Monday, February 14, 2011

Ndihem i trishtuar

(Letër e hapur drejtuar qytetarit shqiptar)
Kam njëzet vjet që ndihem i trishtuar. Në të vërtetë, duhej të ndodhte e kundërta. Duhej të isha një njeri i lumtur. Duke konsideruar propagandën e pafund për liri, demokraci e shtet ligjor, do të duhej të rinohesha çdo ditë, në kundërshtim me ligjet e natyrës.


Por, jo! Ndihem i trishtuar.
Edhe pse ushqehem më mirë, edhe pse vishem më bukur, edhe pse lëviz më lirshëm, edhe pse ndodhem larg kaosit shqiptar, përsëri ndjehem i trishtuar.
Ndoqa nga larg ngjarjet e 21 janarit 2011 dhe u trishtova. Unë isha përkrah teje i nderuar demonstrues. Unë kam qenë moralisht pranë teje edhe në 1990 kur demonstrojë paqësisht, edhe në 1996, 1997, 2001, 2009 apo sot.
Por, unë u ktheva kundër teje kur të pashë që godisje me gurë policët apo kur iu vije zjarrin makinave në bulevard. Kështu kam qenë kundër prej 20 vitesh. Unë u vura menjëherë në krah të policëve që goditeshin me gurë dhe jam edhe sot moralisht pranë policit që ndodhet ende në spital. Do të isha kundër teje edhe po të godisje me gurë një qytetar tjetër që kalonte rrugës.
Disa nga ju gabuat kur, zemërimin e ligjshëm u përpoqët ta shfryni ndaj ruajtësve të rendit. Ti kishe një mijë arsye për të protestuar, por asnjë arsye për t'iu vërsulur policit.
Ty të kanë lënë pa punë, por jo policia. Të kanë lënë fëmijët pa shkollë, por jo policia. Të kanë detyruar të mbyllesh brenda nga gjakmarrja, por jo policia. Të kërkojnë pesë mijë euro për një vend pune si mësues, por jo policia. Të bëjnë operacion vetëm për të të marrë paratë ose për të të hequr një organ të shëndoshë e për t'ia venë dikujt tjetër kundrejt parave, por jo policia. Të kanë marrë tokën dhe ua kanë ligjëruar grabitjen, por jo policia. Të kanë përmbytur e nuk të dëmshpërblejnë, por jo policia.
As Tragjedinë e Gërdecit nuk e kanë shkaktuar policët. Nuk janë policët ata që kanë shpërdoruar treqind milionë euro nga buxheti i shtetit (që janë paratë tua e të mijat) për të ndërtuar një rrugë që mund të ndërtohej më lirë. As ai që premtonte shtatëqind mijë euro nga buxheti i shtetit për një tender, nuk ishte polic. Nuk janë policët ata që kanë grabitur toka në bregdet apo që kanë ndërtuar hotele në emër të miqve e shokëve. Asnjë polici nuk i ka vajtur ndonjëherë në mend t'i "falë" pjesë të detit shqiptar fqinjëve, në këmbim të favoreve politike që i zgjasin jetën pushtetit të tij. Sepse polici as ka pushtet, dhe as mund ta bëjë atë.
Është e vërtetë që ka policë të korruptuar, që të kërkojnë paratë në rrugë apo që bashkëpunojnë me kontrabandistët e ndryshëm. Dhe, unë, së bashku me ty, jam kundër tyre. Por, mos harro! Shumica e policëve janë si ti e unë, janë unë e ti.
Mos harro!
Gjatë 20 viteve janë vrarë 200 policë dhe oficerë policie, ndërsa nuk është vrarë për motive të pastra politike asnjë prej atyre që kanë bërë ato "reforma" që të kanë sjellë ty padrejtësitë e lartpërmendura.  
Atëhere, përse i bije "Samarit" në vend që të rrahësh "Gomarin"?
 Duke goditur policin, ti mund të shfrysh dufin por jo të largosh shkakun e të këqijave që të kanë shkaktuar.

Të pashë që godisje me gurë ndërtesën e Kryeministrisë. Ajo nuk të ka bërë asgjë të keqe. Ajo është edhe e jotja, dhe e imja. Kur "Cakalli" të ka ngrënë tufën, mos iu vërsul strofullës, pasi nuk zgjidh asgjë.
Më pas, pashë se të vranë, ndërsa ishe me duar në xhepa. Unë u bëra me ty përsëri. Dhe me ty jam. Pasi të vranë, thanë se ishe kriminel sepse Ai tha se "Garda bëri dallimin midis popullit dhe kriminelëve...".
Pastaj, Ai tha se ti po bëje grusht shteti duke qenë i armatosur me çadra dhe me bishta pankartash. Kjo i gajasi të huajt që ndiqnin situatën, dhe thanë se me ato "armë" mund të bëhet Puc vetëm në filmat për fëmijë (cartoons). Kur Prokuroria tha se të dyshuarit duheshin ndaluar, Ai tha së këta duheshin shpërblyer financiarisht, dhe ashtu bëri.



Po, kush ishte Ai?
Ai është kryeministri i vendit tënd. Është ai, dalja në skenën politike të të cilit në vitin 1990 u shoqërua me djegien e 4-5 qyteteve kryesore të Shqipërisë, ashtu si hyrja e gjermanëve në këtë vend nisi me djegien e Borovës. Është ai që ka djegur katër herë vetëm Shkodrën dhe atëhere gazetat gjermane e quajtën "një ordiner i rrezikshëm".
Është ai, sundimin e parë të të cilit, gazetat angleze e patën quajtur "regjimi i gangsterëve". Jo vetëm kaq. Ai pati udhëhequr në 1998 një turmë njerëzish të armatosur me të gjithë kalibrat e armëve të ushtrisë për të zaptuar ministritë, kryeministrinë dhe RTV. Dhe e arriti këtë. Pastaj nxori në TV-në e zaptuar kryesuesin e radhës së koalicionit të tij për të njoftuar se "E morëm pushtetin".
Kur të huajt i thanë se kishte hyre gabim atje, iku dhe u ngujua në selinë e partisë së tij së bashku me njerëzit e armatosur. Më pas tha se ai nuk ishte grusht shteti por një reagim i ligjshëm i njerëzve të revoltuar nga vrasja e një njeriu të cilin e kishte dënuar dy herë më parë si ordiner. Pra, mbetet që grushtet e shtetit bëhen me duar në xhepa.
Ai është njeriu që dikur bënte presion në rrugë e parlament që oficeret e policisë të ngjarjes së 2 Prillit 1991 të arrestoheshin. Kur prokurorët i thoshin se ata janë të pafajshëm, ai ( tashmë në pushtet) urdhëronte dënimin e tyre.
Më pas, ai urdhëronte edhe ndërrimet e akuzave, ashtu si edhe ndërrimin e trupit gjykues, pasi i caktuari kishte gjasa ligjore t'i shpallte të pafajshëm. Tani që prokuroria e tij i thotë se ka persona të dyshuar si fajtorë, ai thotë se ata duhen shpërblyer. Atëherë "të revoltuarit" ishin të tij, ndërsa sot janë kundër tij.
Atëhere ai dekoroi 72 vetë nga ata që ushtruan dhunën dhe dogjën disa ndërtesa , ndërsa sot ai arrestoi 140 vetë prej atyre që mbanin çadra në duar.
Atëhere u protestua kundër zgjedhjeve të pranuara si të ligjshme prej ndërkombëtarëve dhe prej Atij vetë, ndërsa ti protestove kundër qeverisë që thotë se është e ligjshme por që nuk pranon ta vërtetojë ligjshmërinë e saj. Ti e di se fëmija legjitim iu tregohet gjithë "mysafirëve" ndërsa ilegjitimi iu fshihet të gjithëve. Ti dhe unë e dimë se fëmija, nëna e të cilit ka fjetur 30% te kohës me "jaranin", i duhet nënshtruar analizave të ADN-se për të përcaktuar atësinë, kurse ai thotë se fletët e votimit të keqnumëruara (në të vërtetë të falsifikuara) në masën 30% nuk mund të verifikohen.
Ti e dije se Ai është po Ai që ka qenë gjatë këtyre 20 viteve, prandaj edhe protestove.
  Ata të vranë. Ti protestove sepse fëmijët e tu ishin pa bukë. Ai i la tani edhe pa baba. Në të vërtetë, vrasja jote ka kohë që ka filluar. Ajo ditë ishte vetëm epilogu, vrasja jote fizike. Ty, por edhe mua, na kanë vrarë çdo ditë nga pak. Dhe, jo vetëm Ai. Ai nuk do të mund të bënte asgjë po të mos ishin edhe Ata.

Po, kush janë Ata?
Ata janë disa si unë dhe ti, por ndryshe nga ne të dy. Janë ata që gjatë 20 viteve kanë bërë çmos që, herë ta paraqesin Atë si shpëtimtari i kombit e herë të tjera si rrënuesi i kombit, ne varësi të plotësimit të nevojave të tyre. Ndërsa Ai ka qenë gjithmonë i njëjti.

A e ke vënë re numrin e pafund të priftërinjve, hoxhallarëve, dervishëve dhe imamëve që, me kokëfortësi dhe pa pushim bëjnë apologjinë e krimeve të tij dhe duan ta shesin si Bamirës e Shpëtimtar? Po numri, pambarimisht i madh, i "Burrave të Dheut" që, për shumë vjet u ndanë prej Tij, e mallkuan dhe e damkosën si Tradhtar dhe më vonë, për një kockë, u ulën në tavolinë me të, a të ka rënë në sy?  
Po Klanet dhe 55-at a i njeh, që, për çdo ditë dhe pa pushim, e hymnizojnë Atë dhe veprat e tij të turpshme?
Ti, edhe pasi të vranë, duhet ta kesh dëgjuar një Lehës të Ministrisë së Turizmit që tha se Ai ishte i vetmi burrë shteti sot në Shqipëri. Po, po, kështu tha. Këtë e tha ai, të cilit në vitin 1997 i pati djegur redaksinë e gazetës dhe i la sakat njërin prej gazetarëve të tij. Me gazetën e tij, ky Lehësi, për gati dhjetë vjet, u përpoq të na bindte mua dhe ty se Ai ishte një Monstër dhe Rrezik Kombëtar. Tani, na del që Monstra është Burrë Shteti.
Tani, na del se burrë shteti është Ai që kurrë nuk krijoi shtet, që shteti iu shkërmoq për 24 orë në vitin 1997 dhe që veten e konsideron Kryeministër, President, Parlament, Prokurori, Gjykatë, SHISH e gjithçka tjetër. Burrë shteti, pra, na qenka Ai, për të cilin, në vitin 1998, gazetat gjermane thanë se, " Si kryetar shteti, Ai rezultoi të ishte një katastrofë".
Sipas gjithë Lehësve, burri i shtetit është Ai që iu fal fqinjëve pjesë të territorit kombëtar, që ka pranuar Vetë se ka bërë kontrabandë armësh dhe nafte dhe që, me kundërshtarët politikë, komunikon me gjuhën e pastrueses më të pakulturuar të Tiranës. Ky, pra , është koncepti katundaresk dhe mesjetar për burrështetësinë.

Shumë kohë para se të të vrisnin ty, ti ke parë edhe një "kundërshtar" të tij politik që i ka dalë në krah Atij pak ditë para se të bëheshin zgjedhje në Shqipëri. Edhe pse e kishte burgosur dhe damkosur dikur si hajdut, kundërshtari iu gjend në ditë të vështira. Po pse, veç ai? Po një ministër që, dikur i pati thyer dhëmbët, a e pe tani si mori shpatën në mbrojtje të tij, ndërsa dikur kishte hipur në tank kundër tij?
Ty dhe mua na vrasin edhe ata komisionerët e votimeve që shiten për "dyzet aspra". Po të mos shiteshin ata dhe po të mos kishte me tepri Ristaner në të gjitha hallkat e drejtësisë, ne nuk do të vriteshim, as do te kishim nevojë për gurë, e, aq më pak për armë.
Po. Ti dhe unë i kemi parë të gjitha këto. Dhe ti mund të thuash se kjo punë qenka e ngatërruar, për besë.
Në të vërtetë, kjo punë tregon se nga çfarë bataku moral jemi të rrethuar unë dhe ti.  
Të gjithë këta që përmenda dhe shumë të tjerë, përbëjnë ushtrinë e atyre që duan të na vrasin mua dhe ty. Të vrasin mendjen tonë. Por, edhe shpirtin tonë. Sigurisht, kundrejt shpërblimit.
Duke na vrarë mendjen tonë, ata duan të na bëjnë të mendojmë siç duan ata. Dhe kur në të mendojmë në atë mënyrë, ata do të na sundojnë me pëlqimin tonë. Dhe, nëse ne ankohemi, ata do të shfajësohen duke thënë se ky është pëlqimi juaj, ky është vullneti juaj, ky është sundimi juaj, ose i sovranit, siç iu pëlqen atyre të na quajnë.
Me paratë tona, të grabitura në buxhetin e shtetit, ata shpëlajnë trurin tonë, në mënyrë që të vazhdojnë pambarimisht grabitjen. Ata kanë shpikur tenderin si çelësin e artë të vjedhjes së parave tona në mënyrë "të ligjshme". Parajsën e tyre e paraqesin si fatlumturinë tonë. Meqenëse, na e kanë hequr mundësinë të sigurojmë të drejtat tona në vendin tonë, duke na privuar nga drejtësia dhe siguria, ata na ofrojnë ikjen si arritjen e tyre më të madhe dhe dhuratën më të vyer që na bëjnë. Ikja jonë u shërben atyre, sepse kështu do të mund të sundojnë më lehtë të pamundurit.

Po, çfarë të bëjmë atëherë?
Me së pari duhet të ndryshojmë unë dhe ti. Pa ndryshuar ne, nuk ndryshon Shqipëria. Kur të ndryshojmë ne, do të ndryshojnë edhe ata, që në dërgojmë të na përfaqësojnë në shtet. Për aq kohë sa të votojmë njerëz që, të gjithë së bashku, kanë vlerë sa një zero dhe që marrin vlerë vetëm kur vihen pas njëshit, punët nuk do të shkojnë mirë. Ata që e votuan Atë për President në vitin 1997, në Gjendjen e Jashtëzakonshme, pa asnjë kundërshtim, ata që flasin me gojën e tyre por me mendjen e Atij, ata që ia miratuan Atij unanimisht planin për dhënien e detit fqinjëve, nuk janë ata që na duhen mua dhe ty.

Por, kujdes!
Kur ta kesh përcaktuar Djallin në njërën anë, mos mendo me naivitet se, automatikisht, në anën tjetër ndodhen Engjëjt. Mos ia jep votën Të Keqit. E Drejta dhe e Vërteta nuk janë as të majta dhe as të djathta. Të tilla janë vetëm rrugët që mendohet se të çojnë drejt se mirës së përgjithshme. Zgjidh njeriun nëse do të kesh shtet në shërbimin tënd, përndryshe do të biesh nga një e keqe në tjetrën. Mos beso se do t'i zgjidhin hallet të huajt. Rrugën tënde nuk mund ta tregojnë ata që, më shumë rëndësi i kushtojnë të drejtës së një qytetari shqiptar për të përdorur si të dojë prapanicën e tij se sa të drejtës së një milion shqiptarëve për të verifikuar votat e tyre. As ata që të këshillojnë të mos protestosh për bukën e gojës, kur në vendet e tyre protestohet edhe për qejfin e bythës.
Edhe ti, drejtues i opozitës! Kur të thërrasësh njerëzit në "dasmë", qëndro në krye të vendit. Përndryshe, nuk mund të jesh dhe as të bëhesh zot shtëpie.
Mos bëj marrëveshje me Të Pabesin, se pastaj zhgënjehesh. Duket qartë se nuk e ke besuar atë që At Fishta thoshte para gati një shekulli për Europën. Këta të sotmit janë bijtë e Saj. Duket se e ke ngatërruar shkëlqimin material të Europës me pastërtinë e saj shpirtërore. Përndryshe, nuk do të darkojë tek Krokodili dhe të ktheheshe siç kthehen të gjithë ata që ndeshin në krokodilë. Ajo që ata të premtuan se do të bëhej atje, do të ishte bërë më lehtë dhe pa shpenzimet e tyre në Tiranë.
Dhe, mos u mjafto me deklamimin e asaj që është bërë keq, por tregoje qartë se si do ta bëje mirë. Mos fol me njerëzit sikur ndodhesh para studentëve të Akademisë së Arteve, por mëso edhe artin e komunikimit me fshatarin e Dukagjinit apo të Lunxhërisë apo me minatorin e Bulqizës.

Për ty, oficerin e Gardës, kam shumë besim që nuk e ke dashur kurrë vrasjen e njerëzve. Besoj, apriori, edhe në pafajësinë tënde. Por, ti duhet të shkosh tek drejtësia dhe ta provosh këtë. Mos dëgjo Atë që, për 20 vjet, i ka shkelur pothuajse të gjitha nenet e Kodit Penal dhe e ka injoruar Drejtësinë, edhe kur është thirrur si dëshmitar. Ai i përket së shkuarës, madje asaj mesjetare. Pushteti nuk e ka bërë të arsyeshëm, por,përkundrazi, arrogant dhe prepotent.
Ti duhet të jesh fisnik.
Unë vazhdoj të ndjehem i trishtuar.

Nga Viktor MALAJ

No comments: