Monday, December 17, 2012

“Mallkimi” i Gërdecit, vajza i vdiq, burri vrau veten, gruaja helmohet


Shtohen viktimat dhe hidhërimi në familjen Osmani të Gërdecit. Katër vjet pas vdekjes së vajzës, Resmijes, e cila humbi jetën në tragjedinë e Gërdecit më 15 mars të vitit 2008, mëngjesin e ditës së djeshme është vetëvrarë edhe Tushe Osmani, duke shtuar edhe më tej hidhërimin në këtë familje.

Mësohet se viktima, mëngjesin e ditës së mërkurë ka pirë një sasi helmi që i ka marrë jetën. Tre vjet më parë, kishte vrarë veten nga dëshpërimi edhe burri i saj, Kujtim Osmani. Por, dhimbja për këtë familje nuk ka të sosur kur mendon se tashmë me vdekjen e Tushes, ka mbetur jetime edhe mbesa e saj e vogël. Tushe Osmani, pas vdekjes së vajzës së saj, 19-vjeçares Resmije Osmani, kujdesej për mbesën e saj, e cila aktualisht është 4 vjeçe. Por, kohët e fundit, të afërmit e Tushe Osmanit, kishin vërejtur tek ajo shqetësimin se nuk e rriste dot mbesën e saj për shkak të vështirësisë ekonomike.

Madje banorë të fshatit Gërdec pohojnë se dy ditë më parë CEZ-i i kishte ndërprerë edhe energjinë elektrike, për shkak të pamundësisë së saj ekonomike për të paguar faturat.
Tragjedia bëhet e plotë kur mendon se vajza e Resmijes që vdiq në Gërdec, është sot dyfish jetime. “E vrau shteti dhe shteti duhet të mbajë përgjegjësi për viktimat”, është shprehur Tushe Osmani,per Top Channel 2 vjet me pare…!
Ndërkohë gjyqi i tragjedisë së Gërdecit po shkon drejt fundit duke mos dënuar askënd. Fatmir Mediu, ministri i Mbrojtjes në atë kohë, po mbrohet me imunitet, oficerët e lartë janë amnistuar, ndërsa procesi ka degraduar si aksident teknik, duke shmangur pistën korruptive të lobimit të djalit të kryeministrit, i cili nxiti arrogancën e biznesmenëve për të mos siguruar jetën e punëtorëve.
Balkanweb http://www.balkanweb.com/kryesore/1/mallkimi-i-gerdecit-vajza-i-vdiq-burri-vrau-veten-gruaja-helmohet-112128.html

No comments: