Në shoqërinë shqiptare janë shtuar shqetësimet sociale, ankesat individuale, zërat e njerëzve, të grupeve sociale dhe institucioneve të edukimit. Sidomos të alarmuar janë ata, që janë rritur në sistem tjetër social, që janë edukuar me parime ideologjike të jetës super-sociale dhe edukatës kolektiviste, kur përballen me dukuritë dhe problemet e komplikuara edukative me të cilat po përballet shoqëria dhe qytetërimi ynë, i konceptuar dhe të ndërtuar përfundimisht mbi parime të qytetërimit liberal.
Mua më ndodh shpesh, që njerëz që lexojnë artikujt e mi me temë sociale, apo që shikojnë emisionet me tematikë edukative në televizion, më takojnë, më shkruajnë, me telefonojnë të shqetësuar për interpretimet që kam bërë për shoqërinë moderne dhe dukuritë komplekse të qytetërimit liberal shqiptar. Shqetësimi që ndihet, më shumë është e lidhur me disa pyetje që bëjnë shumica e tyre:
A është qytetërimi ynë më shkatërrues se më parë, a është bërë njeriu një qënie fare e shthurur, pa norma dhe rregulla sociale ? Ç’duhet të bëjmë me ta ?
Natyrisht nuk është e lehtë t’u japësh përgjigje të prera njerëzve për këtë situatë sociale kaotike, në të cilën ndodhet jo vetëm shoqëria jonë, por përgjithësisht shoqëria moderne universalisht. Gjithë problemi është si mund të sigurojmë ndërtimin e një qytetërimi, në të cilin të bashkëjetojë harmonikisht njeriu i lirë dhe shoqëria e tij, si mund të kombonojnë objektivat e tyre, si mund të “disiplinohet” sjellja e njeriut në kushtet e shoqërisë së lirë, pa detyrime dhe “penalitete shtetërore”, si mund të edukojmë njeriun përmes vënies në funksion edukativ të makinerisë gjigante dhe moderne të edukimit qytetar, në mënyrë që zgjerimi i autonomisë personale të mos pengojë detyrën e koordinimit social të njeriut me shoqërinë tonë ?
Në c’ mënyrë duhet vepruar për edukimin e njeriut, në kushtet kur nga ana tjetër në këto dy dekada të demokracisë, ka rënë shumë “mendjemadhësia e makinës sonë të edukimit të dikurshëm” ? Kush e zëvendëson atë në shoqërinë tonë, dhe si mund të realizohet procesi i edukimit qytetar ?
Nuk ka dyshim që në shoqërinë tonë janë dobësuar lidhjet e njeriut me institucionet e edukimit, por edhe këto të fundit duke ndjerë pafuqinë e tyre, kanë filluar të zbehin punën, madje të braktisin detyrimin e tyre social-edukativ. Nuk është në situatë të mirë edukative familja, shkolla, shoqëria civile. “Mikropushteti edukativ” i tyre ka humbur pjesë të ndjeshme të autoritetit, madje ky “pushtet” ka rënë moralisht. Impakti pozitiv i tyre është në erozion të thellë. Edukimi është kthyer në një proces më shumë spontan e kaotik, pa rregulla, objektiva dhe synime sociale. Lidhjet e njeriut me kulturën qytetare si fondament i formimit liberal, janë dobësuar. Është zgjeruar, madje liberalizuar deri në ekstrem “sistemi i lirive”, por ndërkaq shoqëria jonë duket sikur nuk ka më “sistem” pengesash sociale dhe “penalitete edukative” të vogla, si ndjenja që formohen me fëmijët në familje, me nxënësit në shkollë, me ushtarët në ushtri, me pacientët në spital, më qytetarët në komunitet, me fqinjët në pallat, etj. Një proces ky shumë i domosdoshëm për t’u rindërtuar në shoqërinë tonë, për të formuar njerëz përmes edukimit kulturor dhe qytetar. Institucionet e edukimit social kanë filluar të ndihen keq, dhe përballë vështirësive, anarkisë dhe kaosit edukativ liberal, ato të duken sikur janë në gjendje nogdauni, të kapitulluara, të paafta për të “rimarrë territorin” e duhur të ekskluzivitetit të ndikimit të domosdoshëm edukativ.
Nuk është demokracia e gjerë dhe liberalizmi social, shkak për të justifikuar këtë anomali edukative që ka shoqëria shqiptare sot. E keqja duhet gjetur atje ku ajo qëndron. Prandaj në vend që të gjejmë rrugë të shkurtra të qëndrimit konservator edukativ, më mirë është të kërkojmë dhe të gjejmë të vërtetën e kësaj situate sociale. Sipas meje, në se ka ndonjë defekt që në pamje të parë duket sikur është pasojë e liberalizimit të jetës në shoqërinë shqiptare, ajo nuk është prania e “lirisë së tepërt” shoqërore, por mungesa e eficencës së pushteteve të vogla të institucioneve të edukimit, të atyre që kanë forcë të vendosin “pushtetin e normës sociale” të qytetërimit tonë, që janë kode të domosdoshme të bashkëjetesës sociale të pranuara të sjelljes së individit në familje, në shkollë, në jetën komunitare, në spital, në ushtri, në komunitet e kudo ku ka jetë sociale.
Ky është një shqetësim i madh për shoqërinë tonë. Sepse po krijohet nja aliazh i keq social, që vjen si rezultat i shpërpjesëtimeve strukturore të roleve tradicionale të pushtetit edukativ, midis zgjerimit të lirisë personale, zmadhimit të hapësirës së autonomisë individuale nga njëra anë, dhe kufizimin e natyrshëm të “fuqisë penale” të shtetit kur është fjala jo për krime, por për çështjet e sjelljes së vogël anti-edukative të njeriut. Kjo ka bërë që të duken shfaqje të anarkisë së sjelljes sociale, si rezultat i neglizhimit të padrejtë, të pamerituar, jo qytetar të rolit dhe forcës së institucioneve të sigurisë morale dhe të edukimit. Jeta sociale e shoqërisë sonë po dëmtohet nga që ajo nuk ka dhe nuk mund të ketë kuptim, pa praninë e “normave sociale” të caktuara konsensualisht për sjelljen njerëzore individuale.
Padyshim ka një rregull universal të funksionimit të shoqërisë së lirisë, sipas të cilit sa më shumë të dobësohet pushteti dhe kontrolli i shtetit mbi individin e lirë, aq më shumë duhet të forcohet dhe kompensohet pushteti natyral i edukimit, të shoqërisë civile dhe institucioneve sociale, aq më shumë duhet të rritet fuqia ndikuese e “mikropushtetit edukativ” të tyre, pa të cilën liria mund të degjenerojë në anarki. Pushteti i shoqërisë civile dhe institucioneve sociale, nuk është frenues dhe penalizues, por është siç thotë Mishel Fuko, obsional dhe efektiv.
Padyshim një shoqëri sado e lirë që të jetë ka nevojë që të ketë në funksion dhe në eficencë të plotë “makinerinë e edukimit” qytetar, që është ajo tërësi e institucioneve që shoqëria jonë praktikisht dhe fizikisht i ka, por efektiviteti i tyre është zbehur keq. Kjo do të thotë se në kushtet e lirisë, ato që kanë më shumë përgjegjësi të veçantë edukative në shoqërinë shqiptare, më shumë se në kohën e “rolit edukativ” të shtetit totalitar, sepse ato janë dhe mbeten institucionet e vetme themelore të edukimit dhe disiplinimit qytetar të njeriut të lirë, modern, duke filluar nga familja, shkolla, ushtria, komuniteti pse jo në një masë indirekte edhe shteti. Sepse shteti nuk mund të jetë indiferent përballë përgjegjësisë që ai ka për të vlerësuar, ndihmuar dhe përmirësuar cilësinë e funksionimit të këtyre institucioneve.
Nuk është mirë për nivelin e qytetërimit tonë që të bëjmë gabime fatale, duke menduar se liria qytetare ka si ekuivalent të saj ekzistencial, jo vetëm largimin e pushtetit të shtetit por edhe braktisjen e institucioneve të edukimit. Kjo ka bërë që të jemi në një situatë sociale shqetësuese, jo të mire dhe aspak dinjitoze për standardet e qytetërimit tonë.
Duhet të merremi të gjithë, gjithnjë e më shumë me problemet e thella që po ndeshim përditë, që kanë të bëjnë me mosfunksionimin si duhet të mekanizmave të makinës sociale të edukimit që kemi në dispozicion, duke filluar nga familja, shkolla, spitalet, ushtria, komuniteti dhe institucione të tjera ku rrjedh e përbashkët jeta publike e njeriut. Të jetosh në liri, do të thotë të njohësh dhe zbatosh “normat sociale”, kulturën e jetesës së përbashkët, të lirë por të qytetëruar, e cila nuk i jepet njeriut si “paketë edukative” dhuratë nga shteti, por është një art i vështirë që mësohet pikërisht në këto institucione edukative, që i kemi në shoqërinë tonë, të cilat jo vetëm nuk duhet t’i braktisim, por t’i perfeksionojmë më tej. Nuk ka shoqëri të lirë pa praninë konsensuale dhe qytetare të disa “limiteve të sjelljes sociale”, në të cilat duhet të rrjedhë jeta jonë e përbashkët. Po kush i vë këto limite në shoqërinë tonë ? Shteti vendos ligje dhe ka detyrë të kërkojë zbatimin e tyre, kundrejt penaliteteve për shkelësit e tyre, të cilat janë gjithnjë përgjegjësi individuale. Por nuk është fjala këtu, është fjala për disa limite të tjera që janë me natyrë sociale dhe edukative, që duhet të bëhen organike për të gjithë ne si qytetarë, të paktën për të ndërtuar “bazën dhe themelin” e qytetërimit në nivel mesatar.
Ne jemi të shqetësuar sepse në shoqërinë shqiptare jo vetëm po shtohen ata që shkelin ligjet e shtetit dhe që janë dënuar penalisht (të cilët janë shtuar shumë), por sidomos për ata që kanë difekte të rënda të shfaqura në mungesën e dinjitetit qytetar, në mungesa të normave të sjelljes, deformime dhe shformime të personalitetit social, që nuk njohin dhe nuk zbatojnë “rregullat e lojës” qytetare, të lirisë, të qytetërimit, të bashkëjetesës komunitare. Pasoja e njohura këto, të lidhura me difektet e dobësisë së shoqërisë civile dhe ineficiencës së institucioneve të edukimit në Shqipëri. Në radhë të parë të familjes dhe shkollës, ku merren bazat e edukimit qytetar, ku mësohen rregullat e lojës së të jetesës në shoqërinë e lirë. Më së pari, sipas mendimit tim përgjegjësi të veçantë ka shkolla si institucion i kulturës, disiplinës dhe edukimit qytetar, në të cilën të rinjtë në moshën e formimit të personalitetit mësojnë bazat e kulturës së qytetërimit liberal, bazat e sjelljes komunitare, të respektimit të dinjitetit personal të “vetes” dhe të “tjetrit”, që janë kusht ekzistencial i domosdoshëm për të hyrë në “shoqërinë e lirisë”, me dinjitet personal të formuar dhe aftësi të integruara të komportimit social. Ne duhet të pranojmë, që në se shkolla jonë ka arritje të mira në formimin intelektual të të rinjve, dhe kjo nuk duhet mohuar. Por në të njëjtën kohë, duket ka shkolla ka probleme serioze në punën e dobët edukative që bëhet dhe që ka pasoja në formimin e gjymtuar qytetar të të rinjve. Difektet e saj, bashkë me neglizhimet e njohura të një pjese të konsiderueshme të familjeve shqiptare, kanë krijuar këtë situatë që përjetojmë në vendin tonë.
Nuk e kanë gabim sociologët që thonë se …kultura e fituar përmes arsimit është prona dhe investimi më i rëndësishëm i njeriut, sepse ajo i jep qasje qytetare në të gjithë sferat e tjera të jetës. Në kontekst, filozofi i shquar Ernest Gëllner, si mjeshtër i anatomisë dhe rolit modern të institucioneve edukative, mendon se “Identiteti i tij më i fshehtë (i njeriut-shënimi im) nuk është i përcaktuar nga bilanci i tij bankar, as nga farefisi dhe as nga statusi i tij, por nga kultura e tij shkollore”. (E. Gëllner, “Konditat e lirisë” f. 179)
Si përfundim, duke dashur që të kthej një përgjigje për miqtë e mi që më kanë bërë pyetje, më duhet të them sinqerisht i bindur, se nuk ka faj shoqëria liberale për situatën tonë social-edukative, sepse këto mungesa të evidentuara janë pasoja të punës dhe dobësive të “makinerisë edukative”, nga e cila po krijohen njerëz, shtresa dhe grupe sociale që jetojnë në periferi të shoqërisë, që shfaqen të vetmuar, asocialë, patologjikë, brutalë, kriminelë, vrasës, paranojakë, të droguar, bastardë me familjen dhe prindërit, të dhunshëm deri në sadizëm me gratë dhe fëmijët, anarkistë, që nuk njohin dhe nuk respektojnë rregullat e bashkëjetesës sociale të shoqërisë tonë, të cilët padyshim që janë shqetësim i madh social, por që nuk vijnë nga liberalizimi i jetës shoqërore, por nga mangësitë e procesit të deformuar të edukimit qytetar, dhe që mund të zgjidhen po përmes intensifikimit dhe modernizimit të punës dhe vënies në punë me kapacitet të plotë të “makinerisë edukative” të shoqërisë tonë.
Në kjo “makineri” nuk punon si duhet ose punon me difekte, atëherë doemos që liria do të degjenerojë në anarki sociale, që shoqërisë tonë di t’i shtohen njerëzit anormalë, të cilët në se shtohen me këto ritme, atëherë me siguri që do të përbëjnë rrezik për mbrojtjen sociale të shoqërisë tonë. Ndaj duhet të merremi me edukimin e vetes dhe të shoqërisë tone, duke “rindezur” dhe vënë në eficencë sociale të gjithë institucionet e edukimit, për të punuar duke shmangur dy të këqija të mëdha të kohës sonë: edukimin primitiv, të lodhur të institucioneve që imitojnë “mendjemadhësinë edukative” kolektiviste të komunizmit dhe neglizhencën e spontanitetit të “vetedukimit liberal”.
Na duhet edukim që njëherësh formon njeriun në vetvete si qytetar dhe që nga ana tjetër e mëson atë të veprojë sinkron me bashkësinë. Ky është qytetërimi liberal që duhet të synojmë…
Gëzim Tushi, T. Observer