Monday, January 18, 2010

Ndaj sot energji pozitive.

18 janar, mëngjes !

Duam ndryshim, duam të ecim përpara. Kuptojmë që kemi çdo mundësi për t'ia dalë. Ankohemi për padrejtësitë që na ndrydhin e na ligështojnë. Kërkojmë më tepër, besojmë se meritojmë sigurisht më tepër, por sa tepër dhurojmë...?

Pyetjet që çdokush mund t'ia drejtojë vetes sot :

- Kujt i the sot të parit mirëmëngjes ?
- Kush ta vodhi sot buzëqeshjen e parë ?
- Kë falenderove sot për respektin që çdo ditë të dhuron ?
- Cilin është i pari që do të ndihmoni sot ?
- Kujt do t'ia adresoni komplimentin e parë ?
- Kujt do ti kërkoni falje ?
- Kujt do ti jepni sot më tepër kurajo ?
- Cilin mik do kujtoni të parin ?


Nëse një prej pyetjeve të mësipërme ju ka zgjuar, që pikërisht sot të përmbushni një prej energjive pozitive, bota do të ketë një mirësi më shumë, një të keqe më pak.

Mirëmengjes të dashur bashkudhëtarë dhe faleminderit për buzëqeshjet që nxisni apo dhuroni. Faleminderit për kohën që kaloni bashkë me ne si edhe për kontributin tuaj të pazëvendësueshëm. Jeni të mrekullueshëm dhe ju kërkoj ndjesë nëse padashje mund t'iu kem shqetësuar.

Ju uroj forcë dhe mbarësi në këtë fillim jave.

Sapo iu përgjigja pyetjeve të mësipërme, po ti ...?

Shkroi dhe përgatiti: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Sunday, January 17, 2010

Ku ishte Zoti, kur u zhbë Port-au-Prince ?

1. (Leibnitz-i dhe “Zoti ka krijuar botën më të mirë të mundshme”)


Qëllimi i gjithë idealizmit ka qenë që njeriun në idetë e tij të pajtohet me fatin aktual. Njeriu duhet t`i përmbahet Dhiatës dhe do të shpërblehet nga një princip i lartë, nga Zoti.

Por, aktualiteti gjithnjë ka qenë instabil, i mbarsur me rreziqe, dhe bota gjithnjë e pa baraspeshë. Nuk ka një filozof tjetër që e ka formuluar aq mirë këtë disharmoni të amshueshme, si Leibnitz-i. Në Theodizee-në e tij (1710) ai thotë se Zoti ka krijuar botën me të bukur të mundshme, sepse gjithë pjesët e Kosmosit: Natyra, Shpirti dhe Trupi i njeriut janë të lidhura pandashëm në `harmoninë e parastabilizuar`. Në këtë botë mrekullie, gjithnjë sipas Leibnitz-it, të krijuar nga një vullnet i përkryer hyjnor, që shëmbëllen Zotin në botën tonë shpirtërore, nuk ka asnjë veprim të mirë që shkon pa u shpërblyer, dhe rrjedhimisht, asnjë veprim të keq që nuk do të gjykohet. Por, gjithçka ndodh në shërbim të së mirës dhe të të mirëve, të cilët në këtë botë nuk jepen pas kënaqësive të liga, por janë rob të së mirës.

Por, në gjithë këtë harmoni të parastabilizuar, e ku asgjë nuk ndodh pa dëshirën dhe vullnetin e Zotit, shtrohet pyetja: si erdhi e u përhap e keqja në këtë botë??

Zotit falë i qofshim, ... por e vërteta është krejt ndryshe. Me apo pa Zotin, kjo botë është një varr që evoluon. Nulli sua forma manebat (asgjë s`mbetet si është!!). Një botë e të sëmurëve, e kancerit, e armëve, e varfërisë, pushtimeve, shkretëtirave, urrejtjes, luftërave. Në rrugët e Kalkutës ka panumër njerëz që s`kanë emra, sepse s`kanë pasur njeri që t`i pagëzojë. Çdoku pra, sikleti i jetës e zhvesh njeriun nga copëza të identitetit të tij të natyrshëm, nga materia dhe nga shpirti. Është botë e rrezikut.


2. (Tërmeti i Lisbonës)



Pikërisht më 1. nëntor 1755 ndodh tërmeti i Lisbonës. Kjo katastrofë natyrore është cesura më e thellë e deriatëhershme në botën shpirtërore dhe kujtimet e Europës. Nga tërmeti vdesin mëse 30.000 njerëz. Dhe një nga qytetet më fisnike të Europës, me një ndër portet tregtare më të mëdha të saj shndërrohet në një varr të pamatë. Ishte vdekja e asaj botës që predikonte Leibnitz-i, vdekja e optimizmit.

Voltaire shkruan një “Poème sur le désastre de Lisbonne” duke bërë nga tmerri dhe llahtari i Lisbonës një kryevepër evropiane që do të mohonte Theodizee-në e Leibnitz-it, me gjithë atë optimizëm gati arrogant të iluminizmit të atij shekulli. Lisbona e shndërruar në hi dhe vdekje po bëhej përnjëherë mësimi më i madh i gjithë iluminizmit, se kjo botë s`ishte gjë tjetër veçse një krijim që bashkëjetonte me katastrofat, rreziqet dhe pasigurinë, të cilat s`kishin asnjë rrënjë në mëkatet e njeriut, por në gjeologjinë e dheut.

Katastrofat natyrore në historinë njerëzore kanë sjellë shumë vuajtje. Dridhet toka në mes të natës së qetë, shpërthen llava dhe varros qytete që i zë në gjumë (Pompejin) apo vërshon beftë një tsunami dhe merr jetën e mëse 200 mijë njerëzve (Azi juglindore).

Shkatërrimet që mbesin prapa këtyre katastrofave shkaktojnë shokim të përbotshëm. Njeriu ndjehet i vetmuar, i vogël, i pakuptim. Kështu edhe më 1755 në Lisbonë, ku përnjëherë u humb besimi në botën, në Zotin, në natyrën e qëndrueshme dhe besnike. Në këso situatash tragjike më së vështiri e kanë teologët: çfarë është ai Zot që i dënon kështu të mirët e të këqijtë bashkë? A duron drejtësia hyjnore që të vdesin mijëra fëmijë, gra e burra të pafajshëm, për pak çaste?

I pari ishte Kant-i që nisi të kërkonte arsyet te natyra.


3. (Auschwitz-i)


“Është barbare të shkruash poezi pas Auschwitz-it”, kështu ka thënë Adorno.

Për ata që kanë parasysh Auschwitz-in dhe Prekazin, jeta merr një ngjyrim gri, neutralizohet, vihet në dyshim. Ose, së paku, raporti i saj me Zotin. Çfarë kuptimi ka hierarkia hyjnore, kur mbi këtë kokërr gjaku, urrejtje, shkretëtirash e vetmie, të mbështjellë me smog, e të humbur nëpër pafundësi, këtu pra, në tavolinën tonë sferike, ku ne si ujqit i hidhemi njëri tjetrit gjithë jargë e uri, vrasja është bërë industri??

Çfarë kuptimi ka Zoti, harmonia kozmike, në një mishtore të tillë kanibalësh?

Pas Auschwitz-it bota ka humbur edhe atë pak normalitet që ka menduar se e ka, ndërsa pas Kosovës dhe Bosnjës ajo është amorale. Thelbi i botëkuptimit gjenocidist është sistemi vetanak i vlerave dhe hapësirës, dhe në atë sistem `tjetri` nuk ka vend. E drejta për të zhbërë është licencë satanike. Dhe në një botë si kjo, ku shkatërrimi ka metodë dhe shndërrohet në sistem vlerash, s`ka vend për arsyen, njeriun universalist, paqen.

Jo gjeologjia, jo natyra, por kultura, gjenealogjia e moralit këtu është rrafshi ku identifikohet shkatërrimi. Mobilizimi i resurseve njerëzore (të paimagjinueshme!!) për të zhbërë jetë dhe kulturë.

Çfarë është ai Zot, që lejon që në shuplakë të tij të tymojnë dhomat e gazit, makineria e vdekjes?


4. (Haiti)


Janë qindra mijëra njerëz që kanë vdekur ngase nuk ka funksionuar harmonia kozmike. Nëse ndodh kjo, a ndodh me lejen e Zotit? Nëse ndodh me lejen e Zotit, si mund të lejojë Ai një masakër të tillë? Nëse ndodh që ka një vullnet të lig në Gjithësi, atëherë ka dualizëm. Zoti nuk është vetëm.

E di, fanatikët (ata që për njerëzimin kanë të fiksuar një dhe të vetmin agor!!) do të vrapojnë të arsyetojnë të kundërtën: se Zoti kundërvepron. Se kur bota ngarkohet nga e keqja Ai reagon në mënyrën e Tij. Por, çfarë faji kanë ata të gjorë varfanjakë, në një shtet që edhe ashtu ishte shumë jostabil dhe keq. Nëse kjo tragjedi e kësaj mase të pafuqishme njerëzore është refleksioni i dënimit hyjnor, atëherë pronari i Universit është tepër koprrac.

Në Haiti, me gjithë ato kufoma të pavarrosura, është përmbysur një copë Gjithësie. Një pjesë e dhimbshme, fragment i përtejmë dhe i harruar i Pafundësisë. Për materien do të jetë vetëm një zhvendosje, për shpirtin një urnë e madhe që do na mbajë të gjithëve ngujuar, për së gjalli... me gjithë përhumbjen, pasigurinë dhe vetminë tonë të pafund.

Para Haitit mbetet hije çdo tragjedi biblike.

Dhe këtë tragjedi e kanë paraparë gjeologët, sepse tërmete përafërsisht të tilla e kanë goditur këtë ishull edhe më parë, por shkenca për këtë tërmet ka pasë parashikuar se do të jetë apokaliptik, dhe ashtu u bë, fatkeqësisht.

Edha ashtu ky shtet ka qenë i dështuar, për fatin e keq të banorëve të atyshëm. Lufta qytetare e ka dërrmuar. Varfëria dhe mjerimi i kanë shtyrë njerëzit të kryengritjen vazhdimisht, ndërsa klane mafioze kanë tregtuar me resurset e këtij vendi.

Gati të gjitha malet janë prerë dhe shitur, çdo shi (i rrallë) që bie gërryen deri në shkëmbinj masën e dheut mbi to dhe e çon në det, erozioni pastaj kryen punën e mbetur. Ngaqë s`ka më male, s`ka më gjelbërim. Një vend ekologjikisht i shkatërruar, shpirtërisht i kapitur, i zhytur në korrupsion gjer në mosshpresim, e për të cilin dimë shumë pak.

Pikërisht në Haiti, skllavët kanë qenë ata që kanë zhbërë vetë skllavërinë. Aty ka ndodhur një revolucion, i ngjashëm me atë të Spartakut, ku skllevërit kryengritjen dhe luftojnë për të drejtat e tyre. Ata kanë fituar mbi njërën nga armatat më të forta të Napoleonit. Por, siç ndodh jo rrallë në shoqëri të ngjashme, ata nuk kanë arritur të ndërtojnë një shtet të qëndrueshëm. Deri tani as nëntëmijë helmetat blu nuk kanë bërë shumë punë. Më keq: struktura të tëra të trupave të Kombeve të Bashkuara janë korruptuar dhe s`kanë asnjë motiv për atë vend.

Haiti ka kohë që ka nisë të vdesë. Tash veç u zu për së gjalli nga dheu dhe hiri dhe tmerri.

Tema, Nga Arsim Rexhepi

Çfarë është dhe çfarë nuk është demokratike?

Lamë pas një vit me shumë tensione politike, të cilat, duke qenë se kanë për shkak mungesën e kulturës demokratike për funksionimin e një demokracie të vërtetë, e fillova këtë vit të ri pikërisht me komentin se “Çfarë është dhe çfarë nuk është demokratike?

Prandaj fillimisht po e nisim se çfarë përfaqëson dhe cilët janë elementet kryesore përbërëse të demokracisë së vërtetë. Matematikisht demokracia përbëhet nga shuma e liri + barazi + vëllazëri. Prandaj liri-barazi-vëllazërim është vlera e madhe e Revolucionit të Madh Francez të 1789.

* * *
Të dashur lexues, nëse më lejoni, dua t’ju shpjegoj:
1. Në vendin që nuk ka liri, nuk ka demokraci.
2. Në vendin që nuk ka barazi, nuk ka demokraci.
3. Në vendin që nuk ka vëllazëri, nuk ka demokraci.
Të tjerat janë pallavra. Janë hija e minares dhe pluhuri i daulles.


Liria është konkrete, barazia është konkrete, vëllazërimi është konkret. Atëherë edhe demokracia është konkrete. Ashtu siç nuk janë abstrakte liria, barazia dhe vëllazërimi, ashtu nuk është abstrakte edhe demokracia. Demokracia nuk i ngjan në asnjë mënyrë kafesë turke: sade, me pak sheqer, të mesme apo me shumë sheqer. Për këtë arsye kërkesa “më shumë demokraci” është një sofizëm, është një e folur përçart. Ajo shpreh mungesën e demokracisë.

Sipas kujt “më shumë demokraci”? Çfarë është demokracia të dashur lexues?
Në qoftë se pyesim një nxënës të shkollës fillore, që nuk luan vetëm me kompjuter, do të përgjigjet se demokracia është pushteti i popullit. Por pushteti i popullit është një koncept abstrakt, sepse veçanërisht në vendet e pazhvilluara nuk realizohen një sërë të të drejtave të pushtetit të popullit. Bile ankesa, por jo të këtij niveli, ka edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Angli. Pa sovranitetin e vërtetë të kombit, pa qenë ai i popullit, pa qenë në bazë të pasurisë drejtësia, zotërimi i lirisë, i barazisë dhe i vëllazërisë janë një spekulim i demokracisë, është ëndërr e parealizueshme, është rrëzuar, është një vegim.

Sistemi shumëpartiak, parlamenti, zgjedhjet e lira, ndarja e pushteteve, ekzistenca e institucioneve të kontrollit, si Gjykata Kushtetuese, Prokuroria nuk janë treguesi i demokracisë. Parlamenti dhe deputetët e tij, qeveria dhe organet e tij janë pengesat më të mëdha që qëndrojnë përpara pushtetit të popullit kur ato nuk vendosen në shërbim të popullit. Ky përbën edhe shqetësimin kryesor të qytetarëve shqiptarë, pasi këto pushtete dhe institucione të shtetit, në vend të përkushtohen në të gjitha diskutimet dhe veprimtaritë e tyre për rritjen e nivelit ekonomik të të gjitha shtresave të popullsisë, sillen dhe veprojnë sikur nuk janë zgjedhur nga ky popull për ta përfaqësuar dhe mbrojtura atë. Të mos ngatërrojmë me njëri-tjetrin shtetin me qeverinë. Në frëngjisht shteti shkruhet me “E” të madhe: Etat. Te ne, sido që të jetë i ngatërrojnë të dyja me njëra-tjetrën. Në ngjarjet e rënda përfaqësuesit e popullit me ata që diskutojnë në televizione, në vend të bërtasin “qeveria ku është?”, thonë “shteti ku është?”. Në një vend që populli ngatërron shtetin me qeverinë nuk vendoset as demokracia konkrete dhe as demokracia abstrakte.

Nëpunësi amerikan nuk thotë se punoj për shtetin, por thotë se “unë punoj për qeverinë”. Tani të japim një ngjashmëri kaba: shteti është një kamion i ngarkuar. Qeveria, e cila ka në dorën e saj çelësin e kontaktit, është shoferi i kamionit. Shoferi e çon në vendin që dëshiron kamionin e ngarkuar të shtetit, mallin e shkarkon në vendin që dëshiron. Qeveria është ajo që vendos se ku do të investohet, ku do të zbrazë paratë për të ndërtuar. Nga politikat e saj varet zhvillimi i vendit. Nëse ajo është e zonja të planifikojë dhe menaxhojë burimet financiare në nevojat kryesore të vendit, populli shikon ndryshimin; në të kundërt populli merr si dhuratë prej saj rritjen e varfërisë, mungesën e stabilitetit dhe qetësisë. Për këtë qëllim populli zgjedhës që të mund të kontrollojë demokracinë do të mësojë ndryshimin e qeverisë me shtetin. Për, shembull: shteti nuk dëgjon njeri, ai nuk ka kufje përgjimi. Njerëzit i dëgjon qeveria, qeveria ka kufje dëgjimi. Shteti nuk i fut në kurth institucionet dhe strukturat publike. Institucionet dhe strukturat e shtetit qeveria i fut në kurth. Qeveria, nëse nuk është me të vërtetë demokrate, ashtu si shoferi, demokracia është në rrezik, për arsye se është në një rrugë ure, shkatërruese, prishëse.

Në Shqipëri deri tani ne kemi pasur qeveri që u ngjanë një bombe dore, të cilat nuk i lënë institucionet e shtetit dhe pushtetet e saj të pavarura të funksionojnë normalisht. Sa herë ndërrohet pushteti politik, ose edhe brenda të njëjtit pushtet politik, ndërrohen shumica e drejtuesve dhe anëtarëve kryesorë të institucioneve vendimmarrëse. Shiko se çfarë po ndodh edhe tani me shpalljen e vendimeve të pritshme të Gjykatës Kushtetuese. U zhvilluan seancat dëgjimore për statusin e ushtarakëve dhe marrëveshjen me Greqinë për kufirin detar të Sarandës dhe nuk po e shpall vendimin. Pse? Sepse pret që të largohen disa anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, që kanë mbushur afatin e qëndrimit, për t’i zëvendësuar me mbështetës të pushtetit politik, qeverisë “Berisha”. Pra, të vendoset plotësisht edhe kjo gjykatë nën kontrollin politik të partisë politike në pushtet. Këtë bëri edhe Nano kur erdhi në pushtet. Pra, drejtësia merr fund. Ajo nuk mund të kontrollohet nga asnjë pushtet apo institucion tjetër. Prandaj pushtetarët vazhdojnë pa u ndalur të bëjnë shantazh pa menduar të ecin përpara në rrugë demokratike, sikur të ishim akoma në vitet ’90. Mjafton të kujtojmë shantazhin kundër prokurorit të përgjithshëm Sollaku, Rakipit dhe së fundi ndaj zonjës Rama, veçanërisht ndaj penalizimit të ish-ministrit të Mbrojtjes Mediu. Rezultati: dy të parët i shkarkuan nëpërmjet mekanizmit të votës së Kuvendit, ndërsa e fundit, zonja Ina Rama, ka mbyllur sytë dhe gojën ndaj shumë problemeve që kanë nevojë të hetoheshin pa u tërhequr deri në fund.

Në sistemin e ndarjeve të pushteteve ekzistenca e acarimit dhe tensioneve midis gjyqësorit, ekzekutivit dhe legjislativit është nevojë e natyrshme e zgjidhjes dhe trajtimit të problemeve. Detyra e hetuesisë dhe gjyqësorit është të përcaktojë nëse janë sjellë apo jo drejtësisht me ligjin përfaqësuesit e qeverisë dhe të kontrollojnë se si janë shfrytëzuar energjitë financiare të popullit. Kontrolli i hetuesisë nuk mund t’i pëlqejë pushtetit politik. Për arsye se ajo pengon realizimin e qëllimeve, pushteti politik mund të ndiejë zemërim, inatosje ndaj hetuesisë dhe gjyqësorit. Ky tension dhe mosmarrëveshje që ekziston midis pushtetit politik dhe hetuesisë në periudhën që shtrihet brenda kufijve të demokracisë, nga pikëpamja e funksionimit të shtetit ligjor është një tregues pozitivë. Nëse pushteti politik është në çdo kohë i kënaqur nga vendimet e pushtetit të hetuesisë dhe gjyqësorit, hapet rruga e dyshimeve të mosfunksionimit të mirë të demokracisë, të mosbërjes së detyrës sipas ligjit të hetuesisë. Ky përfundim ekziston sot edhe në shumicën e opinionit publik të vendit, pasi pushteti politik i sotëm është në “paqe” me hetuesinë dhe gjyqësorin për pushimin e çështjeve penale të dy ministrave të saj. Këta dy ministra edhe mund të jenë të pafajshëm, sidomos zoti Basha, por përderisa këtë verdikt nuk e dha pushteti gjyqësor, ka krijuar dyzimin e mosbesimit te qytetarët.

Për këtë shkak revoltimet e pushtetit politik ndaj vendimeve të pushtetit gjyqësor (prokurori + gjykatë) tregojnë se prokuroria e kryen detyrën mirë. Por presioni, kundërshtimet e vendimeve të hetuesisë deri në kërcënime nga pushteti politik, duke i kaluar kufijtë e demokracisë, tronditin nga themelet demokracinë dhe influencojnë shumë, për të mos thënë se i heqin prokurorisë krejtësisht pavarësinë e domosdoshme. Pavarësisht se kanë apo nuk kanë të drejtë partitë që i janë drejtuar prokurorisë për shkeljet e ligjit në numrin e votave të zgjedhjeve të 28 qershorit, moshapja e çështjes tregon se prokuroria është gjunjëzuar dhe nuk ka forcë ose dëshirë që të përballët më pushtetin politik. Prandaj midis demokracisë dhe pavarësisë së hetuesisë ekziston një lidhje shumë e ngushtë. Në qoftë se njëra detyrë e hetuesisë dhe gjyqësorit është të sigurojë drejtësinë, detyra tjetër është të ruajë vlerat e demokracisë. Pa një hetuesi të pavarur nuk mund të ruhen vlerat e demokracisë: liria, barazia dhe mirëkuptimi. Prandaj në shtetet demokratike mbrojtja dhe sigurimi i pavarësisë së hetuesisë është detyrë e pushtetit politik. Bile, në qoftë se është e pakënaqur nga vendimet e prokurorisë, një pushtet politik që i kupton dhe i mbron vlerat e demokracisë merr masa ligjore për të siguruar pavarësinë e prokurorisë.

Në vendet demokratike qeveritë janë të detyruara të realizojnë sigurinë e prokurorëve duke parandaluar kërcënimet në pavarësinë e punëve të tyre, siç janë ato të përjashtimit nga profesioni dhe transferimit nga vendet e punës e nga qytetet ku ndodhen. Ashtu si dhe prokurorët janë të detyruar të bëjnë detyrën e tyre në përshtatje me ligjet. Përjashtimi nga detyra e prokurorëve është një ngjarje shumë e rëndësishme për pavarësinë e prokurorisë, që te ne ka ndodhur shumë herë. Për këtë arsye ndëshkimi është e nevojshëm të mbështetet në fakte reale dhe shumë të besueshme. Pra, siç kuptohet, çelësi që ka bllokuar zhvillimin e demokracisë funksionale dhe mbrojtjes së vlerave të demokracisë te ne aktualisht është binjakëzimi i pushtetit gjyqësor (prokurori + gjyqësor) me pushtetin politik, nga të cilat varet liria, barazia dhe vëllazërimi. Prandaj përfaqësuesit e vendeve të Europës në Bruksel dhe në Tiranë ripërsëritin me tone të larta se Shqipëria ka shumë probleme në funksionimin e një shteti demokratik dhe ligjor. Ky është shkaku që disa prej tyre i kanë rikujtuar qeverisë dhe politikës Shqiptare që të plotësojë kriteret politike të Kopenhagës, të cilat kërkojnë “ekzistencën e institucioneve që garantojnë shprehjen dhe mbrojtjen e demokracisë, të drejtësisë, të drejtave të njeriut dhe të pakicave”, si dhe “ekzistencën e një demokracie të institucionalizuar dhe me stabilitet”, duke konsoliduar shtetin ligjor, barazinë para ligjit ndaj çdo qytetari dhe jo deputetët e ministrat e veshur me imunitet të trajtohen në një mënyrë të çuditshme, jashtë përgjegjësive ligjore dhe një hetimi krejtësisht të kundërt nga qytetarët e tjerë, duke krijuar një klasë shumë të rrezikshme për demokracinë e këtij vendi. Këto janë shkaqet pse politikanët tanë dhe media e politizuar nuk godasin mundjen që po na bren: mungesa e shtetin ligjor dhe varfëria ekonomike e shumicës së popullsisë.

Një njeri i lexuar e kupton mjaft mirë se shumica e politikanëve shqiptarë nuk janë të përkushtuar për plotësimin e kritereve të integrimit të Shqipërisë në Europë dhe të nxjerrjes së vendit nga varfëria në shumicë shumë ekstreme, por në mbajtjen sa më shumë, mundësisht deri në vdekje.

Hajro Lima, G. Start

Arrestohet “Mesia i rremë”. Kishte 30 gra e 30 fëmijë

Izrael, mesia i rremë akuzohet për keqtrajtime dhe incest.

Policia izraelite ka arrestuar një 60-vjeçar hebre që vetëkonsiderohej “I mençur”, pas akuzave se ai kishte ngritur një harem të vërtetë me 30 gra dhe 60 fëmijë. Dyshohet se ai ka kryer akte incesti dhe abuzime seksuale ndaj tyre.

I arrestuari quhet Goel Ratzon dhe është cilësuar nga media hebraike si Josef Fritzl i Izraelit. Ai thuhet se i mbante gratë dhe fëmijët si skllevër në një apartament të ndyrë në rrethinat e Tel Avivit. Ratzon ka qenë i ndaluar që nga e enjtja. Hetimet ndaj rastit të tij kanë nisur që nga vera e kaluar, pasi një grua dëshmoi se ndaj saj ishin kryer abuzime. Sipas akuzës dhe fakteve të mbledhura më pas, i dyshuari i mbante gratë e tij nën kontroll me një dorë të hekurt, përfshi këtu edhe gjërat e tyre të çmuara, apo paratë. Ai kishte shkruar një libër me rregulla për to, në mënyrë që t’i mbante në kushtet e skllavërisë. Ishte ai që vendoste se çfarë duhej dhe çfarë nuk duhej të bënin ato, të përcaktonte lëvizjet e tyre dhe të vendoste sanksione e dënime të ndryshme ndaj tyre, përfshi edhe përdorimin e dhunës nëse ato nuk do t’u bindeshin urdhrave të tij.

Mes akuzave të tjera që janë ngritur ndaj Ratzon, është edhe ajo e sjelljes në jetë të fëmijëve nga marrëdhënia seksuale me disa prej vajzave të tij. Disa nga gratë që u vetidentifikuan si bashkëshortet e Ratzonit janë shfaqur në një dokumentar në televizion i transmetuar në Izrael vitin e kaluar. Ato janë filmuar duke e ushqyer burrin e tyre dhe duke i krehur flokët.

Njëra prej tyre u shpreh e bindur se ai ishte Mesia, për të cilin flisnin të gjithë. “Ai është këtu mes nesh, por ende nuk e ka shpallur këtë botërisht. Ditën që kjo do të ndodhë, toka do të tronditet e tëra dhe bota do të ndryshojë”, ka deklaruar njëra nga gratë në dokumentar. Ndërsa, sipas avokatit të të akuzuarit, klienti i tij nuk është faktor për asnjë shkelje, sepse gratë e kanë bërë gjithçka me vullnet të plotë.


Shqip

Ismail Kadare, vetëm me 17 737 adhurues në facebook !

Shkrimtari “botëror” me vetëm 17 737 adhurues në facebook nga e gjithë bota, shqiptarë dhe të huaj.

Nëse do të kërkoni në facebook për Ismail Kadarenë, do të gjeni dy faqe me fotografinë e tij ku janë fansat e tij nga e gjithë bota, shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare, Republika e Shqipërisë, Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës, Mali i Zi, Çamëria, diaspora, si dhe të huaj nga e gjithë bota. Në të parën nga këto faqe, me emrin “Ismail Kadare”, në momentin që po shkruaj, në 15 janar 2010, në orën 16 e 24 minuta, kishte 17 221 adhurues, apo fansa.


Në faqen e dytë me emrin “Ismail Kadare” kishte 516 adhurues, apo fansa. Në faqet personale me emrin Ismail Kadare, dhe me fotografinë e tij, ajo që ka më shumë miq, ka 877 të tillë. Kjo qartësisht është faqja zyrtare e shkrimtarit. E dyta në radhë ka 25 miq. E treta në radhë ka shtatë miq, e katërta në radhë ka dy miq, nga të cilët njëri është i huaj. E pesta dhe e gjashta në radhë kanë vetëm nga një mik.

Facebook e jep më mirë se gjithçka të vërtetën e Ismail Kadare, të cilën ai e fsheh duke mos treguar numrin e kopjeve të botimit të librave të tij në Shqipëri (të cilat shiten në krejt hapësirën shqiptare) dhe në botë, në gjuhë të huaja. Në rast se Ismail Kadare do të ishte vërtet një shkrimtar i rangut botëror, i lexuar në të gjithë botën, ai duhet të kishte së paku rreth 18 milion adhurues dhe jo rreth 18 000. Numri i adhuruesve të Kadaresë në facebook, në të gjitha trojet shqiptare, si dhe në të gjithë botën (shqiptarë dhe joshqiptarë) është dukshëm i vogël në përpjestim me numrin e anëtarëve të facebook, shqiptarë nga të gjitha trojet dhe të huaj në të gjithë botën.
Facebook na tregon qartë se ka një diskrepancë (mospërputhje) kolosale mes mitit të Kadaresë të krijuar nga propaganda e regjimit komunist, mediat në periudhën paskomuniste, dhe nga disa qendra të huaja, dhe interesit real të publikut për Ismail Kadarenë. Një apologjet profesionist i Kadaresë në Tiranë, kur ia thashë këtë gjë, më tha se kjo diskrepancë vjen për shkak se përdoruesit e facebook janë më së shumti të rinj në moshë, dhe se lexuesit e Kadaresë janë në një moshë më të rritur. Por ky është një argument-boomerang, se pikërisht të rinjtë, nxënësit e shkollave, të klasave të larta të arsimit nëntëvjeçar, dhe të shkollës së mesme, janë ata që i kanë lexuar librat e Kadaresë me detyrim për shkak se ato gjenden në programet mësimore. Pastaj në facebook ka dhe shumë përdorues të moshave më të rritura, të cilët supozohej të qenë lexues dhe adhurues të Kadaresë. Por të gjithë këta i kanë blerë librat e Kadaresë me detyrim, dhe leximi i tyre ka qenë një punë e detyruar për ta. Prandaj ai ka aq pak adhurues.
E të mendosh që Kadare edhe për një pjesë jo të vogël të adhuruesve që ka, duhet t’ ia dijë për nder kryetarit të shoqatës “Miqtë e Kadaresë”, z. Çerçiz Loloçi, i cili është njëkohësisht dhe drejtor i marrëdhënieve publike në Fondacionin “Soros” në Tiranë, dhe që një nga veprimtaritë kryesore që bën në zyrë është që të hapë faqe personale në facebook me emra të sajuar, të cilët pastaj i bën adhurues të Kadaresë. Nëse do të keni durim të kqyrni listën e adhuruesve të Kadaresë, do të shikoni se ka shumë veta, të cilët nuk kanë asnjë mik, por janë vetëm adhurues të Kadaresë.

Nga Kastriot MYFTARAJ, G. Sot

Ka diçka që nuk e kuptoj nga Z. K. Myftaraj. Përse çuditet kaq shumë kur edhe artikulli i tij, nuk ka asgjë ndryshe nga sulmi që i është bërë parreshtur shkrimtarit të pakrahasueshëm shqiptar, duke u munduar të hedhin baltë mbi figurën e tij, mbi suksesin e tij, duke ndërhyrë në jetën private, për arsyen e thjeshtë : sulm ndaj suksesit të këtij shqiptari.

Sulmet e ulëta dhe aspak qytetare ndaj kësaj figurë ndërkombëtare, me të cilin çdo popull do krenohej, tregojnë edhe njëherë qartë, varfërinë e madhe intelektuale ku ka përfunduar vendi ynë. (Stop .Injorancës)