Monday, February 25, 2013

S'ishte e thënë të ishim bashkë!


Edhe ai ylli ynë vezullues që vështronim çdo natë në qiell është zhdukur. Dritat e tij që na magjepsnin, paskan qenë përpëlitjet e agonisë së tij.



"Kur ndjehem keq, dua të jem pranë teje
e kur ndjehem mirë, s'dua të largohesh."

Këto ishin vargjet modeste e të sinqerta që dikur shkrova, për ty që sot ke krijuar një lidhje të re, familjen tënde e ndoshta je shumë e lumtur. Ose më mirë, për atë që je dhe jep, jam shumë i sigurt që je e lumtur. Nuk e di nëse në ndonjë çast hutimi a zbrazëtie, kujtimet të kthejnë tek unë, por do doja të dije se edhe unë jam i lumtur.
E megjithatë, e mbaj mend akoma që të kam premtuar se një ditë kur ti të plakesh dhe ulur buzë një stoli do vështrosh nipçet e tu si luajnë në park, unë do vij dhe do ulem pranë teje, të të përqafoj edhe njëherë si atëherë.
Nuk e di nëse ti je dashuria ime e vërtetë, apo thjesht dashuria ime e parealizuar, por dua të dish që ndonjëherë ndodh të më kujtohesh.
Jetojmë në një qytet, si në poezinë "Mall" të Kadaresë, por ndryshe nga atje, nuk shihemi kurrë.
Nuk e di pse dhe si, kur brenda vetes besoja se të dashuroja, seksin me ty nuk e mendoja kurrë. Jo se nuk do më pëlqente, e kam shijuar edhe me femra, që femra i bënte veç akti seksual, por diç' tjetër, mbase më e madhe, më tërhiqte pas teje.
Nuk kishte si shpjegohej ndryshe ajo natë që gdhimë bashkë në një shtrat, ku unë edhe pse i dëshiroja aq shumë buzët e tua, nuk guxova asnjë moment. Mbase, mbase ishte pikërisht ajo natë që të pushtova zemrën.
Kur diskutonim bashkë nuk ngopesha duke të parë, jo pse ishe e bukur sepse e bukur ishe vërtetë, por sepse kur viheshe në siklet reagoje plot stil. Një stil i një vajze çapkëne të përkëdhelur, një kapriçoze arrogante që rrezantote mirësi, dashuri e zgjuarësi.
Kisha kaq shumë frymëzim dhe energji pozitive kur rrinim bashkë, sa miljona fjalë mundoheshin të dilnin njëherësh në gojën time dhe si përfundim, asnjë fjali s'dilte e saktë.
M'u kujtua tani propozimi im. Ndoshta guxoj shumë ta quaj propozim, por ja që s'lashë tjetër, veç tij. "Shiko, dëgjo, të tjerët mendojnë se ne të dy..., atëherë pse ne të dy mos..?! Domethënë, dua të them me një fjalë, fjalët për ne kanë dalë, ç'ndryshim ka nëse ne...?"
Më vjen akoma të qesh me veten me këtë propozim supost kaq diletant, por ç'nevojë kishte për propozim vallë?! Unë bëja "muuuu" që të dëshiroja dhe pse kamuflimi ishte arti im.
Dilnim çdo pasdite bashkë dhe kur ndodheshim në shoqëri të ndryshme, nuk më zinte vendi. Çastet pa ty më dukeshin kohë e humbur pa peshë. Do doja dhe besoj të ketë qenë edhe për ty e njëjta ndjesi, e nëse jo, ta dish që e humbura këtu je ti, pa provuar një emocion si ky.

As tani nuk e di saktë pse u ndamë, si pasojë e ofertave të tua joshëse në rritje, si pasojë e ëndrrave me princ të kaltër të trashëguara nga pubertiteti, apo si pasojë e arrogancës sime, që donte të të tregonte se mund të jetoja shumë mirë edhe pa ty. Ama më kujtohet fare mirë se kur ishim bashkë, ti shpesh më bezdisje kur aq naivisht më flisje rreth meshkujve që kishin guxuar të hynin në jetën tënde dhe kështu, unë ndoshta vendosa të mbes në kujtesën tënde, duke u larguar.

Por mbetem vërtetë i kënaqur që të njoha e për disa kohë isha personi më i rëndësishëm për ty. Ndoshta në një tjetër jetë, në të tjerë trupa, do zgjidhnim ndryshe.
Këtë jetë, s'ishte e shkruar, e nuk e shkruam, as unë as ti!

Shkroi: Stop Injorancës !

Erdogan: Mos e diskriminoni Hakan Shukur pse tha se jam shqiptar


Ish- futbollisti i Turqisë dhe emri më i njohur i futbollit në këtë vend, Hakan Shukur, ka deklaruar në universitetin “Mehmet Akif” se edhe ai ka origjinë shqiptare dhe se nuk është turk.

Por në drejtim të Shukur janë hedhur akuza dhe kritika.

Në krah të futbollistit, që është deputet i partisë në pushtet, ka dalë kryeministri Erdogan. Ai tha se Shukur i ka bërë deklaratat e tij në një universitet që mban emrin e një shqiptari, që ka bërë tekstin e himnit turk.

Ai tha: “Nuk ka asnjë futbollist që e ka veshur bluzën e kombëtares turke më shumë se ai, ose që ka shënuar më shumë gola se ai. Ata që e kritikojnë, janë diskriminues”.

http://www.ensonhaber.com/hakan-sukur-ben-turk-degil-arnavutum-2013-02-22.html

Hija e një rrjeti klerikësh homoseksualë pas dorëheqjes së Papës

Vatikani i ka hedhur poshtë raportimet nga mediat italiane, që e lidhin dorëheqjen e Papës me një dosje sekrete, ku pretendohet se ka një rrjet homoseksualësh brenda klerit.

Gazetat italiane flasin për një dosje sekrete nga tre kardinalë, që zbulon një rrjet të nëndheshëm me klerikë të lartë, që kanë organizuar festa homoseksualësh dhe janë përballur me shantazhe.

Gazeta “La Repubblica” pretendon se akuzat e rënda janë bërë në një raport të quajtur “Vatileaks”, që i është paraqitur Papës rreth datës 17 dhjetor.

Por Vatikani sot ka akuzuar mediat italiane se po shpërndajnë informacione false dhe të dëmshme, në përpjekje për të ndikuar kardinalët që do të mblidhen muajin tjetër në konklavë për të zgjedhur Papën e ri.

Raporti sekret është përgatitur nga kardinali spanjoll, Julian Herranz, kardinali italian, Salvatore de Giorgi dhe kardinali sllovak, Jozef Tomko.

Ata e nisën hetimin pasi maxhordomi i Papës, Paolo Gabriele u arrestua dhe u akuzua se kishte vjedhur dokumente sekrete të Papës.

“La Repubblica” pretendon se Papa Benedikti XVI ka dhënë dorëheqjen pasi nuk mund të përballej me pasojat e raportit me 300 faqe.

Gazeta thotë se hetimi ka zbuluar se ekziston një lob homoseksualësh brenda kishës, që ka njëfarë kontrolli mbi karrierën e atyre në Vatikan.

Ata organizonin takime seksuale në disa ambiente në Romë dhe në Vatikan, duke i bërë ata shumë vulnerabil ndaj shantazheve. (Tema)

Serbia vendos rekord europian: 94 % e popullsisë janë besimtarë


Rezultatet e censusit të publikuar në Serbi tregojnë se 94 përqind e popullsisë janë besimtarë fetare, shumë më lart se përqindja në shumicën e vendeve evropiane.

Rreth 3 përqind e popullsisë nuk e kanë deklaruar veten si besimtarë të ndonjë feje.

Tre përqind thonë se janë myslimanë.

Në total komuniteti më i madh fetar është Kisha Ortodokse Serbe me 6.6 milion anëtarë.

Serbia ka 7.1 milion banorë.

Puçrrat

As politikanët e as sutjenat që bashkojnë të majtën e të djathtën, por puçrrat. Ato na bashkojnë të gjithëve!

Një ditë si gjithë të tjerat ashtu kot si padashur u fiksova duke parë fytyrat e kalimtarëve të rastësishëm.
Ajo që më bëri realisht përshtypje ishte fakti se përveç një vajze që duhej të ishte në fillore, nuk më zunë sytë asnjë fytyrë të pastër, në pikëpamjen fizike, jo në atë simbolike.
Dikush kishte puçrra rozë, dikush të kuqe, dikush të verdha e dikush të jeshilta.
Kur shikoje një fytyrë pa puçrra, do shikoje në të ndonjë vrragë, ndonjë të çarë apo të grricur. Dikush tjetër e kishte faqen sikur sapo i kishte kaluar sipër, traktori.
Të thoje se ishin puçrra adoloshence, nuk e thoje dot, sepse nuk ishin të gjithë adoloshentë. Të thoje se ishin puçrra të bëra prej briskut, as këtë nuk e thoje dot se gjysma ishin femra.
Tek femrat nuk kuptohej në ishte vallë mungesa e pudrës, apo përdorimi pa kriter i saj?
Mungesa e ujit të pijshëm, apo mungesa e higjenës?
Ndotja e ajrit, apo ndotja e ushqimeve, s'di vërtetë ç'të thuash.
Rrugë të mbushura me fytyra të vrara, të djegura, të regjura, të rrudhura e shpërfytyruar shumë herët.
Fakti ishte se një fytyrë të pastër (si në televizor), nuk e gjeje dot.

Nuk e di pse, por në mënyrë të pandërgjegjshme më është fiksuar në mendje se shkalla e qytetarisë së një njeriu dallohet lehtësisht tek shkalla e përkujdesjes së tij, ndaj lëkurës së vet.

Mbase, nisur prej paradoksit, që banorët e zonave rurale edhe pse e kanë ujin më të pastër se ata të zonave urbane, fytyrën e kanë përgjithsisht më të papastër.
Eshtë e habitshme, por thonë që jashtë shtetit mund ta njihje një shqiptar, nisur vetëm prej pamjes së tij. Dekada më parë ishte akoma dhe më e dallueshme.

Tema e sotme le shumë vend për hamendësime, për diskriminime, për racizëm, për paragjykime e përgjithsime, për shpërthime moralistësh e puritanësh, por theksoj se ajo nuk trajton karakterin e njeriut, por pikërisht pamjen e jashtme të tij.

E duke parë kështu që puçrrat, apo siç quhen në mjekësi aknet, i bashkojnë pjesën më të madhe të njerëzve, e gjej me vend shpërndarjen e disa këshillave.

Si të shpëtojmë nga puçrrat?!

1. Rrini në diell. Dielli mund të thajë lëkurën dhe ti eliminojë.
2. Pini shumë ujë. Uji është thelbësor pasi është funksional për pastrimin e lëkurës. Pini 6-8 gota uji çdo ditë. Veç kësaj, uji ju ndihmon në nxierrjen e lëndëve toksike nga trupi juaj.
3. Bëjini avull fytyrës tuaj dhe mbaheni për rreth 20 minuta.
4. Merruni me aktivitet fizik, që të nxisë qarkullimin e gjakut
5. Ulni sheqernat dhe yndyrnat në dietën tuaj.

Shkroi: Stop Injorancës!

Shpërfaqje

U rishfaqe shtjellës së rrugëtimit tim,
ikonë e pluhurosur,
kryqëzuar
në trungun e lëkundur
të harresës.

Mu përplasën fytyrës
flladi i ndjesisë
që e pata strukur
ndër peliçe resh,
e malli i rreshkur
si bukë e ardhur keqas,
për t'i bërë më të përtypshme
ditët.

E feksën në pyllin e mendimeve
ledhat,puthjet,psherëtimat,premtimet
edhe lotët djegës
nga ethe ikjesh.
Nëpër hundët e kujtimit
mu ngjit aroma e tonës stinë,
si një vjeshtë paqësore,
gjethet e ëndrrave për t'i shkundur.
Ta dish,
shpesh mjegulluar më ka
si avull alkooli,
një kureshtje ngacmuese,
pa atë aromë,
të bësh si ke mundur?!

Diku aty thellë brenda meje,
ngrefosen e platiten
bindur në heshtje
si tek një liman i fshehur
të shkumëzuarat e kryeneçet valë,
e therin gozhdë ngulur thatë në parzëm,
të shtypura,
të ndrydhura,
të pathëna
fjalë... .
Gezim Murajza

Sekreti im Big Brother Albania 6

Sonte, këtë të shtunë 23 Shkurt ora 20:45 starton ekskluzivisht, live, vetëm për shqiptarët everywere ndodhen, super spektakli, supershow, super eventi, reality show Big Brother Albania 6!

Spikerja do të jetë of course ahhahahha Arbana Osmani, ndërsa analisti është ende Arjan Konomi. Edicioni i këtij viti i është përshtatur formatit francez Secret Story, sekrete, ndryshime te mëdha ne skenar, new studio dhe one house komode.

Do të ketë surpriza pa fund, njerëz pa familje, prindër pa fëmijë, çifte treshe, marrëdhënie të komplikuara, sekrete, perversitete, telenovela për së gjalli. Thashetheme, seks nën çarçaf e vetëshfryrje pas kamerash.
Thonë që vajzat do jenë të mbara, ndërsa djemtë, burra si qëmoti.
Lëshoni Ezelin, e soj e sorrollop çorapi tjetër, Big Brother Albania has comes për të gjithë njerëzit që s'kanë si shtyjnë kohën, si mbushin jetët e tyre.

Personazhe enigmatikë, intrigantë, ekuacione me 4 të panjohura që shumë shpejt do zënë edicionet e lajmeve dhe do mbushin revistat rozë. Famë, sukses, para!

Supstaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaancë!

Të gjithë sytë nga ekrani!

P.s Sekreti im është se kur pjerdh lirohem!

Shkroi: Stop Injorancës !

Duajeni njeriun për atë që ai kurrë nuk mundet ta humbasë

Në foto, transformimi i Kim Kardashian!
Shkëndije Mujaj mund të renditet automatikisht në vend të parë!

Jeta është e bukur, kur je një Tardigrad

Tardigradët, të njohurit gjithashtu si arinjtë e ujit për mënyrën si ngrihen vertikalisht me 8 këmbët e tyre dhe të zbuluar fillimisht në vitin 1773, dallohen si krijesa që mund të mbijetojnë në kushtet më ekstreme të jetës në Tokë.
Tardigradët mund ti rezistojnë temperaturave nga −273 °C deri në 151 °C.
Mund ti mbijetojnë presionit të ujit në thellësirat më të mëdha oqeanike dhe i kanë mbijetuar me sukses provës së 2007-ës, në vakum, jashtë hapësirës për ditë me rradhë.
Mund ti mbijetojnë radioaktivitetit diellor, rrezeve gama, rrezatimit jonik - në një dozë 100-fish më të madhe se ajo që mundet të vrasë një qenie humane.
Mund të jetojnë gjithashtu afro 10 vjet pa ushqim dhe pa ujë.

Përgjithsisht, gjatësia e tyre është 1 milimetër kur ata janë të rritur. Fosili më i vjetër i Tardigradit shënon një moshë prej 530 milion vitesh.
Gjenden në Himalaje, në thellësi detare deri në 4000 metra dhe në polet e ngrira.

Përgatiti: Stop Injorancës !

Qytetari përballë politikës


Përmes mospërfshirjes në politikë, rrezikon të drejtohesh nga të paaftët - thoshte një filozof i lashtë "grek".

Duke ndjekur për gjithë këto vite diskutimet e qytetarëve shqiptarë rreth politikës, 3 grupet më të mëdhaja të dukshme janë:

a.) Indiferentët
Ata që qëndrojnë totalisht indiferent ndaj politikës dhe nuk njohin asnjë personazh, datë apo ngjarje politike. Këta kryesisht e quajnë veten sot "artistë"

b.) Militantët
1. Të moderuarit
Këtu bëjnë pjesë qytetarët që kur partia mëmë bën ndonjë lëvizje kryekëput të gabuar, me dhimbje zgjedhin të heshtin
2. Radikalët
Këtu bëjnë pjesë qytetarët që s'kanë pse mendojnë pasi për ata mendon partia dhe gjithçka mendon partia është ajo e sakta apo e duhura. Këta zakonisht nuk mund të artikulojnë opinionet e tyre pa dëgjuar më parë drejtëpërsëdrejti deklaratat e liderit të tyre shpirtëror, apo nëpërmjet zëdhënësve për shtyp.
Pastaj kthehen si me magji në papagaj të shkëlqyer.

c.) Të papërgjegjshmit
Këtu bëjnë pjesë qytetarët që i shajnë të gjithë dhe i japin hapësirë politikës më të keqe, pasi të mos kuptosh ndryshimet dhe ti fusësh të gjithë në një thes, është një gjest antidemokratik, që legjitimon pikërisht politikanin mё tё pamёshirshëm, atё qё ka mё pak rregulla, atё qё ka mё pak skrupuj.

P.s Ata që nuk bëjnë pjesë tek grupimet e mësipërme janë pjesa gri, qytetarët që votojnë për ndëshkim dhe i ndryshojnë me elasticitet të plotë bindjet e tyre partiake duke u nisur prej politikbërjes, por duke qenë se janë në minorancë, nuk vlen të konsiderohen në studim.

Shkroi: Stop Injorancës !