Monday, February 25, 2013

Jeta është e bukur, kur je një Tardigrad

Tardigradët, të njohurit gjithashtu si arinjtë e ujit për mënyrën si ngrihen vertikalisht me 8 këmbët e tyre dhe të zbuluar fillimisht në vitin 1773, dallohen si krijesa që mund të mbijetojnë në kushtet më ekstreme të jetës në Tokë.
Tardigradët mund ti rezistojnë temperaturave nga −273 °C deri në 151 °C.
Mund ti mbijetojnë presionit të ujit në thellësirat më të mëdha oqeanike dhe i kanë mbijetuar me sukses provës së 2007-ës, në vakum, jashtë hapësirës për ditë me rradhë.
Mund ti mbijetojnë radioaktivitetit diellor, rrezeve gama, rrezatimit jonik - në një dozë 100-fish më të madhe se ajo që mundet të vrasë një qenie humane.
Mund të jetojnë gjithashtu afro 10 vjet pa ushqim dhe pa ujë.

Përgjithsisht, gjatësia e tyre është 1 milimetër kur ata janë të rritur. Fosili më i vjetër i Tardigradit shënon një moshë prej 530 milion vitesh.
Gjenden në Himalaje, në thellësi detare deri në 4000 metra dhe në polet e ngrira.

Përgatiti: Stop Injorancës !

Qytetari përballë politikës


Përmes mospërfshirjes në politikë, rrezikon të drejtohesh nga të paaftët - thoshte një filozof i lashtë "grek".

Duke ndjekur për gjithë këto vite diskutimet e qytetarëve shqiptarë rreth politikës, 3 grupet më të mëdhaja të dukshme janë:

a.) Indiferentët
Ata që qëndrojnë totalisht indiferent ndaj politikës dhe nuk njohin asnjë personazh, datë apo ngjarje politike. Këta kryesisht e quajnë veten sot "artistë"

b.) Militantët
1. Të moderuarit
Këtu bëjnë pjesë qytetarët që kur partia mëmë bën ndonjë lëvizje kryekëput të gabuar, me dhimbje zgjedhin të heshtin
2. Radikalët
Këtu bëjnë pjesë qytetarët që s'kanë pse mendojnë pasi për ata mendon partia dhe gjithçka mendon partia është ajo e sakta apo e duhura. Këta zakonisht nuk mund të artikulojnë opinionet e tyre pa dëgjuar më parë drejtëpërsëdrejti deklaratat e liderit të tyre shpirtëror, apo nëpërmjet zëdhënësve për shtyp.
Pastaj kthehen si me magji në papagaj të shkëlqyer.

c.) Të papërgjegjshmit
Këtu bëjnë pjesë qytetarët që i shajnë të gjithë dhe i japin hapësirë politikës më të keqe, pasi të mos kuptosh ndryshimet dhe ti fusësh të gjithë në një thes, është një gjest antidemokratik, që legjitimon pikërisht politikanin mё tё pamёshirshëm, atё qё ka mё pak rregulla, atё qё ka mё pak skrupuj.

P.s Ata që nuk bëjnë pjesë tek grupimet e mësipërme janë pjesa gri, qytetarët që votojnë për ndëshkim dhe i ndryshojnë me elasticitet të plotë bindjet e tyre partiake duke u nisur prej politikbërjes, por duke qenë se janë në minorancë, nuk vlen të konsiderohen në studim.

Shkroi: Stop Injorancës !

Demokracia e 20 shkurtit të 1991-shit


Turma të mëdha njerëzish mblidhen në Sheshin Skënderbej dhe rrëzojnë Monumentin e Liderit të ndjerë Enver Hoxha.
Gjatë këtyre përleshjeve mes protestuesve dhe forcave të rendit, të regjimit më të egër diktatorial që kishte njohur ndonjëherë Europa, nuk pati asnjë të vrarë...
Ishte koha e diktaturës!
Forcat e rendit asokohe godisnin me plumba manovër, ndërsa protestuesit nuk ishin pajisur ende me stilolapsa-pistoletë e çadra-pushkë!

Thuhet se atë ditë me heqjen me kavo dhe tërheqjes zvarrë të atij monumenti të bronxtë, në Shqipëri erdhi LIRIA.

Pastaj me këtë liri shkatërruam, vodhëm, shitëm, shpërdoruam gjithçka ishte ndërtuar ato 45 vite dhe sot e kësaj dite kur mblidhemi nëpër sheshe, thërrasim përsëri "Liri Demokraci"!

Shkroi: Stop Injorancës !

SHIK-u vrau Remzi Hoxhën si ‘agjent serb’


Gjykata zbardh vendimin: SHIK-u vrau Remzi Hoxhën si ‘agjent serb’
Po kështu hidhet dritë mbi supozimet se Hoxha-Kristopulli-Loshaj mund të kishin lidhje me atentatin ndaj Presidentit maqedonas, Kiro Gligorov. Më poshtë “GSH” publikon pjesë të vendimit të Gjykatë së Krimeve të Rënda.


REMZI HOXHA PËRGJOI TAKIMIN MILLOSHEVIÇ - BERISHA!

Për më tepër: http://www.albaniapress.com/indeksi?p=lexo_lajmin&id=9893

AK proteston para zyrave të Spiro Kserës, policia arreston aktivistin


Aleanca Kuq e Zi zhvilloi një protestë pranë Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale kundër ministrit Spiro Ksera duke e akuzuar se “ushtron aktivitet antishqiptar në bashkëpunim me nazistët e “Agimit të Artë”, të cilët i paguan prej vitesh si këshilltarë të tij”.
Aktivistë të Aleancës Kuq e Zi kanë vendosur në dyert e ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale flamurin e “nazistëve grekë” në shenjë proteste.
Aktivisti i Aleancës Kuq e Zi, Thanas Kosta, u arrestua nga policia, që sipas AK tregoi se i shërben më mirë neonazistëve të “Agimit të Artë” se sa kombit shqiptar”.
“Aleanca Kuq e Zi është këtu sot për të protestuar kundër tradhtarit Spiro Ksera dhe këshilltarëve të tij nazist të cilat paguhen nga taksat e shqiptarëve dhe që vetëm kundër shqiptarëve punojnë ditë e natë,” tha përfaqësuesi i AK, Augent Xhaferaj.
“Spiro Ksera, ky zyrtar i qeverisë së shtetasit Sali Berisha paturpësisht vijon të heshtë ndaj aktit tradhtar dhe të dënueshëm ligjërisht të financimit të organizatave që punojnë kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve, madje që synim kryesor kanë destabilizimin e Republikës së Shqipërisë”.
Tradhtari Spiro Ksera duhet të hetohet penalisht nga Prokurori i Përgjithshëm pasi ka paguar dhe vijon të paguajë Theofan Kaliviotin si këshilltar të tij personal, ndërkohë që Kalivioti vijon të marrë pjesë në protesta për pavarësinë e të ashtuquajturit “Vorio Epir”.
Kjo qeveri ka degraduar dhe sot që ne flasim ajo mbahet në këmbë nga nazistët e “Agimit të Artë”, të cilët punojnë brenda zyrave të ministrisë së punës së shqiptarëve. Sali Berisha ka humbur çdo logjike dhe arsyetim pasi ai e di që nuk gëzon mbështetjen e shqiptarëve prandaj është bërë bashkëpunëtor i nazistëve të “Agimit të Artë”.
Është turp kombëtar që shtetasi Sali Berisha mban në qeveri dhe mbron pa ju nxirë faqja Spiro Kserën, i cili duhet shpallur TRADHTAR i KOMBIT SHQIPTAR. Nazistët e “Agimit të Artë” nuk do të kenë vend në qeverinë e ardhshme kuq e zi, e cila do t’i japë koalicionit të tradhtarëve goditjen e merituar më 23 qershor”. Burimi: Tema http://www.gazetatema.net/web/2013/02/22/ak-proteston-para-zyrave-te-spiro-kseres-policia-arreston-aktivistin-foto/

Patra, 3 shqiptarë rrahin dhe i thyejnë nofullën grekut të “Agimit të Artë”


Tre shtetas shqiptarë kanë rrahur për vdekje duke i thyer nofullën një shtetasi grek, simpatizant i partisë neonaziste greke "Agimi i Artë". Arsyeja e përleshjes është bërë një koment i të riut grek kundër shqiptarëve në "Facebook", i cili kishte shkruar "Do t'i vras shqiptarët" etj. Komenti i tij ishte shkruar në murin e profilit të "Facebook"-ut të "Agimit të Artë". Lajmi është publikuar në agjencinë greke "I Neës". Ngjarja e rëndë ka ndodhur në qytetin e Patras. Në qendër të këtij qyteti, dy grupe të rinjsh me etni shqiptare dhe greke janë konfliktuar midis tyre, dhe më pas kanë kaluar në dhunë fizike e për pasojë një djalosh grek ka mbetur i plagosur. Shqiptarët e kanë parë të riun grek në rrugë dhe e kanë njohur nga fotoja e tij në "Facebook".

 Ata e kanë ndaluar dhe e kanë pyetur: "Ti je ai që do vrasësh shqiptarët?" Më pas ata e kanë rrahur të riun grek dhe janë larguar. Greku ka përfunduar në spital me nofullën të thyer dhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Familjarët e tij janë drejtuar menjëherë në rajonin e policisë për të bërë denoncimin. Autoritetet greke i kanë identifikuar shqiptarët nëpërmjet fotove dhe kanë zbuluar se njëri prej tyre ishte me precedentë penalë, pasi më parë ishte përfshirë në një tjetër konflikt. Çështja ka kaluar në Prokurori, por i riu shqiptar që akuzohet se ka kryer agresionin po hetohet në gjendje të lirë, pasi është në moshë të mitur. Kjo ngjarje vjen pas një periudhe të acaruar të shqiptarëve kundrejt përfaqësuesve të partisë neonaziste greke, e cila nisi fill pas deklaratave të forta kundër Shqipërisë të Kristos Papas në emisionin "360 Gradë" në 'Neës 24'. Pasi Kristos Papas u shpall nga Ministria e Jashtme si "non grata", u përfol që "Agimi i Artë" ka hapur degë në jug të vendit, mirëpo këto zëra nuk u konfirmuan asnjëherë. Nuk ka asnjë njoftim zyrtar, por persona që e quajnë veten përfaqësuesit e degës së "Agimit të Artë" në Sarandë, më 30 janar të këtij viti, kanë hapur në rrjetin social një profil me emrin "Agimi i Artë-Sarandë". Kohë më parë, "Agimi i Artë" njoftoi në faqen e tij zyrtare, se do të hapë degët e tij në jugun e Shqipërisë, por për hapjen e degës së tij në Sarandë, nuk ka një njoftim zyrtar nga qendra e partisë në Athinë, ndaj nuk përjashtohet mundësia që këtë profil ta ketë hapur një simpatizant i ekstremistëve. Faqja është e mbushur me simbole të "Agimit të Artë" dhe Vorio-Epirit, me foto figurash politike, historike etj. Çdo postim në faqen e internetit bëhet në gjuhën greke. Aty njoftohet hapja e degës në Sarandë dhe paralajmërohet përhapja e kësaj partie edhe në zona të tjera të jugut të Shqipërisë. "Zemra greke do rrahë në zyrat tona të reja në Sarandë, dhe së shpejti në Himarë, Delvinë, Tepelenë dhe Gjirokastër.

E dimë se kjo rrugë është e vështirë dhe e mbushur me rreziqe, por nuk frikësohemi, sepse kemi mësuar që për lirinë të japim edhe jetën", thuhet në një nga postimet në faqe. Partia neonaziste "Agimi i Artë", me një mbështetje gjithnjë në rritje në Greqi deri në 9.7%, shquhet për retorikën e saj të ashpër për të huajt dhe emigrantët shqiptarë në veçanti, por edhe për qëndrimet e saj mbi të ashtuquajturin Vorio-Epir dhe historinë e Shqipërisë e shqiptarëve.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Kemi studentë që nuk dinë të shkruajnë emrin e tyre


Shkrimi jo korrekt i gjuhës shqipe nga studentët, apo mosdija elementare mbi gjuhën amtare, ka sjellë edhe njëherë në vëmendje misionin e madh për futjen e gjuhës të paktën si lëndë me zgjedhje në fakultete.  Dhe jo vetëm në profile ku janë të nevojshme njohuritë por edhe në degë të cilat edhe pse nuk e kanë kusht parësor të formimit, e shikojnë të nevojshme rikthimin e leksioneve të gjuhës. Në disa fakultete mësimi i Gjuhës Shqipe do të nisë të futet si kurrikulë semestrin e dytë. Fillimisht si lëndë me zgjedhje. Ndërkohë që për të tjera do të nisë nga praktikimi vitin e ri akademik. Pedagogët janë me duar të lidhura. Ata ia faturojnë të keqen edukimit të mangët në ciklin 9-vjeçar dhe atë të mesëm. Tezat e provimeve, detyrat e kurseve, janë dëshmia më trishtuese e nivelit të gjuhës shqipe te studentët e sotëm. Alfred Mullaj, pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, tha se futja e Gjuhës Shqipe si lëndë me zgjedhje është domosdoshmëri pasi ata nuk dinë të shprehin qartë në të shkruar idetë e tyre. Madje kanë probleme të rënda në formulimin e fjalive. “Duhet të forcohet kërkesa në shkollë të mesme. Por, për momentin për vetë problematikën që kemi duhet të futet si domosdoshmëri në universitet. Duke iu referuar fletëve të provimit, pothuajse gjysma e studentëve nuk dinë të shkruajnë. Ata shkruajnë fjali të ndërtuara jo mirë, kanë probleme me anën kuptimore etj. Mbi bazë të atyre që shkruajnë ne e kuptojmë se cilat janë njohuritë e tyre dhe mangësitë që kanë.”Kjo kategori, përbën pjesën më të madhe të studentëve. Prandaj, këtë vit është parë e domosdoshme që Universiteti i Tiranës, në bashkëpunim me Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë dhe Departamentin e Gjuhës Shqipe, ta merrnin këtë nismë për të hartuar tekstin si edhe për të rishikuar mënyrën se si mund të funksionojë Gjuha Shqipe në fakultete. Shezai Rrokaj, dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, informon Gjuha Shqipe do të përfshihet në Fakultetin e Ekonomisë në vitin e ri akademik. Mbetet për t’u parë zgjedhja që do të bëjë Universiteti i Mjekësisë, i cili më herët kishte premtuar që do ta bënte pjesë të kurrikulës së universitetit. Për mësimin e Gjuhës Shqipe do të punësohen pedagogë nga dega e Gjuhësisë. Lënda e re do të njihet si “Kulturë gjuhe”, e cila synon marrjen e rregullave bazë nga studentët. Çdo degë ka një program bazë të gjuhës dhe pjesa tjetër është specifike në përshtatje me degën. Me studentët e juridikut do t’i kushtohet rëndësi e veçantë pikësimit, veç drejtshkrimit. Kjo sepse në fushën e drejtësisë është shumë e rëndësishme çdo shenjë gjuhësore. Mungesa e një presjeje është po aq e rëndësishme sa edhe një fjalë e hequr. Në disa degë të tjera do t’u kushtohet rëndësi modeleve të fjalëformimit dhe pasurisë leksikore të shqipes, që do t’i ndihmojë studentët të shmangin huazimet e tepërta.
Murat Xhulaj
 “Në fletoret e provimeve e shkruajnë emrin me të vogël”
Prof. Dr. Murat Xhulaj, pjesë e senatit të UT-së shprehet se pjesa më e madhe e studentëve nuk dinë të shkruajnë as emrin e tyre. “Unë jam i mendimit që Gjuha Shqipe të futet në Universitet. Po të shohësh fletoret e provimeve edhe emrin e tyre e fillojnë me shkronjë të vogël dhe e përfundojnë me të madhe.” Profesor Xhulaj thekson se kjo situatë duhet të ishte zgjidhur që në sistemin 9-vjeçar ose të mesëm. Ai thekson se të gjithë studentët duhet ta zgjedhin lëndën e Gjuhës Shqipe, sepse edhe ata që janë të mirë kanë nevojë për rifreskim të njohurive bazë. “Nuk e di ku është defekti, por vijnë shumë të dobët. Ata nuk do të bëjnë një kurs të hollësishëm, por duhet ta rikujtojnë. Duhet të forcohen kërkesat për njohjen e gjuhës.”.
Theodhori Karaja
“Gjuha Shqipe, lëndë me detyrim për studentët e Fizikës”
Prof.Dr, Theodhori Karaja, përgjegjës i Departamentit të Fizikës, tha se për studentët e këtij departamenti, Gjuha Shqipe do të futet si lëndë me detyrim.“Ne e kemi planifikuar sipas porosisë së UT –së në lëndët me zgjedhje. Kemi një grup me katër lëndë me zgjedhje, ndër të cilat Gjuhën Shqipe, të cilën ta vendosim me detyrim. Do ta fusim të detyruar për të gjithë studentët, pasi është fjala për një kulturë të përgjithshme që i takon shkollës së mesme dhe ata nuk i kanë njohuritë e mjaftueshme” Kur e pyesim nëse do të ketë efekt futja e saj në kurrikulat e arsimit të lartë, ai thekson se ka besim se futja e gjuhës në universitet do të japë efekte pozitive. Nëpërmjet gjuhës studentët do të marrin kulturën bazë, e cila është detyrim që çdo specialist duhet të dijë të shkruajë. Emanuela Sako - G. Shekulli

Pirja e Coca- Colas i solli vdekjen 30- vjeçares


Një mjek ligjor tha se një grua në Zelandën e Re vdiq pasi konsumonte sasi të mëdha Coca- Cola.
Sipas BBC, Natasha Harris, që vdiq tre vite më parë nga një arrest kardiak, pinte deri në 10 litra nga kjo pije në ditë.
Kjo sasi është sa dy herë limiti i kafeinës dhe më shumë se 11 herë limiti i sheqerit që duhet të marrë një trup njerëzor.
Coca- Cola ka kundërshtuar duke thënë se nuk mund të provohet se produkti i tyre ka kontribuar në vdekjen e saj.
Familja e Harris thotë se ajo u bë e varur nga Coca- Cola dhe niste e dridhej në rast se nuk e merrte pijen e saj të preferuar.
Për shkak se pinte shumë Coca- Cola, dhëmbët e saj ishin dëmtuar plotësisht.
Mjeku David Crerar tha se konsumi i Coca- Cola-s i ka sjellë asaj aritmi kardiake.
Ai tha se kompania nuk mund të jetë përgjegjëse për këtë ngjarje, por bëri thirrje që në etiketa të vihet një paralajmërim për risqet nga kjo pije.

Shqiptarët mund të akomodohen në BE si një shtet i vetëm

Mqs sot është 5-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, mendojmë se vlen të sjellim deklaratën bombastike të para 3 ditëve të kryeministrit H. Thaçi ndaj Brukselit.


Ju e dini se në kohën e Jugosllavisë, shqiptarët i kanë trajtuar si qytetarë të kategorisë së dytë.
Për fat të keq ka ende burokratë në Bruksel, që i trajtojnë shqiptarët me nostalgjinë e Jugosllavisë apo të Titos apo të Serbisë.


Kjo është e vërtetë dhe e them me përgjegjësi të plotë si kryeministër i Republikës së Kosovës, diçka që po e bëj publike dhe që e kam bërë edhe në takime të mbyllura me zyrtarët e Brukselit edhe në Prishtinë edhe në Bruksel ku disa prej jush jeni edhe dëshmitarë.
Prandaj e them se justifikimet e Brukselit janë të pa qëndrueshme dhe të pajustifikueshme për procesin e liberalizmit për Kosovën”.

Problemi i liberalizimit të vizave nuk qëndron në Prishtinë, por tek qëndrimi i padrejtë politik dhe mos uniteti i vendeve të BE-së për sa i përket statusit të Kosovës.

Tash kritere mund të sillen shtesë e shtesë për të justifikuar mosgatishmërinë e tyre për vendim, por edhe këto kritere do të plotësohen në afat rekord.

Në qoftë se vazhdon Brukseli me një politikë të padrejtë ndaj Kosovës, alternativa e vetme e shqiptarëve, është si një shtet i vetëm në Bashkim Evropian.

“Dëshiroj të theksoj se shqiptarët në rajon kanë fituar liberalizimin përmes shteteve të ndryshme dhe kjo e padrejtë, nuk janë 15 muaj, por është një shekull i tërë i padrejtësive, jo me fajin tonë, ju e dini shumë mirë.
Por në anën tjetër gjithashtu duhet të mendohet se nëse vonohet dhe vazhdon të sillet kështu Brukseli, atëherë shqiptarëve nuk ju mbetet tjetër alternativë veç të akomodohen në Bashkimin Evropian më së miri dhe më së lehti si një shtet i vetëm.

Edhe Brukseli më në fund duhet të sillet edhe në atë se çka bëjmë, por nuk duhet të sillet në se kush jemi” Hashim Thaçi

Kosova si zemër e Serbisë është një përrallë që rrëfehet për të përkundur budallenjtë


Shkrimtari i rikthehet me një “sprovë letrare” historisë dhe mitologjisë së këtij vendi të vogël – antik, i trazuar, i harruar nga Europa - që është i tiji: Shqipëria. Për të thuhet se është i errët, lunatik, i humb durimi me budallenjtë. Nuk gënjejnë. Ismail Kadare di edhe të jetë i ngrohtë, i gëzuar, ironik e i këndshëm. Është shpifur rreth tij për një kohë të gjatë, jashtë dhe brenda vendit të tij, është akuzuar dikur (ndonjëherë nga të njëjtët!) për “modernizëm”, për “antisocializëm” dhe pastaj për “nacionalizëm”. Ai u ka ikur gjithmonë kategorive ku e vendosnin. As shkrimtar zyrtar, as disident, sot ai u ka mbyllur gojën të gjithë përndjekësve të tij. Në krah të Philip Roth ose Haruki Murakami në listën e shkrimtarëve kandidatë për ‘Nobel’, Ismail Kadare, 77 vjeç, mbetet një autor i paklasifikueshëm dhe enigmatik. Është një bir Homeri që ka shkruar Iliadën me bojën e Orwell ose Huxley. Vepra e tij – madhështore, paralajmëruese, muzgore, flet për të. Më tepër se 100 libra, ndër të cilët rreth 40 të botuar në frëngjisht – një Komedi Hyjnore në erën e stalinizmit. Thoni Shqipëri dhe mendja ju shkon menjëherë te “Kadare”; shohim të valëvitet shqiponja me dy koka, emblema kombëtare ndërmjet djallit (Enver Hoxha) dhe ikonës (Nënë Tereza). Kadare ka mishëruar, dhe kjo ndonjëherë kundër dëshirës së tij, ndjenjën e fajit të Shqipërisë, skllave dhe zonjë në të njëjtën kohë; Koha nuk i ndan të gjallët nga të vdekurit. Historia është populluar nga fantazma dhe nga krime që i rivizitojnë njerëzit: udhëtohet ndërmjet qiellit dhe tokës – madje dhe nën tokë, sikur Zhyl Verni të kishte njohur Plutonin. Gjithçka fillon nën shi dhe në baltë, gjithçka përfundon me erën, në një vjeshtë të përjetshme, a thua autori u mohon heronjve të tij ëmbëlsinë e një vere. Libri i tij i ri (Mosmarrëveshja, La discorde në frëngjisht, botimet Fayard), është një ese njëherazi kritike dhe satirike, ku ai na rrëfen peripecitë e një kombi të përçmuar nga Europa: Shqipëria. Me këtë rast, ai na priti në shtëpinë e tij, në Quartier Latin, ku jeton që prej vitit 1990.
Frederic Ferney: Si mund të jesh shqiptar?
Ismail Kadare: Sa për këtë, edhe unë vras mendjen! E dini se çfarë shkruante në shekullin II një autor latin, në Nuits attiques: “Në fund të botës, ndodhet një vend i quajtur Shqipëri, ku lindin burra të cilëve u zbardhen flokët që fëmijë dhe që shohin më mirë natën se ditën…”
Nuk është shumë e gëzueshme…
Çfarë t’i bësh fatit, atje u linda!
Ju vetë thoni për Shqipërinë: “Është një vend heroiko-absurd”
Dhe përsëri jam treguar modest! Shqiptarët i janë nënshtruar zgjedhës turke dhe gjuha e tyre kombëtare ka qenë e ndaluar për 5 shekuj. Gjatë shekullit XX, ata përjetuan, njëra pas tjetrës, republikën, monarkinë, pushtimin hitleromusolinian, komunizmin stalinist dhe maoist – një nga më të këqijtë që ka ekzistuar ndonjëherë. Shqipëria është një vend me histori të gjatë dhe tradita; qoftë brenda vendit, qoftë me pushtuesit tanë apo me fqinjët që kanë dashur të sillen si të tillë, përballjet për pikëpamjet janë zgjidhur, për një kohë të gjatë, me armë dhe me kufoma të dergjura anëve të ndonjë lumi!
Nga e ka origjinën urrejtja shekullore e serbëve dhe shqiptarëve?
Ah, kjo… fillon që në shekullin VIII dhe IX, kur pushtuesit sllavë, të ardhur nga stepat e Uraleve, ushtruan mbi shqiptarët një trysni që tkurri territoret e tyre. Pati luftëra pa fund. Sllavët pushtuan përkohësisht Kosovën dhe një pjesë të Shqipërisë, pa arritur ta shkatërrojnë këtë vend të vogël që i ndan nga Adriatiku. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjermanët çuditërisht donin të bënin për vete shqiptarët dhe, akoma më e çuditshme, i klasifikuan ndër “racat superiore”. Ata donin që shqiptarët të kishin nën Rajhun e tretë, të njëjtin pozicion si nën Perandorinë Otomane. Ata bashkuan Kosovën me Shqipërinë. Nuk është nevoja t’ua them se nuk na leverdis t’ia dimë për nder Hitlerit këtë bashkim të përkohshëm. Historia e Shqipërisë është e mbrujtur me aleanca të tradhtuara, me pashallarë me koka të prera, mekalorës mizorë, me masakra, me mesha. Çfarë thesari për një autor romanesh! Ndikimi i Perandorisë Otomane në Shqipëri është i pamatshëm, është një trashëgimi tragjike, groteske, burokratike, që at’herë totalitare, që ka rënduar mbi ndërgjegjet dhe ka ravijëzuar mentalitetet më fort se komunizmi. E dini, ka ende nostalgjikë për gjumin e thellë turk! Por, e vërtetë, është një rezervuar mitesh, heronjsh, tradhtarësh. Një thesar për letërsinë shqiptare që kumbon nga thirrjet dhe betimet për besnikëri ndaj Nënës Shqipëri, nga premtimet e ujitjes së saj me gjak, nga këngë të pasionuara ku ëndërrohet çlodhja mbi gjirin e saj. Por të gjitha këto himne të zjarrta, thjeshtmaskojnë realitetin: robërimin, diasporën, mërgimin. Kjo është e kaluara… Posi, vetëm me fjalë! Në shqip, numërojmë nga 2 në 5 në latinisht, më pas në turqisht, më pas në sllavisht, por shifra “1” thuhet njëlloj si para tre mijë vjetësh. Është një gjuhë më e vjetër se gjuha e Homerit.
Si mund ta harrojmë të kaluarën?
Ajo që europianët kanë harruar, është se Shqipëria është një zgjatim mitologjik i Romës dhe Greqisë.
Sot Shqipëria është një republikë parlamentare demokratike dhe përfaqësuese që aspiron të pranohet në Bashkimin Europian, apo jo?
Le të themi: një republikë e ngatërruar dhe e korruptuar, që ëndërron Europën, por që, për fat të keq, komuniteti europian nuk ka pikën e dëshirës për ta pritur krahë hapur.
Kush është ky Skënderbeu që e kërkojnë shumë vende si hero kombëtar dhe që ka ngjallur kaq shumë grindje?
Është pak si Karli i Madh ose Rolandi për ju. Do të më duheshin orë të tëra për të shpjeguar arsyet e qarta ose të errëta të grindjes për këtë përkatësi të lashtë ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. Druaj se, për një francez do të jetë po aq e paqartë sa luftërat Pikrokroline te Rabelais, ose grindjet midis Gelfëve dhe Gibeli-nëve te Dante. Për shembull, në vitin 1999, gjatë luftës në Kosovë, mbajta një ditar (i botuar me titullin Ra ky mort e u pamë, botimet Fayard). Gjithçka filloi nga një shkrim në Le Courrier International, që i dha shkas një polemike të egër në faqet e periodikut nju-jorkez Illyria. Titulli i tij ishte: “Nëna e Skënderbeut ishte sllave”.
Ju vjen për të qeshur?
Kaq mjaftoi për t’i çmendur njerëzit dhe për t’u trajtuar, reciprokisht, si tradhtarë dhe fashistë. Në atë kohë, ishte kulmi i fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi Serbi. Natyrisht, faturën e paguan shqiptarët e Kosovës. Hakmarrja serbe është e papërfytyrueshme: foshnja të shkuara në thikë, gra të përdhunuara, shtëpi të djegura, dëbime masive. Një makth!
Pse serbët treguan kaq tërbim kundër Kosovës?
Pa dyshim, ata donin të hakmerreshin ndaj dënimit të Europës dhe Aleancës Atlantike. Argumenti më i vjetër i propagandës së tyre është se Kosova qenka djepi historik i Serbisë dhe “serbizmit”.
Po si qëndron puna?
Është një përrallë që rrëfehet për të përkundur budallenjtë. Për ta, Kosova është shpirti i pavdekshëm dhe origjina e Serbisë! Për ta, është lugthi ku filloi gjithçka dhe ku do të përfundojë gjithçka; është një kauzë e shenjtë, gjë që, sipas tyre, justifikon kryqëzatat dhe spastrimin etnik. Kosova qenka serbe jo vetëm prej varrezave, manastireve, fshatrave, por për më tepër, Skënderbeu, heroi kombëtar i shqiptarëve, qenka edhe ai serb! Më kujtohet në atë kohë, shkrimtari dhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Duk Draskoviç, më akuzoi se u isha dorëzuar mirazheve të nacionalizmit shqiptar. Sipas tij, ishte e thjeshtë, unë isha në kampin e atyre që kishin vrarë Arkimedin, kishin djegur Xhordano Brunon dhe torturuar Tommaso Campanella, gjë që, edhe ju e kuptoni, është shumë e tepruar! Kur lexon librat tuaj, historia e Shqipërisë është e mbushur me fantazma, me të rikthyer prej botës tjetër, që në të vërtetë nuk janë larguar kurrë. Përktheu për Mapo: Blerta Hyska