
Është vënë re, në harkun e viteve të fundit, se mbi
bazën e metodës “moderne” të shtjellimit të Historisë dhe në emër të
“së vërtetës historike”, në fakt lexojmë shpalosjen e tezave
anti-shqiptare të dy shekujve të fundit (19-20)
mbi historinë e popullit, figurat e shquara dhe Shtetin Shqiptar. Boshti rreth së cilës shtjellohen këto shkrime është:
Shqiptarët
janë fajtorë për copëtimin e trevave të tyre, për urrejtjen,
shovinizmin dhe genocidin e ushtruar nga fqinjët e tyre, se Shteti
shqiptar po bën një luftë të fshehtë ndaj komunitetit fetar ortodoks,
dhe “politika bizantine shqiptare … ka reminishencat raciste, osmane në
kuptimin e drejtimit të vendit dhe të marrëdhënieve me jashtë”.
Përse duhet t’iu kushtojmë vëmendje shkrimeve që haptas janë sajesa dhe s’kanë asnjë mbështetje të fakteve historike ?
Siç shprehej studiuesi i metodës historike Marc Bloch, edhe në
shkrimet ku shtrembërohet historia, studiuesi mund të gjejë fakte që
plotësojnë pasqyrimin e realitetit të kohës. Në këtë kënd-vështrim,
dobia e trajtimit të këtyre shkrimeve, është se këto ide, vërehen edhe
në disa shkrime, debate televizive dhe median elektronike të autorëve
të tjerë shqiptarë dhe të huaj. Pra është një realitet i sotëm i
medias dhe ideve që qarkullojnë në shoqërinë shqiptare dhe më gjerë.
Një nga tezat qendrore është ajo e
“fajësisë” së
shqiptarëve si bashkëpunëtorë të forcave pushtuese. Kjo tezë nuk është e
panjohur për popullin tonë. Letra e “rrezikut shqiptar” është luajtur
gjithmonë në tavolinat ndërkombëtare prej shteteve fqinje, për t’iu
paraprirë kërkesave për pushtim. Kështu “viktima” greke, ju kërkonte
Fuqive të Mëdha ta lejonin ta shtynte kufirin e saj deri “në malet
Akrokeraune, në vijën që kalonte në distriktin e Himarës dhe që
vazhdonte në lindje deri në Liqenin e Ohrit...dhe një shkëmbim të
popullsive “greke dhe shqiptare në kushte humane dhe të barabarta”. Si
variant më të mirë, sugjeronte krijimin e shtetit federativ
greko-shqiptar, si “minimumin e pranueshëm” nga “epirotët” për
ruajtjen e paqes në Ballkan”. Miti i “fajësisë” së shqiptarëve,
ushqehej jo vetëm nga letërkëmbimi i diplomacisë serbe apo greke, por
edhe nga institucionet arsimore dhe kulturore të këtyre shteteve. “Më
29 qershor 1945 Akademia e Shkencave greke deklaronte: Populli grek
nuk mund të rrijë indiferent kur grekët e Vorio-Epirit vazhdojnë të
masakrohen, të asgjësohen nga një popull që është ende në fazën
parahistorike të zhvillimit, pa as një literaturë dhe pa asnjë
shkencë, që ka vetëm një alfabet që e ka marrë hua... “. Siç vërehet,
“fajësia” nuk qëndron vetëm tek “masakrat” ( asnjëherë të dokumentuara)
të kryera nga shqiptarët, por edhe sepse janë “
një popull i prapambetur...”.
Po kështu risjellja e “fajësisë” së shqiptarëve të kohës osmane,
bëhet për të krijuar lidhjen historike të veprimeve “kriminale” të
popullit tonë, me ditët e sotme. Në mungesë të dokumentacioneve,
shfrytëzohen “romane horror” që shkruhen edhe nga personalitete
europiane, siç ka qenë:

Transplantimi i organeve të robërve serbë, krimet e shqiptarëve gjatë luftës së Kosovës (1998-1999) dhe sidomos “Gozhda e ndryshkur e Nastradinit”-
diskriminimi i minoritetit grek në jug të Shqipërisë”.
Mbi bazën e kësaj letërsie të llojit racist në vitin 2002 nëpër
rrugët e Selanikut shoqatat “Vorioepirote” shpërndanin fletushka
kundër Shqipërisë dhe kërkonin ndërhyrjen e NATO-s për të “shpëtuar”
rreth 80 mijë minoritarë grekë që jetojnë nëpër disa fshatra të
Sarandës, Gjirokastrës nga gjoja “terrori” që ushtrojnë shqiptarët
kundër tyre.
Për të trija këto akuza, megjithë gjyqet, komisionet dhe verifikimet e ndërkombëtarëve, nuk është dëshmuar asnjë fakt.
Qytetarët europianë e më gjerë, konsumues të masmedias dhe deklaratave
të papërgjegjshme të disa politikanëve apo funksionarëve , ndikohen
nga “fjalët” dhe askush nuk ju dëshmon të kundërtën.

Shteti
ynë mjaftohet me rolin e mikpritësit të komisioneve hetimore dhe jo
të përfaqësuesit të një populli të damkosur, që kërkon përgjegjësinë e
prishjes së imazhit në arenën europiane dhe botërore. Për
rrjedhojë, viktima (me cytjen e BE-së) ulet e çnderuar përballë
kriminelit të papenduar e të pandërgjegjësuar dhe këndohen hymne
fetaro-shtetërore, të “bashkëjetesës në kohën moderne”. Kongresmeni
Joseph J. DioGuardi më 25 Korrik 2008 në Kongresin e SHBA pohon se:

“
Është
ironike që plani i Ahtisaarit u jep serbëve në Kosovë të drejtat më
të mira të minoriteteve si askujt tjetër në Evropë, teksa ende kemi
shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi që jetojnë nën
kushte të aparteidit edhe sot”. Europianët që e kanë kaluar
këtë përvojë në kurrizin e tyre, nuk e kanë të vështirë të pranojnë, se
zgjidhja më reale për Ballkanin është pikërisht vendosja e popullsisë
shqiptare në kushte të barabarta me popujt e tjerë ballkanikë dhe
europianë.
Fatbardha Demi/Publiciste