1. (Leibnitz-i dhe “Zoti ka krijuar botën më të mirë të mundshme”)
Qëllimi i gjithë idealizmit ka qenë që njeriun në idetë e tij të pajtohet me fatin aktual. Njeriu duhet t`i përmbahet Dhiatës dhe do të shpërblehet nga një princip i lartë, nga Zoti.
Por, aktualiteti gjithnjë ka qenë instabil, i mbarsur me rreziqe, dhe bota gjithnjë e pa baraspeshë. Nuk ka një filozof tjetër që e ka formuluar aq mirë këtë disharmoni të amshueshme, si Leibnitz-i. Në Theodizee-në e tij (1710) ai thotë se Zoti ka krijuar botën me të bukur të mundshme, sepse gjithë pjesët e Kosmosit: Natyra, Shpirti dhe Trupi i njeriut janë të lidhura pandashëm në `harmoninë e parastabilizuar`. Në këtë botë mrekullie, gjithnjë sipas Leibnitz-it, të krijuar nga një vullnet i përkryer hyjnor, që shëmbëllen Zotin në botën tonë shpirtërore, nuk ka asnjë veprim të mirë që shkon pa u shpërblyer, dhe rrjedhimisht, asnjë veprim të keq që nuk do të gjykohet. Por, gjithçka ndodh në shërbim të së mirës dhe të të mirëve, të cilët në këtë botë nuk jepen pas kënaqësive të liga, por janë rob të së mirës.
Por, në gjithë këtë harmoni të parastabilizuar, e ku asgjë nuk ndodh pa dëshirën dhe vullnetin e Zotit, shtrohet pyetja: si erdhi e u përhap e keqja në këtë botë??
Zotit falë i qofshim, ... por e vërteta është krejt ndryshe. Me apo pa Zotin, kjo botë është një varr që evoluon. Nulli sua forma manebat (asgjë s`mbetet si është!!). Një botë e të sëmurëve, e kancerit, e armëve, e varfërisë, pushtimeve, shkretëtirave, urrejtjes, luftërave. Në rrugët e Kalkutës ka panumër njerëz që s`kanë emra, sepse s`kanë pasur njeri që t`i pagëzojë. Çdoku pra, sikleti i jetës e zhvesh njeriun nga copëza të identitetit të tij të natyrshëm, nga materia dhe nga shpirti. Është botë e rrezikut.
2. (Tërmeti i Lisbonës)
Pikërisht më 1. nëntor 1755 ndodh tërmeti i Lisbonës. Kjo katastrofë natyrore është cesura më e thellë e deriatëhershme në botën shpirtërore dhe kujtimet e Europës. Nga tërmeti vdesin mëse 30.000 njerëz. Dhe një nga qytetet më fisnike të Europës, me një ndër portet tregtare më të mëdha të saj shndërrohet në një varr të pamatë. Ishte vdekja e asaj botës që predikonte Leibnitz-i, vdekja e optimizmit.
Voltaire shkruan një “Poème sur le désastre de Lisbonne” duke bërë nga tmerri dhe llahtari i Lisbonës një kryevepër evropiane që do të mohonte Theodizee-në e Leibnitz-it, me gjithë atë optimizëm gati arrogant të iluminizmit të atij shekulli. Lisbona e shndërruar në hi dhe vdekje po bëhej përnjëherë mësimi më i madh i gjithë iluminizmit, se kjo botë s`ishte gjë tjetër veçse një krijim që bashkëjetonte me katastrofat, rreziqet dhe pasigurinë, të cilat s`kishin asnjë rrënjë në mëkatet e njeriut, por në gjeologjinë e dheut.
Katastrofat natyrore në historinë njerëzore kanë sjellë shumë vuajtje. Dridhet toka në mes të natës së qetë, shpërthen llava dhe varros qytete që i zë në gjumë (Pompejin) apo vërshon beftë një tsunami dhe merr jetën e mëse 200 mijë njerëzve (Azi juglindore).
Shkatërrimet që mbesin prapa këtyre katastrofave shkaktojnë shokim të përbotshëm. Njeriu ndjehet i vetmuar, i vogël, i pakuptim. Kështu edhe më 1755 në Lisbonë, ku përnjëherë u humb besimi në botën, në Zotin, në natyrën e qëndrueshme dhe besnike. Në këso situatash tragjike më së vështiri e kanë teologët: çfarë është ai Zot që i dënon kështu të mirët e të këqijtë bashkë? A duron drejtësia hyjnore që të vdesin mijëra fëmijë, gra e burra të pafajshëm, për pak çaste?
I pari ishte Kant-i që nisi të kërkonte arsyet te natyra.
3. (Auschwitz-i)
“Është barbare të shkruash poezi pas Auschwitz-it”, kështu ka thënë Adorno.
Për ata që kanë parasysh Auschwitz-in dhe Prekazin, jeta merr një ngjyrim gri, neutralizohet, vihet në dyshim. Ose, së paku, raporti i saj me Zotin. Çfarë kuptimi ka hierarkia hyjnore, kur mbi këtë kokërr gjaku, urrejtje, shkretëtirash e vetmie, të mbështjellë me smog, e të humbur nëpër pafundësi, këtu pra, në tavolinën tonë sferike, ku ne si ujqit i hidhemi njëri tjetrit gjithë jargë e uri, vrasja është bërë industri??
Çfarë kuptimi ka Zoti, harmonia kozmike, në një mishtore të tillë kanibalësh?
Pas Auschwitz-it bota ka humbur edhe atë pak normalitet që ka menduar se e ka, ndërsa pas Kosovës dhe Bosnjës ajo është amorale. Thelbi i botëkuptimit gjenocidist është sistemi vetanak i vlerave dhe hapësirës, dhe në atë sistem `tjetri` nuk ka vend. E drejta për të zhbërë është licencë satanike. Dhe në një botë si kjo, ku shkatërrimi ka metodë dhe shndërrohet në sistem vlerash, s`ka vend për arsyen, njeriun universalist, paqen.
Jo gjeologjia, jo natyra, por kultura, gjenealogjia e moralit këtu është rrafshi ku identifikohet shkatërrimi. Mobilizimi i resurseve njerëzore (të paimagjinueshme!!) për të zhbërë jetë dhe kulturë.
Çfarë është ai Zot, që lejon që në shuplakë të tij të tymojnë dhomat e gazit, makineria e vdekjes?
4. (Haiti)
Janë qindra mijëra njerëz që kanë vdekur ngase nuk ka funksionuar harmonia kozmike. Nëse ndodh kjo, a ndodh me lejen e Zotit? Nëse ndodh me lejen e Zotit, si mund të lejojë Ai një masakër të tillë? Nëse ndodh që ka një vullnet të lig në Gjithësi, atëherë ka dualizëm. Zoti nuk është vetëm.
E di, fanatikët (ata që për njerëzimin kanë të fiksuar një dhe të vetmin agor!!) do të vrapojnë të arsyetojnë të kundërtën: se Zoti kundërvepron. Se kur bota ngarkohet nga e keqja Ai reagon në mënyrën e Tij. Por, çfarë faji kanë ata të gjorë varfanjakë, në një shtet që edhe ashtu ishte shumë jostabil dhe keq. Nëse kjo tragjedi e kësaj mase të pafuqishme njerëzore është refleksioni i dënimit hyjnor, atëherë pronari i Universit është tepër koprrac.
Në Haiti, me gjithë ato kufoma të pavarrosura, është përmbysur një copë Gjithësie. Një pjesë e dhimbshme, fragment i përtejmë dhe i harruar i Pafundësisë. Për materien do të jetë vetëm një zhvendosje, për shpirtin një urnë e madhe që do na mbajë të gjithëve ngujuar, për së gjalli... me gjithë përhumbjen, pasigurinë dhe vetminë tonë të pafund.
Para Haitit mbetet hije çdo tragjedi biblike.
Dhe këtë tragjedi e kanë paraparë gjeologët, sepse tërmete përafërsisht të tilla e kanë goditur këtë ishull edhe më parë, por shkenca për këtë tërmet ka pasë parashikuar se do të jetë apokaliptik, dhe ashtu u bë, fatkeqësisht.
Edha ashtu ky shtet ka qenë i dështuar, për fatin e keq të banorëve të atyshëm. Lufta qytetare e ka dërrmuar. Varfëria dhe mjerimi i kanë shtyrë njerëzit të kryengritjen vazhdimisht, ndërsa klane mafioze kanë tregtuar me resurset e këtij vendi.
Gati të gjitha malet janë prerë dhe shitur, çdo shi (i rrallë) që bie gërryen deri në shkëmbinj masën e dheut mbi to dhe e çon në det, erozioni pastaj kryen punën e mbetur. Ngaqë s`ka më male, s`ka më gjelbërim. Një vend ekologjikisht i shkatërruar, shpirtërisht i kapitur, i zhytur në korrupsion gjer në mosshpresim, e për të cilin dimë shumë pak.
Pikërisht në Haiti, skllavët kanë qenë ata që kanë zhbërë vetë skllavërinë. Aty ka ndodhur një revolucion, i ngjashëm me atë të Spartakut, ku skllevërit kryengritjen dhe luftojnë për të drejtat e tyre. Ata kanë fituar mbi njërën nga armatat më të forta të Napoleonit. Por, siç ndodh jo rrallë në shoqëri të ngjashme, ata nuk kanë arritur të ndërtojnë një shtet të qëndrueshëm. Deri tani as nëntëmijë helmetat blu nuk kanë bërë shumë punë. Më keq: struktura të tëra të trupave të Kombeve të Bashkuara janë korruptuar dhe s`kanë asnjë motiv për atë vend.
Haiti ka kohë që ka nisë të vdesë. Tash veç u zu për së gjalli nga dheu dhe hiri dhe tmerri.
Tema, Nga Arsim Rexhepi