Friday, June 3, 2011

“RoboDet” – detektori i minave “made in Kosova”

Prej tetorit të vitit të kaluar, katër studentë të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të UP-së kanë punuar në jetësimin e idesë së tyre. Një detyrë shkollore që ata e kishin propozuar ishte krijimi i një roboti që do të detektonte mina.

Njësoj si te filmi “The Hurt Locker”, i regjisores Kathryn Bigalow, që në vitin 2010 ishte shpërblyer me gjashtë “Oscar”, ku vendndodhja e minave detektohet nga një robot në formë tanku, Besnik Gashi, Valon Gojani, Kenan Hyseni dhe Drilon Bunjaku, nën udhëheqjen e profesorit të tyre Shaban Buza, kanë krijuar një të tillë.

Prezantimi i tij është bërë mesditën e së mërkurës, në amfiteatrin e këtij fakulteti, të stërmbushur nga kureshtarët. “RoboDet” është emri që ata i kanë dhënë krijesës së tyre. Profesor Buza ka thënë se jo rastësisht lansimi i tij është bërë më 1 qershor, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.
“Për të treguar se lindi një ‘fëmijë’”, ka thënë Buza, teksa ka treguar se pagëzimi i tij ka kuptimin e një roboti që detekton.

Një tepih i gjelbër që paraqet fushën, i vendosur mbi tavolinë të rrethuar me paralajmërimet se aty “ka” mina, ishte simulimi që ishte bërë prezantimit. Rreth 90 centimetra gjerësi, aq sa është hapësira që ekipet dominuese krijojnë kur futen në fushë për të çminuar, është vënë në dispozicion. Ai dirigjohet nga distanca dhe reagon në metal në 10 centimetra largësi.
Mbeturina të ndryshme mekanike do t’u hynin në punë pesëshes krijuese. Zinxhirë të biçikletës, të shoqëruar me goma të prera e të përshtatura kanë shërbyer për të mundësuar lëvizjen e “tankut”, që mundohet nga tre motorë, që janë bateri të fuqisë 12- voltësh.
Secili nga studentët ka prezantuar nga një pjesë të punimit të tyre, teksa kanë folur edhe për sfidat që kanë pasur. Ndër kryesoret ka qenë kostoja financiare. Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike ka pasur mundësi të ndajë vetëm 500 euro për këtë prodhim. Shaban Buza ka thënë se e ka të vështirë të përcaktojë koston e shpenzimeve për të bërë robotin në gjendjen çfarë u prezantua.
“Shumë pjesë kemi gjetur në place të ndryshme të mbeturinave mekanike, ndërsa pjesë që na janë dashur t’i blejmë i kemi marrë me më pak se gjysmë çmimi nga miqtë tanë”, ka thënë Buza.
Studenti Valon Gojani ka thënë se puna 8- mujore për krijimin e “RoboDetit” ka qenë plot sfida.
“Kemi pasur mirëkuptim mes vete dhe përkrahje nga profesori”, ka thënë Gojani.
Buza ka treguar se kjo ide ka lindur bashkërisht, teksa kanë parë se në 12 vjet të pasluftës në Kosovë minat kanë marrë 114 jetë të qytetarëve dhe nga to kanë mbetur të lënduar 449 të tjerë. Megjithatë “RoboDet” ende nuk është i denjë për të dal në terren.

“Nëse duhet të përdoret nga trupat që bëjnë çminimin e fushave në Kosovë, i duhet të sofistikohet edhe pak”, ka thënë Buza.
Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Musli Bajraktari, është shprehur krenar që studentët e fakultetit që drejton kanë prodhuar një robot.

“E kanë prodhuar vetë nga pjesa e parë deri te kjo gjendje në të cilin po e shohim. Çdo pjesë e tij pothuajse është nxjerrë nga mbeturinat”, ka thënë Bajraktari. /kd/

Wednesday, June 1, 2011

ÇUDIA/ Të gjitha krimet e Berishës ndodhin… “1 herë në 100 vjet”



Në këto 20 vite nuk kam dëgjuar në asnjë rast që SALI BERISHA të pranoj dhe të jap përgjigje të sinqerta e konkrete pranuese për ndonjë gabim, skandal ose krim që ndodh në pushtetin e tij. “Tradita” e SALIUT është kjo: Ose hesht, ose anashkalon faktin, ose justifikohet me “pakujdesi të procesit”, ose mashtron publikisht, ose thotë “nuk di asgjë, sot po e dëgjoj”, ose i konsideron krimet “dukuri natyrore dhe çudira hyjnore, të cilat ndodhin rrallë në këtë botë”.
Por, nëse i referohesh fakteve e autorëve të këtyre ngjarjeve, “çuditërisht” të gjitha ndodhin vetëm në pushtetin dhe politikën e SALI BERISHËS! Këto ditë, kam shfletuar disa shënime për ngjarje kryesore që kanë ndodhur në Shqipëri dhe kam konstatuar këtë çudi: Të gjitha krimet e pushtetit dhe politikës “SALI”,na është thënë se “nuk janë përgjegjësi e pushtetit, por janë fenomene, dukuri e rastësi që ndodhin përherë vetëm nga 1 herë në 100 vjet”. Po flasim konkretisht, sipas deklarimeve të bëra prej SALI BERISHËS dhe “përforcuesve” të tij politikanë e ministra.

Firmat piramidale: “Ndodhin 1 herë në 100 vjet”

SALI BERISHA: Kjo që ndodhi në Shqipëri me firmat piramidale është një katastrofë kombëtare në aspektin financiar të familjeve të shqiptarëve dhe në aspektin shoqëror konsiderohet humbje e koshiencës qytetare si komb. Kjo u ka ndodhur dhe kombeve të tjerë, por siç e dimë nga të dhënat që kemi, kjo është një dukuri, që ndodh 1 herë në 100 vjet. Edhe vetë lulëzimi i firmave piramidale nuk është proces qeverisës, por është një ç’ekuilibrim i pa vullnetshëm, që çdo shteti i ndodh 1 herë në 100 vjet.


TRITAN SHEHU: Kjo katastrofë që ndodhi ndaj vendit e mes shqiptarësh, nuk ishte thjesht një dramë kombëtare, por një dukuri shoqërore me zanafillë tek historia e formimit njerëzor e cila ka vërtetuar se vetë-shpërthime të tilla kundër vetes ndodhin 1 herë në 100 e 200 vjet në të gjithë popujt e vendeve në zhvillim.

RITVAN BODE: Kjo ishte një çmenduri popullore. Nuk ishte çështje humbjeje e lekëve të shqiptarëve në piramidat, por një humbje e kontrollit të logjikës qytetare, e daljes jashtë arsyes, fenomen ky që ndodh rrallë, me probabilitet të këtyre rasteve me shfaqje 1 herë, në 100 vjet.
GENC POLLO: Me sa e njoh unë historinë e popujve të 100 viteve të fundit, ky zemërim popullor me pasojë shkatërrimin e vetvetes, nuk cilësohet reagim logjik i komunitetit, por dukuri shoqërore që ndodh 1 herë në 100 vjet. Për këtë arsye, shqiptarët nuk mund të bënin përjashtim nga kjo dukuri njerëzore.

JOZEFINA TOPALLI: Puna e piramidave rentiere ka ndodhur edhe në Maqedoni, Bulgari, Rumani, Itali e deri në SHBA. Ndodhi edhe tek ne, por një gjë duhet mbajt parasysh e duhet ta dinë shqiptarët: Nuk ishte punë qeverie, por një fenomen njerëzor që ndodh 1 herë në 100 vjet.


Shpërthimi i Gërdecit: “Ndodh 1 herë, në 100 vjet”

SALI BERISHA: Ju them sinqerisht, që unë nuk dija gjë fare për Gërdecin nëse ekzistonte ose jo si qendër demontimi municionesh. Por sa e mësova ngjarjen, u konsultova me ekspertët më të mirë të qeverisë time e ata të vendeve fqinje dhe ata më thanë se është një moment teknik i paparashikueshëm, që ndodh 1 herë në 100 vjet. Sipas të dhënave, kjo ka ndodhur dhe në disa vende të tjera me teknikë e ushtri të avancuar, por që ciklin e rastësisë për t’u përsëritur e ka 1 herë, në çdo 100 vjet.

FATMIR MEDIU: Gjeneralët ushtarakë të NATO dhe ekspertët e fushës së demontimeve me të cilët kam kontaktuar, konfirmojnë se shpërthime të tilla të municioneve vijnë prej krijimit të temperaturës konservuese të trupave të lëndëve municion. Këto kanë ndodhur dhe në bazat demontuese e bazat stërvitore ushtarake të botës, por janë raste që përsëriten vetëm 1 herë, në 100 vjet.

JOZEFINA TOPALLI: Askush nuk e dëshironte të ndodhte kjo tragjedi, por sipas ekspertëve të municioneve, kjo nuk ndalej sepse nuk parashikohej. Jo vetëm qeveria e Sali Berishës, por edhe qeveria e çdo vendi tjetër më modern, dorëzohet përpara fenomeneve të tilla, pothuajse apokaliptike, që ndodhin 1 herë në 100 vjet e që nuk dihet se kur dhe ku ndodhin. Këtë nuk e them as unë, as Sali Berisha, as Fatmir Mediu e asnjeri prej deputetëve të mazhorancës, por e konfirmojnë studiuesit dhe ekspertët e fushës së demontimeve.

ARBEN IMAMI: Kjo që ndodhi në Gërdec, nuk është vepër e qeverisë Berisha, as e Ministrit të Mbrojtjes, zotit Mediu, por është vetëm një gabim njerëzor që nuk është çudi të përsëritet prapë pas 100 vjetësh, sepse historia ka treguar, që edhe pushka mbushet vetë 1 herë në 100 vjet. Kështu edhe shpërthimi i municionit në Gërdec.


Vrasja e Trebickës: “Rasti ndodh 1 herë, në 100 vjet”

SALI BERISHA: Me sa kam dëgjuar dhe me sa jam njohur këto ditë nga ekspertët, për raste të tilla aksidentesh, një spostim i tillë i trupit të viktimës me afro 100 metër nga makina, ka lidhje me forcën shtytëse që i ka dhënë trupit mjeti gjatë rrotullimeve. Sipas ekspertëve të fushës, kjo cilësohet si fenomen tepër i rrallë në historinë e aksidenteve rrugore, mbasi ndodh pothuajse 1 herë në 100 vjet.

JOZEFINA TOPALLI: Ky është aksident si gjithë aksidentet e tjerë rrugorë, por që ka si veçanti faktin, se ka një dukuri e cila nuk ndeshet shpesh në aksidentet e zakonshëm që ndodhin. Distanca e spostimit të trupit të viktimës aq larg mjetit me të cilin udhëtonte, nuk përbën shkas për dyshime për krim, mbasi sipas specialistëve dhe ekspertëve, kjo ka ndodhur dhe në vende e raste të tjera të botës, pavarësisht se ndodh shumë rrallë, për të mos thënë se aksidente të tillë të çuditshëm ndodhin 1 herë, në 100 vjet.

BUJAR NISHANI: Ekspertët po merren me këqyrjen e aksidentit në fjalë. Por sipas kontakteve të para me ekspertët e linjës, rezulton se kjo është një mospërputhje e rrallë mes trupit të viktimës dhe vendit të ndodhjes së mjetit të aksidentit. Janë raste të rralla, por historia e aksidenteve në botë, tregon dhe konfirmon se këto ndodhin vetëm 1 herë, në 100 vjet.


Përmbytja e Parë e Shkodrës: “Hëna, kishte pozicionin e saj 100 vjeçar”

SALI BERISHA: Përmbytja e Shkodrës nuk ka lidhje me ato që thotë opozita për hapje digash e mungesë investimesh në lumin Drin dhe Bunë. Por ju garantoj, se e gjithë kjo tragjedi është natyrore dhe ka lidhje vetëm me Hënën. Sipas studimeve, ditën që uji vërshoi dhe përmbyti Shkodrën, rezultoi se Hëna kishte pozicionin agresiv ndaj lumenjve, pra kishte ciklin e saj hënor 100 vjeçar. Pozicioni i Hënës ishte i tillë, që provokon shpërthime ujërash përmbytje ujore katastrofike. Sipas kalendarit hënor, kjo ndodh 1 herë në 100 vjet.

JOZEFINA TOPALLI: Përmbytjen e Shkodrës nuk e bëri qeveria e Sali Berishës, por një dukuri natyrore që ka lidhje me pozicionin dhe veprimin eklipsor të hënës. Siç thonë specialistët dhe faktet nga historia e njerëzore e përmbytjeve, Hëna gjendet në pozicion të disfavorshëm me tokën, vetëm 1 herë në 100 vjet dhe ky pozicion nxit vërshime lumenjsh, që krijojnë përmbytjet.


Përmbytja e dytë e Shkodrës: “Kjo ka ndodhur edhe 100 vjet më parë”

SALI BERISHA: Nuk është mungesë e kujdesit të qeverisë time, për të frenuar e disiplinuar lumenjtë e digat e hidrocentraleve, se atë e kemi bërë me kujdesin më të madh. Ky është një fenomen natyror i pa parashikueshëm. Një banor i vjetër i Shkodrës, më dërgoi sot një mesazh, ku më thoshte: “Zoti kryeministër, nuk na përmbyti qeveria juaj, por fenomeni natyror, sepse Shkodra është përmbytur edhe në vitin 1913”. Pra, kjo është punë e Zotit, ne jemi të detyruar të nënshtrohemi përballë fuqisë dhe vullnetit të tij.

JOZEFINA TOPALLI: Çdo familje shkodrane, ka në kujtesë historinë marrëdhënieve të qytetit më Bunën e Drinin. Digat e hidrocentraleve nuk kanë asnjë lidhje me këtë situatë, sepse ato janë menaxhuar me kujdes dhe eficencë. Ky qytet është përmbytur edhe 100 vite më parë nga lumenjtë. Fotografitë dhe rrëfimet e shkodranëve, flasin se kjo përmbytje ndodh vetëm 1 herë, në 100 vjet.


21 Janari: “Rikoshetat plumb-trung peme, ndodhin 1 herë në 100 vjet”

SALI BERISHA: Ekspertët po bëjnë punën e tyre. Nga informacionet e para të laboratorit të ekspertimit të predhave të gjetura në trupat e viktimave, rezulton se ata janë vrarë pasi plumbat kanë bërë rikoshetë në trungjet e pemëve përballë të cilave ata qëndronin. Unë nuk jam ekspert që të them se si ndodh kjo rikoshetë, por specialistët më kanë konfirmuar me prova shkencore e historike se rikosheta e plumbit nuk ndodh vetëm në gurë, beton e metal, por 1 herë në 100 vjet ndodh edhe në trungjet e pemëve.

JOZEFINA TOPALLI: Analizat balistike të armëve dhe ekspertiza e plumbave tregon se viktimat janë shkaktuar nga vrasjet nëpërmjet rikoshetës së plumbave. Pasi kanë dalë nga armët, plumbat kanë ndeshur në trungjet e pemëve përballë Kryeministrisë e Kryesisë së Kuvendit dhe kanë përfunduar në trupat e viktimave. Kjo nuk është shpikja jonë. Sipas fakteve historike të kriminalistikës botërore dhe sipas mendimit të specialistëve, kjo ndodh 1 herë në 100 vjet.

LULËZIM BASHA: E gjitha është shkaktuar jo nga shënjestrat e policëve të Gardës së Republikës e të policisë së shtetit, por nga rikoshetat e plumbave me pemët, të cilët janë rikthyer e kanë goditur viktimat. Kjo ka ndodhur dhe në raste të tjera në botë. Sipas ekspertëve, një rikoshetë e tillë specifike ndodh 1 herë në 100 vjet.


Rezultati me 10 vota diferencë: “Ndodh 1 herë, në 100 vjet”

SALI BERISHA: Ky rezultat i ngushtë në garën elektorale mes dy kandidatëve, mund të quhet çudi, por ja që është fakt dhe ne jemi të detyruar ta pranojmë edhe po të ishte fitore për rivalin. Në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Studiuesit dhe ekspertët thonë, se kjo ndodh rrallë, pra vetëm 1 herë në 100 vjet.

JOZEFINA TOPALLI: Kjo fitore e zotit Basha me rezultat kaq të ngushtë në 250 mijë vota, mund të quhet rast historik. Pas interesimit tim për këtë rast unikal konkurrence zgjedhore, mësova se një fenomen i tillë ka ndodhur dhe në vende te tjera, por mundësia është, që kjo dukuri të ndodh vetëm 1 herë, në 100 vjet.

Nga Kledian Lula, kledianlula@yahoo.com

G. Tema

Monday, May 23, 2011

Më shumë se 100 vajza nga Shqipëria janë martuar në Serbi

Momir Kovaçeviq, përfaqësues i shoqatës “Stara Rashka”, ka theksuar se më shumë se 100 vajza nga Shqipëria katër vitet e fundit janë martuar në Serbi, në Novi Pazar, Sjenicë, Tutin dhe Nova Varosh, transmeton njoftimin e medieve INA.

“Ky aksion mund të vlerësohet si shumë i suksesshëm, pasi kemi të bëjmë me martesa të lumtura, është parandaluar vdekja e shumë fshatrave” ka thënë Kovaçeviq, i cili shton se vajzat nga Shqipëria nuk hezitojnë të martohen me djemtë e kësaj ane.

Me djelmoshat e pamartuar në vendet fshatare të këtyre vendeve martohen kryesisht vajza që vijnë nga veriu i Shqipërisë, kryesisht nga rrethi i Shkodrës.

Sanxhaku është rajoni në jugperëndim të vendit, në kufi me Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi dhe Kosovën, me popullsi prej 420 mijë banorësh, dhe që dominohet nga shumica boshnjake dhe pikërisht sepse nuk janë serbë kanë katandisur ndër zonat më të varfra dhe më të prapambetura ekonomikisht të Serbisë.

Monday, May 16, 2011

Vidhet faqja Stop Injorancës

Më datë 13.05.2011 kanë vjedhur fjalëkalimin e profilit Ndal Paditurisë, i cili ishte edhe drejtuesi që krijoi dhe administronte faqen Stop Injorancës në facebook, e cila në prag të 2-vjetorit nga krijimi i saj (18.05.2009) sapo kishte kaluar 50 mijë anëtarë të rregjistruar, prej të cilëve mbi 30 mijë ishin çdo ditë aktivë.

Ndërkohë që jemi ende duke punuar për të rikthyer atë faqe tek i zoti i saj, me anë të ndihmës së anëtarëve, por edhe sipas kallëzimit penal që kemi bërë, i lutemi anëtarëve të rregjistrohen paraprakisht tek faqja jonë e re http://www.facebook.com/NdalPaditurise2 derisa të marrim një vendim përfundimtar.

Ju kërkojmë ndjesë për këtë amulli dhe ju sigurojmë që do ta vazhdojmë edhe më fort nismën tonë. Të vjedhësh punën, mundin, identitetin e dikujt tjetër, nuk është veçse një krim moral, por edhe ligjor dhe hajduti që zotëron ende atë faqe, duke e bastarduar nivelin e saj me mënyrën e paskrupullt siç shkruan, duhet të dijë shumë mirë që herët a vonë do të zbulohet dhe do të marrë dënimin e merituar.

Pistat e arsyes të sulmit janë të ndryshme dhe lidhen pashmangërisht me çështje bindjesh politiko-fetare.


Faleminderit për mbështetjen, të gjithë anëtarëve tanë të nderuar! Me respekt: Stafi i Stop Injorancës!
 http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Wednesday, May 11, 2011

Reja



Unë jam reja,
pikturoj qiellin,
mjegulloj hënën
e maskoj diellin.


Vërtitem mbi ju

atje lart
pluhurin tuaj


mbi vete mbart


shpirtrat e lirë përqafoj
...dëshmitare në paranojë.




Në ngjyrë të purpurt valëvitem,
në pafundësi formash venitem,
nënë të ngrohtin e të ftohtin baba
motër rrufenë e rrebeshin vëlla.


Konturet e tua të brishta njom
e aromën në ajër të ndjell
e trishtë, e vetme s'je kurrë
kur lotët e mia në faqe të sjell.


Më urre, më duaj
më krijo, më shuaj
m'u afro e mos u druaj
bashkë me mua luaj.

Edhe pse s'mund të më prekësh
nuk jam e huaj.....

Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Thursday, May 5, 2011

Perëndia im, nuk perëndon...

E kujtoj si sot muzgun e asaj pasdite, kur vështroja përmes xhamit të dritares shokët e mi, të luanin plot gaz e gumëzhima në lulishten poshtë palltatit.
T'u luta të bashkohesha me ta, por këpucët e vogla i kisha lidhur pisk, siç dhe i kisha hequr prej këmbëve dhe nuk po mundja ti vishja.
Do të dalësh vetëm nëse i zgidh, por mos u vono, sepse po u err nuk ke më ku të dalësh - më the.
Nxitoja ti zgidhja e jashtë errësira dukej sikur nxitonte më tepër se unë. Po djersija nga marazi, që lidhëset e këpucës ngatërroheshin edhe më keq e nuk pranonin ti dorëzoheshin doçkave të pasprovuara. Isha gati të qaja, kur ti more këpucët e mia duke i zgidhur ato lidhëse "të mallkuara" me një lëvizje vetëtimthi të dorës dhe me tjerën më godite të pasmet duke më thënë : "Shko tani e luaj me shokët".

Ka kaluar shumë kohë, afro një çerek shekulli prej kësaj dite dhe yt bir tashmë është bërë burrë, e fiton vetë jetesën, larg teje, i gatshëm për të qenë dhe vetë baba, e përpara teje ende ndjehem ai fëmija i vogël dhe i pafuqishëm.

Gjithmonë, e akoma më shumë sot, kam e kam patur nevojë për përkrahje.
Kam nevojë të më mbështesësh, të më udhëzosh ende në rrugën e drejtë, të më qortosh kur gaboj dhe të më japësh kurajo kur dorëzohem.
Kam nevojë të më hapësh shtigje të reja, të më ndezësh dritën kur befas ndodhem i humbur në errësirë. Kam nevojë të më godasësh tek shpatullat kur pëpiqem, kam nevojë për atë fjalën tënde të mirë.

Në këtë botë prerjesh drejtëzash të padrejta, kam nevojë ende për ty babai im.
U linda dhe u rrita me baba, ky nuk është faji im, por sot po të shoh ty, të dorëzuar para jetës. Rrudhat të kanë mbuluar fytyrën, ato pak flokë që nga mbetur nga kaçurrelat e tua tashmë pothuajse janë zbardhur. Nuk lexon dot më pa syze, ushqimin nuk e shijon më me dhëmbët e tua. Lëvizjet të bëhen gjithmonë e më të ngadalta dhe gjumi yt, gjithmonë dhe më i shkurtër.
Dhe sikur të mos mjaftonte as mplakja e parakohshme e qindra mijërave betejave të guximshme që ke përballuar, presioni i lartë i gjakut, shkaktuar nga qindra shqetësime që ende mban mbi supe, ta goditi fort zemrën bujare dhe një pjesë të trurit, duke e vdekur përfundimisht atë.

Zemrën tënde nuk mundi të ta mposhtë dot ai tension i lartë, por zemrën time e theri aq fort, sa ndjeva botën të më shkërmoqej para syve. Djersë të ftohta më mbuluan.

Si mund të ishte goditur kështjella ime, si mund të rrëzohej im atë?
Përse kaq fuqishëm e papritur ky tërmet?



Nuk e di si e mbajta veten kur neurologu me një ftohtësi vrasësi profesionist fliste rreth babait tim, se truri i ishte atrofizuar nga stresi, se gjysma e trupit mund ti paralizohej dhe kjo ishte vetëm një minë me sahat e pa ç'montueshme, për të cilën duhej të përgatisnim veten nga çasti në çast, të dëgjonim shpërthimin.
Ndoshta ishte shpresa e pavetëdijshme se kjo ishte gjithçka një gabim. Kurrë një njeri i maturuar nuk mund të flasë për dhimbjen e dikujt tjetër në rolin e një mospërfillsi gaztor. Ndoshta ishte pafuqia ime, ndoshta ishte ideja se po ai doktor mund të ishte shpëtimi im, e gjithsesi ia doli mbanë të dalë i pashpërfytyruar nga ajo bisedë vrastare, madje duke marrë edhe paratë që kërkoi.

Nuk isha më unë.
Mes meje dhe botës u kris arsyeja, u zhubros jeta.
Si i marrë i dhashë makinës të të gjendesha me një frymë, sa më parë tek ti. Sapo më pe tek dera e reanimacionit, buzëqeshe forcërisht, por nuk munde të fshihje dot atë shikimin e trembur e të trishtë, atë shikimin e atyre syve që më kanë shpjeguar shkëlqimin, që më shumë se kurrë ishin fshehur përmes fytyrës tënde të bërë zjarr. U orvate të çoheshe në këmbë, me tubat e serumit varur nëpër krahë.

Ti kishe nevojë të më gënjeje, unë akoma më shumë të të besoja, por zëri yt kishte humbur atë kumtimin krenar, dora forcën për atë shtrëngimin unik at-bir.
Unë, borxhliu i përjetshëm, larg teje, një skllav metropoli, që puna për të fituar bukën e gojës e ka burgosur dhe nuk më lejon të të jem pranë, ti lidh e zgidh këpucët, babait tim....

Ti ishe, je dhe do të jesh gjithmonë.
PERENDIA IM, NUK PERENDON...!

Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Tuesday, May 3, 2011

Bukuroshes së bukuroshes sime!

Po te presim...

Dukesh e lumtur!
Ti si një peshk në botën magjike ujore, bën kollotumba në barkun e nënës tënde. Kur të flas e të pyes nëse të pëlqen emri që do të të vemë, ti shkelmon me këmbë apo duartroket me duar , sikur do të më thuash: "Babi, mos u tall me mua..."

Numërojmë ditët e orët që kanë mbetur, orë e çast. Jemi lidhur aq shumë pas teje, saqë çdo bisedë përfundon gjithmonë tek ti. Të kemi ruajtur edhe testin e shtatëzanisë, çdo fotografi ekoje dhe kemi filmuar çdo seancë gjinekologjike, ku duket sikur me doçka na përshëndet. Nuk kisha parë kurrë kaq nëna shtatëzëna e fëmijë në karroca më parë. Gjithçka në televizor e radio duket sikur flet vetëm për fëmijët.

Nuk e përfytyrojmë dot si do të jesh. Cilit do ti marrësh buzët, e cilit syrin.
Të duam pa e ditur si do të jesh, si do të bëhesh. Ti je kurorëzim i dashurisë sonë dhe duhet të na besosh që je ngjizur në një prej netëve më të pasionante që kemi kaluar.

Nëna jote nuk ndërmerr më udhëtime të gjata. Në hidhërime nuk ka shkuar e në gëzime shumë pak ka kërcyer. Në banjë e nëpër shkallë, kalon gjithmonë me kujdes. Gjithë dyqanet e Tiranës kemi kërkuar për qershi në dimër dhe akoma sillemi rrotull për gjithçka nënës tënde i shkon ndërmend.
Ajo nuk po pi më as kafe në ato pasditet tona të përkushtimit ndaj njëri-tjetrit dhe as një cigare për qejf nuk po e ndez. As darkave gotën e verës, që ka ndezur shpeshherë netët tona, nuk po e troket. Pasditeve bën apelin e të gjitha familjeve të pallatit, çfarë ka gatuar njëra e çfarë ka gatuar tjetra.


Ndoshta shumë netë do të na lësh pa gjumë, ndoshta shumë herë zemrën sa majtas-djathtas do të na e rrotullosh, por ajo e qara jote do të jetë sigurisht tingulli më i ëmbël në këtë botë.
Një tingull i ri, fryt i dashurisë sonë.
Je ti në qendër dhe ne të dy që të rrotullohemi si satelitë.

Eh...! Sa do të donte babai yt që të të priste me gjithë të mirat e botës! Të të rregullonte një krevat princesash, në një shtëpi plot diell...

Por ja që jeta është kaq e padrejtë, kaq e vështirë dhe kjo bota jashtë e egër, bukuroshja ime e pafajshme. Aq e egër sa dhe pjesa më e madhe e prindërve nuk mbushen plot gëzim, kur sjellin në jetë vajza, në botën djallëzore të profetëve-meshkuj.

Nuk do të të edukoj për një botë ideale e të përfundosh thjeshtë një viktimë e njerëzve të pakulturuar, ashtu si u edukuam dhe e pësuam ne. Jo, asnjëherë. Ti do të jesh tmerri i hipokritëve, pseudomoralistëve e gjithçkaje të pështirë mban kjo botë gri. ngjyra ime...

Jemi zotuar të bëjmë çmos që edhe ti të rritesh si gjithë fëmijët e tjerë. Nuk e dimë sa të aftë do jemi, por do jemi bashkë të tre.

Ne si të marrosur po të presim, ti vetëm hajde shëndoshë e mirë.
Shkroi : Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Wednesday, April 27, 2011

Dhe ylli i ri i Gjermanisë është një… shqiptar

Ardian Bujupi, 18 vjeçari nga Kosova, pritet të shpallet fitues në spektaklin e njohur “Gjermania kërkon një yll”.
Ardian Bujupi Das Erstellen von Bildergalerien ist verboten! Verwendung der Bilder für Online-Medien ausschließlich mit folgender Verlinkung: "Alle Infos zu "Deutschland sucht den Superstar" im Special bei RTL.de: www.rtl.de/cms/unterhaltung/superstar.html
Edhe pse gara finale është më 7 maj, gazeta Bild thotë se shanset për të fituar i ka Bujupi, kosovari simpatik.
Nga gara në garë, ai po rritet ndjeshëm dhe shanset janë që të fitojë në fund pasi ka fituar shumë pikë sidomos mes grave të moshuara.

Historia e Bujupit gjithashtu ka prekur shumë gjermanët.
Ardiani thotë se fëmijëria e tij ka qenë shumë e vështirë. Ai bashkë me nënën duhej të arratisej nga Kosova. Ardiani jetonte në Prishtinë në kohën kur Kosova ishte pjesë e Serbisë. Babai i tij ishte drejtues në universitet dhe ishte këshilluar nga një afërm të arratisej pasi ishte në listën e zezë të shërbimeve sekrete serbe. Babai i arratis dhe Ardiani, që në atë kohë ishte 1 vjeç, dhe nëna shtatzënë mbetën pas.

Vetëm pas lindjes, ata u arratisën nga Kosova drejt Gjermanisë.

Tema
Duke i uruar suksesi këtij ambasadori të shqiptarisë, ju ftojmë të ndiqni një video të talentit shqiptar : http://www.youtube.com/watch?v=1jkfwqOPaE0

A kemi fuqi ta refuzojmë të keqen?

“Nëse harrojmë gabimet e së shkuarës, jemi të dënuar t’i përsërisim ato”, ka thënë George Santayana.
Apo mund ta kenë thënë të tjerë përpara tij?Ndoshta.
Në fakt, është një nga ato fraza, të cilën nuk ka mundësi t’mos e ketë thënë dikush tjetër përpara. Historia e njerëzimit ka lindur tok me gabimin e me harresën, e prandaj gjithëherën duhet të ketë qenë dikush që mund të ketë thënë përpara dikujt, se “kush harron një gabim të bërë, do ta përsërisë se s’bën atë”. Madje, është një frazë, që do duhej të thuhej më së pari nga ndonjë banor i vendit të shqipeve. Në çdo kohë. Sidomos sot. Dhe me këtë kam dalë aty ku doja.

Viti 2011. Anno domini. Shqipëria qeveriset nga Sali Berisha.
Kush është ky?
Mos është ai që në vitin 1992 erdhi në pushtet me premtimin për demokraci, e që më pas nuk lejoi opozitën të dilte të manifestonte në sheshe, burgosi udhëheqësin e opozitës, ndërtoi një shtet, institucionet e të cilit, që të gjitha, i kontrollonte ai vetë, përndoqi gazetarët, vodhi votat, lejoi dhe inkurajoi krijimin e piramidave financiare, i bëri karshillëk zemërimit popullor prej humbjes së kursimeve në këto piramida, hapi depot e armëve dhe rrëzoi shtetin për të krijuar konfuzionin e madh, mes të cilit mund të humbte gjurmët e krimeve të kryera e mund të mbrohej prej protestave? Mos është ai që, tok me karriken e pushtetit, la pas dhe nja 2-3 mijë të vrarë në konfuzionin që mbolli? Po, mor po, ai është. Shqiptarëve iu deshën tetë vjet për të harruar se kush ishte, e për ta risjellë në pushtet. Me Votë. Sic!

Pasi ritentoi pa sukses për tetë vjet me radhë (1997-2005), në stilin e tij të njohur e të frikshëm (me këtë stil ua bënte të lehtë shqiptarëve harraqë që të mos e harronin se kush ish), të rimerrte pushtetin e humbur, ai i dha karar të merrte një tabletë a një porcion nga ilaçi i Stevenson-it, dhe fap, u shndërrua, për një copë herë, nga i frikshëm në babaxhan e shpirt njeriu, dmth nga Mr. Hyde në Dr. Jekyll. Por le t’u ikim paraleleve me personazhe fiction. E le të hyjmë drejt e në temë.
Më kujtohet, se atëmot (2005) ishte dikush që, teksa dëgjonte ca të tjerë që thoshin, se “Sali Berisha është ai që është, nuk ndryshon kurrë, por nuk duhet ta kemi frikë, pasi tani kemi institucionet në rolin e gardianëve”, doli e tha: “ju po na thoni që bisha është bishë, por nuk ka pse të shqetësohemi, pasi kemi kafazin e institucioneve”?
Ky dikush (F.Ç) sot i lëpin bythën Berishës.
Si është e mundur? Ka harruar ç’ka thënë? Ka harruar se kush është “bisha”?
Jo, jo, s’është soji i atyre që harrojnë. Përkundrazi, është nga një soj tjetër, ndoshta më i madhi në tribunë e shqiptarëve, nga soji i atyre që për ideal kanë të mos kenë ideal. Dhe nuk është vetëm ky. Një e nga një kaluan pothuaj të gjithë në kampin e Sali Berishës. Dhe këtu nuk e kam fjalën për njerëz si Lulzim Basha e të tjerë që dolën nga hiçi, e të cilët, sidoqë të shkojnë gjërat, e kanë të hazërtë në çdo kohë justifikimin: “po unë s’dija gjë; unë thjesht zbatoja urdhërat”.
E kam fjalën për të tjerë që ca gjëra i dinë mirë, ja, si puna e F.Ç-së.
Cilët janë këta?
Janë shumë. Të zë frika kur mendon sa shumë janë. Doni t’ju them ca? Po ja, A.I, G.R, G.P, B.F, A.F, F.Xh, A.Zh, A.H, N.C, N.L, e deri tek këta të ditëve të fundit, si Y.M, K.Ç, etj. Nuk është se më dalin nga mendja të tjerë, që sot janë me opozitën; dhe as që më shkon në mendje t’i përligj në kërcimet e tyre sa andej, këtej; por të jesh në opozitë është kokëçarje e telash, ndërsa këtu po flas për atë pjesë të intelligentsia-s, që nuk po lë gjë pa bërë në mbështetje të regjimit që, si të gjitha regjimet, ka në dorë të ofrojë mbrojtje, komfort, status, pushtet, ndikim, favore, pará, prona. Kanë arritur deri atje sa kanë nënshkruar peticione (në stilin e peticioneve të kolektivave punonjëse në kapërcyell të vitit 1990) në mbështetje të regjimit, që po e mbrojtka rendin publik e kushtetues nga opozita. Së fundi kanë ngritur grupe e skuadra elektorale në mbështetje të kandidatit të tyre për kreun e bashkisë së Tiranës.

Kam “zbuluar” një gjë që i dallon të gjithë këta: Sa më shumë Berisha e trash zullumin, aq më shumë këta i falin mbështetje. Këta janë sot me Berishën më të vendosur se sa kanë qënë në vitin 2005. E kanë motivuar qysh në krye të herës këtë sjellje me faktin, që në krahun tjetër na qënka Edi Rama. “Ai është më i keq se Berisha”, kanë recituar e recitojnë, ngaqë u hyn në punë, një patologji të vjetër të F.L-së, si të ishte arsyetimi më i sofistikuar e më solid mbi faqe të dheut.
-Ndodhi ploja e Gërdecit (mbetën të vdekur gati 30 vetë) për shkak të një afere korruptive, në qendër të së cilës ishte djali i Sali Berishës (të gjithë e dinë që është kështu), por edhe pas kësaj ata vijuan të thonë, se “dakord, Berisha është i korruptuar, por Rama është më keq”.
-Pamë të gjithë në programin Fiks Fare, se si Ilir Meta, zëvendësi i Berishës, fliste për tangjente të marra e të dhëna, por reagimi i të këtillëve ishte po ai: “dakord, korrupsioni s’ka qënë kurrë në këto nivele, por Rama është më keq”.
-Ndodhi 21 janari, u vranë katër vetë krejt të pafajshëm, të paarmatosur, të parrezikshëm, por në vend të tronditeshin e të ngrinin zërin në kupë të qiellit, ata zunë të thoshin: “ka faj ai që i vrau, por ka faj dhe ai që i çoi përpara kryeministrisë (!!!); rrjedhimisht, Berisha është vrasës, por Rama është më keq”.
-Erdhi post-21 janari, dhe dëgjuam të na hidhen në surrat çmendurira të padëgjuara, si “protestuesit janë vrarë nga vetë protestuesit, se këta të fundit kanë bërë stërvitje diku afër Tiranës për të përmbysur me dhunë një pushtet të ardhur me votë, etj, etj”, por prapë nuk doli asnjë të thosh: unë nuk dua të jem pjesë e këtij zhgani.

Kudo e kurdo që një regjim vret, dalin dy a tre nga brenda regjimit, dy a tre më pak cipëtrashë se sa të tjerët, dy a tre që kanë, megjithatë, një minimum dinjiteti e ndërgjegjeje, e thonë stop, deri këtu jo, jo, jo.  
Para dy a tri ditësh edhe në Siri dolën dy deputetë e një klerik, dhe thanë se jemi kundër regjimit të Bashar al-Assad-it, që po vret njerëz të pafajshëm, ndërsa në Tiranë nuk doli qoftë dhe një nga kampi i maxhorancës të thosh: qysh nga ky moment unë jam në opozitë me këtë pushtet.
Përkundrazi, doli njëri syresh, ministër (A.I), që iu tha deputetëve të opozitës, se “ju jeni të gjithë Ziverë” (!!!).


Ndërsa të tjerët vijuan t’i bien të njëjtit avaz: dakord, por Rama është më keq.






Ou, po si qënka kjo punë kështu? Sa i keq na qënka ky Rama?
Po le të na thonë, se çfarë tjetër duhet të bëjë Berisha, që ata vetë të mos e kenë mendjen tek përbindëshi Rama? Mos duhet që Berisha të përdhunojë nja tridhjetë vajza të shkollave tetëvjeçare të Kamzës? Apo duhet të nxjerrë snajperat majë kryeministrisë me detyrën për të vrarë të gjitha kalimtarët atypari në një ditë të zakonshme? Apo duhet të vërë cluster bombs në tubimet elektorale të opozitës, e ta pranojë më pas, se “i vuri ai”? Apo duhet të lidhë një marrëveshje të re mbi regjimin ndërkufitar me Greqinë, me anë të së cilës kufirin greko-shqiptar ta vendosë në Tomorricë të Skraparit? Apo duhet të marrë Fazlliçin e ta bëjë anëtar të Këshillit të Ministrave të Republikës sonë? Apo duhet t’i thotë kryeprokurores “lavire bulevardi”? Apo duhet të dalë e të thotë se “protestuesit më 21 janar kishin ardhur të armatosur me thika me helm e me stilolapsa pistoletë”?
Ah, më falni, më duket se këto të fundit i ka thënë.

Epo çfarë dreqin duhet të bëjë? Le të na e thonë. Ta dimë.
E dini çfarë?
Unë po pres të humbë Edi Rama. Mezi po pres. Jo vetëm po pres, por edhe po lutem.

Ta marrë Berisha dhe Tiranën, ta marrë dhe Durrësin, dhe Elbasanin, dhe inshallah Korçën, Gjirokastrën, Lushnjën, Fierin, deri dhe Vlorën, e kështu të qërojmë hesapet me Edi Ramën, ta qërojmë nga politika, pa dhembje fare ta qërojmë. Dhe kështu këta nuk do kenë më alibi?
Hm, puna është se gjithmonë do ta kenë një alibi. Sepse ata në të vërtetë nuk kanë asgjë kundër Ramës. Puna është se ata janë me pushtetin. Do jenë dhe me Ramën nesër (kuptohet, nëse lutja ime shkon për lesh, dhe Rama vjen në pushtet). Do t’i trokasin në derë, dhe Rama ka për t’ua hapur katërkanatash. Me ta do t’i bëjë punët. Dhe zullumet. Por jo krimet, e vrasjet, e çmendurirat e markës Berisha. Apo ju do më thoni, se kush futet në rrugën e zullumeve, do të kalojë se s’bën nga stacioni i krimeve? Edhe mundet, edhe mundet. Por ç’del nga kjo? Që jemi mirë me këtë regjim që vret, e prêt? Qofshi ju që jeni! Pa Edi Ramën. Me Sali Berishën. Sa të jetë jeta. Amen!

Po tallem?
Jo, asnjë çikë. E di që është cinizëm i pashoq, por do t’i gëzohesha një fitoreje të Berishës në këto zgjedhje, bash si ata që e votojnë atë. Ndoshta ngaqë pres një konfermë të fundit të faktit, se në këtë vend të gjitha të këqijat ndodhin ngaqë duam ne të ndodhin. Ose ndoshta, ngaqë dua që Berisha t’i marrë praktikisht të gjitha njësitë e pushtetit e institucionet e shtetit, dua që ai të marrë mot dhe postin e kryeprokurores, dhe atë të presidentit, dhe atë të kreut të shërbimeve sekrete, dua që ai ta blejë dhe News 24-ën, dhe Top-channel-in, dhe Shekullin, dhe Vizion Plus-in, dua që të bëhen tok me intellighentsia-n që është vënë në mbështetje të tij edhe ca që kanë rezistuar deri më sot, në mënyrë që…. në mënyrë që çfarë? Në mënyrë që të merret vesh se hesapet i kemi me një regjim. Apo kush e ka marrë e ka marrë, kush s’e ka marrë s’mund ta marrë? Nuk e di. Ndoshta mund ta di pas 8 majit.
Mustafa Nano

Urrej të majtën!

Urrej të majtën sepse çdo ditë e më shumë dëshmon pafuqinë e vet përballë të djathtës fashiste. Urrej të majtën që ka shndërruar 21 janarin në shifrën kalendarike të një kohe të largët, në histori që nuk na përket dhe që nuk mund të na shkaktojë më shumë se një ndjesi melankonike, në shoqërinë e një gote konjaku dekadent.Urrej të majtën që bëri të dukej Gërdeci një histori në një dimension tjetër, në një botë paralele me botën tonë gazmore, paçka dridhjeve jo natyrale tokës që tronditën këmbët e tiranasve pellazgë.
Urrej të majtën e deklaratave për shtyp, e deklaratave-dëshmi të aftësive recituese, profesionalisht të trajnuar të deputetit apo aspirantit të rradhës, që nuk e trembin fare të djathtën abuzive në pushtet. Urrej të majtën që përzgjedh fjalët për të qenë në rregull me çdo raport pa ngjyrë ndërkombëtarësh të ushqyer mirë. Urrej të majtën që mendon në anglisht përballë problemeve që dalin përpara përditë si barrikada njerëzore. Urrej elegancën e tyre, sjelljen politikisht korrekte, kohën e harxhuar me bon ton.
 Urrej të majtën që garon me të djathtën për të fituar biznesmenët, në një vend ku biznesmenët po bëjnë ligjin, duke e destinuar në letër me vlerë të ndonjë kohe ende të paardhur.
Urrej marrëveshjet e të majtës që kultivojnë impotencën. Urrej kohën që shpërdoron në rolin e viktimës përballë vëzhguesve të huaj, duke i vënë një kryq sipër forcës së madhe që ka brenda vetes.
Urrej të majtën që e ka lënë Shqipërinë pa asnjë peshë politike, të populluar nga individë që reagojnë si në mpirje kolektive. “U vetëvra djali i protestuesit të vrarë në 21 janar”. “Po po, e lexova tek Ballkanëeb”. “Berisha gënjeu për dëmshpërblimet e Gërdecit”. “Po po, e pashë tek TCh”. “Presidenti qenkësh puçist”. “Po po, e di”. “Meta po vidhte bashkë me Priftin”. “Po po, e pashë”.
Individë indiferentë që ekzistencën e tyre e përjetojnë përmes dëshmive mediatike. Indiferencë që në të vërtetë ulërin, se e majta në Shqipëri po hesht. Se e majta e deklaratave për shtyp nuk është dhe nuk flet për njerëzit. Se 80% e deklaratave thashethemnajë, nuk mund të mjaftojnë për të përfaqësuar popullin e majtë të shtetit më të varfër në Europë, shtetin më pak të përgatitur për të nesërmen, por që prej 20 vjetësh përjeton dejavu-në e një të sotmeje të errët e të pa shpresë. Shtetin që nuk lexon më. Shtetin që prodhon ekskluzivisht ekonomiksa dhe juridiksa më stampën e analfabetit.
Urrej të majtën që përkujdeset për të dalë bukur në foto plazhi, pavarësisht se muskujt glutealë ende nuk përbëjnë vlerë prioritare në Bathore, Patos, apo te 21-shi.
Urrej të majtën që nuk di të jetë opozitë, të majtën e tërhequr në pritje, me qetësinë e kujt ka luksin të presë. Urrej të majtën e 10 deputetëve më të pasur në Parlament, të PS-istëve me kohë shtesë. “Çfarë të bëjmë Ando, duhen lekë për të mbajtur Partinë” është refreni shkrefës për kë akoma beson se diçka do të ndryshojë, ndërkohë që biznesmenët luajnë me intuitë për të zgjedhur kahet. Sepse biznesmenët kanë gjithmonë kohë.
Urrej të majtën që për t’u zgjedhur, ka zgjedhur t’u bashkangjitet zgjidhjeve të djathta në një sfond qesharak që çdo ditë rrokulliset në kufijtë e tragjikes.
Urrej të majtën që ushqen besimin se ende ka garë mendimi mes dy partive.
Urrej të majtën që ka relativizuar fjalën aq sa asgjë që thuhet nuk ka më peshë. Urrej të majtën që kurrë nuk i qëndroi fjalës së dhënë. Të majtën që u përqëndrua për të arritur një imazh sa më qesharak të vetes. Të majtën që doli nga greva e urisë sepse ashtu iu tek Brukselit. Që në darkën me mëlçi pate hodhi në erë 20 ditët pa ushqim. Të majtën që 22 janar doli për të tradhëtuar atë për të cilën luftoi në 21 janar. Të majtën që braktisi viktimat në maskaradën e kriminelëve të djathtë. Të asaj të djathte që sot po del me program në dorë. Të djathtës që ndërkohë që vjedh në ditën me diell, premton të heqë 60 nga 85 taksa vendore.
Urrej të majtën që ende ngulmon t’i ngjajë të djathtës në logorencë, të majtën që na destinon në çoroditje, pa forcën e fjalës, që na mbyll në vetvete si autistë të pashpresë.
Të majtën që nuk më jep arsye për ta votuar dhe që më bën të dua të jem patetik.


  • Andi Kananaj