Tuesday, June 17, 2014

Ja kush janë 10 njerëzit më të pasur në Shqipëri!

Fondacioni për Liri Ekonomike ka publikuar sot listën me 10 njerëzit më të pasur të vitit në Shqipëri. Kjo iniciativë gjerësisht i përdorur në vendet perëndimore dhe SHBA është një nga format e promovimit të lirisë ekonomike në vendin tonë, duke evidentuar bizneset dhe individët më të suksesshëm në sipërmarrjen e lire.

Metoda e përdorur është një përafërsim i asaj të përdorur nga Forbes Magazin ku merret parasysh xhiro vjetore e kompanisë, fitimi vjetor, kapitali i investuar, një vlerësim i përafërt i vlerës së tregut të biznesit. Në këtë vlerësim nuk janë konsideruar faktorë të tjerë si prona personale, detyrimet ndaj shtetit apo detyrimet ndaj sistemit bankar.

1- Samir Mane 
Është biznesmeni që kryeson listën e 10 personave më të pasur në Shqipëri. Zyrtarisht njihet si pronar 100 për qind i grupit Balfin, investime në pjesëmarrje dhe shërbim konsulence.

Gjithashtu ai është pronar 100 për qind i Mane TCI që merret me ndërtim dhe shitblerje pasurish të patundshme e qeradhënie, Albchrome Albania, me 90 për qind të aksioneve të Neptun, tregtim mallrash elektroshtëpiake, si dhe 88 për qind të aksioneve të Tiraa East Gate, një qendër tregtare, më e madhja në Shqipëri.

2- Vasil Naçi
I dyti në listën e dhjetë më të pasurve, Naçi zotëron 34 për qind të aksioneve të Agna, një kompani që merret me import-eksport te mallrave industriale e ushqimore, materiale ndërtimi, prodhime bujqësore dhe blegtorale, prodhim e shitje pije alkoolike, pjesë këmbimi, tregtimin e tyre me shumice e pakice si dhe transport mallrash dhe udhëtarësh. Gjithashtu Naçi zotëron 27 për qind të aksioneve të Alfa, import-eksport mallrash të ndryshme, 34 për qind të Albartex, tregti me shumicë dhe pakicë produktesh të ndryshme, si dhe 17 për qind të Platea, ndërtim dhe menaxhim-shpërndarje mediash të shkruara dhe marketingu. Po ashtu, Naçi zotëron edhe 4 për qind të aksioneve të bankës Societe Generale Albania.

3- Bashkim Ulaj
Është pronar me 100 për qind të aksioneve të kompanive Gener 2 dhe Platinium Investment. E para merret me ndërtime dhe ka në zotërim disa nga pallatet më luksoze në qendër të Tiranës. E dyta është aktivitet kreditimi financiar. Ulaj është pronar edhe i 70 për qind të aksioneve të DataCom, kompani të dhënash telekomunikative.


4- Artan Dulaku
Njihet si pronar i disa kompanive. Mes tyre, Concord Investment (ish Edil-al), me 34 për qind të aksioneve, INER, 34 për qind, kompani tregtimi mallrash të ndryshme, Inter Gaz, 50 për qind, tregtim gazi, nafte dhe nënprodukte të tyre. Dulaku është 100 për qind pronar i Alissa Albania, kompani ndërtimi dhe prodhim-tregtimi materialesh ndërtimi. Ai rezulton pronar edhe medias, si ASC (Tring), ku zotëron zyrtarisht 26 për qind në këtë kompani që ofron transmetime televizive, si dhe Media Vizion ku zotëron 33.33 për qind të Vizion Plus, television kombëtar satelitor. Dulaku është pronar edhe i Albeton 5 (100 për qind), Iliria Development (Shitblerje pasurish të patundshme), me 49 për qind; Alba-Beton, 34 për qind në këtë kompani që merret me aktivitet ndërtimi, shitberleje pasuri te patundshme. Dulaku është pronar edhe i 20 për qind të aksioneve të Euro Aditiv, kompani që merret me prodhim, blerje, tregti materialesh kimike për ndërtim.

5- Vjollca Hoxha 
Gruaja e të ndjerit Dritan Hoxha, themelus i Top CHannel, Top Media dhe Digitalb, Vjollca Hoxha, zyrtarisht rezulton pronare me 8 për qind të televizionit kombëtar Top Channel. Ajo është pronare edhe me 10 për qind në Digitalb, 6 për qind të aksioneve të kompanisë celulare Plus; 20 për qind të aksioneve të Valtellina, kompania e shitjes së Lori Caffe, si dhe një të pestën e Video Grafic Agency (VGA), që merret me prodhim e publikim reklamash.

6- Shefqet Kastrati 
Rezulton zyrtarisht pronar me 100 për qind të aksioneve të Kastrati Sh.a (Shoqëri Aksionere), kompani që merret me prodhim biokarburesh nga burime te rinovueshme si vajra vegjetale etj., si dhe të Kastrati Shpk që merret me import, eksport, tregti me pakicë të karburanteve, lëndëve djegëse, transport karburanti e mallrash, veprimtari në fushën e ndërtimit. Bar - Restorant, Hoteleri dhe Tregti me pakicë. Kastrati është pronar edhe i kompanisë së sigurimeve Albsig (Alb-Siguracion) me 73 për qind të aksioneve; Continental Group Sha me 50 për qind, kompani që merret me import, tregti produktesh hidrokarbure, traport hidrokarburesh dhe te tjera; 17 për qind të aksioneve të Kastpetrol, ndertim impiantesh per tregtim dhe përpunim hidrokarburesh; 49 për qind të Greeen Fuel, prodhim biokarburesh nga burime te rinovueshme si vajra vegjetale etj.; 50 për qind të Murataj, tregtim te mjeteve te transportit, prodhim te produkteve bujqësore, te qumështit dhe te nënprodukteve te tyre, mishit dhe te nënprodukteve te tyre, etj.;

7- Grigor Joti
Është pronar me 100 për qind të aksioneve të InveG që merret me ndërtim dhe rikonstruksion, si dhe 80 për qind të aksioneve të Infosoft Group. Kjo është kompania më e madhe e menaxhimit dhe shitjes së produkteve kompjuterike në Shqipëri.

8- Edmond Leka 
Është pronar me 35 për qind të aksioneve të të Unionit Financiar Tiranë që kontrollon të gjitha pikat e Ëestern Union në vend. Gjithashtu është pronar edhe i 2 për qind të aksioneve të bankës Union Bank.


9- Vilma Nushi

Është një ndër të paktat femra që rezultojnë në më të pasurit e vendit dhe e dyta zonjë në “Top 10”. Është pronare e 100 për qind të aksioneve të Marketing Distribution. Kontrollon Duty Free Shop dhe ka aktivitet të gjerë të tregtimit të mallrave të ndryshme. Është pronare edhe e gjysmës së aksioneve të kompanisë farmaceutike, TRIMED.

10- Ramë Geci 
I dhjeti në listë është Ramë Geci. Ai rezulton pronar me 100 për qind të aksioneve të Geci shpk, kompania që kontrollon hotelin Tirana International në kryeqytet, hoteli më i madh në Shqipëri, me katër yje.

Fondacioni që kreu hulumtimin e detajuar nuk ka publikuar shifrat e pasurisë së milionerëve shqiptarë, mes tyre edhe dy femra. Besart Kadia, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit për Liri Ekonomike, i pyetur nga IBNA pse nuk u bënë publike shifrat, pohon se ato janë të disponueshme, por është marrë vendim që sivjet të mos publikohen pasi vlerësohet si e nevojshme që siguria e shifrave të jetë 100 për qind

BALKANWEB

Të varfrit, të cilët shtohen në përpjestim të drejtë me rritjen e pasurisë së këtyre individëve, nxjerrin shumë justifikime të gjetura për të ngushëlluar vetveten, si në rastet e fotos së mëposhtme. (S.I)

Ja kush janë 10 njerëzit më të pasur në Shqipëri!

What's that ?

Na ishte se ç'na ishte

Na ishte njëherë e një kohë kur nuk e njihnim dhe nuk na interesonte politika. Nuk na interesonte pamja e ngjyra e tjetrit. Përkatësia fetare dhe asgjë tjetër që na ndante s'përbënte temë diskutimi.
Ishim bashkë, vajza e djem, gjithë kohës, qëndronim përkrahu dhe ndjeheshim motra e vëllezër. Ziheshim dhe me një të lidhur gishtash pajtoheshim sikur të mos ishim zënë asnjëherë.
Rrinim gjithë kohës jashtë dhe nuk kishim nevojë për lekë e madje as për lodra. Ato do ti krijonim vetë.
Gjëja më e mërzitshme në televizor ishin lajmet apo parashikimi i motit, sepse nuk na interesonte në ishte diell apo shi, ftohtë apo vapë.
Ishte kjo kohë kur gjumi na zinte duke u hedhur mbi krevat dopio e duke qeshur. Koha kur zgjimi vinte prej puthjesh.



Lojërat, ishin ngjarjet tona më serioze.

Ishte një kohë kur hidhje dhëmbin e vjetër e sorra nuk harronte të të sillte të riun.
Ishte koha kur gjumi i pasdites ishte një humbje kohe sa ishe i gatshëm edhe të shtireshe sikur po flije. Ishte koha kur dikush ishte më i madh, vetëm pse me të kishe një vit diferencë dhe ata që banonin në pallatin përbri, i përksinin një lagjeje tjetër.

Ishte koha kur në ditaret njëri-tjetrit shkruan fjalët më të bukura e premtimet për shoqërinë e përjetshme. Ishte koha kur kishe shokë shumë të ngushtë, madje disa në klasë e disa në lagje. Ishte koha kur koncerti organizohej në pak orë, të gjithë ishin artistë dhe të gjithë duartrokitës. Ishte koha kur ngopeshe, ndërsa bukën e ndaje me të tjerët.
Ishte koha kur pushimet verore ishin vertetë pushime dhe ti i lumturoheshe veshjes për herë të parë të rrobave të verës.

Ishte koha kur kërkoje probleme, për ti zgjidhur.

Ishte koha kur jeta ishte e bukur dhe ti kërkoje të rriteshe sa më shpejt. Ishte koha kur "Na ishte se ç'na ishte", ishte një përrallë e vërtetë.

Shkroi: Stop Injorancës !

E kish' gabim...

Punët nuk bëhen me b*thë! - thosh' populli.
E kish' gabim... (S.I) Shkendije Mujaj

Wednesday, June 4, 2014

Bashkë

Ai çift që kishin shkëmbyer bashkë qindra mijëra mesazhe, orëve të vona.
Ai çift që puthej pa u shkëputur për orë të tëra dhe që nuk linte rast ti shpëtonte pa i bërë çmendurirat edhe mes natyrës, në banjo shkollash e tavolina lokalesh. Ai çift që nuk humbiste rastin të shfrytëzonte një shtëpi bosh, apo që edhe 2 herë në javë shtrëngonte shpenzimet për të zbardhur netët hoteleve, ku zente gjithmonë dhomën me vaskë.
Ai çift që ecnin gjithmonë përdore dhe dushin e bënin përherë bashkë.
Po, po.
Ky është çifti që nëse nesër do nisin të jetojnë në të njëjtën çati duke ndarë të njëjtin shtrat, s'do të ndajnë më të njëjtat ëndrra.
S'do të zgjohen më duke u puthur dhe puthjet gjithmonë e më shumë do t'ua lënë vendin fjalëve. Do të zihen, shahen e do të mbajnë edhe mëri gjatë.
Mbi dashurinë, që i solli në ngritjen e folesë së përbashkët, do ti kushtohet rëndësi gjendjes së tyre financiare. Se e tillë është jeta me vështirësitë e saj.
Dhe ky është një cikël, që sido dhe sado herë që ta nisësh, do arrish përsëri në të njëjtin rezultat. Se emocionet kanë grafikët e tyre, me një pikënisje, një pikë kulminante dhe duke vazhduar me luhatje në një rënie konstante. Ashtu si edhe ne, kemi grafikët tanë të predispozitës për të provuar këtë lloj emocioni.
Me këdo të jeni në krahë e sado të dashuruar marrëzisht pas njëri-tjetrit të jeni, do të kaloni në të njëjtën rrugë dhe nuk është mjaftueshmërisht e arsyeshme të ndaheni, në çastin kur duhet të ndani përgjegjësitë.
Nëse do jeni me fat, dalëngadalë do të ndjeheni si vëlla e motër. E nëse nuk do arrini ta krijojni atë fat, si dy shokë trazovaçë..
Po ç'rëndësi ka?!
Natyra e ka bërë gjithçka të konsumueshme dhe ne na mbetet të kryejmë një përjashtim; respektin ndaj njëri-tjetrin.
Për respekt të asaj dashurisë së zjarrtë, për respekt të folesë së ngritur dhe sfidave të përballuara. Për respekt të ngritjes së një familjeje si qelizë e shoqërisë dhe edukimin e pjestarëve, si një pjesë integrale e saj.
Njeriu nga natyra është një poligam i lindur dhe implementimi me sukses i një monogamie, me të gjitha kundërshtitë e saj, është patjetër një sukses.
Jeto, rritu e plaku, bashkë!
Shkroi: Stop Injorancës !

Friday, March 28, 2014

Sipas teje, deri kur?!

Sipas moshës, ata ishin të dy shumë të rinj.
Sipas të dhënave djali ishte 24 vjeç dhe vajza diçka më pak.
Sipas vajzës, ai ishte çun mamaje që dëgjonte prindërit.
Sipas djalit, ajo nuk i donte prindërit e tij.
Sipas prindërve të djalit, ajo duhet të zgjidhte të jetonte me prindërit e djalit, ose të rikthehej të jetonte me prindërit e saj.
Sipas babait të vajzës, krushqit për prishjen e martesës meritonin të rriheshin.
Sipas nënës së vajzës, ata meritonin edhe plumbat e kallashit.


Dhe sipas gjasave kështu ndodhi.
Sipas hetimeve të Policisë, një divorc 2 javë para dasmës, përfundoi me vrasjen e krushkut si dhe plagosjen e dhëndrit dhe të një kalimtareje të rastit.

Sipas qytetarëve, kjo është kafshëri.
Sipas kafshëve, këto janë punë njerëzish.


Sipas shqiptaro-fobëve, këto janë vepra shqiptarësh.
Sipas gazetave, këto janë ngjarje interesante.
Sipas politikanëve, këto janë fajet e kundërshtarit.
Sipas ushtarakëve, këto janë pasojat e pajisjes së qytetarëve me armë, pas rënies së shtetit në vitin 1997.
Sipas sociologëve këto tregojnë dramën e familjes shqiptare.
Sipas ekonomistëve, këto janë efektet e krizës ekonomike.
Sipas arsimtarëve, këto janë efektet e mungesës së dijes e kulturës.
Sipas kohës, dramat e tragjeditë shqiptare përbëjnë ngjarje të rëndomta.

Sipas teje, deri kur?!

Shkroi: Stop Injorancës !

Filloi?

Pas shumë e shumë diskutimeve të gjata, të flakta, të ashpra, me tone banale apo kërcënuese nëpër të gjitha arenat virtuale, fatkeqësisht konflikti duket se po rrëshket atje në terren, në realitetin tonë të përditshëm.

Eshtë një konflikt që nuk ka qenë kurrë traditë e shqiptarit, të cilit nuk i është dashur feja për ta dalluar prej të tjerëve.
Nuk është traditë e shqiptarit që gjithmonë e ka përdorur fenë si gunë për t'u mbrojtur, apo siç thotë në kujtim e saj Edit Durham pasi viziton Ballkanin e mbërrin në Shqipëri: "Më në fund shpëtova nga njerëzit Zotkrijues".

Kështu ia arriti shqiptari, i cili për hir të së vërtetës nuk shquhet për tolerancë, të jetë shembulli botëror i tolerancës fetare, pikërisht duke mos qenë fetar, duke mos e trajtuar fenë më seriozisht sesa një festë më tepër.
Dhe kjo është arsyeja pse aq lehtë shqiptari hiqte dorë nga feja e tij, sepse pragmatizmit të shqiptarit, ajo nuk i vlente asgjë.
Kështu hoqi dorë nga Krishtërimi, kështu hoqi dorë edhe nga islami.
Sepse kurrë feja nuk ka arritur të depërtojë në botëkuptimin e pasur e të lashtë të shqiptarit.
Kështu madje shqiptari nuk e kishte fare problem që të ndalonte edhe vetë fenë, siç nuk na ndodhur në asnjë vend në botë. Shqiptari ka besuar në Zot, apo në shumë Zota, por jo në përfaqësuesit e tij të vetëshpallur këtu në tokë.
Kjo ndikuar edhe prej faktit se dogmat fetare kanë ardhur tek shqiptari për ti tjetërsuar gjuhën, traditat, ritet, zakonet, emrat, folklorin.
Pasuri të cilat shqiptari i ka trashëguar shumë më të pasura e të vyera nga e kaluara e tij.

Por fill pas viteve 90' në Shqipëri vërshuan qindra e qindra misione të ndryshme fetare, që shqiptari i varfër e mikpritës, ua hapi krahët dhe i pranoi me bujari.
E kështu dalëngadalë, shtyrë nga urrejta për sistemin e kaluar, ndihmuar nga mungesa e shtetit, nxitur nga varfëria, nga indiferenca apo në disa raste edhe padija, shqiptari i pas viteve 90' filloi një indoktrinim masiv.

Shqipëria Ateiste e pas viteve 90' ishte një tokë e virgjër, për plot 245 grupe organizatash dhe fondacionesh fetare (34 organizata islamike dhe 189 organizata protestante) të cilët të etur e vaditën tej për tej.

Dhe sot pas 2 dekadash kanë nisur të lulëzojnë frutat e para, për të sjellë atë që kemi parë se ekziston në të gjithë botën, urrejtjen fetare, ndarjen, përçarjen, sulmet e dhunshme, terrorizmin.

Dhe fajtorë për këtë situatë janë fillimisht politikanët, që duke ngritur plot hipokrizi Kupën e Tolerancës, lejuan një indoktrinim të dhunshëm të shoqërisë shqiptare.
Janë mediat që kurrë nuk guxuan ta ngrenë si shqetësim që po preken figurat kombëtare, që po përbalten rilindasit, që po indoktrinohen fëmijët, që po abuzohet në emër të ndihmës edhe pse plot dëshirë televizionet e radoit jepnin papushim dokumentarë propogandues, që binin plotësisht ndesh me dijen që marrin fëmijët në shkolla.
Fajtorë janë gjithashtu ata besimtarë tradicionalë (nuk ekziston si term, por nënkupton besimtarin shqiptar për sy e faqe), të cilët kanë justifikuar në emrin e besimit në Zot, çdo ekstremizëm e devijim të shfaqur, apo edhe më keq, zgjidhnin të heshtnin.

Nesër, ditën e premte të 14 Marsit, të një feste pagane tashme të ringjallur si traditë e zyrtarizuar në të gjithë Shqipërinë, në Ditën E Verës (Rilindjes së Natyrës) disa qindra apo dhe mijëra qytetarë shqiptarë që mallkojnë Qeverinë shqiptare dhe nuk ua bën syri tërr as për Policinë, janë të gatshëm e të motivuar për të dalë në Protestë kundra arrestimit të një imami, i cili akuzohet që ka dërguar mbi 50 shqiptarë të luftojnë në Siri dhe ka bërë thirrje për një Shtet Islamik dhe Ligjin e Sharias.

Urojmë që edhe kësaj here pragmatizmi shqiptar të fitojë, por mjaft me indiferencë. Një ditë mund të jetë vërtetë vonë.

Shkroi: Stop Injorancës !

Pse shqiptarët po e festojnë kaq masivisht e bashkarisht "Ditën e Verës?

Sepse Dielli nuk i kërkon ti luten, ti falen, ta falenderojnë.
Ai nuk i kërkon flijime, nuk i imponon një tjetër gjuhë, të tjerë emra, një tjetër veshje e të tjera tradita, shkurt nuk kërkon ti përçajë, por ti bashkojë shqiptarët.
Akoma më pak, Dielli jo vetëm nuk kërcënon askënd me ferr në jetën e përtejme, por i fton të gjithë të rizgjohen prej dimrit të plogësht për të shijuar të gjitha mirësitë, që vetëm Ai di t'ia falë natyrës.

Shkroi: Stop Injorancës !

Të gjithë ata që nuk u ndëshkuan për Gërdecin

Në vitin e gjashtë janë të gjithë të lirë.
Ata që gabuan për arsye teknike, i ka nxjerr gjykata, ata që firmosën për arsye politike, nuk u dënuan kurrë, ndërsa ata që e nisën biznesin në emër të pushtetit të Familjes, ende nuk janë pyetur.
Historia e tragjedisë së Gërdecit është nga ato ngjarje që ndajnë në dy pjesë historinë e një shoqërie dhe një pushteti. Ngjarje të tilla fiksojnë kufirin mes pushtetit të krimit në politikë dhe shoqërive të lira, por ndajnë dhe kufirin mes lirisë dhe dinjitetit brenda një grupi politik dhe nënshtrimit para autoritarizimit dhe duarve të përgjakuara të një familje në pushtet.









1. Sali Berisha


Historia e fshehjes së këtij krimi ka nisur pak minuta pas tragjedisë në zyrën e kryeministrit Sali Berisha. I njoftuar për tragjedinë, ai ka nisur me kujdes fshehjen e provës së parë dhe më të rëndë kundër tij, praninë e baxhanakut të vet, tashmë si viktimë në këtë tragjedi. Komunikata e parë për shtyp e tij përmendte emrin e baxhanakut, por të ndryshuar, nga Muhamet Hoxha në Mehmet Hoxha. Në pamjen filmike të transmetuar publikisht dhe të lexuar me zërin e tij, vërehet një pauzë para se të përmendë emrin dhe me qetësi e lexon Mehmet në vend të emrit Muhamet.

“Deri tani janë identifikuar emrat e 3 viktimave: Rajmonda Tudi, 40 vjeç, Mehmet Hoxha, 59 vjeç, Jetmir Kolloshi, 19 vjeç, ndërsa dy nga viktimat janë ende të paidentifikuara. 4 prej tyre janë gjendur në vendin e shpërthimit dhe një tjetër më tutje”.

Përpjekja e tij që në momentet e para të tragjedisë për ta devijuar të vërtetën larg tij dhe familjes se tij, ishte dhe mbeti linja politike qe po varros ketë të vërtetë.

Këtë “ngatërresë të qëllimshme emri”, Berisha e përdori dhe dy ditë më pas në sallën e parlamentit të Shqipërisë. Edhe pse familja e tij ishte familjarizuar me tragjedinë, edhe pse gruaja e tij Liri Berisha dhe dy fëmijët e tij ishin në ceremoninë e varrimit të baxhanakut të tij, ai vazhdonte të sillej sikur nuk e njihte Muhametin.

Berisha, një bashkëshort shembullor dhe i dhënë pas lidhjeve familjare të gruas së tij deri në detaje, po përpiqej të paraqitej para shqiptarëve ashtu siç nuk është, si një njeri që nuk njeh baxhanakun e vet.

2. Liri Berisha

Përpjekjet për ta mbajtur larg familjes së tij këtë histori, i zbulon pa dashje gruaja e tij në intervistat e saj publike. Liri Berisha bëri tentativën e parë për ta rrëfyer gabim këtë histori.

Në një intervistë dhënë gazetës “Panorama”, në datën 15.04.2008, zonja Berisha thotë se ajo dhe i biri i saj nuk ia kishin treguar Sali Berishës faktin që ai kishte një baxhanak, që punonte në Gërdec dhe që ishte nga të vrarët mes viktimave.

Ja si e përshkruan ajo momentin kur është ndjerë keq që Berisha nuk dinte gjë për baxhanakun. “Problemi ishte se ai nuk pati rast ta takonte asnjëherë. Ata (motra me të shoqin), kishin vetëm tre muaj që kishin ardhur. Saliu lexonte emrin aty dhe unë thosha: “E zeza, si nuk ia kemi thënë!” Ato kohë kishim trevjetorin e vdekjes së mamasë dhe kishim menduar që ta linim për më vonë prezantimin familjar me njerëzit e familjes. Isha unë ajo që ia caktova si detyrë tim biri t’ia shpjegonte situatën” (“Panorama”, 15 prill 2008).

Shpjegimi i zonjës Berisha ka disa mangësi thelbësore. Mangësia e pare ka të bëjë me vetë imazhin e familjes Berisha dhe marrëdhëniet perfekte që ata kanë si çift. Çifti Berisha shquhet për raporte shumë të sinqerta me njëri-tjetrin dhe marrëdhënie shumë të mira. Në një raport të tillë familjar, që kurrsesi s’mund të besojmë se është hipokrit, nuk mund të ndodhë që zonja Berisha të mos i ketë folur asnjëherë burrit të saj për baxhanakun, i cili po punonte në një punë që e kishte rekomanduar djali i tyre. Por hijet e dyshimit rriten më poshtë, kur zonja Liri Berisha tregon se si ka mësuar që kunati i saj po punonte në Gërdec. “Kur një ditë shkojmë në varreza te prindërit, e pyes motrën nëse i shoqi kishte filluar punë dhe ajo më tregoi se po punonte diku afër Marikajt. Kur e pyes se çfarë bën, ajo mu përgjigj: “Mban ca arka municionesh”. Është i kënaqur me punën? – e pyeta. “Jo dhe aq, mban ca arka, por do të rrijë veç pak, sa të gjejë një punë tjetër më të mirë”. Në kohën që vdiq, kishte marrë vetëm dy rroga”. (“Panorama”, 15 prill 2008).

Kjo deklaratë e zonjës Liri Berisha bie ndesh me deklaratat e motrës së saj, Vjollca Hoxha, (Rama) e veja e Muhamet Hoxhës vrarë në Gërdec. Zonja Hoxha, e cila duket se ka qenë në periferi të përfitimeve nga pushteti i kunatit të saj, e tregon ndryshe historinë. Në një intervistë në “Gazeta Shqiptare” më 15 qershor 2008 ajo thotë se burri i saj ishte kthyer në Shqipëri që në muajin nëntor, kurse ajo vetë që në fillim të vitit 2007, dhe jo siç thotë Liri Berisha, “ata (motra me të shoqin) kishin vetëm tre muaj që kishin ardhur”. Vjollca Hoxha (Rama), motra e Liri Berishës, në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, rrëfen se ishte kthyer në Shqipëri në qershor të 2007 për të vizituar familjarët, dhe se në Shqipëri e mbante një operacion që duhej të kryente, pasi kishte këputur meniskun. Më pas kishte ftuar dhe Muhametin të kthehej në Shqipëri, derisa të përfundonte operacioni.

Nga ana tjetër, të dy motrat nuk bien dakord për faktin se a kishin dijeni ato për punën që bënte i ndjeri Muhamet Hoxha. Vjollca tregon se nuk e dinte që bashkëshorti i saj punonte në një fabrikë demontimi të armëve: “Po si mendoni ju, që po ta kisha ditur, do lejoja që im shoq të punonte aty? Unë me të vërtetë s’jam e pasur, kam punuar si gjithë shqiptarët e tjerë nëpër Evropë, tri punë në ditë, nga kuzhiniere te pastruese, por nuk isha duke vdekur nga uria që të lejoja që im shoq të punonte aty, në mes të rrezikut”, thotë gjatë intervistës së saj Vjollca Hoxha (Rama). (“Gazeta Shqiptare”, 15 qershor 2008).

Ndryshe nga kjo, zonja Liri Berisha në intervistën e saj thotë: “Kur e pyes (motrën) se çfarë bën (burri), ajo m’u përgjigj: “Mban ca arka municionesh””. (Gazeta “Panorama”, 15 prill 208). Këto lajthitje të zonjës Berisha në intervistën e saj publike për Gërdecin dëshmojnë se ajo, ose nuk është e sinqertë me opinionin publik, ose nuk ka qenë e sinqertë me motrën e saj dhe bashkëshortin e saj, Sali Berisha.

Motra e saj provon se ka qenë me burrin në Shqipëri prej vitit 2007 dhe se nuk e ka ditur se burri i saj punonte mbajtës arkash municionesh. Dëshmitë rreth Gërdecit dhe hetimet e bëra nga prokuroria provojnë në të vërtetë që Muhamet Hoxha nuk mbante arka, por numëronte arka dhe ishte një lloj përgjegjësi në këtë punë.

3. Shkëlzen Berisha

Ndërkohë që Berisha gënjente publikisht për emrin e baxhanakut të tij, duke shpresuar se shqiptarët nuk do ta mësonin këtë të vërtetë, i biri i tij, Shkëlzen Berisha, fliste në telefon me Mihal Delijorgjin. Tabulati i zbardhur prej Prokurorisë provon se Shkëlzen Berisha ka folur në orën 12:48 minuta në telefon me Mihal Delijorgjin. Biles nëse i hedh një sy tabulateve të Mihal Delijorgjit, shikon se njerëzit më të afërt me të cilët ai ka ndarë shqetësimin për tragjedinë që ndodhi në 30 minutat e para, janë gruaja e tij, kunati dhe Shkëlzen Berisha

Pra. siç shihet, që në orët e para të tragjedisë kemi patur një përfshirje direkt të familjes së kryeministrit për të fshehur rrethanat që kjo histori i lidh me ta.

4. Fatmir Mediu

Po si është përfshirë djali i kryeministrit në këtë histori? Është e vështirë ta ndash ku mbaron të qenit e tij si pronar real i këtij biznesi dhe ku ka qenë thjesht ndërmjetës. Ata që e njohin nga afër para shpërthimit, dëshmojnë se ai fliste hapur për këtë biznes, biles shpesh i shqetësuar që administrata e babait të tij nuk e ndihmonte sa duhet të bënte dokumentacionin gati.Shoqëria e tij me Fatmir Mediun në ato muaj ka qenë publike. Ata ishin bashkë në zyrë, në Sheraton, në makinë, në restorant. Sipas dëshmive që dalin nga blloku i sekretares së Ministrit, rezulton që Shkëlzen Berisha për një periudhë të shkurtër të ketë qenë aty mbi 50 herë.
Këto blloqe autentike argumentojnë çdo kundërshtim që mund të vije në vazhdim në lidhje me përfshirjen tashmë të provuar të zotit Berisha në aferën e Gërdecit. Këto dy blloqe kanë të  dokumentuara dhe të faktuara të gjitha vizitat “për kafe” që ka bërë në zyrën e Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, të  Shkëlzen Berishës. Të gjitha takimet kanë të shënuara datat përkatëse dhe personat përkatës.
Nga marsi 2007 deri në mars 2008 zoti Shkëlzen Berisha de facto ka pasur një zyrë të tijën në institucionin e Ministrisë së  Mbrojtjes. Pesë nga shume bisedat që janë bërë mes zotit  Shkëlzen Berisha dhe drejtuesve te tjerë të Ministrisë duke  përfshirë dhe Ministrin e Mbrojtjes janë incizuar me gadget  regjistrues nga dy prej të pandehurve, njeri prej të cilëve  ndodhet në gjendje arresti, por këto materiale janë zhdukur dhe nuk i janë dorëzuar prokurorisë.


5. Aldo Bumçi Lobimi i tij në këtë heshtje shihet qartë edhe tek mënyra se si ka raportuar Ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, në adresë të tij për komentet e vendimit të qeverisë që do t’i hapte rrugë demontimit. Ky është dhe fakti më komprometues që lidh direkt djalin e Kryeministrit me këtë biznes, ku ministrat janë thjesht ushtarë raportues të tij.
Nga faksi i Ministrisë së Drejtësisë në adresë të Ministrisë së Mbrojtjes, Bumçi ka nisur komentet e vendimit në një kopje për Shkëlzen Berishën. Edhe pse tri dite më parë e kishte nisur shkresën zyrtarisht, një fotokopje të saj ka bërë kujdes t’ia nis në një zyre të asaj ministrie ku Shkëlzen Berisha ishte bërë familjar, me faks. Edhe pse Bumçi e Berisha u përpoqën ta përgënjeshtrojnë faktin, sekretarja e Bumçit e konfirmoi atë në prokurori.

6. Rrahman Selmanllari
Një tjetër dëshmi e fortë që Shkëlzen Berisha ishte pronari real këtij biznesi, ishte Rrahman Selmanllari, një mik i vjetër i tij, i cili e përdorte shpesh si mbulesë e veprimeve të tij si sekser.
I thirrur nga prokuroria, Rrahman Selmanllari pranon se ka miqësi me Shkëlzen Berishën, por mohon të ketë lidhje me Gërdecin.
Dëshmia e tij është e rreme, por ai nuk është marrë i pandehur për këtë. Së pari kemi dëshminë e kunatit të tij që punonte në atë që quhej “Grupi hije” në Gërdec dhe që ishte një grup special që nuk i jepte llogari askujt.
Pra dëshmia e Selmanllarit që nuk ka lidhje me Gërdecin, dhe që nuk njeh askënd që punon aty, hidhet poshtë nga dëshmitë e njerëzve të tij që e pranojnë se janë punësuar aty për shkak të tij. Ekziston një dokument që provon se Rrahman Selmanllari ishte i autorizuar i kompanisë amerikane SAC që po instalonte fabrikën e demontimit.
Njeriu i Shkëlzen Berishës ishte personi kyç që drejtonte gjithë punën në Gërdec dhe ende sot nuk është thirrur nga gjykata për dëshmi të rreme. Po ashtu nuk është thirrur as nga prokuroria, as nga gjykata Shkëlzen Berisha.
Nuk janë thirrur në prokurori as pronaret e firmës Trans Digging Construction, që është firma e cila ka kryer punimet për ndërtimin e fabrikës së Gërdecit.
Pronarë të kësaj firme janë Delijorgji, vajza e Fahri Balliut dhe dy vëllezër me mbiemër Mata.
Kjo kompani ka vepruar veç të tjerash pa leje ndërtimi dhe me arrogancë në prishjen e ndërtesave ushtarake çfarë tregon se ka pas mbrapa mbështetje të fortë politike. Aksionerët e saj nuk u thirrën asnjëherë nën hetim, duke u injoruar kështu zanafilla e këtij projekti politik.

Mero Baze - Gazeta Tema

Paso Nderin

Më kapi syri një makinë, e cila kishte disa minuta që priste t'ia hapte rrugën ndokush, saqë edhe pse isha me vonesë, i dhashë përparësi të futej në rrugën kryesore. 

Pak metra më tutje, më kapi syri se e njëjta makinë, i hapi rrugën një motorçiklete "Alla albaneze" nga këto me kosh përpara dhe fill pas kësaj, motoçikleta i hapi rrugën një tjetër automjeti.
Funksionoi "Paso Nderin" fillova të mendoj me vete. Idenë ma përfocoi akoma edhe më shumë kur automjeti në fjalë ia hapi rrugën një gruaje me karrocë tek vijat e bardha dhe kjo e fundit iu hapi rrugën një tjetër automjeti që xhiroi gomat.
Afrohem tek gruaja i entuziasmuar dhe hap xhamin për ti thënë me shaka "Funksionoi, Paso Nderin funksionoi vërtetë", por në buzët e saj lexova: "Idioti, hapi rrugë idiotit".

Shkroi: Stop Injorancës !