Të tilla thirrje atdhetare lëshoheshin në kohën kur vendi ynë ishte nën pushtimin osman dhe tek-tuk bulëzonin shoqatat patriotike që përpiqeshin të nxisnin popullin për luftë. Asokohe Shqipëria vërtet duhej shpëtuar nga osmanët, e më vonë, pas largimit të tyre, nga fqinjët që vrapuan të këpusin copa trojesh nga atdheu ynë, që sot rezulton të jetë i shpërndarë në katër shtete.
Kjo tashmë i përket historisë dhe ajo nuk mund të zhbëhet më. Por mëmëdheu ynë, ai që administrohet nga shteti shqiptar, duket se ka sërish nevojë për t’u shpëtuar. Dhe, kësaj radhe ai nuk rrezikohet nga ndonjë pushtues i huaj dhe as nga fqinjët tanë, por akoma më keq, nga vetë ne shqiptarët. Përtej barrës së rëndë që bart ky konkluzion, faktet na thonë se e vërteta është kryekëput kështu.
Nga Brukseli, vijnë çdo ditë telegrame të ashpra për rrezikun që i kanoset vendit tonë nga korrupsioni, ndikimi politik në drejtësi, shkalla e ulët e demokracisë, mungesa e bashkëpunimit politik etj. Por druajmë, se përpara se të jetë e kërcënuar nga korrupsioni e të tjera probleme si ai, Shqipëria jonë është e kërcënuar fizikisht si tokë, si territor, si vend i banueshëm. Dhe kjo është më e tmerrshme se kërcënimet që vijnë edhe nga diktaturat më të egra.
Për optimistët në qeverisje dhe të verbrit në opozitë, do të na duhet të rendisim disa argumente, jo për të justifikuar këtë konkluzion të rëndë, por për të dhënë një alarm, që duhet të na vërë të gjithëve në lëvizje.
Një pjesë e konsiderueshme e territorit të vendit tonë sot po përjeton një katastrofë natyrore, si pasojë e përmbytjeve. Të tilla situata kur më shumë e kur më pak, përsëriten thuajse çdo vit dhe jo vetëm në Lezhë e Shkodër. Lumenjtë e Shqipërisë, Drini, Mati, Shkumbini, Vjosa, Semani dhe çdo përrua në çdo fshat, janë bërë agresivë. Ata gërryejnë dhe çdo vit e mpakin tokën tonë duke e marrë me vete, e bashkë me të marrin edhe shtëpi, kasolle, prodhime bujqësore, biznese, rrugë e ura. Çdo vit mijëra banesa përmbyten, mijëra familje dhe vetë qeveria paguajnë kosto financiare për shkak të dëmeve që pësojnë. Por çfarë ndodhi vallë që natyra u zemërua me ne? Përse lumenjtë u bënë agresivë, kur nuk ka qenë të tillë edhe në kohë reshjesh më të dendura?
-Bie shumë shi - thonë ata që janë, apo kanë qenë, në qeveri.
-Pasojë e korrupsionit - thonë ata që janë, apo kanë qenë në opozitë.
Mund të jetë edhe njëra edhe tjetra. Por më shumë se kaq, është hakmarrja e lumenjve për sjelljen tonë barbare. Dhe ky konkluzion nuk është aforfe gazetaresk, por thënë me plot gojën nga studiues që njohin çdo gur e shkurre të sistemit lumor shqiptar. Përgjatë dy dekadave, ne shkatërruam shtretërit e lumenjve duke u marrë jashtë çdo kriteri lëndën ndërtuese për të bërë pallate, pasi kjo ishte dhe është me koston më të lirë për kompanitë ndërtimore.
Shkatërruam infrastrukturën mbrojtëse që ishte ndërtuar ndër vite dhe nuk lamë pemë në këmbë përgjatë luginave të tyre, që ishin mbjellë pikërisht për të frenuar erozionin. Shkatërruam diga e prita, bllokuam kolektorët e shkarkimit të ujërave, pushtuam e shndërruam në banesa deri edhe hidrovoret në zonat nën nivelin e detit, ndërtuam ku mundëm, në fusha, lugina, kanale, mbi puseta e në moçale, që thahen në verë e mbyten në dimër, pa pyetur fare për natyrën, detin, baticën dhe lumin.
Dhe sot, ne, njerëzit që menduam se e mundëm natyrën duke e shkatërruar atë, vajtojmë para kamerave duke akuzuar qeverinë e duke kërkuar ndihmë.
Me një vrap të shfrenuar ne iu sulëm pyjeve, duke shkatërruar me zellin e një kolonizatori tërë pasurinë natyrore, duke mos kursyer as parqet kombëtare e duke mos mbjellë asnjë fidan në vend të tyre. Dhe sot kërkojmë ndihmë kur anekënd vendit, toka na rrëshket nën këmbë si pasojë e erozionit, duke marrë me vete shtëpitë dhe kasollet e bagëtive e duke prodhuar çdo vit të pastrehë dhe kosto financiare për shtetin. Katastrofat natyrore janë të paparashikuara dhe ato do t’i paguajmë kur të na godasin, aq më shumë tani që natyra po bëhet gjithnjë e më kapriçioze. Por, për fat të keq, ne jemi duke përballuar aktualisht me katastrofa të nxitura nga vetë dora jonë dhe kjo nuk duhet të tolerohet më.
E gjendur në çark, qeveria premton sot se do të dëmshpërblejë banorët e prekur. Por përmbytje do të ketë sërish vitin tjetër, edhe në Lezhë, në Durrës, në Seman, në Fier, në Vlorë e kudo. A mos vallë qeveria duhet të akordojë një buxhet të përvitshëm për të zhdëmtuar të përmbyturit? A mos vallë gjysma e shqiptarëve duhet të paguajnë taksa për t’u blerë orenditë çdo vit njerëzve që u përmbyten shtëpitë nga lumenjtë apo baticat detare?
Nuk është kurrë kjo zgjidhja.
Për të shpëtuar ne duhet të ulemi e të bëjmë paqe me natyrën, të gjithë pa dallim, në mal e në fushë, në qytet e në fshat dhe të nisim punën për të riparuar ç’të mundemi nga ajo që kemi dëmtuar.
Qeveria duhet të ndalojë shkatërrimin e mëtejshëm të lumenjve, pyjeve e tokës dhe të ndalë ndërtimet pa leje në qytete e fshatra. Për të shpëtuar nga katastrofat, qeveria dhe politika në tërësi, me urgjencë, duhet të ulet e të hapë librat e studiuesve, për të mësuar se çfarë e pret në të ardhmen atdheun tonë në këtë drejtim.
Dhe, nëse të tillë studime nuk ka, në vend që t’u blejë lavatriçet të përmbyturve, qeveria duhet të financojë kërkimin shkencor dhe të vërë në punë studiuesit, të cilët i flaku në rrugë, për të mësuar se ku do të përplasen dallgët e detit në vitin 2030 e në vitin 2050, kur akullnajat të kenë shkrirë të gjitha dhe niveli i detit të jetë rritur. Qeveria e Ishujve Maldive po kërkon të blejë tokë për ta ndërtuar shtetin në një tjetër vend, pasi ishujt në vitin 2050 do të përmbyten.
Holanda e Danimarka planifikojnë çdo vit prita e diga të reja për t’i shpëtuar detit. Ndërsa në Shqipëri, asnjë qeveri deri tani nuk është konsultuar me shkencën për të ardhmen e vendit. Nuk është bërë dhe pak gjasë ka të bëhet kjo, derisa si mazhoranca ashtu dhe opozita mendojnë se ky vend qeveriset vetëm me mitingje në sheshin “Skënderbej”.
Kryeministri ynë tha të martën se ne jemi në buzë katastrofe. Por katastrofa jonë është shumë më e madhe se ajo e një stine me reshje. Në këto kushte nuk duhen shpëtuar vetëm banorët e një fshati, por ky vend ka nevojë serioze për t’u shpëtuar i tëri.
Ndryshe, nëse vazhdojmë të sillemi ende kështu me tokën tonë, nuk do të jetë e largët dita, që kur ta shikojmë fushën të pushtuar nga lumenjtë dhe deti, ashtu si hebrenjtë në kodrat e thata të Rripit të Gazës, të bredhim maleve për të kërkuar vend ku të ngulim një çadër. Por atëherë do të jetë vërtet vonë dhe askush nuk do të ketë mundësi të na vijë më në ndihmë, as shkenca e as Zoti.
Mentor Kikia, G. Shqip