Tuesday, August 14, 2012

Rikthehet shoku Sillo

Duke u kthyer nga plazhi dhe në të hyrë të rrugicës së shtëpisë, papritur më del përballë një polic me motorr.
Shtanga! Asnjëherë nuk ka patur patrullë policie këtu.
Për më tepër sapo kisha hequr rripin e sigurimit. Polici më hodhi një vështrim të gjatë, por nuk më ndaloi.
Diku më tutje në hyrje, përballem me një fugon policie, nga këta të grupit të gatshëm. Rruga mund të na nxinte të dyja automjetet, por shoferi i automjetit të policisë zgjodhi të hyntë në mes, duke më detyruar të kthehem edhe njëherë pas.
E pashë shoferin vëngër, kur në atë çast ndjej shikimin e egër të disa gorillave që shtrëngonin dhëmbët. U gëlltita.
Sapo hyj tek sheshi i pallatit, vërej një miting policësh, me nga të gjithë llojet e automjeteve e strukturave të tyre.
Policë me kallashë, policë me maska, si dhe policë pa uniforma që vinin vërdallë si bletë. Ngre kokën lart dhe shoh që edhe në tarracën e pallatit kishte lëvizje. S'po kuptoja ç'po ndodhte...
Banorët e pallatit shikonin nga dritaret dhe fëmijët kishin ndërprerë lojën e tyre duke zgurdulluar sytë.

Direkt më shkoi në mendje që para një muaji këtu rrahën keqazi një polic dhe bëra lidhjen se me siguri e paskan vrarë fare dhe kështu që i kanë ardhur kolegët në varrim.

Kurioziteti më shtyu të pyesja kalamajtë poshtë pallatit.
Ç'ka ndodhur? - i pyes.
E ke parasysh atë hundëgjatin - m'u përgjigj me pyetje më i shkathti prej tyre dhe unë që instiktivisht ia kthej "Po".
E pra, ai ka ardhur për vizitë,- ma ktheu djaloshi.

Në të qindëtat e sekondës ia bëra lidhjen.
Kuptova arsyen se pse dje u shtrua rruga me çakëll poshtë pallatit. Kuptova pse tabelat "Mos hidhni mbeturina o plehra" ishin mbuluar me fletë të bardha A4. Kuptova se pse ai tubacioni i ujit të pijshëm që derdhej në rrugë prej më shumë se një viti, ishte mbyllur. Kuptova pse Policia Bashkiake nuk kishte lejuar parkimin e makinave të qytetarëve.

Kuptova që nuk kishte ardhur shoku Sillo për gjyeti derrash, sepse derrat i kishte të gjithë me vete.
Por ajo më e rëndësishmja që kuptova, ishte fakti që na kishte ardhur për vizitë, vetë kryederri!

Shkroi: Stop Injorancës

Nuk ka aq dashuri e mirësi në botë sa të na lejohet ta shpenzojmë drejt qenieve imagjinare

"Nuk ka aq dashuri e mirësi në botë sa të na lejohet ta shpenzojmë drejt qenieve imagjinare." - Freiderih Niçe

Shikoni se ç'ndodh gjatë Festivalit të përvitshëm "Yadnya Kasada" në Ishullin Java të Indonezisë, ku besimtarët e Zotave (edhe pse në mjerim të tejskajshëm ekonomik) hedhin dhuratat për Zotin e tyre, në kraterin e një vullkani. Ky festival daton prej shek. të XV-të

Aq në mjerim jetojnë këta njerëz, sa aty brenda në krater qindra njerëz të tjerë qëndrojnë në gadishmëri për të vjedhur ushqimin e Zotave.

Po sikur këta dhurata e ushqime njerëzit ti ndanin mes tyre?
Stop Injorancës

Burimi: http://www.dailymail.co.uk/news/article-2183923/Yadnya-Kasada-festival-Indonesians-clamber-volcano-catch-chickens-vegetables-fruit-money.html

Së paku atë!

Nuk po ndjeja asgjë,
pastaj ndjeva diçka:
thithkat e mia.
I lashë ato të shkruanin për mua.

Urrej të shkruaj,
por më pëlqen të kem shkruar.
Urrej meshkujt,
që guxojnë të ekzistojnë jashtë meje.

Së paku, mund ti zhvesh ata,
deri në deshpirtëzim!
Varri im, qoftë paqja ime!
Le të zhvishemi sa jemi gjallë!

Nuk kisha kurrë mjaftueshëm,
pastaj u mjaftova me diçka:
Pamjaftueshmëria është njësi
dhe etalon i përkohshmërisë sime.

Sakrilegji i vërtetë
jam unë dhe liria ime.
Kur shpirti është i lirë,
shënjestër bëhet trupi!

Së paku, mund te zhvishem.

Nuk mundesha t'a ngrohja zemrën
në cep të gjuhës,
pastaj ngroha diçka
dhe thitha shpirtin jashtë teje,
...me ngadhënjim!

Së paku atë!

Lamia Crusade

Propagandë amerikane apo fakt? Olimpiada Londër 2012

Pamje nga stërvitja e sportistëve kinezë për Olimpiadën, apo propagandë amerikane e shtyrë prej xhelozisë?! (S.I)

Deklarimet e zbutura të vjedhjeve, për 2011-ën!



Duke lexuar këto ditë mbi deklarimet e pasurive për vitin 2011-të, të politikanëve, deputetëve dhe administratës shtetërore në Shqipëri, ajo që të tmerron mbi të gjitha është fakti se edhe pse natyrshëm deklarimet janë mirë e mirë të krasitura, përsëri shifrat mbeten marramendëse për popullin e thjeshtë që i ka zgjedhur këta individë për ti përfaqës
uar interesatdhe jo për të mbushur xhepat e veta, duke zhvatur me babëzi të mirat e përbashkëta.

Të gjithë aktorët janë me disa llogari bankare. Të gjithë nuk e prekin fare rrogën e tyre dhe në fund fare rroga iu llogaritet si fitim neto.
Mirë kjo, por edhe dietat për udhëtime, që kanë një kuptim simbolik, jo vetëm që nuk konsumohen, por mblidhen si fitime.
Blerje pronash e trojesh anembanë Shqipërisë, ndërtime pallatesh e biznesesh, apartamente dhe godina të dhëna me qera. Bashkëshortë që fitojnë nëpërmjet biznesit të tyre, më tepër sesa partneri i tyre i punësuar në hierkinë më të lartë shtetërore.

Ama ajo që nuk gëlltitej fare, ishte fakti se pothuajse të gjithë të sipërpërmendurit kishin marrë dhurata materiale dhe në kesh, prej të afërmve apo të njohurëve të tyre.

Shkroi: Stop Injorancës

Unë në fakt inatin e kam me të afërmit e mi, që e dini shumë mirë që jam copë-copë, por përsëri kjo nuk i ndalon të më kërkojnë edhe para borxh...

Edhe muzika në politikë...

Interesante!
Kur "gjuhë-kulluari" Sokol Olldashi kandidoi në zgjedhjet vendore të 2007-ës për postin e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Ermal Mamaqi këndoi këngën, (që e kam aq përzemër) "Ma kthe qytetin tim".
Sot, 5 vjet më vonë, apo 1 vit pasi Bashkia Tiranë ra në duart e Lulzim Bashës, Mamaqi këndon: "Ku ka si Tirona".
Ajo që e bën edhe më të ndërlikuar këtë debat, pa ndonjë interes të veçantë, është se D. Flori kompozoi :
http://www.youtube.com/watch?v=YmoBffn_QRI

A ndryshoi realisht kaq shumë Tirana, në 365 ditët në drejtimin e Z. Basha?

Shkroi: Stop Injorancës

Pse gjithë kjo urrejtje mes komentuesve shqipfolës në virtualitet?

Sikur të shiheshim me vetvehten
sy më sy,
do të putheshim
apo kishim për t'u pështy?!


Këto janë vargjet e Azem Shkrelit, të cilave nuk po gjejmë dot guximin t'iu përgjigjemi.
Na mjafton vetëm të hapim një gazetë shqiptare online, një material në ndonjë forum shqiptar, një video shqip në Youtube, një faqe shqiptare në ndonjë prej rrjeteve sociale dhe përpara teje do të shfaqet një lumë i rrëmbyer që transporton vrullshëm një fjalor banal rruge, me sharje, ofendime, akuza, kërcënime, mallkime që kalojnë edhe kufijtë e imagjinatës.
E gjitha kjo, zakonisht, në një shqipe të shkruar keq, nga njerëz pa identitet apo me identitet të rremë, që kanë gjithë kohën dhe forcën e duhur për të shkarkuar pa mëshirë të gjithë arsenalin e energjisë së tyre negative.

Ndonjëherë edhe kur lajmi ose tema që diskutohet ka të bëjë me diçka krejt të pafajshme, ose kur ka të bëjë me një lajm që nuk le vend qoftë për 2 mendime të ndryshme, aty do të krijohen sigurisht kampe që shfryjnë papushim të gjithë urrejtjen e tyre ndaj njëri-tjetrit.

Të duket sikur tashmë edhe mira dhe e keqja, e drejta dhe e gabuara, virtyti apo vesi janë përzjerë aq shumë mes tyre, saqë është e pamundur ti dallosh.
Përgjithsimet bëhen argumenta, shpifjet kthehen fakte, përbaltja modë.

Komente në shqip dhe prej emrash shqiptarë, që shfryjnë vrer ndaj Shqipërisë e gjithçkaje shqiptare, vepra, art, kulturë, histori, figura të shquara, simbole kombëtare etj, etj.
Aq të pranishme janë këto komente "tradhëtarësh", saqë ndonjëherë madje të shkon mendja se shtetet tona fqinje punësojnë njerëzit e tyre të komentojnë dhe ndysin rrjetet sociale shqiptare.
Fetarë që të kërcënojnë me vdekje, gangsterrë që të lënë vendin e takimit, perversë që rrëmojnë në jetën tënde, maniakë që të sulmojnë e klonojnë profilet e gjithçka tjetër e zezë çfarë mund të pjellë urrejtja, padija, miopia...

Komunikimi nënkuptonte që do të shuante dyshimet tona, do të na bënte të njiheshim më mirë, do kanalizonim dëshirat dhe qëllimet tona... Hë për hë, urrejtja ka fituar.
Nuk ka asnjë iniciativë qytetarë që të krijohet e formohet prej rrjeteve sociale shqiptare. Ka iniciativa dhe ide të shkëlqyera, të cilat përbuzen, përbalten, përçmohen.

Kur del dhe hedh një shikim në realitet, vështirë të të shkojë mendja se e ndan jetën tënde me mendje kaq të çoroditura e busull-humbur. Eshtë e frikshme të mendosh se ky është realisht realiteti shqiptar, niveli yn social-kulturor.

A mendoni se ka ardhur koha që ashtu siç ka disa ligje e rregullruajtës në realitet, ka ardhur koha të vendosen edhe në këtë realitetin virtual shqiptar?

Kalojmë një pjesë të mirë të kohës nëpër rrjetet sociale dhe nuk kemi pse infektohemi të gjithë nga kjo urrejtje që vjen panjohur, nga të gjitha drejtimet.

Shkroi: Stop Injorancës !

Urë për kafshët

Në foto do të dalloni një autostradë dhe një tunel, që ka çarë një kodër të lehtë e të gjelbëruar.

Në fillim të bën përshtypje fakti se si kur kanë ndërtuar gjithë atë autostradë nuk e kanë sheshur atë kodër të ulët, kur rrugën sipër saj nuk e kanë shfrytëzuar për një segment tjetër automobilistik.
Por ajo është një kodër artificiale.
Një kodër e ndërtuar enkas si rrugë kalimi për kafshët e egra, të cilat në pamundësi të kalojnë rrugët që i presin tej për tej territoret e tyre, aksidentohet e për pasojë ngordhin, duke rrezikuar kështu ekosistemin e tyre.

Në Shqipëri rrallë mund të ndodhë që të dalin prej pyjeve e të të ndërpresin rrugët kafshët e egra (duke qenë se janë transferuar të gjitha në politikë), por edhe vrasjet aksidentale të të ashtëquajturave kafshë rrugaçe nëpër rrugët e Shqipërisë, janë një makabritet që duhet të ndalë.

Veç faktit se ngordhja e një kafshe përbën fillimisht krim ndaj faunës shqiptare, këto aksidente nuk janë të rrezikshme vetëm për 4 këmbshat.
Shkroi: Stop Injorancës

Dua Nënën!



Të gjithë qeshin dhe gëzojnë
të gjithë lozin dhe lodrojnë
ndërsa mua më përzënë
"Ik" - më thonë se ti s'ke nënë.

Dua nënën dua nënën
dua edhe unë një nënë
nënën time s'e mbaj mend,
nuk e di ku ka zënë vend.

Dhe pa duar le të isha,
sytë e bukur të mos i kisha
dhe pa këmbë të kisha qënë
veç të kisha unë një nënë.

Dhe tek varri kur ti shkoj
një tufë lule do t'i çoj,
do ti them ngrihu moj nënë,
më shiko se sa jam bërë.

Dua nënën dua nënën
dua edhe unë një nënë
nënën time s'e mbaj mend,
nuk e di ku ka zënë vend.

Kush është autori i këtyre vargjeve?
http://www.youtube.com/watch?v=AvBjzmDfw4c

Stacioni


Nuk e di në ju ka qëlluar të shikoni një palë sy shumë ndryshe, të vendosur në një fytyrë çuditërisht të njohur, të  një njeriu krejtësisht të panjohur!
Një fytyrë që ndoshta e ke vizatur vetë në imagjinatën tënde, ose e ke parë në një jetë tjetër diku. Ose më thjeshtë akoma,  mund të jetë një përputhje perfekte e asaj çfarë shqisat e tua kanë përllogaritur si etalon dhe ia paraqesin këtë trurit, tashmë si komandë dhe kështu krijohet një si fushë magnetike e pa rezistueshme.
Dhe nuk mund ta përshkruash si më të bukurën fytyrë,  megjithëse përgjithësisht kështu e përshkruajmë, gabimisht. Eshtë një farë diçkaje që e kërkonit pa ditur se ju mungonte, por kur e gjeni  nuk keni as më të voglin dyshim që është pikërisht ajo ... Ajo cfarë? As kësaj pyetje nuk e besoj ti jepni përgjigje.
Ishte Qershori i vitit 1986..
Kapëm, disi pa humor, trenin në Sukth, një qytezë afër Durrësit,  pasi arsyeja e këtij udhëtimi ishte një dështim më vete. Unë dhe një shoku im po ecnim përgjatë vagonit të parë pa e ditur përse-në, pasi ai ishte pothuajse bosh dhe mund të uleshim ku të donim.  Jo shumë veprime kanë arsyetim dhe një nga këta, ishte edhe ky. Shoku  im po vazhdonte përpara dhe unë disi në distancë, më prapa, sapo u futa në vagonin e tretë, në fund të tij, pashë pikërisht atë që përshkrova pak më lart. Ata sy, atë buzëqeshje, atë që nuk e di se ç'është dhe nuk mundem  e as që dua ta di. Di vetëm që doja ti ndjeja pranë ata sy. Doja ti ti shikoja nga shumë afër, ti shijoja. Dhe s'mund të them se kishte ndonjë përkufizim të caktuar ajo fjala “shijim”. Ndoshta të përzjerë me ngrohtësinë e frymëmarrjes, apo me aromën e trupit.  Ose thjeshtë për të matur thellësine e tyre, teksa më vështronin…
Nuk pata mëdyshje, asnjë mëdyshje e  çuditërisht as emocione. Isha shumë i qartë sa kurrë më, sidomos sidomos kur bëhet fjalë për një femër.  Ato 7-8 metrat e fundit deri afër saj, patëm një shkëmbim shikimesh, te cilin se përcaktoj dot sa zgjati, por ishte i mjaftueshëm për të më thënë që e njihja mire, kisha një jetë që e njihja. E kisha humbur diku në këtë apo atë botë dhe ja ku e gjeta . Po më priste në atë fund vagoni në shoqërine e një grupi prej 12 vetash. Se di përse në ato çaste m’u krijua ideja, që edhe po të shkoja e ta puthja direct atë femër të panjohur, me ata sy dhe atë veshtrim shumë të njohur, pa shkëmbyer asnjëfjalë, apo përshëndetje, ky do të ishte veprimi i duhur, ose ai që pritej e duhej të ndodhte. Ai  veprim që ajo kishte kohë që e priste. Megjithatë nuk ishte ky veprimi që bera, por ishte pikërisht mbështetja në anen tjetër të derës së fundit të vagonit, nga ku qëndronte ajo edhe njerëzit me të.
Pra, siç e thamë, ishte viti 1986 dhe komunikimi me një vajzë kërkonte etiketën dhe mënyrën e duhur. Kërkonte hapësiren e duhur , që s'ishte e lehtë të kapërcehej si pasojë e shumë e shumë pengesave. Ndër to, së pari morali, i cili kishte një përkufizim të papërkufizueshëm. Ishte njëfarë përgjegjësie ndjenje apo pozicioni ndaj shoqërisë, familjes. Së dyti, mentaliteti i trashëguar. Së treti  edhe paragjykimi i njerëzve kur shikonin një vajzë të fliste me një teë panjohur. Veç kësaj edhe ai grup aq i huaj për mua, ishte një tjetër barrier dhe besoj se të gjithë e dini se ç’po them.
Pa një pa dy u bëra pjesëtar i bisedës së grupit, pa m’u kujtuar as se si  e se qysh dhe s’kishte rëndësi  ky detajsepse asgjë në fakt s'kishte rëndësi, përveç se shkurtimit të distancës së stërgjatë nga njeri krah i derës në krahun tjetër..Mes nesh ishin të paktën 4-vetë të vendosur në mënyrën më të papërshtatshme për afrimin tim drejt saj, ose të pasjes së asaj linje të lirë, ku mund të hasesha natyrshëm me vështrimin e saj. Doja ta kapërceja atë distancë, sa më shpejt . Nuk kisha kohë dhe nuk doja ti jepja kohë aspak . Nxitoja! Gjithçka ishte e elektrizuar; unë, ambjenti  ndoshta edhe vetë treni apo hapësira që ai përshkruante me atë shpejtesi.
Biseda shumë shpejt mbyllej me të qeshura dhe siç arrita të kuptoj, kisha ndikuar edhe unë aty. Këtë e vura re, pasi për pak kohë isha si në qendër  të vëmendjes, gjë që më pengonte më shume sesa më ndihmonte.
Emri i saj ishte Mirela.
Dhe pasi e dëgjova ti therrisnin kështu, mendova që ishte emri i përshtatshëm. Ishte ai që unë kisha në mend për të. Ç'po flas?! Më mirë të themi, unë s'kisha as edhe një emër në mendje për të në fakt, por kisha një lloj vije melodike, një diçka që duhet të rridhte këndshëm dhe të bashkëngjitej në fund me zërin dhe figurën e saj..Dhe për mua kjo u arrit, pa asnjë stonim.
Supet tona më në fund u bashkuan nga tronditja e trenit. Një përplasje e butë e ëmbë! Jo jo, aspak e ëmbël, therëse, torturuese, elektrizuese, sa më pengonte të merrja frymëlirisht dhe një lloj dridhje tek gjunjët u bë shqetësuese dhe filloi të më shpërndahej pa një pa dy tek të gjitha gjymtyrët. Në fund më kapi edhe nofullat, kordën e zërit..S'kishte si bëhej më keq!
Tani bisedat dhe të qeshurat nuk po mundesha më ti deshifroja. Kishin marrë formën e një murmëritje, të përzierë me mjaullitje,  të cilat besoj ishin ato të cilat pak kohë përpara, quheshin të qeshura!
Po kërkoja të mblidhja veten, të merrja frymë thellë dhe të qetësoja si fillim frymëmarrjen. Këtë më thoshte një pjesë e mendjes dhe s’jam i sigurt se cila pjesë, pasi tjetra ishte e fokusuar tek supi. Ajo pjesa tjetër e asaj, që do ta quaja mendim, po llogarsite kohëzgjatjen e takimit të supeve gjatë tronditjes së trenit dhe ishte aq e preokupuar në këtë ekuacion tronditje-prekje, sa nuk kishte forcë të bënte ushtrimin më elementar, atë të frymëmarrjes së rregullt. Ushtrim ky që daton që në fëmijërinë e hershme, si tek çdo qënie besoj.
Esht ë shumë i çuditshëm njeriu, lexon, mëson, edukohet, por kurrë asnjëra nga këto nuk mund të na shpjegojë ose drejtojë në gjërat më të rëndësishme të jetës. Të gjitha këto në fakt janë një garniturë e nevojshme, por jo më thelbësorja.
Nuk e di nëse ju ka qëlluar rasti të përjetoni formulën tronditje-prekje, në tren, autobus apo ku e di unë se ku. Nëse jo , mund t’iu them që më vjen keq, por nuk mund t'iu them ta provoni, sepse nuk është me të thënë, është me moment… Eshtë një lloj përllogaritje e kohës së prekjes pas një tronditje. Eshtënjë përllogaritje matematikore që mund ta bësh edhe pa pasur idenë se ç’është matematika dhe numrat.
Siç e dime, çdo tronditje na jep një lloj lëkundjeje dhe kjo lëkundje ka një distancë dhe kohë të caktuar që të risjell në pozicionin fillestar. Pra, duket  thjesht distancë-kohëzgjatje. Kjo është e tëra…
Por në fakt është më shumëse kaq, shumë më shumë.
Tani takap-tukap-i i trenit mbi shina kishte marrë një tjetër emër, quhej ritëm, ose më saktë një sfond muzikor në atë lojë nervash, emocionesh, kalkulimesh fëminore, sa të pavlera në një kohë dhe vend tjetër.
Isha mëse i përqëndruar pikërisht në atë kohëzgjatje-prekjesh dhe kur mendon që ishte vetëm një prekje supi dhe asgjë më shumë, të duket idiotizem qoftë edhe ideja e përshkrimit të tij. Por jo në atë çast. Nuk kaloi shumë kohë dhe supi i saj e rriti ndjeshëm prekjen me supin tim, po gjithashtu dhe kohë-qëndrimin pas tronditjes. Pra diçka kishte humbur në ritmin e tronditjes së trenit dhe ishte krijuar një ritëm tjetër, ritmi ynë.
Nëse s’do të ishim në këmbë të mbështetur pas një anë të derës, do të medoja që po dremiste, ose ose mendja e saj kishte humbur diku, shumë larg atij nga treni. Dhe pikërisht këtë doja të dija, kishte humbur diku, apo kishte nevojë si edhe unë për atë prekje? Kishte edhe ajo atë ndjenjë të çmendur që kap njeriun që do të penetrojë brenda lëkurës së tjetrit, ose më saktë, brenda tjetrit, diku në shpirt.
Për  të vërtetuar këtë, fillova të largohem nga pak dhe s'di të them me milimetra apo centimetra, por rezultati gjithmonë ishte nëfavorin tim, ose tonin, në mund ta quaj kështu.
Më kapi një ide e çmendur dhe doja ta puthja. Aty në atë çast, por ngeli vetëm ide.
Treni tashmë kishte ndaluar dhe ne respektuam gati çdo njeri, duke i lejuar atyre të zbrisnin para nesh, perveç dy shoqeve të saj, që tashmë e panë të arsyeshme që duhet edhe ti fusnin krahun Mirelës, pavarësisht se nuk ishte i përshtatshëm as vendi dhe as hapësira..
Më përshëndetën dhe u larguan.
E gjitha që munda të bëja në ato momente ishte ti urreja ato shoqet e saj, një nga një dhe së bashku. Këtë mendova dhe fillova të qeshja me vete.
Jashtë në platformë po më priste shoku im, natyrisht i mërzitur ngaqë unë e lashë vetëm, apo nga ajo rrugë e gjatë, e lodhshme dhe shumë e pa vlerë, për të natyrisht!
I thashë shkurt se më duhej të ikja diku dhe ishte hera e parë që "diku-ja" s'kishte shpjegime të hollësishme dhe as kërkës për shoqërim. U shtang natyrisht dhe pamja e dëshpëruar e pak momenteve më parë mori pamjen e habitur dhe 100-pyetjeve që i erdhën në mend në atë moment nuk i dhashëmundësinë të merrnin as më të voglën përgjigje.
Ajo tashmë ishte larguar dhe e pashë tek po dilte nga dalja e stacionit të trenit, e rrethuar, në fakt  e arrestuar do të ishte fjala e saktë, nga dy shoqet e saj. M’u desh të përshpejtoja hapat deri nëvrapim, nga frika se do ta humbja.
Ku po shkoja? Përse?
Tek sa e shikoja nga distanca duke qeshur dhe ecur me një ritëm prej të vonuare dhe duke mos kthyer kokën më as majtas, as djathtas, më dha idenë që gjithë ç’ kisha përjetuar në atë udhëtim, ishte një nga ato shakatë që truri bën me njeriun ndonjëherë për ti gjeneruar pak adrenalinë të nevojshme.
Megjithatë isha i vendosur ta ndiqja, qoftë edhe këto mendime që më vinin në mendje ishin shumë më mirë se pa mendime. Të paktën kështu mendoja dhe kështu mendoj.
Pra edhe nëse mendimet janë torturuese, në shume raste janë shumë m ëmire se pa to. Pa ato në fakt, është një humbëtirë dhe çuditem se si ka qenie që preferojnë atë lloj humbëtire duke gjoja kursyer veten nga dhimbjet… Nëse kursehemi nga dhimbjet, në fakt s'kemi bërë gjë tjetër, vetëm se kemi vënë një mur ndaj gëzimeve, shijimit të momenteve, çasteve që lënë gjurmë, qëna bëjnë ne ata që jemi. Tashmë kishim arritur pranë stadiumit "Dinamo", ku ndodheshin disa pallate me tulla të kuqe rreth 4-katëshe dhe natyrish po i vinte fundi edhe shpresave të mia. Ato "shoqet" mund të ishin edhe motrat, apo kushërirat.
Si ti përshkruaj këto lloj "shoqesh"?
Janë ca si pilivesa që "të mbrojne" dhe të duan të "mirën". Por në fakt gjithmonë më kanë dhënë përshtypjen e atyre njerëzve, që nuk kanë një jetë të tyren. Jeta e tyre është jeta e të tjerëve dhe e mbushur me historira dhe ngjarje nga jeta e të tjerëve  dhe nese nuk e dini për ç’po flas, jeni ju ata.
Pallati në të cilën morën kthesën i kishte hyrjet nga përpara dhe kur arrita atje, pasi isha në distancë, nuk munda dot me te merrja vesh se cila nga këto hyrje ishte e saj, apo e tyre.
Pranë ndodhej një kinkaleri dhe në kinkaleri ndosheshin cigaret, aq të dëshirueshme në ato çaste.Teksa po kërkoja për para në xhepat e mi, të mësuar dhe tërregjur me mospatje parash, çuditerisht gjeta një 5-leksh që ishte fshehur për fatin tim të mire, lart mbi xhep. Mund të them pa frikë, që më trembi, sepse kurrë nuk mendoja se mund te isha në ato caste, një pronar legjitim i një 5-lekshi.
Kështu fillova ti lutem shitësit që të mi bënte cigare të hapura, por ai bënte sikur ishte e pamundur që ta bënte dicka të tillë dhe natyrisht m’u desh të luaj lojen e tij, lutju, mundohu ta bësh për të qeshur, komplimentoje..Eh, isha përkulur tashmë dhe po i flisja nga ajo dritare e stërvogël në të cilën shisnin dhe dëgjova zërin e një gruaje nga pas, që tha:
-O djalë, mund të më lëshosh rrugën të mar nëna një paketë, se më duhet të iki në spital?
Në këtë kohë, më  në fund edhe "kështjella" e shitësit ra,  dhe ai më kishte futur në dorë, 5-cigaret "Partizan". E falenderova dhe lëviza, që ti lëroj vendin nënës që kisha në krahë dhe padashje shkela njërin në këmbë..
-Më fal i thashë, duke kthyer kokën.
Ishte ajo.
U shtanga. 5 cigaret "Partizan" tani u rënduan dhe u bënë plumb. Nuk kisha si ti fshihja dhe me to nuk kisha si të fshihja mesazhin e tyre të qartë mbi gjendjen time financiare. Ndjeva që u skuqa në fakt.
E kisha shumë afër dhe përballë. Buzëqeshi pak. Buzëqeshje që se deshifrova dot nëse ishte për mirësjellje, për mëshirë, apo sepse isha skuqur. Një sfidë më kapi që dilte mbi llogjikën dhe i thashë:
-Do më pëlqente të bisedoja me ty dhe se di në është mundësia…
-Nuk është - më tha ajo dhe mori një pamje serioze.
-Atëherë, vazhdova -  shtëpia ime ndodhet (dhe nuk ishte e vështirë t’a pëshkruja. Jetoja në një pallat pranë një shkollë, në hyrjen e parë, në katin e fundit dhe kur hipje, dera majtas)
-Do doja shumë të vije dhe të pres rreth orës 10-të. (Orë, në të cilën isha i sigurt që shtëpia ishte e tëra e imja)Arsyeja që po të lë orë, është sepse do të pres deri në 10:15 dhe pas kësaj e di që është e kotë.
(Që të sqarohemi. Një kërkesë e tillë nuk ishte aspak normale dhe në fakt ishte e parealizueshme sepse në vitin 1986 ishte thjeshtë e parealizushme, sa edhe kërkesa për një Ipad që s’ishte shpikur akoma).
Se di nëse dëgjoi apo bëri sikur nuk e dëgjoj. Ajo bleu diçka dhe u largua pa më përshëndetur. Nuk e ndoqa më me sy, vetëm i kërkova shitësit edhe një shkrepse sa ta ndizja një nga cigaret që kishte marrë pak lagështi, nga djersa e e sikletit tim. Pasi e ndeza vazhdova rrugën për në shtëpi. Isha i kënaqur me veten për sa kisha thënë, për mënyren se si e kisha thënë. K jo sepse për mua ishte nje farë justifikimi i asaj se përse ajo nuk do të vinte dhe njëkohësisht i asaj se përse unë nuk duhet të prisja.
Eshtë i çuditshëm njeriu dhe shpresa!
E keni vënë re që edhe nëse s'keni vënë asnjë numër llotarie, përsëri keni një emocion a shpresë se do ta fitoni ju lotarinë, kur numrat e saj fillojnë e shfaqen në ekran?
Ponçi ka qenë një pije interesante në ate kohë, sepse vinte si i ëmbël dhe të linte një shije paksa moderne në gojë duke i lënë rradhën alkoolit të vinte natyrshëm dhe të të merrte mendjen. Por përsëri mund të them që edhe dehjen e kishte sensual, deri sa nëse e tejkaloje, mund të thoje me tërë kuptimin e fjalës që të përdhunonte. Të krijonte një gjendje që luteshe mos ta kishe takuar në jetë të jetëve.
Hapa shishen dhe nuk e di se si ajo shishe e pa hapur qëndronte në bufenë tonë dhe as sa kohë kishte atje. Hodha në një gotë një sasi të mjaftueshme për të bërë kombinimin estetik ponç-madhësi gote dhe vendosa të tallem pak me vetveten. Filloja ta pija fiks kur akrepat kapnin 10-tën. Pra, për çudinë time unë ndodhesha në shtëpi të nesërmen e asaj dite, për të përjetuar ankthin e pritjes.

Nuk duhet në fakt të qahemi shumë nga ky ankth. E di që është i padurueshem, por mendoj që të gjithë kështu themi, por ama e durojmë me guxim.
Në orën 10:15 fiks, dëgjova hapa në shkallë. S’po u besoja veshëve. Hapat u bënë më të afërta dhe arritën në sheshpushimin tim. Prisja trokitjen e derës dhe ajo erdhi, por jo tek dera ime.
Kafe a diçka u kërkua nga një komshie. Dera m’u duk sikur u mbyll dhe imja ra. Nuk kisha kafe, por edhe sikur të kisha edhe për ta hedhur, nuk do ti jepja as edhe një kokërr. dera ra sërisht edhe më fort. U çova dhe dola me qëllim të tallesha pak, duke qenë se s’po më mbanin më nervat në atë monolog të gjatë.
Hap derën dhe shoh Mirelën…
Nuk e mbaj mend në fola, por di që ajo kaloi para meje, u fut brenda, e drejtova tek dera e dhomës që ishte e hapur dhe vura duart në fytyrë për të mbledhur veten për disa hapa rrjesht. Ndjeva duart e saj rreth meje dhe koka e saj më ata flokë të mëndafshtë qëu mbeshtet tek unë ,po i merrte erë qafes time.
Pastaj..?
Di të them që kishte forma të rrumbullakosora. Vetëm kaq di të them për të. Pjesa tjetër ishte fytyra e saj, syte e saj , frymëmarrja e saj e rënduar me atë gojë të mrekullueshme që doja edhe t’ia puthja edhe t’ia shikoja njëkohësisht. Gjithçka pas kësaj ishin momente të fotografuara në mënyrë perfekte në celuloidin e trurit tim. Djersët që i rridhnin fytyrës, fjokët e djersitur që formonin një korrnizë të pashpjegueshme që smund të ndahej nëse ishin kornzia apo edhe piktura.
Tentativa për tu futur tërësisht tek njëri-tjeri, për t’u bërëtamam një trup, nuk po funksiononte, por kjo nuk do të thoshte aspak që ne po dorëzoheshim. Nuk e di sa kohë kaluam ashtu. Nuk kishim folur, ndoshta asnjë fjalë. Dera trokiti. Pas saj dëgjova zërin e mamasë tek po fliste me tim atë.
U shtanga, se në fakt ata duhet të vinin në shtëpi jo para orës 4. Por ora tregonte 4-20 minuta.
Mirela më kishte ngulur shikimin e saj , dukej e tmerruar dhe mëshikonte sa mua edhe orën dhe dorën e kishte vënë tek goja e saj e rrumbullakosur nga habia.
-Mos u shqetëso, i pëshpërita, një minutë.
Rrugën nga dhoma tek dera e shoqëruan të bërtiturat nga jashtë dhe trokitjet akoma më të rënda të derës, që ishin kthyer tashmë në goditje.
U vesha përgjatë asaj rruge,  hapa derën paksa dhe iu luta me pëshpërimë që të shonin diku, pasi isha duke bërë diçka.
-Cfarë po bën? -tha mamaja me një ton të egërsuar dhe kërkonte të shtynte derën. Une vura gishtin treguez tek buzët si për t’i thënë që të ulte tonin, por që çuditërisht e nxiti për të kundërtën.
-Po të pyes çfarë po bën. Vijmë të lodhur nga puna dhe lëri filmat, por na lër të kalojmë-vazhdoj ajo.
-Ejani pas një apo dy orësh- i thashë unë me një ton tashmë shumë të prerë. (S’e kishin dëgjuar ndoshta kurrë nga dikush dhe më jo nga unë, në shtëpinë e tyre).
Babai më pa dhe i tha mamasë: -Eja të vemi diku, është shumë vapë. Po më pihet një birrë apo dçka dhe po më hahet shumë. S’kam nerva për të pritur për gatim.
Lanë çantat dhe vështrimin kërcënues të mamasë dhe zbritën shkallët.
U mbështeta pas derës dhe mora frymë thellë. Kur shkova në dhomë ajo s'ishte aty dhe dëgjova ujin në banjë të bënte zhurmën e zakonshme që bën, kur dikush lahet.
U shtriva në divan dhe s'po i besoja asgjëje që kishte ndodhur në këtë ditë të çmendur, teksa sytë i kisha mbërthyer tek ngjyra e bukur e ponçit të pa pirë. Dera e banjos u hap dhe unë u ngrita të freskohesha. U takuam në korridorin e errët mes dy ambjenteve. Më hodhi krahët përsëri dhe përsëri mbështetin kokën tek gjoksi im, tashmë i zhveshur. Pastaj ngriti kokën dhe mbështeti faqen e saj në timen dhe se di sa qëndruam ashtu. Më kishte mbërthyer në një farë mase, më kishte pushtuar, ashtu si donte ajo dhe ndjehesha shumë mire. Mund të rrija ashtu për shumë kohë , për gjithë kohën ndoshta. Këtë po mendoja kur ndjeva nxehtësi në faqe dhe më pas në gjoks. Pastaj ndjeva gjoksin e saj dhe frymëmarrjen e ç’rregullt dhe e mora me mend që po qante.
E largova pak nga vetja dhe fillova ta puthja në faqe dhe kudo, kudo , kudo...
-Martohem këtë të dielë, - më tha dhe largohem nga Shqipëria.
Ula duart dhe u mbështeta në murin e korridorit. Dera u hap dhe flokët e saj i mori një puhizë e lehtë që u shkatërrua nga rryma e ajrit. Dera u mbyll dhe hapat u dëgjuan teksa zbrisnin shkallët dhe çuditërisht tingëllonin më të forta, sa më larg shkonin.
Si mundet? Si mundet? Çfarë ishte kjo që ndodhi?
Shëtita për shumë kohë nga stadiumi "Dinamo" edhe paketën m’u bë ves ta bleja atje për shumë kohë , pavarësisht se ishte rreth 30-40 minuta nga shtepia ime.
Londër  1995
Puna me Xhawat,(emri i pronarit - ky me origjinë nga Irani) ishte e rëndë dhe ai paguante shumë shumë pak. Kisha një ide të qartë në kokë, por më duhej vetëm të mesoja se si funksiononte ky mut vendi dhe kjo me qetesonte.
Rruga për në punë ishte shumëe gjatë. Më duhej të ndërroja dy trena për të shkuar atje ku jetoja.
Sapo kishim mbaruar një freksion të njëmakine, na kishte marrë shpirtin duke e hequr, pasi ishte djegur plotësisht dhe pluhuri i zi i ferrotës sësaj m’i kishte nxirë duar e rroba dhe është një lloj pluhuri që të futet në pore dhe nuk është e lehteë t’a largosh. Kështu që vendosa të lahesha kur të mbërrija në banesë.
“Sa do të më duhej ta mësoja këtë dreq anglishteje dhe për sa kohë do të më duhet të punoj për këtë fytyrë të qelbur”.
Këto ishin mendimet që më zaptonin kokën gati gjatë të gjithë kohës dhe pikërisht me këto mendime isha teksa po prisja trenin në platformen e stacionit të "Golders Green".
Treni erdhi pa një pa dy. U futa i kërrusur nga lodhja dhe mërzia dhe doja të gjeja një vend të qetë, ku të filloja të këndoja në formë mërmëritje ndonjë nga këngët e adoleshencës dhe ta mbysja zhurmën e neveritshme të trenit. Teksa po ecja në kërkim të kësaj “qosheje” pashë atë ngritje floku dhe ata flokë.  Nuk ishin nën kornizën e derës së shtëpisë sime, por ishin aty,  ulur në një nga sedilet e 4-vendesheje.
Se di në u nxitova apo e mora me ngadalë, por u ula pikërisht përballë saj.
Jo. S'ishte ajo, por ishte vërtet një femër e bukur. Shumë e bukur. Sa për ti ngjajtur asaj. Se unë doja që ajo të ngjante pak me të.
Më buzëqeshi dhe i buzëqesha. Natyrisht buzëqeshja e saj ishte më e mirë se qëndrimi në një cep dhe këndimi i atyre këngëve të stërkënduara me veten.
Ajo rrinte-rrinte, më shikonte dhe buzëqeshte me një shikim shumë miqësor.  Të jepte përshtypjen e një femre inteligjente dhe sensual, çka e bënte akoma më seski . Nuk dija se ç'ti thoja për t’u futur në bisedë, për  ti  dëgjuar zërin a diçka. Në një farë mase më kishte intriguar si karakter, por përtoja të mendoja, kështu që vetëm e sodisja, natyrisht pa e shqetësuar dhe buzëqeshjet e saj gjithmonë që hasnin vështrimin tim nuk mungonin.
Më në fund erdhi stacioni i saj. Ajo u çua, më buzëqeshi përsëri dhe në këtë çast vendosa ti flas.
-Nëse do, mund të më japësh numrin e telefonit - i thashë dhe mund të pijmë një kafe ndonjë ditë...
-Një herë tjetër - më tha dhe u largua.
Pas saj vinte stacioni im dhe më në fund arrita në banesë. Më kishte lënë një shije të mirë shumë ajo, pasi më kishte risjellë në kujtesë një përjetim emocionues dhe teksa ngjisja shkallët që më çonin tek dhoma ime pyeta veten në do doja ta takoja përsëri Mirelën…
Çuditërisht përgjigja ishte :Jo kurrë më, le të ngelet e bukur, e largët. Hapa derën , ndeza dritën dhe u mbështeta tek lavamani , në pasyrën e tij, në cep, kisha foton e vetme të vajzes...
Kur u hasa me pasqyrën,fillova të qeshja. Qesha me të madhe. Në fakt u shtriva duke qeshur..
Fytyra ime ishte një objekt i zi, tërësisht e zezë dhe vetëm sytë dalloheshin si në një maskë tmerri..!

Shkroi: Amarildo Pregapuca                                                                                                                                                                                                       Redaktoi: Stop Injorancës                                                                                                                                                                                                       
http://www.facebook.com/photo.php?fbid=439951139360970&set=o.220909724602709&type=3