Monday, February 25, 2013

Hija e një rrjeti klerikësh homoseksualë pas dorëheqjes së Papës

Vatikani i ka hedhur poshtë raportimet nga mediat italiane, që e lidhin dorëheqjen e Papës me një dosje sekrete, ku pretendohet se ka një rrjet homoseksualësh brenda klerit.

Gazetat italiane flasin për një dosje sekrete nga tre kardinalë, që zbulon një rrjet të nëndheshëm me klerikë të lartë, që kanë organizuar festa homoseksualësh dhe janë përballur me shantazhe.

Gazeta “La Repubblica” pretendon se akuzat e rënda janë bërë në një raport të quajtur “Vatileaks”, që i është paraqitur Papës rreth datës 17 dhjetor.

Por Vatikani sot ka akuzuar mediat italiane se po shpërndajnë informacione false dhe të dëmshme, në përpjekje për të ndikuar kardinalët që do të mblidhen muajin tjetër në konklavë për të zgjedhur Papën e ri.

Raporti sekret është përgatitur nga kardinali spanjoll, Julian Herranz, kardinali italian, Salvatore de Giorgi dhe kardinali sllovak, Jozef Tomko.

Ata e nisën hetimin pasi maxhordomi i Papës, Paolo Gabriele u arrestua dhe u akuzua se kishte vjedhur dokumente sekrete të Papës.

“La Repubblica” pretendon se Papa Benedikti XVI ka dhënë dorëheqjen pasi nuk mund të përballej me pasojat e raportit me 300 faqe.

Gazeta thotë se hetimi ka zbuluar se ekziston një lob homoseksualësh brenda kishës, që ka njëfarë kontrolli mbi karrierën e atyre në Vatikan.

Ata organizonin takime seksuale në disa ambiente në Romë dhe në Vatikan, duke i bërë ata shumë vulnerabil ndaj shantazheve. (Tema)

No comments: