Monday, December 17, 2012

Rrëfimet e një prostitute


Françeska është pseudonimi i saj dhe fiton deri në 7000 euro në muaj. Kriza e bëri që të niste këtë “profesion”, me të cilin mund të paguajë çdo faturë e të mbajë familjen
Bashkë me vajza të tjera shtëpiake dhe të papuna si ajo, kishte marrë me qira një apartament. Një apartament të çfarëdoshëm, me dhoma fare të thjeshta për të prostituuar fshehurazi: nga familja, nga burri, nga fëmijët dhe për të fituar shumë lekë e menjëherë… Por para pak ditësh ra në duart e policisë dhe u kërkoi atyre të mbetej anonime. Pikërisht në këtë mënyrë nisi të rrëfente se me këtë punë paguan qiranë e shtëpisë, këstet e makinës dhe të gjitha faturat e tjera që mbërrijnë në familjen e saj. “Ne jemi mësuar gjithmonë të bëjmë një jetë shumë të mirë. Dhe ju siguroj që nuk është e lehtë të kthehesh pas tani që kriza ka pllakosur gjithçka. Pastaj unë gjithmonë kam qenë një grua shumë e bukur”, tregon ajo. Pseudonimi i saj është Françeska, 40 vjeçe, me profesionin e estetistes që e ka ushtruar për shumë kohë, por që e ka mbyllur aktivitetin për shkak të krizës, ndërsa i shoqi është sipërmarrës. Disa prej fotove të saj, sigurisht me fytyrën e mbuluar, bashkë me numrin e celularit gjenden kollaj në internet. Por sigurisht që ai numër telefoni për familjen e saj nuk ekziston. Ja se si e tregon ajo historinë e saj të një shtëpiakeje prostitutë.
Familja juaj nuk di asgjë?
Për ta unë jam thjesht një shtëpiake që ndonjëherë punon edhe si estetiste. Nuk imagjinojnë asgjë, dhe sigurisht që nuk dinë asgjë.
Po si ka mundësi?
Këtë punë e kam bërë gjithmonë fshehurazi. Klientët më gjenin në internet, shihnin fotot dhe pastaj më merrnin në celular, numrin e të cilit familja ime nuk e di. Zakonisht i caktoja takimet në orarin e drekës. Kështu në mëngjes dhe në darkë jam gjithmonë në shtëpi.
Sa fiton në ditë?
Nuk lë më shumë se dy takime, që gjithmonë qëllojnë mes drekës tek ime më apo ndonjë kafeje me shoqet. Nëse duhet të them të vërtetën, marr zakonisht 100 euro për klient dhe në muaj arrin deri në 7 mijë euro.
Kur nise të prostituosh?
Një vit e gjysmë më parë. Im shoq ishte i dëshpëruar për të gjitha faturat që duhej të paguante. Edhe unë lashë aktivitetin tim dhe ishim zhytur në borxhe. Kishim shumë shpenzime.
Mjaftoi kriza për t’u bërë prostitutë?
Shikoni, se unë kam shkuar edhe te një psikolog si fillim. Më ndihmoi të kuptoja se unë nuk jam Françeska. Ajo është vetëm puna ime. Dhe unë jam vetëm njëra prej atyre shumë të tjerave. Mund t’ju tregoj me dhjetëra histori të tjera me gra që burrat nuk u punojnë dhe prostituojnë edhe për 30 euro për të mbajtur frymën gjallë. Kanë arritur deri aty sa të mendojnë për mbijetesë. Situata është bërë shumë e vështirë.
Nuk munde të gjeje zgjidhje të tjera për problemet e tua ekonomike?
Disa ditë më parë një klient, teksa më pa duke qarë, më tha: Do të preferoje të punoje si pastruese shtëpish apo si dado? Të pastroje dhe të laje të moshuarit? Unë nuk e bëj dot. Në fillim nisa si shoqëruese, por tani burrat më kërkojnë gjithandej. Jam bërë specialiste. Thuajse nuk i prek fare, vetëm i shfrytëzoj. Shfrytëzoj perversitetet e burrave të pasur e të fuqishëm.
Dhe të politikanëve?
Politikanë, sipërmarrës, futbollistë. Klienti që u kap me mua në apartament është një burrë i rëndësishëm, që ka shumë njohje. Është një funksionar i lartë shteti. Në shtëpi gjithsesi kishte një kod për të garantuar sigurinë: kur drita e korridorit ishte ndezur, të tjerat e dinin që ishte një klient dhe ato duhej të qëndronin mbyllur në dhomë.
Në një qytet të vogël nuk ke frikë se mund t’i takosh klientët në rrugë?
Më ndodh t’i takoj në supermarket kur bëj pazarin. Nëse janë vetëm më përshëndesin, ndërsa kur janë të shoqëruar u thonë grave se kemi njohje të vjetra. E kush mund ta mendojë se jam prostitutë e kam shkuar me burrat e tyre? Gazeta Shqip

No comments: