmuara si ekonomik apo drejtësi. Megjithëse tri vite më parë (ashtu si brezi i këtij viti) edhe këta të rinj janë stresuar mbi libra deri në orët e para të mëngjesit, kanë pritur me ankth rezultatet pranimeve në universitete e vendit, janë gëzuar pa masë kur kanë mësuar se kanë fituar në degët e preferuara, por pas tri vitesh gjithçka duket si një mund i çuar dëm.
Pak prej ish shokëve të klasës kanë zënë një vend pune në bankë, janë bërë avokatë apo mësues, pjesa tjetër është ende në pritje. Por deri kur? Të rinjtë e pyetur nga "Shekulli", përballë kësaj pyetje ngrenë supet. "Kam aplikuar në shumë shkolla për një vend pune, por nuk kam arritur të gjej një punë si mësuese.
Tani punoj si operatore në një kompani të huaj telefonash, por kjo nuk është puna që kam ëndërruar",- thotë Matilda 25 vjeç, diplomuar dy vite më parë për mësuesi. Një tjetër shembull është Miri 24 vjeç i cili ka përfunduar studimet për gjeografi, por ka zgjedhur të punojë si magazinier në një nga supermarketet e mëdha të kryeqytetit, pasi dështimeve në gjetjen e punës si mësues.
Alternativa tjetër për të ishte puna në një agjenci turistike, "Por pagesa ishte aq qesharake sa nuk ja vlente mundmi" thotë ai. Të tillë të rinj në Tiranë ka me dyzina, dhe mund të sillen me qindra shembuj por dukuria mbetet e njëjta. Të diplomuar pa një vend pune. Të rinjtë e pyetur nga gazeta, janë të ndryshëm por përgjigja që merr nga ata është thuajse e njëjta, askush nuk beson se do të gjejë një punë sipas arsimit, që ka kryer.
Ata fajësojnë shtetin i cili nuk ka politika të qarta për thithjen e të diplomuarve në tregun e punës. Gati në çdo mbledhje qeveria, apo rast ku mund të flitet për studentët ligjvënësit premtojnë e premtojnë pa masë.
Jo më larg se muajin e kaluar vetë kryeministri Sali Berisha, deklaroi se këtë vit do të rriteshin pranimet në universitet, me 9 %, se të gjithë maturantët do të fitonin të drejtën e studimit. Më konkretisht, vetëm për vitin akademik 2010-2011 do të ulen në auditorët e universiteteve publike (pa llogaritur universitet private) plotë 23534 studentë.
Pas përfundimit të ciklit të parë të studimeve re vjeçare, mund të diplomohen të paktën gjysma e këtyre studentëve, rreth 11 mijë studentë, të cilët njësoj si paraardhësit e tyre do të përpëliten në punë të ndryshme, me shpresën se një ditë në mos qeveria të paktën tregu do të gjejë mekanizmin e duhur për rregullimin e situatës.
Y.Lezo:Shekulli
No comments:
Post a Comment