Tuesday, February 1, 2011

Perëndesha e dhimbjes sonë

Nëse do të mundnim ta përmblidhnim gjithë atë që ka ndodhur në këtë javë, pra nga vrasja makabre e tre protestuesve deri te dita e djeshme, te marshim në funebër dhe paqësor, i dhimbshëm dhe dinjitoz i popullit të zemëruar, do të mjaftonte vetëm fotoja e botuar dje në faqen e parë të gazetës "Shekulli", e shkrepur nga fotografja dhe artistja Jutta Benzenberg.

Në atë portret të vajzës 11-vjeçare të Ziver Veizit dukej se koha ishte ndalur dhe nuk lëvisten më. Pika e lotit që i rridhte në faqe, buzët e shtrënguara me elegancë dhe lehtë, një dritë natyrale që i bie nga sipër.. Zot!

Nëse mund ta përfytyrojmë dhimbjen e vërtetë, pra nëse do të kërkojmë të dimë se ç'pamje ka ajo, ç'fytyrë ka - ose nëse ndonjë ditë, pas shumë vjetësh, do të kërkojmë dhe do të pyesim se çfarë ndodhi më 21 janar - ajo foto do të na i tregojë të gjitha. Siç thotë Bart, fotoja është një mit, një histori.

Ana, pret drejtësi

Është koha e ndalur në mes. Dhe duke e parë atë foto ti bindesh se gjithë Shqipëria është ndalur në atë çast në portretin e vajzës së Ziver Veizit, në lotin që i rrëshket mbi faqe dhe në buzët e mbledhura si një perëndeshë e dhimbjes.

Ilir Yzeiri, Shekulli

No comments: