Shkrimi jo korrekt i gjuhës shqipe nga studentët, apo
mosdija elementare mbi gjuhën amtare, ka sjellë edhe njëherë në
vëmendje misionin e madh për futjen e gjuhës të paktën si lëndë me
zgjedhje në fakultete.
Dhe jo vetëm në profile ku janë të nevojshme njohuritë por edhe në
degë të cilat edhe pse nuk e kanë kusht parësor të formimit, e shikojnë
të nevojshme rikthimin e leksioneve të gjuhës. Në disa fakultete
mësimi i Gjuhës Shqipe do të nisë të futet si kurrikulë semestrin e
dytë. Fillimisht si lëndë me zgjedhje. Ndërkohë që për të tjera do të
nisë nga praktikimi vitin e ri akademik. Pedagogët janë me duar të
lidhura.
Ata ia faturojnë të keqen edukimit të mangët në ciklin 9-vjeçar dhe atë të mesëm. Tezat e provimeve, detyrat e kurseve, janë dëshmia më trishtuese e nivelit të gjuhës shqipe te studentët e sotëm.
Alfred
Mullaj, pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, tha se futja e
Gjuhës Shqipe si lëndë me zgjedhje është domosdoshmëri pasi ata nuk
dinë të shprehin qartë në të shkruar idetë e tyre. Madje kanë
probleme të rënda në formulimin e fjalive. “Duhet të forcohet kërkesa në
shkollë të mesme. Por, për momentin për vetë problematikën që kemi
duhet të futet si domosdoshmëri në universitet.
Duke iu referuar fletëve të provimit, pothuajse gjysma e studentëve nuk dinë të shkruajnë.
Ata shkruajnë fjali të ndërtuara jo mirë, kanë probleme me anën
kuptimore etj. Mbi bazë të atyre që shkruajnë ne e kuptojmë se cilat
janë njohuritë e tyre dhe mangësitë që kanë.”
Kjo kategori, përbën pjesën më të madhe të studentëve.
Prandaj, këtë vit është parë e domosdoshme që Universiteti i Tiranës,
në bashkëpunim me Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë dhe
Departamentin e Gjuhës Shqipe, ta merrnin këtë nismë për të hartuar
tekstin si edhe për të rishikuar mënyrën se si mund të funksionojë
Gjuha Shqipe në fakultete. Shezai Rrokaj, dekani i Fakultetit të
Historisë dhe Filologjisë, informon Gjuha Shqipe do të përfshihet në
Fakultetin e Ekonomisë në vitin e ri akademik. Mbetet për t’u parë
zgjedhja që do të bëjë Universiteti i Mjekësisë, i cili më herët kishte
premtuar që do ta bënte pjesë të kurrikulës së universitetit. Për
mësimin e Gjuhës Shqipe do të punësohen pedagogë nga dega e Gjuhësisë.
Lënda e re do të njihet si “
Kulturë gjuhe”, e cila
synon marrjen e rregullave bazë nga studentët. Çdo degë ka një program
bazë të gjuhës dhe pjesa tjetër është specifike në përshtatje me degën.
Me studentët e juridikut do t’i kushtohet rëndësi e veçantë pikësimit,
veç drejtshkrimit. Kjo sepse në fushën e drejtësisë është shumë e
rëndësishme çdo shenjë gjuhësore. Mungesa e një presjeje është po aq e
rëndësishme sa edhe një fjalë e hequr. Në disa degë të tjera do t’u
kushtohet rëndësi modeleve të fjalëformimit dhe pasurisë leksikore të
shqipes, që do t’i ndihmojë studentët të shmangin
huazimet e tepërta.
Murat Xhulaj
“Në fletoret e provimeve e shkruajnë emrin me të vogël”
Prof.
Dr. Murat Xhulaj, pjesë e senatit të UT-së shprehet se pjesa më e
madhe e studentëve nuk dinë të shkruajnë as emrin e tyre. “
Unë
jam i mendimit që Gjuha Shqipe të futet në Universitet. Po të shohësh
fletoret e provimeve edhe emrin e tyre e fillojnë me shkronjë të vogël
dhe e përfundojnë me të madhe.” Profesor Xhulaj thekson se kjo
situatë duhet të ishte zgjidhur që në sistemin 9-vjeçar ose të mesëm.
Ai thekson se të gjithë studentët duhet ta zgjedhin lëndën e Gjuhës
Shqipe, sepse edhe ata që janë të mirë kanë nevojë për rifreskim të
njohurive bazë. “
Nuk e di ku është defekti, por vijnë shumë të dobët. Ata nuk do të bëjnë një kurs të hollësishëm, por duhet ta rikujtojnë. Duhet të forcohen kërkesat për njohjen e gjuhës.”.
Theodhori Karaja
“Gjuha Shqipe, lëndë me detyrim për studentët e Fizikës”

Prof.Dr,
Theodhori Karaja, përgjegjës i Departamentit të Fizikës, tha se për
studentët e këtij departamenti, Gjuha Shqipe do të futet si lëndë me
detyrim.“Ne e kemi planifikuar sipas porosisë së UT –së në lëndët me
zgjedhje. Kemi një grup me katër lëndë me zgjedhje, ndër të cilat
Gjuhën Shqipe, të cilën ta vendosim me detyrim. Do ta fusim të detyruar
për të gjithë studentët, pasi është fjala për një kulturë të
përgjithshme që i takon shkollës së mesme dhe ata nuk i kanë njohuritë e
mjaftueshme” Kur e pyesim nëse do të ketë efekt futja e saj në
kurrikulat e arsimit të lartë, ai thekson se ka besim se futja e gjuhës
në universitet do të japë efekte pozitive.
Nëpërmjet gjuhës studentët do të marrin kulturën bazë, e cila është detyrim që çdo specialist duhet të dijë të shkruajë.
Emanuela Sako - G. Shekulli
No comments:
Post a Comment