DOSSIER
Përplasja në Paris, plani Dragumis, arrestimi i Sokrat Diamantit, Andrea e Harrillo Bollanos

Ashtu
si në periudhën 1920–1945, edhe në vitet në vijim, marrëdhëniet
Shqipëri–Greqi do të notonin në një det të turbullt kërcënimesh,
presionesh, e tensioni të fortë. Goditja e mjaft agjentëve dhe rrjeteve
të tyre nuk frenuan dëshirat aneksuese të shtetit fqinj. Sërish lufta
do të mbështetej në dy fronte, atë zyrtar dhe atë të nëndheshëm. Greqia
vazhdonte të lëshonte individë të ndryshëm, të cilët punonin për
silogjet e të ashtuquajturit Vorio Epir, e nga krahu tjetër, ushtronin
presion në planin ndërkombëtar.
Teksa një merimangë agjenturore e Jugut të Shqipërisë goditej, shteti
grek sulmonte në një drejtim tjetër në Konferencën e Paqes në Paris. Më
18 shkurt 1946, Kryeministri i Greqisë, Kostandin Caldaris, kërkoi
hapur përballë Fuqive të Mëdha që pretendimet për Jugun e Shqipërisë
dhe tokave të tjera në Bullgari të diskutohen në Konferencën e Paqes.
Përveç kësaj, Kaldaris deklaroi hapur se ishte ende në gjendje lufte me
Shqipërinë. Sipas dokumenteve të kohës, përfaqësuesit grekë i
propozuan një pakt atyre jugosllavë, sipas të cilit, Jugu i Shqipërisë
të përfshihej në shtetin grek dhe Veriu në shtetin sllav. Qëndrimi i
Enver Hoxhës që kryesonte delegacionin shqiptar ishte i prerë. Në
librin “Dy popuj miq”, të shkruar prej tij, zbulohen pjesë nga fjalimi
në Konferencën e Paqes në Paris.
“Z. Caladaris përpiqet të provojë se Shqipëria nuk është një vend
aleat, se Shqipëria ka atakuar Greqinë dhe se kjo është në gjendje
lufte me të. Nga ana tjetër, z. Caldaris rivendikon Shqipërinë e Jugut,
duke pretenduar se kjo është tokë greke dhe i takon asaj me të drejtë.
Populli shqiptar flak poshtë me përbuzje akuzën poshtëruese të
delegatit grek, që e padit vendin tim si sulmues. Populli shqiptar nuk e
ka sulmuar kurrë popullin e ndershëm grek, nuk i ka shpallur kurrë
luftë. Zoti Caldaris nuk do të bindte asnjeri, bile as budallenjtë me
argumentet e tij, ai duhet t’i kërkojë llogari Italisë fashiste për
sulmin e poshtër kundër vendit të tij e jo neve. Do të ishte qesharake
të mendohej se një dekret i thatë i Viktor Emanuelit, mbretit të
Italisë, do të mund të ngarkonte me faj popullin shqiptar, i cili
luftonte pa mëshirë kundër Italisë që nga dita e parë e pushtimit dhe që
tentoi edhe kundër jetës së mbretit vetë gjatë vizitës së vetme që
bëri në Shqipëri, në maj 1941. Caldaris tregon si argument aktin e
shpalljes së luftës nga kusilingu shqiptar, Verlaci. Populli shqiptar i
futi në të njëjtin thes pushtuesit e kuisilingët dhe nuk bëri asnjë
dallim mes tyre. Kuisilingët shqiptarë, si gjithë kuisilingët e tjerë
të Europës, nuk kishin të bënin aspak me popullin tonë. Ata ishin
armiqtë më të fëlliqur të popullit tonë.
Përveç të tjerave, z. Caldaris duhet t’i përgjigjet disa pyetjeve.
A do ta konsiderojë z. Caldaris si vend agresor Francën, prej ku
Hitleri mendoi të ndërmarrë ofensivën kundër Anglisë?! Delegacioni grek
ka pretenduar se qeveria shqiptare e tanishme ndjek një politikë
shkombëtarizimi kundër minoritetit grek në Shqipëri. Zotërinj,
minoriteti grek në Shqipëri ka luftuar krah për krah me mbarë popullin
shqiptar kundër pushtuesve fashistë e nazistë dhe kundër kuisilingëve
shqiptarë e grekë. Nga ana tjetër, nuk e di nëse zotërinjtë delegatë
kanë dijeni për terrorin e ushtruar në kurriz të popullsisë çame në
Greqi. Bandat e gjeneralit kuisiling, Napolon Zevës, dogjën katundet e
tyre, u morën pasuritë dhe vranë me mijëra burra, gra, fëmijë e pleq.
Deklarojmë solemnisht se brenda kufijve tanë të tanishëm nuk ka asnjë
pëllëmbë tokë të huaj dhe nuk do të lejojmë kurrë që të na preken, sepse
për ne ata janë të shenjtë”.
Por në kohën kur shqiptarët po përballeshin me një sulm diplomatik në
Paris, grekët, në krahun tjetër, ushtronin edhe presion ushtarak në
kufirin shqiptar.
Në gusht të 1946-s, gjatë kohës kur Konferenca e Paqes po zhvillonte
punimet e saj, 200 ushtarë grekë, duke përfituar edhe nga mungesa e
organizimit te forcat ushtarake shqiptare, kalojnë kufirin dhe sulmojnë
fshatin Radat të Gjirokastrës. Nga ky aksion mbetën të vrarë një numër
i madh civilësh të pafajshëm. Ky ishte sulmi i parë i një serie të
gjatë përplasjesh në kufirin greko-shqiptar.
Por grekët, sulmet në terren i shoqëronin edhe me një propagandë të
dendur antishqiptare. Pavarësisht qëndrimit amerikan që nënvizonte
rolin e rëndësishëm të luajtur nga Shqipëria gjatë luftës antifashiste,
ku evidentohej shpartallimi i plotë i tre divizioneve gjermane,
qeveria greke, duke i cilësuar shqiptarët si bashkëpunëtorë të Italisë,
kërkoi publikisht që Shqipëria të mos renditej në koalicionin fitues
të Luftës së Dytë Botërore. Nota greke pohonte se as në vitet ‘40-‘41
dhe as në 1942 shqiptarët nuk morën pjesë në Luftën e Aleatëve,
përkundrazi sipas tyre, ata u rreshtuan përkrah boshtit kundërshtar,
duke qenë pjesë aktive e sulmit italian mbi Greqinë.
Në Paris, ndërkohë, insistimit grek për çështjen e Vorio Epirit, Enver
Hoxha dhe i gjithë delegacioni shqiptar iu përgjigjën prerazi se
kufijtë e Shqipërisë janë të paprekshëm. Më 30 gusht 1946, seanca
plenare e Konferencës së Paqes në Paris, me 11 vota pro, 7 kundër dhe 2
abstenime vendos që të fusë në rend të ditës propozimin e Greqisë për
kufirin jugor të Shqipërisë. Bashkimi Sovjetik vuri veton për të
penguar këtë projekt, por kjo nuk mjaftonte.
Në Amerikë nisi një luftë e fortë, nga njëri krah lobi grek kishte
nisur një propagandë të shfrenuar kundër Shqipërisë, duke u përballur
me patriotët si Fan Noli, që mbronin çështjen shqiptare. Por nuk ishte
kjo përplasje që vendosi gjithçka. Disa ndër Fuqitë e Mëdha e mbi të
gjitha Shtetet e Bashkuara u frikësuan nga kjo iniciativë që mund të
hapte “Kutinë e Pandorës” dhe të vinte përballë shtete të shumta që do
të kërkonin rishikim të kufijve.
Kur fatet e Shqipërisë së Jugut nuk ishin vendosur ende, më 16 shtator
1946, duke u larguar nga Parisi, Enver Hoxha bën një deklaratë të fortë
në mediat ndërkombëtare, duke paralajmëruar edhe luftë, nëse do të
kishte një vendim për t’i dhënë të drejtë Greqisë. Sipas tij, populli
shqiptar nuk do të pranonte në asnjë mënyrë prekjen e kufijve të tij.
“Kur populli shqiptar luftonte trimërisht kundër fashizmit, të
tjerët i hidhnin lule, por kur erdhi koha që ai të kërkonte vendin e
tij kaq shumë të merituar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ose në
Konferencën e Paqes, i hodhën gurë. Populli im nuk do ta kuptojë këtë
logjikë, pasi ajo nuk është e ndershme. Ne jemi një popull paqedashës,
por ne nuk jemi nga ata që lejojmë të na marrin nëpër këmbë. Shekuj me
radhë, populli shqiptar ka luftuar për t’i fituar këto të drejta të
shenjta dhe ai është gati edhe sot ta fillojë përsëri luftën e tij nëse
aventurierët fashistë do të guxojnë t’ia prekin. Monarko - fashistët
grekë nuk bëjnë gjë tjetër, veçse provokojnë në kufirin tonë të Jugut.
Unë deklaroj solemnisht se as Konferenca e Parisit, as konferenca e të
katërve, as çdo konferencë tjetër qoftë, nuk mund të marrin në shqyrtim
kufijtë e vendit tonë, brenda të cilëve nuk ka asnjë pëllëmbë tokë të
huaj. Kufijtë tanë janë të padiskutueshëm dhe askush nuk do të guxojë
t’i prekë. Që të mund të marrë një pëllëmbë tokë të vendit tonë,
reaksioni grek duhet të vërë në lëvizje të tjerë mekanizma, përveç
votës së Konferencës së Parisit. E gjithë bota ta dijë se populli
shqiptar nuk lejon që të diskutohen kufijtë e tij dhe toka e tij.
Nga ana tjetër, protestoj për vendimin e marrë në seancë plenare të
Konferencës së Parisit. Populli shqiptar nuk e ka dërguar delegacionin e
tij në Paris për të dhënë llogari, por për t’u kërkuar llogari atyre,
që e kanë dëmtuar aq tepër dhe që ai i ka luftuar me ashpërsi gjer në
fund. Ne e kemi bërë detyrën tonë, ashtu siç e kanë bërë dhe të
mëdhenjtë. Dëshmorët tanë dhe sakrificat tona janë për ne po aq të
shenjtë sa janë dhe dëshmorët dhe sakrificat e të mëdhenjve; të drejtat
tona janë po aq të shenjta, sa janë dhe ato të atyre. Mirëpo,
Konferenca e Parisit, siç duket, nuk i mori parasysh këto gjëra.
Duke u larguar nga Parisi, dua të falënderoj në emër të popullit tonë,
të gjithë përfaqësuesit e atyre vendeve që e mbrojtën kauzën e drejtë,
por të merituar të popullit shqiptar. Ne urojmë me gjithë zemër, nga
ana tjetër, që t’i jepet fund kësaj fushate të padrejtë e të shpifur
fund e krye, kundër vendit tonë, që ka luftuar me kaq trimëri kundër
fashizmit dhe që do t’i shkrijë të gjitha forcat e tij për të forcuar
paqen e drejtë dhe të gjatë”.
Në seancën e 26 shtatorit, delegacioni grek tërhoqi kërkesat e tij,
duke shuar në këtë mënyrë atë që grekët e konsideronin si shpresa e
madhe për të bërë një bashkim të madh.
Por, nga krahu tjetër, shteti grek dhe silogjet vorio-epirote
infiltruan një numër të madh bandash të armatosura në territorin
shqiptar. Vetëm gjatë viteve 1946–1947 u vranë 393 anëtarë të tyre, si
dhe u kapën apo u dorëzuan 770 persona të tjerë të armatosur. Vetëm në
Jug të vendit, u goditën një sërë bandash në Tepelenë, Gjirokastër,
Këlcyrë, Përmet, Korçë, Konispol. Një grup i rrezikshëm ishte edhe ai i
Papu Aleks Lipes në Përmet, që mbante lidhje të drejtpërdrejta me
dhespotin e Janinës, Spiridhon.
Në vitin 1947, shteti grek përfshihet nga një raund tjetër i luftës
civile midis, EAM guerilëve komunistë të grumbulluar në Ushtrinë
Demokratike Greke (themeluar në tetor 1946) dhe forcave qeveritare të
Ushtrisë Kombëtare Greke të drejtuar nga Napolon Zerva. Ushtria
partizane kishte një organizim perfekt të përbërë nga struktura të
vërteta ushtarake, që përbëheshin nga toga, kompania, batalioni,
brigada e deri te divizioni. Përplasja e përgjakshme mes dy palëve do
të zgjaste dy vjet. Forcat e majta, të drejtuara nga gjenerali Markos,
ishin në ndihmën e Enver Hoxhës, i cili u ofroi spitalet e Jugut të
Shqipërisë për evakuimin e të plagosurve, por edhe për strehimin e
trupave.
Ndërkohë, Gjykata Ushtarake e Tiranës, po atë vit, nis gjykimin mbi
himarjotin Harrillo Bollano, i cili akuzohet për veprimtari armiqësore
kundër pushtetit dhe propagandë për Vorio Epirin, duke kërkuar
aneksimin e Shqipërisë së Jugut nga Greqia. Gjatë seancës së pyetjeve,
Bollano hedh poshtë akuzat, duke lënë përgjegjësinë te pjesëtarë të
tjerë të familjes së tij.
“Vëllai im është arratisur dhe se ku është, nuk e di, Pavlo Bollano e
të tjerë që më thoni janë arratisur në Greqi. Në kohën kur janë hedhur
parullat, në regjiment është bërë një konferencë dhe na kanë thënë se
çfarë ishte bërë, në seksionin e sigurimit më kanë thënë se kush i
hidhte ato dhe i kam thënë se e kanë bërë ata që janë kundër pushtetit
dhe jo unë. Për punën e zgjedhjeve, unë e di dhe e dinë të gjithë se
Himara ka votuar kundër pushtetit. Për Savo Xhanin, di të them se
kishte shkruar një parullë, por nuk e di se kush kishte shkruar Vorio
Epir. Me silogjet vorio-epirote nga soji i Bollanove kam pasur Pilo
Bollanon dhe Llambi Janollin”.
Trupi gjykues i udhëhequr nga major Gjon Banushi, në përfundim jep
konkluzionet dhe vendimin, duke shpallur të pandehurin Harrillo Bollano
fajtor për veprimtari armiqësore, duke hedhur parulla ndaj pushtetit
popullor dhe reformave ekonomike, propagandë për Vorio Epirin dhe
pushtimin nga Greqia të Jugut të Shqipërisë, si dhe për thyerjen e
gjilpërës manjetike në regjiment, me qëllim sabotimin. Bollano dënohet
me dy vjet heqje lirie dhe punë të detyruar.
Por agjentura greke dhe elementë të silogjeve vorio-epirote nisën
infiltrimin edhe në komunitetet shqiptare jashtë vendit. Influenca e
tyre nisi të ndihej sidomos në koloninë shqiptare në Australi, që gjatë
Luftës së Dytë Botërore. Ajo ishte zgjeruar më shumë pas përfundimit
të saj nga elementë të tjerë grekofonë nga Gjirokastra dhe Korça.
Komiteti pangrek arriti të krijojë në gjirin e vet një përfaqësi të
veçantë të vorio-epirotëve me qendër në Melburn dhe disa nënkomitete të
vogla, të cilat kishin edhe shtypin e tyre. Këto celula u përpoqën në
mënyrë të vazhdueshme të fusnin grindje në koloninë shqiptare në
Australi mes myslimanëve dhe ortodoksëve.
Në fund të viteve 1948, vlera strategjike e Shqipërisë ndryshoi
ndjeshëm në rajon. Shqipëria e shndërruar në një bazë të fortë për
Bashkimin Sovjetik përbënte për Perëndimin një rrezik shumë më të madh
se popullsia e saj e vogël. Aleatët perëndimorë kërkonin të pengonin
planin e Stalinit për të kontrolluar hyrjen në Adriatik. Ai e kishte
pajisur ishullin e Sazanit me nëndetëse dhe raketa të modelit gjerman
V2, të afta për të goditur deri në territorin italian. Në atë kohë,
shërbimet sekrete amerikane informonin se Shqipëria po rriste gjithnjë e
më shumë influencën sovjetike në Mesdhe, me baza e vija komunikacioni
që arriheshin lehtë dhe që kishin rëndësi jetike për Mbretërinë e
Bashkuar dhe SHBA. Në këtë situatë, pretendimet territoriale të Greqisë
ktheheshin në një pengesë të madhe dhe kërcënim për planin e SHBA–së
që kërkonte të përmbyste regjimin në Shqipëri pa hapur konflikte të
mëdha në Ballkan. Por, pavarësisht qëndrimit amerikan, grekët ishin të
interesuar për aneksimin e Shqipërisë së Jugut dhe jo për vendosjen e
një demokracie perëndimore në këtë vend.
Në këtë situatë, për të konkretizuar planet e tyre, grekët do të
hartonin dhe atë që në histori do të kujtohej si plani Pippinelis, një
hap diplomatik që synonte të realizonte qëllimin e vjetër grek të
Megalidesë. Zëvendësministri i Jashtëm, Panajotis Pippinelis, me anën e
një memorandumi drejtuar Departamentit të Shtetit, i propozoi një plan
konkret për aneksimin e Shqipërisë nga Greqia. Dokumenti i dorëzuar
mbështetej në këto tri pika.
1. Copëtimi i Shqipërisë midis Greqisë dhe Jugosllavisë, ose midis Greqisë, Jugosllavisë dhe Italisë.
2. Administrimi i Shqipërisë nga një organizëm ndërkombëtar ose nga një fuqi e painteresuar.
3. Bashkim i Shqipërisë me një nga vendet fqinje dhe pikërisht me Greqinë
Sigurisht, Pippinelis insistonte më shumë te formula e tretë, të cilën
ai e quante në memorandum si mundësinë më të mirë për t’i dhënë fund
konflikteve dhe përplasjeve në Ballkan. Zëvendësministri i Jashtëm
argumentonte pamundësinë e krijimit të një shteti federativ midis
Jugosllavisë dhe Shqipërisë, duke u bazuar në dy pika. Jugosllavia
tashmë ishte e ngarkuar rëndë me një numër të konsiderueshëm
minoritetesh dhe e dyta armiqësia e vjetër racore sllavo-shqiptare,
ndërsa bashkimin politik të Greqisë me Shqipërinë, Panajotis Pippinelis
e quante të natyrshëm dhe të goditur.
Në librin “Tensioni greko-shqiptar ‘39–‘49” të historianit Beqir Meta,
zbulohen edhe detajet që diplomati grek, Pipinelis, parashtronte për
krijimin e shtetit të ri shqiptaro–grek. Ai afirmonte si parim themelor
të ndërtimit të këtij shteti, sigurimin e vetëqeverisjes lokale dhe
vetëvendosjes për të dy popujt, lirinë absolute në drejtimin e
çështjeve të brendshme të dy vendeve nëpërmjet institucioneve të tyre
demokratike, të cilat do të siguroheshin plotësisht me drejtimin e
përbashkët të çështjeve ekonomike, ushtarake dhe diplomatike.
Pippinelis shprehte bindjen se lehtësisht mund të gjendej një formulë
ligjore për këtë bashkim politik, duke marrë si model monarkinë
dualiste austro-hungareze, ose perandorinë britanike. Në librin e Beqir
Metës shkruhet se zëvendësministri i Jashtëm grek merrte si argumente
për të mbështetur propozimin, marrëveshjen e parë mes kapedanëve grekë
dhe shqiptarë në SUL, më 15 janar 1821 për të formuar një aleancë dhe
zotimin që i kishin dhënë njëri-tjetrit për të qenë të bashkuar si
vëllezër. Pippinelis mbështeste tezën e tij edhe në shtrembërime të
tjera, sikur në 1829-n, shqiptarët i kishin propozuar qeverisë greke
përfshirjen e krahinës së Vlorës në shtetin fqinj, me kusht që atyre
t’u garantohej liria e besimit fetar dhe nderi i haremeve të tyre.
Por SHBA, pasi shqyrtoi me kujdes planin e detajuar të Pippinelis, e
hodhi poshtë atë në formë të prerë. Departamenti i Shtetit shprehu
qartë qëndrimin për moscenimin e kufijve shqiptarë.
Teksa operonin me plane në arenën ndërkombëtare, në Greqi, forcat
qeveritare, me ndihmën e SHBA-së, pothuajse kishin shtypur
kundërshtarët politikë të majtë. Në këtë situatë, politika zyrtare
greke, duke marrë shkas edhe prej ndihmës që Enver Hoxha i kishte dhënë
ushtrisë partizane të gjeneralit Markos, bëhet mjaft agresive, duke
shpallur sërish hapur oreksin për Jugun e Shqipërisë, që duhet të
realizohej me një sulm në front të gjerë ndaj territorit shqiptar. Ka
ardhur momenti që të lajmë hesapet me Shqipërinë, do të deklaronte një
nga zyrtarët më të lartë të kohës. Vorio Epiri duhet çliruar.
Por edhe këtë herë, ishin Shtetet e Bashkuara që kundërshtuan planin grek, duke ushtruar presion të fortë ndaj Athinës zyrtare.
E megjithatë Greqia nuk u tërhoq dhe pas shtypjes së kryengritjes së të
majtëve në vitin 1949, Napolon Zerva hedh sytë nga Shqipëria, duke
komanduar sulme të njëpasnjëshme ushtarake në pika të ndryshme të
kufirit.
Vetëm gjatë viteve 1948–1949, trupat greke shkaktuan rreth 1200
provokime ushtarake në kufirin shqiptar nga ajri, toka dhe deti. Ato u
intensifikuan sidomos më 2 gusht të 1949-s, ku disa batalione greke të
mbështetura nga artileria dhe 15 aeroplanë sulmuan postën kufitare
shqiptare në Vidohovë të Devollit, duke vrarë 6 ushtarë shqiptarë dhe
duke plagosur po aq të tjerë. Vetëm pasdite, ushtria shqiptare mundi të
sprapsë batalionet greke që lanë rreth 100 të vrarë brenda kufirit
shqiptar.
Trupat greke do të sulmonin edhe në ditët në vijim kufirin shqiptar. Më
4 gusht, sulme u regjistruan në disa pika kufitare në zonën e
Bozhigradit dhe Leskovikut. Vetëm gjatë këtyre dy ditëve, trupat greke
hodhën në kufirin shqiptar më shumë se 1500 predha artilerie, pjesa më e
madhe e të cilave ranë mbi fshatin Menkulas.
Më 7 gusht, trupat greke dhe ato shqiptare përplasen në një betejë
frontale. Pas një ditë luftimesh, trupat shqiptare të ushtrisë popullore
mundën të rimerrnin pikat e zëna të kufirit shqiptar.
Më 12 gusht, për rreth 6 orë, forcat greke dhe ato shqiptare luftojnë
në zonën e Gurit-Bilisht. Një brigadë e mbështetur nga artileria dhe
katër aeroplanë sulmojnë tokën shqiptare nga krahu i Bilishtit. Beteja
përfundoi me tërheqjen e trupave greke, të cilat patën përdorur edhe
artileri të rëndë e predha të tipeve të ndryshme.
Më 13 gusht, trupat greke sulmojnë sërish nga krahu i Bilishtit. Në
betejë mbetën të vrarë komisari i batalionit të kufirit Bilisht, Nasi
Remaçka, dhe korrieri i tij Dane Zeneli. Ndërkohë nga krahu grek, në dy
ditë luftime, mbetën të vrarë më shumë se 70 ushtarë.
Më 14 gusht, ushtria greke hodhi më shumë se 2000 predha artilerie në
tokën shqiptare, në fshatrat Trestenik, Kapshticë e Cangonj-Devoll. Nga
goditjet e artilerisë mbetën 5 civilë të vrarë dhe u shkaktuan dëme
materiale në disa shtëpi të fshatrave të mësipërme.
I ndodhur në këto kushte, Enver Hoxha jep urdhrin për mobilizimin e plotë ushtarak, në të gjithë Jugun e vendit.
Por grekët nuk ndalen dhe vijojnë sulmet në kufirin shqiptar. Arenë
përplasjesh mes forcave ushtarake shqiptare dhe greke u shndërruan në
pak ditë edhe zona të tjera të kufirit. Ndërkohë qeveria shqiptare
reagoi ndaj sulmeve, duke i dërguar një notë proteste OKB-së. Në
Shqipëri u organizuan mitingje të shumta proteste kundër agresioneve
greke.
Në atë periudhë, diku në afërsi të Sarandës, është ulur edhe një avion
grek. Kjo ngjarje ka mbetur thuajse mister. I sigurt mbetet fakti se
avioni luftarak i ushtrisë së vendit fqinj u bë pjesë e Parkut Kombëtar
të Aviacionit Shqiptar nga viti 1949 deri-diku pas vitit 1953.
Historia e vërtetë është shndërruar në legjendë me disa versione. Disa
thonë se ai u soll nga një agjent i zbulimit shqiptar që ishte
njëkohësisht edhe pilot, disa me avarinë që kishte pësuar mjeti
fluturues, por e vërteta mbetet ende enigmë.
Megjithatë, qeveria greke nuk e ndali presionin dhe mbante të
përqëndruar në kufirin me Shqipërinë një numër të madh forcash
ushtarake me justifikimin për të penguar lëvizjen e guerilasve
komunistë.
Nën presion edhe të Jugosllavëve, me të cilët kishte prishur
marrëdhëniet, Enver Hoxha udhëton drejt Moskës, ku më 2 prill të 1951
takohet me Stalinin, Mikojanin, Beriasin, Molotovin, Malenkovin dhe
Bulganinin, të cilëve u shpreh shqetësimet dhe mëdyshjet e qeverisë
shqiptare. Enver Hoxha dhe Stalini në takimin e tyre në kryeqytetin e
Bashkimit Sovjetik, për të disatën herë, kishin në qendër të bisedimeve
qëndrimin e Greqisë dhe provokimet e vazhdueshme ndaj Shqipërisë.
Stalini udhëzoi Enverin t’u jepte ndihmë komunistëve grekë, por me
shumë kujdes dhe në formë të maskuar.
Enveri i parashtroi Stalinit rrezikun, sipas tij, të një sulmi të
mundshëm të menjëhershëm të Italisë, Greqisë dhe Jugosllavisë e në këtë
rast, kërkoi mbështetjen e Bashkimit Sovjetik. Provokacionet, vijoi më
tej Enver Hoxha, i kanë ardhur Shqipërisë nga ajri, toka, dhe deti nga
të tria këto vende. Ndër të tjera, Enveri i zbuloi Stalinit edhe disa
plane operative, të cilat ishin përgatitur në rastin se sulmi mbi
Shqipërinë do të bëhej realitet. Në këto plane të detajuara
demonstrohej mënyra sesi ushtria shqiptare synonte t’i kundër
përgjigjej armikut. Duke theksuar se ushtria shqiptare mund të arrinte
në mbi 230 mijë ushtarë, Enveri kërkoi mbështetje të mëtejshme në
furnizimin me armë dhe municione. Nga krahu i tij, Stalini u tregua i
qetë dhe ftoi Enverin të mos i përgjigjet provokacioneve të fqinjëve.
Sipas Stalinit, sulmi ndaj Shqipërisë është thuajse i pamundur për sa
kohë ka një sërë vendesh që do të përfshiheshin në konflikt. Për sa i
përket kërkesave për pajisje ushtarake, Stalini jep konsensusin e tij,
duke ftuar Enverin t’i parashtrojë kërkesat Bulganinit. Stalini i
këshilloi Enverit gjithashtu që në organet drejtuese të vendit, të mbajë
një shumicë të zgjedhurish nga feja myslimane, një mënyrë kjo për të
respektuar fenë e shumicës së popullit.
Ndërkohë, dy fqinjët, dikur armiq e tashmë aleatë të fortë, Jugosllavia
dhe Greqia, vazhdonin të thurnin plane dhe të dërgonin në Shqipëri
grupe të shumta agjentësh. Afrimi edhe i Turqisë në këtë aleancë vuri
menjëherë në pozita mbrojtëse Shqipërinë, e cila i druhej një sulmi të
papritur, sidomos nga dy vendet kufitare. Silogjet vorio-epirote
riorganizuan strukturat e tyre dhe forcuan përpjekjet për të rilidhur
kontaktet e vjetra të humbura pas ardhjes së komunistëve në pushtet.
Në shkurt të 1953, dyshimet e qeverisë shqiptare do të bëheshin
realitet me firmosjen e traktatit greko-turko-jugosllav, i cili ndikoi
në mënyrë të menjëhershme në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë.
Vetë Enver Hoxha dhe drejtuesit më të lartë të Partisë Komuniste, u
shqetësuan për mundësinë e ndërmarrjes së një aksioni të përbashkët të
tre vendeve ballkanike kundër saj. Në 1954, tre shtetet nënshkruan edhe
aleancën ushtarake, e njohur si Pakti Ballkanik. Në librin e Beqir
Metës, “Shqipëria dhe Greqia, Paqja e Vështirë”, shkruhet se në këtë
pakt ekzistonte një klauzolë sekrete mes Greqisë dhe Jugosllavisë, që
binin dakord që në rastin e një lufte, të pushtonin bashkërisht
Shqipërinë”.
Grekët nuk frenuan. Pas planit të Pippinelis, që ishte refuzuar nga
Shtetet e Bashkuara, grekët paraqitën një tjetër iniciativë që njihet
si projekti “Dragumis”. Diplomati i njohur, Filip Dragumis, propozoi
një plan konkret, me shpresën se ai do të pranohej këtë herë nga
komuniteti ndërkombëtar e mbi të gjitha nga SHBA. Edhe në qendër të
këtij plani, shpalosej hapur dëshira aneksuese kundrejt Shqipërisë.
Ndryshimet që propozonte Dragumisi ishin:
Të sigurohej pushtimi i kanalit të Korfuzit nga Greqia dhe nëpërmjet
saj nga NATO. Kjo do të arrihej, duke i dhënë Greqisë zonën bregdetare
të Delvinës, Sarandës dhe të Himarës. Në zonën e Konicës, vija e
kufirit do të kalonte përtej qytetit të Leskovikut, duke e lënë atë në
territorin grek, ndërsa Përmeti do të mbetej shqiptar. Vija kufitare do
të vijonte, duke kapërcyer lumin Vjosë dhe do të linte në territorin
shqiptar Poliçanin dhe Libohovën, por duke kaluar te grekët Sopikun.
Greqia do të merrte të gjithë luginën e Devollit të Sipërm, bashkë me
14 fshatrat e liqenit të Prespës. Ndërsa Korça do t’i mbetej
Shqipërisë.
Por edhe kjo tentativë e re e maskuar greke nuk do të pranohej nga
ndërkombëtarët, të cilët mundën të kuptonin prapavijën pushtuese të tyre
ndaj Shqipërisë.
Në vitet në vijim 1953–1954, drejtuesit më të lartë të shtetit
shqiptar, por edhe vetë Enver Hoxha, shprehën hapur qëndrimin për të
normalizuar marrëdhëniet me fqinjët grekë. Megjithatë qeveria fqinje në
mënyra të ndryshme shtynte dhe shpërfillte kërkesën shqiptare.
Nënshkrimi i Marrëveshjes Bled në gusht të 1954-s mes Jugosllavisë,
Greqisë dhe Turqisë rivuri sërish në pozicion mbrojtës qeverinë
shqiptare, e cila e konsideroi atë si një pakt kundër demokracive
popullore, sovjetikëve, Shqipërisë dhe Bullgarisë.
Më 28 mars 1955, Shqipëria anëtarësohet në Traktatin e Varshavës. Enver
Hoxha, në një fjalim solemn në Kuvendin e Shqipërisë, ashtu siç
pritej, arriti të merrte 100 për qind të votave të deputetëve për
ratifikimin e këtij traktati.
Në këto momente, Shqipëria nisi të çngurtësohet, duke kërkuar sërish
përmirësimin e marrëdhënieve me vendet fqinje, por edhe zhvillimin e
mëtejshëm të lidhjeve me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e tjera të
bllokut komunist.
Në 1955-s, Shqipëria kërkoi përmes sekretarit të përgjithshëm të OKB-së
vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Greqinë. Por edhe këtë herë,
përgjigjja greke ishte negative. Përkundrazi grekët riformuluan të
njëjtat akuza dhe kërkesa, duke filluar nga kufizimi i pjesëmarrjes së
Shqipërisë në të gjithë organizmat ndërkombëtare. Për më tepër, grekët
përsëritën qëndrimin e vjetër se shqiptarët nuk duhet të renditeshin në
bllokun fitues të Luftës së Dytë Botërore.
Më 8 dhe 9 korrik 1956, në Athinë, organizohet Kongresi Ndërkombëtar
Panepirot, i cili kërkonte sërish çlirimin e zonës së ashtuquajtur nga
Greqia të Vorio Epirit me anë të forcës. Kongresi kishte hedhur idenë e
krijimit të një fronti për çlirimin e Vorio Epirit, me thirrjen nën
armë të të gjithë grekëve dhe kishte vendosur krijimin e një organi
ekzekutiv kombëtar për zbatimin e vendimeve të tij. Sipas
informacioneve që vinin në atë kohë në Ministrinë e Brendshme në kampin
e Llavrios në Greqi, ishin armatosur rreth 3000 persona, të cilët do
të fillonin kryengritjen për çlirimin e Jugut të Shqipërisë.
Në këtë situatë, pushteti komunist forcon masat përgjatë kufirit me
Greqinë, ndërkohë që ndërmerren edhe aksione të shumta në zonat më
problematike ku jetonin minoritarë. Në 1956-n, organet e drejtësisë
shqiptare arrestojnë Sokrat Dimantin, vëllain e ish- krahut të djathtë
të Vasil Shahinit, ish-kreut të agjenturës greke në Shqipëri për shumë
vite para komunizmit. Sokrat Diamanti, vëllai i Jani Diamantit,
akuzohej për propagandë greke, sabotim të zgjedhjeve të 2 Dhjetorit
1945, në zonën e Derviçanit në Gjirokastër, për shtyrje në arratisje të
disa personave, agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor dhe
tradhti të lartë shtetërore.
Diamanti iu nënshtrua pyetjeve të hetuesve për ditë me radhë.
Hetuesi: Na flisni për veprimtarinë tuaj kundër pushtetit
Përgjigje Sokrat Diamanti: Unë kam qenë i prekur nga pushteti që më
kishte cilësuar kulak dhe më luftonte vazhdimisht, ndaj unë nuk e doja.
Prisnim të shpëtonim nga kjo gjendje dhe ndryshimin e situatës në
vendin tonë nga ana e jashtme, sidomos nga Greqia dhe dëshiroja që ata
të zaptonin Shqipërinë.
Hetuesi: Me cilin keni biseduar kundër pushtetit?
Përgjigje Sokrat Diamanti: Kam biseduar me LLambi Mukën, Koço Mukën
dhe Thoma Mukën të tre nga Derviçani, edhe këta cilësohen kulak si unë.
Kur kishim mundësi, takoheshim dhe flisnim për problemet tona dhe
thoshim që ky regjim duhet të bjerë të përmbyset dhe këtu të vijë
Greqia, ndryshe për ne nuk kishte shpëtim. Bisedoja edhe me Ilia
Diamantin, edhe ai kërkonte pushtimin nga ana e Greqisë.
Hetuesi: Nga tregoni shokët me të ngushtë që keni pasur në ushtri
Përgjigje Sokrat Diamanti: Në ushtri, kam pasur shokë të ngushtë
Thoma Llazarin nga Himara, Panajot Shutin nga Gjirokastra, Vasil Makno
nga Delvina, Foto Papajanin nga Leshnica, Mexhit Kokalarin nga
Gjirokastra, Kristo Dulen nga Goranxia dhe Kristo Zoto nga Poliçani.
Hetuesi: Tregoni se çfarë keni biseduar me këta persona
Përgjigje Sokrat Diamanti: Të gjithë flisnin kundër pushtetit p.sh
Andon Vajua tha një ditë, duke parë foton e Stalinit, ta bëjmë supë
kokën e plakut. E shumë të tjera që tani nuk më kujtohen.
Hetuesi: Po ju çfarë u keni thënë shokëve në repart?
Përgjigje Sokrat Diamanti: Unë u kam thënë shokëve se tani që
amerikanët ndërprenë luftën në Kore, do ta shpërthejnë në Ballkan,
sepse paktin Greqi-Turqi-Jugosllavi nuk e kanë bërë kot, por për të
sulmuar Republikën e Shqipërisë. Bisedat tona ishin rreth ndryshimit në
vendin tonë dhe hapjen e shpejtë të një lufte të re, se e shikonim si
shpëtim.
Hetuesi: Mendohuni mirë dhe tregoni
Përgjigje Sokrat Diamanti: Më kujtohet se shokëve iu kam thënë se
unë kam vepruar për sabotimin e zgjedhjeve. Nuk më kujtohet sa ju kam
treguar për këtë çështje. Bashkë me kushëririn tim, Jorgji Diamanti,
kemi shkruar parulla kundër zgjedhjeve.
Hetuesi: A e ndjeni veten fajtor?
Përgjigje Sokrat Diamanti: Po, unë ndihem fajtor
Hetuesi: Pse ?
Përgjigje Sokrat Diamanti: Unë, sidomos pas vitit 1951, kam biseduar
me shumë elementë kundër pushtetit. Në biseda shpreheshim se shpëtimi i
vetëm është largimi i këtij regjimi dhe këtu të vinte Greqia. Unë kam
lexuar dhe komentuar shumë fletushka të hedhura nga aeroplanët në vitin
1952. Për sa i përket sabotimit të zgjedhjeve të 1945-s kam shkruar
trakte sipas udhëzimeve të Jorgo Diamantit. Jorgo më udhëzoi që traktet
t’i shkruaja me shkronja të mëdha, që të lexoheshin më mirë. Shkrova
shumë të tilla në gjuhën greke, të cilat i shpërndamë në rrugën
automobilistike ndërmjet Derviçanit dhe Goranxisë. Me shokët në ushtri
kam biseduar për t’u arratisur në Greqi. Nuk më kujtohen persona të
tjerë që kanë dijeni dhe punojnë në favor të zbulimit grek veç meje, të
tjerët ju a thashë.
Hetuesi: Keni pasur kontakte me vëllain tuaj, Jani Diamanti?
Përgjigje Sokrat Diamanti: Po ai më lajmëronte në ‘45 – ‘46 që të
arratisesha dhe të shkoja atje. Kam biseduar me Miço Barutan i cili më
informonte se për grekët punonin edhe oficerë, të cilët çonin në Greqi
informata ushtarake. Ai kishte lidhje me diversantin Niko Stirmo, të
cilin e fshihte kur vinte nga Greqia në mullar. Ky i sillte trakte dhe
merrte informata të fshehta të cilat i çonte në Greqi.
Dosja dërgohet në Gjykatën Ushtarake të Gjirokastrës, e cila nën
kryesimin e kapitenit të parë, Sami Abazi, pasi shqyrtoi provat e
paraqitura nga hetuesia, më 30 Janar 1957 vendosi dënimin e të
pandehurit Sokrat Diamanti me 18 vjet heqje lirie. Pavarësisht kërkesës
ankimore të avokatit mbrojtës së Diamantit që kërkonte një dënim më të
butë për klientin e tij, Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Ushtarak të
Gjykatës së Lartë në Tiranë lë në fuqi masën e dënimit me 18 vjet.
Pushteti komunist rrit gatishmërinë dhe shton agjentët e sigurimit të
shtetit në Jug të vendit. Ashtu si para ardhjes në fuqi të komunistëve,
një ndër zonat më problematike mbetej Himara që ishte nën vëzhgim të
rreptë, për shkak të problemeve të vazhdueshme që kishte pasur me
elementë grekofone të ndryshëm.
Me këtë rast, më 30 janar 1957, arrestohen Leko Kallushi, Pano Konomi,
Irakli Rrapo, Ilija Kokoveshi, Mihal Llato, Andrea Bollano, Koço
Beleri, Jani Brigo, të gjithë nga Himara, nën akuzën e përvetësimit të
pasurisë socialiste, pasi u vërtetua vjedhja që kishin kryer në
fabrikën e vajit të ullirit në Himarë por edhe për krimin e agjitacion e
propagandës dhe tradhtisë ndaj atdheut.
Një pjesë e të arrestuarve vinin nga familje që kishin pasur lidhje të
forta me agjenturën greke dhe kishin edhe të arratisur në vendin fqinj.
Ndër të cilat, familja Bollano, anëtarë të së cilës ishin skeduar për
herë të parë në vitet 1920 nga organet e drejtësisë së asaj kohe.
Plenumi i Gjykatës së Lartë, i udhëhequr nga kryetari Aranit Cela, jep
dënime të ashpra për të gjithë të pandehurit.
Irakli Rrapo, për krimin e përvetësimit të pasurisë socialiste
dënohet me 15 vjet burg dhe zhdëmtim të plotë të shumës së dëmit
shkaktuar fabrikës së vajit të ullirit, humbjen e së drejtës
elektorale, konfiskimin e pasurisë së tij të luajtshme e të
paluajtshme. Nën të njëjtën akuzë, Ilija Kokoveshi dënohet me 11 vjet
heqje lirie dhe heqjen e së drejtës së votës për 3 vite. Andrea
Bollano, për krimin e përvetësimit të pasurisë socialiste dënohet me 6
vjet burg dhe humbjen e së drejtës elektorale për 2 vite si dhe
zhdëmtim të shumës së dëmit financiar shkaktuar fabrikës në Himarë.
Leko Kallushi me 18 vjet e 9 muaj, Pano Konomi me 13 vjet e Mihal Llato
me 7 vjet e 6 muaj.
Vijon