Friday, March 28, 2014

"O maaaa"

Ndihmë kur kërkon,
përkrahja kur mungon,


përkëdhelje kur merr,
dashuri kur gjen.

Kur trembesh, habitesh,
dhe këmbën kur vret,
ashtu porsi të gjithë
ti "O maaa", thërret!

Shkroi: Stop Injorancës !

Ferit Rragami: Ndeshjet e Futbollit të Kombëtares së 1986-ës, të shitura

Të humbësh mundësinë për të marrë pjesë në botëror, për një futbollist është si t'i biesh me shkelm jetës. Ta dish që këtë mundësi ta kanë shitur, është sa e dhimbshme dhe absurde. Por për Ferit Ragamin, që të dyja kanë ndodhur në vitin 1985.

Një nga yjet e kombëtares së viteve '78 - '90, tregon dyshimet e tij se dikush nga byroja politike me urdhrat që dha krijoi edhe mundësinë që Shqipëria të humbte dy nga ndeshjet ku vendosej fati i botërorit. Për futbollistin e mirënjohur të Vllaznisë e Partizanit ky është pengu i jetë, diçka që nuk do t'i hiqet kurrë nga mendja. Në intervistë ai tregon se përse dyshon që ndeshja, për një arsye apo një tjetër, u shit. Urdhri për rifreskimin e kombëtares dhe ndryshimet taktike që u imponuan nga lart. Peripecitë e mbrojtësit, që nuk e lejuan të vazhdonte shkollën e lartë sportive, sepse kishte 7 marksizmin. Jeta e tij në fushën e blertë, që nga momenti kur preku për herë të parë topin.
Si u bëtë futbollist?
Pranë shtëpisë sime në Shkodër kishim një fushë futbolli dhe aty kam filluar të luaj që në moshën 6-vjeçare. Më pas, në klasë të katërt fitova në konkurs dhe u futa në shkollën sportive për të vegjël, të cilën e vazhdova deri në moshë të rritur. Madje fitova edhe konkursin për në shkollën e mjeshtrisë sportive në Tiranë, ku bëra të mesmen. Do të doja të kisha vazhduar edhe të lartën e Mjeshtrisë Sportive atëherë, por nuk ma dhanë të drejtën, pasi unë e kisha marksizmin 7 dhe jo 8, sa duhej për të vazhduar të lartën.
A mund të na përshkruani rrugën e karrierës suaj?
E kam filluar me Shkëndijën, klubin e shkollës së "Mjeshtrisë Sportive", në fillim me të rinjtë, më pas me të rriturit në kategorinë e dytë e në kategorinë e parë. Kur nuk arrita të vazhdoja shkollën e lartë, më kaluan te Vllaznia, ku luajta deri në moshën e ushtrisë. Gjatë kohës që isha në ushtri, për 3 vjet luajta me Partizanin. Dua të them se këtu pata një ndihmë të madhe dhe mu dha e drejta që të dilja jashtë e të luaja me kombëtaren e për këtë falënderoj Maliq Salushin dhe Ilir Hoxhën, djalin e udhëheqësit të atëhershëm.
Cila është ndeshja e parë me kombëtaren?
Me kombëtaren jam aktivizuar shpejt në një sërë takimesh. Por ndeshja e parë është ajo kundër Finlandës në 1980, ku ne fituam 2 me 0.
Çfarë mbani mend nga takimet ndërkombëtare që keni luajtur, cili ju ka lënë më shumë mbresa?
Më kujtohet mirë takimi në 1984, me Poloninë, që atëherë mbante vendit e tretë në botë. Ne arritëm të kryesonim takimin deri në minutat e fundit 2 me 1 dhe vetëm 7 minuta para përfundimit polakët barazuan rezultatin në 2 me 2. Kanë qenë dy gola fantastikë ato të asaj ndeshje, një i Omurit dhe një i Agustin Kolës.
http://youtu.be/cg21_Esdyww
Grupi juaj është cilësuar si një nga kombëtaret më të mira?
Më kujtohet se kemi qenë një grup lojtarësh të mirë, nuk dua të mburr askënd, por duke filluar që nga porta me Perlat Mustën, por edhe rezultatet që arritëm ishin shumë të mira. Mendonim atëherë se na duhej vetëm një fitore, që vlerësohej me dy pikë dhe një barazim për të kaluar në botëror dhe dy barazime për t'u përfshirë në fazën e dytë eliminatore.
Çfarë kujtoni nga takimi me Poloninë?
Më kujtohet ky takim, edhe pse ishte deciziv. Ky ka qenë momenti që kombëtarja jonë ishte më pranë kualifikimit për në botëror. Madje, mbaj mend që atje takuam edhe trajnerin e Belgjikës, i cili kishte ardhur të shihte gjendjen e dy kundërshtarëve. Ka qenë një episod me këtë të fundit, pasi erdhi në hollin e hotelit ku ndodheshim ne dhe për të na provokuar na tha: "Ju jeni futbollistët shqiptarë, s'ka mundësi, nesër keni për të humbur 7 me 0, pasi ju jeni shumë të dobët. Mbaj mend se unë, Musta dhe Ahmetaj, u munduam për rreth një orë që t'i mbushnim mendjen që ishim futbollistë. Në fund i thamë: "Shiko, ne jemi futbollistët e Shqipërisë dhe nesër jo vetëm që do të luajmë shumë mirë, por edhe do ta fitojmë takimin". Në të vërtetë ne kryesuam gjatë gjithë takimit dhe polakët e Bojekut të madh barazuan vetëm në fund të takimit.
Ju thatë se kombëtarja kishte mundësinë për të arritur në finalet e botërorit. Si mendoni përse nuk u arrit kjo?
Mbaj mend që atëherë ka ndodhur një gabim. Nuk di çfarë emri t'i vë, por pikërisht kur na mbeteshin edhe dy ndeshje e ne na duhej vetëm të barazonim, vjen një urdhër nga lart nga Byroja Politike, ku thuhej: "Të rifreskohet 40 për qind ekipi kombëtar", pikërisht në bazë të këtij urdhri, në dy ndeshjet që vijuan u lanë në stol lojtarë të grupit të parë dhe u futën lojtarë të marrë nga Shpresat. Ne humbëm 2 ndeshjet me Greqinë dhe Poloninë, ishin pikë që nuk kishim pse t'i humbnim. Mendoni, ne kishim barazuar me Poloninë në Varshavë dhe kishim mundur Belgjikën në Tiranë. Ndërsa do të humbisnim me Poloninë këtu me rezultatin 0 me 1 me gol të Bonjek, i cili sapo kishte ardhur nga një takimi i kupës së Kampioneve Juventus-Liverpul dhe nuk kishte pushuar fare. Kujtoj se ai shënoi sapo u fut në lojë. Edhe në Greqi e në Athinë ku u zhvillua takimi, pësuam gol që në minutat e para.
Cilët futbollistë munguan dhe pse mendoni se u lanë në stol?
Mbaj mend që në stol ishim unë dhe Arjan Hametaj, por edhe të tjerë të formacionit bazë. Nuk mund të them se ajo që ndodhi ishte vendim i trajnerit, pasi në atë kohë mjaftonte një urdhër dhe trajneri ishte i detyruar ta zbatonte, ishin të tjerët që ngriheshin dhe thoshin, ky do të luajë, ky nuk do të luajë dhe kjo nuk mund të kundërshtohej.
Cili ishte personi që dha urdhrin për të rifreskuar ekipin?
Po sigurisht që e mbaj mend. Ishte një nga të byrosë, nuk mund t'ia them emrin.
Çfarë arsyesh kishte për ta bërë këtë?
Nuk e di. Ishte një gabim, me dashje apo pa dashje. U bënë ca ndryshime taktike, për të cilat nuk mund të fajësoj trajnerin, që sollën edhe në humbjen e ndeshjeve.
Si mund të bëhej një gabim i tillë?
Atëherë po mund të bëhej. Vinte një urdhër dhe kaq, nuk kishe mundësi që të ndryshoje asgjë. Pati edhe probleme të tjera, në Greqi u arratis përkthyesi i kombëtares.
Ju ishit të sigurt që mund t'i fitonit ato takime?
Sot nuk e di se çfarë do të ndodhte. Po ne si grup ishim të bindur që mund t'i fitonim ato takime. Kishim mundur për 83 minuta vendin e tretë të botës, Poloninë, e ata na barazuan vetëm në 7 minutat e fundit. Kishim mundur Belgjikën, që u kualifikua për në bot-ëror. Ne në vetvete ishim të sigurt që do të shkonim në finale.
Po pse dikush nga lart të jepte urdhra të tillë?
Arsyet ishin të thjeshta, ne duhej të humbnim, nuk duhej të shkonim në botëror.
Kush mund ta dëshironte këtë dhe pse?
Ata lart. Nuk mund të them me siguri pse, po e vërteta është se kështu ndodhi. Dikush nuk donte që ne të fitonim, për arsyet e tij politike apo...
Sot ka shumë raste kur ndeshjet shiten, mos doni të thoni që edhe atëherë kishte të tilla veprime?
Shiko, edhe atëherë si sot kishte kontrabandë, vetëm se ajo ishte e centralizuar në duart e dikujt.

Atëherë ndeshja ishte e shitur?
Kam dyshime për këtë. Ndodhi diçka dhe u bë në mënyrë të atillë që askush të mos dyshonte. Madje as vetë lojtarët të mos ta merrnin vesh që do të humbnin. U bënë ndryshime taktike, për të cilat nuk mund të fajësoj trajnerin, pasi jam i sigurt se nuk do t'i bënte ai. Pastaj ishte edhe urdhri për rifreskim të skuadrës, i pakuptimtë, kur skuadra po jepte rezultate shumë të mira. U hoqën lojtarë të formacionit bazë dhe u futën ata të Shpresave. Sigurisht edhe ata që u futën ishin lojtarë me perspektivë dhe me një të ardhme të sigurt, por ishin pa eksperiencë në takime të kësaj natyre, aq më tepër decizive.
Pra kemi humbur botërorin, pasi ndeshjet u shitën?
Mendoj se po. Kam shumë dyshime për këtë.
Si jeni ndjerë pas kësaj që ndodhi?
Më ka mbetur peng. Është e sigurt që do ta kem peng deri në vdekje. Është një nga gjërat që nuk do ta harroj asnjëherë. Mendoni, ne qëndronim në stol dhe na hanin këmbët që të luanim dhe atje kombëtarja humbte, në ndeshje si ajo me Greqinë, ku ne minimalisht pretendonim të merrnim barazimin.
Keni fituar disa tituj, cili është më i rëndësishmi për ju?
Kam fituar 5 kupa dhe tre kampionate e gjithashtu edhe titullin Kampion Ballkani për të rinj. Për mua titujt të gjithë janë të rëndësishëm; ata janë njëlloj.
Çfarë nuk ju pëlqente nga futbolli?
Nuk më kanë pëlqyer pazaret për ndeshjet, spiunët dhe fakti që shpesh futbollistët shqiptarë sillnin nga jashtë mallra kontrabandë.
Cili do të ishte profesioni që do të zgjidhnit nëse nuk do të ishit bërë futbollist?
Këngëtar i këngës popullore të Shqipërisë së Mesme dhe këngëve lirike.
Çfarë ju ndihmoi që të bëheshit futbollist i mirë?
Nuk kam qenë teknik e as i zbritur nga qielli, unë gjithçka e kam realizuar me punë.
A e mbani mend golin më të bukur që keni shënuar?
Unë isha mbrojtës e mesfushor, megjithatë kam shënuar. Nuk mund të them se mbaj mend golin më të bukur, por më i rëndësishmi ka qenë ai kundër Flamurtarit në Vlorë. Ndërsa nga larg kam bërë disa gola dhe ai që më kujtohet është goli kundër Rijekës në Jugosllavi, ku kisha shkuar si përforcim për Skënderbeun e Korçës. Kam gjuajtur dhe kam shënuar gati nga 35 metra.
Cilët janë kundërshtarët dhe lojtarët që keni vlerësuar më shumë?
Në futbollin botëror, edhe pse nuk përshtatej me mua si tip dhe si futbollist, kam pëlqyer futbollin brazilian. Në Shqipërinë e atëhershme më pëlqenin një sërë skuadrash si: Dinamo, Partizani, Tirana e padyshim Vllaznia. Ndërsa si kundërshtarë më të mirin këtu kam vlerësuar gjithmonë Andrea Markon e Dinamos.
Nëse do të kishit mundësi, me cilin klub të huaj do të kishit luajtur?
Kam pasur oferta nga Bryzh i Belgjikës, i cili atëherë ishte shumë i vlerësuar. Por unë do të doja të kisha luajtur me Milanin në Seria A të Italisë.
Si dhe pse e latë futbollin?
Është histori e gjatë. Në vitin 1990, na kërkuan që të humbisnim një ndeshje kundër ekipit të Lezhës, që këta të mos binin nga kategoria, por unë nuk pranova. Në atë takim u futa në pjesën e dytë dhe shënova dy golat e fitores 4 me 2. Pas kësaj, në ndeshjen për kupë me Dinamon, ata që kishin pranuar të shisnin ndeshjen me Lezhën humbën penalltitë që do të na çonin në finalen e kupës. Pas ndeshjes shkova dhe i përshëndeta të gjithë e u largova, nuk i duroja këto gjëra në futboll. Ndeshjen e lamtumirës e bëra 3 muaj më vonë.
A do të kishit luajtur akoma?
Po, minimalisht edhe tre vjet të tjera.
E ndiqni futbollin shqiptar tani?
Jo. Nuk më pëlqejnë ato që bëhen me futbollin tani dhe mënyra se si drejtohet. Kombëtaren e kam ndjekur, madje në stadium kam qenë në ndeshjen me Greqinë. Puna nuk më lë shumë kohë për futbollin, por nga lojtarët shqiptarë që kam ndjekur e që luajnë jashtë, më ka pëlqyer më shumë në lojën mbrojtëse e në fuqinë e goditjes së topit Adrian Aliaj.
Cili ka qenë trajneri më i mirë që keni pasur?
Kam pasur shumë trajnerë të mëdhenj si: Shyqyri Rreli, Loro Boriçi e të tjerë, por Bejkush Birçe është idhulli im. Ai ishte i vetmi trajner që grindej me anëtarët e byrosë për problemet e futbollistëve.
Portieri që vlerësoni më shumë dhe që ia kishit frikën?
Nga portierët unë do të vlerësoja në veçanti Mustën. Gjatë karrierës sime futbollistike dhe për aq sa e njoh unë futbollin, Shqipëria nuk ka pasur portier më të mirë se sa Perlat Musta.

Jeteshkrimi

Emri: Ferit Ragami
Vitlindja: 1957
Vendlindja: Shkodër
Vendbanimi: Tiranë
Profesioni: Futbollist, aktualisht menaxher
Ka luajtur me : Vllazninë ('76 - '78, '81 - '90), Partizanin('78 - '81), Shkëndijën ('72 - '76)
Vlerësime: Mjeshtër i Sportit, Mjeshtër i Merituar i Sportit
Kombëtarja që befasoi botën
Historia e kombëtares që luajti në vitet 1984-1986 për eliminatoret e Botërorit të Meksikës, është ndoshta pjesa më e bukur dhe më e trishtuar e historisë së futbollit shqiptar. Sigurisht jo vetëm atëherë, por edhe sot, djemtë që përfaqësojnë ngjyrat e vendit tonë, në futboll janë gjithmonë në qendër të vëmendjes së pjesës më të madhe të vendit. Por atëherë, Shqipëria, mund të kishte qenë surpriza botërore. Shqipëria, me drejtues Shyqyri Rrelin do të barazonte 2 me 2 me Poloninë, që ishte një ndër skuadrat më të mira të botës e një vit më vonë, do të fitonte kundër Belgjikës që ndodhej në kulmet e saj. Musta, Zmijani, Hodja, Targaj, Ocelli, F.Ragami, Demollari, Muça, Josa, Minga, Kola, Omuri e mjaft të tjerë, ishin shqiptarët, që vunë në pozitë Poloninë e Bonjek, kampion Evrope me Juventusin dhe Belgjikën e Shifos. Sigurisht, bëhej fjalë për një grup, mjaft shpresëdhënës. Madje, një pjesë e këtyre lojtarëve, kishin çuar Shqipërinë, në 8-shen e shpresave më të mira të Evropës. Një plejadë e papërsëritshme, që do t'i mbyllte ato eliminatore me golavarazhin 6-6. (T.O)

Kisha Katolike u kthye në Teatër Kukullash

Fare shkujdesur sot po dëgjoja intervistën e një prifti katolik, i cili po rrëfente dramën që përjetoi Kisha Katolike gjatë regjimit komunist.

Ai vazhdoi duke thënë se lufta ndaj klerit katolik nisi në 1929 nga Ahmet Zogu, i cili e shpalli Kishën Katolike Organizatë të paligjshme, pasi ajo refuzoi thirrjen e qeverisë, që Kisha të merrte karakter kombëtar.
Më pas fillimii Luftës së Dytë Botërore e gjeti klerin në Shqipëri, kryesisht atë katolik, më afër Romës dhe pushtuesit të ri italian. Pikërisht kjo përfshirje “shpirtërore” dhe “institucionale” me pushtuesin e ri, pati ndikim drejtpërdrejtë në marrëdhëniet e fesë katolike me regjimin komunist të pasluftës.
Dhe vazhdoi Prifti duke thënë se në vitin 1967, vetëm në qytetin e Durrësit u mbyllën mbi 60 xhami, mbi 8 kisha dhe 5 teqe.

Për çfarë i janë dashur Durrësit të 1967-ës gjithë këto institucione fetare, hajde merre vesh - thashë me vete...

Por rrëfimi i Priftit vazhdoi duke treguar të gjitha këto institucione fetare u kthyen “në shërbim të popullit”.

P.sh Xhamia kryesore në qendër të Durrësit u vu në dispozicion të Pallatit të Kulturës dhe do të shërbente si qendër për argëtimin e rinisë durrsake.

Kisha Katolike e Durrësit u kthye në Teatër Kukullash
E ku është ndryshimi? - mendova me vete.


"Ah, po, teatri i kukullave është vetëm për fëmijët".


Por Prifti i nderuar ma ndërpreu mendimin duke shtuar se tashmë pothuajse në të gjitha ku ishin ngritur Shtëpitë e Kulturës, Muzetë, Drejtoritë e Arsimit, Shkollat, Kopshtet, Çerdhet, etj, janë ringritur institucionet fetare dhe po ashtu ka rilindur besimi.

Shkroi: Stop Injorancës !

Zbulohet Misteri i Avionit Boeing të zhdukur

Zbulohet Misteri i Avionit Boeing të zhdukur me 239 pasagjerë në bord rrugës për në Pekin.

Ata janë përzgjedhur për të luajtur seritë e reja në serialin e famshëm, "Lost".

Shkroi: Stop Injorancës !


Wednesday, March 5, 2014

Shqiptarët, me një apo dy kombëtare?

Tendenca për krijimin e kombëtares së Kosovës është tendencë për përçarjen e kombit, në ata segment ku ai është më i bashkuari.
Kjo e ashtuquajtura kombëtare po zhvillon ndeshje miqësore me leje të Serbisë dhe pa asnjë symbol, bile as simbolet e Ahtisaarit. Për më tepër, në fanellat e këtij ekipi do të figurojë fusnota që na e mohon republikën e na e mohon pavarësinë. Kjo e ashtuquajtur kombëtare e Kosovës, do të zhvillojë ndeshje në qytetin e ndarë të Mitrovicës dhe atë më 5 mars, pikërisht në përvjetorin e sulmit të fashistëve serbë në familjen Jashari.
Ne duam t’ua përkujtojmë të gjithëve që Adem Jashari nuk luftoi për këso ngjyra, nuk luftoi për fusnotë, nuk luftoi për Mitrovicë të ndarë, por për shtet shqiptar të bashkuar, me sovranitet të plotë, me Mitrovicë të bashkuar dhe nën flamurin kuq e zi me shqiponjë dykrenare. Albert Kastrati

Duke qenë se nesër më datë 05.03.14 ora 15:00 në Prishtinë shteti i Kosovës luan për herë të parë një ndeshje futbolli miqësore ndërkombëtare me Haitin Kryeministri Thaçi ka deklaruar që kjo ndeshje le të jetë një festë.

Por tjetër mendim kanë tifozët "Kuq e Zi", të cilët krijimin e dy kombëtareve shqiptare e quajnë përçarje dhe jo vetëm do ta braktisin ndeshjen e parë të Kosovës për të ndjekur në Durrës miqësoren e Kombëtares Shqiptare me Maltën, por ata kanë bërë thirrje duke treguar edhe rrugët sesi të gjitha ekipet shqiptare të futbollit (Shqipëri, Kosovë, Iliridë, Mali i Zi) të përfaqësohen në një ligë mbarëkombëtare.
Rruga?
Mjafton që klubet e mësipërme të regjistrohen në Republikën e Shqipërisë.

Maradona dhe Papa (Në variantin shqiptar)

Duke ndjekur nga afër protestën e shoferave të fugonave që nuk duan të jenë as taksi, por as "minibusë" me orare e rregulla të përcaktuara si kudo në Europë, më kap syri Z. Ridvan Bode.

- Po ju këtu? e pyes duke ngritur supet.
- Kam ardhur të përkrah këta hallexhinj, që po luftojnë për bukën e gojës.
- Po, a nuk ishte Shqipëria para 6 muajsh, shteti që në ekonomi vinte direkt pas Gjermanisë?
- Ç'thua more, këta jetojnë në mjerim, këta njerëz duhen ndihmuar me çdo kkusht.
- Po shumë mirë e keni menduar Z. Bode. Po pse nuk bëni diçka për ti ndihmuar?! Shisni psh, pasqyrën e Mercedezit tuaj...

Shkroi: Stop Injorancës !

Zbardhet e plotë telefonata 90 minutëshe midis Obamës dhe Putin

- Alo!
 
- Alo, Obama jam.
- Po pse i bie me numër privat, ore qafir?
- Eshtë numri i Mishelës, e ka me ofertë.
- Si është bukuroshja Mishelë?
- Lerë mos e pyet, ma ka sjellë në majë të hundës ma ka sjellë, por le të hymë direkt në temë. Putin, si e ke hallin me atë Krimenë?
- S'kam hall fare, po ti ç'hall ke?
- Si ç'hall kam, ore faqezi?!
- Hej, hej Obama, vetëm ty s'të shkon kjo shprehi...
- Dakord, dakord, po unë përfaqësoj Amerikën, superfuqinë që siguron e garanton demokracinë. Ti do tërheqësh urgjentisht trupat nga Krimea, ndryshe do më detyrosh të testoj teknologjitë e reja ushtarake.
- Obama, ç'ka je t'ue thanë or burrë? A po e din me ka je tue folë a?
- Putin, mos mu krekos mua, po të them se rrezikon ta futësh botën në një luftë të III-të Botërore. Mendoje mirë, kaq po të them..
- Obamë, qetësohu e mos merr për kot. Bota është mbipopulluar shumë dhe Europa është plakur keq.
AIDS, Gripi i Derrit, Gripi i Shpendëve, Lopët e çmendura, tumori, tsunamet, terrorizmi, vetëvrasjet, ushqimet OMGJ, besimet fetare, Masonët, Iluminati e me lesh e me presh, më fal për shprehjen, por një m** të madh kanë bërë.
Po shumohemi si minjtë... A nuk e merr vesh?!
- Po ore po, po ku i dihet, mbase kapim ndonjë planet tjetër këtu afër.
- Ore Obamë, po ti çfarë halli ke? Ty s'të prek kush, ti do rrish gjithë kohës në avion, apo po të dhimbsen ata obezët e tu injorantë që i bëjnë hije tokës kot në Amerikë?
- Me ata s'ke punë ti, po shiko ata pijanecët e tu langaraqë që i gjen tapë që në pikë të mëngjesit...
Me ata do luftosh ti, me ata muzhikët rusë të mbaruar?
- Të mbaruar apo jo, mbetet ta shohim, ti krruaje po ta mbajti...
- Putin, a e di që ta bëj fytyrën si këpuca ta bëj, ti shkul dhëmbët një e nga një, diktator, bllokmen, bllokqen, komunist i kuq.
- Po hajde se po e shohim sa trim je.
- Hajde lëri llafet e mbylle tani...
- Mbylle ti i pari.
- Mbylle telefonin e mos ma ngre zërin.
- Mbylle vetë, ti more telefon.

Dhe kështu zgjati telefonata e hapur edhe për 1 orë, derisa bateritë e telefonave, ranë...

Bota nën ankth, pret!

Shkroi: Stop Injorancës !

Esida në Big Brother 7 deklaron homoseksualitetin e saj

Pas Klodit të Big Brotherit, i cili pranoi publikisht orinetimin e tij homoseksual, kësaj rradhe është një vajzë e cila pranon se është lesbike. http://youtu.be/e-FR3a3m-GA
Madje ajo është e gatshme të japë edhe prova për këdo që dyshon mbi homoseksualitetin e saj.

Esida është nga qyteza e Cërrikut, diku midis Elbasanit dhe Kavajës. Në Cërrik priten të shpërthejnë protesta të dhunshme për të mbajtur lart moralin e pastër të qytetit!

Shkroi: Stop Injorancës !

Carlo Bollino: E vërteta rreth armëve kimike siriane në Shqipëri



Një varg misteresh e kanë shoqëruar historinë e ardhjes së armëve kimike në Shqipëri. Është një histori e sunduar nga prapaskenat. Për 45 ditë kjo çështje përfshiu vendin e vogël në Mesdhe në qendër të opinionit kombëtar e ndërkombëtar.                                          

Ndëkohë që jehona nuk është shuar ende, në duart e lexuesve vjen një libër me titullin intrigues "Heshtja e dyfishtë - E vërteta për armët kimike në Shqipëri".

Në këtë libër, gazetari italian Carlo Bollino me kurajë intelektuale dhe me përgjegjësinë e një gazetari karriere bën analizën e ngjarjeve të skenës dhe prapaskenës që paraprinë dhe shoqëruan debatin e madh për demontimin e mundshëm të armëve kimike të Sirisë në territorin shqiptar.

Çështjet ngacmuese të këtij libri janë shumë. Cilat ishin kushtet që çuan në dështimin e një marrëveshje të mundshme me amerikanët për armët kimike? Çfarë propozimi bëri pala shqiptare dhe cilat janë arsyet që amerikanët do t’ia besonin Shqipërisë sekretin e impiantit të asgjësimit? A kishin një çmim negociatat mes Amerikës dhe Shqipërisë? Pse heshti kryeministri Rama, pse heshti opozita dhe presidenti, pse heshti pala ndërkombëtare?  Në ç’kushte u artikulua Jo-ja sfiduese e Edi Ramës? Çfarë i shkroi kryeministrit shqiptar në letrën e tij për armët kimike presidenti i SHBA-së dhe pse u mbajt e fshehtë përmbajtja e asaj letre?

Ndërsa ju japim përgjigje këtyre pyetjeve përmes kësaj interviste me gazetarin Carlo Bollino, bëjmë njëkohësisht edhe një rrugëtim në faqet e këtij libri intrigues, që s’duhen lënë kurrësesi pa lexuar.

 Pjesa e parë e librit tuaj i kushtohet sfondit ndërkombëtar të kësaj çështjeje dhe ju i keni kushtuar një kapitull të tërë. Pse    është kaq i rëndësishëm ky prezantim?
 -E gjithë pjesa shqiptare e kësaj historie ka nisur në fund të tetorit, kur për herë të parë doli në skenë emri i Shqipërisë si vendi i përfshirë në operacionin e asgjësimit të armëve kimike siriane. Por realisht publiku shqiptar nuk dinte pothuajse asgjë për historinë e Sirisë dhe akoma më pak të dinte sesi diplomacia ndërkombëtare kishte arritur deri tek çarmatimi i Bashar al-Assad.

Unë mendoj se rrethanat ndërkombëtare, të cilat i kam përfshirë në fazën e negociatave mes Amerikës që kërcënonte me sulm dhe Rusisë që kërkonte ta shmangte këtë sulm, deri në arritjen e kësaj marrëveshje, unë i kam përqendruar në disa momente që janë interesante, duke përfshirë edhe prapaskenat e një “gafe” të John Kerry-t gjatë një vizite në Londër, që shkaktoi një reagim nga ana e Rusisë deri në arritjen e marrëveshjes kundër sulmit të armatosur në Siri. Kjo është një prapaskenë, jo shumë e njohur e që shërben për ta plotësuar historinë e armëve kimike në Shqipëri.

 Fill pas kësaj  nisin bisedimet dhe negociatat për çarmatimin, dhe vjen momenti që në skenë shfaqet emri i Shqipërisë. Ju thoni në librin tuaj se ajo që amerikanët nënkuptuan me rënien dakord në parim nga Shqipëria, nuk ishte e njëjta gjë me atë që nënkuptonte Shqipëria. Pra, kishte një keqkuptim gjuhësor...Çfarë është një Po në parim? Ku qëndron keqkuptimi?
 -Nga informacioni që kam unë, reagimi i parë i kryeministrit ishte një Po në parim. Dhe një Po në parim ne e dimë mirë që në shqip nuk është një Po përfundimtare. Është një Po pikërisht në parim, pra diskutojmë, është fillimi i diskutimeve. Ndërsa për  realitetin amerikan një Po në parim është një Po e mbyllur. Sepse  amerikanët janë më pragmatistë si natyrë, ndryshe nga shqiptarët apo italianët të cilët, si mesdhetarë që janë, një Po në parim e kanë të barabartë me një Ndoshta.

Unë mendoj se kjo ka ndikuar  përgjatë gjithë negociatave. Amerikanët kishin nënkuptuar se kjo Po në parim e kishte mbyllur marrëveshjen dhe kishin mbetur për t’u diskutuar detajet. Ndërsa ndryshe ishte kuptuar nga pala shqiptare. Ata caktuan një sërë kushtesh, nga të cilat një prej kushteve kryesore nuk është pranuar asnjëherë. Pra një kusht, të cilin unë e kam përmendur disa herë në libër çoi deri në dështimin e një marrëveshjeje të mundshme me amerikanët.

Në çfarë pozicioni ishte Edi Rama për t’i vendosur këto kushte Amerikës?  
-Ai e kishte kuptuar shumë mirë që amerikanët kishin nevojë për një marrëveshje me Shqipërinë, sepse interesat e amerikanëve ishin të drejtpërdrejta, jo kundër Shqipërisë, por si çdo propozim diplomatik ka edhe interesa të brendshme për SHBA. Nga ana tjetër Edi Rama e kishte kuptuar se kjo kishte një kosto politike. Nisur nga kjo, sigurisht para se të pranonte një kosto politike duhet të synonte edhe përfitime ekonomike dhe politike për Shqipërinë për qeverinë që ai drejton, për opinionin publik.

Kështu, ai parashtroi disa kërkesa, të cilat më vonë u kthyen në kushte. Kërkesat ishin shumë të sakta. Madje ai ia dërgoi departamentit të shtetit të shkruara këto kërkesa për të shmangur çdo keqkuptim të mëvonshëm. Më pas të gjithë negociatat janë kushtëzuar nga këto kërkesa dhe nga mungesa e një përgjigjeje për këto kërkesa.

Pse nuk mori përgjigje kryeministri Rama?
-Ky është një mister për mua. Ky është misteri i vërtetë. Pasi disa nga kërkesat ishin lehtësisht të zbatueshme. Një nga zyrtarët shqiptarë që kam intervistuar më ka thënë se: nëse amerikanët do të ishin përgjigjur disa prej atyre kërkesave marrëveshja do të ishte mbyllur shumë kohë më parë. Rama do të kishte mundësi për të hedhur në diskutim këtë çështje në parlament në qeveri e për ta bindur opinionin publik që kjo nuk ishte një marrëveshje që do të cenonte ndotjen e ambientit apo sigurinë kombëtare. Por këto kushte nuk u realizuan asnjëherë.

Negociatorët amerikanë janë vonuar jashtë mase, pavarësisht nga fakti se në anën tjetër ONAK kishte përcaktuar një limit kohor brenda të cilit duhej të përfundonte negociata. Pra, nga një anë ishte ky limit kohor e nga ana tjetër ishte vonesa e gjatë e një përgjigjeje nga ana e negociatorëve amerikanë. Kjo e ka shtrënguar shumë hapësirën për të arritur në një marrëveshje. Arsyeja pse ka ndodhur kjo është ende një mister. Por mbase e gjithë kjo ka ndodhur për të ulur çmimin e negociatave, pasi duke filluar nga ajo Po në parim mund të jetë menduar se qeveria shqiptare mund të bjerë dakord me fare pak kushte. Ndoshta, mund të jetë kjo tezë.

Në libër ju flisni për Impiantin FHDS dhe një varg sekretesh rreth tij. Çfarë është ky impiant dhe pse duhej instaluar pikërisht në Shqipëri?
-Ky është një impiant që Pentagoni e kishte porositur tek industria ushtarake amerikane dhe i ishte dorëzuar Pentagonit vetëm në muajin korrik. Ndërkohë, ne flasim për një histori që ka nisur në muajin shtator. Pra në korrik, dy muaj përpara, Pentagoni kishte marrë në dorë impiantin për asgjësimin e armëve kimike. Ishte një impiant i lëvizshëm me një vlerë të jashtëzakonshme në treg, pasi problemi më i madh në asgjësimin e armëve kimike është pamundësia e lëvizjes së tyre.

Është më mirë të lëvizet impianti sesa armët kimike. Pentagoni e kishte testuar, por nuk e kishte eksperimentuar asnjëherë dhe në asnjë vend, në asnjë operacion real. E kishte testuar në laborator por jo në terren dhe këtu kemi të bëjmë jo vetëm me sekret ushtarak, por edhe një sekret industrial, sepse është një teknologji krejt e re. Unë mendoj se amerikanët në këtë rast kishin nevojë për një vend të sigurt  nga pikëpamja e sekretit ushtarak, gjë që Shqipëria e përmbushte. Por, gjithashtu ishte e nevojshme të gjendej një vend i vogël, i cili s’do të mund ta përdorte dot vetë këtë impiant, por të linte në dorën e ekspertëve amerikanë përdorimin e impiantit.

Dhe këtë vetëm Shqipëria mund ta lejonte.  Fjala vjen Turqia, një superfuqi ushtarake do të kërkonte ta shtinte vetë në dorë impiantin. Ndërsa Shqipëria i kishte ofruar të gjithë garancitë për të ruajtur sekretin, pasi të gjithë operacionin ta përfundonin vetë ekspertët amerikanë.

Ndërkohë, pas refuzimit të Shqipërisë, amerikanët e kanë instaluar këtë pajisje në një anije amerikane ekskluzivisht nën kontrollit e tyre në mes të detit. Pra, nuk do të ketë asnjë vend tjetër që do të ketë gisht në përdorimin e këtij impianti tepër sekret.

 Në librin tuaj ju botoni për herë të parë tekstin e letrës që Barack Obama i shkruan Edi Ramës për çështjen e armëve kimike. Pse u mbajt sekret kjo letër?
-Kjo letër është shkruar nga Barack Obama, menjëherë pas një bisede të gjatë midis John Kerry-t dhe Edi Ramës. Biseda mes tyre ka ndodhur më 7 nëntor, ndërsa letra është nisur më 9 nëntor. Fillimisht është nisur në formë elektronike e pastaj ka mbërritur edhe letra në dorë më 11 nëntor. Edhe kjo datë është interesante.

Nëse ne mendojmë se negociatat kanë nisur më 27 shtator dhe John Kerry ka bërë bisedën e parë me Edi Ramën vetëm më 7 nëntor kjo tregon se deri në këtë kohë Departamenti i Shtetit kishte deleguar vetëm zyrtarë amerikanë, por jo kupolën e administratës amerikane. Ky mbase ka qenë një gabim. Nëse John Kerry do të ishte përfshirë që në fillim në bisedime ato garanci që Edi Rama ka kërkuar, mbase do të ishin plotësuar e problemi do të ishte zgjidhur shumë kohë më parë.

Gjatë bisedës me John Kerry-n, Edi Rama kishte kërkuar disa garanci, mes të cilave dhe një ombrellë politike. Dhe reagimi pas kësaj bisede ka qenë letra që Obama i ka dërguar Edi Ramës, një letër ku nuk përmendet në të vërtetë asgjë më shumë sesa një përshëndetje dhe disa vlerësime, por që nuk plotësonin asnjë nga ato kushte që kishte vendosur kryeministri Rama. Ndoshta për palën amerikane kjo letër mjaftonte, por për administratën shqiptare kjo nuk mjaftonte. E mbase për këtë arsye edhe nuk është publikuar.

Një nga të intervistuarit tuaj pohon se amerikanët kishin të dhëna të detajuara për të gjithë bazat ushtarake në Shqipëri,  dhe se në seleksionimin e tyre final vetëm dy baza ishin të përshtatshme Bishtpalla dhe ishulli i Sazanit. Pse këto dy zona?
-Pala amerikane, ajo ushtarake, kishte disa kushte për zgjedhjen e zonës ku do të instalohej impianti i asgjësimit të armëve kimike. Duhej të ishte afër detit, të ishte një bazë ushtarake, të ishte të paktën 15 kilometra larg zonave të banuara, duhej të ishte pranë rrugës dhe të kishte mundësi për sigurinë maksimale. Duke u bazuar në këto kushte, ato përzgjodhën dy baza ushtarake më të sigurtat ajo e ishullit të Sazanit dhe bazën ushtarake të Bishtpallës.

Baza e Sazanit ishte brenda rrezes 15 kilometra, dhe në fund mbeti Bishtpalla e konsideruar edhe më parë nga NATO si një bazë shumë e mirë dhe strategjike, edhe pse porti ishte në kushte mizerabël dhe ishte parashikuar thellimi i tij për të lehtësuar ankorimin. Po ashtu, kjo bazë kishte edhe një histori tjetër të lidhur me qeverinë e mëparshme të Sali Berishës, saktësisht me një vendim të ish-ministrit të mbrojtjes Arben Imami për ta kthyer këtë zonë në një port turistik, duke iu shitur kështu toka në këtë zonë njerëzve të afërt në oborrin e ish-kryeministrit Berisha. Mbase edhe ky fakt mund të ketë prishur punë, megjithëse nuk mendoj se ky është një element që do të ketë ndikuar vërtet në vendimmarrjen nga ana e amerikanëve.

Mjaft ngacmuese janë edhe ato faqe të librit ku ju trajtoni anën ligjore të këtij procesi. Pra, a ishte e ligjshme sjellja e këtij arsenali në Shqipëri?
-I jam referuar një analize të botuar në “Shqiptarja.com” nga juristi Agron Alibali. Realisht konventa kundër armëve kimike ndalon transferimin e tyre në një vend tjetër, dhe ndalon po ashtu çdo vend të pranojë armë kimike në çdo rrethanë qoftë.

Pra, nga pikëpamja ligjore konventa e Kombeve të Bashkuara, e cila synon të transferojë në Shqipëri apo në një vend tjetër armët kimike siriane është kundër një konvente tjetër të Kombeve të Bashkuara, e cila e ndalon transferimin e armëve kimike. Ky është një element ligjor. Po ashtu, një element tjetër që nuk është marrë kurrë parasysh është përgjegjësia në rast të një aksidenti. Kush e merr përsipër në rast se në ujërat shqiptare anija që transporton kontenierë me saharin, fundoset.

Kush e merr këtë përgjegjësi, amerikanët? Jo. Kush e siguron Shqipërinë kundër një katastrofe teorikisht të mundshme. Pra, kjo anë ligjore nuk është marrë fare parasysh gjatë gjithë negociatave dhe është anashkaluar. Tani është zgjidhur kjo gjë, sepse procesi i asgjësimit do të ndodhë në mes të detit, në ujëra ndërkombëtare.

Ju keni pasqyruar gjerësisht në libër edhe atë çfarë ndodhi në parlamentin shqiptar përpara se të vinte Jo-ja nga kryeministri Rama. Pse e botuat gjithë atë procesverbal?
-Mendoj se ai është një dokument shumë i rëndësishëm, pasi ai pasqyron linjën politike që ka mbajtur opozita, e cila është totalisht e ndryshme 24 orët e fundit me atë çka kishte mbajtur edhe zoti Berisha, por edhe zoti Lulëzim Basha deri në 12 nëntor.
Pra deri me 12 nëntor qëndrimi i opozitës nuk ishte kundër armëve kimike, ishte thjesht  kundër mungesës së transparencës së këtij procesi. Ata duhet të ishin prezentë në tryezën e negociatave së bashku me amerikanët. Ky ishte qëndrimi i opozitës.

Pastaj më 12 nëntor, Sokol Olldashi ka hedhur një postim në facebook, kundër armëve kimike, me sa duket një qëndrim krejt personal. Pastaj vetëm më 13 nëntor opozita e ka mbështetur qëndrimin e Olldashit duke dalë kundër. Ndërsa data 14 nëntor është një ditë shumë e veçantë, pasi në kuvend shpërthyen debatet, Sali Berisha doli hapur kundër importimit të armëve kimike në Shqipëri. E mandej nga kuvendi ka kaluar në shesh. Ishte një skenar që më ka kujtuar shtatorin e 1998-s, kur në momentet kulmimante të një proteste u sulmua kryeministria dhe u tentua të rrëzohej qeveria. Dua të besoj se ky skenar nuk ka qenë i përgatitur të ndodhte kështu, por ishte shumë i afërt me  skenarin e 14 shtatorit të një tjetër viti shumë të trishtuar për historinë e Shqipërisë. Për fat të mirë, demonstruesit e kanë dëbuar Sali Berishën nga sheshi, nuk e kanë pranuar provokacionin e tij.

Pra, edhe opozita kishte heshtur, sikurse ju e thoni që në titull. Po ashtu heshti edhe pala e huaj. Ky është thelbi i librit tuaj, apo jo, kjo është fjala kyçe...?
-Po sepse opinioni publik e ka kritikuar, ndoshta edhe me të drejtë, pasi heshtja e kryeministrit Rama ishte e pakuptueshme për ta. Ai duhet të kishte ofruar më tepër informacion mbi këtë çështje dhe për ta informuar opinionin publik. Por nuk ishte vetëm ai protagonisti që heshti. Po ashtu kanë heshtur negociatorët amerikanë. Heshtja e tyre është demonstruar nga mungesa e një përgjigjeje.

Sepse kryeministri kishte bërë disa pyetje dhe po priste disa përgjigje duke filluar nga një marrëveshje e shkruar me palën amerikane për të gjithë procesin me detyrat dhe të drejtat e Shqipërisë ndaj këtij procesi. Ky dokument ka munguar gjithmonë. Amerikanët kanë heshtur pse nuk kanë bërë asnjë deklaratë për armët kimike dhe mbështetjen e qeverisë shqiptare. Por ka heshtur edhe opozita. Sipas informacioneve dhe elementëve që unë kam botuar në libër, ka mundësi që Berisha të ketë pasur dijeni për armët kimike që nga shtatori 2013.

Pra, më shumë se 40 ditë përpara daljes publike të lajmit në mediat shqiptare. Po ashtu unë e kam argumentuar në libër që edhe presidenti Nishani mund të ketë pasur dijeni për këtë çështje që në fund të shtatorit. Natyrisht nuk kam në dorë prova që vërtetojnë 100% se këta të dy kanë qenë në dijeni, por ka elementë për të ngritur këtë hipotezë. Dhe e vërteta është se ata nuk reaguan dhe nuk folën kurrë për këtë çështje.

Dhe vijnë në fund tek Jo-ja sfiduese e Edi Ramës. Sipas jush në çfarë rrethanash e dha ai këtë përgjigje?
-Nga informacionet që kam e që i kam përfshirë në libër Jo-ja ka ardhur si rezultat i një sërë elementesh. Patjetër protesta ishte një nga elementët.  Mungesa e përgjigjes apo mungesa e një marrëveshjeje të shkruar me negociatorët amerikanë, ka qenë elementi kyç sigurisht. Po ashtu një element i rëndësishëm ishte mungesa e një vendi të dytë që do të përfshihej në këtë proces, emër që amerikanët nuk e dhanë kurrë.

Por mbi të gjitha ka qenë një fakt që ka ndodhur me 13 nëntor që për mendimin tim ka qenë kthesa vendimtare.
Më rezulton se më 13 nëntor Edi Rama kishte hequr dorë përfundimisht dhe kishte vendosur ta refuzojë propozimin amerikan. Në fillim të ditës më 14 nëntor para përshkallëzimit të protestave ai iu ka komunikuar disa ministrave vendimin për ta refuzuar këtë  propozim. Po ashtu ia kishte komunikuar edhe zotit Meta. E fill pas kësaj është nisur për në Mal të Zi. Në kuvend ndodhi ajo që ndodhi, një lumë i tërë polemikash dhe vetëm të nesërmen me 15 nëntor Edi Rama doli para opinionit publik dhe komunikoi vendimin e tij.

Po më 14, menjëherë pas kthimit nga Mali i Zi ai komunikoi sërish me Departamentin e Shtetit Amerikan, me John Kerry-n, të cilit i bëri të ditur vendimin përfundimtar. Dhe pastaj, gjatë gjithë natës në vijim, ai shkroi fjalimin e famshëm që e lexoi para kamerave më 15 nëntor.
Këtu mbyllet kjo histori, por jo libri, pasi kam shkruar edhe një kapitull shtesë për të treguar se çfarë ka ndodhur pas datës 15 nëntor dhe si ka përfunduar historia e armëve kimike.

Shkrimi u publikua sot (02.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com

Duhet pranuar që në këto netë dimri, atmosfera ka qenë shumë e nxehtë...

Pa koment, është një koment!