Tuesday, February 1, 2011

Përgjimet, zbardhet plani për ekzekutimin e Ramës

Zbardhet plani për vrasjen e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama.
Prokuroria e Tiranës tha dje se Luan Rami, Fatos Rami dhe Afrim Kica, nga Burreli, në bashkëpunim dhe me persona të tjerë, po siguronin kushtet dhe mjetet materiale me qëllim për të realizuar eliminimin fizik të shtetasit, Edi Kristaq Rama.
Me 28 janar, Rama doli në bulevard i rrethuar nga një shpurë me truproja duke "shpërfillur" rrezikun që i kanosej për jetën.
Sipas prokurorisë, informacioni i referuar nga Shërbimit Informativ Shtetëror bëri që të ndërhyhej në kohë dhe të parandalohej vrasja e kryetarit të PS-së. Tre të dyshuarit, dy kushërinjtë Rami dhe miku i tyre Kica u përballën dje me gjykatësin e gatshëm Ardian Kalia për t'u njohur zyrtarisht me akuzat e rënda. Luan Rami, ish-drejtori i ndërmarrjes së Elektrikut në Burrel, pranoi se i kishte dërguar mesazh në telefon kreut të socialistëve Rama, duke i kërkuar t'i zhdëmtonte makinën që iu shkrumbua në demonstratën e 21 janarit.
Asnjëri prej tre të dyshuarve nuk pranoi të kishin bërë plan për vrasjen e kryebashkiakut të Tiranës. Të dyshuarit, Luan e Fatos Rami dhe Afrim Kica, do të qëndrojnë në qeli për një muaj dhe nëse prokuroria nuk gjen prova për implikimin e tyre, atëherë të dyshuarit do të rifitojnë lirinë. Në seancën me dyer të mbyllura, për shkak të sekretit hetimor, prokurori ka zbardhur nofkat e tre personave, "Taku", "Tani" dhe "Tiku", të cilët dyshohet të kenë qenë pjesë e grupit, që do të vepronte për të ekzekutuar Ramën. Këta persona janë në kërkim nga policia. Pikërisht për të identifikuar këta tre persona dhe për të gjetur lokalin në Linzë, ku dyshohet të jetë thurur plani kriminal, prokuroria kërkoi 30 ditë kohë. Avokati, Alfred Duka debatoi me prokurorin Tominaj, të cilin e pyeti se cilën provë kërkon të marrësh, për sa kohë kërkon arrest me burg me afat për dy kushërinjtë Rami. "Të identifikojë tre personat", - i përgjigjet prokurori, çka përbën shkak për një debat të fortë mes tyre. ndërsa pyetjes nëse ishte i vlefshëm arrestimi në flagrancë, prokurori i përgjigjet se është "parandaluar një krim të jashtëzakonshëm dhe është shpëtuar jeta e Edi Ramës".

Procesi

Një material i referuar nga Shërbimi Informativ Shtetëror, ku dyshohej se një grup kriminal po përgatiste kryerjen e akteve terroriste ka alarmuar Prokurorinë e Tiranës. Kanë mjaftuar disa verifikime, që organi i akuzës të regjistronte një procedim penal ndaj disa të dyshuarve të cilët po përgatisnin terrenin për kryerjen e një vrasje. Për aktet me qëllime terroriste prokuroria kishte shpallur mos kompetencën. Në shënjestër të këtij plani ishte vënë kreu i Partisë Socialiste Edi Rama, i cili në tubimin- homazh të 28 janarit lëvizi nën masa të rrepta sigurie.
Pas kërcënimit Shërbimi Informativ Shtetëror i kishte vënë në përgjim tre të dyshuarit, Luan e Fatos Rami, si dhe Afrim Kicen dhe informoi policinë se në bashkëpunim me njëri-tjetrin po krijonin kushte për eliminimin fizik të kreut të opozitës.
I gjithë plani kriminal u zbulua dje nga prokuroria, kur tre të dyshuarit, mbërritën në gjykatën e Tiranës për tu njohur me masën e sigurisë. Luan Rami, i dyshuari kryesor, u shpreh në gjykatë se i kishte bërë mesazh në telefon kryesocialistit Edi Rama. "Unë i kam bë sms me emër dhe mbiemër dhe i kam kërkuar të më zhdëmtojë makinën", - mësohet t'i ketë thënë gjykatësit i dyshuari. Bëhet fjalë për një makinë tip "Fuoristradë" që është parë të qarkullojë përgjatë gjithë kohës së demonstratës së dhunshme. Kushëriri i tij, Fatos Rami, është shprehur se ka qenë në gjumë, kur i janë vënë prangat, duke kundërshtuar prokurorin, i cili deklaroi se ishte bërë një arrestim parandalues duke u shpëtuar kështu kreu i opozitës. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, për shkak të sekretit hetimor dhe sallën e gjyqit e lanë edhe dy deputetë socialistë që ndodheshin të pranishëm.  
Foto nga Godo Godaj

Ndërsa, jashtë dyerve të gjykatës ndodheshin familjarët e miq të të dyshuarve, mes tyre dhe Sali Lusha, ish-truproja e kryeministrit Sali Berisha. Zenel Rami, i ati i Luan Ramit, tha se i biri nuk ka pasur asnjë qëllim, të ekzekutojë Edi Ramën. 

Klodiana Lala, G. Shqiptare

No comments: