Monday, February 14, 2011

Zbardhet tjetër aferë tronditëse e Ilir Metës, 1 milion dollarë për naftën e Alpetrolit

Pas imunitetit, Ilir Metës pritet t’i vihen prangat për korrupsion aktiv
Tjetër skandal tronditës me kryetarin e LSI Ilir Meta, i lakuar kaq shumë ndër vite për afera dhe skandale të ndryshme. Pas skandalit me 700 mijë euro për dhënin e një hidrocentrali një klienti të tij, Ilir Meta është përfshirë në një aferë edhe më tronditëse, ku tashmë bëhet fjalë për 1 milion dollarë.

Më konkretisht, sipas Prokurorisë Ilir Meta ka ndërhyrë tek Dritan Prifti përtë favorizuar shoqërinë “Halilaj Holding Group”, sh.a në ankandin për “Shitje nafte bruto të prodhuar nga shoqëria “Albpetrol”, sh.a, sasia 50 mijë MT”, duke i ofruar si ofertë financiare për përfitim të paligjshëm deri në 1 000 000 (një milion) dollarë që do të ndaheshin mes tyre.
“Këtë regjistrim e ka bërë për shkak të kërkesave dhe ndërhyrjeve për favore, kërcënimeve, urdhrave e presioneve, të bërë nga ana e shtetasit Ilir Meta për të realizuar gjatë ushtrimit të detyrës së tij veprime jo në përputhje me ligjin, ndër të cilat janë dhe rastet e fiksuara dhe në këtë video, që konkretisht kanë të bëjnë me propozimin, duke i ofruar shumën prej 700 mijë euro dhe 7% të aksioneve për dhënien me koncesion të H/C Egnatia Shushicë, bashkimit të përkohshëm të kompanisë “Vëllezërit Tola”, sh.p.k dhe punësimin e shtetasit Artur Hajdari si drejtues i lartë në Inspektoratin Qendror Teknik si dhe ndërhyrjen për të favorizuar shoqërinë “Halilaj Holding Group”, sh.a në ankandin për “Shitje nafte bruto të prodhuar nga shoqëria “Albpetrol”, sh.a, sasia 50 mijë MT”. Për këtë të fundit, sipas deklaruesit nga shtetasi Ilir Meta, i është ofruar oferta financiare për përfitim të paligjshëm deri në 1 000 000 (një milion) dollarë që do të ndaheshin mes tyre”, thekson Prokuroria në raportin e saj drejtuar Kuvendit, ku kërkon që Meta të ndiqet penalisht. Organi i akuzës sqaron se të gjitha këta fakte i ka nxjerrë Prifti kur është ftuar për të dhënë sqarime. “Më datën 13.01.2011, në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, është paraqitur me vullnetin e tij shtetasi Dritan Prifti, i cili në deklarimet e dhëna në cilësinë e personit që tregon rrethana të dobishme për qëllime të hetimit, sqaron se regjistrimi audioviziv i materialit të transmetuar më datën 11.01.2011 ora 20:10’ e në vijim në emisionin “Fiks Fare” nga televizioni “Top-Channel”, Tiranë është realizuar prej tij”, thekson Prokuroria.


Ilir Meta, drejt prangave
Në kërkesën drejtuar parlamentit, Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama kërkon ndjekjen penale për ish zëvendëskryeministrin Ilir Meta, pasi, sipas saj, ekzistojnë dyshime të arsyeshme se deputeti Ilir Meta ka kryer veprën penale të korrupsionit aktiv. Prokurorja e Përgjithshme e bazon kërkesën për ndjekjen penale të Ilir Metës në vërtetësinë e videos dhe në pasojat që sjellë kjo vërtetësi. “Sipas konkluzionit të aktit të ekspertimit teknik rezulton se video regjistrimi objekt i ekspertimit është i patjetërsuar, personat që jepen në video janë të patjetërsuar dhe shkalla e gabimit është zero. Nga provat e grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit paraprak, ka të dhëna të mjaftueshme që të çojnë në dyshimin e arsyeshëm se deputeti Ilir Meta ka kryer veprën penale të korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë të shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, të parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal”, thekson Prokuroria. Korrupsioni aktiv, për të cilin akuzohet Ilir Meta, parashikohet në Kodin Penal si vepër që dënohen nga 1 deri në 5 vjet dhe me gjobë nga 500 mijë deri në 2 milionë lekë. Kështu pa heqjes së imuniteti dhe marrjes në pyetje si qytetar i zakonshëm, Ilir Metës priten t’i vihen prangat për korrupsion. Për Bashkimin e Evropian dhe SHBA skandali Meta do të ishte prova e fundit për drejtësinë Shqiptare.

Korrupsioni aktiv dënohet deri në 5 vite burg
Ilir Meta i thotë Dritan Priftit se ka rregulluar gjithçka me kryetaren e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, për dhënien e një tenderi mikut të tij dhe në ë këmbim do të marrë 7% të investimit dhe 700 mijë euro në dorë. Ndërkohë Meta i ofron Prifti 500 mijë dollar për një aferë nafte. Kjo përbën vepër penale dhe personi që e konsumon, sipas Kodit Penal dënohet deri në 5 vite burg. “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore, të zgjedhur vendor-neni 245. Premtimi, propozimi ose dhënia tërthorazi ose drejtpërdrejt i çfarëdo përfitimi të parregullt, funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, për vetë ose për persona të tjerë për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet dhe me gjobë nga pesëqind mijë lekë deri në dy milionë lekë”, thuhet në Kodin Penal.

Meta: Imuniteti im të hiqet pa procedura
Kreu i LSI-se Ilir Meta, ka deklaruar se do t`i kërkojë kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, për të hequr imunitetin e tij pa procedura. “Me qëllim që të çmontohen akuzat televizive ndaj personit tim, në emër të opinionit publik, i kërkoj zonjës Topalli vazhdim të deklarimit tim për dhënien e imunitetit në mënyrë vullnetare, që ta autorizojë atë pa procedurë parlamentare, në mënyrë që prokuroria të mos ketë asnjë justifikim për detyrime ligjore. Sa u përket hetimeve për video-kasetën me Priftin, jam i pari i interesuar për ecurinë e tyre në respekt të moralit tim. E lashë imunitetin me vullnet dhe dëshirë e kam kurajë të përballem me të vërtetën”, tha ai. Meta ka e ka vlerësuar videon me Priftin si një sulm politik ndaj tij,duke shtuar ndër të tjera faktin se e vërteta le të dalë me ekspertizë vendase dhe të huaj dhe se këto ekspertiza i kemi realizuar. “Me teknologjinë e sotme, është e lehtë të manipulosh, por sot gjithashtu është e lehtë që të verifikohen manipulimet”, tha ai.

Adriatik Doçi, G. Sot

Dy video, prokuroria kërkon imunitetin e Metës dhe Priftit

Prifti filmon veten duke marrë ryshfet 70 mijë euro

Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar Kuvendit heqjen e imunitetit për Ilir Metën e Dritan Priftin, të akuzuar për korrupsion. Eksperti amerikan zbulon videon e fshirë në kompjuterin e Priftit, ku ai filmonte veten duke marrë ryshfet
Prokuroria e Përgjithshme ka dorëzuar kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetëve Ilir Meta e Dritan Prifti.

Kërkesa vjen pas hetimeve që janë bërë për një video të publikuar në media më 12 janar. Në video shfaqet zv/kryeministri duke kërkuar nga zyrtari i partisë së tij të bëjë pazare korruptive. Video shkaktoi shumë debat. Prokuroria e Tiranës nisi hetimet dhe pasi gjeti elementë të veprës penale ia nisi dosjen Prokurorisë së Përgjithshme për shkak se bëhej fjalë për hetimin e njerëzve me imunitet parlamentar. Edhe pse nuk ka një njoftim zyrtar mësohet se akuza ndaj Metës është për korrupsion aktiv. Kurse akuza ndaj Priftit është korrupsion pasiv.

Prokurorja e Përgjithshme e bazon kërkesën për ndjekjen penale të Ilir Metës në dy pika: Së pari, në dëshmitë e Dritan Priftit, të cilin e citon se: regjistrimin e ka bërë për shkak të kërkesave dhe ndërhyrjeve për favore, kërcënimeve, urdhrave dhe presioneve të bëra nga Ilir Meta gjatë ushtrimit të detyrës. Sipas dëshmisë se Dritan Priftit, të cilës i referohet prokurorja e Përgjithshme, veprimet jo në përputhje me ligjin janë edhe rastet e fiksuara në video, që kanë të bëjnë me ofrimin e shumës prej 700 mijë euro dhe 7% të aksioneve për dhënien e koncesionit te një hidrocentrali.

Pika e dytë ku mbështetet prokurorja e Përgjithshme për të kërkuar heqjen e imunitetit të Ilir Metës dhe ndjekjen penale të tij është konkluzioni i një eksperti amerikan, konkluzion i cili i bashkëlidhet kërkesës për imunitet. Në këtë konkluzion mes të tjerash thuhet se: "Videoja qe është transmetuar në programin televiziv dhe që gjendet në USB-në (e dorëzuar nga Dritan Prifti si provë), në fakt është vetëm gjysma e videos. Videoja e plotë gjendet në sistemin e kompjuterik (po ashtu të dorëzuar nga Dritan Prifti si prove). Duket se videoja e plotë është ndarë në dy video të ndryshme, shprehet eksperti, duke shtuar se nuk ka gjetur prova që personat që jepen në video janë tjetërsuar. Eksperti thotë gjithashtu se nuk ishte në gjendje të pastronte segmentin audio të videos me pajisjet që kishte në dispozicion. Data në BIOS dhe koha në kompjuter ishin në përputhje me datën dhe kohen aktuale në Shqipëri." "Si rezultat, konkludon eksperti, duket se te gjitha datat dhe kohët e dhëna më parë në këtë raport janë te sakta".

Prokurorja e Përgjithshme thotë në kërkesën e saj se "sipas konkluzionit të aktit të ekspertimit, rezulton se videoregjistrimi është i patjetërsuar dhe shkalla e gabimit është zero".

Ndërsa historia për ndjekjen penale të Dritan Priftit për korrupsion pasiv, në bashkëpunim, megjithëse bazohet tek videoregjistrimi i bërë prej vetë zotit Prifti, ka marre një rrjedhë të papritur. Në kërkesën e saj për heqjen e imunitetit të Dritan Priftit, Prokurorja e Përgjithshme është bazuar sërish tek akti i ekspertit amerikan për të njëjtin material të dorëzuar prej Dritan Priftit. Në kompjuterin ku zoti Prifti kishte hedhur materialet e regjistruara prej tij, eksperti thotë se ka zbardhur edhe një video e cila ishte fshirë nga aparatura. Përmbajtja e kësaj videoje të fshirë shpjegohet në kërkesën e prokurores se Përgjithshme për ndjekjen penale të Dritan Priftit për korrupsion pasiv. Prokurorja e Përgjithshme shkruan se: "nga ekspertimi teknik i provave materiale ka rezultuar se në to ekziston edhe një video tjetër e cila është fshirë dhe që është rikuperuar nga eksperti. Në video janë të regjistruar dy persona, ish ministri Dritan Prifti dhe ish zëvendësministri i Ekonomisë, Leonard Beqiri. Këta shtetas, sipas asaj që evidentohet në video, kanë zhvilluar biseda për përfitime financiare të parregullta që vijnë nga ushtrimi i funksioneve te tyre publike".

Prokurorja e Përgjithshme thotë se në këtë video në një moment shihet që Dritan Prifti dhe Leonard Beqiri ndajnë mes tyre një shumë parash prej 70 mijë eurosh. Nga provat e grumbulluara, thotë prokurorja e Përgjithshme, ka të dhëna të mjaftueshme që të çojnë në dyshimin e arsyeshëm se deputeti Dritan Prifti ka kryer veprën penale të korrupsionit pasiv në bashkëpunim. Korrupsioni aktiv, për të cilin akuzohet Ilir Meta, parashikohet në kodin penal si vepër qe dënohen nga 1 deri në 5 vjet dhe me gjobe nga 500 mije deri në 2 milionë leke. Ndërsa korrupsioni pasiv në bashkëpunim, për të cilin akuzohet Dritan Prifti dënohet nga 4 - 12 vjet dhe me gjobë nga 1 - 5 milionë leke.

Laptopi i Priftit nxjerr në shesh të dhëna "të papritura", që përfshijnë edhe vetë akuzuesin në afera korruptive.

Eksperti USA: Nuk ka montazh

Mua më është kërkuar që të ekzaminoj driver-in dhe të përcaktoj nëse dosjet e videos janë tjetërsuar (duhet të theksoj se tjetërsimi i videos është një proces shumë i vështirë dhe se programi për të bërë të mundur këtë gjë është shumë i shtrenjtë). Unë i studiova dosjet e programit (Program Files) dhe nuk gjeta asnjë program softuerë të instaluar që të ishte përdorur për tjetërsimin e videos.

Më poshtë gjeni opinionet e mia:
Kamera ka kapacitet ruajtës të brendshëm prej 8GB dhe është përdorur për të regjistruar në versionin video. Ajo është lidhur me sistemin e kompjuterit portabël laptop. Po ashtu, unë isha në gjendje që të zbardh një video që ishte fshirë nga aparatura. USB-ja përmban tre dosje (dokumente) video që janë formate të ndryshme të të njëjtës video. Video që është transmetuar në programin televiziv dhe që gjendet në USB, në fakt është vetëm gjysma e videos. Video e plotë gjendet në sistemin kompjuterik. Duket se videoja e plotë është ndarë në dy video të ndryshme...

Prokuroria ka kërkuar pranë parlamentit të hiqet imuniteti i ish-zëvendëskryeministrit Ilir Meta, që të fillojnë hetimet për videon korruptive

Eksperti
Video e re e zbuluar nga prokuroria shqiptare është regjistruar nga vetë ish-ministri Dritan Prifti. Burime të prokurorisë pohuan dje se ajo është zbuluar nga një ekspert amerikan, i cili ka punuar më parë edhe me organet hetimore në SHBA. Ky është një person i njohur në fushën e informatikës dhe ka mundur që të gjejë videon e fshirë në hardiskun 8GB të "orës së tavolinës", me të cilën ishte filmuar videoja.

Video
Sipas burimeve të prokurorisë, video në fjalë është 32 minuta e gjatë. Skena është në zyrën e ish-ministrit Dritan Prifti dhe përveç tij, aty ndodhet edhe zv.ministri i Ekonomisë, Leonard Beqiri. Në video shfaqet një shumë prej 70 mijë eurosh, e cila, sipas prokurorisë, është ndarë mes Priftit dhe Beqirit. Burimet e prokurorisë pohuan se zëri në video është i dobët, por gjithsesi ekspertët kanë mundur që të nxjerrin thelbin e saj.

Ndërkombëtarët
Bashkimi Europian dhe Ambasada Amerikanë kanë shprehur shqetësimin e tyre për situatën e krijuar së fundmi në parlamentin shqiptar. "Ambasada Amerikane dhe Bashkimi Europian shprehin shqetësimin e thellë se disa anëtarë të parlamentit kanë kryer sjellje shumë të pahijshme gjatë seancës së fundit. Populli shqiptar pret që anëtarët e parlamentit të sillen me maturi, aq më tepër në situatën e tanishme, duke treguar respekt për kolegët, si dhe për institucionin e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë. Mosmarrëveshjet mes partive duhet të zgjidhen përmes debateve civile dhe dialogut", - thuhet në deklaratën e përbashkët të Bashkimit Europian dhe Ambasadës Amerikane.

G. Shekulli

'21 janari', arrestohet gardisti i videos së vrasjes së Ziver Veizit

Burime të rezervuara të Prokurorisë kanë pohuar arrestimin e Agim Llupos, me detyrë oficer i Gardës së Republikës. 


Agim Llupo është gardisti që shfaqet duke qëlluar në videon ku dëshmohet vrasja e protestuesit Ziver Veizi në 21 janar.

Dyshohet se oficeri i Gardës, Agim Llupo në demonstratën e 21 janarit, ka patur në përdorim armën automatike, tip "MP5", me të cilën është qëlluar Veizi.



Shekulli

Korça quhet Vorioepir, thotë konsulli grek

Korçë, 6 shkurt - Me idenë e bashkimit të kombit grek, thirrje për bashkim dhe helenizim janë bërë nga Korça nga diplomatët e shtetit fqinj, në 20 vjetorin e themelimit të Omonias në Korçë. Konsulli grek Theodhoros Ikonomu ka përshëndetur grekët e Korçës duke theksuar se edhe njëherë do të përsërisë të njëjtin mesazh, atë se në Korçë ka grekë, raporton Top Channel.
Bashkë me dy deputetët grekë të Janinës dhe Follorinës, konsulli grek ka mbështetur idenë e regjistrimit të grekëve, ndërsa ka bërë thirrje për bashkim në emër të Vorioepirit.

“Përshëndes grekët e Korçës sepse kjo që ndodh sot ju përket atyre. Do të jap edhe njëherë të njëjtin mesazh: Po, ekzistojnë grekë në Korçë. Po, vllenjtë janë grekë. Grekë, mos u trembni nga regjistrimi i popullsisë, të shpallni origjinën reale dhe të gjithë atyre që janë në dyshim dhe me frikë dhe pyesin veten jam me siguri grek, ju them një gjë, shkoni në varreza dhe shikoni varrezat e etërve dhe gjyshërve tuaj dhe gjuhën në të cilën janë të shkruar dhe merrni vendimin tuaj.
Janë në gjuhën greke.

Kjo betejë nuk mbaron me regjistrimin e popullatës, por nis me regjistrimin e popullatës greke.

Eksistojnë të drejta të minoriteteve. Por këto të drejta duhet të vihen në funksion në të gjitha zonat e Shqipërisë të cilat përfaqësojnë emrin Voriepir. Ky është Vorioepiri. Në Vorioepir eksiztojnë grekë, kjo vërtetohet dhe do vërtetohet më tepër kur të regjistrohet popullata dhe këtu duhet të funksionojnë të drejtat e minoritetit. Kurajo, shpresë dhe betejë”, është shprehur ai.

Deklaratat e tij janë mbështetur edhe nga dy deputetët grekë të Janinës dhe Follorinës, Mihalis Pandulas dhe Stathis Theodhoridhis.

Duke i quajtur bashkëkombas “grekët” e Shqipërisë, deputetët grekë i janë referuar më shumë deklarimit të kombësisë dhe regjistrimit të popullatës greke në Korçë dhe në Shqipëri.
Ky ka qenë në thelbin e deklaratave të dy deputetëve grekë të cilët kanë qenë të pranishëm në ceremoninë e 20 vjetorit të themelimit të degës së Omonias.

Burimi:http://shqip.time.mk/read/d8131e503d/d8ee4d7a4e/index.html

Pse kam zgjedhur Shqipërinë?

Jam ulur për të shkruar me një ndjesi shtypëse trysnie të brendshme - është diçka që dua ta bëj të kuptueshme - por filloj të radhis fjalë pa një ide të qartë sesi do të komunikoj një gjë kaq absolutisht të thjeshtë.

Sipas botës prej nga rrjedh, kam bërë një zgjedhje në dukje donkishoteske dhe ndoshta farfurishëm romantike dhe jopraktike. Kam shitur biznesin dhe apartamentin, sa për të dalë me të miat, dhe jam shpërngulur me pak valixhe me sende të zgjedhura pa sistem në Shqipëri - për të qenë specifike në Shqipërinë e Epërme, në rrethin e Tropojës, deri më tash ndoshta një nga rajonet më të varfra dhe të prapambetura e të harruara të Europës. Për ta bërë edhe më të mallkueshëm jopraktikalitetin e vendimit tim, më duhet të shtoj se nuk kam asnjë burim të ardhurash, asnjë plan për diçka të tillë dhe, as ndonjë mendim të qartë sesi do të jetë e ardhmja ime. Siç as nuk jam në ndonjë moshë që t’ia fal vetes një qëndrim kaq kavalier ndaj të ardhmes. Në botën time unë duhet të isha duke planifikuar me mend në kokë për pleqërinë. Epo, nuk jam.

Kështu që cytja ime është të shpjegoj kuptimin faktik të vendimit tim - të komunikoj se pse jam absolutisht e sigurt që ky është vendimi më i mençur dhe zgjedhja më praktike e jetës time deri më sot. Çfarë paska kaq magjepsëse kjo Shqipëria? Çfarë ka këtu që më turbullon dhe nuk e kam hasur në vendet e tjera ku kam qenë? Diçka të njëmendtë dhe të prekshme, që vlen më shumë se çfarëdo kam braktisur? Dhe çfarë është ajo që shoh dhe që të tjerët nga bota ime nuk e kapin e që shpesh duket sikur nxitojnë ta ndihmojnë Shqipërinë të humbë pikërisht atë që, sipas meje, e bën atë kaq të vlershme? Diçka për të cilën ia vlen të ngresh zërin? Diçka që është bash çka bota ime duhet të marrë si mësim? Ose të rimësojë atë që kaq shpesh duket se harrohet. 


Mendja shigjetohet nga imazhe që nuk dinë të organizohen. Argumente dhe kundërargumente. Në njëfarë mënyre mendoj se arrijnë të bëjnë bashkë një përgjigje ose diçka të tillë që duket si arsyetim, gjithsesi.

Një burrë në një shitore në Tiranë, ku unë bleva një kapotë elegante kashmiri për gjysmën e çmimit (aq sa do kushtonte një darkë për dy vetë në Neë York) u intrigua, si të gjithë shqiptarët, nga zgjedhja ime: Shqipëria e periferisë para Neë York-ut? Ai ka jetuar në Londër; i njeh të dyja botët dhe fillon të argumentojë arritjet e Shteteve të Bashkuara dhe Anglisë - pavarësisht sesi janë sjellë me pjesën tjetër të botës, ato janë siguruar që qytetarët e tyre të çojnë një jetë të mirë, gjë të cilën qeveritë shqiptare s’e bëjnë dhe as e kanë bërë. Pjesa e dytë e deklaratës së tij është sigurisht e vërtetë, por unë filloj të psherëtij - nuk do të debatoj rreth Anglisë, por Amerika? Një ndër përqindjet më të larta të vrasjeve, përqindjen më të lartë të vdekjes së foshnjave nga të kequshqyerit, arsimimi i keq, mungesa e sigurimeve shëndetësore, përqindje të lartë të të burgosurve … dhe ndër më të privilegjuarit në këtë vend, 27 milionë njerëz në antidepresivë (sipas Arkivave të Psikiatrisë Qendrore, 2009)? Nuk jam e sigurt. I përmend mënyrën me të cilën njerëzit në Shqipëri kujdesen për njëri-tjetrin dhe burri në dyqan buzëqesh dhe më thotë, ‘ah, po, por a e di nga vjen kjo? Nga mungesa e qytetarisë. Ne ende kemi nevojë për njëri-tjetrin. Por kur fillojmë të kemi sukses, nëse ia arrijmë kësaj, jeta do të bëhet si në Angli - gjithsecili për vete.

Ja edhe një tjetër pamje: unë, Alfredi, vëllai i tij Skënderi, jemi në Kamenicë, fshati i strukur lart pranë kufirit me Kosovën, ku nëna e Alfredit, Sosja, u rrit. Bora nuk na lejon për të shkuar në Valbonë dhe kemi ndalur këtu për sonte. Graniti, kushëriri i Alfredit, një djalosh i stërmadh përmasash herkuliane, po na pret në Doganë me dy vëllezër të tij (ata janë nëntë fëmijë, që jetojnë këtu me prindërit e tyre, vëllanë e Soses dhe gruan e tij). Të gjashtë kacavirremi në makinën e familjes, një imitim fuoristrade, dhe nisemi përmes dëborës përgjatë një shtegu gjarpërues, tabani i të cilit është natyrisht baltë e gurë. Ngecim disa herë dhe të gjithë dalim jashtë për ta shtyrë nën dritën e hënës. Çfarë do të bëje nëse ia behnin ujqit? - më pyet Skënderi. Për besë, unë do ia fusja vrapit!- thotë ai. Vjen një moment kur unë rrëshqas dhe bie me fytyrë në dëborë dhe të gjithë qeshim.

Pas nja një ore mbërrijmë - në këmbë, pasi makinën e braktisëm diku më larg. Gratë e shtëpisë e hedhin veten te këmbët tona duke qeshur dhe duke na ndihmuar të heqim këpucët e ngrira; na fusin në odën e miqve ku bubullon zjarri në një stufë drush dhe ia fillojnë procesit të gjatë të zbavitjes së mysafirëve.

Më japin papuçe të thurura me dorë, për të ngrohur këmbët, pasi më ulin në një karrige ngjitur me zjarrin. Të katër gratë fillojnë e pyesin vizitorët me radhë: Si je? A u lodhe? A u mërzite? Nanën, si e ke? Po vëllanë? Motrën? Fëmijët?

Na gostisin me lëng portokalli. Dhoma është e thjeshtë: mure të lyer me gëlqere, stufa, televizori, tri kanape mbuluar me copë të kuqe e të zezë. Në një prej mureve, një orë e sofistikuar brenda një kornize, duket si diçka e dalë nga një copë veçanërisht e shkëlqyer arkitekture islamike; në anën tjetër, një kalendar i madh me reklamën e diçkaje të cilën tani e kam harruar. Një qilim i trashë në dysheme. Na shërbehet kafe turke në kupa të vogla delikate dhe raki të bërë vetë, futur në një shishe coca-cola. Cigaret nuk kanë të pushuar dhe ato ndërrojnë duar derisa secili prej burrave ka një stivë të vogël me to ngjitur me kupat e kafesë.

Kuvendi rrotullohet rreth protestave në Tiranë - një anëtar i qeverisë ka incizuar një ministër tjetër duke kërkuar një ryshfet prej 700 mijë eurosh nga një prej kontraktorëve të një projekti në infrastrukturë dhe ia ka dhënë videon një emisioni të njohur televiziv.

Kjo është krejtësisht normale dhe të gjithë e dinë, por asnjëherë më parë nuk është dokumentuar kaq pamohueshëm. Si kundërpërgjigje, nja 20 mijë shqiptarë dolën në rrugë. Nja 20 mijë shqiptarë dhe të paktën një amerikan shkoi sa për të parë dhe, kjo natyrisht, isha unë.

Secilit i vënë përpara një pjatë të stërmadhe me të paktën pesë gjëra të ndryshme - dy lloje mishi, qofte të bëra vetë, patate të skuqura, speca të regjur të mbushur me lakër, një kos i trashë dhe i verdhë që e quajnë ‘ngjyem’, ndjekur nga supë lakre me mish të tharë e të zier në të e më pas nga pasta me, nëse kujtesa më ndihmon, më shumë mish dhe, e gjitha kjo natyrisht, shoqëruar me kanistra që mbushet e zbrazet me një bukë të ngrohtë e të butë të bërë vetë.

I zoti i shtëpisë po na rrëfen të rejat e fundit që transmeton televizori rreth pasojave të protestës. Ndërsa unë dhe Alfredi ishim në protestë gjatë orëve të para të saj, mbeta e tronditur, e impresionuar në fakt, me mënyrën me të cilën policia, karfosur me mjete antiprotestë, qëndroi e qetë dhe pa reaguar nën shiun e gurëve, të cilët protestuesit ua hidhnin; copa mermeri të thyera nga shkallët e mauzoleumit të Enver Hoxhës, që ndodhej, si për lehtësi të gjërave, afër me Kryeministrinë. Si mundën të mos lëviznin as edhe një qepallë, teksa makinat e policisë të parkuara në shkallët e mauzoleumit u përmbysën dhe iu vu flaka? Mbi protestuesit u derdh gaz lotsjellës, por kjo ngjante më shumë me një formalitet, pjesë e procedurës dhe nuk bezdisi asnjë prej nesh. Më dukej sikur një simpati e nënzëshme ishte në veprim, në kuptimin se njerëzit ishin absolutisht brenda të drejtës së tyre për të demonstruar me forcë, gjë e cila, në rrafsh filozofik, kështu ishte. Natyrisht, sipas filozofisë amerikane, e cila, e pëlqen ose jo, ruan me anë të Amendamentit të Dytë të Kushtetutës të drejtën për të mbajtur armë - specifikisht për të mos u çarmatosur nga qeveria, rrënjët e kësaj nevoje, të paktën në kryeherë, ishin një mbrojtje për njerëzit, në rast të nevojës për të reaguar kundër një regjimi shtypës.

Hapet një shishe verë dhe mbushen gotat rreth e rreth. Kortezia e çuditshme dhe komplekse që vura re në protestë - kur nuk ishin duke gjuajtur gurë apo u vënë zjarrin makinave, protestuesit (shumica burra të moshuar me ombrella elegante) ishin të qetë, madje edhe të qeshur dhe si gjithnjë me një brerore mirësjelljeje - zgjati për ca orë, por kur ra mbrëmja tre burra u vranë, të qëlluar, siç hamendësohet, nga policia. Pamjet e dy prej burrave tek këputeshin nga plumbat do të jepen herë e pafund në televizione. Në një moment, kur unë ngatërrova diçka në shqipen time fëminore, i zoti i shtëpisë reagoi duke thënë ‘epo, ky është kapitalizmi. Nëse ke para, mund të hash. Nëse jo, mund të vdesësh. Kjo është e gjitha’.

E zonja e shtëpisë më afrohet, ma merr pirunin, ia ngul një salsiçeje të kolme dhe ma jep duke këmbëngulur ta ha e ta shoqëroj me verë. E gjitha kjo përsëritet disa orë më vonë për mëngjes. Me sa di unë, e vetmja e ardhur që këta njerëz kanë janë një tufë prej 50 gjelash. Fëmijët nuk kanë shkuar në shkollë. I zoti i shtëpisë, sidoqoftë, më thotë Alfredi, është burrë me shkollë. E ka kryer të mesmen.

Ja edhe një tjetër pamje: në televizor shohim një grusht njerëzish që sillen rreth portës së Kryeministrisë. Papritur - videoja nuk ka kolonë zanore të dallueshme - një burrë bie përtokë qetësisht. Ai është qëlluar nga një prej snajperëve në çatinë e godinës së qeverisë. Plaku afër tij e sheh sikur po i thotë ‘e, me çfarë po luan?’ Pastaj e kupton. Ai përkulet mbi trupin e rënë, ia hedh krahët anash dhe thërret për ndihmë.
Të tjerë mbërrijnë dhe e marrin trupin me vete. A shihni edhe ju atë që shoh unë? Askush nuk ia mbathi. Nuk ikën nga plumbat. U afruan për të ndihmuar. 

Ja edhe pamja e fundit: pak para se të lëmë Kamenicën, jam ulur në borë në anë të një muri që shërben si rrethim për shtëpinë. Një prej vajzave të shtëpisë ulet afër meje. Vështrojmë së bashku kah kodrat e mbuluara me borë, absolutisht të heshtura dhe lavdishëm të zbrazëta. Një harabel i madh luan në një pemë të ngrirë duke hedhur shkrifla bore përtokë. A të pëlqen Shqipëria, më pyet ajo. Oh, po, them unë. E dashuroj. Kthehem dhe e shohim njëra-tjetrën në sy duke buzëqeshur gëzueshëm. Po ti?, e pyes. E shoh teksa kthehet dhe u hedh sytë maleve. Oh, po, thotë ajo, ende me buzë në gaz. Po.


Catherine Bohme

Një vampire shqiptare në Hollivud

Intervista / Alma Saraçi, rrëfimi i aktores nga Elbasani, largimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, karriera si aktore dhe bashkëpunimet me emrat e suksesshëm të Hollivudit.
Ajo do të luajë rolin e një vampireje në një film të regjisorit amerikan Xhon Regan. Është Alma Saraçi nga Elbasani, por që prej 8 vitesh jeton në Amerikë. Po aq sa këto vite, numërohen dhe filmat ku ajo ka interpretuar si aktore. Saraçi ka lindur në prill 1984, në Elbasan. Ka luajtur në teatër qysh në moshë të vogël dhe është angazhuar në televizione lokale, përpara se të zhvendosej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në moshën 17-vjeçare. Tashmë, ajo po përjeton një nga periudhat më të suksesshme të jetës, por, për më tepër na i tregon vetë në këtë rrëfim të detajuar për "Sh2"-in.

Sa të vështirë e kishte Alma që ta gjente veten në një vend të madh dhe të ëndërruar nga të gjithë?
Vitet e para ishin më të vështirët, për të mbijetuar, duke mësuar gjuhën, duke shkuar në shkollë, duke punuar gati çdo ditë pas shkolle dhe duke iu adaptuar jetës. Gjëja më e lehtë ishte gjimnazi, këtu gjimnazi është shumë i lehtë, dhe detyrat ishin shumë më të lehta se në Shqipëri. Kështu që e përdora kohën duke mësuar anglisht. Kur arrita në universitet i ndjeva shumë më tepër ato diferencat kulturore dhe stresin që ndjen kur je imigrant. Unë isha me fat se gjithmonë kam pasur prindër dhe shoqëri që kanë qenë pozitivë. Jeta në Amerikë nuk është kaq ideale. Pjesën më të madhe të kohës je duke punuar ose duke i dhënë makinës. I ka avantazhet, por në të njëjtën kohë çdo gjë e mirë në jetë vjen me një çmim që duhet ta paguash me një lloj mënyre.

Keni mbaruar një shkollë, çfarë?
Po, kam shkuar në "Kolegj" që është i njëjtë si Universiteti në Shqipëri. I fillova studimet për Biologji dhe Literaturë franceze, por pas vitit të parë e lashë Biologjinë dhe studiova Teatër, Literaturë franceze dhe Filozofi.

Alma, ju keni ikur adoleshente nga Elbasani, si e kujtoni fëmijërinë tuaj në atë qytet?
Elbasani ka një melankoli të bukur si qytet që gjithmonë më ka frymëzuar që kur isha e vogël. U rrita si me jetën tipike shqiptare. Me prindërit dhe vëllanë dhe me shumë kushërinjtë.

Çfarë ju ka lidhur me aktrimin dhe cilat janë angazhimet e tuaja?
Për mua, aktrimi është mënyra më e bukur për vetë shprehjen. Është një pjesë shumë e rëndësishme në jetën time si njeri dhe si artist. Që kur kam qenë e vogël më ka pëlqyer shumë dhe sa më shumë jam rritur, aq më tepër e shikoj veten si aktore, është një mënyrë për të treguar histori dhe përralla. Tani për tani kam punuar pjesën më të madhe në role kryesore në filma të pavarur dhe në të ardhmen shpresoj të punoj në filma më të mëdhenj.

Kemi lexuar që së fundi do të luani rolin e një vampireje në një film, na tregoni pak më gjatë për të dhe për këtë rol?
Luaj rolin a Marianës, një vampirë elitiste që kapet nga Robin Hud dhe bashkë krijojnë një marrëdhënie të rrezikshme.

Pse ky rol?
Unë u kontaktova nga producentët para disa muajsh të bëja një konkurrim për këtë rol. Sa fillova ta lexoja, më pëlqeu shumë projekti dhe personazhi, kështu që u përgatita për konkurrim dhe ia dërgova regjisorit. Nuk e vrava shumë mendjen, por në të njëjtën kohë doja ta luaja këtë rol se është shkruar shumë bukur. Mariana është një femër e fortë dhe shumë komplekse, edhe pse ajo është një vampirë nuk është një karikaturë.

Kush do të jenë bashkëpunëtorët tuaj në këtë film?
Aktori që do të luajë rolin e Robin Hud është DJ Perry dhe ne kemi bashkëpunuar në dy projekte të tjera. Ai është një aktor dhe producent shumë i talentuar. Kemi punuar bashkë në filmin "Karma, Crime Passion Reincarnation" që u xhirua në Indi dhe në filmin "Benjamin" xhiruar në verën e vitit të kaluar në Nju Jork. Xhon Regan (John Regan) do jetë regjisori, dhe Xhon është një nga regjisorët më pasionantë që kam takuar në Hollivud. Ai ka një sy shumë të fortë si regjisor dhe është gjithashtu një shkrimtar shumë i mirë.

Keni takuar emra të rëndësishëm të kinematografisë, na përmendini disa prej tyre dhe komplimentin më të bukur që keni marrë për talentin tuaj?
Para dy vjetësh, kur fillova të punoja në Los Anxhelos, pata një pjesë të vogël në një film me Orlando Blum. Në këtë skenë, unë isha një "groupie", një vajzë që ndjek grupin e atij muzikanti, ai ishte një "rockstar". Orlando ishte një aktor shumë i sjellshëm, edhe më bëri pyetje për Shqipërinë. Vjet punova në filmin "Get him to the Greek" dhe pata mundësinë të punoja shumë afër aktorit anglez Russell Brand, ne improvizuam bashkë një video muzike për filmin, ai është një shakaxhi i madh. Mendoj se komplimenti më i bukur dhe i rëndësishëm është momenti kur fiton një konkurrim, kur ke mundësinë të punosh me artistët e tjerë. Sigurisht, është mirë kur puna jote si artist komplimentohet dhe unë jam shumë mirënjohëse për ato fjalë të mira që më thonë për ndonjë rol ose film që kam bërë, sidomos në fillimin a një karriere.

I ruani kontaktet me miqtë e tu këtu në Shqipëri?
Pak, në facebook kam pasur mundësinë të lidhem me shoqërinë nga shkolla e mesme.

Na përshkruani pak atmosferën ku jetoni, lagjen, shtëpinë?
Jetoj në Uest Hollivud, një nga lagjet më të famshme në Los Anxhelos. Është shumë bukur, shumë aktorë jetojnë në këtë pjesë të qytetit. Është pak si Elbasani se ka kodra shumë të bukura me shtëpi moderne. Los Anxhelos është një qytet shumë i madh, dhe lagjet janë shumë të shpërndara. Zakonisht je në makinë për një kohë të gjatë, se ka gjithmonë trafik. Unë jetoj në një apartament shumë të lezetshëm, quhet "loft". Muret janë të larta dhe dyert, dhe muret në pjesën më të madhe janë me xhama. Nga ballkoni shikoj gjithë Los Anxhelosin nga ana perëndimore. Më pëlqen shumë të jetoj në këtë anë të qytetit se ka edhe shumë kafe dhe parqe të këndshme.

Cili është koncepti juaj për dashurinë, çfarë është dashuria për ju?
Dashuria është një nga ndjenjat më të bukura në jetë, po gjithashtu një ndjenjë shumë delikate, që duhet ta respektosh dhe ta marrësh seriozisht. Dashuria është më e lehtë ta ndjesh se sa ta përshkruash. Për mua dashuria është një pjesë shumë e rëndësishme e jetës.

A po përjetoni tani një dashuri. Keni momentalisht një djalë pranë, me të cilin jeni e dashuruar?
Po, kam një njeri shumë të veçantë në jetë, që më frymëzon si femër dhe si artiste. Është një nga marrëdhëniet më të forta që kam në jetë.

Do të preferonit më shumë një mashkull shqiptar, apo të huaj?
Nuk është shumë e rëndësishme nga vjen, më të rëndësishme janë kualitetet që ai ka si njeri.

Cilat janë projektet e tuaja për të ardhmen, mendoni ndonjëherë të ktheheni në Shqipëri përgjithmonë, apo çdo gjë është relative?
Kam dy projekte në vitin që vjen që do të xhirohen në Evropë. Gjithashtu, jam duke u përgatitur për rolin e Anxhelinës në një film që e kam shkruar me shoqen time Aleksandra Uedenig, një regjisore nga Austria. Filmi në anglisht quhet "Cruel Innocence: A Fairy tale of Madness', xhirimet do të fillojnë këtë vit në Kaliforni dhe Nju Meksiko. Një projekt me temë shqiptare është gjithashtu në horizont për vitin që vjen. Nuk e di në qoftë se do të kthehem në Shqipëri përgjithmonë, por e di që do të kthehem të paktën për të xhiruar filma me tema shqiptare, dhe për pushime. Po, çdo gjë është relative dhe jeta është gjithmonë duke ndryshuar, çdo moment të sjell një mundësi të re, dhe një mendim të freskët. Po shpresoj që në vitet që vjen të jem në Evropë më shpesh.

Cili është roli juaj i preferuar që do të donit ta luanit në një film dhe pse?
Në fakt, do të më pëlqente të luaja rolin e një vajze shqiptare. Jam gjithmonë duke luajtur ndonjë vajzë nga Italia ose Franca ose Spanja, Armenia etj. Do të më pëlqente të luaja një rol ku jam nga Shqipëria dhe kam mundësinë të flas shqip dhe të përdor eksperiencën dhe rrënjët e mia si shqiptare. Shpresoj që me shumë filma xhirohen në Hollivud dhe Evropë ku shqiptarët të jenë personazhe kryesore.

Çdo gjë tjetër që ju ka ngelur po thënë nga pyetjet, mund ta thoni vetë pa problem...
Unë jam krenare që jam nga Shqipëria dhe zakonisht këtu në Los Anxhelos njerëzit nuk para kanë njohur shqiptarë me përpara. Ndonjëherë ato nuk e dinë ku është Shqipëria ose se është shtet i vërtetë. Pak nga pak, mendoj se Shqipëria do të fillojë të njihet më tepër dhe mendoj se artistët janë pjesë e kësaj lëvizje. Iu uroj gjithë shqiptarëve dhe sidomos brezit të ri të kenë suksese dhe gjithmonë t'i ndjekin ëndrrat që kanë.

Entela Resulli, Shekulli

“Zbardhen” tabulatet

———–T-a-b-u-l-a-t-et————-


From: Edi Rama

To: Taulant Balla

Message: Ku je?


From: Taulant Balla

To: Edi Rama

Message: Po mbledh lule prapa piramidës.


From: Edi Rama

To: Taulant Balla

Message: Hajde te kafja!


From: Taulant Balla

To: Edi Rama

Message: Të sjell ca gurë?


From: Sali Berisha

To: Lulzim Basha

Message: Ça po ndodh?


From: Lulzim Basha

To: Sali Berisha

Message: Nuk e di.


From: Shefi policisë 1

To: Shefi i policisë 2

Message: Na mbytën me gurë.


From: Ndërmarrja e Gjelbërimit1

To: Ora News

Message: E dogjën palmën. Puc!


From: Zjarrfikësja

To: Shefi i policisë1

Message: Të hap zjarr?


From: Shefi i policisë 1

To: Zjarrfikësja

Message: Çfarë zjarri do hapësh, mor idiot. Hap zorrën!


From: Erion Veliaj

To: Edi Rama

Message: U lagëm mer lal.


From: Nard Ndoka

To: Nard Ndoka

Message: nardnoka.


From: Andi Bushati

To: Mero Baze

Message: E shef poçin e kuq te dritarja e Kryeministrit? Me bast që i bie


From: Mero Baze

To: Andi Bushati

Message: Me çfarë do t’i biesh, me atë me xham apo me atë pa xham?


From: Ora News

To: Ndermarrja e Gjelberimit1

Message: Puc puc


From: Silvio Berlusconi

To: Sali Berisha

Message: Carissimo! Tutto bene?


From: Sali Berisha

To: Silvio Berlusconi

Message: Mi hanno scoppiato le labbra.


From: Bamir Topi

To: Unknown number

Message: Sa është arsenali me gallatasarajin?


From: Unknown number

To: Bamir Topi

Message: Dy me zero. Vetëm se ka dhunë në stadium. Mos anulohet ndeshja.


From: Bamir Topi

To: Unknown number

Message: Çfarë dhune ore! Dhunë është ajo? Vër dy për Arsenalin!


From: Erion Veliaj

To: Spartak Ngjela

Message: Lali, ke një çadër?


From: Spartak Ngjela

To: Erion Veliaj

Message: Sikur 13 mijë të kisha, asnjë s’do të të jepja.


From: Edi Rama

To: Taulant Balla

Message: Do vish te kafja apo jo, se s’kam lek me vete. Më flliqe me Fidelin.


From: Taulant Balla

To: Edi Rama

Message: Për dy makiato s’e bën veten Fideli


From: Sinan Hoxha

To: Seldi

Message: Ku ma ke lon çelsin e Benzit?


From: Sali Berisha

To: Lulzim Basha

Message: Kush ma theu poçin e kuq, që kam në zyrë?!


From: Andi Bushati

To: Mero Baze

Message: E shef pra…çfarë nishani!!!


From: Ndërmarrja e Gjelbërimit1

To: Ora News

Message: Puc zemër.

Burimi:Sekret i Shtetit

Filozofisë së Dashurisë

Je në inetervalë të përjetshme, je!

Para teje zhvishem, vishem, mbërthehem të ngrohem, dhe ngroh që të zhvesh. Para teje mposhtem por gjithnjë duke mos pranuar vërtetësinë e qënësisë tënde.Dua të të kundërshtoj, dua mos t’i jap jetë reaksioneve kimike të natyrës mëmë, kur ti me petkun tënd sytë mi zë. Në dallgët e tua unë mbytem dhe shuaj etjen, rrëmbehem dhe lihem detit tënd të trazuar…

Brënda meje , sipër meje , jashtë cdo përkufizimi letrar dhe fizik, qëndron ti më e madhe se mua...

Ironike… të krijosh një të mbinatyrshme dhe t’a ushqesh me të natyrshmen tënde, të vdekshmen. Je dialogu im, kryengritja ime ndaj pyetjeve të tua retorike. Je komunikim, je përcjelles dëpërtues i buzëve që meken para oratorisë së rrahjeve të zemres. Je e brishtë, ateherë kur s’duhet dhe ky fakt më çmënd! Jep jetë iluzioneve pamore dhe për ketë jam i ndërgjegjshëm. Dua të bukurën që ti më bën të shoh, urrej gjithçka që ty larg meje do të mbante.

Je oreksi im, per ty vuaj në uri...

Je e këndshme ...po po e këndshme se si vuajtjen tek mua penetron, aq embël aq vuajtshëm aq pa përmasa , aq të shpërbërë. Dhe unë  i mjeruari , lojës-vuatje i jap formë, e mbledh , i jap jetë , e bëj të bëlbëzojë deri diku dhe të ulërasë, teksa fundi mua të shpërbërë të më përpijë. Je e njohur, ke një fytyrë, ndihen lëvizjet e tua , ndjehet veprimi yt, por mbetesh në formatin anonim kur çështja shtrihet me përballimin. Nuk të përballoj dot, nuk di ç’fund më pret kur vërtetë të ndjej pranë, mbase brënda meje.

Përemri i vetëm që më vjen në qënie kur të ndjej zotërimin është;e bukur... Dhe më pas cuditshëm më vjen të lutem:Lërmë të vuaj...!

Lind e zgjuar brënda meje sikur natë ti të mos kesh pasur kurrë! Vjen e  fresket , ti vesë petali të spërkatësh sytë, që vetë rrjetën këtyre syve naiv ti  ja ende në heshtje. Vjen heshtur , e mbytur , e mekur, ti gjurmë nuk le kur vjen, më pas ti nis e shkel,  gjurmëzon , ngatërron , çjerrë shpon  skutat e skuqura nën kraharor. Ngjyrën ia rrëmben, më të përlyesh gazmore ti e kuqja  e jetës sime…!


Je intervalë të përjetshme je! Lërmë të sinkronizoj frymarrjet me jetëgjatësinë e intervalëve të tua.

Argita .Lleshi



Topi-Ina Rama refuzojnë komisionin hetimor: Çështja është nën hetim

Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka refuzuar zyrtarisht thirrjen për të dëshmuar në komisionin hetimor, duke e cilësuar atë një shkelje të ligjit.

“Presidenti i ushtron kompetencat në bazë të Kushtetutës. Në bazë të nenit 92, presidenti është ai që kërkon informacion nga institucionet për aktivitetet e tyre. Kërkesa në fjalë e komisionit hetimor, që përmban elementë që pengojnë kthimin e një përgjigjeje, është e pakuptimtë për aq kohë sa thërret presidentin për ta marrë në pyetje në orën 17:00 të datës 3 shkurt. Presidenti, në respekt të institucioneve, i përgjigjet negativisht kësaj kërkese”, ka deklaruar këshilltari ligjor i kreut të shtetit, Spiro Peci.

Presidenti e ka konsideruar si ilegjitime edhe kërkesën për hetimin e tabulatëve telefonikë të të gjithë personave të cituar nga komisioni, përfshirë edhe ata të gazetarëve. Për presidentin, kjo është një kompetencë vetëm e prokurorisë.

“Kjo kërkesë është një kapërcim i kompetencave dhe përbën shkelje ligji. Duke shprehur gatishmërinë për të dëshmuar në respekt të ligjit, presidenti do caktojë kohën dhe mënyrën e vetë për t’u përgjigjur. Kërkesa të kësaj natyre mund të paraqesë vetëm prokuroria”, ka theksuar Peci.

Prokurorja e përgjithshme Ina Rama ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve të komisionit parlamentar mbi ngjarjet e 21 janarit.

Në fjalën që i është dhënë në fillim të seancës dëgjimore, Rama ka argumentuar se në bazë të ligjit, prokuroria nuk mund të japë informacione mbi proceset që janë në hetim e sipër.

“Prokuroria është një organ i pavarur. Prokuroria i nënshtrohet vetëm ligjit. Cdo ngjarje kriminale e 21 janarit është objekt i hetimit të prokurorisë dhe vetëm pas hetimit prokuroria do ketë një përfundim. Hetimi i komisionit është i lidhur në mënyrë integrale me hetimet që bën prokuroria. Unë nuk mund t’i përgjigjem pyetjeve tuaja. Unë i qëndroj vetëm ligjit”, ka deklaruar Rama.

“Prokurori i përgjithshëm, kur po bëhet një hetim, nuk mund t’i nënshtrohet një seance marrjeje në pyetje”, ka theksuar ajo, duke u larguar.

Veprimi në fjalë ka acaruar drejtuesin e komisionit hetimor parlamentar, Eduart Halimi, i cili e ka cilësuar atë si një refuzim për bashkëpunim nga institucioni i akuzës.

“Do ta marr këtë veprim si mungesë e bashkëpunimit tuaj me komisionin parlamentar. Do ta shohim si mungesë respekti ndaj organit më të lartë kushtetues, që është Parlamenti”, ka deklaruar Halimi.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe anëtari tjetër i komisionit, deputeti Enkelejd Alibeaj, i cili ka theksuar se veprimi i zonjës Rama përbën një “refuzim flagrant”.

“Asnjë nga anëtarët e komisionit nuk ka dashur e as dëshiron të pyesë për cështje dhe rrethana që kanë të bëjnë me aspektin penal. Ky është një hetim parlamentar dhe këtë duhet ta kuptonte edhe kryeprokurorja. Largimin e saj e konceptoj si një refuzim flagrant ndaj një institucioni kushtetues”, ka pohuar Alibeaj.


Top Channel

Kampionia kosovare e xhudos do garojë për Azerbajxhanin

Majlinda Kelmendi është një nga emrat më të njohur në botë sa i përket sportit të xhudos.
Synimet e saj janë fitimi i medaljes së artë në Lojërat Olimpike të vitit 2012.
Por ajo thotë se ka pranuar një ofertë për të garuar nën flamurin e Azerbajxhanit. Ky shtet i ka premtuar asaj një pagë mujore prej 5 mijë eurosh dhe në rast se fiton medaljen e artë, ajo do marrë 2 milion euro.

Paga e saj prej 500 eurosh nuk është e mjaftueshme dhe duket se Kelmendi është joshur nga oferta bujare.

Më përpara Kelmendi ka garuar me flamurin e Shqipërisë.

G. Tema