Monday, April 29, 2013

Agim Hamiti: Fajtorë super të aftë dhe të pafajshëm naivë

Si s'të lodhi robëria, Shqiptar!
Çajupi

Ajo që pritej, ndodhi. Veriu i Kosovës ka marrë rrugën t'i bashkohet fondit në rritje të ish-trojeve shqiptare. Aktualisht ai nuk është serbizuar akoma, por tjetërsimi i tij është thjesht çështje kohe e procedurash të parashikuara mirë nga vendimmarrësit e politikës. Asociacioni i Komunave Serbe në Veri të Kosovës do të thotë Vetadministrim i tyre dhe ky i fundit s'është gjë tjetër, veçse paradhoma e Autonomisë. Për të mbërritur tek autonomia, Asociacionit serb do t'i duhet të organizojë një referendum në të ardhmen, në rrethana të favorshme.
Fillimi i negociatave të Serbisë me Brukselin për anëtarësim në BE, ishte dhurata e dytë që iu bë Beogradit, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes me Prishtinën.
Kur fiton njëra palë, vetëkuptohet që pala tjetër ka humbur.
Megjithëse ky realitet i hidhur do të mbetet i pandryshueshëm, ia vlen shumë që Shqiptarët, duke përfituar nga ky rast i përjetuar në ditët tona, të krijojnë një ide sesi i hartojnë planet me qitje të largët të Mëdhenjtë e politikës dhe si i sajojnë paraprakisht koniukturat e duhura politike, me qëllim që projektet e tyre të rrëshqasin si në gjalpë, kur vjen faza e zbatimit. Një veprim i tillë nuk duhet bërë thjesht për të shuar kureshtjen, por për të nxjerrë mësimin e duhur prej asaj që ndodhi dhe për t'u orientuar më mirë në të ardhmen, mbasi rajoni i Ballkanit po i nënshtrohet një procesi transformimi herë të heshtur e herë të shpallur. Kjo vlen si për Kosovën edhe për Shqipërinë, si edhe për trojet e tjerë të banuar nga Shqiptarë.
Është gabim i madh të mendohet se Kosova sot e tutje mund të mbushet e qetë me frymë të paktën deri tek ura e Ibrit, pas nënshkrimit të marrëveshjes me Serbinë. Jo, mushkëritë e Kosovës janë të prekura nga njollat e zeza të manastireve serbe me goxha sipërfaqe toke brenda territorit të saj, të cilët përfitojnë së tepërmi nga parimi administrativ i ekstra-territorialitetit, në dëm të pavarësisë së Kosovës. Ata janë çibanë helmatisës në trupin e dobësuar të Kosovës, që mund ta infektojnë rëndë atë një ditë.
Pasi e mbyllën me fitore kapitullin e Veriut, Serbët në të ardhmen do t'i përqëndrojnë bateritë e tyre pikërisht tek zgjerimi i territorit të manastireve me blerje tokash, apo forma të tjera abuzive (oreksi vjen duke ngrënë). Kur t'ua dojë puna (apo kur t'iu japin sinjal rusët), Serbët do t'i kthejnë manastiret në mollë sherri me Kosovën, me psikologjinë e ujkut që akuzonte qengjin se i turbullonte ujin, ndonëse uji rridhte poshtë e jo lart nga ishte ujku. A nuk ishte një provokim arrogant vizita në Mitrovicë e ambasadorit rus në Beograd, pa lejen e qeverisë së Kosovës? Pse heshtën forcat e NATO-s në Kosovë dhe BE?
Që të qartësohet më mirë përgjigjja e kësaj pyetjeje, duhet shqyrtuar problemi që në zanafillë:
Qyshkur SHBA e shpalli UÇK-ën forcë çlirimtare (jo terroriste, siç përflitej nga armiqtë e saj), kjo e fitoi davanë në planin moral dhe politik. Mirëpo një Superfuqi nuk investon asgjë symbyllas, për bamirësi, apo për miqësi, siç mendojnë shumica e Shqiptarëve. Sipas kushtetutës, qeveria e SHBA duhet t'i justifikojë në Kongres, në emër të interesave të ardhshme amerikane, të gjitha shpenzimet që parashikon të bëjë në një vend të caktuar e për një çështje të caktuar, përndryshe ato shpenzime nuk aprovohen nga Kongresi. Në politikë fjala miqësi tingëllon qesharake, absurde, dhe është e pranueshme vetëm si sheqerosje në fjalimet e një politikani profesionist, por krejt e papranueshme për psikologjinë dhe veprimtarinë e tij. Vetë Kosovarët mund të krijojnë një ide sesa miqësore është politika në esencën e saj, po të kenë parasysh karikaturën fyese për ta që publikoi kohët e fundit Kristofer Dell në facebook. Dhe Dell nuk ka qenë asgjë më pak sesa përfaqësuesi i SHBA në Prishtinë për mjaft kohë.
Në politikë funksionojnë vetëm aleancat me interes reciprok. Madje historianët më cilësorë dhe politologët më të hollë pranojnë njëzëri se «aleanca e një shteti shumë të fortë me një të dobët nuk është kurrë e sigurt për këtë të fundit».
Forma më e lartë e një aleance politike është «aleanca strategjike». SHBA kanë vetëm dy aleatë strategjikë: Anglinë dhe Izraelin. Një sërë gazetarësh të paformuar shqiptarë, apo intelektualë të cekët, e klasifikojnë gabimisht Shqipërinë si aleate strategjike të Amerikës.
Qysh nga çasti që Shtëpia e Bardhë shpall publikisht interesimin e saj për zhvillimet politike apo ushtarake në një vend të caktuar (siç ishte rasti i UÇK-ës), CIA-s i caktohen detyrat në terren konform objektivave që synon të arrijë në të ardhmen politika amerikane në atë rajon. Fjala vjen, në qoftë se në rastin e UÇK-ës, SHBA parashikonin se, pas çlirimit të Kosovës, do t'iu duhej një lidership i fortë për të marrë përsipër një ditë përgjegjësitë e marrëveshjes së vështirë me Serbinë (sipas ujdisë paraprake midis tyre e Rusisë), një nga detyrat parësore të shërbimeve sekrete amerikane në terren ka qenë përcaktimi i rrethit të individëve që mund ta luanin atë rol aspak të lehtë, duke i arsyetuar me hollësi propozimet e tyre. Pas miratimit nga Washingtoni të liderit të ardhshëm dhe rrethit të tij të ngushtë, shërbimet sekrete amerikane kanë bërë gjithë investimet e nevojshëm në terren, në format e tyre të kamufluara, për afirmimin e këtij grupi njerëzish si koka drejtuese e asaj veprimtarie ushtarako-politike. Në rastin e UÇK-ës, kjo ishte një detyrë e lehtë për CIA-n, mbasi ndihma amerikane shërbente si oksigjen i fitores në Kosovë.
Pasi merr formë në terren udhëheqja e luftës (që një ditë do të bëhej doemos udhëheqje e Kosovës, po me ndihmën e Atyre), kalohet në fazën tjetër të rëndësishme, që është garancia e plotë për kryerjen pa mëdyshje të çdo misioni politik që do t'i ngarkohet në të ardhmen. Në këtë pikë të spirales së formimit të misionarit të ardhshëm politik mbahet gjithmonë parasysh parimi i madh i Napoleonit:
«Vetëm dy forca mund ta robërojnë njeriun: interesi dhe frika».
Mirëpo shërbimet sekrete nuk mjaftohen vetëm me aplikimin e njërës prej këtyre dy forcave misterioze (interesit ose frikës), por i përdorin të dyja bashkë ato, paralel, kur bëhet fjalë për përgatitjen e një misionari politik. Interesi është problem automatikisht i zgjidhur në rastin në fjalë, mbasi misionari politik e ka karrierën të siguruar për interesin e të dy palëve.
Pika e dytë mbetet detyrë e ardhshme e shërbimeve sekrete, të cilët bëjnë çmos që të sigurojnë material kompromentues të argumentuar me prova të pakundërshtueshme, lidhur me veprime ilegale në terrenin e luftës të misionarit të ardhshëm politik. Këto përbëjnë garancinë më të madhe të bindjes së tij në të ardhmen, ndërsa karriera e blinduar politike mbetet qershia mbi tortë.
Ekspertët përkatës i marrin paraprakisht të gjitha masat e domosdoshme, që plani i tyre të funksionojë normalisht në çdo tregues në momentin e duhur. Në rastin e Kosovës, ata i kanë pasur shumë të qarta vështirësitë që do të haste z. Thaçi për të gjetur mbështetje në parlament nga pjesa tjetër e spektrit politik, për miratimin në parim të bisedimeve me Serbinë (pa zgjidhur të paktën problemin e Kosovarëve të zhdukur nga shkjahu gjatë luftës) dhe, veçanërisht, miratimin e statusit të Veriut të Kosovës (Asociacioni i komunave serbe, si fazë embrionale e tij). Për këtë arsye, ata ua kanë përgatitur dosjet e korrupsionit krerëve të LDK dhe aleatëve të saj gjatë viteve që ata kanë qeverisur. I vini re se çfarë ndodh me Isa Mustafën, sa herë që ai vendos të «tregohet burrë» dhe t'i kundërvihet kryeministrit. Mjafton një takim kokë më kokë me këtë fundit dhe Isa bëhet qëngj: lëpin me një buzëqeshje tartufiane atë që kishte pështyrë pak më parë. Edhe Ramushi u vetëdeklarua para kohe kryeministër, kur u lirua për herë të dytë nga Haga, pastaj i ranë pendët dhe pranoi ta mbështeste pa kushte Shefin e vërtetë, se s'kishte rrugë tjetër.
Me qëllim që marrëveshja serbo-kosovare të mos kundërshtohej dot as në Beograd e as në Prishtinë, të Mëdhenjtë e politikës i organizuan bisedimet midis kampeve më radikalë të të dy palëve: vëllezërit idealistë të Sheshelit u vendosën përballë Heronjve të UÇK-ës. Kush mund t'i akuzonte për mungesë nacionalizmi radikalët shovinistë serbë në Beograd dhe kush mund ta vinte në dyshim atdhedashurinë e Heronjve të UÇK-ës në Prishtinë?
Pikërisht kur bisedimet u duk se mund të dështonin (ishte çasti kur baronesha angleze kishte shtruar në tavolinë diskutimin e statusit të Veriut) ndodhi diçka sinjifikative, që në përgjithësi i ka shpëtuar vëmendjes së publikut. Për ta ngjyrosur disi në rozë situatën në favor të palës së humbur, që kjo ta gëlltiste më me lehtësi pilulën e ofruar nga baronesha, dolën në skenë, si rastësisht, ata që kishin gatuar gjithçka në hije: CIA dhe shërbimet sekrete ruse. Si rrallë ndonjëherë me veprime publike aq të akorduara mes tyre, këta shërbime sekrete, sa prestigjiozë edhe rivalë, botuan një hartë të «Shqipërisë së Madhe», ku shpreheshin me të njëjtat fjalë: trojet shqiptare do të bashkohen deri në vitin 2035. Ky njoftim, bashkë me hartën, u publikua edhe nga disa gazeta shqiptare. Një lloj narkoze para operacionit, për të mos ndier shumë dhimbje, kur bisturia e tyre do të priste Veriun e Kosovës nga trungu kombëtar.

Realitetet e dhimbshëm që po përjetohen në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës kanë në themel të tyre të njëjtin shkak: zgjidhjen e çështjes së komplikuar të Ballkanit në dëm të trojeve shqiptare dhe të të drejtave jetike të popullsisë albanofone në këtë rajon. Kjo nuk është një praktikë e re; përkundrazi, begatia e fqinjëve tanë të Veriut e të Jugut është ngritur prej shekujsh mbi fatkeqësinë shqiptare. Të njëjtën gjë po e përjetojmë qartazi edhe sot, si një problem të pazgjidhshëm shekullor. Mirëpo asnjë problem nuk mund të zgjidhet kurrë, po nuk e njohe shumë mirë atë. Aq më tepër problemet politikë, të cilët koklaviten dhe vështirësohen në vijimësi prej atyre që i krijojnë me qëllime të paramenduara.
Qëllimi i koklavitjes së problemeve shqiptare prej të Mëdhenjve të politikës ka qenë dhe është pikërisht krijimi i koniukturave të nevojshme, për të mundësuar zgjidhjen e problemeve ballkanese me shpenzime shqiptare, si gjithmonë. Parë nga ky këndvështrim, politikanët tanë janë të privuar nga e drejta e vendimmarrrjes dhe janë të detyruar të zbatojnë udhëzimet që u jepen në kuadër të projekteve të gatshëm të evolucionit politik të Ballkanit. Pikërisht pse janë të domosdoshëm për një rol të tillë në drejtimin e pushtetit qendror, të Mëdhenjtë e politikës ua lejojnë atyre pa mëdyshje manipulimin e zgjedhjeve (në mos edhe i autorizojnë për këtë), korrupsionin, nepotizmin gangrenizues të pushtetit, paaftësinë qeverisëse dhe mëkate të tjerë. Në këto rrethana, të presësh ndryshim kursi politik prej tyre, do të thotë t'iu kërkosh të pamundurën.
Zgjidhja e vërtetë e çdo problemi nënkupton eliminimin e shkakut, që ka sjellë pasojën e padëshirueshme. Nuk mund të akuzohet gozhda pse ngulet në dërrasë, por sqepari që e godit gozhdën për t'u ngulur patjetër. Në qoftë se populli shqiptar i Kosovës apo i Shqipërisë janë dërrasa, politikanët e Tiranës e të Prishtinës janë gozhdët që ngulen në të, por jo dora që godit gozhdën me sqepar. Kjo e fundit është shkaku i vërtetë i problemit tonë dhe, pa u ballafaquar me të, nuk ka e nuk do të ketë kurrë zgjidhje të problemit shqiptar, veçse koklavitje të tij.
«Rruga më e mirë për t'i çarë vështirësitë është që t'iu biesh atyre mes për mes», ka thënë Leonidas i Spartës.
Pikërisht këtë duhet të bëjmë ne si Shqiptarë, nëse e duam vërtet lirinë dhe begatinë tonë dhe jemi të gatshëm të përpiqemi për to.
Dy vjet më parë, unë kam publikuar në disa gazeta elektronike në Internet një «letër të hapur» drejtuar gjithë Shqiptarëve, politikanëve të Tiranës e të Prishtinës dhe ambasadorit amerikan në Shqipëri. Atë e shoqëroja me dy vëllimet e një libri («Odiseja e një detektivi») me ngjarje të jetuara e personazhe realë, të cilin ua postoja falas të interesuarve, ose ata mund ta shkarkonin direkt në disa organe elektronike. Megjithëse vërtetësia e disa prej informacioneve, që jepen përmbledhtas në «letrën e hapur» dhe hollësisht në dy vëllimet e librit, mund të verifikohet pa mundim nga çdo i interesuar, indiferentizmi klasik i Shqiptarëve qe pothuajse i plotë. Nuk bëhet fjalë thjesht për gazetat e Tiranës e të Prishtinës, që nuk e botonin «letrën e hapur». Por i tillë qe reagimi publik në tërësi: reagim varrezash.
Pata shpresë tek z. Agron Tufa, i cili m'u drejtua me cilësinë e Drejtorit të Institutit të Zbulimit të Krimeve të Komunizmit dhe me premtimin se nuk do të trembej përballë çdo të vërtete, meqenëse kishte edhe tagret ligjorë të hapjes së çdo arkivi sekret, pa kufizim. Iu përgjigja në mënyrë të detajuar pyetjeve që më shtronte z. Tufa (i ruaj e-mailet), duke i premtuar se do të isha gjithmonë i gatshëm e i hapur të bashkëpunoja me të për këtë çështje madhore. Për fat të keq, ndryshe nga ç'kishte premtuar, z. Tufa u tërhoq nga sipërmarrja e tij në heshtje, për arsye që i di ai vetë.
Kisha krijuar simpati për lëvizjen Vetëvendosje dhe shpresoja se ata djem e vajza, kurajozë e të zgjuar, nuk do të qëndronin indiferentë ndaj përmbajtjes së «letrës së hapur» dhe asaj të librit. Ua postova me e-maile të veçantë e me diferencë kohe «letrën e hapur» dhe librin. Asnjë lloj reagimi nga ana e tyre. Unë e di që ata janë intelektualë të edukuar dhe nuk do të hezitonin kurrë të kthenin një përgjigje lakonike, qoftë edhe për mirësjellje, sikur heshtja të mos ishte një zgjedhje taktike: si e vetmja rrugë për të evituar angazhimin e tyre në një «affaire épineuse» («çështje me gjemba»), siç i quajnë francezët çështjet delikate.
Aksionet e mëvonshëm të VV më janë dukur krejt formalë, për bujë e jo për bukë, sa për të justifikuar ekzistencën e tyre si forcë opozitare. Nuk e kuptoja dot se çfarë kërkonin veprimtarët e asaj lëvizjeje të bënte Hashim Thaçi si kryeministër kundër orientimeve të SHBA për bisedime me Serbinë, ndërkohë që ata vetë, si forca e tretë politike kosovare dhe pjesa më aktive e opozitës, preferonin të mbyllnin sytë për të mos parë një të vërtetë tronditëse, që denonconte veprimtarinë ilegale prej dekadash të po asaj Superfuqie në dëm të çështjes shqiptare. Një opozitë e vërtetë evropiane (jo shqiptare) do ta kapte fluturimthi një kauzë të tillë, e cila do të përbënte një kredibilitet të madh politik dhe krenari për një forcë politike serioze e të vendosur. «Kush nuk rrezikon asgjë, s'fiton asgjë», thonë francezët.
Katër muaj pas publikimit në Internet të «letrës së hapur» dhe të librit tim, «demokracia» shqiptare më prishi shtëpinë në Dukat (për fat, e kisha shitur apartamentin në Vlorë), gjë që e mësova me vonesë. Një ndëshkim të tillë nuk m'a kishte bërë as diktatura, kur më kishte internuar e burgosur. Me qëllim që ta shikoni me sytë tuaj hakmarrjen primitive të «demokracisë moderne» shqiptare, po publikoj një film të shkurtër.
Gjithsesi unë vetë kam marrë parasysh shumë më tepër sesa kaq, por shpreh keqardhjen për kërcënimin që i është bërë të vetmit gazetar shqiptar që vendosi të hidhte dritë mbi të vërtetën e «letrës së hapur» dhe të librit tim. http://www.youtube.com/watch?v=WCQjZtU-iww
Pas publikimit të videos së parë (që ishte më pak e rëndësishmja), ai u bllokua për më tej, duke ju privuar edhe juve, si sehirxhinj shembullorë, nga shikimi i disa gjërave që nuk do t'ju fshiheshin kollaj nga kujtesa... http://youtu.be/LX1zmrBY4EY

Nguliteni një herë e përgjithmonë në mendje, Shqiptarë: për sa kohë do t'i kërkoni të drejtat tuaja tek poltikanët që u kanë vënë mbi krye (tek gozhda), nuk do të gjeni kurrë derman, veç telashe pa bereqet do të keni. Është shumë më premtuese, më pak e mundimshme dhe pa sakrifica, t'i kërkoni ato tek dora që godit gozhdën me sqepar. Vetëm zgjidhjet rrënjësore janë zgjidhjet e vërteta e të përhershme.
Rreziku është pothuajse zero dhe mundësia e zgjidhjes shumë më e lartë e shumë më cilësore, po qe se një protestë drejtohet kundër Miqve tanë të Mëdhenj dhe jo kundër politikanëve shqiptarë (urdhërzbatuesve të atyre), për këtë arsye: ATA lejojnë të bëhen shkelje të çfardoshme ligji (qoftë edhe krime, siç ka ndodhur), kur këto prapësi u faturohen direkt politikanëve shqiptarë, por kurrsesi nuk e lejojnë një gjë të tillë, kur objekt i protestës janë ATA vetë. Në këtë rast, ATA tregohen tejet të kujdesshëm, mbasi jo vetëm që janë shtet i mirëfilltë juridik e demokratik, por edhe BE nuk është gjithmonë e për çdo gjë në unitet mendimi e veprimi me ta, dhe ATA e dinë më së miri një gjë të tillë.
Në qoftë se nuk jeni të gatshëm të bëni gjë për veten tuaj dhe për fëmijët tuaj atje ku duhet bërë, do të ishte më pragmatiste t'i lini të qetë politikanët shqiptarë, mbasi ata nuk bëjnë dot asgjë të mirë për ju, edhe sikur të duan. Për ta bërë diçka të tillë, ata duhet të ndryshojnë patjetër kursin politik (kush i lë?), që do të thotë të dalin kundër dirigjentëve të tyre, të cilët kanë investuar shumë për të ndodhur ajo që po ndodh sot dhe ajo që është parashikuar të ndodhë në të ardhmen (me përjashtim të rastit kur populli zgjohet nga gjumi dhe ATA detyrohen të aplikojnë planin B, që e kanë gjithmonë rezervë).
Zgjedhjet e afërta në Shqipëri dhe ato më vonë në Kosovë do të jenë spektakle mësimdhënës, që do t'ju sqarojnë shumë më mirë se ky shkrim i imi. Gjersa Saliu 70 vjeçar është zotuar se do ta sundojë Shqipërinë deri në vitin 2035 (unë e besoj plotësisht, mbasi mumjet mund t'i sundosh sa të duash), e bie puna që Hashimi i ri dhe në formë të shkëlqyer fizike duhet të sundojë në Kosovë deri në vitin 2050, të paktën. Ju uroj përzemërsisht që t'i gëzoni të dy! Vazhdoni të vegjetoni të qetë, se kush zvarritet, nuk rrëzohet.


Faqja e Agim Hamitit në Facebook:
http://www.facebook.com/pages/Agim-Hamiti/174353345957127

Pa koment...


Çifti i moshuar faturohet nga CEZ me 11 milion lekë për një muaj

Ky është një nga rastet e shumta se si CEZ mbifaturon qytetarët. Një çift pleqsh në Shkodër, të cilët jetojnë vetëm dhe përdorin gazin për të gatuar, janë faturuar për një muaj plot 11 milion e gjysëm lekë.

Kjo faturë ka ardhur në shtëpinë e Zef dhe Lula Bregu për muajin dhjetor, ndërkohë që një muaj më parë atij i kishte ardhur një tjetër faturë e fryrë prej 4 milionë lekësh. Aktualisht, CEZ pretendon nga çifti i moshuar që t’i paguajë 17 milionë lekë.

Duke folur në një intervistë për “Shqip”, Zef Bregu thotë se CEZ, në vend që të verifikojë gabimin, kërkon nga ai pagimin e këtyre faturave stratosferike, ndërsa ato do të kontrollohen më pas, nëse ka pasur mbifaturim.

Prokuroria ka nisur një hetim për mbifaturimet e CEZ dhe deri më tani rezulton se rreth 15 mijë abonentë janë mbifaturuar.

Shqip


Aleanca Kuq e Zi, Sorrë apo Shqiponjë?

Menjëherë sapo Aleanca Kuq e Zi në afatin e fundit deklaroi se do të garojë e vetme në këto zgjedhje, prej kryetarit të Partisë Socialiste, prej deputeti Saimir Tahiri si dhe disa analistëve të tjerë të pavarur i cilësua si një sorrë, e cila nuk ishte asgjë tjetër veçse një patericë e Saliut.

Pra, mqs Aleanca Kuq e Zi nuk u fut në kualicionin opozitar, ku hyri edhe vetë LSI-ja si pjesë e Qeverisë Berisha, shqiponja na u bë sorrë dhe e gjithë fryma atdhetare e shprehur këto kohë u cilësua si sharlatanizëm spektakolar!

Nuk e di se me cilin pasion patriotik u hidhka baltë nga AK-së, kur Partia Socialiste merr në kualicion armiqtë e përbetuar të Rezolutës Çame?

Në fakt, në rast se Aleanca Kuq e Zi do bëhej pjesë e një kualicioni të caktuar, ajo do të humbiste moralin e saj. Atë moral që nuk e ka as partia në pushtet, as LSI-ja që bredh si zog sa majtas e djathas dhe as Partia Socialiste që do dënojë 21 janarin tani që shkaktarin e saj e ktheu aleat.

Dhe kur e quajnë Aleancën Kuq e Zi si një vegël të Berishës, me cilin standart nisen të gjykojnë, me atë të LSI-së që fushatën e bëri kundra Berishës, por që më pas u bë paterica e tij?

Shkroi: Stop Injorancës !

Të heshtim apo të flasim?!

"Në Gjermani ata erdhën fillimisht për komunistët dhe unë nuk fola. Nuk fola sepse unë vetë nuk isha komunist.
Atëherë ata erdhën për çifutët e unë përsëri nuk fola. Nuk fola sepse unë vetë nuk isha çifut.
Më vonë ata erdhën për sindikalistët dhe unë përsëri nuk fola. Nuk fola sepse unë vetë nuk isha sindikalist.
Pastaj ata erdhën për Katolikët dhe unë përsëri nuk u ndjeva. Unë nuk fola sepse une vetë isha protestant...

Më në fund ata erdhën për mua dhe atëherë nuk kishte mbetur askush të fliste..."

Elie Wiesel

Itali, shqiptari blen diskotekën dhe ndalon hyrjen e italianëve

Një sipërmarrës shqiptar është bërë pronari i një prej diskotekave më të njohura në Itali, "Papillon". Deri këtu nuk ka asgjë për tu çuditur pasi, 32- vjeçari Ramiz Kryemadhi kishte ngritur në Itali një ndërmarrje të suksesshme që prej vitit 2003 dhe mund t’ia mbante xhepi një shpenzim të tillë.

Por ajo që ka tërhequr vëmendjen e mediave kanë qenë vendimet e shqiptarit, i cili ka ndaluar hyrjen në diskotekë të të rinjve me shtetësi italiane.

Njoftimi u bë përmes faqes zyrtare të "Papillon" në “Facebook”, ku shkruhej: “Mbrëmjet komerciale nuk ecnin mirë, kështu mu desh të bëja një zgjedhje, ta ndaja sallën e kërcimit në dy pjesë. Në njërën do të kërcehet muzikë hip hop, ndërsa në tjetrën do të ketë muzikë rumune dhe performanca live të muzikantëve folkloristikë.”

Më tej njoftimi vazhdon: “Informacion i ri: Që prej të shtunës stafi do të seleksionojë të gjithë miqtë që do të vizitojnë diskotekën. Personat që nuk kanë kombësi rumune duhet të jenë të shoqëruar nga një femër, në të kundërt nuk mund të futen”.

Sipas pronarit të lokalit, vendimi është marrë vetëm për të shmangur problemet. Ai thotë se nëse dikush vjen i shoqëruar me një vajzë në diskotekë, është më i qetë dhe nuk shkakton probleme gjatë festës.

Lokali “Papillon” është një nga më të mëdhenjtë në zonën e Pordenones në veri të Italisë.

(er.nu/BalkanWeb)

Adresa e lokalit:
http://www.papillondisco.it/home.htm
https://www.facebook.com/papillon.pordenone


Gafa:”Dielli rrotullohet rreth Tokës”, Miss Rusia lë kurorën

Miss Rusia 2012,Ina Zhirkova ka hequr dorë nga titulli pas një gafe në një intervistë televizive e cila shumë shpejt mori miliona klikime në YouTube dhe komente ofenduese ndaj nivelit të saj të inteligjencës.

23-vjeçarja u pyet nga një television Rus i cili po organizonte një emision me bukuroshe e modele vendase për të testuar njohuritë e tyre nësë Toka rreth Diellit,apo Dielli rreth Tokës dhe përgjigja e saj ishte: “Dielli rreth Tokës mendoj. Jo.Jo! Toka rreth Diellit. Të jem e sinqertë nuk jam e sigurtë”.

Videoja është përhapur me shpejtësi në web çka ka detyru bukuroshen Ruse të heqë dorë nga titulli Miss Rusia 2012,thekson “Shqip”

http://youtu.be/K-sEWTWI5Uw
Femrat e bukura janë si kukulla, si nga bukuria ashtu edhe nga inteligjenca. (S.I)


Shëndetësia dhe studentët e mjekësisë... në Facebook

Më ka bërë shumë përshtypje që sa herë trajtohen dhe diskutohen rastet korruptive abuzive të bluzave të bardha ndaj qytetarëve, studentët e mjekësisë, e ardhmja e shëndetësisë shqiptare e cila duhet ti japë fund njëherë e mirë kasaphanës, në vend që të bëhet palë me qytetarët për ti mbështetur dhe denoncuar bashkë këto raste të turpshme flagrante abuzimi, zgjedh të bëjë avokatinë e mjekëve dhe sistemit të korruptuar.

Si do ta ndryshojmë këtë sistem të kalbur kështu, kur pikërisht nxënësit më të dalluar, tani studentë të mjekësisë dhe mjekët e ardhshëm hiqen më mizorë se vetë paraardhësit e tyre?

A i keni hyrë këtij profesioni fisnik se karakterizoheni nga ndjesia e dhembshurisë dhe humanitetit, apo s'e ju kanë thënë prindërit se kështu bëheni milionerë?


Shkroi: Stop Injorancës !

Demokracia hibride


E çuditshme kjo demokracia jonë hibride ku njerëzit mund të vishen si të duan pasi askujt nuk i bëhet vonë, mund të thonë gjithçka që duan sepse askush nuk do t'ia dijë, mund ta kalojnë kohën ku dhe si të duan sepse askujt tjetër nuk i intereson.

Eshtë e vërtetë që njerëzit janë të lirë të bëjnë gjithçka që duan, por ajo që nuk ndryshon, është fakti se askujt nuk po i bëhet më vonë.

Shkroi: Stop Injorancës !

Xhamia e Madhe apo hija e neo-otomanizmit në Tiranë


Me shumë bujë u shpall show i radhës nga kryeministri për ndërtimin e Xhamisë së Madhe, në lulishten e Parlamentit, duke e quajtur këtë një ditë historike për besimtarët myslimanë shqiptarë. Në prani të më shumë bodigardëve dhe kamerave televizive se sa besimtarëve, zoti Berisha dhe beniaminët e tij, më shumë se një nisje fantazmë të inaugurimit të ndërtimit të një xhamie, trumbetuan patologjinë elektorale, rreth të cilës vërtitet tash sa kohë.

Pa hyrë në analiza politologjike, të cilat nuk kanë vend në këtë shkrim, ne do të merremi me fakte që hedhin dritë mbi absurditetin e një sipërmarrje të tillë, e cila nuk i shërben askujt, aq më pak një shteti laik, si Shqipëria.
Kryeministri Sali Berisha, që nuk nguroi edhe këtë herë t’i japë ngjyra elektorale edhe kësaj ngjarje, urdhëroi me urgjencë dy ditë më parë vartësit e tij që të mblidhnin një duzinë dishepujsh, që duartrokasin në mënyrë frenetike, duke thënë me tone emfatike se demokratët janë zotuar se kudo ku ka 4 myslimanë të ketë një xhami. Me sa duket, Berisha me këto deklarata kërkon që t’ua kalojë dhe liderëve të vendeve që zbatojnë ligjet islame, duke u bërë një shembull dhe burim frymëzimi edhe për Xhihadin! Për të kulmuar në këtë hipnozë, ai, madje, është shprehur se ka vlerësuar durimin që kanë treguar myslimanët për të pritur ndërtimin e kësaj xhamie. Një deklaratë e tillë, ashtu si dhe notat nacionaliste të pak muajve më parë, nuk mund të mos kalojë në heshtje pa shqetësimin që mbart po t’i shtosh edhe thirrjen drejtuar nga një tribunë islame të zgjedhurve të tij vendorë kryetarë të komunave dhe bashkive për të ndërtuar më shumë xhami ka tronditur këto ditë jo vetëm ekuilibrin social të shoqërisë, por edhe shqetësuar shumë intelektualë, analistë dhe qendra kërkimore e strategjike të huaja që merren me problemet e Shqipërisë.
Është e vështirë të hyjmë në detaje se ku duhet të ndërtohet xhamia dhe e kujt është toka, por, sigurisht, të drejtën për të kërkuar një projekt modern për Xhaminë e Madhe nuk mund t’ia mohosh askujt. Tirana e shekullit XXI, dhe Shqipëria që synon të bëhet një vend Europian, nuk ka pse zgjedh mes një projekti modern e Perëndimor dhe një mbetje otomane, si kjo e fundit.
Natyrisht, nuk jemi kundër ndërtimit të objekteve të kulteve fetare, qofshin këto kisha, xhamia apo teqe, por ajo që është shqetësuese është zhurma e madhe që bëhet periodikisht në favor të komunitetit mysliman dhe, tani së fundi, në pikun e fushatës elektorale, e cila do të pasohet me tingujt e çjerrë të minareve, sipas stilit arabesk, duke prishur qetësinë dhe paqen e qytetarëve të gjithë besimeve, aq më tepër shumicës ateiste të këtij vendi!
Është detyrë e kryeministrit të bëjë transparencën e një sipërmarrje të tillë, pasi prapa maketit të Xhamisë së zbuluar në të cilën pozojnë ai së bashku me Bashën dhe Muçën, ka një plan të fshehtë, për të ndërtuar një Qendër Biznesi nga klientela e kryetarit të Bashkisë, të cilëve meqë ata paskan vënë dorën në zemër për t’i “dhuruar” dy mijë metra katror tokë Komunitetit Mysliman për këtë xhami, t’iu jepet në këmbim Leja e Ndërtimit për të ndërtuar këtë qendër biznesi, një ndërtesë mbi 10 kate, përafërsisht 10 mijë metra katrorë sipërfaqe ndërtimi! Nuk kam parë askund, në asnjë vend të botës perëndimore që kam vizitur të ekzistojë një Parlament pa një lulishte-Park, ku mund të shëtitin të lirë jo vetëm qytetarët, por edhe vizitorët e atij vendi.
Në një sistem demokratik me demokraci funksionale është e papranueshme ajo që deklaroi dje kryeministri, se ne ndahemi nga qëndrimet paragjykuese, të inspiruara nga ateizmi dhe ideologjitë e tij, të cilat penguan për 20 vjet ndërtimin e kësaj xhamie kaq shumë të domosdoshme për besimtarët myslimanë në Tiranë, por edhe si një detyrim i madh për të rivendosur të drejta të shkelmuara në vendin që meritojnë. Është e tmerrshme kjo thirrje e z. Berisha per të detyruar njerëzit të transformohen në besimtarë. Kryeministri harron se ne shqiptarët vijmë nga paganizmi dhe sot jemi në shumicë ateistë. Europa e Bashkuar ku inspirojmë të anëtarësohemi tash sa kohë jo vetëm shpirtërisht, por dhe juridikisht ne do të jemi qytetarë të lirë.
Nga ana tjetër, Berisha flet ditë e natë për tregun e lirë dhe pronat në këtë vend, harron se ndërtimi i kësaj xhamie cenon një pronë private, me pronarët e të cilës nga informacionet që kemi nuk ekziston asnjë marrëveshje ligjore. (Përveç premtimit verbal të fshehtë të kryebashkiakut -a thua se jemi në pazarin e Roskovecit). Po pse duhet që ne taksapaguesit e këtij vendi të paguajmë faturat e kripura të kësaj marrëveshje? Përveç këtyre, siç ka thënë dhe misionarja e madhe e shqiptarizmës, Edith Durham, objektet dhe komunitetet fetare nuk duhet të financohen e të ndërtohen nga të huajt, pasi ata do të vihen në shërbim të tyre!
Edhe pse kjo maskaradë po të shohësh forumet online apo organet e mediave është shoqëruar me reagime dhe komente të shumta si nga intelektualët, analistë të ndryshëm ashtu edhe nga qytetarë të ndryshëm, atyre për çudi nuk iu dëgjohet zëri dhe nuk merret parasysh vullneti i tyre nga institucionet vendimmarrëse. Thelbi i këtyre shqetësimeve është: përse po zihen hapësira të tilla të gjelbra?! Ka plot qytetarë JOBESIMTARË që tashmë nuk kanë ku të nxjerrin fëmijët shëtitje dhe sikur të mos mjaftonte kjo dhe gjithë hallet e shumta që kanë në këtë përditshmëri të sëmurë nga mungesa e standardeve elementare, janë të detyruar të dëgjojnë çdo ditë minaret që ulërijnë dhunshëm dhe nuk paskan të sosur në këtë vend. Këtu flitet vetëm për të drejtat e besimtarëve, por lind pyetja: Ku janë të drejtat e ateistëve?!
Ajo që ndoshta i ka shpëtuar “vigjilencës” së Kryeministrit është fakti se një ndërtesë e tillë e stilit arabesk dhe otoman, copy/paste e një xhamie në Turqi, do të cenojë rëndë jo vetëm sigurinë, por edhe imazhin e institucionit të Kuvendit të Shqipërisë, kësaj ndërtese legjitime që shpreh dhe mbart vetë thelbin e sistemit juridik të Republikës sonë parlamentare.
Sipërmarrje të tilla nuk mund të bëhen për show elektoral apo për të joshur votues të këtij besimi, por duhet të kenë një bazë të thellë legjitimiteti dhe kjo nuk mund të bëhet ndryshe vetëm se me rrugë referendare, si shprehje e drejtpërdrejtë e vullnetit të qytetarëve. Themi se duhet referendum për xhaminë, sepse konstatohet se në këtë vend ka shumë pak ushtrues/praktikantë të besimit dhe kjo mund të vërtetohet shumë lehtë, mjafton të soditësh objektet e kultit të ndërtuara të gjitha besimeve që ushtrohen në Shqipëri. Nga ana tjetër, ky veprim cenon rëndë identitetin kombëtar dhe trashëgiminë kombëtare dhe do të ishte një hap që do të na largonte më shumë nga Europa dhe do të na traumatizonte si shoqëri. Është vendi të informoj lexuesin se para 2-3 muajve edhe komisioni i ekspertëve për Vlerësimin Strategjik Mjedisor të Tiranës në zonën ku kryeministri kërkon të ndërtojë Xhaminë e Madhe e ka përcaktuar si zonë të gjelbër!
Ata që kanë ndjekur show-n televiziv në fjalë nuk mund të mos kuptojnë absurditetin e medias, si pjesë e katrahurës publicitare dhe shërbëtore të biznes-politikës dhe gënjeshtrave të tyre. Çuditem përse kjo media nxjerr vetëm imazhet e Saliut dhe nuk nxjerr ata pak njerëz që e dëgjonin dhe aq në shumë ata që ishin përzënë me dhunë nga lulishtja dhe nuk dinin nga të shkonin, në pritje të largimit të komedianëve! A nuk mundet vallë që për të mos iu fryrë ndasive fetare redaksitë të botojnë një foto më reale dhe më të natyrshme të kësaj audience dhe të mos manipulojnë opinionin publik me fantazmën e vendosjes së gurit të themelit dhe ekzistencës së kantierit të ndërtimit në timon të së cilit gjendet përherë kryeministri?!…
Shqiptarët e dinë prej rilindësve të tyre, atyre që i paraprinë zgjimit kombëtar se me ndihmën e ish-Perandorisë Osmane nuk mund të shkohet as në Anadoll e jo më në Bruksel! Erdhi koha e zgjedhjeve për të bindur tiranasit që të rivotojnë për të tretën herë Kryeministrin, por tiranasit e njohin tashmë se ç’aktor kanë përpara, se çfarë feje predikon dhe sa është i zoti të bëjë, për të qëndruar gjithmonë në pushtet. Kjo xhami me 4 minare nga 50 metra të larta tregon se Turqia e beri misionin e saj, se vendi kandidat për në dyert e BE-së vazhdon të prodhojë sindromën e mbetjeve të Al Kaedës! Pra, le të nguten të mësojnë arabishten pas turqishtes nga kolegjet dhe universitetet, ekonominë ua kanë dhuruar, e të bëhen kamikazë a muhaxhedinë… E thënë ndryshe, ndërtimi i saj do të cenojë rëndë sigurinë kombëtare. Ajo do të eklipsojë institucionin e Parlamentit si burimin e të gjitha pushteteve dhe institucioneve të tjera të shtetit; nga ana tjetër, kjo arkitekturë përbën një kontrast të madh urban, një model për vende ku feja identifikohet me shtetin. Ndaj kryeministri ynë 4 minaret e saj nuk mund t’ua shesë shqiptarëve në këtë përpjekje të fundit për Eiffel Tower, Tower Bridge apo Fernsehturm Berlin!
Europa nuk do të donte të kishte kurrë një Arabi Saudite në zemër të Ballkanit. Ne shqiptarët që jemi në zemër dhe në shpirt të kontinentit të vjetër duhet të vështrojmë ashtu siç na kanë lënë amanet rilindësit tanë andej nga perëndon, andej nga kemi lënë gjurmë në kohëra të lavdishme dhe kjo nuk mund të zhbëhet nga disa politikanë që kanë marrë peng të ardhmen tonë. Për fat të keq, opozita, që nuk lë rast pa kritikuar qeverinë, vazhdon të heshtë për këtë akt agresiv të Kryeministrit, i cili cenon rëndë laicitetin e shtetit të sanksionuar në Kushtetutë dhe të garantuar prej saj!
A mund të bëjë Tirana pa këtë xhami?! Tirana ka bërë pa xhami të madhe me shekuj, tani le ta shohë të udhës Komuniteti Mysliman Shqiptar se çfarë mund të bëjë, por nuk ka detyrim shoqëria dhe shteti të përzihet në këtë histori, aq më shumë duke marrë flamurin e protagonizmit, në një kohë kur komuniteteve fetare sipas ligjit iu janë kthyer pronat e tyre. Edhe nëse kjo xhami do të ndërtohet nëpërmjet këtyre procedurave mafioze ajo nuk do të gëzojë kurrë respektin e qytetarëve, si rrjedhim, do të ketë emrin e një qendre të ngritur nga bota e krimit dhe nuk do të ketë reputacionin e domosdoshëm të një qendre religjioze. Mund të bëhet e mundur që besimtarët myslimanë të kenë një xhami më shumë, le të zgjerojnë hapësirat në ndonjë nga xhamitë ekzistuese për nevojat e tyre, por jo një poster elektoral, që kërkon të emocionojë ndonjë mendje të mykur osmane me arabeskat e një projekti démodé dhe të padobishëm për portretin e Shqipërisë në shekullin e XXI.

Nga Kastriot Frashëri* *Drejtor, Instituti i Çështjeve Kombëtare