Wednesday, April 27, 2011

Dhe ylli i ri i Gjermanisë është një… shqiptar

Ardian Bujupi, 18 vjeçari nga Kosova, pritet të shpallet fitues në spektaklin e njohur “Gjermania kërkon një yll”.
Ardian Bujupi Das Erstellen von Bildergalerien ist verboten! Verwendung der Bilder für Online-Medien ausschließlich mit folgender Verlinkung: "Alle Infos zu "Deutschland sucht den Superstar" im Special bei RTL.de: www.rtl.de/cms/unterhaltung/superstar.html
Edhe pse gara finale është më 7 maj, gazeta Bild thotë se shanset për të fituar i ka Bujupi, kosovari simpatik.
Nga gara në garë, ai po rritet ndjeshëm dhe shanset janë që të fitojë në fund pasi ka fituar shumë pikë sidomos mes grave të moshuara.

Historia e Bujupit gjithashtu ka prekur shumë gjermanët.
Ardiani thotë se fëmijëria e tij ka qenë shumë e vështirë. Ai bashkë me nënën duhej të arratisej nga Kosova. Ardiani jetonte në Prishtinë në kohën kur Kosova ishte pjesë e Serbisë. Babai i tij ishte drejtues në universitet dhe ishte këshilluar nga një afërm të arratisej pasi ishte në listën e zezë të shërbimeve sekrete serbe. Babai i arratis dhe Ardiani, që në atë kohë ishte 1 vjeç, dhe nëna shtatzënë mbetën pas.

Vetëm pas lindjes, ata u arratisën nga Kosova drejt Gjermanisë.

Tema
Duke i uruar suksesi këtij ambasadori të shqiptarisë, ju ftojmë të ndiqni një video të talentit shqiptar : http://www.youtube.com/watch?v=1jkfwqOPaE0

A kemi fuqi ta refuzojmë të keqen?

“Nëse harrojmë gabimet e së shkuarës, jemi të dënuar t’i përsërisim ato”, ka thënë George Santayana.
Apo mund ta kenë thënë të tjerë përpara tij?Ndoshta.
Në fakt, është një nga ato fraza, të cilën nuk ka mundësi t’mos e ketë thënë dikush tjetër përpara. Historia e njerëzimit ka lindur tok me gabimin e me harresën, e prandaj gjithëherën duhet të ketë qenë dikush që mund të ketë thënë përpara dikujt, se “kush harron një gabim të bërë, do ta përsërisë se s’bën atë”. Madje, është një frazë, që do duhej të thuhej më së pari nga ndonjë banor i vendit të shqipeve. Në çdo kohë. Sidomos sot. Dhe me këtë kam dalë aty ku doja.

Viti 2011. Anno domini. Shqipëria qeveriset nga Sali Berisha.
Kush është ky?
Mos është ai që në vitin 1992 erdhi në pushtet me premtimin për demokraci, e që më pas nuk lejoi opozitën të dilte të manifestonte në sheshe, burgosi udhëheqësin e opozitës, ndërtoi një shtet, institucionet e të cilit, që të gjitha, i kontrollonte ai vetë, përndoqi gazetarët, vodhi votat, lejoi dhe inkurajoi krijimin e piramidave financiare, i bëri karshillëk zemërimit popullor prej humbjes së kursimeve në këto piramida, hapi depot e armëve dhe rrëzoi shtetin për të krijuar konfuzionin e madh, mes të cilit mund të humbte gjurmët e krimeve të kryera e mund të mbrohej prej protestave? Mos është ai që, tok me karriken e pushtetit, la pas dhe nja 2-3 mijë të vrarë në konfuzionin që mbolli? Po, mor po, ai është. Shqiptarëve iu deshën tetë vjet për të harruar se kush ishte, e për ta risjellë në pushtet. Me Votë. Sic!

Pasi ritentoi pa sukses për tetë vjet me radhë (1997-2005), në stilin e tij të njohur e të frikshëm (me këtë stil ua bënte të lehtë shqiptarëve harraqë që të mos e harronin se kush ish), të rimerrte pushtetin e humbur, ai i dha karar të merrte një tabletë a një porcion nga ilaçi i Stevenson-it, dhe fap, u shndërrua, për një copë herë, nga i frikshëm në babaxhan e shpirt njeriu, dmth nga Mr. Hyde në Dr. Jekyll. Por le t’u ikim paraleleve me personazhe fiction. E le të hyjmë drejt e në temë.
Më kujtohet, se atëmot (2005) ishte dikush që, teksa dëgjonte ca të tjerë që thoshin, se “Sali Berisha është ai që është, nuk ndryshon kurrë, por nuk duhet ta kemi frikë, pasi tani kemi institucionet në rolin e gardianëve”, doli e tha: “ju po na thoni që bisha është bishë, por nuk ka pse të shqetësohemi, pasi kemi kafazin e institucioneve”?
Ky dikush (F.Ç) sot i lëpin bythën Berishës.
Si është e mundur? Ka harruar ç’ka thënë? Ka harruar se kush është “bisha”?
Jo, jo, s’është soji i atyre që harrojnë. Përkundrazi, është nga një soj tjetër, ndoshta më i madhi në tribunë e shqiptarëve, nga soji i atyre që për ideal kanë të mos kenë ideal. Dhe nuk është vetëm ky. Një e nga një kaluan pothuaj të gjithë në kampin e Sali Berishës. Dhe këtu nuk e kam fjalën për njerëz si Lulzim Basha e të tjerë që dolën nga hiçi, e të cilët, sidoqë të shkojnë gjërat, e kanë të hazërtë në çdo kohë justifikimin: “po unë s’dija gjë; unë thjesht zbatoja urdhërat”.
E kam fjalën për të tjerë që ca gjëra i dinë mirë, ja, si puna e F.Ç-së.
Cilët janë këta?
Janë shumë. Të zë frika kur mendon sa shumë janë. Doni t’ju them ca? Po ja, A.I, G.R, G.P, B.F, A.F, F.Xh, A.Zh, A.H, N.C, N.L, e deri tek këta të ditëve të fundit, si Y.M, K.Ç, etj. Nuk është se më dalin nga mendja të tjerë, që sot janë me opozitën; dhe as që më shkon në mendje t’i përligj në kërcimet e tyre sa andej, këtej; por të jesh në opozitë është kokëçarje e telash, ndërsa këtu po flas për atë pjesë të intelligentsia-s, që nuk po lë gjë pa bërë në mbështetje të regjimit që, si të gjitha regjimet, ka në dorë të ofrojë mbrojtje, komfort, status, pushtet, ndikim, favore, pará, prona. Kanë arritur deri atje sa kanë nënshkruar peticione (në stilin e peticioneve të kolektivave punonjëse në kapërcyell të vitit 1990) në mbështetje të regjimit, që po e mbrojtka rendin publik e kushtetues nga opozita. Së fundi kanë ngritur grupe e skuadra elektorale në mbështetje të kandidatit të tyre për kreun e bashkisë së Tiranës.

Kam “zbuluar” një gjë që i dallon të gjithë këta: Sa më shumë Berisha e trash zullumin, aq më shumë këta i falin mbështetje. Këta janë sot me Berishën më të vendosur se sa kanë qënë në vitin 2005. E kanë motivuar qysh në krye të herës këtë sjellje me faktin, që në krahun tjetër na qënka Edi Rama. “Ai është më i keq se Berisha”, kanë recituar e recitojnë, ngaqë u hyn në punë, një patologji të vjetër të F.L-së, si të ishte arsyetimi më i sofistikuar e më solid mbi faqe të dheut.
-Ndodhi ploja e Gërdecit (mbetën të vdekur gati 30 vetë) për shkak të një afere korruptive, në qendër të së cilës ishte djali i Sali Berishës (të gjithë e dinë që është kështu), por edhe pas kësaj ata vijuan të thonë, se “dakord, Berisha është i korruptuar, por Rama është më keq”.
-Pamë të gjithë në programin Fiks Fare, se si Ilir Meta, zëvendësi i Berishës, fliste për tangjente të marra e të dhëna, por reagimi i të këtillëve ishte po ai: “dakord, korrupsioni s’ka qënë kurrë në këto nivele, por Rama është më keq”.
-Ndodhi 21 janari, u vranë katër vetë krejt të pafajshëm, të paarmatosur, të parrezikshëm, por në vend të tronditeshin e të ngrinin zërin në kupë të qiellit, ata zunë të thoshin: “ka faj ai që i vrau, por ka faj dhe ai që i çoi përpara kryeministrisë (!!!); rrjedhimisht, Berisha është vrasës, por Rama është më keq”.
-Erdhi post-21 janari, dhe dëgjuam të na hidhen në surrat çmendurira të padëgjuara, si “protestuesit janë vrarë nga vetë protestuesit, se këta të fundit kanë bërë stërvitje diku afër Tiranës për të përmbysur me dhunë një pushtet të ardhur me votë, etj, etj”, por prapë nuk doli asnjë të thosh: unë nuk dua të jem pjesë e këtij zhgani.

Kudo e kurdo që një regjim vret, dalin dy a tre nga brenda regjimit, dy a tre më pak cipëtrashë se sa të tjerët, dy a tre që kanë, megjithatë, një minimum dinjiteti e ndërgjegjeje, e thonë stop, deri këtu jo, jo, jo.  
Para dy a tri ditësh edhe në Siri dolën dy deputetë e një klerik, dhe thanë se jemi kundër regjimit të Bashar al-Assad-it, që po vret njerëz të pafajshëm, ndërsa në Tiranë nuk doli qoftë dhe një nga kampi i maxhorancës të thosh: qysh nga ky moment unë jam në opozitë me këtë pushtet.
Përkundrazi, doli njëri syresh, ministër (A.I), që iu tha deputetëve të opozitës, se “ju jeni të gjithë Ziverë” (!!!).


Ndërsa të tjerët vijuan t’i bien të njëjtit avaz: dakord, por Rama është më keq.






Ou, po si qënka kjo punë kështu? Sa i keq na qënka ky Rama?
Po le të na thonë, se çfarë tjetër duhet të bëjë Berisha, që ata vetë të mos e kenë mendjen tek përbindëshi Rama? Mos duhet që Berisha të përdhunojë nja tridhjetë vajza të shkollave tetëvjeçare të Kamzës? Apo duhet të nxjerrë snajperat majë kryeministrisë me detyrën për të vrarë të gjitha kalimtarët atypari në një ditë të zakonshme? Apo duhet të vërë cluster bombs në tubimet elektorale të opozitës, e ta pranojë më pas, se “i vuri ai”? Apo duhet të lidhë një marrëveshje të re mbi regjimin ndërkufitar me Greqinë, me anë të së cilës kufirin greko-shqiptar ta vendosë në Tomorricë të Skraparit? Apo duhet të marrë Fazlliçin e ta bëjë anëtar të Këshillit të Ministrave të Republikës sonë? Apo duhet t’i thotë kryeprokurores “lavire bulevardi”? Apo duhet të dalë e të thotë se “protestuesit më 21 janar kishin ardhur të armatosur me thika me helm e me stilolapsa pistoletë”?
Ah, më falni, më duket se këto të fundit i ka thënë.

Epo çfarë dreqin duhet të bëjë? Le të na e thonë. Ta dimë.
E dini çfarë?
Unë po pres të humbë Edi Rama. Mezi po pres. Jo vetëm po pres, por edhe po lutem.

Ta marrë Berisha dhe Tiranën, ta marrë dhe Durrësin, dhe Elbasanin, dhe inshallah Korçën, Gjirokastrën, Lushnjën, Fierin, deri dhe Vlorën, e kështu të qërojmë hesapet me Edi Ramën, ta qërojmë nga politika, pa dhembje fare ta qërojmë. Dhe kështu këta nuk do kenë më alibi?
Hm, puna është se gjithmonë do ta kenë një alibi. Sepse ata në të vërtetë nuk kanë asgjë kundër Ramës. Puna është se ata janë me pushtetin. Do jenë dhe me Ramën nesër (kuptohet, nëse lutja ime shkon për lesh, dhe Rama vjen në pushtet). Do t’i trokasin në derë, dhe Rama ka për t’ua hapur katërkanatash. Me ta do t’i bëjë punët. Dhe zullumet. Por jo krimet, e vrasjet, e çmendurirat e markës Berisha. Apo ju do më thoni, se kush futet në rrugën e zullumeve, do të kalojë se s’bën nga stacioni i krimeve? Edhe mundet, edhe mundet. Por ç’del nga kjo? Që jemi mirë me këtë regjim që vret, e prêt? Qofshi ju që jeni! Pa Edi Ramën. Me Sali Berishën. Sa të jetë jeta. Amen!

Po tallem?
Jo, asnjë çikë. E di që është cinizëm i pashoq, por do t’i gëzohesha një fitoreje të Berishës në këto zgjedhje, bash si ata që e votojnë atë. Ndoshta ngaqë pres një konfermë të fundit të faktit, se në këtë vend të gjitha të këqijat ndodhin ngaqë duam ne të ndodhin. Ose ndoshta, ngaqë dua që Berisha t’i marrë praktikisht të gjitha njësitë e pushtetit e institucionet e shtetit, dua që ai të marrë mot dhe postin e kryeprokurores, dhe atë të presidentit, dhe atë të kreut të shërbimeve sekrete, dua që ai ta blejë dhe News 24-ën, dhe Top-channel-in, dhe Shekullin, dhe Vizion Plus-in, dua që të bëhen tok me intellighentsia-n që është vënë në mbështetje të tij edhe ca që kanë rezistuar deri më sot, në mënyrë që…. në mënyrë që çfarë? Në mënyrë që të merret vesh se hesapet i kemi me një regjim. Apo kush e ka marrë e ka marrë, kush s’e ka marrë s’mund ta marrë? Nuk e di. Ndoshta mund ta di pas 8 majit.
Mustafa Nano

Urrej të majtën!

Urrej të majtën sepse çdo ditë e më shumë dëshmon pafuqinë e vet përballë të djathtës fashiste. Urrej të majtën që ka shndërruar 21 janarin në shifrën kalendarike të një kohe të largët, në histori që nuk na përket dhe që nuk mund të na shkaktojë më shumë se një ndjesi melankonike, në shoqërinë e një gote konjaku dekadent.Urrej të majtën që bëri të dukej Gërdeci një histori në një dimension tjetër, në një botë paralele me botën tonë gazmore, paçka dridhjeve jo natyrale tokës që tronditën këmbët e tiranasve pellazgë.
Urrej të majtën e deklaratave për shtyp, e deklaratave-dëshmi të aftësive recituese, profesionalisht të trajnuar të deputetit apo aspirantit të rradhës, që nuk e trembin fare të djathtën abuzive në pushtet. Urrej të majtën që përzgjedh fjalët për të qenë në rregull me çdo raport pa ngjyrë ndërkombëtarësh të ushqyer mirë. Urrej të majtën që mendon në anglisht përballë problemeve që dalin përpara përditë si barrikada njerëzore. Urrej elegancën e tyre, sjelljen politikisht korrekte, kohën e harxhuar me bon ton.
 Urrej të majtën që garon me të djathtën për të fituar biznesmenët, në një vend ku biznesmenët po bëjnë ligjin, duke e destinuar në letër me vlerë të ndonjë kohe ende të paardhur.
Urrej marrëveshjet e të majtës që kultivojnë impotencën. Urrej kohën që shpërdoron në rolin e viktimës përballë vëzhguesve të huaj, duke i vënë një kryq sipër forcës së madhe që ka brenda vetes.
Urrej të majtën që e ka lënë Shqipërinë pa asnjë peshë politike, të populluar nga individë që reagojnë si në mpirje kolektive. “U vetëvra djali i protestuesit të vrarë në 21 janar”. “Po po, e lexova tek Ballkanëeb”. “Berisha gënjeu për dëmshpërblimet e Gërdecit”. “Po po, e pashë tek TCh”. “Presidenti qenkësh puçist”. “Po po, e di”. “Meta po vidhte bashkë me Priftin”. “Po po, e pashë”.
Individë indiferentë që ekzistencën e tyre e përjetojnë përmes dëshmive mediatike. Indiferencë që në të vërtetë ulërin, se e majta në Shqipëri po hesht. Se e majta e deklaratave për shtyp nuk është dhe nuk flet për njerëzit. Se 80% e deklaratave thashethemnajë, nuk mund të mjaftojnë për të përfaqësuar popullin e majtë të shtetit më të varfër në Europë, shtetin më pak të përgatitur për të nesërmen, por që prej 20 vjetësh përjeton dejavu-në e një të sotmeje të errët e të pa shpresë. Shtetin që nuk lexon më. Shtetin që prodhon ekskluzivisht ekonomiksa dhe juridiksa më stampën e analfabetit.
Urrej të majtën që përkujdeset për të dalë bukur në foto plazhi, pavarësisht se muskujt glutealë ende nuk përbëjnë vlerë prioritare në Bathore, Patos, apo te 21-shi.
Urrej të majtën që nuk di të jetë opozitë, të majtën e tërhequr në pritje, me qetësinë e kujt ka luksin të presë. Urrej të majtën e 10 deputetëve më të pasur në Parlament, të PS-istëve me kohë shtesë. “Çfarë të bëjmë Ando, duhen lekë për të mbajtur Partinë” është refreni shkrefës për kë akoma beson se diçka do të ndryshojë, ndërkohë që biznesmenët luajnë me intuitë për të zgjedhur kahet. Sepse biznesmenët kanë gjithmonë kohë.
Urrej të majtën që për t’u zgjedhur, ka zgjedhur t’u bashkangjitet zgjidhjeve të djathta në një sfond qesharak që çdo ditë rrokulliset në kufijtë e tragjikes.
Urrej të majtën që ushqen besimin se ende ka garë mendimi mes dy partive.
Urrej të majtën që ka relativizuar fjalën aq sa asgjë që thuhet nuk ka më peshë. Urrej të majtën që kurrë nuk i qëndroi fjalës së dhënë. Të majtën që u përqëndrua për të arritur një imazh sa më qesharak të vetes. Të majtën që doli nga greva e urisë sepse ashtu iu tek Brukselit. Që në darkën me mëlçi pate hodhi në erë 20 ditët pa ushqim. Të majtën që 22 janar doli për të tradhëtuar atë për të cilën luftoi në 21 janar. Të majtën që braktisi viktimat në maskaradën e kriminelëve të djathtë. Të asaj të djathte që sot po del me program në dorë. Të djathtës që ndërkohë që vjedh në ditën me diell, premton të heqë 60 nga 85 taksa vendore.
Urrej të majtën që ende ngulmon t’i ngjajë të djathtës në logorencë, të majtën që na destinon në çoroditje, pa forcën e fjalës, që na mbyll në vetvete si autistë të pashpresë.
Të majtën që nuk më jep arsye për ta votuar dhe që më bën të dua të jem patetik.


  • Andi Kananaj

Një pirg me gënjeshtra

Një arsye e fortë për t'u rihapur dosja hetimore e mbyllur për vonesa në procedurën e hetimit
Pas një presioni të pazakontë nga media Lulëzim Basha u përgjigj dje për një nga katër akuzat me të cilat ai po përballet për fshehje të pasurisë dhe lënien e shtetësisë shqiptare prej gruas së tij. Në një njoftim të shpërndarë nga zëdhënësja e tij, thuhet se në dokumentin e noterisë është bërë një lapsus dhe pasaporta e tij shqiptare është quajtur amerikane. Sqarimi është nervoz dhe plot mllef, ndërkohë që ai po përpiqet të shpërndaj buzëqeshje ku të mund të rrugëve të Tiranës.

Është nervoz dhe shumë i vonuar, pas 48 orësh, pasi janë botuar në medie dokumentet që flasin se ai është paraqitur para noterit me një pasaportë amerikane. Por mbi të gjitha është shumë fyes si sqarim.
Përfytyroni një noter holandez të cilit i janë vënë përpara dy pasaporta shqiptare, të dyja besoj në atë vit ngjyrë kafe, dhe noteri njërën e quan amerikane dhe tjetrën shqiptare.
Por e lëmë mënjanë lajthitjen e noterit dhe të merremi me "ndershmërinë" e qytetarit tonë Lulëzim Basha.




Të gjithë e dimë sa rëndësi ka një akt i tillë noterial, pasi me këtë akt noterial Lulëzim Basha është paraqitur edhe në Post Bank një nga bankat më serioze të Holandës, ku ka marrë kredi për këtë shtëpi, sipas tij. E më pas në Kadastër, etj.

Përfytyroni tani një shqiptar që ka blerë shtëpi, ka në dorë aktin noterial të blerjes, shikon aty që pasaporta i është shënuar amerikane dhe nuk tenton ta korrigjoj dokumentin, duke bërë në të vërtet të falsifikuar gjithë procedurën.  
Nëse deri në atë që Basha e quan gabim noteri kemi një lapsus, në vazhdimin e praktikës nga Basha kemi një akt falsifikimi të paramenduar.

Ish shtëpia e çiftit Basha në Holandë

Së dyti ky "lapsus" sepse më sjell në mendje intervistën e avokatit të tij politik Sabri Godo i cili ishte këshilluar të thoshte se Aurela Isufi e flaku shtetësinë shqiptare pasi nuk blinte dot shtëpi në Holandë me pasaportë shqiptare. Sipas sqarimit të djeshëm të Lulëzim Bashës, ai dhe gruaja e tij kanë blerë të dy shtëpi në vitin 2001 me pasaportë shqiptare.!!!

Duke besuar se zoti Godo ka thënë atë çfarë i ka thënë Lulëzim Basha, atëherë na rezulton se njëri nga dy blerësit mund të jetë paraqitur me pasaportë amerikane para noterit për të shpëtuar taksat dhe procedurën e një ekstrakomunitari për të blerë shtëpi në Holandë. Nëse është e vërtetë që mund të blihet shtëpi me pasaporta shqiptare siç po i thotë publikut shtabi i Lulëzim Bashës, spiralja e gënjeshtrës e fut zotin Basha në një humnerë të pafundme të mungesës së personalitetit, të cilën duhet tua sqaroj shqiptarëve, pasi rikthen dyshimet e forta përse gruaja e tij flaku shtetësinë shqiptare dhe nuk denjon akoma ta rimarrë.
Në sqarimin e djeshëm zoti Basha siç thamë nuk i përgjigjet akuzave të tjera që kanë të bëjnë me vitin 2007, kur ai shfaqet në sistemin e policisë me tri pasaporta diplomatike të tria të vlefshme në të njëjtën kohë.  
As trafikantët kolumbianë të drogës nuk marrin kaq shumë masa për pasaporta rezervë sa ç'ka marrë Ministri ynë i Jashtëm në vitin 2007.

Ai po ashtu nuk po sqaron falsifikimin që ka bërë me deklarimin e shitjes së apartamentit në Holandë para kohe.
Me këtë veprim zoti Basha ka pastruar historinë e 200 mijë eurove, duke deklaruar se i kanë ardhur nga shitja e apartamentit në Holandë, ndërkohë që apartamentin sipas dokumenteve e ka shitur një vit më vonë.
Të gjithë e dimë se në vitin 2007 në duart e Lulëzim Bashës kaluan 1 miliard dollarë për ndërtimin e një rruge 54 kilometër, dhe siç thotë shefi i tij, nuk përjashtohet mundësia që ndonjë stërkalë nga gjithë ai lumë të ketë përfunduar dhe në xhep të tij.
Nxitimi për të deklaruar pare të fituara nga shitja e shtëpisë në vitin 2007, është një fakt i ri i cili mund t'i shërbej prokurores Ina Rama për ta rihapur dosjen e rrugës Rrëshen Kalimash të djegur për procedurë. Tani e ka më të lehtë pasi zoti Basha nuk ka as imunitet. Prokuroria e ka të gatshme dosjen që e merr të pandehur zotin Basha, dhe meqë për t'i rihapur dosjen kur "digjet për procedure" duhet një fakt i ri që lidhet me të, unë mendoj se fakt më të fortë se sa të kapësh të dyshuarin për hajdut me 200 mijë euro të padeklaruara në xhep nuk ka.

U bën shumë gënjeshtra.
Lulëzim Basha duhet t'ia kishte kursyer vetes përforcimin e identitetit të tij si gënjeshtar në këtë fushatë. Mund të kishte marrë disa masa para fushatës dhe të kishte shmangur këtë situatë banale që po i krijohet duke gënjyer për çdo gjë.

Por nuk është aq e lehtë, kur duhet të gënjesh për çdo gjë.

Ai ka nisur të gënjej për çdo detaj të jetës së tij qysh në vitin 1992 kur deklaroi se ishte vëzhgues zgjedhjesh në KQZ e 2 Marsit, (në moshën 17 vjeçare), që më kujton rrëfimin e Sabri Godos që kish qenë partizan në moshën 13 vjeçare.

I është dashur të gënjej për studimet dhe për njeriun që ja ka paguar studimet, i është dashur të gënjej sponsorin e studimeve deri sa i shkaktoi traumë që i përshpejtoi vdekjen në vitin 2005, i është dashur të gënjej si është njohur me gruan dhe kur janë martuar, i është dashur të gënjej, kur kanë blerë shtëpi dhe ku i kanë gjetur lekët, i është dashur të gënjej ku ka punuar dhe çfarë pune ka bërë, i është dashur të gënjej për hapjen e dosjeve për trafik organesh nga UÇK në Shqipëri, i është dashur të gënjej përse gruaja e tij flaku pasaportën shqiptare dhe bashkë me vajzën e saj janë qytetare holandeze, (pra dy e treta e familjes së tij janë holandezë), i është dashur të gënjej kush e përfshiu në skemën e rikthimit në Shqipëri me katapultë nga UNMIK në qeverinë Berisha, i është dashur të gënjej për raportet me vajzën e kryeministrit, i është dashur të gënjej për fondet e rrugës Rrëshen Kalimash, i është dashur të gënjej për faljen e ujërave Greqisë...

... dhe në fund po i duhet të laj duart nga gjaku i katër të vrarëve më 21 janar.
Kaq shumë gënjeshtra askujt nuk i ka rënë në jetë t'i justifikoj. Është një pirg i madh, një mullar gjigant gënjeshtrash që për të qëndruar të stivosura e duan një hu të fort në mes qe t'i mbaj te lidhura. Lulëzim Basha është boll i gjatë, për të shërbyer si i tillë, por prapë ato nuk qëndrojnë dot të gjitha njëra mbi tjetrën.
Është i dënuar të rropatet gjithë jetën mes tyre.

Shekulli

Zgjedhjet, qeveria lejon tabelat maqedonase

POGRADEC-Dy javë përpara zgjedhjeve lokale të 8 majit, komuna Pustec mbushet me tabela me emra rrugësh dhe sheshesh në gjuhën maqedonase.
Komuna që dikur mbante emrin Liqenas ka përfshirë dhe zyrtarë të komunës Gazi Baba të Maqedonisë, duke bërë fushatë edhe për kandidatin zyrtar të koalicionit qeveritar të drejtuar nga PD-ja, Edmond Temelko, i cili mban postin e kryetarit të Partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Evropian.

E perditshmja Gazeta Shqiptare zbulon se tabelat e rrugëve janë vendosur në dy gjuhë, shqipe dhe atë sllavo-maqedonase, dy janë në alfabetin latin dhe atë cirilik. Shenja të institucioneve dhe rrugëve në gjuhën sllavo-maqedonase në 9 fshatrat të komunës Liqenas, e emëruar në Pustec, të prefekturës së Korçës u vendosën me datën 14 prill ku të pranishëm ishin kryetari i komunës Gazi Baba, Tony Trajkovski, Teodor Petrov, presidenti i kongresit botëror të Maqedonisë dhe Tashko Ivanov, kryetar i shoqatës së Maqedonasve të Egjeut.
Ne artikullin e shkruar e perditshmja Gazeta Shqiptare zbulon personin qe ka lejuar vendosjen e tabelave, ndersa sjell ne vemendje se në Maqedoninë fqinjë, në përbërje me popullsi shqiptare etnike të konsiderueshme, mungojnë emrat e rrugëve në gjuhën shqipe, duke mos respektuar marrëveshjen e Ohrit si dhe rastin Bollano me tabelat greke në Vlorë. 

(d.b/BalkanWeb)

Jam emigrant, shqiptar, zot e krenar...

Për një jetë më të mirë. A thua vallë kaq egoist të jem?! Për një jetë më të mirë, vura jetën time në shërbim të një vëndi tjetër. Vura jetën, përbërjen e frymarrjëve që mbushin e zbrasin kasollen e shpirtit tim mall.

Jam shqiptar...Zot dhe Krenar, do kish' thënë dikush që varri iu gdhend përtej detit të pa kombësi. Përtej qiellit që ndrit shqip, përtej pasthirmës së mëmës kokëbardhe...përtej Shqipërise.


Jam emigrant dhe bota moderne bashkëkohore, më mësoi që një zdrukthtar i mirë i ndjenjave të mia të behem. T'i zbus lëkurën dinjitetit psikopat, që më patjetër donte të ish i ndershëm. -I marri, me mullinjtë e erës moderne donte vallë të luftonte?! 
Zdrukthtar, profesion i një arti të rrugës, mësuar dhe provuar mbi lëkurë të trupit tënd. Deomos!-Gjithcka nis nga vetja por sinjalet që unë perçoj drejt shoqërisë së vibrimit mental dhe shkundjeve qënësore janë të dobëta, janë gudulisje nën sqetull të Europes Plakë. Të papërfillshëm, si unë para syrit dyshues që më vështron.

A thua jam i shëmtuar? Apo mbaj erë jo të këndshme? -I pastër kam qënë gjithnjë...Nëna m'ë lante e më fërkonte këmbët me një gur të zi të madh, që në raste të tjera përdorej të mbanim derën hapur të kasolles tonë qerpiç.

-Eh ç'fllad shqiptar freskonte atë shtëpi të pastër, me gruan më të bukur në tesha shtëpie, parë ndonjëhere nga syri i fëmijes përrallë.

Kam venë re , të pëlqejnë syrin tim zeshkan, mes dritash therëse të një klubi nate. Të më afrohet gjini e kundërt sikur vërtetë do të njohë prejardhjen time shqiponjë. Por jo nuk shkon kurrë aq thellë. Gjinia e kundërt(përse t'a mohoj, joshëse) kthen gotën e kristaltë me fund dhe nga fundi i saj më hedh një sy , nga ai vështrimi i xham-të që kurrë nuk merr shkëlqimet e thërmosura të një diamanti.

Hap sytë, në shtratin tim të ngushtë, pushoi për një natë të tërë sërisht, shpirti im i gjerë. Dita duhet të ketë zbardhur, por në tunelin tim, dielli është denuar. Po çohem, drejtë errësirës të djeg dhe një ditë në kërkim të dritës ne fundin e tunelit tim.

Ndonëse i dëshpëruar nga malli, larg atdheut e njerzve të mi më të dashur, do të doja të isha më i lumtur sonte, e sytë e mi të vezullonin në vendin tim, atje ku jehona e shqipes më thërret .
Jam emigrant, shqiptar, zot e krenar.                                                                                                                      
Shkroi: Dy udhëtarët

Blasfemi

Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime tona,
e lutjet pa kuptim e shije përplasen për muret e tyne
dhe nga këto lutje zemra zotit ende s'iu thye,
por vazhdoi të rrahi ndër lodra dhe kumbona.
Xhamiat dhe kishat madhshtore ndër vende të mjerueme...
Kumbonaret dhe minaret e nalta mbi shtëpia tona përdhecke...
Zani i hoxhës dhe i priftit në një kangë të degjenerueme...
0 pikturë ideale, e vjetër një mijë vjeçe!
Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime të fetarve.
Tingujt e kumbonës ngatrrohen me zanin e kasnecit,
Shkëlqen shejtnia mbi zhguna dhe ndër mjekra të hoxhallarve
0, sa engjuj të bukur përpara derës së ferrit!
Mbi kështjellat mijvjeçare qëndrojnë sorrat e smueme,
krahët i kanë varë pa shpresë-simbojt e shpresave të humbune
me klithma të dëshprueme bajnë fjalë mbi jetë të pëmdueme,
kur kështjellat mijvjeçare si xhixha shkëlqejshin të lumtuna.


Millosh Gjergj Nikolla
Millosh Gjergj Nikolla poet dhe prozator i njohur si Migjeni lindi më 13 tetor 1911 në Shkodër.Me një realizëm të thellë, të panjohur deri atëherë në letërsinë tonë, ai pasqyroi jetën e përditshme të shoqërisë shqiptare, sidomos të shtresave të varfëra të qytetit e fshatit, duke demaskuar sistemin e prapambetur shoqëror si dhe fashizmin që po kërcënonte Evropën. Migjeni futi në letërsinë tonë një shkallë shumë të lartë ideoartistike protestën e hapur, ëndërrën për një botë të re, ku njerëzit e thjeshtë të jetojnë të lirë dhe të lumtur me dinjitet njerëzor dhe pa frikë për të nesërmen. Ky humanizëm aktiv përshkon tej e ndan veprën e tij. Mbetet, përfaqësuesi absolut i realizmit kritik në letërsinë shqipe.Vlen për tu përmendur prania e tij si përfaqësues i Shkodrës në Kongresin e Beratit më 1922. Ndërroi jetë më 26 Gusht 1938 në Torino të Italisë.

Studentit shqiptar... nga Faik Konica

Shqipëria ka pasur edhe në kohërat e shkuara studentë. Po ata mësimin e tyre, të mbaruar a gjysmak, e vunë në shërbim të një qeverie të huaj. Vendi i tyre nuk ishte i lirë që t’i falnin djersën dhe trurin.
Sot puna ndryshoi. Kemi sot një Shqipëri më vete, nënë të të gjithë bijve të saj edhe njerkë t’asnjërit. Ajo do t’i presë me krahë të hapura djemtë e saj që kthehen në shtëpi nga shkolla, - po duhet dhe këta diç t’i shpien nënës nga kurbeti.

Nuk është mjaft, nuk është gjë prej gjëje. O studentë në i shpufshi Shqipërisë një dipllomë vetmë, duhet t’i shpini edhe një mendim. Dhe ay mendim duhet të jetë aq’ i fuqishmë sa t’i shërojë trupin nga çdo sëmundje dhe t’i japë Zonjës së brengosur shëndetin dhe forcën për të qeverisur shtëpinë si nikoqire. 

Mendimi që duhet të shpini, i vjetër në botë po i ri në vënt tonë, është mendimi i KANUNIT si të vetëmit rregullonjës të jetës sociale paskëtaj, në kundërshtim me VIOLENCEN, që ka mbretëruar gjer tani.

Ky mendim i ri, që të mos mbetet një fjalë n’erë po të punojë në gjak me forcën e një bari shpëtimtar, duhet jo vetëm të aplikohet si një formalitet zyre dhe gjyqi, po të hyjë në shpirt të ç’do njeriu si një gjë e shëntëruar, mprojtëse e paanëshme dhe e drejtë e Shoqërisë. Në një fjalë duhet të bëhet feja, ideali i Shqipërisë moderne. Dhe në paçi ju vetë, o studentë, një besim të patundur në këtë ideal, në këtë fe, ahere vetëm do të mundtni të bëheni apostujt e mendimit të ri.


Shtator 1921, Revista Studenti, Boston, SHBA

22 prilli, Dita e Tokës

Dita e Tokës bashkon sot 114 vende, të udhëhequra nga SHBA-ja dhe Idia. Në të njëjtën ditë të vitit 1970, 20 milionë qytetarë amerikanë iu përgjigjën apelit të senatorit demokrat Gaylord Nelson, duke u mbledhur në një manifestim në mbrojtje të planetit. 

Sivjet për organizimin e këtij eventi ka menduar Earth Day Network, i cili për edicionin e 2011-s ka caktuar një objektiv ambicioz: mbledhjen e një milliard "veprimeve ambientale" para samitit të OKB-së të parashikuar për vitin e ardhshëm në Rio de Janeiro.

 Për të arritur këtë objektiv, disa kanë vendosur të mos përdorin ujin që blihet me shishe, ndërsa të tjerë kanë braktisur makinën për biçikletën. Për të gjithë, parulla është e njëjtë: Një veprim në dobi të shëndetit të planetit.

shekullio

Filmi “Ballkan Bazar”, reagime të forta në Greqi

ATHINE- Reagimet e para kanë lindur në Greqi nga filmi i ri i Edmond Budinës “Ballkan Bazar”.
Ndërkohë që filmi po shfaqet në kinematë shqiptare, menjeherë u cilësua në mediat greke si “një tjetër sfidë të turpshme kundër helenizmit dhe komunitetit ortodoks”.
Sipas një shkrimi të botuar në disa agjenci mediatike, filmi që është produksion shqiptaro-italian, jo rastësisht po shfaqet në prag të festës ortodokse të Pashkëve.

Autorët e shkrimit, thonë se “filmi bazohet në trillimet e medias shqiptare dhe qendrave të tjera që lidhen me zhvarrosjen e eshtrave në Kosinë, për t’u paraqitur më pas si eshtrat e ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës italo-greke 1940-41”.

Po sipas tyre, “qëllimi i këtij filmi është zhvlerësimi dhe tallja e njërës prej faqeve më të ndritura historisë së Greqisë moderne dhe rezistencës së gjithë popujve të Evropës kundër fashizmit”.

Shkrimi denoncon faktin që filmi në pjesën më të madhe është xhiruar brenda Kulteve Ortodokse duke bërë në këtë mënyrë sakrilegj, ndërkohë që shumë prej skenave cilësohen të pahijshme.

Shkrimi thekson se “është i gabuar përdorimi i Kishës së Labovës së Kryqit, i cili është një monument, dhe jo vetëm për arsye shpirtërore, është e ndaluar të përdoret për qëllime të tjera”.
“Instituti i Monumenteve të Shqipërisë është i detyruar të japë një shpjegim për faktin që lehtësitë që iu ka krijuar autorëve të filmit” – thuhet në shkrim.
Mënyra se si ky film trajton personalitetin e një prifti ortodoks cilësohet si një “imitim i keq i propagandës ateiste në vitet e persekutimit komunist të besimit, një kopje e keqe e metodës, të cilën regjimi e përdorte për të kthyer opinionin publik kundër Klerit dhe Kishës”.

Sipas shkrimit, “filmi në thelb ushqen urrejtjen fetare dhe racizmit në një kohë që arti duhet të shërbejë për të kundërtën”. Edhe perpjekja e mediave shqiptare për të reklamuar filmin, futet në kuadër të kësaj klime.

I njohur me këto komente regjisori i filmit tha për News24 se “filmi nuk është sfidë kundër ortodoksisë, por ndaj abuzimit që bëhet nga njerëz të vecantë me të dhe sigurisht që është sfidë kundër gjithë nacionalizmave të vogla që përcajnë njerëzit! Në film mesazhi më i fortë është ai i bashkëjetesës në harmoni dhe respekt për njëri-tjetrin!”

Balkanweb