
Lëvizja Vetëvendosje refuzon ftesën e kreut të PS-së, Edi Rama
për takimin që do të mbahej në datë 14 prill në orën 17.00 në Prishtinë.
Në një deklaratë për mediat, Vetevendosje ka sqaruar arsyet e këtij
refuzimi dhe gjithçka tjetër që e motivon të mos jetë pjesë e këtij
takimi.
Qëndrimi
pro dialogut, vlerësimi i qeverisë së Thaçit, qëndrimi për 21 janarit e
koalicioni me LSI dhe qëndrimi për nacionalizimin janë arsyet pse
vetëvendosje nuk do të jetë në takim dhe që e ndajne me politiken e
Rames.
“Shqiptarëve ju duhen organizime progresive politike që
politizojnë shoqërinë, ekonominë e kombin, e jo konjuktura shtesë të
pushtetit që privatizojnë shoqërinë, ekonominë dhe idenë kombëtare. Me
këto struktura politike tashmë e kemi të qartë se Shqipëriadhe Kosova
edhe pas 23 qershorit do të jenë të njëjta sikur ato të 21 e 22
qershorit”- thote Vetevendosje.
Deklarata e Vetevendosjes
Njoftojmë publikun se e kemi refuzuar këtë ftesë, për arsyet e mëposhtme:
Së pari,
siç e kemi bërë të qartë përmes dokumenteve statutorë të Lëvizjes
VETËVENDOSJE!, ne si subjekt parimisht jemi të hapur për
bashkëpunim,pjesëmarrje dhe ftesa nga subjektet politike që organizojnë
takime tematike, që përkojnë me programin tonë politik, siç janë
bashkimi kombëtar, zhvillimi ekonomik i bazuar në prodhim, subjektivimi
politik i qytetarëve, emancipimi shoqëror, drejtësia dhe barazia. Këto
tema për ne janë prioritare, dhe ndaj tyre na lidh një besnikëri
politike, për hir të së cilës vijojmë të mbetemi këmbëngulës për
bashkëpunime që i çojnë përpara ato, dhe jo në tubime partiake ku
përqendrimi është te organizatori e jo te tema.
Së dyti,
rreshtimi dhe elozhet për kah Kryeministri aktual i Kosovës si dhe
partia të cilën ai drejton, na bën me dije se një keqkuptim i madh
qëndron në mes. Të mbështetësh sot, pa nevojë, dialogun e padrejtë
politik midis Prishtinës dhe Beogradit si dhe të afirmosh një forcë
politike e cila e ka futur Kosovën në një qorrsokak politik, ekonomik
dhe shtetëror, për shkak të papërgjegjshmërisë dhe korrupsionit, do të
thotë qëndrim në të kundërt të interesit të Kosovës dhe atij kombëtar.
Në ditën kur populli në Kosovës solidarizohej me shqiptarët në Preshevë,
Medvegjë e Bujanoc përmes një demonstrate masive, PDK-ja e
kryeministrit Thaçi mbante Konventën e vetë të Gjashtë Zgjedhore ku u
profilizua si parti e djathtë me parullën “Familja,Prona, Shteti” dhe në
të cilën z.Rama mori pjesë e thuri lavde për Thaçin.
Së treti,
Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes një komunikimi publik të kohës, ka bërë të
ditur qëndrimin e saj për çka ndodhi në Protestën e 21 janarit 2011 në
Tiranë, pas vrasjes së katër protestuesve. Aso kohe theksonim, siç
theksojmë ende edhe sot se në institucionet e shtetit shqiptar zakonisht
i shohim partitë pa popull kurse me 21 janar e pamë popullin pa parti,
të zemëruar me pozitën dhe të braktisur nga opozita. Ajo demonstratë
tregoi hendekun midis qytetarëve të pakënaqur dhe qeveritarëve të
vetëkënaqur, por edhe konfirmoi hendekun tjetër midis popullit dhe
opozitës. Shqiptarët e pakënaqur, kudo që janë, duhet të organizohen për
ta shprehur pakënaqësinë e tyre me gjuhën e vullnetit dhe interesit të
tyre. Përndryshe, pa organizim politik ka veçse përfitime partiake e
humbje kombëtare.
Në këtë frymë edhe qëndrimi më i fundit i
Partisë Socialiste të Shqipërisë për koalicionin e ardhshëm është i
papajtueshëm me vetë atë çka protesta shenjoi.
Shqiptarët kanë
arsye të forta për të protestuar për shkak të jetesës së mjerë,
nëpërkëmbjes së dinjitetit kombëtar dhe mungesës së perspektivës si
qytetarë. Koalicionet që zbusin apo mënjanojnë këtë frymë nuk janë në
shërbim të kombit shqiptar i cili është më i varfëri dhe me papunësinë
me të lartë në Evropë përderisa i ka politikanët më të pasur se gjithë
kolegët e tyre në Evropë krahasuar me buxhetin e shteteve përkatëse.
Së katërti,
disa konsiderata në lidhje me çështjen e nacionalizmit mes shqiptarëve.
Ne jemi të shqetësuar nga retorika që po përdoret diku për arsye
elektorale, diku për arsye ideologjike e cila njëson nacionalizmin me
konservatizmin, anakronizmin e prapambetjen duke deklaruar madje se
nacionalizmi është primitivizëm.
Është e udhës të theksojmë se nuk ekziston “një nacionalizëm”,të cilin
të mund ta përdorësh si vend grumbullimi për etiketime negative. Mes
shumë shfaqjeve të nacionalizmit, mund të dallojmë qartë dy grupe të
mëdha, nacionalizmin represiv pra, desubjektivues, shoven, imperial etj.
dhe nacionalizmin çlirimtar atë subjektivues, vetëvendosës, emancipues,
anti-kolonial që mëton barazinë mes kombeve.
Në rastin e Lëvizjes
Nacionaliste Shqiptare, për vetë kushtet e krijuara, ndjenja frymëzuese
që ka çuar përpara lëvizjen, e mbështetur gjerësisht prej popullit,
është kjo e dyta, pra nacionalizmi çlirimtar.
Po ashtu, termi i
preferuar si korrekt, “atdhedashuria”, nuk mund të themi se është
koncept emancipues, apo më i dobishëm, se nacionalizmi çlirimtar. Nëse
nacionalizmi çlirimtar qëndron për fuqizimin e shoqërisë dhe
komb-shtetit si mënyrë që siguron rezistencën ndaj shtypjes së padrejtë
në relacionet ndërkombëtare, “atdhedashuria” na rikthen në një situatë
vetëm emocionale, romantike, individualiste, e cila përgjithësisht nuk
themelon kurrfarë politike e dobie kolektive.
Atdhedashuri apo
nacionalizëm? Kjo është kundërthënie e rrejshme. Në SHBA, si një
‘melting pot’ që është, flasin për patriotizmin meqë nacionalizmi i
nxjerr njerëzit irlandezë, polakë, shqiptarë etj. Në Evropë, kemi
nacionalizmin, dhe ai mund të jetë i ndryshëm nga patriotizmi, deri
diku, vetëm në ato pak shtete si Zvicra e Belgjika (çfarë nuk është
Shqipëria, natyrisht). Kjo kundërthënie e rrejshme është edhe më e
dëmshme seç duket sepse zbërthehet kështu: atdhedashuria është dashuri
për Shqipërinë administrative, kurse nacionalizmi dëshirë a vullnet për
bashkim kombëtar. Atdhedashuria e vendos kombin (shqiptar në Shqipëri)
në funksion të shtetit (të Shqipërisë londineze). Nacionalizmi e vendos
shtetin (e Shqipërisë e të Kosovës) në funksion të kombit (shqiptar në
Ballkan dhe kudo që ai është). Pra, nuk ka të bëjë me pushtetin e
lirinë, por me horizontin e vetëpërcaktimit dhe të vetëpërfytyrimit.
Atëherë, çfarë lloj nacionalizmi?
Nacionalizëm shovinist-hegjemonik (si ai i regjimeve në Serbi e Greqi),
apo nacionalizëm çlirimtar-antikolonialist (si ai shqiptar) ? Kjo pra
është kundërthënia e vërtetë.
Te shqiptarët në përgjithësi kemi
shumë subjekte politike, tepër shumë. Por në tërë këtë spektër grupimesh
shohim pak progresivitet. Pra, shqiptarëve ju duhen organizime
progresive politike që politizojnë shoqërinë, ekonominë e kombin, e jo
konjuktura shtesë të pushtetit që privatizojnë shoqërinë, ekonominë dhe
idenë kombëtare. Me këto struktura politike tashmë e kemi të qartë se
Shqipëria dhe Kosova edhe pas 23 qershorit do të jenë të njëjta sikur
ato të 21 e 22 qershorit.
http://www.panorama.com.al/2013/04/14/vetevendosje-refuzon-ftesen-e-rames-ja-arsyet/