Monday, December 17, 2012

"Dita ime e parë"


Sapo dal nga dera e shtëpisë përballem në hyrje të pallatit me administratorin, të cilit nuk i kisha bërë pagesën e ashensorit dhe ai bëri sikur nuk më pa. Mora frymë lirisht dhe vazhdova rrugën me duar në xhepa kur shoh tek gomat e një makine një kotele të vogël që m'u dhimbs pasi po dridhej prej ftohtit dhe afrohem ta përkëdhel. Ajo nuk luajti vendit, por as përkëdheljet e mia
nuk e qetësonin. Një çast u pamë në sy dhe ajo e lebetitur klithi dhe ia futi me të katra si e marrë. E gjora - mendova me vete, kushedi sa shumë e kanë dhunuar që i ka kaq shumë frikë 2 këmbshat.

Aty në një kthesë të rrugicës shkëmbehem me një bukuroshe, e cila mi mangetizoi sytë sa nuk e di as vetë sa u hutova dhe e hëngra me sy, por ajo nuk e vuri aspak ujin në zjarr dhe vazhdoi atë ecjen e vet të shkujdesur pa e fshehur atë buzëqeshje ëngjëllore e krenare që i dallohej për së largu.
Hipi në urban dhe njerëzit ishin ngjeshur aq shumë saqë një grua ishte e detyruar të më hidhte krahët në qafë për t'u mbajtur tek doreza sipër kokës time. Kalon faturinoja dhe unë ashtu me siklet të madh i nxjerr qindarkat e mia dhe ia drejtoj. Ai jo vetëm që nuk më dha biletë, por madje as nuk mi mori fare paratë. Pashë njëherë nëse po më shikonte apo jo njeri, pastaj si me lezet i rrëshkas lekët dalëndalë në xhepin tim.
Fillova të ndjehem mirë. Dita më kishte nisur kaq mbarë.
Ndërkohë urbani ndalon dhe ashtu përmes shtyrjesh mes njerëzish zbres. Kalimtarët si gjithmonë indiferentë kalonin shkujdesur drejt meje, saqë pothuajse në çdo rast më duhej të shmangesha unë që të mos përplaseshim. Pas 3-4 tentativash shmangieje vendosa edhe unë të eci njëherë drejt që të detyroja dikënd tjetër të shmangej, por ishte e kotë. Ata vinin gjithmonë drejtë dhe më acaruan aq shumë saqë njëri i ulërita: "Hapi sytë o qorr", por edhe këtij nuk i bëri përshtypje dhe vazhdoi rrugën e tij. Sytë më kapin një dyqan këpucësh që kishte afishuar një reklamë të madhe ofertash fundviti në reklamën e saj. Hyj brenda dhe i buzëqesh lehtazi shitëses së re dhe ndryshe nga çdo herë tjetër ajo nuk hodhi sytë të më shikonte nga këpucët, siç më ndodh zakonisht dhe më bëri të ndjehem goxha komod. Një komoditet që m'u zhubrosh shpejt sapo nisa të lexoja çmimet në euro të këpucëve. Para se të dilja e përshëndes shitësen dhe i kërkoj ndjesë për shqetësimin, por ajo nuk reagoi abolutisht dhe vazhdonte të shkruante mbi tastierën e kompjuterit të saj. Nga përfshirja që e kishte kapluar, padyshim do ishte duke diskutuar në internet. S'ka faj e shkreta - mendova me vete. Paguhet me rrogë bazë qesharake e ndonjë përqindje akoma më për të qeshur, prandaj dhe ia justifikoj disi këtë mungesë etike.
Më pas ndaloj tek Muzeu Kombëtar dhe kujtohem se aty prehen përkohësisht armët e Gjergj Kastriotit. Shkoj të paguaj biletën, por ajo gruaja që priste biletat po më injoronte e të gjithë po hynin pa rradhë. Prita sa prita dhe më humbi durimi sa hyra pa paguar fare biletë. Një dyndje e madhe njerëzish e njëkohësisht muzeu dukej bosh. Të gjithë ishin ngjeshur aty pranë armëve të Skënderbeut, a thua se objektet e tjera në muze nuk kishin asnjë lloj vlere. U bezdisa dhe vendosa të dal sërish.
Isha tashmë në qendër dhe po më bëhej ujët e hollë. Ku dreqin të shkoja përveçse në ndonjë lokal e të porosisja vetëm një ujë pa gaz - dhe kështu bëra. Prit se po vjen kamarieri, e kamarieri hiç. Unë bëj me shenjë, ai e pinte a nuk e pinte rehat atë kafen shoqëruar me cigare në banak. Po kulmi ishte kur erdhi dhe mu ul në tavolinë një çift, madje ai burri do më ulej në prehër nëse nuk do kisha ndërruar karrigen në kohë. Në fillim më bëri vërtetë habi, po pastaj mendova "Njerëz të gjallë jemi, kemi nevojë për shoqëri, kemi nevojë për njëri-tjetrin për t'u socializuar" paçka se nuk më morën fare leje të uleshin me mua.
Përfitoj nga rasti të dal në tualet dhe pasi u çlirova hap rubinetit nga uji i ngrohtë që nxirrte ujë të ftohtë të laja duart dhe sytë më shkuan nga pasqyra. U lebetita dhe ulërita me sa kisha në kokë. Në pasqyrë nuk isha, nuk shikoja veten, por pllakat e banjës pas meje...

Shkëputur nga Ditari i një Fantazme me titull "Dita ime e parë"

Shkroi: Stop Injorancës !

No comments: