Thursday, October 18, 2012

Shqipëria dhe statusi i vendit kandidat

Pothuajse të gjithë bashkëmoshatarët e mi e kanë patentën për drejtimin e automjetit, përveç disa fqinjëve të mi të cilët kanë nisur tashmë autoshkollën dhe presin që në fund praktikës të japin edhe provimin.
Unë shkova për herë të III-të të rregjistrohem në këtë Autoshkollë profesionale dhe ndryshe nga 2 herët e para, kësaj here më lejuan të rregjistrohem, me kusht që unë të përmirësoj shëndetin tim mendor dhe fizik.

U emocionova. U ndjeva triumfues. Hodha fishekzjarre!
Tani jam në mëdyshje:
a.) Të korruptoj mjekët të më plotësojnë raportet mjekësore sikur jam shëruar (meqenëse edhe autoshkolla duke qenë në krizë ka nevojë për klientë)
b.) Të shërohem prej vetvetes
c.) Apo të justifikohem duke ia ngjitur fajin, për shëndetin tim të keq, ndokujt tjetri.
Shkroi: Stop Injorancës !

Vendoset gurthemeli i Xhamisë së re që do të ndërtohet në Prishtinë

Zyrtarët më të lartë të shtetit, por edhe përfaqësues të feve të ndryshme kanë qenë të pranishëm dhe kanë mbajtur fjalime për ndërtimin e një xhamie.

Në momentin kur Presidentja A. Jahjaga u shpreh se Kosova është shtet laik i ndërtuar mbi parimin qytetar, që i garanton çdo të drejtë secilit individ apo komunitet, si dhe lirinë

fetare, disa persona fishkëllenin dhe kishin ngritur pamflete me mbishkrimin “Jahjaga shau Kuranin”.
Presidentja shtoi se Kosova është shtet multifetar edhe pse në rregjistrimin e fundit të popullsisë Kosova rezultoi me 96% popullsi muslimane.

Thaçi nga ana e tij ka përgëzuar harmoninë fetare, duke përjashtuar këtu dhjetra rastet kur të rinj nga Kosova janë arrestuar për akte terroriste të kryera apo të mbetura në tentativë.

Myftiu Naim Tërnava duke lënë mënjanë rrezikun e rrymave fondamentaliste që edhe xhaminë kërkonin ta ndërtonin ngjitur Institutit të Albanologjisë, ka thënë se ndërtimi i kësaj xhamie ka qenë nevojë e kamotshme, pasi sipas tij, nëpër kohë janë përdhosur, janë shkatërruar, janë tjetërsuar dhe janë rrënuar shumë faltore të lënë amanet nga të parët.

Ndërsa i pari i kryeqytetit, Isa Mustafa ka thënë se puna më e madhe është gjetja e truallit dhe pasi ky monument fetar është dëshmi e kulturës dhe e qëndresës.

Xhamia do të kushtojë vetëm 20 milionë euro dhe pritet të ketë një impakt të menjëhershëm në uljen e papunësisë.

Shkroi: Stop Injorancës !

Fakte gjenetike që hedhin dritë mbi lashtësinë autoktone të popullit shqiptar

Rilindja shqiptare e shekullit të nëntëmbëdhjetë u karakterizua nga një forcim i fuqishëm i ndjenjës së identitetit kombëtar, ndjenjë e cila u mbështet dhe me daljen në dritë asokohe të mjaft të dhënave të reja shkencore të karakterit historik dhe gjuhësor mbi origjinën e kombit shqiptar. Kontribut të veçantë në këtë fushë kanë dhënë studiues të njohur të asaj kohe si Thunmann, Hahn e të tjerë të cilët evidentuan origjinën ilire të popullit shqiptar si dhe origjinalitetin e gjuhës shqipe duke u bazuar në radhë të parë në studimet mbi këtë gjuhë, si dhe në rizbulimin e shkrimeve të historianëve të antikitetit si Polibi apo Ptolemeu.

PowerPoint Presentation
Pas shpalljes së pavarësisë në vitin 1912, studimet e mëtejshme gjuhësore dhe albanologjike të studiuesve shqiptarë dhe të huaj si Shuflaj, Xhuvani, Çabej, Demiraj e të tjerë pasuruan të dhënat shkencore mbi origjinën autoktone të popullit shqiptar, por gjithmonë duke u bazuar në metodat klasike siç janë studimet gjuhësore apo gjetjet arkeologjike. Por origjina indoeuropiane e shumicës së gjuhëve të kontinentit europian e bën deri diku të vështirë identifikimin e qartë të origjinalitetit të një gjuhe të veçantë duke pasur parasysh prejardhjen e largët të përbashkët të tyre. Po kështu, mungesa e dokumentimit të shkruar të gjuhës shqipe para shekullit të pesëmbëdhjetë vështirëson identifikimin e vazhdueshmërisë historike të saj. Me gjithë kontributin historik të rilindësve tanë, si dhe të albanologëve të shquar vendas dhe të huaj, nuk kanë munguar studiues të tjerë, si Georgiev, Russu apo Shramm, të cilët bazuar në argumente të tjera gjuhësore dhe historike kanë hedhur teza mbi një migrim të vonshëm të shqiptarëve në trojet ku ata jetojnë aktualisht. Në këtë kontekst paraqitet nevoja e evidentimit të fakteve dhe metodave të reja shkencore, të cilat do të shërbenin si argumente shtesë për vërtetimin e autoktonisë së popullit shqiptar në trojet e tij.
Studimi i origjinës së idiomave gjuhësore, duke përdorur programe kompjuterike të modeluara sipas metodologjisë të studimeve gjenetike ka bërë të mundur që duke u nisur nga krahasimi i një numri prej të paktën 200 fjalësh bazë nga çdo gjuhë, të mund të përcaktohet pema e diferencimit të gjuhëve indoeuropiane. Ky punim, i botuar nga Atkinson dhe Gray në revistën e njohur shkencore “Nature” në vitin 2003 arriti të evidentojë trungjet e përbashkët dhe degëzimet e veçanta të gjuhëve indoeuropiane dhe e ka përcaktuar gjuhën shqipe si një degë e veçantë në trungun e gjuhëve indoeuropiane, e cila është ndarë nga gjuhët e tjera të paktën 4000 vjet përpara. Studimi vërteton origjinalitetin e gjuhës shqipe, por nuk rrëzon dot përfundimisht tezat e mohuesve të autoktonisë shqiptare që përpiqen të argumentojnë një migrim të vonshëm të shqiptarëve në trojet e tyre duke bartur me vete dhe gjuhën e tyre.
Në këtë aspekt, studimet e fundit imunogjenetike të kryer nga autorë shqiptarë mbi krahasimin e shumëllojshmërisë së gjeneve të sistemit gjenetik HLA midis popullatave shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë, si dhe popullatave të tjera europiane (Sulcebe et al, në: International Journal of Immunogenetics, gusht 2009 dhe qershor 2012) kanë nxjerrë në pah fakte origjinale, të cilat hedhin një dritë të re mbi autoktoninë e popullit shqiptar në trojet e tij.
Sistemi HLA është një sistem gjenesh, të cilat drejtojnë përgjigjen imunitare të organizmit dhe që karakterizohen nga një shumëllojshmëri e madhe brenda species njerëzore në mënyrë të ngjashme me grupet e gjakut, por me një ndryshueshmëri qindra herë më të madhe. Kjo shumëllojshmëri është specifike për çdo popullatë, por njëkohësisht paraqet karakteristika të përbashkëta për rajone gjeografike të veçantë. Të dhënat e mbledhura mbi shumëllojshmërinë e sistemit HLA në popullata të ndryshme janë të shumta, pasi ato kryhen dhe për qëllime studimore në fushën e transplantove, gjë që përbën një avantazh të këtij sistemi në krahasim me sisteme të tjera gjenetike për të cilat të dhënat janë më pak të plota. Ato kanë bërë të mundur që nëpërmjet krahasimit të variabilitetit të shpeshtësive të gjeneve të sistemit HLA në popullata të ndryshme të llogariten dhe distancat gjenetike midis këtyre popullatave. Duke u nisur nga këto distanca është bërë i mundur krijimi i hartave gjenetike për të gjithë kontinentet dhe rajonet gjeografike të përfshira në ta.
Projekti HLA-NET në kuadrin e programit COST të Bashkimit Europian, ku marrin pjesë dhe kërkues nga vendi ynë, ka hartuar së fundmi harta të tilla për të gjitha rajonet e botës dhe në veçanti të Europës. Një karakteristikë e veçantë e këtyre hartave është fakti se distancat gjenetike midis popullatave janë përgjithësisht në përpjesëtim të drejtë me distancat gjeografike. Kjo duket qartë në Europë ku evidentohet një gradient vektorial i distancave gjenetike me drejtim veri-perëndim/juglindje, si dhe një dallim gjenetik i popullatave që kanë migruar nga Azia në Europë në veri të Alpeve nga ato poshtë Alpeve europiane. Del gjithashtu në pah fakti se si rregull, popullatat fqinje kanë afërsi më të madhe gjenetike në krahasim me ato më larg gjeografikisht. Kjo vjen jo vetëm për arsye të përzierjeve gjenetike të zakonshme midis popujve të afërt, kushteve të përbashkëta klimatike dhe epidemiologjike, por dhe të historisë së përbashkët të migrimit dhe të formimit të kombeve fqinje. Këtu diferencohet populli bask i cili është më larg gjenetikisht në krahasim me popujte tjerë fqinj gjë që i dedikohet historisë autoktone shumë të lashtë dhe jo indoeuropiane të tij.
Nga studimi i kryer me gjenet e sistemit HLA në popullatat shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë, të krahasuara këto me popullatat e tjera europiane dhe ballkanike mund të nxirren shkurtimisht disa konkluzione interesante:
Së pari, distanca gjenetike midis dy popullsive shqiptare, asaj në Shqipëri dhe në Kosovë është e papërfillshme, provë kjo e unitetit gjenetik të popullit shqiptar kudo ku ai jeton.
Së dyti, në rajonin ballkanik diferencohen dy grupe popullatash kryesore: një grup i përbërë nga popullatat greke, shqiptare, bullgare dhe maqedonase, si dhe një grup tjetër ku marrin pjesë popullatat serbe, boshnjake dhe kroate. Popullatat që bëjnë pjesë në secilin nga këto dy grupe kryesore kanë një ngjashmëri shumë më të madhe brenda grupit se me çdo popullatë të grupit tjetër. Është interesant fakti se këto ndryshime të konstatuara në gadishullin ballkanik janë më të spikatura në krahasim me rajonet e tjera të Europës Qendrore, Veriore ose Veriperëndimore ku nuk vihen re diferencime të tilla megjithëse këto rajone shtrihen në sipërfaqe më të gjëra se rajoni ballkanik.
Së treti, midis popullatës shqiptare kosovare nga njëra anë dhe popullatës serbe nga ana tjetër, ndryshimet në distancat gjenetike janë të dukshme dhe statistikisht sinjifikative. Kjo shkon në kundërshtim me rregullin e përgjithshëm të lidhjes së ngushtë të distancave gjenetike me ato gjeografike siç vihet re dhe në hartën e Europës Qendrore dhe Juglindore ku tregohen distancat gjenetike të popujve të kësaj zone nga popullata kosovare që është përdorur si pikënisje në llogaritjen e këtyre distancave. Ndërsa pema filogjenetike e popujve të këtij rajoni e llogaritur nga distancat gjenetike midis tyre është hartuar nëpërmjet programit “Neighbor-Joining” në mënyrë të ngjashme kjo me programet kompjuterike të lartpërmendura që studiojnë diferencimin e gjuhëve duke i nisur nga ndryshimet midis fjalëve me të njëjtin kuptim të tyre.
Këto fakte shkencore të bazuara në studime gjenetike të kryera në ADN-në e popullatave aktuale mbështesin tezën e autoktonisë së shqiptarëve të ngritur fort nga të parët tanë rilindës. Lind pyetja legjitime: Mos vallë historia e pellazgëve si një popull i lashtë parahistorik në trevat ballkanike ka një bazë të vërtetë?
Kemi të drejtë të ngremë hipotezën se ndryshimet aktuale gjuhësore, kulturore apo fetare midis popullatave shqiptare, maqedonase dhe bullgare janë thjesht shtresëzime të mëvonshme dhe këto popuj kanë një substrat të lashtë të përbashkët gjenetik iliro-trakas? Ndoshta jo më kot si Maqedonia e Aleksandrit të Madh ashtu dhe Epiri i Pirros janë konsideruar nga të parët tanë si troje të paraardhësve të shqiptarëve të sotëm.
Nga ana tjetër, afërsia gjenetike e popullatave shqiptare me ato greke konfirmon autoktoninë e lashtë të këtyre dy popujve fqinjë në këto troje. Në qoftë se teoritë e “mohuesve të autoktonisë” mbi migrimin e vonshëm të shqiptarëve do të ishin të vërteta atëherë midis popullatave shqiptare dhe atyre greke ndryshimet gjenetike do të ishin të dukshme, ashtu siç ndodh me popullatën serbe.
Është interesant fakti se të dhënat e studiuesve shqiptarë janë konfirmuar së fundmi dhe nga një studim i kryer nga gjenetistë amerikanë ( Ralph dhe Coop, Universiteti i Kalifornisë, korrik 2012). Këta studiues, duke përdorur gjithashtu metoda të biologjisë molekulare (të ndryshme nga sistemi HLA), kanë arritur në konkluzione të ngjashme me studiuesit shqiptarë.
Një impakt direkt dhe praktik i këtyre gjetjeve të reja është dobia e krijimit të regjistrave kombëtarë dhe ndërkombëtarë të dhuruesve të qelizave bazë gjakformuese, (staminale) si dhe të organeve për rajonin ballkanik. Duke pasur parasysh afërsinë gjenetike të popujve që banojnë në këtë rajon, këta regjistra do të ishin shumë te vlefshëm për të vënë në dispozicion të të sëmurëve që kanë nevojë për transplante, dhurues pa lidhje gjaku me ta, por të përshtatshëm nga ana imunogjenetike.
Ndërsa nga këndvështrimi i origjinës gjenetike të popullatave mund të themi pa hezitim se këto fakte të reja shkencore, të bazuara në metodologjitë moderne të biologjisë molekulare, si dhe në përdorimin e programeve të sofistikuara kompjuterikë konfirmojnë tashmë vërtetësinë e “thirrjes së të parëve” tanë rilindës mbi lashtësinë e gjuhës shqipe, si dhe autoktoninë e popullit shqiptar në trojet e tij.

Prof. Genc Sulçebe

Parajsa, plot me flutura dhe engjëj


Eben Alexander u shtrua në spital, për shkak të meningjitit në vitin 2008. Ra në koma dhe kur u zgjua kujton një udhëtim perfekt në një “dimension më të lartë”, të populluar nga engjëj, në një skenar parajse. Mes dyshimeve të shumta, ky udhëtim i shtohet fenomenologjisë komplekse të përvojave të paravdekjes.
Është një histori shumë e veçantë ajo e Eben Alexander, një neurokirurg në Harvard, me një kurrikulum të rëndësishëm akademik.

Një histori që përfundoi në kopertinën e “Newsweek” dhe është marrë edhe nga gazeta të tjera në botë. Me siguri, sepse kjo e përjavshme është në qendër të polemikave prej disa kohësh. Rrëfimi për “javën në parajsë” të neurokirurgut është kalimi nga një jetë e tërë kërkimesh, të dhënash, studimesh, libra dhe ambient akademik, në interpretimin e një realiteti të ndryshëm, gjatë ditëve në gjendjen e komës. Duhet thënë që për këtë ngjarje ka shkruar edhe një libër që po shndërrohet në një bestseller. Aty tregohet monitorimi i vazhdueshëm i gjendjes së tij cerebrale gjatë asaj që ai e përshkruan si një përvojë në një tjetër botë: ajo pas vdekjes. “Near Death Experience”, ku tregohen eksperiencat e paravdekjes, nuk janë ngjarje të rralla. Madje janë me mijëra rastet e personave që çdo vit tregojnë se kanë parë “por jo jetuar”, në një botë të përtejme, larg realitetit tokësor. Janë të gjitha përvoja që kanë të përbashkët të paktën një element, ndjenjën e vazhdueshme të paqes, që zakonisht rezervohet për ata që kalojnë kufirin mes jetës dhe vdekjes. Shumë flasin për një ekstazë të vërtetë. Dhe në pjesën më të madhe, kush është kthyer pas, nuk kishte ndërmend ta bënte dhe rrëfimet konvergojnë të gjithë mbi ndërhyrjen e një force jo të specifikuar, në gjendje për të afruar ndërgjegjen me trupin “e braktisur”.
Flutura dhe muzikë
Në rastin specifik të Alexander-it, 58 vjeç, figura është ajo e një specialisti me një CV shumë të mirë, që gjatë karrierës së tij do ketë dëgjuar me dhjetëra raste të këtij lloji të cilave nuk u kishte besuar asnjëherë. Më pas, kur u sëmur papritur nga meningjiti në vitin 2008 dhe ra në koma në spitalin e Virxhinias, doktori vendosi të tregojë versionin personal. Ndërsa truri i tij nuk kishte “aktivitet” dhe trupi ishte pa ndjenja e nuk u përgjigjej stimujve të jashtëm, Alexander thotë se kishte shkuar në një vend “plot me flutura ku dëgjohej muzikë dhe këngë”. Këtë udhëtim, ai e përshkruan si shumë “të gjallë në një univers koherent”. Alexander tregon për udhëtimin e tij në një vend të ngjashëm me parajsën, në imazhin e saj më të zakonshëm që njerëzit kanë për të, atë të një vendi plot me re, ku u prit nga një grua shumë e bukur me sy bojëqielli, ku perceptimi i parë ishte dashuria e pakushtëzuar nga diçka shpirtërore, duke fluturuar në krahët e një fluture. E gjithë kjo teksa ishte pa ndjenja, çka e bëri shkencëtarin të mendonte për ekzistencën e një tjetër forme të ndërgjegjes, atë shpirtërore. Përvoja e Alexander ka modifikuar thellësisht një vizion shkencor për ndërgjegjen njerëzore. “Si kirurg që jam, nuk besoja te këto lloj eksperiencash, shkuan shkencëtari në ‘Newsweek’, dhe gjithmonë kam preferuar hipotezat shkencore”. Doktori thotë se nuk është katolik dhe se nuk beson te jeta e përjetshme. Por më pas eksperimentoi “diçka kaq të thellë” sa përvoja të tilla të merren në konsideratë të kërkimet shkencore. Udhëtimi i tij mes “reve ngjyrë të kuqe dhe krijesave engjëllore që linin gjurmë në qiell”. Ai tregon për takime me krijesa të ndryshme nga ato që ka parë në këtë planet.
“Ishin më të avancuara. Forma më të larta. Pastaj këngët që vinin nga lart, më mbushnin me gëzim dhe kënaqësi”. E gjithë kjo ka ndodhur në një gjendje kur korja cerebrale, pjesa që kontrollon emocionet dhe mendimet, nuk ishte në aktivitet. Alexander shton: “Nuk ka një shpjegim shkencor për atë që ka ndodhur: ndërsa neuronet e kores nuk ishin aktive për shkak të infeksionit, diçka si një ndërgjegje e palidhur me mendjen shkoi në një univers tjetër. Një eksperiencë, ekzistencën e së cilës nuk e kisha menduar kurrë”. Këtë përvojë, doktori e cilëson një shesh xhirimi filmash hollivudianë. Por që më pas shton: “nuk ishte fantazi dhe ka ndikuar shumë në aktivitetin tim profesional dhe sferën shpirtërore”. Ndoshta libri që ka shkruar mund të sjellë ndryshime edhe në llogarinë bankare të Alexander, dhe një pjesë e parajsës mund të materializohet edhe në tokë. I shkruar nga një neurokirurg mund të ndihmojë të hedhë më shumë dritë në këtë fenomen kompleks. G. Shqip - Ndryshe

"Çfarë tregon forma e hundës për mashkullin?"


Legjenda urbane për hundën e madhe dhe organin e madh seksual është thyer tashmë një kohë të gjatë, por sidoqoftë forma e hundës mund të tregojë mjaft për karakterin e mashkullit i cili e ka atë. “The Telegraph” ka mbledhur në një vend mendimet dhe vlerësimet e ekspertëve dhe të shohim se si mund ta vlerësoni personin sipas hundës.



Hunda e shtypur tregon mashkullin e qetë, praktik dhe të arsyeshëm ‘gjithmonë’ i gatshëm të ndihmojë personat që i do. Pëlqen të jetë në qendër të vëmendjes, ku arrin me ndërhyrje zbavitëse dhe qesharake, por nuk është aspak më pak ambicioz se të tjerët. Nuk ka prirje aventuriere në dashuri dhe në mënyrë të shkëlqyeshme i ruan sekretet.
Hundë mishtore kanë meshkujt emotivë dhe zemërgjerë, të cilët në mënyrë të shkëlqyeshme fshehin ndjenjat e vërteta.
Ka shumë shanse që do të mbesin vetëm tërë jetën nëse nuk martohen deri në të dyzetat, të paktën janë dashnorë të shkëlqyeshëm. Por, pasi që pëlqejnë të dominojnë në lidhje, pikërisht kjo është pengesa më e madhe.
Hundë shkabë kanë meshkujt që duken këmbëngulës, stabil dhe të fortë, por në fakt bëhet fjalë për njerëzit e pasigurt, të cilët nuk mund t’i zgjidhin vetë problemet. Të padurueshëm dhe grindavecë, mendojnë që kanë të drejtë gjithmonë. Sa u përket lidhjeve, i tërheq vetëm seksi.
Hundë të drejtë kanë meshkujt që bien lehtë në dashuri, adhurues të lidhjeve të gjata, besnikë dhe xhelozë. Janë kureshtarë dhe pëlqejnë të eksperimentojnë, por njëkohësisht analizojnë gjithçka, por të tjerët i përjetojnë si të përpiktë. Pëlqejnë të bëjnë për vete femrat e turpshme, por njëkohësisht janë mendjemëdhenj dhe nënçmojnë njerëzit që janë më të dobët.
/The Telegraph

Albanologu amerikan i Harvardit në 2008-ën: Tani e besojmë ilirishten


Tani mund ta besojmë historinë e gjuhës shqipe në lidhje me ilirishten, duke e vendosur atë në aspektin indoevropian, në kuadër të grupit veriperëndimor. Kjo deklaratë e bërë nga albanologu amerikan, Eric Hamp, në kuadër të konferencës së organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike, është shoqëruar për herë të parë dhe me etimologjinë e disa fjalëve krahasuese. Etimologjia e fjalës thika - gjendet tek fjala e latinishtes siko, po ashtu fjala thupra - e krahasuar me fjalën latine sibina.

Realisht ky ka qenë lajmi më i fundit edhe për vetë shkencën tonë gjuhësore, ku studiuesit shqiptarë të sotëm janë gjendur përballë kësaj befasie, duke e vendosur padyshim në ato fenomene që me plot gojën mund të quhen risi, edhe në këtë rast për shkencën tonë gjuhësore. Duhet shënuar se për profesor Hamp është një nënvizim i veçantë, se ka në natyrën e punës së tij - mendimin që është vazhdimisht në zhvillim.

E nis leksionin me një nderim të albanologut Holger Pedersen, e më pas thotë… “Imagjinoni: Danimarka, një vend që në tërësinë e vet numëron më pak banorë se Chicagoja, i ka dhënë shqipes dhe rolit të saj të pakrahasueshëm në familjen indo-europiane nëntë gjuhëtarë të kalibrit ndërkombëtar”. Hamp i quan të nëntë- “Great Danes”, duke nisur me Rasmus Rask-un, zbuluesin e vërtetë të ligjit të Grimit, që ky i fundit vetëm se e publikoi para Raskut danez. U tërheq vëmendjen gjuhëtarëve historikë shqiptarë që “gjithnjë i referohen Pedersenit duke e cituar gabim sikur të kish thënë se kishte dy dhe jo tre laterale (bashkëtingëllore anësore) në indoeuropianishte…kam frikë se nuk e lexojnë Pedersenin në origjinal…thjesht i referohen njëri pas tjetrit gabimit që ka bërë i pari i atyre që e kanë cituar…”- shton pastaj. “Po nuk dua të bëj listën me emra…s’ka rëndësi”- thotë pastaj. Pastaj nis e lidh logjikisht tezën e tij duke sjellë shembuj nga fjalë të mbledhura në 80 fshatrat arvanitas të Beotisë, ku ka bërë ekspedita gjuhësore në vitet 50-60. Mban mend e përmend çdonjërin fshat, bashkë me moshat dhe karakteristikat e folësve që ka intervistuar…me një shqiptim perfekt të të folmeve, e me një keqardhje prej ati që humb bijtë e vet, madje edhe më shumë, kur thotë…”Në vitet 50-60 ishin 570 ngulime të shqipes në Greqi…I kam numëruar një nga një…veç nuk pata kohë fizike të regjistroja më shumë se 80 ngulime”…dhe fytyra i pritet e duket pezmi i tij i thellë… “tani thuajse kanë vdekur të gjithë…folësit që intervistova unë ishin në të gjashtëdhjetat. Duhet të kenë vdekur, megjithëse prapë mund të gjenden folës të mbijetuar.” Politika i intereson pak. Se si e pse janë zhdukur kaq ‘me nxitim’ arvanitasit e Greqisë, se ç’rol kanë politikat greke në këtë, nuk është puna e tij…Veç gjuha i intereson…ajo e gjalla. Dhe lehtësisht, sikur t’i referohej rrugës që bën çdo mëngjes nga shtrati tek tavolina e punës, vizaton në ajër me gisht hartat e udhëve nga fshati në fshat në ndjekje të fjalës shqip, prej shkrepave të malësive greke, malazeze, atyre dalmate, serbe, kosovare e maqedonase, duke mbyllur rrethin brenda Ballkanit. Po kështu bën me fshatrat e tjerë të shqipes arbëreshe në Itali, i vizaton në ajër, duke shmangur male e lumenj që i kanë zënë dikur rrugën, por që i ka shmangur, sepse përtej e priste fjala.
Cilësitë e metodës shkencore të Hampit? -Empirik, rigoroz në ligjësitë e fonetikës dhe gramatikës historike, i përpiktë në imtësi dhe i palodhur në kërkim të konfirmimit pa fund të çdo zbulimi në kuadrin e gjerë gjuhësor, i paepur e konsistent, me integritet shkencor të palakueshëm. Kur Hampi flet, të krijohet ideja se jeton në gjithëkohë e gjithëhapësirë, të duket vetja i përjetshëm. Nis me një formë foljore të fshatrave arbëreshë Cerzeto e Vaccarizzo Albanese, që jehohet nga arvanitika e fshatit Mandres dhe Magoula, dhe krejt natyrshëm dhe logjikshëm kalon në format e hetitishtes, anatolishtes, e mesapishtes. Nuk ka kufij mes vdekjes dhe jetës në gjuhë apo shoqëri për Hampin. E gjitha është komunikim njerëzor i pandërprerë, domethënë gjuhë e përdorur dhe gradualisht e ndryshuar, e gjitha është vazhdimësi. Dhe ndoshta veç sipas kësaj filozofie, rindërtimi i miliona fijeve të shkëputura mes mëmës indo-evropiane e gjuhëve bija do ishte i mundur. Dhe kur ka përfunduar së përshkruari në detaj rrjetin fantastik që lidh Lindjen me Perëndimin, dhjetëra gjuhë të vdekura me ato që sot lulëzojnë apo po humbasin, kombe folësish miq e armiq, Hampi thotë: “Albanian is a personal love of mine. Albanian is the pinion on which Balkan linguistics all rests. Albanian is what is the fundament of Balkan Sprachbund.” (Shqipja është dashuri personale e imja. Është strumbullari rreth së cilës sillet gjithë gjuhësia ballkanike. Është themeli i sprachbundit ballkanik). E pastaj shton se “Sllavishtja e vjetër dhe gjuhët balltike—edhe lituanezët do binin dakord, u pëlqen apo jo—janë si binjakë. Por këta binjakë nuk do mund të rrinin bashkë pa trinjakun e tyre, shqipen.”
Ahhh…shënimet komplekse, të mbishtresuara, të kapërthyera e të ndërlidhura me shenja fonetike, simbole komplekse, shigjeta e paranteza dyshimesh interesante të Hampit, janë një tjetër mesele shumë e veçantë…E kam provuar kur doja t’i botoja një artikull mbi numërorët themelorë në gjuhët indoeuropiane…sa djersë e mund për t’i deshifruar e riprodhuar elektronikisht dorëshkrimet e tij, tamam ashtu siç i donte i pakomprometueshmi Hamp…ahhh “hundorësia e asaj zanoreje është ndryshe në atë fshat dalmat, dhe kjo lloj “ë-je” është rreth 1/10 e sekondës më e gjatë se ajo e shembullit të mëparshëm, dhe këto ndryshime duhen dëshmuar saktësisht në simbolet fonetike, përndryshe nuk bëjmë shkencë por mashtrojmë”…E pastaj, kur i kërkova të më jepte në bibliografi të shkrimit që kish përgatitur, burimin bibliografik për Buzukun, Matrangën, Bogdanin dhe Kristoforidhin, ca i fyer e ca i irrituar më tha: “Këto nuk duhet të jepen në bibliografi. Çdo shqiptar, edhe po ta zgjosh nga gjumi, duhet ta dijë këtë informacion. Do ishte e tepërt të shkruheshin.”… Por do duhet një tjetër shkrim për këto.


Albanologu 88-vjeçar, që ka kryer studimet e Harvardit, duke mbrojtur disertacionin e tij për të folmen e arbëreshëve të Vakaricës, që mbetet edhe sot studimi më i gjerë përshkrues fonetik, qysh prej ’54-ës, merr pjesë në këtë konferencë, duke prezantuar veprën e tij më të fundit “Studime krahasuese për shqipen”, botuar nga Akademia e Shkencave në Prishtinë. Ky botim voluminoz ka hyrë në Bibliotekën e Qendrës së Studimeve Albanologjike, redaktuar dhe përgatitur nga studiuesi Rexhep Ismajli, njëkohësisht dhe përkthyesi i veprës së bashku me emra të tjerë akademikësh, pjesëmarrës në përkthim. Ndërsa vetë Hamp i munduar nga pleqëria, por jo nga fenomeni i një albanologu që për gjysmë shekulli nuk rresht së nxjerri nga ilirishtja fjalë krahasuese që e çojnë në bllokun e gjuhëve të vjetra ilire, ku hyn dhe mesapishtja. Kjo është teza e tij, që siç duket bashkë me jetën e këtij albanisti amerikan, do të mbyllë edhe kapitullin e debateve mbi shqipen. Ndërsa ai po i afrohet gjithnjë e më shumë rrënjës, duke zbuluar përditë fjalë si befasia që na dha dje Hamp, ku studiuesi Rexhep Ismajli tregon dimensionin e një etimologu të klasit ekstra në botë.


Profesor Eric Hamp edhe një herë sot iu kthye çështjes së gjuhës shqipe, natyrisht nga pozita e një indoevropianisti duke e vendosur atë në aspektin indoevropian, në kuadër të grupit veriperëndimor të gjuhëve indoevropiane, në aspektin ballkanik pastaj, pak më vonë, janë faza më të vona këto, në lidhje me ilirishten dhe me bllokun e gjuhëve të vjetra ilire ku hyn dhe mesapishtja.



Për prejardhjen e shqipes nga ilirishtja ka shumë. Ka një histori prej shekullit XVIII nga Johan Lehman Tunman dhe pastaj në botën e sotme, pas Çabejt kemi Cimochowski dhe autoritete të tjera, të gjithë këta që janë marrë me albanologjinë në një farë mënyre janë në këto rrjedha të të menduarit. Profesor Hamp ka këtë avantazh se depërton shumë më thellë në interpretimet paraindoevropiane dhe të gjitha këto lidhje i bën bashkë.
Ka shkruar rreth 4000 artikuj shkencorë gjatë jetës së vet.Ajo që i intereson ende më shumë se gjithçka është gjurmimi i dialekteve maleve e fshatrave mes të folmeve arbëreshe e arvanitase, e pastaj kthimi nëpër salla leksionesh ku e ftojnë papushim, duke derdhur me një përpikmëri detaji gati monstruoze, thesin e tij të pafund të dijes. Njohuritë e tij në dialektetet e humbura të Europës që rrallë i interesojnë kujt, si në shqipet e ndryshme, gjuhët e vdekura ose gati të vdekura mes skocezëve, galëve, e bretonëve, dhe bukuria në lidhjen që Hamp u bën dialekteve të gjalla me dhjetëra gjuhë të vdekura dhjetëra mijëra vjet të shkuara, por që ai i njeh dhe përdor lehtësisht, janë mahnitëse.


G. Standart  http://en.wikipedia.org/wiki/Eric_P._Hamp

Gjuha e shqiptarëve nuk është bijë e ilirishtes

“Shqiptarët nuk duhet të shqetësohen që shqipja nuk e ka origjinën te ilirishtja”, thotë në përfundim të ligjëratës që gjuhëtari austriak Joachim Matzinger mbajti në një nga sallat kryesore të Fakultetit të Historisë e Filologjisë në Tiranë, më 9 tetor. Këtu ku është pohuar në më shumë se gjysmë shekulli “teza ilire”.




Ndërsa Matzinger analizoi para studentëve dhe profesorëve të historisë (mungonin gjuhëtarët) që shqipja e sotme është pasardhëse e një gjuhe të vjetër ballkanike, vetjake, që ai e quan proto-shqipe ose parashqipja e lashtë, “një gjuhë që ekzistonte pranë ilirishtes edhe pranë trakishtes, por nuk ka një lidhje me to”. Sepse raportet me këto dy gjuhë janë në bazë të dy hipotezave mbizotëruese për origjinën e shqipes së sotme.
Përfaqësuesit e gjuhësisë shqiptare, dhe Matzinger sjell ndër mend vetëm veprat e Çabejt dhe kontributin e tij “Ilirishtja dhe shqipja”, i botuar në vëllimin “Ilirët dhe gjeneza e shqiptarëve”, por edhe kolegë të huaj, kanë pranuar hipotezën e prejardhjes ilire të shqipes, e lidhur ngushte me autoktoninë e shqiptarëve. Ndërsa në fillim të shek.XX, u zhvillua hipoteza e imigrimit të shqiptarëve në vendin e tyre, hipotezë e lidhur me idenë e romanistit gjerman Gustav Weigand sipas së cilës, shqiptarët janë pasardhësit e trakëve. Matzinger përmend edhe të tjerë si Norbet Jokl që propozuan se “gjuha shqipe përfaqësonte një përzierje ilire dhe trake”.
Nuk ekzistojnë dëshmi të shkruara të gjuhës ilire, disiplina si arkeologjia janë burime memece për këtë çështje, por është gjuhësia historike ajo që mund të ofrojë argumente për raportet e shqipes me gjuhët e përmendura. Joachim Matzinger kujton se në fushën e onomastikës janë dokumentuar mjaft emra ilirë njerëzish dhe vendesh të cilët ndihmojnë për të njohur më mirë historinë e pashkruar të gjuhës shqipe dhe nëse shqiptarët janë ose jo pasaardhës të ilirëve. Gjuhëtari mendon se në zonën e territorit antik ilir që kufizohet sot nga Shqipërinë Qendrore, Shqipëria Veriore dhe Mali i Zi, gjendet një sistem tipik onomastik dhe i pavarur nga onomastika e vendeve fqinje. “Zhvillimi fonetik i emrave antikë në Shqipëri ndodhi sipas ligjeve fonetike shqipe”, argumenton Matzinger. Ai merr për shembuj analize emra qytetesh dhe lumenjsh si Durrës, Shkumbin. Me shembullin e emrit të Shkodrës provon se ky toponim “nuk ka qenë i njohur në mënyrë të pandërprerë, gjatë gjithë kohës ndër shqiptarët dhe as është trashëguar prej kohësh të vjetra. Gjithashtu ky emër vendi nuk të lejon asnjë lloj lidhjeje me ndonjë emër të përgjithshëm të gjuhës shqipe”. 
Përfundimi i gjuhëtarit është: mund të supozohet që Evropa Juglindore në parahistori dhe në antikitet ishte një territor ku fliteshin shumë gjuhë të rëndësishme, jo vetëm greqishtja, ilirishtja dhe trakishtja por edhe një gjuhë paraprake nga e cila zhvillohet hap pas hapi gjuha shqipe e që si gjuhë paraprake, mund ta përkufizojmë si protoshqipja. “Si një gjuhë indo-evropiane natyrisht protoshqipja ishte e afërt me gjuhët e tjera të Ballkanit me ilirishten dhe me trakishten, por shqipja nuk është bija as e ilirishtes as e trakishtes.” 
Kështu Matzinger kundërshton tezën e Çabejt: “Natyrisht që Çabej kishte tjetër mendim, por sipas hulumtimeve të mia, argumentimi im themelor është se sistemi fonologjik i proto-shqipes dhe i sistemi i ilirishtes janë dy sisteme të ndryshme që nuk pajtohen njëri me tjetrin. Kemi një ndryshim, një diferencë, janë periudha gjuhësore, të cilat duhen interpretuar si dy gjuhë të ndryshme. Kjo është baza ime themelore.”
Sa është e lashtë është kjo parashqipe?
“Mendoj se historia e gjuhës shqipe, e protoshqipes është e vështirë ta themi saktësisht, është mëse 3 mijë vjeçare. Mund të konstatojmë se ka ekzistuar si një gjuhë vetjake e vendit pranë greqishtes. Nga kontakti me romakët kjo gjuhë nuk u romanizua dhe nga kontakti me sllavët nuk u sllavizua. Pavarësisht nga ndikimi i tyre i fortë, gjuha shqipe ka ruajtur pavarësinë e saj gjuhësore dhe tiparet e saj karakteristike. Nga ana e gjuhësisë s’kemi nevojë për ilirët. Gjuha shqipe ka historinë e vet mijëvjeçare dhe shumë interesante dhe vetëm kjo ka rëndësi.”  
Idenë e prejardhjes së shqiptarëve nga ilirët, Matzinger e përmendi që në krye të ligjëratës si një çështje të politizuar në kohë. Fillimisht në shek. shek.19 ndër arbëreshë. “Vendi i sotëm i shqiptarëve ishte një territor ilir një vend i banuar prej shumë fiseve ilire, por historia ilire, të paktën historia politike ilire përfundoi në vitin 167 p.e.s kur romakët mundën mbretin e fundit ilir Gentius. Ideja e një prejardhjeje ilire, së fundi e një autoktonie të pandërprerë të popullit shqiptar nga antikiteti deri në ditët tona, u pranua shpejt nga shqiptarët sepse dukej si një shpjegim i natyrshëm. Ishte një argument i rëndësishëm në kohë të stuhishme në shek.19 dhe të 20 kur u formua kombi shqiptar me të drejta të barabarta.”
Çështja e politizimit të shkencave historike e studimeve në gjuhësi, etnografi, letërsi ishte një kryefjalë e takimit të së martës. Subjektivizmi dhe folklorizmi si tipare që e shmangin nga fokusi i kërkimit shkencor objektin e studimit, kanë krijuar një traditë e farkuar nën sistemin e kaluar. Këtë pohuan autorët e pranishëm, Nathalie Clayer, Stephanie Schwandner-Sievers, Oliver Jens Schmitt dhe moderatori i takimit publicisti Fatos Lubonja. Shkas u bë prezantimi në Fakultetin e Historisë e Filologjisë i librit “Historia e Shqiptarëve. Gjendja dhe perspektiva e studimit” (Botimet Përpjekja, 2012). Në këtë botim janë përfshirë ligjërata e Joachim Matzinger “Shqiptarët si pasardhës të ilirëve nga këndvështrimi i gjuhësisë historike” dhe një tjetër nga kolegu i tij i Universitetit të Vjenës, Stefan Schumacher, me titull “Marrëdhëniet e huazimeve mes protoshqipes dhe latinishtes apo rumanishtes ballkanike”.
Të gjithë autorët në këtë libër janë të huaj, albanologë, historianë, gjuhëtarë e studiues të letërsisë dhe kjo është bërë qëllimisht për të prezantuar një qëndrim kritik në debatin shkencor. Siç tha në takim Oliver Jens Schmitt, përgatitës i librit, ideja e këtij botimi ishte për të zhvilluar “një dialog të strukturuar midis albanologëve, pa i ndarë në shqiptarë dhe të huaj”.
Ndërsa Valentina Duka, zv/dekane e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë u shpreh se ky zë i rëndësishëm i albanologëve të huaj që përfaqësohet në botimin “Historia e Shqiptarëve” ka për të qenë “pjesë e kurrikulës zyrtare”, së paku për Departamentin e Historisë.
Joachim Matzinger
Joachim Matzinger ndoqi studimet indo-evropiane pranë Universitetit të Vjenës. Prej vitit 1997 kryen kërkime gjuhësore pranë Institutit të Studimeve Indo-evropiane në Universitetin “Friedrich Schiller” të Jenës. Bashkë me kolegun, Dr. Stefan Schumacher (Departamenti i Gjuhësisë, Universiteti i Vjenës), Matzinger është marrë me studimin e teksteve të vjetra shqipe, shek.16-18, nga Buzuku, Bogdani dhe po përgatisin një leksikon të sistemit foljor të shqipes së vjetër. Matzinger ka kryer një studim filologjik të “Mbsuame e krështerë (Dottrina cristiana)” e Lekë Matrëngës 1592.
Elsa Demo - Shekulli
Stop Injorancës Gjumë të ëmbël bashkëkombas.

Tani nuk kemi kundër vetëm shkencat e huaja, por gjithashtu klikën "intelektuale" shqiptare.
Në të gjithë propagandën antishqiptare, tani citohen me krenari prej fqinjëve tanë, dijetarët tanë të shqyer

http://www.youtube.com/watch?v=0lhMX6E6pNA

Sunday, October 7, 2012

Meshkujt shqiptarë të 10-ët në botë për gjatësinë e penisit, arritje e politikës shqiptare?

Sipas studimit të kryer prej Universitetit Ulster në Belfast, me udhëheqës profesor Richard Lynn dhe me temë "Top-100 shtetet botërore, me organin më të madh seksual", rekordin e mbajnë meshkujt e Kongos, penisi i tyre arrin mesatarisht 18 cm.
Më pas vijojnë meshkujt e Ekuadorit dhe Gana, ndërsa, nivelin më të ulët e kanë koreanët, me penisin mesatarisht 9.7 cm.

Po meshkujt shqiptarë në çfarë vendi ndodhen?

Ata janë në 10 vendet e para me gjatësinë e penisit 14.73 cm, duke ia kaluar meshkujve gjermanëve 14.5 cm, anglezëve, kanadezëve, rusëve dhe spanjollëve të cilët e kanë organin gjenital mesatarisht 14 cm.

Kurse francezët e amerikanët janë edhe më poshtë, respektivisht 13.5 cm dhe 13 cm. Ndër të tjera spikat fakti që italianët janë të gjashtë në botë dhe të dytët në Evropë, me 15.7 centimetra, pas Islandës me 16.5. Bie në sy fakti që orientalët janë më pak “të pajisurit”, me dimensione nga 9.7 të Koresë në 10.9 të kinezëve.

Disa zëra që shtohet e fuqizohen po këmbëngulin fort se ngritja në dhjetëshen e parë botërore të meshkujve shqiptarë, është pastërtisht kontribut i politikës shqiptare.

Në studim mund të jenë marrë politikanë shqiptarë, të cilët e kanë ngritur ndjeshëm mesataren prej studimit të kaluar, duke qenë penisë, kokë e këmbë.
Shkroi: Stop Injorancës !

1 milion të shara e mallkime

Sipas një bestytnie të lashtë, në rast se një numër i madh të sharash e mallkimet nisen drejt jush, me shumë gjasa ajo energji negative do të japë padyshim rezultat, duke sjellë fatkeqësi nga më të ndryshmet në jetën tuaj.

Nëse doni të llogarisni me përafërsi numrin e sharjeve dhe mallkimeve që janë adresuar drejt jush, llogarisni sa herë i keni rënë borisë në rrugë dhe kësaj shifre shtojini:
sa herë keni hedhur plehrat vend e pavend,
sa herë keni pështyrë në ashensor apo në trungje pemësh,
sa herë keni ngritur zërin tuaj apo të muzikës në kupë të qiellit,
sa herë keni teshtirë pa mbajtur dorën para,
sa herë keni bërë hipokritin duke komplimentuar për t'iu bërë qejfin kot të tjerëve,
sa herë keni qeshur pas shpine,
sa herë keni telefonuar me thirrje anonime,
sa herë keni nxjerrë një sekret të shokut/shoqes tuaj,
etj, etj...

Nëse shuma e përfituar arrin aty tek 1 milion të shara e mallkime, mbase asnjë profetësi nuk do përmbushet realisht dhe asnjë fatkeqësi nuk do t'iu ndodhë, por dijeni se fatkeqësia, jeni ju vetë.
Shkroi: Stop Injorancës !

Siria dhe bota e qytetëruar

16 mijë të vrarë është balanci i viktimave gjatë 16 muajve të fundit nga lufta civile në Siri.

Turqia nxjerr dhëmbët,
Gjermania gëlltitet,
Kina mbyll sytë,
Kosova dërgon ndihma,
Amerika ngre supet,
Rusia ngërdheshet,
fëmijët masakrohen...


Shkroi: Stop Injorancës !