Friday, February 26, 2010

Rritet numri i të prekurve nga sëmundjet seksuale. Viktimat e preferuara, të rinjtë

Sifilizi dhe sëmundjet e tjera seksualisht të transmetueshme godasin përsëri, dhe me sa duket viktimat e preferuara janë kryesisht adoleshentët. Është një e dhënë tmerrësisht alarmuese e lëshuar nga Kongresi i Dermatologjisë dhe i Sëmundjeve Venere, që është mbajtur kohët e fundit.

Sifilizi po ngjall skenarë të kaluar të viteve shtatëqind, rastet janë gjithmonë e në rritje; është përcaktuar që në vitet e fundit ka një rritje prej 5%. Po kështu edhe Chlamydia ka një rritje prej 2%, kjo e fundit është regjistruar kryesisht tek të rinjtë me moshë nga 15 në 24 vjeç. Ekspertët lëshojnë alarmin: më të prekurit janë të rinjtë, sepse janë më të ekspozuar ndaj rrezikut për të marrë dhe shpërndarë sëmundjen për shkak të sjelljes jo shumë brenda normave. Në kërkim të aventurave, të pambrojtur me prezervativë, në kërkim të substancave që të falin kënaqësinë menjëherë dhe drogës, janë moshat nën 25 vjeç, subjektet që kanë kontribuar në mënyrë domethënëse për të favorizuar shpërndarjen e sëmundjeve.
Dikush nga turpi dhe dikush nga mendja e lehtë u rezistojnë shenjave të para të sëmundjes edhe për disa muaj, duke arritur në një diagnozë të sifilizit të shkallës së dytë me shtate-tetë muaj me vonesë. Konsumi i drogave interferon me efektet e ilaçeve, si p.sh. penicilina, e cila përdoret për të kuruar sifilizin.
Një numër preokupues është edhe shtimi i grave shtatzëna të infektuara nga sifilizi. 10% e pacientëve që vuajnë nga kjo sëmundje janë vajza të reja shtatzëna.
Sëmundja, nëse merret në muajt e parë të shtatzënisë sjell probleme shumë serioze për fëmijën.

G.Shqiptare

Thursday, February 25, 2010

Përgjigje për të gjithë ata që diskriminojnë banorët e zonave rurale.

FSHATARI - QYTETARIT

Ti fle në shtrat të butë,
Unë mbi lëndinë fle.
Ti shihesh në pasqyrë,
Unë në liqen, atje.

Ti ec përmbi qilima,
Unë mbi bar të ri.
Ti pi verë të shtrenjtë,
Unë ujë të ftohtë pi.

Ti rron mes katër muresh,
Unë rroj mes fushave.
Unë e shijoj pranverën,
Ti në pikturë e sheh.

Ti shpesh je i sëmurë,
Unë jam shëndetçelik.
Ty të mbron mercenari,
Mua, një qen besnik.

Ti fle veç me muzikë,
Unë me një ujë që rrjedh.
Ti dëgjon violina,
Unë, zogun që ia dredh.

Ti fle gjer në mesditë,
Une çohem që pa gdhi.
Jot shoqe ka stolitë,
E imja ka freski.

OHANN EWALD (1723-1795)

Një përshëndetje me këngën e parë ekologjike, për të gjithë që natyrën nuk do ta zëvendësonin me asnjë shpikje teknologjike. (S.I) http://www.youtube.com/watch?v=6AXNRi4dtJY

Fjalët e fundit, para vdekjes.

Vdekjet e shpejta na pengojnë të themi fraza historike. Më poshtë kemi rradhitur disa nga frazat që kanë shqiptuar njerëz të mëdhenj, disa çaste përpara vdekjes.

Më pi me fund tani - Pablo Picaso

Tomas Xheferson, do të mbijet... - Xhon Adams

Tani vjen misteri - Henri Vard Biçer, 8Mars, 1887

Unë po vdes, apo jam duke vdekur, kush nga këto shprehje përdoret ? - Domenik Buher, gjuhetar francez.

Nuk ndjehen mirë - Luter Burbank

Lamtumirë të gjithëve - Hart Kren, poet që u vetvra duke u hedhur nga një anije.

Tregoja kokën time njerëzve. Do jetë më e rëndë nëse e shohin. - Xhorxh Danton, ekzekutuesit të tij.

Mjegulla po shtohet. - Emili Dikinson.

Ushqimi ishte i mrekullueshëm. - Millard Fillmore

I thuaj asaj të presë vetëm pak, pothuajse u krye. Karl Frederik Gaus, gruas së tij.

Më shumë dritë - Gëte

Zoti do të më falë, kjo është detyra e tij. Henrik Hein

Dhe tani, në përputhje me kanalin 40 që ju jep përherë e para lajmet e përgjakshme, me ngjyra reale, do të shikoni një rast të ri, një vetëvrasje. - Kris Hubok, vrau veten me armë gjatë një transmetimi.

Kjo është e katërta ? - Tomas Xheferson

Kaq ishte dhe jeta. - Ned Keli, përpara se të vetvarej në burg.

Jepi, dil jashtë. Fjalët e fundit para vdekjes janë për njerëzit që gjatë jetës nuk kanë thënë mjaftueshëm. - Karl Maks, zonjës së tij.

Pse nuk më veshët xhaketë antiplumb ? - Xhejms Rodxhes, përpara pushkatimit.

As një elefant nuk mund ta qëllonin dot nga kjo distancë. - Xhon Seduik, gjeneral 1864

Krito, më detyrohet një gatim borxh Asklepsi, do takujtosh ti për të më kthyer borxhin. - Sokrati

Cila është përgjigja ? Në këtë rast, cila është pyetja ? - Gertryd Stein

Mos e lejo të mbyllet kështu. Thuaj atyre, që të thonë sikur unë thashë diçka... - Panço Vila

Shokë duartrokisni, komedia mbaroi. - Bethoven.

Jam akoma gjallë ? - Daniel Uebster

Largohu, jam shkëlqyer. - H. G. Uells

Mos u mërzit, nuk është e karikuar. - Terri Keth, muzikant rroku, 23 janar 1978, vetvrarë nga loja e rulotës ruse.

Gonxhe trëndafili. - Orson Uells, aktor

A je e shëmtuar ? - Xhulio Çezar

Shoh dritë të zezë. - Viktor Hygo

Kam fyer njerëzimin, sepse puna ime nuk ka qenë e cilësisë së duhur. - Leonardo Da Vinçi

Kam patur 18 shishe uiski të pastra, mendoj se është rekord. - Dilan Tomas

Nuk kam fare frikë të vdes...! - Çarls Darvin (1809-1882)

E di shumë mirë që ke ardhur për të më vrarë, gjuaj frikacake. Je e vetmja që do vrasësh një burrë të vërtetë. - Ernesto Çe Guevara

Nesër, nuk do të jem më këtu. - Nostradamus (1503-1566)

Mos qaj për mua Argjentinë. - Eva Peron, Zonja e parë Argjentinase.

Ah, shumë mirë, dhe unë që supozoja se do të vdisja pas thënieve të mia... - Oskar Uald


Përzgjodhi dhe përktheu: Stop Injorancës

"Politikani shqiptar, ky kriminel i paprekshëm"

Vështrojeni pak tablonë e politikes; është e pështirë. Kundërmon. Të ushtruarit e pushtetit është shpërfytyruar. Shantazhi, fudullëku politik është mbytës. Përveç pamjes amorfe të pushtetit, amorfe ka marrë pamjen edhe shteti. Brutaliteti është bërë normë komunikimi.

Problemet zgjidhen vetëm me metoda marciale! Kryeministri sulmon jetën private të një gruaje, vetëm se ajo mbrojti në shtyp nderin dhe dinjitetin e femrës shqiptare në shtypin italian, nga provokimi bajat i një kryeministri "Guinplen" si Silvio Berluskoni!

Identitete politike të papërcaktuara gjen me shumicë. Në fjalimet pa fund shprehin pa pikë turpi ide primitive me përmbajtje të njëjtë. Si papagaj të hutuar përsërisin çfarë u kaene thënë liderët.

Rivaliteti politik zhvillohet në trajtën e një lufte të zhveshur nga çdo lloj ligji e rregulli! Nuk është luftë për nocione. Është kacafytje për ekzistencë, për zona fitimesh. Si ajo e gangsterëve, fiseve, bandave.

Vështroni! Ekonomia është në përpëlitje! Një pjesë e madhe e shqiptarëve gjenden para portës së mjerimit. Receta që ofron shteti është varfëria e detyruar.

Por harron se ajo është një vullkan i ndezur. Kjo sepse është pasojë e gabimeve dhe fajeve, neglizhencës dhe indiferencës së hershme të politikës, korrupsionit dhe krimit që nuk rresht së marri përditë në forma të ndryshme jetë të shtrenjta njerëzish.

Nuk ka popull në Europë besoj, që të vuajë e ta pësojë kaq shumë nga politikanët e vetë.

Kuptohet është e rrallë të gjesh një shtet që nuk ka probleme të brendshme. Por, nga ana tjetër është e rrallë të gjesh një popull ku politikani realizon ambiciet e veta ekonomike fare hapur në mënyrë kaq të pashembullt e të paskrupullt ditën me diell. Drejtësia nuk ekziston, ndëshkimi ligjor nuk vjen kurrë.

Ironia është se ndërsa pelegrinazhi i të varfërve, nga vuajtja në vuajtje po bëhet mitik, pozita e politikanëve është e çuditshme... Ata janë zotër biznesesh dhe favorizimesh. Ata e shtypin me këmbë çdo rival të aftë që nuk ka pushtet politik.

Fuqinë ekonomike dhe politike e kanë kthyer në fuqi ligjore mbrojtëse. Kur vjen puna për paranë, një politikan nuk ndryshon shumë nga një rrugaç, nga një mafioz, nga një kriminel!

Ligji shkelet, por politikani nuk dënohet. Ndryshe ndodh me një varfanjak. Ai nga halli vjedh një tullë, ose një thes çimento, duke dhënë edhe jetën (kujtoni atë 14-vjeçarin ne Mamurras). Por, ai dënohet me gjithë forcën e ligjit.

Ligji vepron kur mungon paraja për prokurorin, gjykatësin, policin. Por le të vriten 26 njerëz në Gërdec, të plagosen aty 250 të tjerë; le të shpërdorohen miliona euro në Kalimash; le të përmbytet Shkodra me gjithë rrethina (gjasat tregojnë se mund të mbytet prapë).

Megjithatë politikanët zgërdhihen, se ligji nuk vepron, se aty mbrapa është politikani - kriminel i paprekshëm.


Pëllumb Meçani, Shekulli

PASOJAT E AKRABALLËKUT

Skemat politike shpesh depërtojnë lehtë në botëkuptimet e njerëzve, qofshin ata të zakonshëm apo njohës të mirë të rrethanave, dhe vështirë çrrënjosen. Tanimë, çdo analist që zhvillon teorinë për pasojat e konflikteve në Gadishullin Ilirik niset nga premisa, tashmë e aksiomatizuar për ekzistencën e një aleance të natyrshme mes Serbisë dhe Greqisë, si dhe ndërmjet Shqipërisë dhe Turqisë. Ata që janë të prirur për patetikë nuk hezitojnë t'i shtojnë brengat e njerëzve, duke pohuar se këto fërkime mund të shkaktojnë pasoja të pariparueshme për strukturat veri-atlantike, meqë Turqia dhe Greqia qenkan anëtare të NATO-s. Por, shikuar nga një kënd realist, i liruar nga skemat paragjykuese, ekziston një aleancë paradoksale mes politikës greke, serbe dhe turke, që i ka rrënjët më të thella sesa mendohet.

Politika dhe propaganda serbe, dhe ajo greke në vazhdimësi, e përsërisin dhe e ndërtojnë tezën për shqiptarët si element jo luajal, si mish i huaj në organizmin evropian. Kjo teori mbështetet mbi premisën e përkatësisë fetare dhe mendësisë totalitare, në kuadër të së cilës çdo gjë kundrohet nga këndi polarizues, manikeik, bardhë dhe zi, ku shqiptarët paraqiten si element i huaj, si myslimanë, që asesi nuk mund të jenë elementë integrativ në sistemin e vlerave evropiane. Kjo propagandë, e përshkuar me imputime neveritëse është intensifikuar deri në paroksizëm pas aktit terrorist të 11 shtatorit të vitit 2001. Sipas njohësve të rrethanave dhe të fenomeneve të tilla, por edhe sipas pohimeve të liderëve të partive politike serbe apo greke ( bie fjala si V. Shesheli) për këtë qëllim janë destinuar me miliona dollarë. Me këto para financohen incidentet e llojeve të ndryshme, prononcime apo ngjarje që vërtetojnë këtë pohim. Segmentet e caktuara të institucioneve greke apo serbe formojnë opinionin, për gjoja të rrezikut që i kanoset qytetërimit perëndimor, nga islamizmi fondamental në përgjithësi, dhe i shqiptarëve në veçanti. Nga ana tjetër, segmente të caktuara të shoqërisë apo i shtetit turk, me, apo pa vetëdije, japin argumente, ose thënë më mirë demonstrojnë tezën se shqiptarët janë pjesë e pashkëputur e qytetërimit osman. Këto ditë, sipas lajmit që dha kanali televiziv shqiptar "Top-Channel", në Librazhd, autoritetet fetare të kësaj ane së bashku me segmente të caktuara turke kanë organizuar synetimin kolektiv të më se 200 fëmijëve shqiptarë, sipas traditës turke. Kamera e "Top-Channel-it" na ofroi pamje nga kjo ngjarje bizare, ku fëmijët të veshur me rroba prej satenit të bardhë, me kapuça në trajtë të fesit ku shkruhej "Mashallah", valëvitnin herë flamujt të shtetit turk, dhe herë ato shqiptar. Natyrisht se askujt nuk duhet t'i pengojë aspekti fetar i kësaj ngjarje beninje, por konotacionet politike dhe efektet që ato krijojnë në opinionin e jashtëm dhe atë të brendshëm. Ç'është e vërteta, kjo ngjarje politiko-fetare nuk është aksidentale, por tashmë e shndërruar në traditë. Kohë më parë në muajin e Ramazanit, strukturat e tilla organizonin iftare kolektive në sheshet e qyteteve, që dikur ishin të sunduar nga Perandoria Osmane. Këto projekte që kontrabandohen përmes petkut fetar krijojnë një varg problemesh brenda për brenda komunitetit shqiptar, por edhe në raportet shtetërore, apo kombëtare të shqiptarëve me kontekstin evropian. Me këto organizime, financuesit e këtyre manifestimeve, aspak religjioze, sikur dërgojnë mesazhin për pretendimet kulturore-qytetëruese të shtetit modern turk në hapësirat e dikurshme të Perandorisë Osmane. Këto manifestime dhe heshtja jonë krijojnë pretekstin që edhe të tjerët, grekët, apo serbët të organizojnë pagëzimin e një numri të ngjashëm të fëmijëve ortodoksë shqiptarë, që në duart e tyre do të valëvitin flamurin grek, apo serb. Nëse do të ndodhte kjo, reagimi ynë do të ishte i rreptë dhe i arsyeshëm, që do të hapte debatet publike që do të krijonin pistat e kontradiktave të pariparueshme fetare, kombëtare dhe shoqërore në përgjithësi.

Tashmë në opinionin shqiptar është krijuar ideja fikse se grekët dhe serbët janë të ligë, ndërkaq turqit janë të mirë. Nëse ky pohim do të ishte i saktë, atëherë shqiptarët nuk do të ishin në këto telashe që nuk dihet sesi do të përfundojnë.

Ky paragjykim, që është shtrirë në të gjitha hapësirat shqiptare, madje edhe te pjesëtarët e të gjitha besimeve fetare, buron nga pohimi se sundimi osman dhe islamizimi i shqiptarëve e ndërpreu procesin e asimilimit të tyre. Mirëpo, ky pohim nënkupton se fjala asimilim ka vlerë parciale, ngaqë dedikohet vetëm për rastet kur shqiptarët asimilohen nga sllavët, grekët apo italianët, dhe jo nga turqit. Pra, në mënyrë të pavetëdijshme bëhet selektimi i asimilimit, duke e ndarë atë në të mirë dhe në të ligë.

Shikuar historikisht sebët dhe grekët kanë atakuar trupin tonë duke tentuar ti shfarosin shqiptarët. Ndërkaq politika osmano-turke ka tentuar të zhdukë qenien (shpirtin), identitetin kombëtar shqiptar. Të gjitha këto tentativa kanë qenë antishqiptare pavarësisht nga format që janë zbatuar në periudha të dukshme.

Tashmë, është bërë proverbial konstatimi i presidentit të dikurshëm të Turqisë z. Demirel, i cili në takim me homologun e tij, me gjasë z. Mejdani, ka pohuar se presidenti real i shqiptarëve qenka ai vetë, ngaqë në Turqi jetuakan pesë milionë shqiptarë. Sipas kësaj logjike, në vazhdimësi imponohet bindja se paska asimilime pozitive dhe negative. Të bëhesh turk qenka mirë, ndërkaq të bëhesh grek, serb, apo italian qenka mëkat. Në vijë të këtij konstatimi duhet analizuar fakti pse në Turqi, gjatë krizës kosovare, nga pesë milionë shqiptarët nuk u krijua një lobi që do ta detyronte shtetin turk, në emër të stabilitetit të brendshëm të angazhohet, madje edhe të implikohet më konkretisht në krizën jugosllave duke u dalë zot shqiptarëve.

Të gjithë shqiptarët, sidomos përfaqësuesit politik, pa marrë parasysh përkatësinë fetare, sot e gjithë kohën e përdorin frazën "populli vëlla turk". Kjo shprehje intime do ta arsyetonte veten nëse do të kishte efekte pozitive për mirëqenien e shqiptarëve, por fatkeqësisht bie ndesh, jo vetëm me origjinën e dy popujve, por edhe me realitetin e hidhur historik. Para disa kohësh pata nderin ta takoja një këshilltar me ndikim në qeverinë turke dhe u përpoqa t'i shpjegoja disa shqetësime të shqiptarëve lidhur me paragjykimet që kanë dëmtuar vazhdimisht interesin tonë kombëtar. Pas një elaborimi të gjatë dhe të sinqertë nga ana ime, ai sërish e përsëriti si vlerë paragjykimi që vinte ndesh me realitetin. "Ne, juve, boshnjakët dhe kurdët nuk ju trajtojmë si arabët, apo iranianët, por ju ndiejmë shumë të afërt me ne. Për ne, ju jeni akraba ( kushërinj)". Këtë konstatim ai e tha me një patetizëm mëshirëplotë. Me një akrobacion retorik, i prirur nga bindja se të jesh turk është bekim hyjnor, këshilltari qeveritar turk me ndikim e ricikloi pa dilema idenë se shqiptarët janë pjesë e idiomës turke, se ata nuk janë popull (milet) si popujt e tjerë, arabët, iranianët, grekët, serbët, bullgarët etj. Në mënyrë të pavetëdijshme, sa elegante, aq edhe brutale, ai e suspendoi identitetin shqiptar, që me aq sakrifica është mbrojtur gjatë furtunave historike.

Trajtimi i shqiptarëve si akraba të turqve, dhe jo si milet, ka pasur pasoja katastrofale për interesat e shqiptarëve gjatë sundimit osman, veçmas gjatë shpërbërjes së kësaj perandorie. Tashmë është vërtetuar katërcipërisht se mos trajtimi i shqiptarëve si popull lë pasoja të rënda, jo vetëm në fushën politike, në kohën kur formoheshin shtetet ballkanike, por edhe në fushën arsimore, kur autoritetet osmane ndalonin hapjen e shkollave shqipe duke orientuar shqiptarët që të edukohen në shkollat greke, apo sllave.

Meqë kohët e fundit bëri bujë kërkesa e kryeministrit shqiptar Berisha për rishikim të historisë, e shoh të udhës ta përqendroj vëmendjen e analistëve, për pasojat e marrëveshjeve, kryesisht turko-ruse ( sllave) për interesin e shqiptarëve, apo të myslimanëve të asaj kohe. Pas një vargu humbjesh të betejave me rusët, Perandoria Osmane ua jepte të drejtën për autonomi sllavëve që kishte një klauzolë të veçantë që shpjegon shkakun e shpërnguljes së shqiptarëve në Turqinë e sotme. Kur iu dha autonomia serbëve, njëherësh u ndalua e drejta e myslimanëve që të jetojnë në këtë shtettë krishterë. Kjo klauzolë shpjegon pastrimin gradual etnik shqiptar nga zonat e pushtuara nga serbët, fillimisht nga pashallëku i Beogradit, pastaj, me zgjerimin e territorit serb në jug nga rrethi i Nishit, dhe përfundimisht nga Kosova dhe Maqedonia, natyrisht edhe të boshnjakëve nga Bosnja, Sanxhaku etj. Këtë parim, prijësi legjendar i Turqisë moderne Kemal Ataturku e shndërroi në parim obligues: në Turqi ka vetëm turq dhe jashtë Turqisë nuk ka turq. Mirëpo, zhvillimet historike treguan se ky pohim nuk ishte i saktë, por përkundrazi në Turqi paska shumë jo turq, si dhe jashtë Turqisë shumë turq.

Shpërngulja e shqiptarëve në Turqi, vështirësitë në krijimin e shtetit shqiptar dhe cungimi i tij ishte pasojë e mohimit të identitetit kombëtar të shqiptarëve.

Ideologët turq të këtij klasifikimi ishin logjikisht dhe moralisht koherent. Duke na trajtuar si arkaba të turqve, ata nuk shihnin asgjë të keqe nga shpërngulja jonë në Turqi, meqë pas humbjes së luftërave në Rumeli për ta ishte e natyrshme që popullin e vet ta tërhiqte në shtetin ku ata qeverisnin. Kulmi i këtij parimi, që lejonte pastrimin etnik, u arrit në Marrëveshjen e Lozanës, kur Turqia dhe Greqia u pajtuan që të këmbejnë popullatën greke nga Turqia Perëndimore dhe popullatën turke apo myslimane, rrjedhimisht edhe të çamëve nga Greqia në Turqi. Marrëveshje të këtilla Turqia bëri edhe me Jugosllavinë e parë, por edhe me atë të Titos për shpërnguljen e shqiptarëve dhe boshnjakëve nga trojet e tyre etnike. Pra, përfaqësuesit e "popullit vëlla turk" duke na trajtuar si akraba u pajtuan, madje dhe hartuan projektin për spastrimin e Rumelisë, të Gadishullit Ilirik nga popullata autoktone, të islamizuar nga vetë ata. Kjo mendësi ndikoi në dobësimin politik, ekonomik, ushtarak dhe demografik të popullit shqiptar, kështu që sot e kësaj dite i ndiejmë pasojat e këtyre vlerësimeve të gabueshme.

Këto paragjykime dhe botëkuptimet perandorake turke, meapo pa vetëdije, lënë pasoja negative për interesin shqiptar, madje edhe në kontekstin aktual ku vendoset përfundimisht fati i kombit shqiptar. Në Kosovë kontributin e vet për vendosjen e paqes e jep edhe kontingjenti i ushtarëve turq. Shqiptarët ndiejnë obligimin që të falënderohen për impenjimet e tyre për vendosjen e rendit dhe të sigurisë, por e kanë të vështirë të kuptojnë përpjekjet e tyre për turqizim, asimilim të popullatës myslimane sllavisht-folëse, apo shqip-folëse. Me këtë politikë, ata mund të arrijnë vetëm një objektiv: zvogëlimin e përqindjes vetëm të popullatës shqiptare, që në parim nuk do të ishte në favor të "popullit vëlla turk".

Një popull që nuk arrin t'i zbërthejë paragjykimet e veta, po ashtu nuk do të arrijë t'i kuptojë gabimet dhe përsëritjen e tyre. Gabimet e tilla ndikojnë që të mos përkufizohet qartë dhe përfundimisht identiteti kombëtar.

Arber Xhaferri, Shekulli