Monday, February 25, 2013

Propozimi vdiq!


Edhe pse meshkuj me emrin Propozim ka ende në Shqipëri, ne sapo dëgjojmë fjalën "propozim", automatikisht e lidhim me propozimin për martesë, propozimin për të krijuar një marrëdhënie në çift.
E megjithatë nuk i kam kuptuar asnjëherë këto propozimet.

Shumë femra e ëndërrojnë dhe e shohin me zili një çast si ky i fragmentit të fotos, por ky është padyshim një indoktrinim mediatik që ka për bazë romanet, filmat dhe jo realitetin.

Në ndjesinë e parë të vjen vërtetë keq pse propozime të tilla thuajse janë zhdukur totalisht nga marrëdhëniet në çift, por le të përpiqemi të kuptojmë edhe pse-në.

- Së pari, nuk e kam kuptuar se pse një mashkulli i duhej të kryente një propozim formal, kur bënte "Muuuuu" që ajo i kishte rënë në kokë dhe ai i ishte vënë nga pas?! Dikur madje thuhej mes meshkujsh "Atë e gjuaj unë", a thua se bëhej fjalë për ndonjë proçes peshkimi!
- Së dyti, pse duhet të propozoje, kur fare mirë dihej se "vajzat e mira" nuk e pranonin kurrë propozimit të parë, akoma më pak kur e dëshironin vërtetë atë?!
- Së treti, si duhej formuluar ky propozim, kur ti atë femër e pëlqeje duke u nisur përgjithsisht vetëm nga pamja e saj e jashtme? Çfarë duhet ti premtoje asaj femre dhe pse në fund ajo do duhej të thoshte "Më mashtroi"?
- Së katërti, pse u dashka bërë një propozim për martesë, kur ti ke vendosur unazë që në fejesë apo keni disa muaj me rradhë që planifikoni se ku do merrni kredinë për të bërë dasmën tuaj?

Çfarë e ka zëvendësuar sot propozimin e dikurshëm dhe a janë metodat e sotme më efikase?

"Like", "Poke", "Friend Request", "Chat", "Skype", "Kafe", "Kinema", "Hotel".

Shkroi: Stop Injorancës !

Barsaleta e frymëzuar prej LRI-së


Duke parë këtë nismën simpatike të LRI-së (Të rinjve të LSI-së) për të shkruar në një tabelë të improvizuar si muri i facebook-ut dëshirat e tyre, m'u kujtua një barsaletë e tranzicionit shqiptar.

Kishte ardhur kryetari i një Partie Politike në takim me popullin për të dëgjuar ankesat e qytetarëve dhe për të zgjidhur hallet e tyre.
Ngrihet një qytetar që donte një vend pune dhe kryetari i Partisë i thotë sekretarit të tij t'ia shënonte emrin si dhe dëshirën. Ngrihet një qytetar tjetër që kërkonte një shtëpi më të madhe, pasi kishte 4 kalamaj për të mbajtur. Shënoja edhe këtij emrin vazhdon kryetari i Partisë. Më pas ngrihet një qeros dhe që kërkonte flokë. Të gjithë mbetën të habitur, kur kryetari tha shënojani emrin edhe këtij. Sekretari e pyet përsëri: Z. Kryetar, po si t'ia shënojmë emrin, ku t'ia gjejmë leshtë ne këtij?
Dhe Kryetari që i kthehet në zë: "Pse, këta të tjerët ç'kujton ti se do marrin"?

http://www.facebook.com/media/set/?set=a.560002364013026.131892.379694588710472&type=1

Tani, ajo që nuk kuptohet fare nga kërkesat e këtyre të rinjve të LSI-së, janë pikërisht këto dëshirat për meritokraci, apo luftë ndaj mikut e korrupsionit.

Të gjitha çuditë e Botës ndodhin në Danimarkë


Të jesh shqiptar dhe të hipësh në trenin e metrosë në Kopenhagen, vetja të duket si në romanet fantastiko-shkencorë të Zhyl Vernit. Ngurojmë të hedhim hapin brenda në vagon dhe njëkohësisht kërkojmë makinistin. Sytë gati na dalin nga orbita. Makinisti nuk është as në fillim, as në fund dhe natyrisht as në mes. Kemi parë metro në Londrën që praktikoi për herë të parë trenin e nëndheshëm. Kemi parë në Boston e Nju Jork që përdorin nga 3 dhe 5 kate nën tokë. Por, këtë çudi kurrë s'na e kishin parë sytë. Pyesim një pasagjer: Where's the driver? Is he lost? (Mos ka humbur gjë shoferi?) Dhe djaloshi i gjatë, biond, me sy me ngjyrë, si shumica e njerëzve këtu, vë buzën në gaz. Plot krenari na shpjegon shpikjen e fundit, se drejtuesi i trenit, i kësaj shpikjeje të shekullit të 18-të, është zëvendësuar me një kompjuter qendror, shpikje kjo e shekullit të 21-të. Dyert mbyllen vetvetiu sapo futet pasagjeri i fundit, treni niset sapo është siguruar gjithçka. Rrit shpejtësinë dhe e zvogëlon atë kur duhet të marrë kthesë. Ndalon fiks në stacion, hap derën dhe lumi i njerëzve hipën e zbret duke hequr nga fjalori fjalët: "O shofer mbaje pak", "Prit një minutë se është duke ardhur një shoku im", "Ndaloje pak këtu se më doli një punë", e të tjera si këto. Dhe ne na mbetet të bëjmë analogjinë me Shqipërinë. Nuk dihet se ç'duhet të kenë menduar një duzinë makinistësh të Kopenhagenit kur u thanë se u shkurtohej vendi i punës. Së paku janë ndjerë të lehtësuar se në vend të tyre nuk do ishin kushërinjtë, çunat e xhajës, të dajës apo të iks ministri siç e kemi rregullin ne në Shqipëri. Që nga viti 2005 një kompjuter i regjistruar shërben si makinist për të gjithë trenat dhe ata danezë që mbetën pa punë, sot mund të jetë vetëm pasagjerë nostalgjikë. Kur tani ata hipin në këtë shpikje alla daneze vetëm mund të thonë: Eh, kur i drejtonim ne këta trena!

Shqiptarët e Danimarkës

Sapo lëmë aeroportin, kontaktin e parë e bëjmë me taksinë e parë. Nja 200 makina të vëna me radhë presin njëra-tjetrën. Ne na bie të futemi te ajo që është më afër. Një mesoburrë gjithë mirësjellje na merr bagazhet. Rehatohemi brenda dhe pa një pa dy shoferi ynë nis udhëtimin. Duhet të jetë nja 15 minuta kjo rrugë deri në hotel. Me Lutfiun dhe Almën shkëmbejmë po ato pyetje që mund të bëjë çdokush që futet për herë të parë në një qytet të pashkelur. Por shoferi na shtang: Mos jeni gjë shqiptarë ju? Ne qeshim dhe habitemi njëkohësisht. Të jesh në Athinë, në Londër, në Romë apo edhe deri në SHBA, e të kesh një koincidencë të tillë, nuk është ndonjë gjë e jashtëzakonshme. Por të vish në Danimarkë dhe njeriu i parë që të del është shqiptar, ky është kulmi. Xhelal Hasani është nga shqiptarët e Tetovës të ardhur në Kopenhagen që në vitin 1988. Është danizuar plotësisht. Madje, ka marrë edhe çehre prej vendaliu. Ka marrë pasaportë vendase, ka familjen aty dhe dy fëmijë, që sipas tij janë bërë krejt danezë. Por ky djalë punëtor dhe i mirë bëhet cicëroni ynë i parë. Na tregon se vetëm në Kopenhagen janë 10 mijë shqiptarë. Janë të Tetovës, por ka edhe nga Shqipëria nja 100 vetë. Madje, sipas tij, disa prej tyre janë edhe biznesmenë të rëndësishëm aty.

Dhe Xhelali vazhdon të na lërë pa mend kur na tregon një rrugë në kryeqytetin danez që ka emrin Shqipëri. Epo ky është kulmi. Në çdo rrethanë, në çdo situatë ne nuk kemi pasur e nuk mund të kemi rrugë me emër Danimarkë. Por nuk e kuptojmë kurrë të kundërtën. Është po Xhelali që si një mik i mirë na fton edhe ne të shikojmë ndeshjen e Kombëtares. Një klub që u ngjan atyre të çështjeve kombëtare se sa një vend për të shikuar një ndeshje futbolli. Dhe aty shqiptarët e Tetovës konfirmojnë se janë shumë më tifozë të Kombëtares se ne shqiptarët e Shqipërisë. Ndërsa Qani Jakupi është një tjetër zbulim i yni. Edhe ky një dashamirës dhe punëtor, na çudit teksa na tregon për vete, familjen, por mbi të gjitha për shqiptarët që ndonëse pak, janë me vlera shumë. Por çuditë e Danimarkës nuk mbarojnë.

Një kryeqytet në ishull

Mu kujtua se zysha e Gjeografisë që e mbante si ushtrim me yll pyetjen: Kush është ai shtet në botë që pjesën më të madhe e ka në gadishull dhe kryeqytetin në ishull. Shumica e klasës kruante kokën pas kësaj. Ndërsa pas kaq vjetësh një ish-nxënës i asaj klase është bash në ishullin kryeqytet Sjaelland ose Kopenhagen. Është 88 kilometra katrorë, ka një popullsi rreth 1 milion banorë dhe mund të quhet nga çuditë e botës. Peshkatarët e parë ndërtuan një fshat aty në 1200-n. Në 1300-n u bë qytet dhe në 1445-n u bë kryeqytet. Nja 100 vjet më parë danezët hapën një kanal të madh mes për mes ishullit. Uji i detit vërshoi brenda në qytet dhe që nga ajo kohë pamja e ishullit është më shumë se piktoreske. Është një lloj venecie, ku varkat dhe anijet e vogla prekin gjysmën e territorit të vendit. Ndërsa për turistët një guidë e tillë është nga më bukurat në botë. Është edhe zili të mendosh se ky popull në shekuj ka fituar betejën me detin. Dhe një popull që fiton betejën me detin, ka fituar për vete dhe për tërë brezat që do vijnë.

Gjysma mbi biçikleta

Çudia tjetër daneze na kalon përpara syve. Një tufë çiklistësh vërshojnë tek sa në semafor ndizet jeshilja. E habitshme akoma. Çdo rrugë këtu ka edhe korsinë e veçantë për biçikletat. Është pak më e ngritur se çdo korsi e makinistëve, por më e ulët se e trotuarit. Dhe i madh, i vogël aty shpejton jo duke vozitur makinën, por biçikletat. Si ia dalin me parkimin pyesim ne shqiptarët. Nëse do flasim me gjuhën tonë, ato i lënë si një mall pa zot. Nuk kanë kavo dhe kyç për t'i lidhur dhe mjafton të të shkojë në mendje se duhet të shkosh diku, merr një biçikletë dhe ikën. Mbaro punë, s'ka problem, parkoje në vendin më të afërt dhe stafeta daneze e biçikletave është e pafund. Është gati për tërë jetën.

Por kur pyesim pse kaq të varfër këta danezët, përgjigjja vjen nga një shqiptar. E para, na thotë ai, taksa për makinat aty është 52 për qind dhe askush nuk ka ndërmend të paguajë më shumë se gjysmën e të kapardiset në timon. Po ec e bëja këtë po deshe shqiptarëve. A e mendojmë për një çast, që shqiptarët të lënë X5-at, "Benz"-at dhe "Hummer"-at dhe të hipin në biçikleta? Gjë që s'bëhet. Ne jemi shumë të varfër. Dhe imagjinojmë që këtë e bën Danimarka, populli më i pasur në botë si individ. Po ana sociale. Fantastike. Shteti i siguron shtëpi çdo personi që mbush 18 vjeç. Lëre pastaj që kur dikush del në pension, mund të jetojë ku të dojë në qendra sociale shumë të përparuara.

Një popull i bukur

Danezët janë popull qytetar. 88 për qind e tyre jetojnë vetëm në qytet. Pjesa tjetër është që derdh djersën në ferma dhe pyje. Të rritur me një klimë të ftohtë dhe me sfidën e punës, danezët përherë kanë qenë popull i pashëm. Na krijohet shumë shpejt ideja se një djalë apo vajzë nga Danimarka janë së paku 1.80 centimetra, biondë, sy të kaltër ose jeshil, elegantë. Më së shumti ky është danezi që takojmë, shikojmë dhe bisedojmë. Të gjithë pothuajse kanë këtë portet. Nuk e teprojmë të themi se janë populli më i bukur në botë. Ç'duhet të ketë më shumë kjo cilësi për bukuri, që pothuajse në çdo konkurs bukurie ata janë finalistë të padiskutueshëm.

Dhuna ndaj fëmijëve

Ne e falënderojmë disa herë drejtorin e Institutit të Medias, zotin Remzi Lani, i cili na ftoi dhe na mundësoi këtë kontakt me kolegët e Danimarkës. Në fakt është një bashkëpunim edhe me zyrën e UNICEF-it në Tiranë dhe një gatishmëri plot politesë e ambasadës daneze në Tiranë, dhe konkretisht e ambasadorit Niels Severin Munk, që ne të shohim nga afër se si punojnë atje OJQ-të dhe media në raport me fëmijët. Personalisht bombardohesha me pyetje kur u thosha gazetarëve atje se "Tirana Observer" është e para gazetë në Shqipëri që ka një suplement për fëmijë. Në fakt më shumë se suplement dhe shkrime në gazeta, danezët kishin një shoqëri të tërë që merreshin me një edukim mjaft të kujdesshëm për fëmijët. Dhe kur i tregonim një danezi me shaka se në Shqipëri ka ekzistuar dikur një shprehje "kush të rreh, të do", ilariteti ishte me të vërtetë i madh.

Fëkenhagen-Kopenhagen

Eshtë një vend të Malit me Gropa prapa malit të Dajtit që quhet Fëken. Në komunizëm aty studentë dhe të rinj shqiptarë bënin zborin e famshëm, por edhe më të rrezikshmin e jetës. Prova duhej që zbori të zhvillohej në palcën e dimrit, në shkurt dhe dëbora aty ishte disa metra, ndërsa i ftohti shkonte edhe në minus 25 gradë. Kur një ortek i madh u rrëzua dhe vdiqën disa studentë, shokët jo vetëm u thurën një këngë, por për t'i dhënë sa më shumë kuptimin e një vendi të ftohtë e quajtën Fëkenhagen. Por, ditët e sotme prapashtesa Hagen nuk ka të njëjtën vlerë. Ngrohja globale ia ka hequr këtë vlerë kryeqytetit danez. Këtu është ngrohtë si në pranverë. Por çudia nuk është ky fenomen. Jemi në fillim të qershorit dhe këtu kanë nisur netët e bardha. Ora është 23:00 dhe në Kopenhagen është ditë. Gdhihet në orën 03:00 dhe dita nuk ka ndërmend të mbyllet. Por vendasit na tregojnë se e kundërta ndodh në dimër. Ka 18 orë natë dhe vetëm katër orë ditë. Jemi në veri dhe ky fenomen i çuditshëm për ne nuk është këtu. Rruga që përshkon dielli është e tillë që shkakton fenomene si netët polare apo netët e bardha.

Largimi

Hymë me mend dhe dolëm pa mend. Kjo shprehje shqiptare ka vend kur bëjmë check in-in në aeroportin e Kopenhagenit. Kemi mbledhur ca çudira nga ky vend që e dinim të ftohtë dhe ishte i ngrohtë. Që ka fituar betejën me detin dhe nja 300 vjet më parë hapte universitetin e parë. Që para dy vjetësh vuri në punë trenin me makinist dhe që vazhdon të shfrytëzojë detin njëlloj si shekuj dhe mijëra vjet më parë. Ne shqiptarëve na mbetet vetëm të konstatojmë, të mrekullohemi ç'na panë sytë dhe të ngulisim në mendje se për të arritur këtu këtij shteti i është dashur vetëm punë. Ne shqiptarët dimë që e kaluara jonë nuk ka qenë shumë e mirë, por me një shembull si Danimarka dimë se ç'duhet të bëjmë në të ardhmen.

http://www.tiranaobserver.com.al/al/...=234&Itemid=34
10-08-2007




Kjo është dhe arsyeja kryesore pse shteti i sotëm homoseksual Shqiptar duhet të marrë shembull nga shtetet Skandinave dhe jo nga palo-shtetet që e konsiderojnë veten pseudo-demokatike!!!
Personalisht do doja që Shqipëria të ndiqte shembujt e shteteve Skandinave dhe të sistemeve të tyre dhe jo të një kapitalizmi të egër dhe ekstremist siç po ndiqet sot e 20 vjet!!!
Shtetet model të demokracisë dhe të mbrojtjes së të drejtave të njeriut janë shtetet Skandinave si:  Norvegjia, Suedia, Finlanda, Danimarka...etj.

E gjithë Skandinavia dhe shtetet nordike janë kështu siç është përshkruar në këtë artikull.

Njerezit kanë vizione, punojnëe dhe jetojnë në të mirë të vetvetes dhe të shoqërisë me të drejta maksimale, barazi gjinore, arsimi falas, nxënesit nuk ngelin në klasë, por deri në klasën e VIII-të ndihmohen me më shumë kujdes që të përmirësohen në mësime, mjekësia falas, modernizimi i shoqërisë është prioritet kryesor etj ,etj. Në statistikat botërore për korrupsion, shtetet Skandinave rezultojnë se kane % më të ulët në të gjithë botën.
Në Suedi ka një transparencë të tillë që një qytetar suedez ka të drejtë të kontrollojë me anë të internetit të paktën 70% të punës (dokumenta dhe akriva zyrtare) që kryen një ministri e caktuar ose një ministër!! Dhe nëse ai qytetar mendon se puna e kryer (nga ministria ose ministri) nuk është konform ligjit, por është një shpërdorim i postit, qytetari ka të drejtë të kryej denoncim pa pësuar asnjë raprezalje ligjore!!!
KJO ESHTE DEMOKRACI!!


Mjafton një politike e njëjtë edhe në Shqipëri e brenda 10 vitesh maksimumi, Shqipëria ka për tu shndërruar në një shtet model për të gjithë!! NE SHQIPERI AKTUALISHT JETOJME NE NJE OLIGARKI TE EGER NEGATIVE E TE DEMSHME TE PAK PERSONAVE, DHE JO NE DEMOKRACI!! BILDERBERG

Sistemi i drejtësisë në Shqipëri


Nuk është e vërtetë që askush nuk ka besim tek sistemi i drejtësisë në Shqipëri.
Përkundrazi, shumë seanca delikate dhe me ndjeshmëri të lartë publike, mbyllen me duartrokitje!

Shkroi: Stop Injorancës !

Ngritu tash

I heshtur ndalem dhe shikoj se si dritën ma përpin një hije,
më duket vetja si spektator në një shfaqje tragji-komedie,
ku aktor jemi ne të gjithë edhe unë e ti,
por fatkeqësisht ky nuk është teater dhe as kjo këngë nuk është parodi.
Është jeta jonë, koha kur japin kahje fatit tonë
dhe të ardhmes sonë.
Por më trego, nga po e drejtojm? Cilën rrugë po e vazhdojmë?
Pas 100 vjet errësirë, nga duart i hoqa prangat e ndryshkura.
Kjo nuk mjafton,
se mes nesh ende ka shumë zemra të vyshkura.
E ç'po bëjmë ne për ata?
Ku mbeti nderimi i vëllaut për vëlla?
Më thuaj pra! Krejt kjo është një hata
që s'kam besuar që ndonjëherë kemi me e nda.

Ngritu tash
S'ka forcë që na rrëzon, kur jemi bashkë.

Gjendje kritike
e rënduar nga pretendime armike,
rrethuar me papërgjegjësi politike,
ngarkuar me tendenca paranoike,
pseudo-patriotike,
tingëllojnë disa faza arkaike,
që mendja e shëndoshë i refuzon.
Pse duhet të ekzistojë mes nesh kjo dreq frike,
që ndasitë na i forcon
dhe na çon drejt një rruge misterioze,
ende pa u zhdukur ky kundërmim tymi e bloze,
mund të gjendemi në një gjendje komatoze,
me komplimime tepër serioze.
Po kush është fajtor?
A thua, sa ka përgjigja rëndësi,
kur ndoshta, një pjesë të këtij faji e patëm edhe unë e ti
përndryshe, pse para hundeve tona
ndodhin gjëra që asnjëherë si miratojmë.
Ato s'do të zhduken vetëm duke i shikuar
Duhet bashkë që ti luftojmë.

Ngritu tash
S'ka forcë që na rrëzon, kur jemi bashkë.

Ndal, i them vetes
dhe shikoj botën time përreth meje.
Nëse je lodhur edhe ti
atëherë hapi sytë dhe shiko përreth teje,
gjeje, pozicionin tënd
dhe nëse do ndryshime vepro,
kryeje pjesën tënde të punës
për vete dhe për ata që i do.
Deri dje kisha një ankth të vjetër,
por nuk më zbrapsi asnjëherë,
ndërsa sot më mundon një tjetër
dhe s'do ta le as këtë të më dërgojë në humnerë,
se jeta na mësoi
që të mirat kurrë nuk vijnë vetë,
gjithmon më mirë kalon ai që mundohet,
se sa ai që pa u mërzitur pret,
ndërsa sot, të gjithë jemi pjesëmarrës në këtë kapitull të ri historie,
prej nesh varet se a do të shkruhet një faqe turpi, a një faqe lavdie.

Ngritu tash, s'ka forcë që na rrëzon.
Ngritu tash, s'ka forcë që na rrëzon, kur jemi bashkë!

Ritmi i Rrugës

Turp që huazojmë muzikën rome

Agim Poshka thotë se muzikantët shqiptarë duhet të ndjehen të turpëruar që huazojnë elemente nga muzika rome, duke pasur një folklor aq të pasur shqiptar.

Këto komente këngëtari nga Struga e Maqedonisë i ka bërë gjatë një interviste të dhënë për një të përditëshme, ku ka premtuar edhe se viti 2013 “do të jetë një vit dinamik”, për faktin se shënon 15-vjetorin e debutimit të tij në muzikë.

“Një popull me gjithë këtë folk të pasur, me gjithë ato variacione motivesh, që ndryshojnë nga jugu deri në veri, nuk ka nevoje fare për huazime. Pashko Vasa ka thënë ‘muzika shqiptare kaloi 3000 vite në robëri të ndryshme, por përsëri ruajti identitetin e saj’. Sot një pjesë e këtyre pseudo-muzikantëve e kanë më në zemër muzikën rome, se muzikën shqipe”.

“Për mua muzika rome është mjaft e bukur por njoh muzikën time shqipe në identitet. Muzikanti shqiptar nuk ka si bëhet modern dhe interesant me muzikën e një populli tjetër”.

“Muzika rome për hir të së vërtetës ka një muzikë dhe muzikantë të jashtëzakonshëm, por identiteti muzikor shqiptar duhet të pretendoje vlerat perëndimore siç bëjnë të gjitha fushat e tjera artistike si teatri, piktura, baleti dhe jo të pretendojë lindjen ose orientin”, ka thënë Poshka gjatë intervistës.

Këngëtari ka premtuar se këtë vit do të sjellë një koncert gala dhe një album të ri, por edhe një libër me poezi. (Balkanweb)

SHPIRTI "i shenjtë"!

Kemi diskutuar shumë shpesh rreth konceptit "Shpirt", zakonisht nisur me natyrën e tij, kur ai krijohet, kur vdes nëse vdes dhe a ekziston realisht shpirti, apo është vetëm një term letrar për të shprehur ndërgjegjen njerëzore.
Pjesa më e madhe e njerëzve janë plotësisht të bindur që shpirti ekziston dhe pas vdekjes tonë fizike, ai largohet prej trupit tonë dhe shkon gjetiu, duke ekzistuar kështu përgjithmonë.
Natyrshëm, që pjesa më e madhe e atyre që besojnë se shpirti ekziston dhe pas vdekjes tonë ç'lirohet prej trupit, i lirë, e lidhin atë pashmangërisht me pasjetën, përjetësinë, ferrin, apo parajsën, ashtu siç mendohet se propogandojnë edhe vetë librat e shenjtë fetarë.
Sot, fare rastësisht më bie një libër fetar në duar, që citonte pikërisht nga Bibla Ezekiel 18:20, nga versioni i autorizuar i Mbretit Xhejms që i ka fillesat nga vitit 1604.
Shprehimisht Ezekiel 18:20 thotë: "Shpirti i mëkatarit do të vdesë".
http://www.biblegateway.com/passage/?search=Ezekiel+18%3A4%2CEzekiel+18%3A20&version=KJV

Tani, duke menduar se po sipas dogmave fetare thuhet shprehimisht se të gjithë njerëzit janë mëkatarë, atëherë rrjedhimisht shpirti i të gjithëve do të vdesë, e që detyrimisht, parajsa do të mbetej një vend i lulëzuar, por i shkretë.

Versioni zyrtar i Biblës nga Mbreti Xhejms, http://en.wikipedia.org/wiki/Authorized_King_James_Version ka qenë në fuqi deri në vitin 1970. Pikërisht pas këtij viti, Bibla vjen në një variant të ri, i cili quhet "Versioni i Ri Ndërkombëtar", e cili ka futur minimalisht 8 herë duart në shkrimet e Biblës, madje përpunimi i fundit ishte i vitit 2011.
http://en.wikipedia.org/wiki/New_International_Version

Dhe pikërisht në Versionin më të fundit, Ezekiel 18:20 nga "Shpirti i mëkatarit do të vdesë", kishte shkuar në formën "Ai që do të mëkatojë, është ai që do të vdesë".
http://www.biblegateway.com/passage/?search=Ezekiel+18%3A4%2CEzekiel+18%3A20&version=NIV

Së pari, nëse ne i trajtojmë shkrimet e shenjta si të shenjta, nuk ka asnjë arsye të shëndoshë që të na justifikojë ndërhyrjet e mëtejshme në to dhe së dyti edhe sipas rishikimit të këtij vargu, (i cili i ndryshon komplet idenë), përsëri nuk është shmangur absurdi logjik, pasi ne e dimë mirë që çdokush do mëkatojë, ashtu siç dimë që çdokush do të vdesë.

Vazhdimi i Ezekiel 18:20 thotë se fëmija nuk do të marrë fajin e prindit ashtu si as prindi nuk do ndëshkohet për fajin e fëmijës.

Dakord more zotërinj, shumë dakord, po përse vallë atëherë u dënua i gjithë njerëzimi, për atë të shkretë mollë që hëngri Adami mijëra vjet më parë?

Shkroi: Stop Injorancës !

Pse duhet të dhurojmë gjak ?



Të dhurosh gjak do të thotë të japësh shpresë, të shpëtosh jetë ! Nëse secili do të pyesë veten se cfarë po bën duke dhuruar gjak, do të kishte një përgjigje pa ekuivok :“Bëj atë që do të dëshiroja ta bënin të tjerët nëse vetë do të kisha nevojë për gjak”.

Gjaku është jetik. Gjaku nuk mjafton kurrë. Ai kërkohet në cdo kohë për përdorim të menjëhershëm.

-Në vendin tonë nevojat për gjak janë rreth 30.000 njësi gjak ndërkohë që mblidhen rreth 20.000 njësi.
-Janë rreth 300 pacientë me talasemi që marrin gjak çdo muaj, pa llogaritur të aksidentuarit që kanë nevojë urgjente për gjak apo pacientët që kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.

Një ditë mund të kemi të gjithë nevojë për gjak. Në cdo rast emergjence duhet të ketë gjak, asnjë lloj mjekimi nuk mund të zëvëndësojë transfuzionin e gjakut , kur ai është i nevojshëm. Gjaku për transfuzion merret vetëm nga njeriu. Ai nuk mund të prodhohet artificialisht.

Gjaku, lëngu i jetës

Gjaku përbën 7-8% të peshës së trupit. Në organizmin e njeriut të rritur ka gjithsej 5-6 litra gjak. Rreth 40-50% e gjakut perbëhet nga rruazat e kuqe që janë mbartës të oksigjenit. Pjesa që ngelet (55%-60%), është plazma që përmban një pjesë të vogël rruazash të bardha, faktorët e koagulimit dhe trombocitet.
Rruazat e kuqe të gjakut prodhohen në palcën e kuqe të kockës e dalin në qarkullim ku qëndrojnë 120 ditë, pastaj shkatërrohen kryesisht në shpretkë dhe zëvëndësohen me eritrocite të reja që prodhohen.
Rruazat e bardha luajnë rol mbrojtës.
Pllakëzat e gjakut luajnë rol në mpiksjen e gjakut e në ndalimin e rrjedhjes së gjakut.
Të gjithë komponentet e gjakut mund të përdoren dhe secili prej tyre luan një rol të rendësishëm në shpëtimin e jetës së individëve.

Për më tepër: http://www.kksh.org.al/index2.php?f=details&id=26&n=con&mnu=19

Dita kur në Shqipëri vdiq qytetaria

22 janar 2011-të!

Rrëfehet prostituta: Gratë duhet të ma dinë për nder


Rebecca Dakin, 37 vjeçare, nga Britania e Madhe, ka vendosur të shkruajë një libër për eksperiencat e saj si prostitutë.
Për nëntë vite me radhe ajo ka punuar si escort girl dhe tani thotë se gratë duhet t’ia dinë për nder.

© Rebecca Dakin
“Nëse burri juaj nuk po kërkon më seks nga ju, atëherë ai do e kërkojë atë diku tjetër. Ai nuk do e pranojë një martesë pa seks.Jam e sigurt se gratë e dinë se burri i tyre po i tradhton, por janë të lumtura sepse nuk duan që të bëjnë seks me të.
Ato ndoshta ndjehen të liruara dhe vendosin të bëjnë një sy qorr. Madje ka shumë gra që ndjehen mirë që ka prostituta vërdallë,” thotë ajo.
Ajo thotë se prindërit e dinin për karrierën e saj.
Gjithçka nisi kur ajo ishte 25 vjeç.
Madje ajo thotë se fitonte deri në 1400 sterlina për një sesion.
“Banka më dha direkt kredi sapo mori vesh që punoja si escort girl,” rrëfen ajo.
Sipas saj, arsyet se përse meshkujt tradhtojnë janë nga më të ndryshmet.
Gjatë karrierës së saj ajo ka shkuar me 900 meshkuj të ndryshëm dhe thekson se nuk duhet parë kurrë bardh e zi tradhtia e meshkujve.
Sipas saj, shumica e meshkujve me të cilët dilte, ishin të martuar ose kishin të dashura.
Për çudi, shumicën e punës e kishte ditëve të Shën Valentinit.
Madje njëherë ajo tregon se ishte duke bërë seks në hotel me një burrë të martuar. Pasi mbaruan, ai porositi shampanjë dhe çarçafë të pastër poshtë, pasi për 30 minuta do i vinte gruaja.
“Isha shumë e zemëruar,” thotë ajo.
Klienti i saj i preferuar ishte një 70- vjeçar. Ajo thotë se më shumë se seks, ata kishin një miqësi.
“Ai ishte i martuar, por nuk flinte me të shoqen, pasi ajo thoshte se ai gërhiste. Ai ishte pronar fabrike dhe shpenzonte mijëra sterlina për rroba e bizhuteri për mua. Më pëlqente se ishte shumë i dashur dhe i respektueshëm,” thotë ajo.
Prej tre vitesh ajo e ka lënë këtë zanat, edhe pse thotë se ndonjëherë ia ka nevojën parave të shpejta.
Por tani po shkruan libra dhe jep këshilla për marrëdhëniet.
“Disa gra e kanë problem që u jap këshilla, por kjo është puna që bëj sepse kam eksperiencë me 900 meshkuj. E di se si njerëzit mund të ruajnë një marrëdhënie”. G. Tema