Banorët e zonës verilindore festojnë sot ditën e Arbainit (dimrit të egër), largimin e dimrit të egër, një festë pagane, tradicionale për banorët verilindor. Pas kësaj dite, banorët fillojnë të mendojnë për punët që ofron stina e pranverës.
Rrezet e diellit ishin sot të parat që paralajmëruan motin e mirë në të gjithë zonën verilindore, edhe pse faktikisht ndodheni në mesin e stinës së dimrit.
"Në një ditë feste, me një mot të tillë, kjo ditë bëhet me e gëzueshme",- thotë Agron Rexhepi, pronari i një lokali në Kukës, i cili e ka hapur më herët lokalin e tij për të pritur klientët në këtë ditë feste.
Po rrugë, apo fshatrat ë izoluara, ka?, e pyesim.
"Festë pa mish nuk ka. Në këto ditë dimri mishi i pulës është më i shëndetshëm", thotë Hyrmet Selami, një prej tregtarëve kuksianë.
Ndërsa rrugët gumëzhijnë, nikoqiret kanë përgatitur gatimin karakterisitik të mesit të dimrit. Është flija, pa të cilin askush nuk do ta kalojë mesin e dimrit. Po ashtu, mishi i thatë e në mungesë të tij pula e pjekur.
"Është respekt edhe për kohën, ajo duhet respektuar, edhe pse dimri është i ftohtë, e duke e respektuar, vjen e mbarë më pas",- thotë mësuesja Lumturi Hyseni. Ajo tregon se gjithcçka e ka përgatitur që në orët e para të mëngjesit. "Që të mos mungoj në shkollë",- thotë ajo.
Kur nis Arbaini? (dimri i egër)
Janë plot 40 ditë të dimrit të egër. Sot është dita e parë dhe zgjat deri në fillim të shkurtit. Në dimrin e egër të moçmit thonë se "t'u ra dielli ka ngordh ujku", pra as ujku nuk është mirë të dalë në këto ditë, pasi nuk e duron dot të ftohtin. Po thonë se në këto ditë "ujku ka leje të hajë njeriun, nëse e gjen jashtë portës së shtëpisë".
"Arbaini menjëherë tregon se ka ardhur. Mbrëmë gjatë gjithë natës ulërimat e ujqve në afërsi të qytetit, afër vendit të hedhjes së plehrave nuk kanë pushuar. Sa, nuk na kanë lënë të flejmë në shtëpi",- thotë Jonuz Cengu, i cili ka shtëpinë në periferi të qytetit.
Banorët e zonës verilindore i njohin mirë këto ditët e arbainit. Ndaj dhe përgatiten me kohë për t'i përballuar ato, sepse janë ditët e dimrit të egër me të cilin janë mësuar të mos bëjnë shaka. Duke përgatitur çdo shtëpi rezervat ushqimore arbaini i ka bërë banorët e fshatrave që çdo shtëpi të ketë një bodrum ku mban zahiretë e dimrit. Bodrumi i ngjan një frigoriferi të madh natyral ku brenda gjen gjithçka, që nga mielli për bukë, te turshitë e lloj llojshme e deri te rakia për miqtë e mishi i thatë.
Dëbora në ditët e arbainit është mbarësi
Dëbora dhe ngricat janë të zakonshme në ditët e arbainit. Por nëse ngricat sjellin shqetësim, dëbora është më tepër mbarësi. Pasi mbron të mbjellat nga ngricat e gjithpushtetshme. "Në ditët e arbainit, shqetësim janë ngricat edhe pse janë të zakonshme, ndërsa dëbora i ngjan një jorgani për të mbjellat, pasi i mbron nga ngricat",- thotë 68 vjeçari Mursel Gjuta.
Ai shton se, kësisoj si këtë vit nuk është ndeshur që ditët e arbainit të hyjnë me diell. Ndoshta për të ndihmuar më shumë të varfërit. Por dimri nuk harron. Ndaj mos u gëzoni për diellin e sotëm, pasi nesër apo pasnesër dihet çfarë sjell arbaini.
Por për banorët verilindorë sot është një ditë ndryshe nga ditët e tjera të zakonshme, pasi ata sot ndajnë të njëjtin gëzim, festën e tyre pagane, largimin e dimrit të egër.
No comments:
Post a Comment