Prishtinë – Tekstet e shkollave serbe në Kosovë bien ndesh me Kushtetutën e vendit, flasin njëanshëm për historinë e Ballkanit, dhe nuk promovojnë paqen dhe tolerancën.
Raporti është hartuar nga një Komision i pavarur, dhe do të merret nga Ministria e Arsimit si bazë për harmonizimin e teksteve mësimore me Kushtetutën dhe Planin e Ahtisarit.
"Problemi më i madh i arsimimit në komunitetin serb në Kosovë është i lidhur me tekstet mësimore të historisë. Në këto tekste nuk ka asnjë shenjë të historisë së popullit shqiptar. Librat e historisë për të gjitha klasat e shkollës fillore janë në kundërshtim me parimet e barazisë etnike e fetare si dhe të tolerancës", thuhet në raport.
"Librat e historisë janë me plot tekste, të cilat serbët dhe shqiptarët i paraqesin në pozitën e xhelatit dhe të viktimës, që direkt inkurajojnë konflikt ndëretnik", tha Radivoje Mançiq, kryetar i Komisionit të pavarur.
Ai theksoi se në këto libra të historisë shkruhet se shqiptarët kanë kryer "gjenocid" ndaj popullit serb, duke e bërë këtë me qëllim që t'i largojnë serbët nga Kosova. Shqiptarët përshkruhen si plaçkitës të kishave, ndërsa në të vetmin vend ku përmenden ilirët, ata quhen "grabitqarë".
"Ky komision nuk i mbështet këto. Ne kemi rekomanduar që këto tekste të lihen anash, derisa nuk shkruhen të rejat. Komisioni konsideron se duhet shkruar libra të rinj, ku të gjitha kulturat dhe komunitetet do të paraqiteshin në mënyrë adekuate, në frymë të paqes, bashkëjetesës dhe së ardhmes evropiane të Ballkanit", theksoi Mançiq në një konferencë për gazetarë, të organizuar nga Ministria e Arsimit.
Rekomandimet e Komisionit të pavarur për rishikimin e programeve mësimore në shkollat serbe do të shërbejnë për Ministrinë e Arsimit si bazë për krijimin e një kurrikulumi për nxënësit serbë.
G. Start
No comments:
Post a Comment