Monday, February 14, 2011

Topi-Ina Rama refuzojnë komisionin hetimor: Çështja është nën hetim

Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka refuzuar zyrtarisht thirrjen për të dëshmuar në komisionin hetimor, duke e cilësuar atë një shkelje të ligjit.

“Presidenti i ushtron kompetencat në bazë të Kushtetutës. Në bazë të nenit 92, presidenti është ai që kërkon informacion nga institucionet për aktivitetet e tyre. Kërkesa në fjalë e komisionit hetimor, që përmban elementë që pengojnë kthimin e një përgjigjeje, është e pakuptimtë për aq kohë sa thërret presidentin për ta marrë në pyetje në orën 17:00 të datës 3 shkurt. Presidenti, në respekt të institucioneve, i përgjigjet negativisht kësaj kërkese”, ka deklaruar këshilltari ligjor i kreut të shtetit, Spiro Peci.

Presidenti e ka konsideruar si ilegjitime edhe kërkesën për hetimin e tabulatëve telefonikë të të gjithë personave të cituar nga komisioni, përfshirë edhe ata të gazetarëve. Për presidentin, kjo është një kompetencë vetëm e prokurorisë.

“Kjo kërkesë është një kapërcim i kompetencave dhe përbën shkelje ligji. Duke shprehur gatishmërinë për të dëshmuar në respekt të ligjit, presidenti do caktojë kohën dhe mënyrën e vetë për t’u përgjigjur. Kërkesa të kësaj natyre mund të paraqesë vetëm prokuroria”, ka theksuar Peci.

Prokurorja e përgjithshme Ina Rama ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve të komisionit parlamentar mbi ngjarjet e 21 janarit.

Në fjalën që i është dhënë në fillim të seancës dëgjimore, Rama ka argumentuar se në bazë të ligjit, prokuroria nuk mund të japë informacione mbi proceset që janë në hetim e sipër.

“Prokuroria është një organ i pavarur. Prokuroria i nënshtrohet vetëm ligjit. Cdo ngjarje kriminale e 21 janarit është objekt i hetimit të prokurorisë dhe vetëm pas hetimit prokuroria do ketë një përfundim. Hetimi i komisionit është i lidhur në mënyrë integrale me hetimet që bën prokuroria. Unë nuk mund t’i përgjigjem pyetjeve tuaja. Unë i qëndroj vetëm ligjit”, ka deklaruar Rama.

“Prokurori i përgjithshëm, kur po bëhet një hetim, nuk mund t’i nënshtrohet një seance marrjeje në pyetje”, ka theksuar ajo, duke u larguar.

Veprimi në fjalë ka acaruar drejtuesin e komisionit hetimor parlamentar, Eduart Halimi, i cili e ka cilësuar atë si një refuzim për bashkëpunim nga institucioni i akuzës.

“Do ta marr këtë veprim si mungesë e bashkëpunimit tuaj me komisionin parlamentar. Do ta shohim si mungesë respekti ndaj organit më të lartë kushtetues, që është Parlamenti”, ka deklaruar Halimi.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe anëtari tjetër i komisionit, deputeti Enkelejd Alibeaj, i cili ka theksuar se veprimi i zonjës Rama përbën një “refuzim flagrant”.

“Asnjë nga anëtarët e komisionit nuk ka dashur e as dëshiron të pyesë për cështje dhe rrethana që kanë të bëjnë me aspektin penal. Ky është një hetim parlamentar dhe këtë duhet ta kuptonte edhe kryeprokurorja. Largimin e saj e konceptoj si një refuzim flagrant ndaj një institucioni kushtetues”, ka pohuar Alibeaj.


Top Channel

No comments: