Premtimet elektorale në prag fushate janë shprehje e koncentruar e idesë se komikja dhe tragjikja ndahen nga një fije peri. Individualizimi i skajshëm i fushatës, gjasme për të qenë afër halleve të secilit qyetetar, krijon situata qesharake, skenari i të cilave në një thjeshtëzim të kollajshëm është: qytetari thotë një hall, kandidati premton zgjidhjen, e cila do të vijë me të fituar ai zgjedhjet dhe pastaj, pas fushate, të dy harrojnë edhe hallin, edhe premtimin.
Kjo dukuri, e që këtu fillon tragjizmi (sapo e konsiderojmë dukuri e jo rast), ka një sërë rrjedhojash, të cilat prodhohen prej saj, por ndërkaq riprodhojnë dukurinë në fjalë.
Së pari, boshësia fare e dukshme e premtimeve elektorale është e pakuptueshme vetëm në kohë fushate, kur njerëzit kanë një shpërthim hormonal të papritur. Sidomos në këtë fushatë, kjo ndihmohet edhe nga afrimi i pranverës, e cila çoç ndikon në çlirimin e libidos dhe i bën njerëzit më euforikë dhe pasionantë.
Në cilëndo pjesë tjetër të 4-vjetëshit, çdokush e kupton lehtë boshësinë e premtimeve dhe, sipas rastit, qesh ose irritohet me euforinë e pajustifikuar që pat’ përgjatë fushatës. Mungesa e programeve politike dhe mosgarantimi faktik dhe konkret i realizimit të premtimeve sjellin rritje të papërgjegjshmërisë së kandidatëve, të cilët bëjnë të njëjtat premtime si paraardhësit dhe si kanditati kundërshtar(!) dhe pas periudhës të eksitimit elektoral, askush s’kujtohet më për to.
As arkivi i mediave. S’para merret kush me lajmet e vjetra. Qyetetarët në fushatën e ardhshme do të rieuforizohen dhe pakkush do të kujtojë mosmbajtjen e premtimeve të dikurshme. Bombardimi i ditëpërditëshmërisë pak na lejon të merremi me kujtimet.
Duke qenë se premtimet elektorale janë të pashkruara dhe fare jo konkrete, bashkë me rritjen e papërgjegjshmërisë së kandidatëve, ulet mundësia e llogarikërkesës. Tërë kjo zallamahi përsëritet e përsëritet çdo 4 vjet; në fakt më shpesh meqë kemi dy palë zgjedhje, dhe tani është bërë procedurw e zakontë, me të cilën askush nuk habitet më thellësisht. Aq sa kur të ndodhë – nëse ndodh - që ndonjë ditë të shkruhet një program politik, ne do të gjendemi aq të papërgatitur sa do të na krijohet një mungesë e simuluar e premtimeve të fryra; boshe dhe gënjeshtare po se po, por gjithsesi joshëse.
Së dyti, individualizimi i fushatës, takimi kokë më kokë me njerëzit, pavarësisht se në pamje të parë mund të merret si shenjë përkujdesjeje e drejtpërdrejtë e kandidatit për qytetarin/ fshatarin, e politikës për vulgun, është në fakt një kërcënim i hapur për zhdukjen e Publikes. Sensi komunitar gllabërohet nga privatja, madje nga privatja e tkurrur deri në intime, duke u injoruar fakti se komuniteti është kusht ekzistence për privaten dhe jo anasjelltas, meqë është e Tëra ajo që përmban pjesën. “Individi” bëhet i paaftë për të tejkaluar imediaten dhe për të zgjatuar vetjaken. Publikja rresht së qëni (e rëndësishme) sepse “individi” konsiderohet i vetëmjaftueshëm dhe i aktualizuar dhe kërkon prej kanditatëve premtime që e prekin drejtpërsëdrejti ose/dhe ekskluzivisht atë.
Së treti, ngjashmëria, për të mos thënë njëjtësia e premtimeve elektorale të dhjetra ofertave politike (ose të paktën partiake) që ka në vendin tonë, pamundëson prezantimin e tyre si alternativa të dallueshme (cilësisht) nga njëra-tjetra. E ashtuquajtura meta-ideologji, që parakupton fundin e ideologjive, të paktën në kuptimin klasik të tyre, ka prirje moniste të homogjenizojë shumësinë e dallimeve djathtas-majtas, konservator-liberal etje. Një justifikim që përkrah aideologjizimin në Shqipëri është ai, sipas të cilit, shqiptarët paskërkan të njëjtat halle dhe Shqipëria ka aq probleme sa nuk është çasti për t’u marrë me “detaje ideologjike”. Në fakt, kjo anomali bartet pikërisht nga handikapi i madh, sipas të cilit, në vend që votuesi të gjejë interesat e tij të projektuara tek një parti e caktuar, ia nënshtron kësaj të fundit formulimin e interesave të veta. Votuesi rresht së qeni subjekt veprues.
Një tjetër justifikim naiv është ai sipas të cilit ideologjitë na qenkërkan të dala mode, dhe falë “shenjtërisë” së rrugës të tretë, në kushtet mulikulturore, relativiste, globaliste, postmoderniste, ..iste..iste, tani është një kohë tjetër, prandaj duhet të lemë pas donkishotizma të tillë si ideologjitë. Nëse pretendohet kjo, që është zhdukur “logosi i ideo-së”, pra shkenca e ideve, atëherë duhet të konsiderojmë seriozisht Fukuyama-n. Mund të dakordohemi në pikën që edhe ideologjitë i nënshtrohen ndryshimeve konktekstuale, por në vend që të shpallim vdekjen e tyre, do të ishte me vend të kuptonim se si mund të riformulohen në mënyrë që të jenë gjegjëse me realitetin dhe gjithëpokaq strukturuese të tij.
Kërcënimi që vjen nga spektakolarizimi i politikes, (premtime qesharake, akuza, kundërakuza, kundërkundërakuza) e cila tanimë formësohet si vetëm mediatike, është më serioz nga sa duket, pasiqë prodhon apolitizim të njerëzve. Jo antipolitizim.
Antipolitizimi do të qe i respektuar, meqë nënkupton kundër-reagim të vullnetshëm dhe në një kuptim është gjithëpoaq politik, kurse apolitizimi jo. Apolitizimi ka të bëjë me mungesën, jo me kundërvënien. Është tashmë mit ideja se shqiptarët janë tepër shumë të politizuar meqë flasin ngado për politikë.
Thua të jetë e vërtetë kjo?
Bash e kundërta është e vërtetë: ne nuk merremi fare me politikë. Partitizimi duhet dalluar qartë nga politizimi, madje mosdallimi a më keq barazitimi i tyre është simptoma më domethënëse e apolitizimit të shqiptarëve, të cilët zhvishen nga Politikja dhe humbasin një nga specifikat-kusht të Njerëzores. Nëse i qëndrojmë besnikë Aristotelit, sipas të cilit “njeriu është kafshë politike”, rreziku është i qartë.
Duke i hequr politiken, njeriu nuk mbetet më as njeri.
Jona Mersuli: respublica.al