Yjet e detit
Një plak dilte çdo ditë në mëngjes dhe shëtiste përgjatë bregdetit. Ditëve të fundit kishte vënë re një djalë, i cili përkulej dy a tri herë, merrte diçka në dorë, e hidhte drejt detit dhe ikte në shtëpi.
Të nesërmen plaku kureshtar u ndal dhe thërriti: “ O çun, ç'po bën ashtu?”
Djaloshi u ngrit, vështroi plakun dhe shtoi: “ Po i hedh yjet në det. Pati një baticë të madhe dhe dielli po përvëlon. Nëse nuk e bëj unë, atëherë ato ngordhin.”
- “Po plazhi është dhjetëra kilometra i gjatë", tha plaku. "Atje janë mijëra yje të detit. Ajo që po bën ti, nuk ka fare kuptim.” Djaloshi u ngrit, pa plakun me një buzëqeshje dhe pa i bërë përshtypje dekurajimi i tij, u përkul përsëri, mori edhe një yll dhe duke e hedhur në det i tha plakut me zë të lartë: “ Për këtë që po e hedh tani, ka kuptim!” -dhe vrapoi drejt shtëpisë së tij.
Nga gjermanishtja / Aus dem Deutschen ins Albanische übersetzt von
Lis Bukuroca
Gozhdët
Një çun kishte një karakter shumë të keq. Një ditë i ati i dha një thes me gozhda dhe i tha të birit se ai duhet ta ngulë një gozhdë në shtyllë të gardhit, sa herë që humbiste durimin apo sa herë që zihej me dikë.
Ditën e parë i nguli çuni 37 gozhdë. Javët që pasuan mësoi ta kontrollojë veten dhe numri i gozhdëve që duhej t´i gozhdonte, ulej çdo ditë. Ai mësoi se ishte më lehtë ta kontrollonte veten, se sa të ngulë gozhdë vazhdimisht në gardh.
Pastaj erdhi dita, në të cilën djaloshit nuk iu desh ta ngulte asnjë gozhdë. Shkoi tek i ati dhe i tha atij se sot nuk kishte përdorë fare çekanin dhe nuk kishte ngulur asnjë gozhdë.
Kur pa këtë babai, atëherë i tha se tani duhet të shkulë një gozhdë nga gardhi, sa herë që mund ta përmbajë veten nga zemërimi dhe sa herë që tregon durim.
Shumë ditë kaluan, një ditë erdhi ajo ditë ku djali i tha babait se ai i kishte shkulur tashmë të gjitha gozhdët.
I ati e mori çunin për dore dhe shkuan te gardhi: » Biri im, këtë e ke bërë shumë mirë, mirëpo shiko sa shumë vrima ke lënë pas. Gardhi nuk do të bëhet kurrë siç ishte dikur. Kur ti zihesh me dikë dhe e ofendon me fjalë të rënda, atëherë do t´i lësh atij plagë mu si këto vrima.
Ti mund ta lëndosh një njeri me një thikë, ti heq thikën përsëri, mirëpo pas do të lësh një plagë. Është krejt e parëndësishme se sa herë ti kërkon ndjesë, plaga mbetet aty. Një plagë e shkaktuar me fjalë të rënda, dhembë gati po aq shumë sa edhe një lëndim trupor.
Shokët janë margaritarë të rrallë; ata të bëjnë të qeshësh dhe të mbështesin. Ata janë gjithmonë të gatshëm të të dëgjojnë kur ke nevojë. Ata janë gjithmonë pranë teje dhe janë të sinqertë. Tregoju shokëve tu se sa shumë i do.
Ps: Thomas Glass nga Univesiteti i Harvardit pas një ankete që bëri me 2700 veta të moshës mbi 65 vjeçare erdhi në përfundim se shokët i zgjasin jetën njëri tjetrit deri në një të tretën. Glas konstatoi i habitur: » Ne e dinim tashmë se kontaktet sociale zgjasnin jetën, mirëpo për ne ishte e panjohur se kishte kaq shumë ndikim! « Vetëm partnerja apo partneri i jetës nuk mjafton për lumturi. Dashuria mund të vijë dhe të shkojë, shokët mbeten po ata.
Nga gjermanishtja
Lis Bukuroca
No comments:
Post a Comment