Showing posts with label Arkeologji. Show all posts
Showing posts with label Arkeologji. Show all posts

Sunday, May 19, 2013

Zbulohen materiale të neolitit të hershëm në Vashtmi të Korcës


Zbulohen materiale të neolitit të hershëm në Vashtmi të Korcës. Ka qenë ekspedita shqiptare-amerikane ajo e cila gjatë fushatës së tretë të gërmimeve në këtë zonë ka zbuluar nga kërkimet vegla prej kocke, guri, stralli dhe gjurmë të shtrojeve të kasolleve që asaj kohe përdoreshin për banesa të cilat datojnë 8.500 vjet para Krishtit.

Arkeologët kanë gjetur gjithashtu gjatë gërmimeve edhe mbetje të enëve në qeramikë , dhe objekte të tjera të cilat japin detaje mbi jetën e banorëve në këtë periudhë. Drejtuesit e ekspeditës kanë vlerësuar si mjaft të rëndësishme zbulimet, pasi sipas tyre Vashtëmia konsiderohet si vendbanimi më i hershëm në Shqipëri.

Kemi gjetur vegla prej guri, stralli apo mbetje qeramike dhe objekte të tjera. Janë të një rëndësie të vecantë pasi Vashtëmia është vendbanimi më i hershëm në Shqipëri.

Siti arkeologjik në Vashtëmi të Korçës zë një sipërfaqe prej afro pesë dynymësh dhe vitet e fundit ekspedita shqiptaro-amerikane ka mundur të zbulojë aty në mënyrë të vazhdueshme gjetje arkeologjike të epokës së gurit ,që mbartin rëndësi të vecantë.
(e.m/News24/BalkanWeb)

http://middleagestoday.com/en/news/470

Wednesday, November 7, 2012

Bullgari, zbulohet qyteti më i vjetër prehistorik në Europë


Arkeologët në Bullgari thonë se kanë zbuluar qytetin më të vjetër prehistorik në Europë.
Sipas BBC, ngujimet e fortifikuara, pranë qytetit Provadia, mendohet se kanë qenë një qendër e rëndësishme për prodhimin e kripës. Zbulimi i këtij qyteti mund të shpjegojë edhe sasinë gjigande të arit që është gjetur aty pranë 40 vjet më parë.
Arkeologët thonë se qyteti ishte vendbanimi i rreth 350 njerëzve dhe daton në vitet 4700 dhe 4200 përpara Krishtit. Kjo do të thotë rreth 1500 vjet përpara se të niste civilizimi i vjetër grek.
Banorët zienin ujë nga një burim lokal dhe e përdornin për të krijuar kripën, të cilën e tregtonin ose e përdornin për të ruajtur mishin. Kripa ishte një mall me shumë vlerë në atë kohë, çka shpjegon edhe faktin pse qyteti kishte mure kaq të mëdha mbrojtëse. Gërmimet kanë filluar që në vitin 2005 dhe kanë zbuluar mbetjet e një shtëpie dykatëshe, një seri tempujsh për rituale si dhe një portë dhe strukturat e një bastioni. Është gjetur edhe një nekropolis, që përdorej për të varrosur njerëzit.
Pranë vendit ku ndodhet qyteti është bërë zbulimi i sasisë më të vjetër me objekte ari që është gjetur ndonjëherë në botë. 


Skeleti i një burri dhe 2 foshnjeve, gjetur aty pranë
Burimi: http://www.mirror.co.uk/news/world-news/the-oldest-prehistoric-town-in-europe-unearthed-1409458

Tuesday, August 14, 2012

Përfundimisht, arkeologët tanë dhe kolegët e tyre, janë "të paparë"


Në qytetin antik të Apolonisë, është gjetur nga ekspedita e përbashkët Arkeologjike Shqiptaro-Franceze një ashtë (kockë) unikale, ku në të është skalitur me mjeshtëri të lartë, Heraklisi me topuz dhe Apolloni me hark.

Sipas arkeologut francez Jean-Luc Lamboleu kjo tregon se në Apolloni njihej shumë mirë mitologjia dhe kultura GREKE...

Fol ti po deshe!


Pa dhënë detaje për asnjë datë, i  vendosin markën kulturë greke.

Aq antishqiptarë janë, sa grekët, romakët etj, i nxjerrin më të lashtë në truallin tonë, sesa në truallin e supozuar të tyre.

A nuk e dinë vallë se e gjithë e ashtëquajtura mitologji helene, është mitologjia pellazge???


Shkroi: Stop Injorancës

Tuesday, November 29, 2011

Paradoksi - Helenët e Romakët, më të lashtë në trojet tona se sa në "të tyret"

Të tmerrshëm janë historianët e arkeologët tanë!

 Helenët dhe romakët i nxjerrin më të lashtë në trojet tona historike, se sa në trojet e tyre.
 Në një kohë kur kultura romake nuk kishte lindur ende, arkeologët shqiptarë, (këshilluar fort prej atyre anglezë), nxjerrin nga Butrinti buste romakësh, të cilët do të krijoheshin shekuj më pas në Perandorinë Romake! Interesante, apo jo?

 Pastaj çuditemi se nga na burojnë këto prirje të theksuara për të nënvleftësuar vetveten. Ja, këta janë "shkencëtarët" që përgatisin edhe programet mësimore plot broçkulla.

Stop Injorancës

Wednesday, October 6, 2010

Gjirokastër, errësira e gurtë mbi qytetin pasuri e UNESKO-s

Atje poshtë, atje lart/ te Urat në Dunavat/ po kur hënë ka kudo/ pse i ndez në "Palorto"...

Dikur banorët e Gjirokastrës e kishin kthyer në këngë-parodi bashkëbisedimin e tyre me kryetarin e bashkisë për përzgjedhjet e tij në lidhje me ndriçimin e njërës apo tjetrës pjesë të qytetit. Vargjet janë të njohura edhe pas kalimit të dekadave. Historia e ndriçimit rrugor në njërin prej qyteteve të parë shqiptarë të elektrifikuar rrjedh pothuajse në të njëjtin shtrat, ku asnjëherë ai nuk u ndriçua njëlloj, deri në ditët e sotme, kur pas mesnatës, pasuria e UNESKO-s zhytet në errësirë.

Histori ndriçimesh

Banorët e Gjirokastrës kanë filluar të rikthejnë tashmë historitë e vjetra që lidhen me qytetin dhe dritën. Mund të quhen shkurt "histori ndriçimesh". Janë sa të ndryshme përsa u përket preferencave, por njëkohësisht thuajse identike për mënyrën dhe politikat e ndjekura prej kryebashkiakëve. Data 28 nëntor e vitit 1937 sjell dritën e parë elektrike në qytetin e Gjirokastrës, një ndër qendrat e para urbane në Shqipëri që u elektrifikuan, një element që sipas studiuesve dhe intelektualëve, tejkaloi periudhën otomane dhe shënoi kthesën drejt kulturës perëndimore.
Ndërtimi i centralit elektrik që vijon të jetë ende funksional përfund qytetit, solli ndezjen e llampës së parë në lagjen "Palorto", ndërsa për herë të parë energjia elektrike është instaluar falas në shtëpinë e Mulla Teki Karabinës, nga shoqëria italiane e kësaj kohe që ndërtoi dhe që ishte edhe pronarja e centralit elektrik. E në fakt historia e ndriçimit në Gjirokastër është sa interesante, aq edhe e lidhur me të zgjedhurit që drejtonin qytetin. Një kryetar bashkie ndriçonte një objekt të caktuar, monumental apo fetar, dikush një lagje apo një zonë, ku sigurisht banonte vetë. Për intelektualët, drita shënoi njëkohësisht historinë moderne të qytetit. "Ku fillon historia moderne e Gjirokastrës? Me daljen e qytetit nga marrëdhëniet e mbyllura feudale në komunikimin e saj me qendrat evropiane, me hyrjen e ideve të revolucionit borgjez francez dhe krijimin e shoqërive kulturore- politike, me hapjen e shkollave dhe kështu mund të rendisim 100 pyetje të tjera. Por, pa asnjë diskutim, lidhja e qytetit me ndriçimin është një histori interesante dhe moderne, që e bëri edhe Gjirokastrën të tillë. Janë të njohura historitë e kryetarëve të bashkisë në Gjirokastër dhe politikave të ndjekura prej tyre në lidhje me ndriçimin e qytetit. Disa ndriçonin kalanë, disa pazarin, disa kishën, disa ndriçonin xhaminë, disa të tjerë shtëpinë apo lagjen e tyre",- shprehet Vladimir Qirjaqi, historian e arkeolog.


Ndriçimi sot

Por, për fat të keq apo të mirë, aktualisht historitë e vjetra të para Luftës së Dytë Botërore që lidhen me ndriçimin, nuk tingëllojnë aspak si të dala jashtë mode apo jashtë realitetit.
Sot Gjirokastra pas mesnatës zhytet në errësirë të plotë, ndërsa në orët e mbrëmjes vetëm një pjesë e lagjeve kanë ndriçim rrugor, në të tjera, në mënyrë të veçantë në pjesën e sipërme është thjesht një shërbim i munguar.

Mungesa e ndriçimit rrugor është e pranishme në të gjitha zonat e qytetit, madje edhe në shumë pjesë të Qendrës Historike të Gjirokastrës, duke bërë që me perëndimin e diellit vlerat e rralla arkitektonike të humbasin, një gjendje që vazhdon të jetë e tillë prej dy vjetësh. Nëse udhëton në rrugën kombëtare Gjirokastër- Kakavijë pas mesnatës, zonat rurale që e rrethojnë Gjirokastrën duken si qytete për shkak të numrit të konsiderueshëm të llampave të ndezura, ndërsa krejt e kundërta ndodh me qytetin, i cili të jep përshtypjen e një fshati me 10- 20 shtëpi. E ndërsa banorët ankohen për këtë shërbim sa të nevojshëm aq edhe të munguar e që paguhet për çdo muaj prej tyre, pavarësisht se në shumë raste nuk e kanë thuajse asnjëherë, intelektualët e cilësojnë atë si një ndërhyrje dhe cenim të jetës së secilit në këtë komunitet dhe kërkojnë ndryshimin e menjëhershëm të këtij realiteti. "Nëse del nga një mjedis festiv apo i ngrohtë dhe përballesh me errësirën e plotë në rrugë, menjëherë të krijohet ndjesia e boshllëkut, që është mbytëse. Imagjino kur të duhet të dalësh natën për një hall familjar apo diçka të rëndë, se çfarë ndjesie negative merr. E përveç kësaj, një nga vlerat më të mëdha të Gjirokastrës është pamja, pas së cilës janë mahnitur jo vetëm studiuesit, shkencëtarët, personalitetet apo udhëtarët, por edhe njerëzit e artit, piktorët, skulptorët, fotografët; në buzëmbrëmje e më tëj edhe atyre u humbasin pamjet", shprehet Llambi Margariti, piktor. "Gërmadhë" mund të cilësohet në leksikun vendas Gjirokastra pas mesit të natës, duke e bërë këtë realitet një fakt mjaft tronditës. Ndriçimi është një pjesë e rëndësishme e teorisë së evidentimit të vlerave të pasurive të UNESKO-s.
Specialistë të fushës, arkitektë, inxhinierë kanë dhënë projektet e ndriçimit, si artistik, ashtu edhe funksional të vlerave të qytetit. Ndërkohë, herë pas here shtëpia e Zekatëve ndriçohet në mënyrë profesionale nga dashamirësit e saj, por ndriçimi është një problem i madh qytetar dhe nuk zgjidhet në mënyrë spontane dhe individuale. Politika në nivelin e përgjegjësisë së ruajtjes dhe ekspozimit të qytetit muze duhet ta ndriçojë atë. Të zgjedhurit lokalë në emër të atyre që kanë thënë duhet të bëjnë detyrimisht rekuperimin e kësaj situate. Në qytete moderne përpjekjet bëhen për të shmangur ndotjet e mjedisit nga dritat dhe zhurmat e forta dhe lufta për orare të reduktuara, ndriçime të reduktuara, zëra të reduktuar, por them me bindje se ajo që ndodh në Gjirokastër është më e rëndë akoma, errësira dhe boshatisja e qytetit pas mesnatës të krijon ankthin e vdekjes", thekson më tej Vladimir Qirjaqi, arkeolog.  

Pasuritë botërore të përmasave si Gjirokastra kanë "të drejtën" të pretendojnë për shumë përkujdesje, interes e vëmendje; qytetit të gurtë i mohohet edhe e drejta e ndriçimit, simbol i zhvillimit, jetës, vazhdimësisë. Ndërkohë, nga ana e kreut të bashkisë për këtë problem vetëm heshtet dhe nuk pranohet të jepet asnjë përgjigje.



Entela Bani, G. Shekulli

Wednesday, August 18, 2010

Tepelenë, dëmtohen rrënojat arkeologjike

 Ndërtimi i një rruge të re në Tepelenë nga një kompani greke ka nxjerrë në dritë një monument antik.

Skulptura dhe pllakate të një nekropoli janë demtuar mjaft rëndë dhe është dashur ndërhyrja e banorëve të zonës për të penguar shkatërrimin.

Arkeologu Dhimitër Kondi thotë se është një nekropol që daton 3 vjet para Krishtit.
Pritet që në ditët në vijim të ndërmerren masa për ta devijuar këtë aks, por deri tani nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar.

t.chanel

Tuesday, June 22, 2010

Hetuesi nga Shkodra: Kam zbuluar misterin e Stonehenge

Një hetues i Prokurorisë së Shkodrës i apasionuar pas mistereve, pretendon se ka zbuluar kodin e masivit të çuditshëm guror të Salisburit.

SHKODËR - Nazmi Selimi, nga qyteti i Shkodrës, është një kërkues shkencor autodidakt që merret me studimin e lashtësisë. Me arsim të lartë Ekonomik, ai prej shumë vitesh punon hetues në prokurorinë e Shkodrës, aktualisht në hetimin e krimit ekonomik.

Siç deklaron ai vetë për gazetën "Shekulli", zbulimi i mistereve e ka tërhequr dhe prej 10 vitesh i është përkushtuar me pasion kësaj pune. Nazmiu shprehet se ka arritur të bëjë ç'kodimin e një prej monumenteve të lashtësisë akoma mister, atë të Stonehenge, duke hartuar dhe kalendarin përkatës.

Verifikimi i këtij pretendimi i mbetet sigurisht ekspertëve të fushës, por ne e pyetëm në një intervistë të shkurtër z. Selimi, për çfarë bëhet fjalë konkretisht: "... Objektivi im ka qenë që para 21 qershorit, ditës së Solsticit Veror që festohet nga neopaganët ose neodruidët në Stonehenge, të bëja publik atë që kam mundur të realizoj ç'kodimin e parë të Stonehenge, kalendarin diellor.
Pra, t'ju tregoj se gurët e këtij monumenti të lashtësisë nuk shërbejnë vetëm për të shënuar ditën e Solsticit Veror, por janë një kalendar i saktë diellor me një ndryshim prej afro 2 sekondash"
- thotë ai.
Objekte, kryesisht tempuj të lashtësisë që në një ditë të caktuar dhe vetëm atë ditë, një pikë e tyre në brendësi të objektit ndriçohet nga rrezet e diellit, janë të shumtë. Të tilla ka në Egjiptin e lashtë etj. "Të habit fakti se si studiuesit e inxhinierët e sotëm nuk mund ta arrijnë një gjë të tillë.

Projekti i ndërtimit të hidrocentralit të Asusanit mbi lumin Nil në Egjipt përfshinte përmbytjen e tempujve dhe shtatoreve gjigante. Ato i zhvendosen, por gjatë rivendosjes kurrsesi nuk u arrit që në një ditë dielli të ndriçonte një pjesë brenda në tempull. Kjo tregon se të lashtët kanë ditur diçka më shumë se ne" - shton Nazmi Selimi.

Z. Nazmi, a jeni i sigurt se e keni ç'koduar Stonehenge dhe ku e mbështesni këtë?

Matematika është matematikë. Që nga shtatori i vitit 2009, unë e kam provuar me mijëra herë dhe përfundimi është veç saktësia. Jam detyruar të studioj të gjithë kalendarët e lashtë të sumerëve, egjiptianëve, majave etj., si dhe ato të sotëm.
Ky nuk ngjason me asnjërin, por është më i përkryeri dhe shumë më i përsosur se kalendari i sotëm. Unë kam afro 40 vjet që merrem me kërkimin e mistereve.

Të dhëna që për shumë njerëz janë të parëndësishme për mua kanë vlejtur shumë. Kështu para 20 viteve, në Selcë të Vermoshit unë kam takuar një të moshuar, i cili parashikonte me saktësi motin, jo për një ditë apo për një javë, por për 6 muaj.

Formula që përdorte selciani nuk ishte asgjë tjetër, veç rregullsia e përsëritjes së ditës që shprehet në kalendarin e Stonehenge. Përveç kësaj, më kanë ndihmuar dhe detaje të tjera që duken të vogla.

Po ju nuk keni qenë asnjëherë në Stonehenge dhe pretendoni se e keni ç'koduar... Ndërsa janë të shumtë studiuesit dhe qendrat shkencore në botë që merren me Stonehenge.

Si e shpjegoni këtë?


As deshifruesit e mëdhenj si Shampolioni e Juri Knorosov nuk i panë nga afër Piramidat e Egjiptit dhe të Majave, por i deshifruan hieroglifët e Egjiptit të lashtë dhe shkrimet e Majave.

Francezi Shampolioni nuk ishte akademik, ai veç këmbënguli dhe vërtetoi të kundërtën e asaj çfarë mendonin "baronët e shkencës", që një hieroglif, pra një figurë paraqet veç një germë. Unë nuk kam titull shkencor, nuk bëj pjesë në asnjë staf shkencor, por edhe Juri Knorosov ishte veç një vrojtues artilerie në Luftën e Dytë Botërore.

Ai vrojtoi librat që po digjeshin në bibliotekën e Berlinit dhe mori fjalorin e një prifti spanjoll, dhe kjo vepër e gjetur rastësisht prej tij e ndihmoi në studimet e mëvonshme.
Punimet kryesore në Stonehenge i ka kryer një kolonel. Edhe në Giza, ishin xhenierët e Napoleonit që konstatuan se piramidat fshihnin të dhëna të sakta.
Unë jam ushtarak karriere me gradën Major i Logjistikës. Jam hetues me profesion dhe shumë kohë e kaloj duke studiuar misteret e lashtësisë.

Përse nuk i paraqisni rezultatet e punës suaj, atë çfarë pretendoni se keni zbuluar, tek institucionet shkencore përkatëse?

Kam tentuar. Kam shkuar tek drejtues të Akademisë së Shkencave dhe tek departamenti i fizikës në Universitetin e Tiranës.

Ato janë treguar shumë njerëzorë me mua, por mënyra e dorëzimit të materialit nuk më pëlqeu. Ne nuk kemi një ligj që të garantojë pronësinë intelektuale, çdo zbulim mund të vidhet para se të botohet.

Për ç'kodimin e Stonehenge, National Geographic Society kishte vendosur dikur një çmim. Afati i ofertave ka mbaruar, por jo interesi për të. Jam duke u përpjekur që të lidhem me institucionet e interesuara në Angli e SHBA.

ÇFARË ËSHTË STONEHENGE?

Kompleksi megalitik i Stonehenge është ndërtuar në Salisbury të Britanisë së Madhe, rreth vitit 3200 para Krishtit, në kohën kur u ngritën dhe piramidat e mëdha të Egjiptit. Përbëhet nga unaza të mëdha guri dhe ka një mori vrimash në terren në formë rrethore.
Nuk është ende e qartë për çfarë ka shërbyer dhe është po kaq e paqartë se si janë zhvendosur dhe pozicionuar gurë me peshë dhe madhësi të atillë të jashtëzakonshme.

Një pjesë e studiuesve mendojnë që është ndërtuar nga banorë antikë si një vend kulti, një pjesë tjetër si një kalendar gjigant për të mbajtur "shënim" ecjen e muajve, stinëve, viteve, të tjerë debatojnë rreth faktit nëse ishte një observator gjigant astronomik.

Termi Stonehenge nga anglishtja përkthehet fjalë për fjalë "gur i varur". Sot ky vend është shndërruar në një vend turizmi masiv, si dhe vend pelegrinazhi për ndjekës të feve të reja neopagane.

Anila Dushi, G. Shekulli

Sunday, June 20, 2010

Gëzim Uruci: Eksploratori më i madh shqiptar i të gjitha kohërave

SHKODËR -Ka qenë vetëm 5 vjeç, kur në vitin 1950 së bashku me babanë e tij, zbuluan shpellën e Gajtanit pranë fshatit Gur i Zi në Shkodër.

Ky ishte vetëm fillimi i një pasioni të madh në fushën e speleologjisë për shkodranin Gëzim Uruçi, i cili konsiderohet si eksploratori më i madh shqiptar i të gjitha kohërave. 62-vjeçari është eksplorues i rreth 3200 shpellave në të gjithë botën dhe mban titullin Profesor Honoris në shkencat speleologjike.

Ndonëse 12 vjet më parë një sëmundje e la invalid, ai me një përpjekje mbinjerëzore e mposhti atë. Edhe pse me paterica, Uruçi është pjesë aktive e ekspeditave ndërkombëtare. Shkodra njihet si qyteti që ka nxjerrë emra të shquar në fushën e artit, kulturës dhe të shkencës. Një prej tyre është Gëzim Uruçi. Në vitin 1994, Unioni Internacional i Speleologjisë në Bruksel i dha titullin Profesor; Federata Bullgare e Speleologjisë dhe Unioni Internacional i Astronomisë, e kanë nderuar me medalje; më 1994, në Spanjë iu dha çmimi "Juri Gagarin". Ndërsa më 2001, Instituti Biografik i Kembrixhit e përfshiu ndër intelektualët më të shquar të botës. Uruçi është përfshirë në 8 enciklopedi ndërkombëtare, ku e fundit është ajo e vitit 2006 (enciklopedia e speleologjisë së Bullgarisë). Aktualisht, 62-vjeçari që nderoi e nderon qytetin e tij të lindjes dhe Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, merr pjesë çdo vit në mjaft konferenca ndërkombëtare

PASIONI PËR SPELEOLOGJINË
Gëzim Uruçi, pasionin për zbulime e kërkime e ka trashëguar nga babai i tij, Myftar Uruçi. Ky i fundit, i diplomuar në Perëndim, në vitin 1936, krijoi në Shkodër me disa shokë të tij, shoqërinë e bjeshkatarëve e shpellarëve, si pjesë e shoqërisë "Vllaznimi". Po nga babai, Gëzimi trashëgoi dhe pasionin për alpinizmin. Në vitin 1970, ai krijoi grupin e parë të speleologëve shqiptarë. Por sipas urdhrit të dhënë nga qeveria e asaj kohe, ky grup speleologësh duhet të shkonin vetëm në disa shpella për eksplorim, si në atë të Jubanit dhe Zhylës në Shkodër; Pirogashit në Jug dhe e Piratëve në Dhërmi. Zhvillimi i speleologjisë do i çonte arkeologët në zbulime të rëndësishme; si mbishkrime të lashta; instrumente litikë; piktura neolitike, siç janë ato në shpellat e Dukagjinit e Këlmendit në Shkodër; në shpellën e Trenit në Korçë; në shpellat e Karaburunit; Dhërmiut e Himarës. Në vitin 1972, zbulimet e tij bëhen prezent në Akademinë e Shkencave, ku Gëzim Uruçi pranohet si bashkëpunëtor për speleologjinë, ndërsa punonte si teknik i mesëm në uzinën mekanike "Drini "në Shkodër.

RREZIQET
Eksplorimet në shpellën e Gjolajve në Bratosh të Bajzës, atë të Bijës së Husit në Bogë, shpellën e Majës së Harapit në Theth, shpellat e Konispolit e Karaburunit, janë ato që kanë lënë dhe mbresat më të pashlyeshme tek speleologu Uruçi. Duke rrëfyer për emocionet dhe rrezikshmërinë, ai tregon se mjetet që përdoreshin ishin mjete primitive empirike, pasi mungonin pajisjet e posaçme dhe teknika përkatëse. "Këto mjete prodhoheshin nga ne, si gozhdët për shkëmbinj, ganxhetat, shkalla prej litari etj. Përdornim dhe mjetet e alpinizmit. Për kaskë mbrojtëse merrnim kapele minatorësh, të cilat i gjenim privatisht me anë të lidhjeve shoqërore e miqësore me minatorë", - tregon 62-vjeçari. Ai thotë se ishte tepër e rrezikshme futja e lëvizja nëpër hapësirat e sifoneve, të cilat janë gropa në formë omega, si vezore të mbushura me ujë, në pozicione të ndryshme nën tokë, në thellësi 150-300 m. "Të gjitha pajisjet e zhytjes prodhoheshin nga ne. Maskat e fytyrës i bënim me lozen e gomave të vjetra të makinave, të cilat nuk përdoreshin më. Tek sytë vinim xham të zakonshëm si dhe faqet gominash të makinave Çentauer. Tubat lidhës i modifikonim me tuba gome të ndryshëm, dhe këto i bënim në fshehtësi. Kjo për faktin se nuk lejohej përdorimi tyre, pasi mund të përdoreshin për arratisje", - rrëfen Uruçi. Sipas tij, disa prej këtyre mjeteve ruhen dhe sot në muzeun e tij privat.
Gëzim Uruçi tregon se të dhënat që grumbullonin ia dorëzonin Akademisë së Shkencave. Në mjaft raste të studimeve, anëtarët e kësaj akademie u referoheshin të dhënave të tyre (speleologëve).

APARTAMENTI MUZE
Shtëpia ku jeton Gëzim Uruçi së bashku me familjen e tij ndodhet në katin e pestë të një pallati në qytetin e Shkodrës, por ajo mund të quhet mjaft mirë një muze i arkeologjisë e speleologjisë, një qendër studimore ku arkivi, fototeka e biblioteka kanë zënë çdo hapësirë. Në çdo mur të apartamentit të tij shikon të ekspozuara objekte të gjetura në shpella apo gërmime arkeologjike. Ai ruan në arkivin e punës së tij (fototekë) filma dhe foto të bëra me teknikë dixhitale, rreth 1.300.000 të tilla të skeduara me indeks shkencor sipas sistemit të fototekës 'Marubi'. Thuajse gjysma e tyre i përket studimeve speleologjike, me foto bardh e zi dhe kolor, ndërsa ka dhe mjaft diapozitiva. Edhe biblioteka e tij personale është ndër më të mëdha të biblioteka private, ku përfshihen mjaft literature për gjeografinë dhe speleologjinë. Lidhur me bibliotekën e tij personale, Uruçi sqaron se në vitin 1990 ka pasur oferta nga shteti i atëhershëm për t'ia dhuruar atij, kundrejt një këmbimi qesharak (do e dërgonin të punonte mësues në një fshat afër Shkodrës). Madje pas 1990-ës nuk i kanë munguar dhe interesimi për arkivin e tij nga universitete të huaja që kanë afruar çmime të pëlqyeshme, por që janë refuzuar, pasi dorëzimi i kësaj pasurie për Uruçin do të thotë të tradhtojë pasionin e jetës së tij si dhe traditën e familjes.

Vetëm letërkëmbimi i familjes dhe i tij përmban rreth 13.000 letra në 18 gjuhë të ndryshme të botës, ku nuk mungojnë ato me 70 universitete të huaja dhe 30 akademi. Literatura që ka biblioteka familjare e tij, i përket fushave të etnografisë, astronomisë, arkeologjisë, speleologjisë, muzikës empirike, mjekësisë antike etj. Për të sistemimin e ruajtjen e kësaj pasurie e ndihmon dhe vajza e tij.


G. Shqiptare



TATUAZHET - "LULEBOJE" TË GDHENDURA MBI SHPINË TË DORËS NË SHQIPËRINË VERIORE

Tatuazhet i kemi njohur relativisht vonë. Në fillim nga djemtë e lagjes që ktheheshin nga ushtria. Ata tregonin me krenari o krahun, o parakrahun e tyre, ku me siguri do të qe gdhendur ose ndonjë tank, ose ndonjë spirancë dhe më rrallë ndonjë femër me goxha të ndenjura. Pastaj erdhi shpërthimi i modës së tatuazheve që janë njësoj si ato simbolet aziatike që mbajnë të rinjtë anë e kënd globit. Me pak fjalë, na ishte krijuar bindja se tatuazhet mes nesh janë gjë relativisht e re. Porse ka qenë një bindje e gabuar. Mjafton të shfletojmë një dorëshkrim të vjetër dhe ndërrojmë sakaq mendim.

Janë malësorët e Veriut ata që na bëjnë të ndryshojmë mendje. Një simbol nazist për kohën tonë për ta nuk është veçse "dilli i Hotit", ose "drita e dillit t‘Zotit", apo një yll, që për ne është i Davidit hebre, për ta është "hylli i Pejgamerit". Për ta nuk ekziston fjala eklips. Për ta një rreth i ndarë në të bardhë e të zezë nuk është gjë tjetër veçse "hana qi xen dillin" dhe kur ndodhte kjo, atëherë diçka e mbarë do të vinte me siguri.
Një botë e mbushur me simbole, me besime dhe frikë, me dëshira dhe urime, kjo është bota e tatuazheve të malësorëve të Veriut. Nëse i kundron gjatë këto tatuazhe, që kanë ardhur nga thellësitë e shekujve, duket sikur kridhesh në atë atmosferën e brymtë të maleve të Veriut tonë, atje ku koha nuk ecën aq shpejt sa poshtë ndër fusha e qytete, atje ku janë të përziera bashkë predikimet e priftit a të hoxhës me legjenda të stërlashta. Malësorët tanë vetëm vonë e kanë mësuar fjalën tatuazh. Për ta simbolet që mbanin në trupin e tyre ishin thjesht "luleboje", pra zbukurime të bëra me bojë, të cilat sjellin fat e largojnë shpirtrat e këqij që i sillen rrotull çdo njeriu. Në disa raste ata tatuazhin e kanë quajtur thjesht "lule e bame me ferrë". Ferrë në këto anë i thonë gjembit të madh me të cilin bëheshin tatuazhet. Boja është në të shumtën e herëve e zeza dhe ishte po nga ai lloj që përdorej për të ngjyrosur mëndafshin.

Nuk mund t‘ua paraqesim këto tatuazhe pa folur për njeriun që i ka mbledhur ato për më shumë se tridhjetë vjet. Imagjinoni sikur sa herë të njiheni me një njeri, ta shikoni atë ngultas nga shpina e dorës. "Shumë i bukur. Kur e keni bërë dhe kush ua ka bërë? Ç‘do të thotë kjo shenjë"? Këtë pyetje personazhi ynë e ka përsëritur me qindra herë në më shumë se tridhjetë vjet ndër kasolle fshatarësh apo mbi karroceri kamionësh, në errësira kullash, apo mes barinjve në bjeshkë. Ai quhet Gëzim Uruçi, këtij duhet t‘ia dimë për nder këtë zbulim shumë të rëndësishëm etnologjik.

Së bashku me emrin e tij lind edhe vështirësia më e madhe e këtij shkrimi. Është vështirë të shkruash për Gëzim Uruçin, sepse ai në fakt ka shkuar dy jetë paralele. Që t‘i rrëfesh të dyja, do të duheshin disa gazeta të marra së bashku. Njëra ishte ajo që e lidhte me malin, me shpellat, me aparatin e tij fotografik të pandarë, me makinën e tij të shkrimit, me librat dhe me studimet e panumërta, me sportin dhe muzikën. Kjo ishte pjesa e mbarë e jetës së tij, ajo që e bënte të ndihej mirë dhe që do të dëshironte të zgjaste pa fund. Jeta e tij e dytë ishte e përditshmja, ajo që e dërgonte sa në fermë si punëtor i thjeshtë, pastaj si nxënës këpucar, më vonë si xhenerik e mekanik. Kjo ka qenë për shumë dekada jeta e përditshme e Gëzim Uruçit, një betejë pa fund për të mbajtur familjen e tij.

Gëzimi na pret në apartamentin e tij në rrugën "Ura Dervishbeg" në Shkodër, në një pallat që është ndërtuar pikërisht atje ku ka qenë "zemra diplomatike" e Shqipërisë, konsullatat e huaja në Shkodër. Edhe ky apartament në katin e fundit të një pallati në anë të rrugës e ka një histori më vete. "Ma kanë dhanë masi kam projektu shatërvanin në qendër të qytetit. Deri atherë isha vetë i katërt në nji dhomë të vetme. Po edhe kte deshën me ma xanë n‘fillim", kujton Gëzimi. Shtëpia e tij është e stërmbushur me libra, foto, albume e antikuarë gjithfarësh. E gjithë historia e Shkodrës në foto, historia e alpinizmit dhe e sporteve të tjera në Shqipëri, speleologjia shqiptare, personazhe të njohur e të panjohur, të gjithë flenë në raftet e Gëzimit që kanë nisur të harkohen ca nga pesha e rëndë e historisë. Kalojmë do kohë me Uruçin, me profesorin, sikurse e njohin të gjithë në Shkodër, duke kujtuar historitë e tij të vjetra. Gëzimi ka lindur në një shtëpi nga ato të vjetrat shkodrane, në lagjen "Ndocaj", në vitin 1949. Prindërit ishin të shkolluar, mbase ca më shumë se ç‘duhej për atë kohë. Fati e desh që babai i tij, Myftari, që kishte studiuar për sporte në Itali, të punonte ca kohë si ekonomat e kuzhinier në ambasadën jugosllave. Kjo ngjarje do të ndikojë fort në jetën e më pasme të familjes Uruçi, sepse lidhja me jugosllavët nga dashuri e pafund u shndërrua në armiqësi vrastare. Gjithsesi, falë dëshirës së të atit për të udhëtuar në male, Gëzimi fillon rrugën e alpinizmit. Ngjitjen e parë në Jezercë e ka bërë në 1954, kur ishte veçse pesë vjeç. Myftari kaloi dy periudha në burg, i dënuar për agjitacion e propagandë. Në akuzë i përmendën edhe se kishte thënë shprehje të tilla si:
"Tërhiqe e mos këput, e mos ha mâ¦", ose: "Në socializëm duhet me hangër si zogu, me fjetë si lepuri e me punu si kali". Gëzimi ndërkohë kishte mbaruar shkollën e mesme të muzikës për trombë, por tashmë njolla në biografi ishte vënë, ai duhej të punonte në fermë. Këtu nis historia e pjesës më të madhe të asaj që e quajtëm "jeta e dytë" e Gëzim Uruçit. Në kohën e lirë personazhi ynë vazhdoi të merrej me alpinizëm e speleologji. Duket se një kthesë të vërtetë ka shënuar në jetën e tij zbulimi i shpellës së Gajtanit, një vendbanim shumë i rëndësishëm parahistorik. Pas shumë peripecish, ndërsa punonte në Vaun e Dejës si mekanik, më në fund arrin që të sigurojë të drejtën e studimit për Histori-Gjeografi në Shkodër. Gëzimi kujton me mall profesor Aleks Budën. "E mbaj mend si tani, thotë, binte shi i madh në Tiranë. Profesor Aleksi më mori nga dora dhe kemi hyrë drejt e te zyra e Adil Çarçanit. Prej tij e kam nisë shkollën".

E shfletojmë edhe një herë biografinë e Gëzimit dhe vrasim mendjen se si do t‘ia bëjmë në redaksi që ta përfshijmë të tërën në pak hapësirë gazete. 1157 artikuj të shkruar në periodikë të ndryshëm, mjeshtër sporti, 3000 shpella të eksploruara brenda dhe jashtë vendit, 217 maja të pushtuara, kryetar fondacionesh dhe anëtar nderi në disa vende, fitues medaljesh dhe çmimesh kombëtare e ndërkombëtare¦ Është e kotë. Nuk kemi mundësi t‘i shënojmë të tëra, është një listë shumë e gjatë.

Gëzimi tani çalon. "Aventura" e tij më e fundit ishte mposhtja e një sëmundjeje të rëndë që e mbajti të paralizuar për disa vjet. Duke u çapitur na vë përpara një mal me dorëshkrime. "Janë afro 15 dorëshkrime. Këto të gjitha i kam gati për botim. Ma shumë janë të etnokulturës, speleologjisë dhe alpinizmit, por ka edhe ndonjë gjë letrare". Kështu u njohëm me tatuazhet e Veriut që feksnin menjëherë në grumbullin e madh të letrave. "Katalogu i tatuazheve te shqiptarët", është titulli i dorëshkrimit që i përmbledh. Një pjesë shumë të vogël të tyre po e botojmë me shpjegimet e thjeshtuara, duke ruajtur dialektin gegnisht të mbartësve. Në origjinal ato janë shumë herë më të detajuara. Sikurse do ta shihni, emrat e mbartësve të këtyre "lulebojëve" janë shënuar vetëm me iniciale. Gëzimi ka dashur t‘i ruajë malësorët nga ndonjë pasojë e mundshme. Asokohe të thoshe Krisht apo Pejgamber ishte njësoj sikur t‘ia vije vetë prangat vetes, pa le t‘i kishe të ngulitura fort nën lëkurën tënde këto simbole.

Kjo që do të shihni nuk është veçse një fije shumë e vogël nga puna kolosale që ka bërë ky njeri i habitshëm. Sekush prej nesh, që kemi vetëm një jetë në këtë tokë, lë gjëra pas. Disa mbeten, disa harrohen. Imagjinoni se çfarë ka lënë pas njeriu të cilin e cilësuam "me dy jetë".


Fatos Baxhaku, Shqip

Monday, June 14, 2010

Neandertali është brenda nesh

Zbulimi: krahasimi mes gjenomës së neandertalit dhe gjenomës sonë tregon se, para se të zhdukeshin përfundimisht, ADN-ja jonë kopjohej me të tyren, madje disa gjene të neandertalit jetojnë ende te ne.

Tani e tutje, duke u parë në pasqyrë, do të kemi më shumë informacione në lidhje me identitetin tonë: brenda nesh “jeton”, edhe pse në përqindje të vogël, njeriu i Neandertalit. Përqindja ndryshon te çdo person, duke variuar nga 1, në 4 për qind të trashëgimisë gjenetike.

Falë analizës së tij të ADN-së, të sapokompletuar, sot dihet që njeriu i Neandertalit ka qenë i ngjashëm me ne.

Kjo specie është zhdukur rreth 30 mijë vjet më parë dhe para se të ndodhte ky fenomen, u kryqëzua me ne, me specien homo sapiens, që ka lindur në Afrikë dhe më pas erdhi në Azi e Europë, ku njeriu i Neandertalit jetonte prej mijëra vjetësh.
Ndoshta femrat neandertale burgoseshin nga homo sapiensët dhe më pas me to kopjoheshin. Ose ndoshta mund të ketë pasur lidhje paqësore mes dy specieve njerëzore, dhe homo sapiens kënaqej duke bërë pushtime ekzotike. Prania e gjeneve neandertale te njeriu modern nuk ka qenë e papritur për ekspertët. “Nuk do të më gëzonte asgjë më shumë sesa fakti që mbaj në gjakun tim, qoftë edhe një pikë gjak neandertali, që më lidh me këto specie të lashta europiane, por kam frikë se lidhja ime me to është vetëm sentimentale”, shkruante para pak kohësh Juan Luis Arsuaga, paleontologu i universitetit “Complutense” të Madridit, i cili ka qenë protagonist i një zbulimi të mrekullueshëm të një hominidi 300-vjeçar në Atapuerka (Spanjë).


Një gjenomë e çmuar

Ajo që na siguron se kemi shumë ngjashmëri me gjakun e njeriut të Neandertalit është një studim shkencor i paprecedent: studiuesit e institutit “Max Planck Institute for Evolutionary Anthropology” kanë bërë të ditur në revistën “Science” se kanë arritur të mbledhin mbi një milion fragmente ADN-je të njeriut të Neandertalit dhe të përzgjedhin një numër të mjaftueshëm fragmentesh ADN-je jo të infektuara (nga baktere ose faktorë humanë), për t’u bërë analizat 4 miliardë kopje bazash, pra mbi 60 për qind të të gjithë gjenomës së neandertalit. Fragmentet e ADN-së janë shkëputur nga kockat e femrave neandertale, të cilat kanë jetuar para 38 mijë vjetësh. Fosilet e tyre janë gjetur në Kroaci, në shpellën e Vindijas. Gjithashtu, studiuesit kanë marrë copëza ADN-je edhe nga individë të tjerë me prejardhje nga Spanja dhe Rusia. Më pas studiuesit kishin krahasuar të dhënat e përftuara me gjenomën e njeriut modern, veçanërisht me pesë grupe popujsh aktualë: ato të Afrikës Jugore dhe Lindore, Francës, Kinës dhe Malajzisë.
Gjurmë gjenetike të neandertalit nuk janë gjetur tek afrikanët, ndërkohë që rezultojnë të pranishme në të gjitha grupet jashtë Afrikës.
Përqindjet e ADN-ve të gjetura ngjasojnë si në Francë, ashtu edhe në Malajzi.

“Kjo do të thotë që secili prej nesh, nëse nuk është afrikan, mban në vete pak ADN të njeriut të Neandertalit”, thotë Svante Paabo, një nga drejtorët e studimit.

“Neandertali dhe njeriu modern nuk u kryqëzuan në Afrikë, por në Lindjen e Mesme, mes 100 mijë dhe 50 mijë vjet më parë, para se këto të fundit të përhapeshin në Azi dhe Malajzi”.

Krahasimi gjenetik mes neandertalit dhe popullsisë aktuale ka bërë të mundur gjithashtu zbulimin e disa gjeneve rregullatore, karakteristike të qenies sonë, të cilat mungojnë te njeriu i Neandertalit. Për shembull, gjenet përkatëse të disa proteinave, në strukturën e lëkurës dhe kafazit të kraharorit, të funksioneve njohëse dhe formës së kafkës, ndryshojnë shumë nga ato të njeriut të Neandertalit. Prania e gjeneve neandertale të treguara nga studimet e institutit “Max Planck”, i jep të drejtë një grupi studiuesish të koordinuar nga Erik Trinkaus, nga Universiteti i Uashingtonit, i cili paraprakisht kishte bërë të ditur gjetjen e fosileve të përziera të neandertalit dhe homo sapiensit. Mbetjet e gjetura në Pastera Muierii (Rumani) janë 30 mijë vjeçare dhe kanë harqe orbitale pak të harkuara (si ato të homo sapiensit) dhe ballë të vogël (si ai i neandertalit).

Jetë paralele


Njeriu modern ka të paktën një paraardhës të ngjashëm me njeriun e Neandertalit: homo antecessor, që ka jetuar nga 1,2 milionë në 800 mijë vjet më parë. Që atëherë, evolucioni ka ndjekur dy drejtime: atë afrikan, që rreth 150 mijë vjet më parë vendosi origjinën e homo sapiensëve, pra tonën; dhe atë euro-aziatike që para 500 mijë vjetësh solli shfaqjen e para-neandertalëve (homo neanderthalensis). “Në të dyja drejtimet, në mënyrë të pavarur pati një zhvillim të fortë të trurit”, shpjegon Juan Luis Arsuaga. “Njeriu i Neandertalit kishte një kapacitet cerebral të ngjashëm me atë human, ose më të madh. Për t’i bërë vend trurit, i cili arrinte deri në 1750cm³, kafka e tij ishte zhvilluar në pjesën e poshtme, me pjesë frontale të sheshtë, ndërsa te homo sapiensët kafka u zhvillua në mënyrë vertikale dhe të rrumbullakët”. Veç të tjerash, njeriu i Neandertalit i kishte konturet e gropave të syve më thella, të cilat formonin një fytyrë kockore. Fytyra ishte “në trajtë pyke”, me vrima hundësh të gjera, të cilat funksionin si radiatorë për të njomur dhe tharë ajrin e ftohtë që thithnin. Mjekra nuk ekzistonte, krahët ishin të spostuar pas, ndërsa prapakoka më poshtë. Te homo sapiensi kafka kishte formë sferike, fytyra ishte e sheshtë, balli i rrumbullakët dhe mjekra e dendur. “Njeriu i Neandertalit kishte gjymtyrë të shkurtër dhe gishta të trashë. Ishte më i shkurtër se homo sapiensi dhe kishte trup më të lidhur, ashtu siç rezulton edhe nga trashësia e kockave dhe gjerësia e legenit. Shumë prej tyre i kalonin 80 kilogramë”, shpjegon Arsuaga. Të gjithë i ishin përshtatur të ftohtit. Gjithashtu sipërfaqet pak të zbuluara u ruanin nxehtësinë e trupit. Para 100 mijë vjetësh, homo sapiensët që u zhvilluan në Afrikë, erdhën në Lindjen e Mesme. Më vonë, pas 40 mijë vjetësh arritën në Europë, ku ndanë territorin me njerëzit neandertalë për të paktën 10 mijë vjet.


Ata të bardhë, ne të zinj

Në një roman të shkruar nga një paleontolog, Björn Kurtén, “Vallja e tigrit”, filluan të shquheshin më mirë ndryshimet mes njeriut të Neandertalit dhe homo sapiensit, parë me syrin e paraardhësve tanë. Njerëzit neandertalë ishin të bardhë dhe biondë, sepse kishin jetuar shumë kohë në veri dhe na shihnin ne sapiensëve, të ardhur nga Afrika, si “zezakë”. Për ata ne ishim shumë të gjatë, me gjymtyrë të gjatë, një tjetër tipar për t’iu përshtatur klimës tropikale, ku është shumë e rëndësishme, ndryshe nga ç’ndodh në veri, të dish të ftohësh trupin. Trupi dhe gjymtyrët e gjatë e shpërndajnë më mirë nxehtësinë. Ata na shihnin si fëmijë të rritur më shumë se ç’duhej: fytyrë të gjatë, faqet dhe balli po ashtu, kokë të rrumbullakët. Pra ne kishim një pamje që mes tyre ishte tipike e fëmijëve (te gjitarët, rrumbullakësia e këlyshëve të tërheq dhe është një shenjë që favorizon kujdesin prindëror). Por ata ishin “fëmijë të pafajshëm”, apo “mizorë”?


Luftë dhe paqe

Sipas ekspertëve, dy speciet ishin si fise të ndryshme në konkurrencë për gjuetinë dhe për këtë arsye mund të kishte përleshje të përgjakshme. Sapiensët bënin piktura nëpër shpella dhe statuja fildishi kushtuar perëndive. “Vepronin të bashkuar sepse kishin histori dhe simbole të ndara, forma besimi që jepnin një disiplinë”, shpjegon Arsuaga. Aftësia e madhe e sapiensëve i bëri të përhapeshin kudo, madje edhe nëpër fushat e verilindjes, të gjuanin kuaj të egër dhe mamuthë, duke i shtyrë kështu njerëzit neandertalë të spostoheshin në zona gjithnjë e më të varfra ekologjikisht, deri sa u zhdukën fare. Por fosilet e homo sapiesëve, të gjetura në Quafzeh dhe Skhul, në Izrael, kishin mjete njësoj si të njeriut të Neandertalit. Kështu u zbulua se dy speciet humane shkëmbenin shumë gjëra me njëri-tjetrin. Një shembull tjetër?

Në Francë, në shpellën e “Saint-Cesaire”, artizanë të këtyre veglave nuk ishin homo sapiensët, por neandertalët. Në një shpellë tjetër franceze, në “Arcy-sur-Cure”, janë gjetur unaza fildishi dhe perla të bëra me dhëmbë kafshësh, copëza kockash dhe fosile detare. Pra njeriu i Neandertalit bënte varëse dhe kjo është shumë e rëndësishme, sepse deri më tani fabrikimi i sendeve të këtij lloji konsiderohej ekskluzivitet i homo sapiensëve. Por jo vetëm kaq: edhe neandertalët i varrosnin të vdekurit me ceremoni të thjeshta funerale. Në Teshil, Uzbekistan, një fëmijë neandertali u varros me bri cjapi. Në Regurdo, Francë, skeleti i një të rrituri ishte i rrethuar nga kocka ariu. Në Siri, një gur i gdhendur u vendos mbi gjoksin e një fëmije. Në Shanidar, Irak, mbi të vdekurit viheshin lule. Në Le Moustrier (Francë), të vdekurit ngjyroseshin me hematit. Për të vdekurit, mëshira është njerëzore, po ashtu edhe përdorimi i zjarrit. Në sitet neandertale gjenden vatra zjarri. Nëse zjarri i tyre zgjaste deri në mëngjes, është e vështirë të imagjinosh që qëndronin rreth tij të heshtur.

Pra flisnin?
Mesa duket po. Ajo që e dëshmon këtë është përdorimi i dorës së djathtë nga njeriu i Neandertalit.

Paraardhësit e tij të Atapuerkës e përdornin dorën e djathtë për të prerë mishin, duke e mbajtur në gojë (që ishte si një dorë edhe për neandertalët). Ndonjëherë sendi me të cilin prisnin mishin u binte nga duart, kështu që përdornin dhëmbët. Nga shenjat, studiuesit janë të bindur se përdornin dorën e djathtë.
Pra, ashtu si dhe ne, përdornin dorën e djathtë. Gjithashtu kishin një laring të gjatë dhe nerva me diametër të atillë që mund të lëviznin mirë gjuhën dhe të prodhonin një gamë të gjerë tingujsh. Kishin qiellzë të gjatë dhe zë hundor.
Nga studimet e një shkencëtari amerikan, rezulton se ata nuk mund të shqiptonin zanoret “a, u, e, i”, të pranishme në të gjitha gjuhët e “botës sapiens”. Ju do të thoni flisnin keq. E rëndësishme ishte që e bënin.

G. Shqip

Sunday, January 31, 2010

Shfarosjet më të mëdha të specieve në Tokë

Më shumë se 90 për qind e të gjithë organizmave që kanë jetuar ndonjëherë në Tokë, janë zhdukur.

Teksa specie të reja nisën të zhvillohen për t’iu përshtatur kushteve të reja ekologjike, speciet e vjetra u zhdukën. Por ritmi i zhdukjes nuk është aspak i vazhdueshëm. Të paktën disa herë gjatë 500 milionë viteve të fundit, 50 deri në 90 për qind e të gjitha specieve në Tokë u zhdukën në një hapje-mbyllje të syve, në kuptimin gjeologjik.

Ndonëse këto shfarosje në masë janë evente vdekjeje, ato hapin rrugën në planet që forma të tjera të jetës të zhvillohen. Dinozaurët u shfaqën pas një prej zhdukjeve masive më të mëdha në planetin tonë, pikërisht gjatë zhdukjes së quajtur Permian-Triasik, që ndodhi 250 milionë vjet më parë.

Zhdukja masive më e studiuar ndonjëherë, ndërmjet periudhave Kretakeus dhe Paleogjene përafërsisht 65 milionë vjet më parë, i vrau të gjithë dinozaurët dhe krijoi hapësirën e nevojshme për gjitarët që të diversifikohen dhe të evoluojnë në mënyrë të shpejtë.

Arsyet

Shkaqet e këtyre zhdukjeve masive përbëjnë në fakt mistere të pazgjidhura të historisë së planetit tonë, megjithëse shpërthimet vullkanike dhe ndikimi i asteroideve apo i kometave të mëdha janë të dyshuarit kryesorë në shumicën e rasteve të shfarosjeve masive të jetë në Tokë.

Të dyja këto evente natyrale mund të hedhin miliona e deri në miliarda tonelata hiri në atmosferën e planetit tonë, duke errësuar në masë të madhe qiejt për të paktën disa muaj e deri në vite të tëra në fund të procesit të tyre. Duke vuajtur për dritën e diellit, bimët dhe kafshët bimëngrënëse zhduken sa hap e mbyll sytë.

Gurët e mëdhenj që vijnë nga qielli dhe vullkanet mund gjithashtu të lëshojnë gazra toksike ose që nxehin atmosferën dhe me vendosjen e pluhurit në mbarë planetin mundësojnë një ngrohje globale shumë të shpejtë, e të papërballueshme për shumicën e kafshëve në një kohë të caktuar.

Një ndikim i tillë jashtëtokësorë është ai që mendohet të jetë shkaktari kryesorë i shkatërrimit dhe shfarosjes së periudhës së Kretakeusit. Një krater gjigand në afërsi të gadishullit Jukatan në Meksikën e sotshme daton përafërsisht 65 milionë vjet më pare, çka përkon me datën e shfarosjes masive.

Por edhe ngrohja globale e ndihmuar së tepërmi nga shpërthimet e njëpasnjëshme vullkanike të ndodhura në atë kohë në malet dhe rrafshnaltat e ndodhura në Indinë e sotme mendohet se e kanë përshpejtuar këtë shfarosje masive. Cilado qoftë arsyeja e saj, dinozaurët, sikurse edhe përafërsisht gjysma e të gjitha specieve që jetonin në planetin Tokë në atë kohë, u zhdukën.

Nga ana tjetër, sasi të paimagjinueshme masive të llavës që shpërthyen në zonën qendrore të Atlantikut, në atë që quhet pjesa magmatike përafërsisht 200 milionë vjet më parë mendohet nga shkencëtarët sot si një argument që mund të sqarojë një shfarosje tjetër masive, të quajturin shfarosja Triasik-Xhurasik.

Thuajse një në pesë ose njëzetë për qind e të gjitha familjeve të kafshëve u zhduk në mënyrë të menjëhershme, ndërkohë që edhe krijesa që i përngjanin një evoluimi të gjitarëve, si edhe shumë amfibë të mëdhenj, së bashku me arkosaurët, që nuk ishin dinozaur u zhdukën. Një ndikim nga një asteroid i përmasave vigane është një tjetër arsye e mundshme e zhdukjes, porse një krater që do e vërtetonte këtë nuk është zbuluar ende.

Vdekja më e madhe...

Zhdukja Permiane-Triastike që përmendëm më lartë dhe që ka ndodhur përafërsisht 250 milionë vite më parë, ishte më vdekjeprurësja nga të gjitha shfarosjet që ka kaluar planeti ynë. Sipas shkencëtarëve që kanë studiuar me detaje këtë shfarosje, thuajse 90 për qind, pra nëntë në dhjetë, specie që jetonin në atë kohë u zhdukën një herë e përgjithmonë nga Toka.

Shumë prej këtyre shkencëtarëve janë të mendimit se një asteroid vigan ose një kometë e madhe e shkaktoi këtë vdekje masive, por sërish ata nuk kanë arritur ende të gjejnë një krater që do ta vendoste hipotezën e tyre mbi baza realiste. Një tjetër arsye që ata vendosin dhe që kësaj here ka më shumë prova në favor të saj është një shpërthim i njëpasnjëshëm i vullkaneve në zonën e Siberisë, në Rusinë e sotme.

Duke nisur nga 360 milionë vjet më parë, një shkatërrim i dalëngadalshëm zhduku 70 për qind të të gjitha specieve në Tokë, në një periudhë prej përafërsisht 20 milionë vitesh. Ndonëse kjo ndodhi në periudha të ndryshme, që zgjasin përafërsisht 100 deri në 300 mijë vite, ato njihen të përbashkuara si një shfarosje masive, shfarosja Devoniane, duke marrë emrin e shkencëtarit që e propozoi për herë të parë këtë teori.

Insektet, bimët dhe protoamfibët e parë që nisën të dilnin në sipërfaqen e tokës për herë të parë gjatë periudhës në fjalë, pësuan zhdukje të rëndësishme, por jo të mjaftueshme për të ndaluar evoluimin e jetës në planetin tonë. Kështu, edhe pse popullsia e tyre u ul gramatikisht dhe shumëllojshmëria u ul në 30 për qind ato arritën të mbijetonin për të rinisur procesin e evoluimit.

Shfarosja tjetër e madhe që njihet nga shkencëtarët e ditëve të sotme, quhet shfarosja Ordoviciane-Siluriane dhe mendohet të ketë ndodhur përafërsisht 440 milionë vite më parë dhe që ishte krejt e kundërta nga arsyet e mëparshme të shfarosjeve. Në këtë periudhë ngrirja që ndodhi në planet dhe që ktheu pjesën më të madhe të ujit në Tokë në akull, shkaktoi ulje masive të nivelit të deteve në të gjitha pjesët e planetit tonë.

Po ndodh sërish?

Sot, shumë shkencëtarë janë të mendimit se të gjitha faktet që kanë në duar po tregojnë se po jetojmë në periudhën e zhdukjes së gjashtë masive, që po ndodh teksa ne po jetojmë në përditshmërinë tonë.

Sipas tyre, faji për këtë shfarosje masive, që ata thonë se mund të jetë më i shpejti në historinë e të gjitha shfarosjeve të mëparshme që ka kaluar planeti i vetëm i gjallë i zbuluar deri më sot, mund të vendoset në masë të madhe mbi supet e njërës prej këtyre specieve dhe jo tek shkaqet natyrore, thjesht mund të jetë njeriu ai që po shkakton shfarosjen më të madhe.

Duke analizuar të dhënat, ata na bëjnë të ditur se deri në vitin 2010, aktivitetet e njeriut, siç janë ndotja e mjedisit, zhdukja e pemëve, pyjeve masive, e akoma edhe xhunglave, e si pasojë edhe e kafshëve që jetojnë në to, si edhe peshkimi pa kriter, mund të ketë bërë që më shumë se gjysma e jetës tokësore dhe detare të jetë zhdukur e parashikimet për të ardhmen janë edhe më të zymta.


Standart

Wednesday, December 16, 2009

Muzeu Arkeologjik, në mëshirë të fatit

Muzeu Arkeologjik i Durrësit, një ndër më të mëdhenjtë në vend si për nga hapësirat e godinës, ashtu dhe nga pasuritë, duket i harruar.



I konceptuar jo vetëm si një muzeum në të cilin mund të vizitohen eksponatet, por edhe si një institut arkeologjik, ai tashmë i ngjan një pallati të braktisur nga banorët e tij. Aktivitetet në mjediset e tij janë një gjë e harruar, ndërsa për ekspedita arkeologjike as që bëhet fjalë. Qëkurse muzeu u nda në dy pjesë dhe që të dyja kaluan në vartësi të Tiranës, ai e humbi shkëlqimin të cilin e fitoi brenda pak vitesh, por pas një pune të madhe nga stafi që e ngriti atë në këmbë. Ka kohë që arkeologët janë larguar prej mjediseve të muzeut. Një pjesë e tyre janë transferuar në sektorë të tjerë, disa punonjës kanë mbetur pa punë e disa të tjerë kanë ndryshuar profesion. Ka më shumë se 1 vit që historinë e Durrësit nuk e zbulojnë, dhe as nuk e shpjegojnë më specialistët e këtij qyteti, të cilët për hir të së vërtetës duhet thënë se nuk mungojnë. Kaq e vërtetë është kjo, saqë edhe shpjeguesi i muzeut, apo ndryshe ciceroni, vjen për çdo ditë nga Tirana.

MUZEU
Muzeumi Arkeologjik i Durrësit, me një vendim të kohës së Ylli Pangos u nda në dy pjesë, në pjesën muzeale dhe në pjesën e fondamentit. E para varet nga Ministria e Kulturës, dhe e dyta nga Instituti Albanologjik në Tiranë. Qëkurse u mor ky vendim, muzeu e ka humbur shkëlqimin dhe funksionin e tij. Njerëzit janë larguar nga detyra dhe në mjediset e tij gjen vetën një shpjegues që vjen nga Tirana për t'i treguar vizitorëve historinë e Durrësit të lashtë. Dikur në këtë muze funksiononte një bërthamë shkencore e përbërë nga arkeologë të njohur, i cili quhej Institut Arkeologjik, e që kishte lidhje me sivëllezërit e tij në disa vende me arkeologji të zhvilluar. Instituti organizonte simpoziume, debate shkencore, ekspedita kërkimore, të cilat ka kohë që janë lënë krejtësisht në harresë. Një arkeolog i vjetër në Durrës thotë se: "Historinë e Durrësit nuk e tregojnë më specialistët e këtij qyteti, sikurse ndodhte më parë. Edhe ciceroni është nga Tirana". Ka kohë që në Durrës mungojnë zbulimet arkeologjike, pasi nuk ka se kush të gërmojë nëntokën e tij të pasur me antika.

SHPRESAT
Intelektualët e Durrësit dhe arkeologët e tij mbeten me shpresë se situata mund të riparohet. Sipas tyre, dy janë rrugët që do t'i kthenin muzeut vlerat e tij dhe do ta transformonin në një qendër të vërtetë shkencore. Së pari, nëse ai do të mbetet në vartësi të Ministrisë së Kulturës, duhet që dy pjesët e tij të unifikohen dhe në muze të emërohet një bërthamë e aftë specialistësh që do të menaxhonin pasuritë dhe eksponatet e tij. Së dyti, muzeu mund t'i kalojë në vartësi bashkisë së qytetit, siç ngjet në të gjitha vendet me antikitet të zhvilluar, sikurse janë Italia, Greqia, Kroacia e të tjera vende. Shpresat e tyre janë shtuar se diçka do të riparohet pas emërimit të Ferdinand Xhaferrit në postin e ministrit të Kulturës në kabinetin qeveritar. Dihet që Xhaferri është nga qyteti i Durrësit, dhe e kupton situatën e krijuar në këtë sektor.

Artur Korriku, tek G.Shqiptare

Tuesday, November 17, 2009

Grabitet trashëgimia kulturore shqiptare në sy të UNESKO-s

Katër libra shkencor për trashëgiminë kulturore në Maqedoni me të dhëna kontraverse dhe pa asnjë autorë shqiptar u promovuan nën patronazhin e Ministrisë së Kulturës dhe me praninë e drejtorit rajonal të UNESKO-s, Engelbert Ruos. Studiuesit shqiptarë sërish akuzojnë për manipulime dhe grabitje të vlerave dhe trungut të trashëgimisë kulturore shqiptare në Maqedoni.

"Lokalitetet Arkeologjike" , "Përmendoret krishtere", "Ohri, trashëgimia botërore" dhe "Përmendoret Osmane" janë veprat shkencore që këto ditë janë promovuar dhe që janë pjesë e njësisë së librave të "Trashëgimisë kulturore maqedonase".




Siç njofton agjencia e lajmeve INA për këto vëllime shkencore kulturore është përkujdesur drejtpërdrejt Ministria e Kulturës e Maqedonisë, e cila është financuese e projektit në bashkëpunim me UNESKO-n.

Siç thuhet nga autorët, me këto libra synohet prezantimi i trashëgimisë kulturore maqedonase në kulturën botërore. Mirëpo, për përkujdesjen e posaçme për botimin e këtyre vëllimeve ka qenë Drejtoria për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore nën udhëheqjen e Pasko Kuzmanit, i cili njihet në disa qarqe shkencore dhe kulturore shqiptare si personalitet kontravers dhe manipulues me faktet historike dhe artefaktet arkeologjike. Në këto vëllime sipërfaqësisht të shtjelluara në asnjë rast nuk përmendet trashëgimia kulturore e kohës ilire apo periudhave të tjera, sidomos periudhës së Dardanisë dhe periudhave më të reja, që mbajnë vulën e trashëgimisë shqiptare.

Gjithë këto të dhëna janë shpalosur para syve të drejtorit rajonal të UNESKO-s, Engelbergt Rous, i cili ka qenë i pranishëm në promovim, dhe ka thënë se është i impresionuar nga këto vepra, sidomos ajo për Ohrin.

"Pres që këto vëllime të kenë ndikimin e vërtetë tek njerëzit që e kultivojnë identitetin, mirëkuptimin e ndërsjelltë dhe dialogun multikulturor", ka theksuar Rous, duke shtuar se do të jetë i interesuar për t`u njohur me trashëgiminë kulturore në Maqedoni. Këto libra u publikuan edhe me mbështetjen e UNESKO-s dhe se ato kohë më parë u promovuan edhe në Panairin e Librit në Frankfurt.

Studues dhe historian shqiptarë kanë dyshuar dhe kanë bërë thirrje që të ndërpriten këto veprime dhe kjo fushatë e paramenduar aktive e institucioneve aktuale maqedonase për të shtrembëruar faktet dhe dëshmitë historike, në këtë rast edhe me trashëgiminë kulturore, pas skandaleve të bëra me "Enciklopedinë Maqedonase". Nijazi Muhamedi, redaktori i librit më të ri shkencor "Maqedonia shqiptare" që konfirmon të vërtetën historike dhe faktografike shqiptare në Maqedoni ka theksuar se pas "Enciklopedisë Maqedonase" vazhdon fushata maqedonase për zhdukjen e historiografisë shqiptare.

Ai qëndrimet e tij i ka shprehur drejtpërdrejt në gazetën "Dnevnik" duke thënë se duhet të ndërpritet grabitje makabre e pasurisë kulturore shqiptare në Maqedoni nga ana e kulturës maqedonase. "Shën Bigori, Shën Naumi dhe shumë kisha të tjera i takojnë trashëgimisë kulturore shqiptare. Ka shumë dokumente që tregojnë se Bigori është pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare. Këto kisha dallojnë nga kishat që janë në pjesët tjera të vendit. Ka shumë dëshmi që sqarojnë se në të gjitha këto kisha janë kryer ritualet në gjuhën shqipe", ka theksuar publicisti dhe kryetari i këshillit redaktues të librit më të ri "Maqedonia shqiptare".

Historianët shqiptarë për agjencinë e lajmeve INA kanë theksuar se në të ardhmen do të merren kryesisht me çështjen e shqiptarëve ortodoks dhe katolik të konvertuar në maqedonas. Shoqata e Historianëve shqiptarë kërkon që UNESKO të shqyrtojë këto shkelje dhe grabitje, pasi që deklarata universale e kësaj organizate kryesisht respekton dhe përkujdeset për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore.


Ja kush janë autorët

Autorë të katër librave janë hulumtues, arkeologë, historianë të artit si: Aneta Serafimova, Viktorija Popovska, Julia Triçkovska, Mirjana Mashniç, Zoran Pavlov, Radmila Petkova, Pasko Kuzman, Dragan Mitrevski, Dragisha Zdravkovski, Kiro Ristov, Kiril Trajkovski dhe Lençe Jovanova.

(INA)