Monday, February 14, 2011

Zbardhet tjetër aferë tronditëse e Ilir Metës, 1 milion dollarë për naftën e Alpetrolit

Pas imunitetit, Ilir Metës pritet t’i vihen prangat për korrupsion aktiv
Tjetër skandal tronditës me kryetarin e LSI Ilir Meta, i lakuar kaq shumë ndër vite për afera dhe skandale të ndryshme. Pas skandalit me 700 mijë euro për dhënin e një hidrocentrali një klienti të tij, Ilir Meta është përfshirë në një aferë edhe më tronditëse, ku tashmë bëhet fjalë për 1 milion dollarë.

Më konkretisht, sipas Prokurorisë Ilir Meta ka ndërhyrë tek Dritan Prifti përtë favorizuar shoqërinë “Halilaj Holding Group”, sh.a në ankandin për “Shitje nafte bruto të prodhuar nga shoqëria “Albpetrol”, sh.a, sasia 50 mijë MT”, duke i ofruar si ofertë financiare për përfitim të paligjshëm deri në 1 000 000 (një milion) dollarë që do të ndaheshin mes tyre.
“Këtë regjistrim e ka bërë për shkak të kërkesave dhe ndërhyrjeve për favore, kërcënimeve, urdhrave e presioneve, të bërë nga ana e shtetasit Ilir Meta për të realizuar gjatë ushtrimit të detyrës së tij veprime jo në përputhje me ligjin, ndër të cilat janë dhe rastet e fiksuara dhe në këtë video, që konkretisht kanë të bëjnë me propozimin, duke i ofruar shumën prej 700 mijë euro dhe 7% të aksioneve për dhënien me koncesion të H/C Egnatia Shushicë, bashkimit të përkohshëm të kompanisë “Vëllezërit Tola”, sh.p.k dhe punësimin e shtetasit Artur Hajdari si drejtues i lartë në Inspektoratin Qendror Teknik si dhe ndërhyrjen për të favorizuar shoqërinë “Halilaj Holding Group”, sh.a në ankandin për “Shitje nafte bruto të prodhuar nga shoqëria “Albpetrol”, sh.a, sasia 50 mijë MT”. Për këtë të fundit, sipas deklaruesit nga shtetasi Ilir Meta, i është ofruar oferta financiare për përfitim të paligjshëm deri në 1 000 000 (një milion) dollarë që do të ndaheshin mes tyre”, thekson Prokuroria në raportin e saj drejtuar Kuvendit, ku kërkon që Meta të ndiqet penalisht. Organi i akuzës sqaron se të gjitha këta fakte i ka nxjerrë Prifti kur është ftuar për të dhënë sqarime. “Më datën 13.01.2011, në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, është paraqitur me vullnetin e tij shtetasi Dritan Prifti, i cili në deklarimet e dhëna në cilësinë e personit që tregon rrethana të dobishme për qëllime të hetimit, sqaron se regjistrimi audioviziv i materialit të transmetuar më datën 11.01.2011 ora 20:10’ e në vijim në emisionin “Fiks Fare” nga televizioni “Top-Channel”, Tiranë është realizuar prej tij”, thekson Prokuroria.


Ilir Meta, drejt prangave
Në kërkesën drejtuar parlamentit, Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama kërkon ndjekjen penale për ish zëvendëskryeministrin Ilir Meta, pasi, sipas saj, ekzistojnë dyshime të arsyeshme se deputeti Ilir Meta ka kryer veprën penale të korrupsionit aktiv. Prokurorja e Përgjithshme e bazon kërkesën për ndjekjen penale të Ilir Metës në vërtetësinë e videos dhe në pasojat që sjellë kjo vërtetësi. “Sipas konkluzionit të aktit të ekspertimit teknik rezulton se video regjistrimi objekt i ekspertimit është i patjetërsuar, personat që jepen në video janë të patjetërsuar dhe shkalla e gabimit është zero. Nga provat e grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit paraprak, ka të dhëna të mjaftueshme që të çojnë në dyshimin e arsyeshëm se deputeti Ilir Meta ka kryer veprën penale të korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë të shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, të parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal”, thekson Prokuroria. Korrupsioni aktiv, për të cilin akuzohet Ilir Meta, parashikohet në Kodin Penal si vepër që dënohen nga 1 deri në 5 vjet dhe me gjobë nga 500 mijë deri në 2 milionë lekë. Kështu pa heqjes së imuniteti dhe marrjes në pyetje si qytetar i zakonshëm, Ilir Metës priten t’i vihen prangat për korrupsion. Për Bashkimin e Evropian dhe SHBA skandali Meta do të ishte prova e fundit për drejtësinë Shqiptare.

Korrupsioni aktiv dënohet deri në 5 vite burg
Ilir Meta i thotë Dritan Priftit se ka rregulluar gjithçka me kryetaren e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, për dhënien e një tenderi mikut të tij dhe në ë këmbim do të marrë 7% të investimit dhe 700 mijë euro në dorë. Ndërkohë Meta i ofron Prifti 500 mijë dollar për një aferë nafte. Kjo përbën vepër penale dhe personi që e konsumon, sipas Kodit Penal dënohet deri në 5 vite burg. “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore, të zgjedhur vendor-neni 245. Premtimi, propozimi ose dhënia tërthorazi ose drejtpërdrejt i çfarëdo përfitimi të parregullt, funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, për vetë ose për persona të tjerë për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet dhe me gjobë nga pesëqind mijë lekë deri në dy milionë lekë”, thuhet në Kodin Penal.

Meta: Imuniteti im të hiqet pa procedura
Kreu i LSI-se Ilir Meta, ka deklaruar se do t`i kërkojë kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, për të hequr imunitetin e tij pa procedura. “Me qëllim që të çmontohen akuzat televizive ndaj personit tim, në emër të opinionit publik, i kërkoj zonjës Topalli vazhdim të deklarimit tim për dhënien e imunitetit në mënyrë vullnetare, që ta autorizojë atë pa procedurë parlamentare, në mënyrë që prokuroria të mos ketë asnjë justifikim për detyrime ligjore. Sa u përket hetimeve për video-kasetën me Priftin, jam i pari i interesuar për ecurinë e tyre në respekt të moralit tim. E lashë imunitetin me vullnet dhe dëshirë e kam kurajë të përballem me të vërtetën”, tha ai. Meta ka e ka vlerësuar videon me Priftin si një sulm politik ndaj tij,duke shtuar ndër të tjera faktin se e vërteta le të dalë me ekspertizë vendase dhe të huaj dhe se këto ekspertiza i kemi realizuar. “Me teknologjinë e sotme, është e lehtë të manipulosh, por sot gjithashtu është e lehtë që të verifikohen manipulimet”, tha ai.

Adriatik Doçi, G. Sot

No comments: