Wednesday, August 18, 2010

Absurdi është i vdekur

Elita kulturore shqiptare ka krijuar një realitet virtual për shqiptarin e keq, të pacivilizuar dhe primitiv.

Fryma që përhapin kalorësit e suksesit publik thotë: "Urre veten" Po kthehet në virtyt paaftësia për të interpretuar dhe kuptuar thelbësisht Shqipërinë Është tragjike kur shikon se sa shumë nuk e kupton shqiptari shqiptarin.
Këtu nuk e kam për elitën politike, mos më keqkuptojë njeri, pasi elita politike historikisht e ka njohur shumë mirë popullin e saj: për të abuzuar mbi të, për ta shtypur, për ta terrorizuar e për më tepër, edhe korruptuar.

Ky është një shkrim për një pjesë tjetër të elitës së një vendi, për atë pjesë e cila, ndonëse nuk ka ndonjë kapital ekonomik të konsiderueshëm, pretendon dhe beson se është mbartëse e një kapitali kulturor. Kudo në vendet moderne, si ky i yni, ka një elitë të tillë e cila vetëvendoset në një pozicion diku, nën atë elitën e madhe ekonomiko-politike, por që luan rolin e ndërmjetësit dhe katalizatorit midis popullit, të ashtuquajtur të thjeshtë, dhe shtresave të larta.

Për ta thënë më troç, kjo është ajo pjesë e shoqërisë e cila mbart atë kapitalin e caktuar kulturor, por në tërësinë e saj, për mbijetesë, është e varur drejtpërdrejt nga elita e madhe e fuqishme, dhe të dyja bashkë, në negociatë të vazhdueshme dhe flirtim më njëra-tjetrën, thënë shqip, "bëjnë ligjin".

Është e dhimbshme dhe bezdisëse kur shikon këtë pjesë të shoqërisë e cila në vetvete duhet të luante rolin e lokomotivës së alternativave, të ketë marrë rolin e një vetëfshikullueseje, këtë radhë jo më si murgjit mesjetarë për mëkatet e veta, pasi nuk ia kërkon njeri këtë, por për ato që shihen, anatemohen dhe përqeshen, si defektet e të tjerëve, që në ketë rast është populli ynë i varfër.

Nuk do shumë të kuptosh e të shohësh këtë mori përbuzjeje, përbaltjeje dhe gjykimi që kjo elitë kulturore konfuze i bën popullit të saj përditë, kudo, në media të shkruara, në televizione, apo gjithnjë e më tepër nëpër blogje të panumërta interneti. Një elitë e kthyer në xhelat morali dhe etike, duke vërshuar pareshtur me një frenetizëm titanik për t'u mbivendosur mbi këtë popull, duke anatemuar çdo bëmë të tijën, çdo shije të tijën, qoftë kjo edhe mënyrën e tij për të pushuar, për të vdekur, për të festuar apo për të bërë pazarin e përditshëm tek tregu i perimeve.

Është normale dhe që elita të caktuara, ose aspirantë të ngjitjes se shkallëve të vështira sociale, të përpiqen që të distancohen dhe diferencohen nga "populli poshtë", por në vendin tonë kjo rendje për diferencim ka marrë përmasa qesharake dhe deri diku poshtëruese.

Është një luftë e përditshme vetëmohimi, fyerjesh dhe gjykimi që këta myftinj, zaimë, hoxhallarë apo priftërinj të rinj të këtij rendi shumë të sofistikuar strategjish mbijetese, i bëjnë realitetit duke e shpallur dhe shpartalluar atë si absurd, të pakuptueshëm, të pacivilizuar, idiot apo thjesht dhe saktë: shqiptar.

Kjo fjalë është sjellë në diskursin e përditshëm të kumbojë në mënyrën më të keqe të mundshme nga këta Nastradinë me aureole perëndimore, të mirëpërshtatur estetikisht, pa kuptuar se janë duke bartur në vete atë rrjedhë nga lart poshtë që në vazhdimësi kontaminon dhe infekton gjithë shoqërinë e këtij vendi.

Në anën tjetër kemi ata, të tjetërsuarit brenda tokës së tyre, ata që historikisht e gjejnë veten poshtë e në mundim të vazhdueshëm marrin dhe imitojnë atributet e pjesës dhe shtresave të mësipërme. Këta përthithin dhe shpërndajnë më tej trende dhe idioma të cilat vijnë dhe perceptohen si atribute të pandara të elitave përkatëse.

Ka një konstatimin retorik që përkufizohet në disa shprehje të cilat i dëgjon nga të gjithë tek shprehen në kor, duke filluar nga lypësi i rrugës, fatorinoja i autobusit, polici i trafikut e deri tek njerëzit më të kualifikuar të mundshëm: "Nuk bëhet ky vend", "Ça të bësh, jetojmë në Shqipëri". Ose më lakonikë akoma: "Si në Shqipëri".

Nëse vë në pikëpyetje diçka, të përgjigjen: "Po ti, nuk jeton në Shqipëri?", çka nënkupton "nuk ka zgjidhje kjo punë". Ndërsa për të epitomizuar gjithë të zezat e botës ndaj dikujt, mjafton të thuhet: "Shqiptar hesapi". Të gjitha këto bashkohen në një idiomë të vetme, të kthyer në himn kombëtar: "Shqipëria është absurde! Nuk ka zot që ta kuptojë këtë vend!". Ky është momenti më sublim kolektiv që ndajmë në stadin e këtij realiteti të ri: distancimi ndaj budallallëkut të të tjerëve (!), i cili mbetet vazhdimisht i paartikuluar por i nënkuptuar.

A është vërtet ky realitet kaq budalla dhe i padashur nga kalorësit e suksesit publik? E gjithë kjo vorbull, ky vorteks pakënaqësie kolektive me diçka dhe gjithçka eluzive, është shndërruar në një mantra për shqiptarin e gjunjëzuar nën rrotën historike që i ka zënë "bishtin" e vënë në radhë të parë nga elita e tij: Urre veten!

Rrjedha e këtij vetpërçmimi nga lart poshtë, ka një origjinë që buron nga vullneti i pashtershëm i elitës kulturore për t'u distancuar nga unë, nga ti, nga vetja; nga ajo që në perceptimin e saj është pjesa e shëmtuar e qenies shqiptare: shqiptari vetë, pra, ky njeri i paqytetëruar.

Luhet kështu një lojë kukullash me identitetin, lojë e vjetër dhe e njohur për të gjithë ata që synojnë të ngjisin shkallët e hierarkisë shoqërore. Në këtë frymë të kthyer në proces poshtërimi, në këtë mësymje për "lart", krijohet kjo farsë identitetesh me apoteozë një legenosje totale. Në këto zig-zage na përplaset në fytyrë një histori tjetërsimi që funksionon në bërjen dhe zhbërjen e njëri-tjetrit. Këtu shqiptari arrin të zhvishet nga identiteti i tij human duke u shndërruar në turmë, në masë apo thjesht, në popull.

Duket sikur elita kulturore ka marrë iniciativën për të vendosur virtualisht një kufi ndarës mes popullit të saj, pra mes vetes dhe atij tjetri fiktiv, prej të cilit kërkon të distancohet. Po të lemë elitën kulturore një moment, tek populli i thjeshtë, atje poshtë, dhe i poshtëruar, do të shohim se ai e përshtat në mënyrën e tij këtë ndjesi dhe performancë të sjellë nga njerëzit e sipërm si një instrument diferencimi ndaj mjedisit human që e rrethon.

Sa më shumë t'i mëshosh kësaj vale, aq më të forta janë shanset për t'u pranuar në këtë vëllazëri snobësh të cilët mendojnë se ushqehen duke pështyrë mbi popullin e tyre. Me sa duket nuk ka rrugë tjetër. Pasi kjo performancë është historike dhe ky virtualitet tepër i pranishëm, bën të mundur këtë diferencim jetik për elitën tonë kulturore dhe mbijetesën e saj. Kulmin këtu, për mendimin tim, e arrin momenti kur këta njerëz nisin e tallen me popullin e tyre dhe aq më keq, me mënyrën sesi këta të tjerë mundohen të realizojnë dëshirat e veta.

Këta njerëzit e thjeshtë, i bie që edhe ëndrrat t'i kenë jo aq të pranueshme dhe përgjithësisht gabim! U kujtoj se sa më virtuale të bëhen rendet shoqërore dhe sa më të kontrolluara të jenë ato, armiku më i madh mbeten ëndrrat e të tjerëve. Nuk ka gjë më destabilizuese për një rend virtual sesa aspiratat që njerëzit kanë për jetët e tyre dhe mënyra më mirë për t'i kontrolluar është të tallesh me to.

Ëndrrat e popullit bëhen shqetësuese. Ato befas interferojnë me një realitet simulakre dhe simulimi në një rend shoqëror që bëhet gjithnjë e më i mbyllur. Çdo tentativë e shqiptarit për të realizuar një ëndërr të tijën kthehet në irritim për elitën kulturore. Ajo del me peticione, ajo rreshtohet në neveri. Kjo sa vjen e bëhet më e modës.

Mendimtarë të kualifikuar, shpeshherë me diploma të bukura dhe me CV të pasura në xhep, i japin të drejtë vetes të mos u pëlqejë mënyra si shqiptarët luftojnë për jetën dhe familjet e tyre. Këtyre tipave nuk u pëlqen mënyra si shqiptarët ndërtojnë shtëpitë, me sa kate i ndërtojnë, çfarë ngjyre i lyejnë, nga i kthejnë dritaret, si i ngrejnë ballkonet. Këtyre nuk u pëlqen si i mbajnë flokët njerëzit, si vishen vajzat, si rrinë ulur burrat apo si zbukurohen gratë.

Këtyre nuk u pëlqen si bëhet politika, si luhet muzika, çfarë dëgjon shoferi i fugonit, çfarë filmash shohin gratë shtëpiake, çfarë shfaqjesh kanë më shumë publik në teatër, sa herë lahen njerëzit në ditë apo në javë, për kë votojnë shqiptarët, si bëjnë njerëzit tifozllëk në stadium, si njerëzia shkollohet, si njerëzit duan të çojnë fëmijët në shkolla jashtë apo brenda, pse njerëzit zgjedhin filan profesion dhe jo një tjetër.

Këtyre nuk u pëlqejnë veçanërisht dialektet e të tjerëve, dhe aversion special kanë me emrin ekzotik që dikujt i kanë vënë prindët. Njerëzit tanë të iluminuar nuk i zë gjumi natën nga pakënaqësia, dhe të acaruar nuk mund të rrijnë pa e shprehur. Sejcilit mjafton t'i japësh një mikrofon dhe nuk nguron një sekondë të shprehë shqetësimin shumë qytetar për gjithë mënyrën se si jeton shqiptari i zakonshëm. Hapësira publike mediatike është e hipertrofizuar me këtë lament të përgjithshëm prej fletërrufesh imanente ku sejcili elitar kulturor i afirmuar apo thjesht aspirues, është një Zeus i vogël në majë të kullës së fildishtë ku ka pozicionuar veten apo edhe shoqërinë e tij të ngushtë, natyrisht shumë të zgjedhur.

Është kthyer në shaka praktike fakti që mjafton t'i japësh dikujt 15 minutat e tij të famës dhe nis menjëherë këngën e vuajtjes për zgjedhjet dhe zgjidhjet e gabuara që bëjnë gjithmonë ata, të tjerët, që kemi fatkeqësinë t'i kemi kaq pranë.

Shqiptarët shpallen vazhdimisht në mënyrë konkrete dhe të detajuar si primitivë, tuhafë, pisanjosë, të trashë, kriminelë, kokëpalarë, imorale dhe imoralë e të tjera bukurira si këto.

Ata më të guximshmit dhe më të papërmbajtshmit, arrijnë edhe ta reduktojnë popullin e tyre, fare thjesht,në kafshë. Në këtë dehumanizim të hapësirës publike të gjithë ndjehen Nietzsche të veckël, superiorë, supernjerëz, njerëz të veçantë. Neveria me realitetin shqiptar arrin kulmin kur ajka e njerëzve të kulturuar nuk denjon të ndyjë duart duke marrë pjesë në zgjedhje, e aq më keq pastaj të shprehë, larg qoftë, ndonjë simpati politike në publik.

Kjo është ajo paanshmëria e intelektualëve të shquar që kopjohet sa vjen e zbret më poshtë në hierarkinë e aspirantëve të intelektit. Të qëndrosh mbi realitetin është punë mode. Këtu, në këtë rezervat, ndodh një barazim reduktiv i gjithkujt në një hiç. Një mohim total i çdo përpjekjeje të çdokujt, për çfarëdolloj gjëje qoftë ajo mbi dhé.

Kemi të bëjmë pra, me një proces post-moderno kripto-fashist i cili tjetërson çdo korrelacion social. Rrezikshmëria e këtij fenomeni tipik të një elite kulturore provinciale është se po ndikon në një shkërmoqje tragjike të organizimit të alternativave dhe bashkërendimit të veprimit në realitetin shoqëror. Është katastrofale për kohezionin e një shoqërie përhapja masive e një fryme mosbesimi, intrigash dhe konspiracionesh të cilat sjellin dekurajim të çdo ëndrre të mbetur pezull pa një nismë apo angazhim shoqëror real të vërtetë. Nga njëra anë kemi frymën e shpalljes së gjithçkaje, të çdokujt dhe çdo gjëje si të marrë fund, nga ana tjetër përsëritjen se realiteti ynë është përfundimisht absurd që nuk ka zot ta kuptojë.

Kjo përmbytje zhgënjimi, në radhë të parë, buron nga disa njerëz shumë të mirë që gëzojnë prestigj e respekt, dhe me këtë jetojnë, të nisur nga dëshira e mirë, sigurisht, duke thënë vetëm gjysmë të vërteta.

E këta miq tanët ndjehen gjithmonë të zhgënjyer nga realiteti. A thua realiteti iu kishte një borxh që nuk ua ka kthyer kurrë. Psikologjia e të parit të vendit si një territor që i ka vetëm borxhe këtij supermenit postmodern, është një nga gjeneratorët e një fryme mosbesimi ndaj gjithkujt tjetër që paralizon të ardhmen e vendit përgjithmonë. Kush ka mbetur pa rrëmbyer diçka, krijon një tym atmosfere të pashpresë që këta mercenarë mediatikë tashmë kanë instaluar.

Dhe vjen e bëhet evidente në shtresa më të gjera sociale, ku mbizotëron pavetëdija për mënyrën se si funksionon një shoqëri moderne, përfshi këtu sidomos elementet më jetike dhe bazat e koordinimit të aksionit social. Këto fenomene kanë një dozë pafajësie brenda, por sido që të jenë, në thelb, dua të theksoj, se janë pjellë e këtij procesi të tejzgjatur vetëpërçmimi, proces i cili dëshmon për një papërgjegjshmëri të plotë historike të elitës së sotme kulturore. Një papërgjegjshmëri që ia kalon njëqindfish asaj të elitës politike në përgjithësi. Pa e kuptuar as vetë, dhe për këtë jam i bindur, kjo elitë kulturore po kontribuon, duke vendosur gozhdët e fundit në asgjësimin e mundësive të ndryshimit të kësaj shoqërie.

Ju siguroj, të gjithë në thelb janë shumë të kënaqur. Por sidoqoftë, këtu nuk jemi vetëm. Këto janë procese karakteristike për elitat kulturore të vendeve në zhvillim, ose thënë ndryshe të botës së tretë, të cilat e kanë vendosur veten në balona virtuale lundruese në ajër, mbi kokat e popujve të stërmunduar dhe të lodhur.

Rrugë të mbare miqtë e mi!

Por përpara se të ndahemi dua të shtroj këto pyetje: Si ka mundësi që kjo elitë kulturore e kupton kaq pak popullin e saj? Si ka mundësi që në vazhdimësi, vit pas viti, kuptohet kaq keq dhe me kaq vonesë konteksti ku ndodhet populli ynë?

Si ka mundësi që këta njerëz të vetëkënaqur dhe të verbër nuk e kuptojnë se me sjelljen e tyre janë thjesht një mekanizëm i lirë në dorën e një sistemi të cilin e krijojmë vetë, dhe është në dorën tonë ta ngremë e ta drejtojmë si të duam? Kjo shtresë shoqërore, mund të mos e kishte braktisur popullin e saj, por mundej edhe të merrte në ndërgjegje dhe në duar hartat dhe alternativat e mundshme dhe të hapura për këtë vend, të cilat kurrë nuk janë artikuluar.

Por në të kundërt, realiteti shoqëror është braktisur, dhe mbetet pas një tym paaftësie për të prodhuar qoftë edhe një ide të lidhur me kontekstin tonë lokal dhe global. Situata ku ndodhemi dhe kjo elitë kulturore pubertale që kemi, po mbjell një sistem hipokrizie dhe paditurie publike, i cili mund të sjellë vrulle të pallogaritshme energjish destruktive në të ardhmen nga poshtë lart. Kjo sepse gradualisht, përveç kafepirjes së pafund, po kthehet në virtyt paaftësia për të interpretuar dhe kuptuar thelbësisht Shqipërinë.

Ai që e bën rend ta zhvat, duke u bërë pjesë e asaj elitës së madhe fare, ndërsa pjesa tjetër, kjo kulturorja shumë e zhvilluar, thjesht bën sikur nuk e sheh. Për këtë shkak ajo është kthyer në bartëse të drejtpërdrejtë dhe efikase të kontributit fatkeq historik të alienimit të çdokujt në vendin e tij. Kjo lloj simulakre intelektuale e paplotësuar dhe e dekontekstualizuar, ka ngritur një rend shoqëror i cili ka tendencën të kryeje një pastrim të ri etnik të trojeve tona nga çdo njeri që ka nevojë jetike të respektojë veten e vet. Pjesa më elegante ekzistenciale e këtij diskursi elitar arrin deri atje sa të artikulojë që pjesa më e madhe e njerëzve në ketë vend jetojnë kot.

E pra kjo kotësi e projektuar mbi të tjerët, mund të jetë tashmë duke instaluar një model humnere dhe hendekësh artificialë. Nuk kisha ndërmend këtu të bëja historinë e popullit tonë të varfër, të bukur, të mirë dhe fatkeqësisht të vuajtur. Kjo nuk më takon, por mbetet, mendoj, pjesë e procesit të brendshëm dhe formimit të sejcilit prej nesh, aq sa vetë e ndjejmë të nevojshme dhe të arsyeshme. Megjithatë, dua ta mbyll duke kujtuar se nuk ka asgjë absurde dhe të pakuptueshme mbi dhé. Ajo çfarë mungon është urtësia, përkushtimi, integriteti, personaliteti dhe vullneti i mirë; si instrumenti i vetëm, por gjithmonë i mundshëm, universal.

Realiteti nuk është absurd, as i yni, as i juaji, as i huaji, dhe pa një reflektim më të gjerë në këto procese identifikimi dhe rivlerësimi të vetes, rrezikojmë të mbetemi përjetësisht një vend qesharak, i ruajtur nga këta Kerberosë të Hadit. Regjisor, antropolog social

Jona Shanaj,G. Shekulli

Të sapodiplomuarit, pesimist për një vend pune

Vëzhgimi/ Një pjesë e madhe e studentëve punojnë në vende që nuk kanë lidhje me arsimimin e tyre

Për "të mbijetuar" të rinjtë punojnë si kamerier, operatorë telefonik, shitës dhe shpërndarës produktesh

Dita e punës edhe për të nis në orën 8 të mëngjesit. Pasi hap qepenin e rëndën të dyqanit në rrugën "Nikolla Tupe", Krisilda nis rutinën e përditshme të shitjes së këpucëve. Në këtë vend pune ajo ka gati një vit.

Pas diplomimit thuajse një vit më parë nisi punë në këtë dyqan të vogël, me shpresën se ndërkohë që punonte këtu do ti dilte një vend pune në profesionin e saj. Krisilda është vetëm 24 vjeç, është diplomuar më 2009-ën në fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, për Gjuhë-Letërsi dhe tani pret të gjej një vend pune si mësuese.

Teksa shfleton një gazetë në tryezën e dyqanit, (shtypin ka nisur ta lexoj që kur ka filluar punë në këtë dyqan), ajo tregon se shpresat për të gjetur një vend pune në një shkollë sa vijnë e shuhen. "Kam dorëzuar qindra cv, kudo në shkolla private, kam dorëzuar edhe dokumentet në drejtorinë arsimore në Tiranë, por askund nuk i kanë dhënë një shpresë, për të nisur punë",- thotë ajo.

Në fakt si Krisilda, në Tiranë ka dhjetëra vajza të reja që paraqiten çdo ditë në sekretaritë e shkollave jo publike apo në drejtorinë arsimore në Tiranë, me një tufë letra në duar në kërkim të një vendi pune.Shumë pak prej tyre arrijnë të gjejnë një punë në profesionin e tyre, pjesa më e madhe ashtu si Krisilda, gjejnë një punë "rezervë", dhe presin një rast tjetër. Të tilla vajza, madje edhe djem në kryeqytet gjen plotë.

Pas përfundimit të studimeve disa kanë zgjedhur të jetojnë "me forcat e tyre" në kryeqytet e të tjerë të nisur nga kushtet jo të mira ekonomike duhet të punojnë një vend çfarëdo për të mbijetuar. Kjo punë e çfarëdoshme mund të jetë shitëse në një dyqan rrobash apo stolish, operator telefonin në kompanitë e huaja, që nuk janë shumë bujare me pagesën e punonjësve, kamerierë apo edhe agjentë marketingu ndryshe shpërndarës produktesh.

Ajo që të bën më shumë përshtypje teksa pyet këta të rinj për shkollimin e tyre, është se një pjesë e mirë kanë përfunduar studimet për degë tepër të lakmuara si ekonomik apo drejtësi. Megjithëse tri vite më parë (ashtu si brezi i këtij viti) edhe këta të rinj janë stresuar mbi libra deri në orët e para të mëngjesit, kanë pritur me ankth rezultatet pranimeve në universitete e vendit, janë gëzuar pa masë kur kanë mësuar se kanë fituar në degët e preferuara, por pas tri vitesh gjithçka duket si një mund i çuar dëm.

Pak prej ish shokëve të klasës kanë zënë një vend pune në bankë, janë bërë avokatë apo mësues, pjesa tjetër është ende në pritje. Por deri kur? Të rinjtë e pyetur nga "Shekulli", përballë kësaj pyetje ngrenë supet. "Kam aplikuar në shumë shkolla për një vend pune, por nuk kam arritur të gjej një punë si mësuese.

Tani punoj si operatore në një kompani të huaj telefonash, por kjo nuk është puna që kam ëndërruar",- thotë Matilda 25 vjeç, diplomuar dy vite më parë për mësuesi. Një tjetër shembull është Miri 24 vjeç i cili ka përfunduar studimet për gjeografi, por ka zgjedhur të punojë si magazinier në një nga supermarketet e mëdha të kryeqytetit, pasi dështimeve në gjetjen e punës si mësues.

Alternativa tjetër për të ishte puna në një agjenci turistike, "Por pagesa ishte aq qesharake sa nuk ja vlente mundmi" thotë ai. Të tillë të rinj në Tiranë ka me dyzina, dhe mund të sillen me qindra shembuj por dukuria mbetet e njëjta. Të diplomuar pa një vend pune. Të rinjtë e pyetur nga gazeta, janë të ndryshëm por përgjigja që merr nga ata është thuajse e njëjta, askush nuk beson se do të gjejë një punë sipas arsimit, që ka kryer.

Ata fajësojnë shtetin i cili nuk ka politika të qarta për thithjen e të diplomuarve në tregun e punës. Gati në çdo mbledhje qeveria, apo rast ku mund të flitet për studentët ligjvënësit premtojnë e premtojnë pa masë.

Jo më larg se muajin e kaluar vetë kryeministri Sali Berisha, deklaroi se këtë vit do të rriteshin pranimet në universitet, me 9 %, se të gjithë maturantët do të fitonin të drejtën e studimit. Më konkretisht, vetëm për vitin akademik 2010-2011 do të ulen në auditorët e universiteteve publike (pa llogaritur universitet private) plotë 23534 studentë.

Pas përfundimit të ciklit të parë të studimeve re vjeçare, mund të diplomohen të paktën gjysma e këtyre studentëve, rreth 11 mijë studentë, të cilët njësoj si paraardhësit e tyre do të përpëliten në punë të ndryshme, me shpresën se një ditë në mos qeveria të paktën tregu do të gjejë mekanizmin e duhur për rregullimin e situatës.

Y.Lezo:Shekulli

Tepelenë, dëmtohen rrënojat arkeologjike

 Ndërtimi i një rruge të re në Tepelenë nga një kompani greke ka nxjerrë në dritë një monument antik.

Skulptura dhe pllakate të një nekropoli janë demtuar mjaft rëndë dhe është dashur ndërhyrja e banorëve të zonës për të penguar shkatërrimin.

Arkeologu Dhimitër Kondi thotë se është një nekropol që daton 3 vjet para Krishtit.
Pritet që në ditët në vijim të ndërmerren masa për ta devijuar këtë aks, por deri tani nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar.

t.chanel

Mbretërore dhe minj

1. Në Londër, në pjesën jugore të Hammersmith Bridge, jo shumë larg nga shkolla e njohur Saint Paul, shtrihet Barns, pjesë e Lagjes Richmond Upon Thames.

Është ajo pjesë e Londrës që i pëlqente më së shumti shkrimtarit amerikan, Ernest Hemingway, aq sa, gjithsaherë vinte në Londër, do gjente kohë të ndodhej dhe këtu (sipas dëshmisë së gruan së tij, Martha Gellhorn, të cilën kam pasur fatin ta takoj rastësisht në Trafalgar Sqaure disa muaj para vdekjes së saj).

Këtu, në Barns, jeton prej vitesh dhe një familje shqiptare, Iliri, e shoqja, Lola, Bukuria dhe Jonida, vajzat e tyre binjake, dhe Baby Mathew. Ose më saktë, vazhdojnë të jetojnë këtu në Barns të gjithë, përveç Jonidës, e cila vdiq me 20 Gusht të vitit të kaluar në një aksident automobilistik në Tiranë, 500 metra larg aeroportit të Rinasit, ku kishte për të kapur avionin për t'u kthyer në Angli.

Jonida dhe Bukuria kanë lindur me 21 Prill të vitit 1995. Kur ishin në Shqipëri, as ato dhe sa prindërit e tyre nuk e dinin se rastësisht kishin të njëjtën ditëlindje me Mbretëreshën Elizabeth e Dytë, Mbretëresha e sotme e Mbretërisë së Bashkuar. Nuk e dinin, dhe nuk do ta kishin marrë vesh për një kohë të gjatë, sikur, që në vitin e parë të mbërritjes në Angli të mos merrnin, më 21 Prill, një letër zyrtare me vulën Mbretërore. Mbretëresha Elizabeth e Dytë ju uronte binjakeve shqiptare Ditëlindjen.



Pas çudisë dhe mahnitjes së parë, mësuan se Mbretëresha e Anglisë u dërgon, përmes Sekretareve të saj, një letër - Urim Ditëlindjeje të gjithë shtetaseve Britanikë që kanë lindur më 21 Prill. Dhe letrat firmosen personalisht me dorën e Mbretëreshës. Kam pasur rastin t'i lexoj urimet mbretërore dërguar për çdo vit dy binjakëve shqiptarë, urime të shkruara me një përkujdesje delikate.

Mbretëresha e Anglisë i quan vajzat shqiptare "të përngjashmet e saj, të bashkuar përmes një dite të njëjtë Lindjeje". I kam lexuar ata letra duke menduar se politikanët shqiptarë, po të mësonin rastësisht se dhe fqinji i tyre ka të njëjtën ditëlindje me të, do ta këshillonin të ndërronte ditëlindje sa ma parë, që kënaqësia e festimit dhe celebrimit t'i mbetej veç atij, politikanit, të pazëvendësueshmit, të lavdishmit, të përzgjedhurit, Unikalit!

2. Më 20 Gusht të vitit të kaluar, në orën 4 të mëngjesit, një makinë udhëtonte drejt Rinasit për të përcjellë Jonidën.
Jonida do të kapte avionin Tiranë-Londër të orës 5 të mëngjesit. Jo më larg se 500 metra nga parkimi i aeroportit, makina përplaset nga pas. Jonida bie në koma nga përplasja e fuqishme.Vdes në spital pas tre ditësh, pa arritur kurrë që të kuptojë se çfarë ka ndodhur.

Presidenti i "Albanian Airlines" sapo kishte lënë një party të zhurmshme me kolegët e vet, në Rinas, një party, që përkthyer në shqipen e dikurshme, nuk do thotë as me shumë e as me pak se një zajafet mejhanesh me raki dhe pilaf, me bërxolla dhe verë Përmeti dhe Lundrese, me dolli dhe me allti, me këngë Elbasani dhe me jare stambollani.
Presidenti i "Albanian Airlines" i jep makinës me shpejtësi avionësh (ngase është President i një shoqërie avionësh). Udhëton me 220 km në orë. I jep makinës i pirë, që në standardin shqiptarë do të thotë se i jep makinës në mënyrën më të rregullt dhe më të përpiktë. Për fatalitetin e Jonidës, ai ndodhet pas makinës ku udhëton ajo.

3. Një aksident makine ndodh kudo, në çdo vend të botës. Aksidenti i Jonidës mund të kishte ndodhur në Londër, në Paris, Romë. Thjesht fataliteti i të ndodhurit në një kohë të gabuar e në një vend të gabuar (wrong time, wrong place). Por aksidenti i Jonidës, për fat të keq, merr përmasat e realitetit shqiptar.

Menjëherë pas humbjes së vajzës, prindërit e saj fillojnë të marrin, në vend të ngushëllimeve e të kërkimit të faljes, kërcënime. Bëni mirë të largohuni sa më parë nga Shqipëria! Dhe veçanërisht mos gaboni të flisni keq për shkaktarin e aksidentit, sepse ka miq të fuqishëm. Atij, shkaktarit të vdekjes së Jonidës, Presidentit të "Albanian Airline", dhe jo Jonidës (e cila vdiq pas ditësh pas aksidentit, ngase për tre ditë jetoi në koma, duke qenë ironikisht në të njëjtin spital me vrasësin e saj) i shkojnë në spital njerëz të fuqishëm.

Lulëzim Basha është ndër të parët që i bën vizitë. Unë nuk e njoh Lulëzim Bashën. Më thonë se është partner biznesi me Presidentin e "Albanian Airlines".

Dhe duke qenë bashkëbiznesmen me të, e kuptoj detyrimin që ka pasur për t'i bërë në spital sivëllait të vet. Por Lulëzim Basha qenka në të njëjtën kohë dhe Ministër i Brendshëm. Dhe vizita e Ministrit të Brendshëm te njeriu që akuzohet për vrasje është mbrojtja direkte e fajtorit. Ose mesazhi se fajtori është i paprekshëm.Trupi i Jonidës vjen në Angli. Trupi i saj prehet jo larg shtëpisë së prindërve të saj, në Barns.

4. Më 19 Janar të këtij viti, prindërit e Jonidës marrin vesh, përmes të afërmeve të vet që jetojnë në Tiranë, se është hapur një gjyq me "procedurë të shpejtë" kundër vrasësit të Jonidës. Vetë të afërmit e prindërve të Jonidës e kanë mësuar hapjen e gjyqit krejt rastësisht, ngaqë komshiu i tyre ka ndodhur atë ditë në Gjykatë dhe paska lexuar njoftimin e gjyqit në një fletushkë në mur.

Ata vetë nuk janë lajmëruar kurrë për asnjë lloj gjyqi. Avokati i të pandehurit është i vëllai i vetë të pandehurit. Në çdo vend të botës të qytetëruar, vëllai i një të pandehuri nuk mund të jetë avokat mbrojtës i të vëllait të akuzuar, për shkak të "conflict of interest". Por në Shqipëri kjo nuk shqetëson askënd.

Madje, avokati mbrojtës, Petrit Serani, ja bën të qartë të afërmve të Jonidës, se "unë marr pjesë në mbrojtjen e Fatmir Mediut". Në seancën e parë (Hearing) janë të pranishëm Prokurori, Gjykatësi dhe avokati i palës paditëse.Caktohet një datë tjetër gjyqi: 2 Shkurt. Pala e akuzuar nuk paraqitet. Gjyqi shtyhet për 16 Shkurt. Arsyeja? Gjykatësi shpjegon: "Avokati mbrojtës nuk ka adresë fikse, kështu që unë nuk kam se ku ta dërgoj Vendimin". Dikush i pëshpërit gjykatësit se Avokatin pa adresë sapo e kanë parë në shkallët e gjykatës, pesë minuta më parë. Gjykatësi shpjegon se kjo nuk ka të bëjë asgjë me atë çfarë tha më lart.

Gjygji shtyhet per 3 mars.

5. Një sistem politik a shoqëror mbetet me atë se deri në ç'masë ky sistem mbron të pambrojturit. Sistemi gjyqësor i Shqipërisë të kujton nëpërkëmbjen kafkiane të njerëzve. Letrat e Mbretëreshës Elizabeth e Dytë drejtuar binjakëve shqiptarë janë ku e ku më tepër se letra kortezie, ashtu si cinizmi i sistemit gjyqësor ndaj rastit të Jonidës është ku e ku më tepër se shprehja e një cinizmi të një rasti të veçantë.

Pas19 Janarit, kur prindërit e Jonidës njoftohen nga njerëzit e tyre të afërm për hapjen e një gjyqi për vrasësin e vajzës së tyre (natyrisht, jo për ta dënuar atë), ata i kërkojnë mbrojtje Parlamentarit të Zonës ku banojnë ata, në Barns, (Local MP), Zonjës Susan Kramer.

Zonja Susan Kramer i shkruan menjëherë Ambasadores së Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Fiona Mc LLwham, Ministrit për Europën dhe nënsekretarit të Shtetit, Chris Bryan, sekretarit të Foreign Office-it, David Miliband. Të gjithë këta zyrtarë të lartë të Shtetit Britanik kanë reaguar ndaj rastit të Jonidës, duke shprehur keqardhjen e thellë për humbjen sa tragjike aq dhe të panevojshme të Jonidës, aq dhe gatishmërinë për ta ndjekur "pa pasur të drejtën për të ndërhyrë në pavarësinë e sistemit gjyqësor të shtetit shqiptar" procesin deri në fund.

Madje, duke i garantuar dhe mbrojtjen fizike prindërve të Jonidës, nëse ata vijnë në Shqipëri. Si ju duket kjo? Që Shteti anglez të marr përsipër mbrojtjen e një shqiptari nga shteti shqiptar? Të paktën, ne mos gjë tjetër, tingëllon patriotike! Mbretëresha Elizabeth e Dytë dhe këtë vit ka për ta dërguar me posten rojale, me 21 prill, atë letrën e urimit për ditëlindjen e dy binjakëve shqiptare. Pa e marrë vesh kurrë se Jonida ka vdekur nga një vdekje e panevojshme. Pa e marrë vesh kurrë se vrasësi i saj dhe avokati mbrojtjes i vrasësit të saj nuk kanë adresë fikse. Pa e marre vesh kurrë se binjakja e saj, Bukuria, tash e mbrapa do jetë binjake e përjetshme me trishtimin e pangushëllueshëm të humbjes absurde të Jonidës.

Pas 5 seancash gjyqësore, Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet,kte vit dha dënimin për ish-drejtorin e kompanisë ajrore "Albanian Airlines" Ylli Serjani. Aksidenti që ai shkaktoi, solli vdekjen e 19 -vjeçares Jonida Mahmuti dhe plagosjen e tre personave të tjerë.

Dënimi i gjykatës ka qenë thuajse simbolik. Z.Serjani u dënua me kusht për tre vitet e ardhshme. Kështu, sipas vendimit me nr.385 të firmosur nga treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Ilir Çeliku dhe anëtarët Albert Meçe dhe Arjan Aliaj, i pandehuri Serjani, edhe pse gjendet fajtor për kryerjen e veprës penale përfitoi nga rrethanat lehtësuese karshi personit të tij, shoqëruar me urdhërimin që i pandehuri Serjani të mos drejtojë automjete për tre vitet e ardhshme. Prokurori i çështjes, Petrit Hysi, gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare kërkoi nga togat e zeza që i pandehuri Serjani të deklarohet fajtor për kryerjen e veprës penale por te dënohet vetem me kusht për 2 vitet e ardhshme si dhe ndalimin e ngasjes së automjeteve për dy vitet në vazhdim.

Çuditërisht në vendimin me nr. 385Gjykata nuk përmend në asnjë rast marrëdhëniet jo të normalizuara me familjarët e viktimës, të cilët kanë depozituar ankesa karshi këtij vendimi në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Presidentit të Republikës, kryeministrisë, Avokatit të Popullit dhe Ambasadës së Britanisë së Madhe në Shqipëri.

G.Shekulli:RUDOLF MARKU(4 mars 2010)

















Njeriu duhet të kolonizojë hapësirën

Shkencëtari i njohur Stefan Houking thotë se raca njerëzore duhet të nisë të mendojë për të kolonizuar hapesirën nëse kërkon të mbijetojë.
Sipas tij, problemet me mbipopullimin, luftërat dhe zhdukja e burimeve natyrore sfidojne racën njerëzore në 200 vitet e ardhshme.
"Raca njerëzore po përballet me shumë rreziqe si lufta apo katastrofat natyrore. Nëse njerëzit nuk duan të zhduken, atëherë duhet t'i drejtohen hapësirës", deklaron Houking.
Lindur në Britaninë e Madhe, shkencëtari njihet edhe për një libër të botuar, ku shpjegon historinë e gjithësisë.