Sunday, May 9, 2010

"Për këta dy fëmijë e kishte fjalën kryeministri?"

Dy fëmijë të vegjël, nxënës në shkollën 9-vjeçare të qytetit Bajram Curri, Tropojë, janë larguar nga shtëpia duke u zhdukur e duke u shpallur në kërkim. Janë 11 e 12-vjeçarë. Dy ditë më pas ata janë gjetur në Tiranë, Laprakë, nga familjarët e njërit prej tyre.

Dy vocërraket u kishin vjedhur familjes një shumë prej 30 mijë lekësh dhe ishin nisur me furgonët e Bajram Currit në drejtim të Tiranës. Kur i gjetën thanë që donin të shkonin emigrantë në Itali (!!).

A është kjo një kronikë e thjeshtë gazetash? Jo! Kjo është ngjarje tronditëse për çdo njeri jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë.

Ka ndodhur pikërisht ditën kur nga Tribuna e Festës Proletare të 1 Majit , ish-sekretari i PPSH-së për spitalet e Tiranes, ish i dërguari i posaçme i Ramiz Alisë tek studentët e dhjetorit '90-të, ish-Presidenti i Republikës i '97-ës, e sot Kryeministër i Shqipërisë, ku shpërthejnë gërdecat dhe digat, zoti Sali Berisha, deklaronte solemnisht nën tingujt e vitheve të Çiljetës:
- Sot jemi më të gëzuar se kurrë!

Të ecim të sigurt për të ardhmen e fëmijëve tanë..."
Për cilët fëmijë e kishte fjalën? Për fëmijët e tij dhe të bandës së tij apo për fëmijët e popullit shqiptar, për fëmijët e Tropojës që duan të ikin emigrantë që 11 vjeç?

A ka provë më të qartë, e ka dëshmi më të fortë, a ka akt-akuzë më të rëndë për këtë qeveri e për këtë kryeministër se kjo e dy fëmijëve që të ardhmen e tyre, që gëzimin e tyre, që shpëtimin e tyre e shohin rrugëve të kurbetit, rrugëve të Botës, ku sot ndodhet gati gjysma e popullsisë së Shqipërisë?

Kjo është lumturia?! Ky është gëzimi?! Kjo është e ardhmja e sigurt e fëmijëve shqiptarë?! Janë dy fëmijë të lindur e rritur në vetë vendlindjen e Sali Berishës! Lumturi dhe e ardhme alla Migjeniane, alla Berishiane!

Shekulli

Stop spekulimeve me çmimet

ZMK inicion një fushatë për të denoncuar spekulimet në treg që kanë sjellë rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore, të ilaçeve, të apartamenteve, të kredive, të faturave të energjisë dhe të ujit, dhe në shumë sektorë të tjerë të mallrave dhe produkteve.

Fushata do tëquhet “Stop spekulimit me çmimet”.

Sipas të dhënave të ZMK-së rezulton se rritja e çmimeve në treg është një paradoks shqiptar i cili stonon me tendencën globale dhe rajonale që ka sjellë uljen e çmimeve të produkteve të konsumit. Sipas të dhënave të ZMK-së rezulton se arsyet e rritjes së çmimeve në treg lidhen ngushtë me lojën e importuesve dhe grosistëve të mëdhenj të cilët po përdorin pozitat dominuese në treg dhe bashkëpunimet aktive apo pasive me konkurrentët, për ti imponuar konsumatorëve çmime spekulative të cilat po rëndojnë përditë e më shumë jetën e shqiptarëve. Duke iu referuar rolit që duhet të luajnë institucionet e mbikëqyrjes së tregut, ZMK konstaton se duhet një koordinim dhe një angazhim shumë intensiv i strukturave shtetërore për të ndërmarrë veprime mbikqyrëse, si dhe iniciativa të reja ligjore dhe fiskale proporcionale në raport me fitimet spekulative të palëve të përfshira në këto abuzime. Tregu është i lirë por konsumatori nuk mund të lihet në dorë të spekulantëve. Shteti duhet të luajë rolin e vet rregullator në përputhje me principet e lirisë së tregut dhe po aq në përputhje me standardet e Bashkimit Europian për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve shqiptarë.


Sipas të dhënave të ZMK-së rezulton se rritja e çmimeve në treg është një paradoks shqiptar i cili stonon me tendencën globale dhe rajonale që ka sjellë uljen e çmimeve të produkteve të konsumit. Sipas të dhënave të ZMK-së rezulton se arsyet e rritjes së çmimeve në treg lidhen ngushtë me lojën e importuesve dhe grosistëve të mëdhenj të cilët po përdorin pozitat dominuese në treg dhe bashkëpunimet aktive apo pasive me konkurrentët, për ti imponuar konsumatorëve çmime spekulative të cilat po rëndojnë përditë e më shumë jetën e shqiptarëve.

G. Sot

Faqja zyrtare: http://www.konsumatori.org/

Faqja e Zyrës për mbrojtjen e Konsumatorit në facebook : http://www.facebook.com/pages/ZMK-Zyra-per-Mbrojtjen-e-Konsumatoreve/38071223513

Friday, May 7, 2010

Skandali, bllokohen 13 kv qumësht i përzierë me urinë

Qumësht i holluar me ujë në masën dy herë më shumë dhe i përzierë me mbetje bagëtish (urinë) për konsum, duke rrezikuar shëndetin dhe jetën e klientëve.

Një rast i tillë është denoncuar pranë specialistëve të Drejtorisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Berat, nga një pronar baxhoje, duke bllokuar një sasi të konsiderueshme qumështi në pritje të përfundimit të analizave laboratorike. Ndërkohë, specialistë dhe drejtues të DBU-së, duke konfirmuar dyshimin e tyre (zyrtarisht priten analiza), konfirmojnë se do të bëjnë denoncimin përkatës në prokurori për këtë skandal me pasoja të rënda. Burime për "Gazeta Shqiptare" thonë se, skandali është denoncuar nga Astrit Sinjari, pronar i baxhos në fshatin Donofrosë të Beratit. Sipas Sinjarit, kanë qenë 134 kilogramë qumësht të cilat janë blerë tek banorët e fshatit, sasi e cila pasi është përzierë për t'ju nënshtruar përgatitjes së produkteve, ka rezultuar jo me ngjyrën normale të qumështit, por dhe me erë të keqe.

I alarmuar, pronari ka marrë një kampion nga qumështi i blerë dhe e ka dërguar pranë zyrës së shëndetit social, në Drejtorinë e Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Shefi i kësaj zyre, Ylmi Balliu bëri të ditur për "Gazeta Shqiptare se, "menjëherë pas marrjes së këtij informacioni është bërë vërejtja fizike e kampionit të qumështit" dhe është dyshuar për këtë fakt.
Përzierja e qumështit me mbetje bagëtish, kryesisht urinë, bën që të hidhet ujë pa kursim nga spekulatorët me qëllim përfitimi. Por ndërkohë, ky qumësht që shkon direkt apo nëpërmjet produkteve tek konsumatori, është tepër i rrezikshëm për shëndetin dhe jetën e konsumatorëve", - pohuan specialistët për "Gazeta Shqiptare".
Mbi këtë bazë, kampionët janë nisur për në laborator në Tiranë. Balliu shprehet se, menjëherë pasi të përfundojnë analizat do të merren masa jo vetëm me sasinë e qumështit, por dhe përcjelljen e kësaj çështjeje në organin e prokurorisë, ku do të verifikohen fermerët që kanë shkaktuar përzierjen e qumështit me produktet e rrezikshme për shëndetin e konsumatorëve. Duke denoncuar skandalin, pronari i baxhos ka dhënë dhe një listë të saktë të fermerëve ku e ka blerë qumështin. Njëkohësisht, denoncimi i bërë po administrohet dhe nga policia e Beratit.

Mësohet se në vlerën e provës është bllokuar sasia prej 134 kg qumësht dhe janë marrë dëshmitë e disa personave.


Erjola Azizolli, G. Shqiptare

Mbi 100 mijë fëmijë kërkojnë ndihmë

Alo, dua të vras veten".

Zëri që dridhet përtej receptorit është i një 13-vjeçari, që në fakt tregon se kërkon një degë ku të kapet për të mos u mbytur. Dhe, këtë dorë të shtrirë e gjen tek linja që është vënë në shërbim të fëmijëve: "Alo 116".

Psikologët që ndodhen në anën tjetër të receptorit e dëgjojnë me vëmendje dhe bisedojnë me të edhe për orë të tëra. Dhe, kjo jo vetëm një ditë, por për ditë me radhë. Derisa 13-vjeçari heq dorë nga ideja fatale. Në fakt, kjo është vetëm njëra nga 400 telefonatat që mbërrijnë çdo ditë në këtë numër të vënë në dispozicion të shqetësimeve që kanë fëmijët në të gjithë vendin.

Belioza Çoku, menaxhere e përgjithshme e kësaj nisme të re, shpjegon se që nga muaji qershor i 2009-ës, kur është hapur për herë të parë kjo linjë, dhe deri në fund të marsit kanë mbërritur mbi 100 mijë telefonata. Sipas saj, problemet e tyre kanë natyra të ndryshme, që nga divorci i prindërve, abuzimet në shkollë, e deri tek marrëdhëniet me të dashurin e tyre. Madje, në këtë numër nuk kanë munguar as telefonatat e mësuesve apo të prindërve.

Numri i fëmijëve
"ALO 116", është një linjë e telefonit për fëmijët në Shqipëri dhe "Alo 116-111" është një linjë paneuropiane për fëmijët në Shqipëri. Kjo është hera e parë që në vendin tonë të gjithë fëmijët dhe prindërit e tyre mund të kenë një ndihmë konkrete përmes "ALO 116", një shërbim kombëtar falas, 24 orë në 7 ditë. Dhe, rezultatet nuk kanë munguar. Në asnjë çast telefonat e vënë në dispozicion nuk janë të lirë. Mjafton të qëndrosh një ditë me operatorët e "qendrës së thirrjeve", për të kuptuar krizën dhe problematikën e madhe që kanë fëmijët shqiptarë. Dhe, telefonatat mbërrijnë nga e gjithë Shqipëria. Duke filluar që nga fshati më i largët, e deri tek qytetet më të mëdha të Shqipërisë. Belioza Çoku na tregon se edhe problemet për të cilat ata marrin janë nga më të ndryshmet. "Pjesa më e madhe e telefonuesve janë të shqetësuar për marrëdhëniet me partnerin. Bëhet fjalë, në të tilla raste, për adoleshentët e shkollave të mesme, - na shpjegon menaxherja e këtij projekti, Belioza Çoku. - Ka pasur ndërkohë, shumë telefonata të tjera të fëmijëve të shqetësuar për marrëdhëniet e tyre brenda familjes, për problemet me duhanin, alkoolin, me shëndetin, me shokët në shkollë. Shumë prej tyre janë të shqetësuar për shkak të formave të ndryshme të diskriminimit, për neglizhim, në raste të tjera për abuzime seksuale, dhe në disa raste i mituri ka dashur të kryejë vetëvrasje. Sipas studimeve të ndryshme, abuzimi ndaj fëmijëve shpesh ndodh pas dyerve të mbyllura dhe kryhet nga ata tek të cilët fëmijët kanë më tepër besim: prindërit, anëtarë të tjerë të familjes apo miqtë". Ajo shpjegon se linja e telefonit për fëmijët në Shqipëri, që nga 1 qershori i vitit 2009 e deri në fund të marsit ka marrë mbi 100 mijë telefonata nga e gjithë Shqipëria. Në qendrën operacionale të "ALO 116" mbërrijnë mesatarisht në ditë mbi 400 telefonata, ose 16 deri në 17 telefonata në orë. Numri i linjës "ALO 116" mund të merret nga çdo telefon dhe është falas. Ndërsa numri 116-111 mund të merret nga vende europiane për të marrë një shërbim të ngjashëm.

Sipas saj, telefonatat e shumta që mbërrijnë çdo ditë në këtë numër tregojnë se fëmijët shqiptarë kanë nevojë për dikë që t'i dëgjojë dhe t'i mësojë se si të sillen me problemin e tyre. "Alo 116' i jep mundësi çdo fëmije në Shqipëri që të flasë, të dëgjohet dhe të merret në konsideratë. Gjatë këtyre muajve të punës intensive kemi kuptuar se fëmijët në të gjithë Shqipërinë ndajnë të njëjtat probleme dhe shqetësime. Ata dhunohen në familje dhe kanë probleme të komunikimit me prindërit, ndeshin probleme të dhunës në shkollë nga mësuesit apo edhe fëmijët, kanë probleme të ndihmës shëndetësore dhe aksesit në shërbimet sociale", - ka sqaruar ajo.

Problemet familjare
Ata që telefonojnë çdo ditë në këtë numër sjellin me vete edhe problemet jo vetëm të tyret personale, por edhe të zonave nga të cilat janë vetë telefonuesit. Një gamë të gjerë telefonuesish e zënë ata të cilët ankohen për problemet familjare. Operatorët që presin telefonatat na tregojnë se në mjaft raste fëmijët ankohen për sherret në shtëpi, për dhunën që babai ushtron ndaj nënës, të cilës në mjaft raste nuk i shpëtojnë as ata, për divorcin, por edhe për problemet ekonomike. "Shumë raste kemi, që na telefonojnë fëmijë të cilët ankohen për baballarët të cilët pinë shumë. Dhe, kjo gjë krijon jo vetëm dhunë psikologjike, por në mjaft raste edhe në dhunë fizike. Ne mundohemi t'i mësojmë këta fëmijë se si të sillen në raste të tilla. Ndërsa në raste të tjera ne i adresojnë ata drejt qendrave ose shërbimeve të ndryshme nëpër rrethe, ku ata mund të shkojnë për të marrë një ndihmë më të specializuar", - shprehet ata. Një tjetër problem që lidhet me familjen ka të bëjë edhe me komunikimin që ata ndërtojnë me fëmijën. Edhe kjo është një pikë mjaft delikate, pasi ka shumë fëmijë apo adoleshentë që ankohen se prindërit e tyre i pengojnë në dëshirat që ata kanë.

Problemet me mësuesit
Është njëra nga problematikat më kryesore. "Kemi një numër shumë të madh telefonuesish që ankohen për mësuesit. Ata të zonave rurale ankohen edhe për dhunë fizike, siç është gjuajtja me shkumës, ndërsa ata të qyteteve ankohen më tepër për epitetet e ndryshme që u vendosin mësuesit. Por, ka edhe një kategori tjetër që ankohet për neglizhencë nga ana e mësuesve, për mosvlerësim të duhur apo për paaftësi të tyre në zotërimin e lëndës. Ndër epitetet më të shpeshta që u vendosin mësuesit janë: 'hë ti budalla, përgjigju', 'i mefshtë', 'toç', etj. Ndërkohë që një gamë të gjerë problemesh e zënë edhe marrëdhëniet midis të rinjve. Në shumë raste ata telefonojnë se shokët ose shoqet e tyre i ofendojnë dhe tallen me ta. Shqetësuese është fakti se ka filluar të përhapet fenomeni i talljes kolektive. Që do të thotë, se ata vënë në mes një bashkëmoshatar të tyrin dhe e tallin të gjithë. Gjithashtu, nuk mungojnë as rastet e dhunës midis të rinjve", - ka shpjeguar Belioza Çoku.

Problemet e dashurisë
Janë telefonatat që shënojnë edhe numrin më të madh. Marrëdhëniet me partnerin, frika nga HIV/AIDS, por edhe si duhet të sillen me të dashurin, janë disa nga shqetësimet që ata kanë. "Kryesisht na telefonojnë për problemet që kanë me të dashurit dhe na pyesin për marrëdhëniet seksuale. Ka nga ata edhe që e kanë problem që nuk kanë të dashur dhe telefonojnë për të pyetur se përse shoqja apo kushërira e tyre ka të dashur ndërsa ata jo. Ka nga ata që telefonojnë për të pyetur nëse mund të kryejnë marrëdhënie seksuale, pasi i dashuri e ka kërcënuar se do e lërë nëse s'e bën një gjë të tillë, ka të tjerë që telefonojnë vetëm për të marrë informacion për çështje të tilla. Ne bëjmë ç'është e mundur që t'i këshillojmë të mos nxitohen për të kryer një marrëdhënie vetëm se ia kërkon partneri, por duhet ta ndiejnë edhe vetë. Gjithashtu, ne i këshillojmë edhe për rreziqet që ka kryerja e marrëdhënieve në një moshë kaq të vogël. Ajo që është pozitive, është fakti se ata janë të ndërgjegjshëm dhe duan të dinë sa më shumë informacione rreth marrëdhënieve seksuale", - na shpjegon Alma Kordoni, supervizore e përgjithshme e 'ANCH'.


Problemet me duhanin
Një kategori tjetër janë edhe ata që marrin për problemet me duhanin, drogën dhe alkoolin. Ka nga ata që tregojnë eksperiencat e tyre, por ka edhe mjaft prej atyre që telefonojnë dhe kërkojnë ndihmë se si të shkëputen prej tyre.


Esmeralda Keta, G. Shqiptare

Protesta të dhunshme në Athinë, vdesin tre punonjës banke

Kryeqyteti grek, Athina është përfshirë sot nga një valë e frikshme protestash kundër masave drastike të Papandreut për të shlyer borxhin publik. Protestuesit kanë djegur dhe shkatërruar gjithçka që iu shfaqej përpara. Gjatë mesdites, situate ka percipituar kur turma iu afrua parlamentit grek dhe më pas u vuri flakën bankës "Marfin Bank". Për pasojë tre punonjës të kësaj banke kanë humbur jetën.



Me dhjetëra punonjës të bankës tentuan të dilnin jashtë të terrorizuar kur protestuesit hodhën në ambientet e saj bomba molotov. Dy katet e para të ndërtesës u përfshinë nga flakët, ndaj tre prej tyre, dy gra dhe një burrë nuk arritën të dilnin të gjallë.


Ndërkohë që protestat vazhdojnë edhe gjatë pasdites por me një intensitet më të ulët, kryeministri grek, Jorgo Papandreu u ka bërë thirrje qytetarëve protestues për përmbajtje dhe vetëdije. Ndërsa partitë politike kanë komentuar sipas interesit të tyre politik. Kështu Antonis Samaras i Nea Dhimoktratias, Aleka Papariga e KKE (Partise Komuniste Greke), Jorgos Karaxhaferis i LAOS dhe Aleksis Rigas i SIRIZAS janë shprehur kundër marrëveshjes së Qeverisë greke me Bashkimin Europian dhe mendojnë se protestat jane të justifikuara pasi këto masa të marra nga Qeveria do të rëndojnë mbi qytetarin grek së paku edhe për njezet vitet e ardhshme.

Ngjarjet në Greqi kanë gjetur pasqyrim të gjerë në mediat e huaja. Gazeta si "Wall Street Journal", "El Pais", "Le Monde", "Liberation", etj. kanë pasqyruar me shume kujdes ngjarjet e ditës së sotme, ndërsa TV, si BBC,CNN, Sky News, etj. kanë transmetuar gjatë gjithë ditës edicione speciale mbi ngjarjet në Athinë. Gazetarët kanë përcjellë momentet shokuese të përleshjeve mes protestuesve dhe policisë por edhe djegien e bankës në një shtet anëtar të Bashkimit Europian.

Ata hedhin dyshime mbi një krisje të mundshme të ekonomisë në zonën Euro.

Shekulli