Friday, January 24, 2014

Facebook-u ndërgjegjson lexuesit shqiptarë...


E keni vënë re ndërgjegjsimin e shqiptarëve kohët e fundit në Facebook?

Kur hasin ndonjë shkrim interesant gjetiu dhe e shpërndajnë në profilin e tyre nuk e shoqërojnë me ndonjë pjesë intriguese të shkrimit, por bëjnë një farë lutjeje deri në përgjërim të tipit:

"Eshtë pak e gjatë, por ia vlen ta lexoni".

Dhe .. .nuk bëhet fjalë për më tepër se 20 rrjeshta shkrim, në rregull?

Shkroi: Stop Injorancës

Celulari me prekje, rrënqethës...

Si fillim kur doli celulari me prekje (touch screen), femrat filluan ti gëzoheshin faktit se meshkujt nuk po i fusnin gishtat aq shpesh në hundë. Mirëpo përveç kësaj, dalëngadalë celulari me prekje u bë edhe më eksitues sesa kofsha e femrës.
Meshkujt preferuan më mirë të luanin me celularin sesa me gjirin e partneres së tyre.




Sipas sondazhit tronditës të kryer nga media gjermane, femrat dalë të tretat në rradhë si kënaqësi ndaj meshkujve.

Me 30.4% e të anketuarëve zgjodhën kompjuterin, celularin, tabletin, sesa të bënin seks me partneren.
Me 13.6% u renditën ata që preferonin të shikonin një ndeshje fubolli të ekipit të tyre të zemrës.
Vetëm me 11.9% ishin ata që zgjodhën seksin.

E këta me siguri, nuk kanë zbuluar akoma celularët inteligjent me prekje...

Shkroi: Stop Injorancës



“Shkolla e shqiptarëve”- në Venedik, vatër arsimi dhe kulture e shekullit të XV-të


Në gusht të 1368-ës, "Këshilli i të Dhjetëve" http://it.wikipedia.org/wiki/Consiglio_dei_Dieci , një grup personash të devotshëm, (me siguri me origjinë shqiptare, edhe pse kjo nuk është e specifikuar në dokumente) vendosi të ngrinte një shkollë.
http://www.veneziamuseo.it/TERRA/San_Marco/Maurizio/mau_sn_albanesi.htm

-Është fjala për bashkë vëllazërinë që u quajt "Shkolla e shqiptarëve" (Scuola degli Albanesi), një qendër e rëndësishme e arsimit, artit dhe kulturës shqiptare në Venedik aty nga fillimi i shekullit XVtë.

"Shkolla e shqiptarëve" në Venedik, që u ngrit si ndërtesë më 1368-ën, është i pari institucion arsimor i njohur i shqiptarëve në mërgim dhe Marin Beçikemi i pari mësues shqiptar që njihet deri më sot.
Siç shkruan G. Molneti në "La storia di Venecia nella vita private", “ndër mësuesit e tjerë, këtu punonte edhe Marin Beçikemi, që u quajt thjesht Marin Shkodrani, i cili në fillim të 1500-ës mësonte në Venedik me titullin "Mësues Popullor".
Ai, përpara se të fillonte si mësues në Venedik, më 1503, kishte shërbyer si redaktor i Shkollës Letrare të Raguzës si dhe ambasador i Republikës në Francë dhe në Napoli.
Në këtë bashkëvëllazëri merrnin pjesë edhe artistë e humanistë të dëgjuar me origjinë shqiptare si Leonik Tomeo, Marin Barleti, Viktor Karpaci e Mark Bazaito etj., dijetarë që punuan në gjallërimin e kësaj vatre shqiptare.
Leonik Tomen(1456-1531) erdhi në Venedik më 1504, por ardhja e tij i dha një impuls të ri bashkë vëllazërisë shqiptare."Shkolla e shqiptarëve" ishte për Leonik Tomen një arenë e gjerë veprimi për të punuar në dobi të vendit, për ruajtjen e traditave liridashëse dhe kulturore se sa katedra e filozofisë në Padova, ku ai shërbeu për 8 vjet me radhë.
Në këtë shkollë ishte mësues edhe Marin Barleti, njëri nga figurat kryesore të mendimtarëve tanë të shquar përparimtarë, të shekujve XV dhe XVI. Ai, për nevojat e shkollës shkruan dhe boton "Rrethimin e Shkodrës" më 1504 dhe më 1508, "Historia e Jetës dhe Veprave të Skënderbeut, Princit të Epirotëve". Në parathënien - kushtrim të veprës së parë "Rrethimi i Shkodrës", ai thotë se u vu të shkruajë për Shqipërinë "nga fuqia e dashurisë për atdheun, për të cilin me arsye e me të drejtë, çdo qytetar e ka për detyrë të derdhë edhe gjakun deri në pikën e e fundit të tij".
http://mescarnetsvenitiens.blogspot.com/2010_04_01_archive.html
Në ballin e ndërtesës së kësaj shkolle, ndodhej e vendosur midis dy dritareve, një bazoreliev kushtuar rrethimit të Shkodrës. Kjo është vepër e piktorit me origjinë shqiptare, Viktor Karpacit (1455-1526). Mjediset brenda saj i zbukuroi në afreske piktori tjetër me origjinë shqiptare Mark Bazaiti(1470-1530). Të dy këta artistë, për nevojat e shkollës, punuan edhe si arkitektë e dekoratorë. Elena Gjika(Dora d'Istria), në një letër dërguar Jeronim De Radës më 1866, i shkruan ndër të tjera se "Shqipëria duket gjithandej, nëpër përmendore, nëpër kujtime, nëpër institucione, madje edhe në një shoqatë shqiptare". Motivi kryesor i jetës së këtyre shqiptarëve në këtë komunitet të qëndrueshëm, ishte: "Për nderin dhe lavdinë e Atdheut", motiv ky thellësisht patriotik.

Tani të lindin vetvetiu disa pyetje:

- Këta dijetarë të shquar shqiptarë, ndër kokat më të shquara të kohës së tyre në arenë botërore, nga kush e mësuan shkrimin shqip?

- Kujt i jepnin mësim?

- Ku shkuan librat e tyre, kur bëhet fjalë për një shkollë të shek. të XIV-të? (Meshari i Gjon Buzukut daton i vitit 1555)

P.s Leonik Tomeo ishte i pari që solli në latinisht, shkrimet e Aristotelit nga Greqishtja e Lashtë.
Pra, nga një gjuhë e vdekur si Greqishtja e Lashtë, i rishkroi sërish në një gjuhë tjetër të vdekur siç ishte Latinishtja asokohe, pikërisht një shqiptar.
Për kuriozitet, Nikola Koperniku ka qenë student i tij...

Ç'është Bukuria?

- Flokët që të mbrojnë kokën prej rrezeve të diellit, apo prej të ftohtit, gjysma e bukurisë.
- Balli i pjerrët, i cili në rast rrëzimi nuk goditet në pjesën më të madhe të tij.
- Vetullat e trasha e lakuara në formën e syrit, qerpikët e gjatë e të lakuar, për ta mbrojtur syrin më së miri prej pluhrave.
- Syri i futur mirë në zgavrën e tij, me një formë të zgjatur nga krahët për të zvogëluar sipërfaqen e pambrojtur të tij.
- Hunda aerodinamike me zgavra të vogla për shmangur rrezikun e futjes së papastërtive në to.
- Veshët e puthitur mirë pas kokës, për të shmangur rrezikun e fërkimit të sendeve të rastësishme me to.
- Dhëmbët e bardhë dhe të shëndetshëm për të përtypur më mirë ushqimin.
- Buzët e trasha që shërbejnë për të mbllaçitur me lehtë ushqimin.
- Qafa e hollë dhe e gjatë për të lehtësuar kontrollin e fushëpamjes ndaj çdo rreziku.
- Shpina e drejtë që mundëson një gjumë më të qetë.
- Gjinjtë e mëdhenj për të garantuar ushqim të bollshëm për të vegjlit.
- Gishtat e hollë dhe të gjatë që rrisin efektshmërinë e lëvizjes e kapjes së sendeve.
- Thonjtë e fortë dhe të lakuar nga poshtë, që përveç faktit se nuk lejojnë hyrjen e shumë papastërtive, janë edhe më praktikë për kapjen e hapjen e sendeve.
- Mungesa e dhjamit dhe celulitit rreth belit për të treguar vitalitetin dhe elasticitetin fizik.
- Vithe të forta e të rrumbullakta për të treguar qendrushmëri dhe ekulibër.
- Këmbët e drejta për të lehtësuar vrapimin.
- Lëkura e pastër për të lehtësuar frymëmarrjen e saj.
- Muskulatura fizike për të siguruar mbijetesën.

Më duket mua, apo ajo ç'konsiderohet e bukur në fizikun njerëzor, është pikërisht e përcaktuar fillimisht prej natyrës, nëpërmjet tipareve që kanë rezultuar si më të sukseshmet e sojit tonë, për të mbijetuar?!

Me shumë gjasa, në një tjetër Planet me të tjera kushte, preferencat tonë ndaj së bukurës, do të ishin shumë ndryshe.

Shkroi: Stop Injorancës

Ç'po ndodh me Top Median pas humbjes së Presidentit të saj?


28-vjeçari invalid: Më përdhunoi një hoxhë në Lezhë


Një histori dramatike është rrëfyer sot paradite në emisionin ‘Me Zemër të Hapur” të moderuar nga Evis Ahmeti, në "News 24". Një 28-vjeçar invalid pretendon se një person që e quante veten hoxhë, ka abuzuar seksualisht me të.

Saimiri, i riu me banim në Tiranë, i paralizuar nga të dyja këmbët rrëfeu sesi para dy vitesh shoqëroi vajzën e tezes në Lezhë tek një Hoxhë, pasi vajza kishte probleme të rënda psikologjike. Me shpresën se hoxha do ti këndonte vajzës ndonjë Sure për të larguar syrin e keq që pretendohej se e kishte pushtuar, hoxha, emri i të cilit nuk bëhet publik, i ka dhënë garanci të riut se mund ta shërojë dhe atë.

I riu ka mbetur invalid në moshën 9-vjeçare pasi u rrëzua nga një pemë.

Pas rrëfimit të 28-vjeçarit, "News 24" vendosi kontakt telefonik me hoxhën në Lezhë. Në reagimin e tij mbi emisionin, hoxha mohoi çdo detaj të ngjarjes. Ai u përgjigj shkurt:
“E dëgjova historinë dhe ai që pretendon këtë të ndjekë rrugën ligjore. Unë nuk bëhem pjesë e këtyre gjërave dhe këtyre historive. Unë jam mysliman dhe i respektoj të gjithë, janë njësoj për mua, katolikë, ortodoksë, myslimanë”. Balkanweb

Hoxha nuk punon në xhaminë e Lezhës, por është një individ që njihet nga komuniteti lezhian, si Hoxhë e shërues.
Foto ilustruese - Balkanweb

Lulzim Basha : Korrupsioni nuk luftohet me demagogji

Korrupsioni nuk luftohet duke përdorur instrumente që mbjellin panik, luftohet vetëm kur parimet themelore të shtetit ligjor transparenca dhe llogaridhënia mishërohen në reforma ligjore që mbi të gjitha kanë nevojë të zbatohen.






Z. Basha mos doni të thoni se ju jeni pikërisht një prej politikanëve të cilët kanë ende çështje të pazgjidhura me drejtësinë lidhur me korrupsionin galopant në rrugën e Kombit "Durrës-Kukës", ku KLD zbuloi një vjedhje prej 200 milionë euosh, nga ku ju ia hodhët paq të mos hetoheshit vetëm falë shkeljeve të qëllimshme të proçedurave të afatit të hetimit dhe rivjeshjes tuaj më pas, me imunitet?

Doni realisht luftë ballore ndaj korrupsionit?

Dorëzojuni sërish Drejtësisë dhe lani duart prej akuzave ndaj jush për shpërdorim të fondeve publike.
Shkroi: Stop Injorancës

E duam Shqipërinë si gjithë Europa


Imagjinojeni për një moment sikur këtyre mijëra studentëve të 8 dhjetorit 1990-ë që brohorisnin në kor "E duam Shqipërinë si gjithë Europa", t'iu thuhej nëpërmjet podiumit politik, se me klasën e re politike e demokratike që do krijojmë, ju garantojmë se fiks pas 23 vitesh, po në dhjetor, ne do fitojmë Statusin e Vendit Kandidat.

Mbase, mbase pas një tjetër dekade, kur ju tashmë të keni arritur moshën e pensionit, do jemi bërë pjesë e Europës.
Gjithmonë në rast se deri atëherë, ajo s'do ketë dhënë shpirt.

Suedia është vendi i parë që sapo i ka thënë Po Shqipërisë, për Statusin e vendit Kandidat.

E si të mos gëzohesh?
Prej dy dekadash në gjendje kome në reanimacion, papritur Shqipëria përpëliti sytë duke dhënë shpresa se mund të rikthehet në jetë.
Shkroi:  Stop Injorancës

Enver Hoxha në homazhet e dëshmorëve

Ky ishte dje në titulli më i lakuar në mediat shqiptare në këtë 69-vjetor të Çlirimit të Shqipërisë prej forcave antifashiste nacionalçlirimtare.

U krahasua Enveri me Hitlerin dhe prania e atyre posterave ndezi shumë debat.

Tani ka diçka vërtetë paradoksale me këtë ndodhi. Varrezat e Dëshmorëve janë ngritur prej atij sistemi, lufta e LANÇ-it ishte ai që e renditi Shqipërinë tek vendet fituese pas Luftës së II botërore dhe Enver Hoxha ishte komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura.

Tani nuk mund ti nderojmë dëshmorët e Kombit duke fshirë komandantit e tyre. Ose ti nderojmë së bashku, ose ti fshijmë së bashku dhe aty mbi varrezat e dëshmorëve të ngrejmë ndonjë qendër tregtare.
Shkroi: Stop Injorancës

Një krim rruge për të peshkuar një mentalitet kriminal


Besoj se të gjithë pak a shumë jeni njohur me rastin e tmerrshëm të nxjerrjes së syve të një qeni rrugaç diku andej nga Kombinati në Tiranë.

I menjëhershëm ka qenë reagimi qytetar të cilët e kanë ndihmuar kafshën e gjorë me ushqime, por edhe duke dhuruar para në emër të tij.
Deri këtu gjithçka duket mëse normale dhe qytetare, por drama fillon kur në rrjetet sociale ndaj ngjarjes në fjalë fillojnë e lëshohen mijëra sharje, mallkime, kërcënime, dhe thirje për vrasje e vdekje.

Ekzekutim, vdekje nga torturat, tortura nga më të paimagjinueshme për autorët e kësaj vepre të shëmtuar...

A nuk keni aq pak mend sa për të kuptuar se nuk mund të dënosh një krim, përmes disa metodave kriminale?

A nuk keni aq pak mend të kuptoni se ju që bëni thirrje për të ekzekutuar njerëz, në mos aq, jeni akoma më të rrezikshëm se autori në fjalë?
Shkroi: Stop Injorancës