Thursday, April 1, 2010

Sot është 1 PRILL (pjesa I-rë)

Përshëndetje të dashur shqiptarë.

Në këtë ditë të bukur me diell, më erdhi ndërmend të bëjmë një përmbledhje të shkurtër të së kaluarës tonë të vështirë, për të përmendur kështu të gjitha sukseset dhe arritjet tona.
Kemi kaluar vërtetë sfida të mëdha, por vlen për tu përmendur fakti se të bashkuar, ne dinim të korrnim vetëm suksese. Le të kthehemi një çast tek e kaluara jonë e errët, duke prekur hap pas hapi sfidat tona të fituara.

Ishin vite të gjatë tranzicioni dhe pasi mposhtëm me vullnetin tonë të lirë diktaturën komuniste, e gjithë Europa i bëri thirje shtetit Shqiptar, që një pjesë së kësaj popullsie vitale, ta merrte borxh për disa dekada në shtetet e tyre, për të rigjeneruar popullsinë e plakur e të pamotivuar të saj. Gjatë kësaj kërkese, shtetet europiane u zotuan njëkohësisht që do ti trajtonin shqiptarët ashtu si ata e meritonin, duke i ngarkuar nëpër anije moderne, ku nënat dhe fëmijët qëndronin në suita të veçanta dhe Sibiljet italiane i shoqëronin për një udhëtim sa më komod dhe të sigurtë.

E sapo shqiptarët u shpërndanë nëpër të gjitha shtetet e plakura të Europës, gjithçka ishte bërë gati tashmë. Ata u rehabilituan nëpër banesat më moderne siç i takonte këtij populli fisnik, të cilit Europa i detyrohej aq shumë, në çdo aspekt human.

Europa ishte e ndërgjegjshme për rolin e pazëvendësueshëm që ky popull kishte dhënë në kulturë, histori, gjuhësi.

Ishte koshientë që shqiptarët ishin populli i vetëm në botë që kurrë nuk kishte përndjekur çifutët, që kurrë nuk kishte ndezur një luftë, që kurrë nuk ishte vrarë për besimin fetar duke qenë shembull absolut i tolerancës. Ishte e ndërgjegjshme që shqiptari armikun kurrë nuk e kishte vrarë pas shpine, por kur e kishte çarmatosur e kishte lënë të lirë të kthehej nga kishte ardhur, apo në rastin e Italisë fashiste, madje edhe e kishte strehuar e mbrojtur.

Nuk mund të shpjegohej ndryshe fakti se shqiptarët sapo u përhapën nëpër botë, për ta u rezervuan vendet më të privilegjuara e kyçe të punësimit, kryesisht si punjonjës social ndaj prostituave të dhunuara, në policinë e antidrogës dhe ballë për ballë në luftën ndaj rrjeteve kriminale të organizuara.

Europa e dinte mjaft mirë historinë e shqiptarëve, karakterin e tyre. I njihte mjaft mirë krimet që ishin bërë ndaj tyre dhe ky ishte rasti i volitshëm për te shlyer sadopak këto vuajte shumëshekullore, që arrinin kulmin paradoksal me qindra e qindra shqiptarë të helmuar, për një abetare.

Mjafton të flisje shqip që të gjithë të të shikonin me një konsideratë supreme dhe të të ofronin pa kushte miqësinë e tyre. Të thoje se je shqiptar e vjen nga Shqipëria, europianët të ngjiteshin si mushkonjat pas dritës, për tu bërë mik me ty, për të mësuar prej teje, si një dëshmi e gjallë historike që shqiptari ishte.

Në gjitha shtetet ku shqiptarët u ftuan të kontribuojnë u duk ndjeshëm ndikimi i tyre. Emrat shqiptarë u bënë më të preferuarit tek të huajt, të cilët duke mos u mjaftuar me kaq, filluan të vendosin si lëndë me detyrim shqipen, nëpër të gjithë gjimnazet e tyre. Kjo ishte domosdoshmëri për shkencën dhe kulturën. Europianët nisën kështu të studiojnë dhe të mësojnë gjuhën nënë, e cila kishte lindur të gjitha gjuhët indoeuropiane.

Ndër këto shtete, ku shqiptarëve iu përgjëruan të kolonozonin, një vend special luante shteti grek. Dashuria e tyre ndaj shqiptarëve aty ishte speciale dhe kjo ishte madje edhe çështje shtetërore.

Shkroi: Stop Injorancës

Wednesday, March 31, 2010

"Në Shqipëri protestohet për sumën ! Jo për kokën, jo për jetën!

Shihni çfarë bëhet ne Greqi... Shihni çfarë bëjmë në Shqipëri. Dy popuj fqinj. Dy botë krejt të ndryshme.

U vra gati aksidentalisht nga shteti një 15 vjeçar në Athinë... Shpërthyen protesta në mbarë vendin. Qeveria gati ra, për të rënë plotësisht në mënyrë demokratike në më pak se një vit!

U vranë mbi 26 shqiptarë, u plagosen qindra të tjerë, përfshi edhe fëmije e gra shtatzëne në Gërdec nga mamutho-korrupsionit qeveritar... Gati heshtje varri në Tiranë e në krejt Shqipërinë.

Papunësia në Shqipëri është gati 50 përqind, gati katër herë më e lartë se në Greqi. Çmimet janë 3- 10 herë me të larta se në Nju Jork apo në Greqi, që u paralizua nga protesta masive...

Në Shqipëri protestohet për sumën ! Jo për kokën... jo për jetën!

Presidenti merret me dekoratat e Enver Hoxhës... Kryeministri i ka zgjidhur të gjitha hallet deri tek SHISH-i. Në edhe bar do të hamë por parimet puritane të sumës nuk do ti shesim... Kush çan sumën për kokën, për jetën për pasuritë që duhet të ndahen, por vidhen të gjitha nga një klan.

Çdo popull ka qeverinë që meriton, ka thëne nja nga baballarët e demokracisë amerikane Abraham Linkoln.
Alban Deda, G. Shekulli

A e meritojmë vërtetë ne shqiptarët këtë qeveri ?!

Historianët: Maqedonia po shkatërron kulturën ilire

Gërmimet arkeologjike që kanë nisur para disa ditësh në Kalanë e Shkupit kanë shkaktuar reagimet e historianëve shqiptarë.

Sipas studiuesve shqiptarë Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në Maqedoni me këto gërmime nuk ka për qëllim zbulimin e gjurmëve e provave nga e kaluara, por shkatërrimin vandal të shtresave e kulturës nga periudha ilire e këtij qyteti.

Në proçesin e gërmimeve nuk është përfshirë asnjë arkeolog shqiptar. Gërmimet kryhen me eskavator, ku për 3-4 ditë është gërmuar pjesa verilindore e kalasë e cila nuk ka qënë e prekur.

“Askund në botë gërmimet arkeologjike nuk kryhen me eskavator. Jam i mendimit se janë shkatërruar shtresa të tëra të etnokulturës nacionale të antikitetit që i përkasin kulturës ilire”, deklaron për Top Channel historiani shqiptar Skënder Hasani.

Historianet shprehen se gërmimet arkeologjike janë edhe më të dëmshme se projekti “Shkupi 2014”.

T. Channel

Gay e lesbike, festë tek blloku i ambasadave

Askund tjetër nuk ndihen më të sigurt se aty. Jo vetëm për shkak se askujt nuk i bën asnjë përshtypje pse dy meshkuj puthen në mes të lokalit, por edhe pse zona e bllokut të ambasadave është vendi më i sigurt në Tiranë.

Prej kohësh lokali në qendër të bllokut të ambasadave është kthyer në oazin e dëfrimeve të shpenguar për të gjithë ata që nga shoqëria shqiptare shihen me një sy tjetër. E sapo shkel këmbën aty kupton fare qartë që ato sjellje që për secilin prej nesh do të konsideroheshin tabu, aty jo vetëm që konsiderohen normale por fjala liri merr krejtësisht një tjetër kuptim.


Dhe çdo të shtunë ata i gjen aty. Hyjnë një nga një pa rënë në sy dhe brenda pak minutash transformohen në atë që janë me të vërtetë. Meshkujt që vishen si femra apo femrat që pikturojnë mustaqe dhe hiqen si "të fortë" janë gjëja më normale e atij vendi.
Mund të thuash pa frikë se fundjavat janë e vetmja mundësi argëtimit për të gjithë ata që shijet seksuale i bëjnë të ndryshëm nga shoqëria. Ndaj dhe sapo mbrëmja bie, një nga një mblidhen si zogjtë pranë klloçkës të bindur se vetëm aty janë krejtësisht të sigurt dhe krenarë për faktin që janë homoseksualë. Nuk bëhet fjalë për ata që kryeqytetasit shohin rëndom pranë ish- gropës së Hajdin Sejdisë, (zona pas Teatrit të Operës dhe Baletit) por për njerëz krejt për së mbari. Disa prej tyre kanë aktivitet të suksesshëm në fusha të ndryshme të jetës, personazhe që shpesh herë i sheh të ftuar në emisione në TV apo edhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.

Por ka nga ata që vijnë dhe për të kthyer një birrë me çmim shumë të lirë dhe krahas alkoolit shijojnë dhe performancat e shkëlqyera të kërcimtarëve meshkuj. Për kureshtarët kjo s'është gjë tjetër veçse një mbrëmje ndryshe që për homoseksualët shndërrohet në një mbrëmje ku janë krejtësisht vetvetja.

Kur hyn në lokal e kupton që je një i huaj. Pothuajse të gjithë njihen me njëri- tjetrin. Ata njohin edhe "anën e pasme të medaljes", atë që qëndron e fshehur gjatë gjashtë ditëve të javës për të shndritur ditën e shtunë. Për njëri- tjetrin dinë jo vetëm historitë por edhe zullumet që herë herë shndërrohen në sfida kërcimesh eksituese apo provash flirtimi. Ndaj dhe prezenca e një të riu shihet me sy shumë dyshues jo vetëm nga menaxherët e lokalit por edhe nga ata që në përjashtim të Klodit nuk kanë guxuar të deklarojnë preferencat e tyre seksuale.

Megjithatë ky debat as që ekziston në lokalin e bllokut të ambasadave. Me të shkelur këmbën aty, njerëzit janë krejtësisht të shpenguar. Mund të kërcejnë jo vetëm mbi banak në mënyrë tejet eksituese por edhe të puthen e të përqafohen. E për të nxitur sjelljet krejtësisht të shpenguara nuk është vetëm birra e lirë që të ofrohet por edhe ushqime afrodiziake, si pica me karkaleca, karotat, haviari apo frutat e detit. Ndërsa gjysmë errësira e krijuar nga ndriçimi i llambushkave e bën ambientin tepër romantik.

Ndaj dhe për këtë shkak lokali është kthyer edhe si një pikë-pjekje për gay edhe lezbiket që duhet thënë se nuk janë më të pakta në numër. Në fakt, këtu rregullat e xhentilesës së "gjuetisë" janë lënë përtej derës së lokalit. Nuk ofrohet një pije apo edhe të stisen mënyra për të bërë partnerët për vetë. Mjaftojnë vetëm vështrimet e më pas sheh një çift femrash apo dhe djemsh që braktisin lokalin për tu kthyer pas pak minutash. E gjithë skena ndiqet me sy ziliqarë që atë natë ju duhet të kënaqeni me pijet apo edhe pistën e kërcimit.

Nata e fundit nuk ishte me fat për shumicën e homoseksualëve që frekuentojnë këtë bar. Por kjo nuk do të thotë se mbrëmja e radhës nuk do të jetë e tillë. Ndaj dhe çdo fundjavë, lokali në zemër të bllokut të ambasadave është më se i frekuentuar. Homoseksualët kanë një strehë të sigurt ndërsa të zotët e lokalit duket se kanë gjetur një mënyrë për të bërë biznes edhe në netët kur kjo zonë është e braktisur nga punonjësit e trupit diplomatik të akredituar në Tiranë. Ndaj të gjithë palët duket se janë më se të lumtur në oazin e parë të homoseksualëve shqiptarë.

*****
Dori, djali që nuk shkel në qytetin e tij

Zoti i ka falur një trup që nëse nuk e njeh mund ta ngatërrosh me një modele të pasarelave. E për këtë Dori është më se e bindur dhe duket se bën gjithçka për të nxjerrë në pah hiret e tij. Vishet krejtësisht në mënyrë të shpenguar si të ishte një e përkëdhelur blloku. Këtë e bën edhe në mes të ditës, xhinse me gurë dhe këmisha të puthitura mirë pas trupit. Të mos kishte flokë të shkurtër pa asnjë mëdyshje se Dorin do e ngatërroje për një vajzë për të cilën djemtë do të mbanin frymën tek sa ajo kalonte.
Por si e tillë Dori ndihet vetëm në lokalin në mes të bllokut të ambasadave. I bie kryq e tërthor të lokalit që kushdo që është i pranishëm të mos ikë pa parë hiret e tij. Përveçse ndihet më i bukur se kush do tjetër në këtë lokal, dhe për të treguar këtë, bën gjithçka që të tërheq vëmendjen, Dori është edhe një kërcimtar i shkëlqyer. Si të ishte një balerinë që studion prej vitesh, kur del në pistë, të gjithë sytë ndalen tek ai.

E ndërsa në mbrëmjet e fundjavës, Dori përpiqet të tregojë se është një njeri i lumtur edhe një mashkull që e ka suksesin e garantuar, jeta e tij nuk është aq e bukur sa duket. Dori është me origjinë nga Vlora. Të gjithë e dinë historinë e tij të dhimbshme, jo vetëm për të, por për çdo gay tjetër në Shqipëri. Prindërit e tij, me të mësuar shijet e tij seksuale e kanë bërë lanet. Ndërsa në qytetin e tij të lindjes, nuk dihet sa kohë ka që Dorit s'i ka shkelur këmba. Në lokal të thonë se Dori nuk guxon të kalojë urën e Mifolit ndërsa ka zgjedhur Tiranën për të jetuar disi më në paqe, nëse edhe kjo mund të quhet e tillë. Në fakt, ky është shqetësimi i çdokujt që ka prirje të ndryshme seksuale në këtë vend. Dhe kjo duket se është ajo çfarë e bashkon fort gjithsecilin prej tyre. Ndajnë të njëjtat shqetësime, paragjykime apo edhe frustrime në ambientin ku jetojnë apo dhe punojnë.

Por Dori duket se është krejt ndryshe. Me të braktisur shtëpinë e tij, Dori nuk çan dhe aq kokën çfarë thonë të tjerët për të. Por edhe kjo ka një kufi. Minifundet që duket se Dori vdes t'i veshë, i përdor vetëm në lokalin e bllokut të ambasadave. Përtej tij, paçka se me xhinse me gurë dhe këmisha që i rrinë mirë puthitur pas trupit, ai rreket të jetë një djalë si gjithë të tjerët paçka se çdo fundjavë është "vajza" më e përkëdhelur e lokalit të bllokut të ambasadave.


****
LGBT: Të krijohet lëvizje e re

Shqipëria ka tashmë një lëvizje të re në mbrojtje të të drejtave të minoriteteve seksuale në Shqipëri. Një grup të rinjsh e të rejash nga e gjithë Shqipëria, të cilët besojnë se Shqipëria nuk mund të konsiderohet një vend demokratik që respekton të drejtat e njeriut pa respektuar dhe garantuar edhe të drejtat e komunitetit LGBT në vend, kanë vendosur që të formalizojnë atë që do të quhet LGBT PRO Shqipëri.

Shoqata mbron të drejtat e lesbikeve, gay-ve, biseksualëve dhe transxhenderëve dhe ka si synim të mbrojë dhe promovojë të drejtat e minoriteteve seksuale në vend. "LGBT PRO Shqipëri punon për mbrojtjen e të drejtave të homoseksualëve, lesbikeve, biseksualëve dhe transeksualëve, duke u përballur me institucionet shtetërore dhe ato private për të adresuar sa më mirë zgjidhjen e problemeve të komunitetit. Punon për mbrojtjen nga dhuna dhe diskriminimi të komunitetit, ndërgjegjësimin publik në nivel kombëtar dhe lokal për të drejtat e LGBT-ve nëpërmjet lobimit dhe avokatisë, përmirësimit të politikave publike dhe legjislacionit, ngritjes së kapaciteteve, informimit dhe mobilizimit social",- thanë dje drejtuesit e kësaj shoqate.

Jam homoseksual


Nga Mindy Michels, Ph.D.

"Jam homoseksual!" Kjo frazë filloi papritur të shfaqej në statusin e shumë prej miqve të mi shqiptarë në facebook. Ata e mbajtën atë gati një ose dy ditë, ndonjëherë të shfaqur bashkë me linkun e artikullit të mrekullueshëm të shkruar nga Fatos Lubonja, duke treguar që për të mbështetur dinjitetin njerëzor, për të fshirë turpin, për të kundërshtuar injorancën, intolerancën dhe urrejtjen, ne duhet te jemi të gatshëm të ngrihemi dhe të themi "jam homoseksual".

Është e jashtëzakonshme që këto mesazhe statusesh janë duke u postuar në shumë forume gjysmë-publike, nga shqiptarë heteroseksualë, homoseksualë dhe biseksualë që jetojnë në Shqipëri.

Deri në momentin që Klodian Çela, një pjesëmarrës i emisionit "Big Brother" në Shqipëri, vendosi së fundmi të deklaronte publikisht që ishte homoseksual, nuk kishte asnjë shqiptar që jetonte këtu i cili do të deklarohej dhe të dilte hapur publikisht. Pas rrëfimit të tij, nëpërmjet një letre shumë emocionuese drejtuar nënës së tij, media dhe komentet publike filluan të vorbullonin shumë mbi këtë temë. Të gjitha këndvështrimet u bënë të zëshme, nëpër gazeta, në emisione televizive, në blogje të shumtë në internet si dhe në shtëpinë e "Big Brother". Debati dhe dialogu i respektueshem (mbi të gjitha çështjet) është kritik për një demokraci të shëndetshme dhe kumbuese; ai bën të mundur shkëmbimin e opinioneve, ndryshimin e mendjeve, edukimin e publikut, si dhe lëvizjen e përparuar të shoqërisë.

Gjithsesi, grupe të vegjël djemsh dhe burrash të irrituar kanë marshuar në një protestë në Lezhë; gjithashtu janë formuar dhe grupe kundra Klodit në facebook. Protestat dhe grupet e facebook-ut përkrahnin dhunën kundër Klodit dhe familjes së tij, duke pohuar se ai nuk ishte shqiptar, dhe duke mohuar origjinën e tij nga Lezha. Këto pohime nuk ishin të bazuara në realitet: Klodi është lindur dhe rritur në Lezhë, dhe familja e tij vazhdon të jetojë aty. Më saktë ato bazoheshin në logjikën që shqiptarët, ose njerëzit nga Lezha nuk mund te ishin homoseksualë...prandaj Klodi nuk mund të ishte një shqiptar nga Lezha.

Veç kësaj, forumet anonime të facebook-ut lejuan lulëzimin e shumë grupeve të dhunshme, siç ishte një me qëllimin e titulluar "të djegim Klodin me benzinë".
Në këtë frymë, Fatos Lubonja, një shkrimtar, dijetar dhe intelektual publik shqiptar, shkroi artikullin e tij të guximshëm në mbështetje të të drejtave të njeriut, duke vërtetuar që në çdo kohë njerëzit janë dalluar sepse janë të "ndryshëm", më pas ne të gjithë jemi pakësuar. Z. Lubonja argumentoi se për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për t'iu kundërvënë dhunës, intolerancës dhe urrejtjes, "ne të gjithë duhet të themi me zë të lartë, "jam homoseksual". Z. Lubonja guxoi të na ngrinte të gjithëve kundër paragjykimeve, të jetonim për një moment të vërtetën se "asnjë nga ne nuk është i lirë, derisa të gjithë të jemi të lirë".

Dhe në këtë frymë, njerëzit e të gjitha orientimeve seksuale filluan të shkruanin në statuset e tyre në facebook "jam homoseksual". I fejuari i një gruaje ishte i pari që iu përgjigj statusit të saj, duke komentuar "Çfarë ndodhi?!" Në faqe të tjera ky formulim provokoi shumë debate, pyetje, madje edhe akuza. Për disa formulimi ishte thjesht një paraqitje politike. Për të tjerë, artikulli dhe postimet e njerëzve të tjerë i lejuan atyre të ndërthurnin mendimet personale me ato politike; për të bërë një deklaratë publike politike, për të mbajtur një pozicion për të drejtat e njeriut, për të konstatuar një të vërtetë personale.
"Jam Homoseksual!" E thjeshtë. E fuqishme. Një thirrje për respekt dhe dinjitet për të gjithë njerëzit. Një mekanizëm për të fshirë turpin. Një sfidë për diskriminimin dhe intolerancën. Një sfidë për veten tonë. Një sfidë për njerëzit që na rrethojnë.
Është veçanërisht shumë e fuqishme që e gjitha kjo po ndodh në të njëjtin moment që Shqipëria sapo ka miratuar ligjin kundër diskriminimit, një ligj që jo vetëm mbron nga diskriminimi, por që konstaton shumë qartë se qëllimi i tij është "të sigurojë të drejtën e çdo personi për barazi përpara ligjit, për mbrojtje nga ligji, mundësi e shanse të barabarta për të shfrytëzuar të drejtat, për të gëzuar lirinë dhe për t'u bërë pjesë e jetës publike.

Ka shume lesbike, homoseksualë, biseksualë dhe transgjinorë (LGBT) shqiptarë. Kjo është e vërteta. Unë njoh disa prej tyre. Njoh disa nga historitë e tyre, njoh disa nga vuajtjet e tyre, njoh disa nga sfidat me të cilat ata përballen çdo ditë. Gjithashtu njoh dhe shumë heteroseksualë shqiptarë që i mbështesin ata, që mbështesin lirinë e çdo njeriu për të jetuar me dinjitet, duke u bazuar në privilegjet dhe të drejtat e njeriut. Kjo nuk është thjesht një çështje për Klodin, ose për këto protesta të vogla që po ndodhin në Lezhë. E gjithë kjo është për një moment ku Shqipëria po përballet me vetë diversitetin e saj, dhe ku njerëzit me ndërgjegje të mirë kanë mundësinë të ngrihen për të drejtat e njeriut, për të drejtën e të gjithë njerëzve për të jetuar të lirë, për të jetuar hapur dhe ndershmërisht, dhe për të jetuar pa frikë.

Unë erdha në Shqipëri gati 4 vjet më parë, dhe ndihem jashtëzakonisht shumë me fat që pata privilegjin për të jetuar këtu. Unë jam antropologe dhe kam qenë aktiviste e drejtësisë sociale për 18 vjet në Shtetet e Bashkuara dhe në Shqipëri. Kam marshuar në protesta, kam shkruar letra, kam qenë në mbrojtje të ligjeve, kam hapur organizata, kam drejtuar trajnime, kam regjistruar ankesa ligjore dhe shumë të tjera. Kam vëzhguar procesin e ndryshimit të mendjeve dhe lëvizjen e ngadaltë drejt barazisë. Unë jam e sigurt që kjo betejë për të drejtat e LGBT në Shqipëri do të jetë një fitore, sepse ata që janë duke luftuar këtë betejë janë në anën e duhur të historisë. Ashtu si Martin Luter King, Jr. konstatoi në mënyrë absolute, "Harku i historisë është i gjatë, por ai përkulet në kahun e drejtësisë".

Sot, në Shqipëri, është momenti ku secili prej nesh ka mundësinë të zgjedhë nëse do të qëndrojë në atë hark të historisë... Do të qëndroni ju nga ana e lirisë, nga ana e barazisë, nga ana e drejtësisë për të gjithë njerëzit?

Shekulli

Bashkimi kombëtar na bën faktor stabiliteti rajonal

Shqiptarët kanë qenë gjithmonë faktor stabiliteti në Ballkan, por jo për arsyet që artikulon politika e Tiranës dhe e Prishtinës.

Roli stabilizues nuk ka qenë pasojë e një mentaliteti politik paqësor, por i rrethanave të caktuara historike, të cilat nuk u kanë mundësuar kurrë shqiptarëve të kenë aq fuqi sa që, nëse nuk e përdornin atë, do të kuptohej natyra paqësore e tyre, e nëse e përdornin, thjesht do të kishin bërë si gjithë fqinjët e tyre.

Gjatë luftërave ballkanike, shteti i saposhpallur shqiptar qëndroi asnjanës pse nuk kishte asnjë mundësi të përfshihej në luftë me njërën apo tjetrën palë. Palët ishin shtetet ballkanike së bashku dhe Perandoria Osmane. Pozicioni asnjanës i Shqipërisë ka vazhduar deri më sot në konfliktet rajonale, por, si gjithmonë, për shkak të pafuqisë së muskujve të saj politikë, diplomatikë apo ushtarakë e jo për shkak të ndonjë strategjie paqësore apo pse kështu e këshillon dokumenti i Konferencës së Ambasadorëve në Londër, 1913, e cila la jashtë shteti shqiptar gjysmën e trojeve shqiptare.
Madje, mund të thuhet pa frikë që s’ka qenë një asnjanësi dinjitoze, shumë herë ajo ka pasur natyrë inferioriteti.

Grekët dhe serbët kanë qenë shumë agresivë ndaj Shqipërisë, edhe kur e drejta ka qenë në anën e saj. Në vitin 1935, OKB dhe Gjykata e Hagës e dënoi botërisht politikën arsimore të Shqipërisë, të nxitur nga diplomacia greke në lidhje me minoritetin grek, ndërkohë që Greqia ka qenë dhe vazhdon të mbetet shteti më diskriminues në Evropë ndaj minoriteteve.
Në fillim të viteve njëzet, në Shqipëri kishte një peshkop serb, Viktori, por sa u mor vesh se Shqipëria mendonte ta largonte nga vendi peshkopin sllav, Beogradi kërcënoi se do të ndërpriste marrëdhëniet diplomatike me Tiranën. Zgjidhja “stabilizuese” e Tiranës ishte lejimi i peshkopit të qëndronte “si mik”. Duhet pranuar, Mbretëria ishte ende me një shtet në konsolidim e sipër dhe, krahasuar me ç’pasoi, diplomacia e saj ka qenë shumë dinjitoze.
Pas Luftës së Dytë Botërore, shteti shqiptar nuk ka pasur asnjëherë kurajë të punojë për ta ndëshkuar diplomatikisht ose ligjërisht (në Hagë) Greqinë për gjenocidin çam.
Ndërsa Greqia s’ka humbur asnjëherë rast të na imponohet, me ose pa drejtë, gjithmonë në shërbim të interesave të saj që shpesh kanë qenë edhe në kundërshtim me marrëveshje ndërkombëtare të firmosura nga të dy palët.
Kush i kujton me krenari qëndrimet sfiduese të regjimit komunist të Tiranës ndaj Beogradit, Moskës apo Pekinit, duhet të ketë parasysh që motivi ishte thjesht pushteti personal i klikës komuniste, ndërsa motivimi në publik për këto “beteja” ishte çështje ideologjike, “devijim nga rruga e marksizëm-leninizmit”. Ato ishin marrëdhënie – si të rregullta si të prishura – në dëm të Shqipërisë. Për të qenë faktor stabilizues në një rajon, dy palë duhet të bëjnë politikë lëshimesh të ndërsjella. Shqiptarët kanë qenë faktor stabilizues serioz vetëm atëherë kur s’kishin as shtet. Veprimtaria e Lidhjes së Prizrenit ka qenë me synime stabilizuese rajonale, qoftë kur merrej me diplomaci, qoftë kur futej në luftë. Qëndresa ushtarake e Lidhjes hodhi farën e lindjes së vetëdijes në kancelaritë evropiane për ekzistencën e shqiptarëve.
Sikur kufijtë shqiptarë të ishin vendosur sipas planeve të Lidhjes, në Ballkan do të kishte pasur më pak luftëra, me Serbinë shqiptarët nuk do të ishin të acaruar sa sot, Maqedonia nuk do të ishte një minë me sahat, e cila nuk shpërthen vetëm se shqiptarët e atyshëm dhe Republika Dykrerëshe (Tiranë-Prishtinë) të mos pranonte poshtërimin kaq shumë, Greqia nuk do të kishte kryer gjenocidin ndaj çamëve, rajoni nuk do të ishte ushqyer me kujtime që s’do ta lënë kurrë të qetë, pavarësisht buzëqeshjeve diplomatike para kamerave, e pavarësisht elitave politike kalimtare në pushtet.

Kujtesa e kombeve është diçka e përjetshme. Vizita e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë në Beograd javën e shkuar u komentua shumë në mediat shqiptare, por unë do të veçoja mendimet e dy analistëve kosovarë. Nexhmedin Spahiu e shikon vizitën si “hap pozitiv të diplomacisë shqiptare”, sepse prej saj u la të kuptohet që “Shqipëria tashmë nuk diskuton me Beogradin për Kosovën. Tashmë diskuton për Luginën e Preshevës”. Kjo është e vërtetë, por Shqipëria nuk duhet të harrojë të flasë si anëtare e NATO-s në marrëdhënie me fqinjët e saj që nuk janë anëtare të Aleancës e ku nuk mund të anëtarësohen pa votën e saj, në rast se NATO nuk ndryshon procedurat e zgjerimit të vet. S’duhet të harrojmë se asnjë nga etnitë rrotull nesh nuk është diskriminuar pozitivisht në favor të minoriteteve sa janë diskriminuar shqiptarët, fillimisht në Shqipëri dhe vitet e fundit në Kosovë.

Analisti Milazim Krasniqi, i cili i kujton Tiranës të mos flasë më për Serbinë si shtet fqinj (sepse nuk ndajnë kufi mes tyre pa u bashkuar me Kosovën), lexon nuanca të tjera në vizitën e Metës në Serbi.
Sipas tij, përmirësimi i marrëdhënieve Shqipëri-Serbi, pa e përmendur çështjen e Kosovës, e kthen Kosovën në një çështje të ngrirë, ashtu siç i intereson Serbisë.
Ai mund të ketë të drejtë që kjo vizitë mund të ketë qenë më e dobishme për Serbinë sesa për Shqipërinë, po të kemi parasysh edhe deklaratën e dy senatorëve amerikanë, Jeanne Shaheen, George Voinovich “se ëndrra për një Evropë të bashkuar nuk mund të arrihet pa një rol udhëheqës të Serbisë në rajon”, në gazetën “Wall Street Journal”, të martën.
Por pamja nuk është aq pesimiste sa e shikon zoti Krasniqi, nëse Prishtina dhe Tirana nuk flasin si dy qendra të veçanta për integrim të tyre në BE, por punojnë fillimisht për bashkimin kombëtar dhe kjo është ajo që duhet bërë.

Askush s’mund të na ndalojë të bashkohemi, edhe nëse Kosovës nuk i lejohet prej dokumentit të pavarësisë, s’duhet të harrojmë se edhe statusi i Shqipërisë ka devijuar nga “principatë e trashëgueshme, autonome dhe indipendente” në republikë e pavarur dhe Fuqitë e Mëdha s’janë dëgjuar, përderisa ky transformim nuk prekte palë të tjera veç Shqipërisë. Bashkimi, megjithatë, s’duhet bërë nisur nga motive romantike, por pragmatike.

Nëse shtete që nuk kanë asgjë të përbashkët me njëri-tjetrin po bashkohen për të formuar atë që quhet BE, përse të mos bashkohen Kosova e Shqipëria që i kanë lidhjet e përbashkëta qysh në zanafillë të njerëzimit në këtë rajon.

Një Shqipëri e bashkuar do të ketë treg më të gjerë, do të ketë kapacitete prodhuese më të shumta, do të ketë fuqi punëtore më të numërt, prodhim mendor më të bollshëm dhe shpirtërisht do të jetë më e plotësuar. Një krijesë e tillë do të jetë një faktor stabilizues real për rajonin.


Çelo Hoxha, Standart