Monday, February 25, 2013

Lufta e Enver Hoxhës, si e shembëm institucionin e fesë


6 shkut 1967/ Flet prof. dr. Hulusi Hako: Unë, lektori që propagandova luftën kundër fesë. Guximi i shtetit të parë në botë, që kërkoi të instalonte ateizmin. Deklarata: “Po u përballa me Zotin, do t’i këpus kokën”-Sot, në moshën 83 vjeçare, Prof.Dr. Hulusi Hako thotë se as rënkon e as çalon fizikisht, madje shton se bën jetë të mirëfilltë intelektuale “sa për gjimnastikën e trurit”. Madje shprehet serbes se: “Veç ta gjeja Zotin, se do t’ia merrja shpirtin”. Sipas tij tendenca serioze për ta kthyer Shqipërinë një shtet ateist, buronin nga shkenca e filozofia marksiste-leniniste, që ushqeheshin dhe nga traditat solide kombëtare e popullore fetare dhe apatike ndaj klerit. Ai kujton, duke qeshur, disa “grimca”, me të cilat do të ndeshej në jetë. Sapo kishte vendosur që të bëhej propagandues i ateizmit, ndërsa reagimet e para do ta përkrahnin, e padyshim do ta urrenin. Ai kujton se, në vitet ´60, pasi, botoi në “Zëri i Popullit”, artikullin për problemet e edukimit ateist, i erdhi një kartolinë nga fshati Tale i Lezhës, ku shkruhej: “Kush je ti more, që guxon të shash fe e Shënando, që shqiptari i ka bash me Besë e Atdhe”.
Çfarë u kujton 6 shkurti 1967? 
Në atë kohë do të thoshim se na kujton fjalimin programatik të Enver Hoxhës, për lëvizjen revolucionare kundër fesë e zakoneve prapanike.
Sa fetarë janë shqiptarët? 
Shumë të huaj kanë pohuar, mbështetur në shkaqe e rrethana historike, se shqiptarët janë populli më pak fetar i botës. Është edhe kjo gjendje që kushtëzon e ka gjeneruar tolerancën ndërfetare midis shqiptarëve, ndryshe nga fanatizmi që ka atribut intolerancën e mbetet një premisë dhe terren për t´u keqpërdorur. Feja u rehabilitua në Shqipëri, sepse u restaurua kapitalizmi. Në rrjedhën e sotme të proceseve drejt BE-së, një afishim i prirjeve ateiste do të ishte ku e ku më i pëlqyer sesa gogoli shqiptar i ndonjë fundamentalizmi, me të cilin fqinjët tanë mashtrojnë veten, u hedhin dhe të tjerëve hi syve. Gjithashtu mund të them se Marksi ka shprehur idenë se “partia e klasës punëtore, duke lënë të lirë besimin fetar, synon çlirimin e ndërgjegjes së punonjësve nga prangat shpirtërore të opiumit fetar. Kjo është strategjia”. Lidhur me këtë vjen edhe një tjetër klasik i marksizmit, Frederik Engels, i cili shprehet se “shërbimi më i mirë që mund t´i bëhet idesë së Zotit është shpallja e ateizmit simbol i detyruar”. Ky konkluzion lidhej me disa veprime të nxituara e sektare të Komunës së Parisit më 1871, që mbylli 20 kisha. Megjithatë, komunarët kishin grumbulluar një duf kundër kishës katolike. Në këtë kontekst, ajo që e ekspozoi keq dhe e vuri në pozitë delikate Shqipërinë Socialiste, para Perëndimit ishte Kushtetuta e vitit 1976 ku thuhej: “Shteti nuk njeh asnjë fe, zhvillon dhe përhap propagandën ateiste”. Më keq akoma ishte formuluar neni 55 i Kodit të Procedurës Penale që vendoste dënimin “agjitacion dhe propagandë fetare” njëlloj si atë “propagandë fashiste luftënxitëse”.
Ku e ka pikënisjen formimi juaj si ateist?
Të veçantat, personalet, në këtë formim e në krejt procesin e akumulimit jetësor shkencor, kanë nisur që në fëmijëri. Në familje, nëna ime, atëherë me pesë fëmijë dhe në skamje, përkundrejt pyetjes sonë se ç´do të hanim në darkë, na përgjigjej: “Ç´të na japë perëndia”. Por dominues në gjykimet e saj ka qenë skepticizmi i shfaqur me arsyetimet: “Gjithë këto vuajtje, sëmuren dhe vdesin fëmijë, bëhen luftëra e padrejtësi; ku është ky Zoti, që nuk ndërhyn dhe nuk vë dorë?” Kështu, në ngarkesën time shpirtërore, emocionale, diktoi e dominoi jo mësimi i fesë në shkollën fillore, me formatet e kohës, por realizmi i nënës. Megjithatë, edhe qyteti i Delvinës, ku jam lindur dhe rritur, nuk dallohej për ndonjë jetë fetare të theksuar.
Sa ndikoi arsimimi në pikëpamjet tuaja?
Më takoi të v studjoja në Fakultetin e Filozofisë, në Universitetin “Lomonosov”, Moskë. Këtu u konsolidua edhe më botëkuptimi im shkencor-ateist. Ai u bë në të njëjtën kohë ndërgjegjja dhe mendimi im. Në planin mësimor të fakultetit, zhvillohej edhe lënda e ateizmit shkencor. Në qershor 1958 mbrojta përpara Komisionit Shtetëror diplomën me temë: “Roli reaksionar i Islamizmit në Shqipëri”. Tema përbënte një risi për komisionin, i cili e vlerësoi maksimalisht, duke e shoqëruar me fjalët: “Urime në punën në edukimin shkencor të masave punonjëse në Shqipëri”.
Çfarë bëtë pas kthimit në atdhe? 
Fakulteti, tema e diplomës dhe urimi i profesorëve sovjetikë, përbëjnë një premisë, mundësi reale, e cila u bë realitet dhe mori jetë, pasi u ktheva në atdhe, ku më emëruan pedagog të filozofisë marksisteleniniste në Universitetin e Tiranës. Materializmi dialektik ishte lënda e mendjes, ndërsa ateizmi shkencor u bë fusha kërkimore, tema e kualifikimeve të mëtejshme dhe lënda e militimit në frontin ideologjik. Pas kësaj do të botoja mjaft materiale në organe qendrore e lokale. Kam qenë lektor në takime e biseda me kolektiva nxënësish, punonjësish apo dhe ushtarë të reparteve ushtarake, në qytete, fshatra, në aktive dhe seminare.
Çfarë përmbanin leksionet tuaja? 
Fryma ideologjike dhe kulturore, sipas orientimeve të partisë në pushtet, bazohej në mësimet e Marksit. Partia e klasës punëtore, duke lënë të lirë ushtrimin e kultit fetar, synon çlirimin e masave punonjëse nga prangat shpirtërore të opiumit fetar. Anëtari i partisë, si rregull, nuk pajtohej me mbajtjen e besimeve fetare, besëtytnive e zakoneve prapanike. Ai duhej të ishte pararojë dhe të jepte shembullin e tij personal në familje e në proceset e emancipimit shpirtëror. Por, juridikisht, parimi demokratik i lirisë së ndërgjegjes ishte i sanksionuar në veprim. Po peshorja anonte nga ateizmi shkencor. Edhe komunitetet fetare ishin të lira. Besimtarët bënin jetën e tyre, por frekuentimi i faltoreve ishte në rënie. Të gjithë faktorët e jetës vepronin në disfavor të fesë. Përpjekje të mëdha politike u bënë nga qeveria në vitet e para të pushtetit popullor, për ta ndarë kishën katolike në Shqipëri nga “Selia e Shenjtë”, Vatikani. Pra, u bënë përpjekje që të shkëputej ajo organizativisht dhe të kishte statusin e vet. Por kjo ishte parimisht e pamundur. Nga Vatikani, si organizëm fetar ndërkombëtar, mund të shkëputesh vetëm si herezi fetare, siç u ndanë në Evropë format e protestantizmit. Rezistimi dhe deri-diku rezistenca e arkipeshkvit shqiptar ishte bindëse dhe e justifikueshme, nisur edhe nga zbatimi i parimit: “katolicizmi, ose me atin e shenjtë, ose hiç fare”.
Cili ishte roli i Enver Hoxhës në luftën kundër fesë?
Fushata për goditjen e fesë, bestytnive dhe zakoneve prapanike, u vunë në qendër të vëmendjes jo vetëm të udhëheqjes së partisë, sektorit të propagandës, por edhe të gjitha organizatave bazë të partisë, komunistëve, të veprimtarëve të organizatave të masave dhe të shtypit. Kuvendet dhe mbledhjet, anembanë Shqipërisë, nuk reshtnin atë pranverë të vitit 1967. Ishte një debat i fuqishëm ku, para gjyqit të arsyes, delte gjithë bagazhi negativ i të kaluarës. Vetë Enveri fliste për hapa të matura, për krijimin e bindjeve në çështjen e mbylljes së faltoreve. Ai orientonte punën e partisë edhe me idenë se të besuarit nuk është faj, por një fatkeqësi e njerëzve. Por, fakti është se edhe atë e përfshiu vrulli dhe entusiazmi masiv. Them se Enveri është nga të pakët personalitete shtetërore, pas klasikëve, që është prononcuar më shumë për problemet e fesë. Dhe jo vetëm kaq, por ka reaguar sistematikisht në rrjedhën praktike të lëvizjes kundër fesë. Sigurisht prononcimet e tij kanë qenë në rezonancë me veprimtarinë e masave dhe madje në amplifikim të aksioneve të tyre. Është i njohur pozicionimi i Hoxhës, si ateist që në kohën e Luftës NaÇl. Por partia në ato vite u bëri thirrje dhe komuniteteve fetare e klerikëve, që, duke u bazuar në ndjenjën atdhetare, të kontribuonin në kauzën e çlirimit. Pas çlirimit, ai do të afishonte botëkuptimin materialist, ateist- shkencor, ide e cila mishërohej në të gjithë jetën politike, arsimore të vendit.
“I dënuar me vdekje” nga Vatikani 
Rreth 30 vjet më parë, shumë qytetarë të Tiranës, teksa shihnin Hulusi Hakon të shëtiste në rrugë, apo të nxitonte për së auditor, shpreheshin me zë të ulët: “Ja ky që është dënuar me vdekje nga Vatikani!”. Hulusi Hako thotë “E gjitha ishte një thashetheme, që nisi në ambientet e studentëve. Për shkak të lëndës, kishte shumë thashetheme, ndërsa ajo e dënimit me vdekje ua kalonte të gjithave. Në fillim nuk u shqetësova nga kjo shaka. Por më vonë, thashetheme u përhap shumë, aq sa u krijua bindja se ishte e vërtetë. Shumë njerëz akoma kujtojnë se Vatikani më kishte dënuar me vdekje. Ndërsa unë them se kjo ishte një shaka e tepruar”.
“Për dashurinë, do t’i jepja perënditë”
Hulusi Hako thotë: “Mbasi u mbyll kapitulli i merakut të familjes, se mos sillja ndonjë ruse nga BS, nën presionin e familjes, vendosa ta përqendroj vëmendjen te një vajzë, të cilës i shkrova edhe një mesazh në një copë letër. Ajo më tha se i kishte pëlqyer kjo gjë, por ndër të tjera më përmendi se isha mysliman. Aty për aty mendova se ajo nuk e kishte kuptuar se për atë dashuri me shikim të parë, unë do të sakrifikoja të gjitha perënditë dhe shenjtorët. 
Hulusi Hako citon: Rehabilitimi i institucioneve fetare në tranzicion
Përjetimin po e shpreh me idenë lapidar të të paharruarit Sabri Godo se: " Në Shqipëri nga monizmi në tranzicion u kalua dhe nga njëri ekstrem në tjetrin, nga mohimi me dhunë i gjithçkaje që lidhej me fenë, në servilizmin banal të shtetit ndaj fesë."
Rreth Dramës “Shën Mëria e Beratit” të Namik Dokles 

As kanë për të vënë mend ndonjëherë klerikët përderisa janë të mbërthyer nga disa dogma arkaike, me tabutë që i diktojnë ato dogma dhe mjedisin politik që përkëdhel fenë. Një ide a subjekt para se të preket e shahet duhet të mos katandiset në këtë pikë. Në dramën e Namik Dokles nuk gjeta asnjë fjalë të tillë, ndërsa veprat më të mira artistike botërore pasqyrojnë një akuzë të fuqishme kundër klerikalizmit dogmave fetare dhe strumbullarit ku vërtiten të gjitha besimet monoteiste emrit me tre germa ZOT. Reagimi i Mitropolisë nuk më ngjan të jetë ‘Korçare e mirëfilltë’ është mbytje e obskurantizmit e fjalës së lirë e fyerje e rëndë e parimit të lirisë së ndërgjegjes”, thotë Hulusi Hako.


Leonard Veizi

Shekulli

1 comment:

Anonymous said...

Me ndalue fene me force ose me e imponue me force asht e njajta.
Asht bukur me fole keshtu si ky n'aspektin teorik por do ishte mir me u njoftue edhe me vuejtjet e njerzve te pafajshem qe u burgosen u keqtrajtuen dhe qe u pushkatuen vetem sepse nuk deshen te bahen ateist ME ZOR!