- Ishte tre vjeç kur filloi t’i pëlqente gurët e shahut dhe lojën e parë e ka zhvilluar pa mbushur pesë vjeç me babanë e saj
Luela Myftari
-Klean nuk i ka mbushur akoma shtatë vjeç dhe rezultatet e saj në shah janë të jashtëzakonshme për një fëmijë në këtë moshë. Ka pak që është kthyer nga Kampionati Botëror i Shahut të të Rinjve që u zhvillua në Maribor, Slloveni, në javën e dytë të nëntorit. Klean ishte më e vogla jo vetëm në grupin ku konkurronte, por në të gjithë Kampionatin Botëror. Të gjithë konkurrentët ishin mbi tetë vjeç, ndërkohë që Klean nuk i ka bërë shtatë. Megjithatë, ajo korri katër fitore dhe tre barazime në njëmbëdhjetë ndeshje, ose siç i quan ajo ndryshe në njëmbëdhjetë ture.
Asaj i shkëlqejnë sytë kur na thotë se ka përjetuar momente shumë të bukura në këtë kampionat. Klean thotë, me një zë të hollë e të qartë, se nuk do ta harrojë asnjëherë fitoren me kampionen e Italisë, dhe barazimin me një vajzë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Na tregon se ka filluar të luajë shah që kur ishte pesë vjeçe dhe i ka pëlqyer gjithmonë kjo lojë. “Në fillim luaja me kompjuter, pastaj me babin”, thotë ajo për “Trup dhe Shpirt”. Babai i saj na tregon se Klena ka filluar ta pëlqejë shahun që kur ishte tre vjeç, veçse ajo nuk e mban mend këtë gjë ose kërkon që të mos e konsiderojë më si lojë qesharake me të cilën mund të kalojë kohën një fëmijë. Kur e sheh me moshatarët, përpara se të fillojë turi i shahut, ajo është një fëmijë, por kur luan Klean duket si një e rritur e përgjegjshme, si dikush që mendohet mirë përpara se të hedhë hapin e radhës.
Me të mbushur gjashtë vjeç, Klean u dallua në Akademinë e Shahut ku edhe stërvitet nga profesorë profesionistë. Menjëherë, shfaqi një dëshirë të madhe që të konkurronte, por për të nuk kishte konkurse dhe kampionate shahu. Ishte shumë e vogël për të marrë pjesë në konkurse të tilla. Në mars të këtij viti, u regjistrua në “Kampionatin e Shahut midis shkollave 9-vjeçare të Tiranës” edhe pse ishte në kopsht. U regjistrua si konkurrente e klasës së parë. “Kisha shumë dëshirë të garoja në këtë kampionat dhe bëra shumë mirë që u regjistrova sepse në fund fitova një dhuratë të bukur”, thotë Klean kur e pyesim pse nuk duroi që të rritej edhe pak.
Na tregon se është më mirë në Matematikë sesa në Abetare, por ajo do t’i mësojë të gjitha sepse prindërit e saj mësues ia thonë këtë çdo ditë.
Po si është një ditë e Kleanës? Ajo shkon çdo mëngjes në shkollë dhe kthehet prej andej rreth orës 14.00. Pasi mbaron drekën ajo shkon të stërvitet për aktivitetet e tjera që do të bëhen për shahun. Stërvitet rreth dy orë në ditë. Pasdite çlodhet pak dhe fillon të lexojë diçka, tani së fundmi Abetaren. “Dita e diel më pëlqen shumë sepse dal me prindërit nga Liqeni. Me babin bëjmë ushtrime të ndryshme”, na thotë ajo duke shtuar më pas se babin e ka gjithmonë pranë. Babain loja e shahut me të bijën e bën të ndihet i gjallë. “Nuk ka momente më të bukura se sa të luash me fëmijën tënd dhe çdo moment ndryshon nga tjetri. Sigurisht, që edhe fitoret më pëlqejnë shumë”, thotë ai për “Shekullin” krenar, shumë krenar për të bijën. Kur e pyesim se sa i kushton atij një stërvitje si kjo që bën vajza, ai na thotë se Akademia e Shahut nuk ka kërkuar para për Klean, por ndjen nevojën për t’u mbështetur financiarisht në kampionatet që zhvillohen jashtë kufijve të shtetit shqiptar. “Klean duhet përkrahur në kampionatet ndërkombëtare sepse nuk e di sa i aftë do të jem unë të financoj udhëtimet dhe qëndrimin në një vend tjetër me standarde më të larta. Dhe Klean nuk është një fëmijë mosmirënjohës, por është një fëmijë që i mban mend të gjitha lëvizjet e veta, madje edhe ato të të tjerëve”, kështu thotë Arteni, babai i Kleanës së vogël. Dhe ajo është vërtet një vajzë mirënjohëse. Nuk harron të na thotë disa herë “Faleminderit!” gjatë bisedës.
Kur e sheh me moshatarët përpara se të fillojë turi i shahut, ajo është një fëmijë, por kur luan Klean duket si një e rritur e përgjegjshme, si dikush që mendohet mirë përpara se të hedhë hapin e radhës
Bio:
Emri: Klean Shuqja
Datëlindja: 17.01.2006
Vendlindja: Tiranë
Vendbanimi: Tiranë
Arsimi: Nxënëse e klasës së parë, në shkollën “Protagonistët”.
Aktivitete:
Klean është vetëm gjashtë vjeçe dhe ka konkurruar në disa kampionate shahu. Vetëm përpara një muaji ajo erdhi nga Sllovenia, nga Kampionati Botëror i Shahut për të Rinj, me kokën lart. Nga i gjithë grupi i shqiptarëve Klean grumbulloi më shumë pikë nga të gjithë. Ajo ka marrë pjesë edhe në aktivitete të tjera si në “Kampionatin e Shahut midis shkollave 9-vjeçare të Tiranës” në mars të vitit 2012, ku edhe pse nuk ishte e ende në shkollë konkurroi duke u regjistruar si e tillë. Kaloi deri në turin e pestë, nga shtatë ture të mundshmet. Në “Kampionatin e 44 Kombëtar” në maj ajo u përmend si vajza më premtuese në fushën e shahut.
No comments:
Post a Comment