Monday, February 25, 2013

S'ishte e thënë të ishim bashkë!


Edhe ai ylli ynë vezullues që vështronim çdo natë në qiell është zhdukur. Dritat e tij që na magjepsnin, paskan qenë përpëlitjet e agonisë së tij.



"Kur ndjehem keq, dua të jem pranë teje
e kur ndjehem mirë, s'dua të largohesh."

Këto ishin vargjet modeste e të sinqerta që dikur shkrova, për ty që sot ke krijuar një lidhje të re, familjen tënde e ndoshta je shumë e lumtur. Ose më mirë, për atë që je dhe jep, jam shumë i sigurt që je e lumtur. Nuk e di nëse në ndonjë çast hutimi a zbrazëtie, kujtimet të kthejnë tek unë, por do doja të dije se edhe unë jam i lumtur.
E megjithatë, e mbaj mend akoma që të kam premtuar se një ditë kur ti të plakesh dhe ulur buzë një stoli do vështrosh nipçet e tu si luajnë në park, unë do vij dhe do ulem pranë teje, të të përqafoj edhe njëherë si atëherë.
Nuk e di nëse ti je dashuria ime e vërtetë, apo thjesht dashuria ime e parealizuar, por dua të dish që ndonjëherë ndodh të më kujtohesh.
Jetojmë në një qytet, si në poezinë "Mall" të Kadaresë, por ndryshe nga atje, nuk shihemi kurrë.
Nuk e di pse dhe si, kur brenda vetes besoja se të dashuroja, seksin me ty nuk e mendoja kurrë. Jo se nuk do më pëlqente, e kam shijuar edhe me femra, që femra i bënte veç akti seksual, por diç' tjetër, mbase më e madhe, më tërhiqte pas teje.
Nuk kishte si shpjegohej ndryshe ajo natë që gdhimë bashkë në një shtrat, ku unë edhe pse i dëshiroja aq shumë buzët e tua, nuk guxova asnjë moment. Mbase, mbase ishte pikërisht ajo natë që të pushtova zemrën.
Kur diskutonim bashkë nuk ngopesha duke të parë, jo pse ishe e bukur sepse e bukur ishe vërtetë, por sepse kur viheshe në siklet reagoje plot stil. Një stil i një vajze çapkëne të përkëdhelur, një kapriçoze arrogante që rrezantote mirësi, dashuri e zgjuarësi.
Kisha kaq shumë frymëzim dhe energji pozitive kur rrinim bashkë, sa miljona fjalë mundoheshin të dilnin njëherësh në gojën time dhe si përfundim, asnjë fjali s'dilte e saktë.
M'u kujtua tani propozimi im. Ndoshta guxoj shumë ta quaj propozim, por ja që s'lashë tjetër, veç tij. "Shiko, dëgjo, të tjerët mendojnë se ne të dy..., atëherë pse ne të dy mos..?! Domethënë, dua të them me një fjalë, fjalët për ne kanë dalë, ç'ndryshim ka nëse ne...?"
Më vjen akoma të qesh me veten me këtë propozim supost kaq diletant, por ç'nevojë kishte për propozim vallë?! Unë bëja "muuuu" që të dëshiroja dhe pse kamuflimi ishte arti im.
Dilnim çdo pasdite bashkë dhe kur ndodheshim në shoqëri të ndryshme, nuk më zinte vendi. Çastet pa ty më dukeshin kohë e humbur pa peshë. Do doja dhe besoj të ketë qenë edhe për ty e njëjta ndjesi, e nëse jo, ta dish që e humbura këtu je ti, pa provuar një emocion si ky.

As tani nuk e di saktë pse u ndamë, si pasojë e ofertave të tua joshëse në rritje, si pasojë e ëndrrave me princ të kaltër të trashëguara nga pubertiteti, apo si pasojë e arrogancës sime, që donte të të tregonte se mund të jetoja shumë mirë edhe pa ty. Ama më kujtohet fare mirë se kur ishim bashkë, ti shpesh më bezdisje kur aq naivisht më flisje rreth meshkujve që kishin guxuar të hynin në jetën tënde dhe kështu, unë ndoshta vendosa të mbes në kujtesën tënde, duke u larguar.

Por mbetem vërtetë i kënaqur që të njoha e për disa kohë isha personi më i rëndësishëm për ty. Ndoshta në një tjetër jetë, në të tjerë trupa, do zgjidhnim ndryshe.
Këtë jetë, s'ishte e shkruar, e nuk e shkruam, as unë as ti!

Shkroi: Stop Injorancës !

No comments: