Wednesday, October 6, 2010

Gjirokastër, errësira e gurtë mbi qytetin pasuri e UNESKO-s

Atje poshtë, atje lart/ te Urat në Dunavat/ po kur hënë ka kudo/ pse i ndez në "Palorto"...

Dikur banorët e Gjirokastrës e kishin kthyer në këngë-parodi bashkëbisedimin e tyre me kryetarin e bashkisë për përzgjedhjet e tij në lidhje me ndriçimin e njërës apo tjetrës pjesë të qytetit. Vargjet janë të njohura edhe pas kalimit të dekadave. Historia e ndriçimit rrugor në njërin prej qyteteve të parë shqiptarë të elektrifikuar rrjedh pothuajse në të njëjtin shtrat, ku asnjëherë ai nuk u ndriçua njëlloj, deri në ditët e sotme, kur pas mesnatës, pasuria e UNESKO-s zhytet në errësirë.

Histori ndriçimesh

Banorët e Gjirokastrës kanë filluar të rikthejnë tashmë historitë e vjetra që lidhen me qytetin dhe dritën. Mund të quhen shkurt "histori ndriçimesh". Janë sa të ndryshme përsa u përket preferencave, por njëkohësisht thuajse identike për mënyrën dhe politikat e ndjekura prej kryebashkiakëve. Data 28 nëntor e vitit 1937 sjell dritën e parë elektrike në qytetin e Gjirokastrës, një ndër qendrat e para urbane në Shqipëri që u elektrifikuan, një element që sipas studiuesve dhe intelektualëve, tejkaloi periudhën otomane dhe shënoi kthesën drejt kulturës perëndimore.
Ndërtimi i centralit elektrik që vijon të jetë ende funksional përfund qytetit, solli ndezjen e llampës së parë në lagjen "Palorto", ndërsa për herë të parë energjia elektrike është instaluar falas në shtëpinë e Mulla Teki Karabinës, nga shoqëria italiane e kësaj kohe që ndërtoi dhe që ishte edhe pronarja e centralit elektrik. E në fakt historia e ndriçimit në Gjirokastër është sa interesante, aq edhe e lidhur me të zgjedhurit që drejtonin qytetin. Një kryetar bashkie ndriçonte një objekt të caktuar, monumental apo fetar, dikush një lagje apo një zonë, ku sigurisht banonte vetë. Për intelektualët, drita shënoi njëkohësisht historinë moderne të qytetit. "Ku fillon historia moderne e Gjirokastrës? Me daljen e qytetit nga marrëdhëniet e mbyllura feudale në komunikimin e saj me qendrat evropiane, me hyrjen e ideve të revolucionit borgjez francez dhe krijimin e shoqërive kulturore- politike, me hapjen e shkollave dhe kështu mund të rendisim 100 pyetje të tjera. Por, pa asnjë diskutim, lidhja e qytetit me ndriçimin është një histori interesante dhe moderne, që e bëri edhe Gjirokastrën të tillë. Janë të njohura historitë e kryetarëve të bashkisë në Gjirokastër dhe politikave të ndjekura prej tyre në lidhje me ndriçimin e qytetit. Disa ndriçonin kalanë, disa pazarin, disa kishën, disa ndriçonin xhaminë, disa të tjerë shtëpinë apo lagjen e tyre",- shprehet Vladimir Qirjaqi, historian e arkeolog.


Ndriçimi sot

Por, për fat të keq apo të mirë, aktualisht historitë e vjetra të para Luftës së Dytë Botërore që lidhen me ndriçimin, nuk tingëllojnë aspak si të dala jashtë mode apo jashtë realitetit.
Sot Gjirokastra pas mesnatës zhytet në errësirë të plotë, ndërsa në orët e mbrëmjes vetëm një pjesë e lagjeve kanë ndriçim rrugor, në të tjera, në mënyrë të veçantë në pjesën e sipërme është thjesht një shërbim i munguar.

Mungesa e ndriçimit rrugor është e pranishme në të gjitha zonat e qytetit, madje edhe në shumë pjesë të Qendrës Historike të Gjirokastrës, duke bërë që me perëndimin e diellit vlerat e rralla arkitektonike të humbasin, një gjendje që vazhdon të jetë e tillë prej dy vjetësh. Nëse udhëton në rrugën kombëtare Gjirokastër- Kakavijë pas mesnatës, zonat rurale që e rrethojnë Gjirokastrën duken si qytete për shkak të numrit të konsiderueshëm të llampave të ndezura, ndërsa krejt e kundërta ndodh me qytetin, i cili të jep përshtypjen e një fshati me 10- 20 shtëpi. E ndërsa banorët ankohen për këtë shërbim sa të nevojshëm aq edhe të munguar e që paguhet për çdo muaj prej tyre, pavarësisht se në shumë raste nuk e kanë thuajse asnjëherë, intelektualët e cilësojnë atë si një ndërhyrje dhe cenim të jetës së secilit në këtë komunitet dhe kërkojnë ndryshimin e menjëhershëm të këtij realiteti. "Nëse del nga një mjedis festiv apo i ngrohtë dhe përballesh me errësirën e plotë në rrugë, menjëherë të krijohet ndjesia e boshllëkut, që është mbytëse. Imagjino kur të duhet të dalësh natën për një hall familjar apo diçka të rëndë, se çfarë ndjesie negative merr. E përveç kësaj, një nga vlerat më të mëdha të Gjirokastrës është pamja, pas së cilës janë mahnitur jo vetëm studiuesit, shkencëtarët, personalitetet apo udhëtarët, por edhe njerëzit e artit, piktorët, skulptorët, fotografët; në buzëmbrëmje e më tëj edhe atyre u humbasin pamjet", shprehet Llambi Margariti, piktor. "Gërmadhë" mund të cilësohet në leksikun vendas Gjirokastra pas mesit të natës, duke e bërë këtë realitet një fakt mjaft tronditës. Ndriçimi është një pjesë e rëndësishme e teorisë së evidentimit të vlerave të pasurive të UNESKO-s.
Specialistë të fushës, arkitektë, inxhinierë kanë dhënë projektet e ndriçimit, si artistik, ashtu edhe funksional të vlerave të qytetit. Ndërkohë, herë pas here shtëpia e Zekatëve ndriçohet në mënyrë profesionale nga dashamirësit e saj, por ndriçimi është një problem i madh qytetar dhe nuk zgjidhet në mënyrë spontane dhe individuale. Politika në nivelin e përgjegjësisë së ruajtjes dhe ekspozimit të qytetit muze duhet ta ndriçojë atë. Të zgjedhurit lokalë në emër të atyre që kanë thënë duhet të bëjnë detyrimisht rekuperimin e kësaj situate. Në qytete moderne përpjekjet bëhen për të shmangur ndotjet e mjedisit nga dritat dhe zhurmat e forta dhe lufta për orare të reduktuara, ndriçime të reduktuara, zëra të reduktuar, por them me bindje se ajo që ndodh në Gjirokastër është më e rëndë akoma, errësira dhe boshatisja e qytetit pas mesnatës të krijon ankthin e vdekjes", thekson më tej Vladimir Qirjaqi, arkeolog.  

Pasuritë botërore të përmasave si Gjirokastra kanë "të drejtën" të pretendojnë për shumë përkujdesje, interes e vëmendje; qytetit të gurtë i mohohet edhe e drejta e ndriçimit, simbol i zhvillimit, jetës, vazhdimësisë. Ndërkohë, nga ana e kreut të bashkisë për këtë problem vetëm heshtet dhe nuk pranohet të jepet asnjë përgjigje.



Entela Bani, G. Shekulli

No comments: