Mbasi mbylla telefonin, me mendje, vazhdova të arsyetoj me veten time duke të folur ty. Le të shikojmë Francën dhe Shqipërinë, vende ku jetojnë dhe formohen këta dy popuj, që simbas mendimit tënd, ndryshojnë shumë për nga formimi kulturor.
Mbas kolonializimit të kontinentit Aziatik, Afrikan dhe Amerikan, Franca kish shekuj që milte pasuritë e këtyre popujve. Këto pasuri u shkrinë për ndërtimin e kështjellave, rrugëve, qyteteve, për ekonominë dhe ushtrinë e saj.
Me këto pasuri, ajo zhvilloi artet dhe kulturën, ndërtoi opera dhe teatro, shtypë-shkronja dhe shkolla. Begatia e veëndit krijoi kushte të lakmueshme për ajkën e mendimtarëve dhe artistëve europianë që u derdhën drejt Parisit, ku nëpër sallonet aristokratike dhe skenat madhështore, i shfaqnin talentet e tyre. Kultura franceze është në një farë mënyre edhe produkt i kulturës europiane.
Ndërkohë Shqipëria ishte nën sundimin e fuqisë më të egër e më të prapambetur (nga ana e zhvillimit) ushtarake të kohës. Në një kohë kur i rëmbeheshin djemtë e vegjël dhe rriteshin në gazermat e jeniçerëve me frymëzimin ndaj perëndisë sulltan.
Ata ktheheshin në fanatikë të tij dhe bashkë me të rinjtë që sistemakisht rekrutoheshin me forcë, çoheshin si ushtarë në të katër anët e perandorisë gjigande osmane, shpesh edhe kundër vëllezërve të një gjaku.
Pasuritë e saj, rrëmbeheshin nga pushtuesi dhe në vend sundonte mjerimi.
Deri në çlirimin e vëndit nuk kish asnjë institucion kulturor përveç shpirtit të vet. Dhe pikërisht me folklorin e tij, kësaj skene pa kufi, shqipëtarët kultivuan artet, aty shtypën gazetat dhe gdhëndën historinë e tyre. Aty, ata krijuan pasuri të pallogaritshme letrare e muzikore, vizuale dhe etnografike, aty edukuan dhe arsimuan bijt e tyre.
Kur iluminizmi francez botonte kryeveprat e tij që ndriçuan errësirën mesjetare, shumë vite me vonë në kohë, Rilindasit shqiptarë, këta pishtarë të mendimit tonë filozofik dhe kulturor, syrgjynoseshin nga terrori turk ose aratiseshin larg Shqipërisë e librat e tyre digjeshin e lexuesit burgoseshin.
Kur Balzaku skicoi fytyrën meskine të shoqërisë aristokratike e borgjeze të kapitalizmit fillestar francez, në Shqipëri nuk lejohej të shkruhej gjuha shqipe dhe mësuesit e saj janë vrarë dhe burgosur.
Mjeda nga mërgimi shkruante:
Nje kto gjuhë që jam tuj ndie
Janë të bukra me themel
Por prap kjo [shqipja] si djell pa hije
Për mue t`tanave ju del
Për ironi të fatit, edhe sot në shk.20 - 21 po vriten ata që tregojnë për vlerat e gjuhës shqipe siç ndodhi me arvanitasin Aristidh Kola [«Gjuha e Perëndive»]
A ka më mizori kulturore se sa, kur në kohën e sundimit turk në Shqipëri ishin hapur 5000 shkolla të huaja, turke, greke, sllave, italiane, të presekutohesh e të mbyllej e vetmja shkollë fillore në gjuhën shqipe në Korçë apo simotrat e saj të më vonshme?
A do të lulëzonte kultura franceze po të mos shkruhesh gjuha e saj?
Në kohën kur Napoleoni pushtonte mbretëritë europiane dhe s`la muze e shtëpi pa grabitur veprat e artit, që sot e kanë bërë Luvrin muzeun më të pasur të botës. ( Lexoni: Museu i Luvrit - Sh.B ) Pasardhësit e atyre legjioneve që vranë e prenë, marrin të ardhura përrallore nga turizmi, të cilat i shfrytëzojnë për të zbukuruar dhe fuqizuar ekonomokisht Francën.
Ndërkohë, në Shqipëri, edhe ato që mbeten pas shkretimit romak, i përlau greku, austro-hungarezi dhe italiani. Mjafton të kujtojmë që në lashtësi, kur Athina dhe Roma kishin kasolle prej druri, në Epir lulëzonte një qytetrim i përparuar në ndërtime arte e kulturë.
Ishin pellazgo-ilirët ata që ndërtuan veprat monumentale të Romes. ( Shikoni e lexoni për: pellazgo-ilirët - Sh.B ) Edhe sot muri Aurelian [perandor ilir, sepse Roma ka patur 42 perandor ilir] përshkon qëndrën e saj. Në qytetin e Pirros kishte 1052 statuja madhështore që zbukuronin rrugët e që u rrëmbyen nga legjionet romake dhe sot zbukurojnë muzeumet e botës me emërtimin: "romake".
Shqipëria u dogj, u grabit dhe me 1913 u copëtua, por shpirti i shqiptarit e tregonte përherë vitalitetin e tij.
Në fillimet e shk 20, me t’u krijuar shteti i ri shqiptar, një nga ligjet e para të tij ishte ay mbi të drejtën e votës të femrave, në një kohë kur Franca e shkolluar dhe e emancipuar ja njohu këtë të drejtë shumë vite më vonë.
Fati qe më i zi për shqiptarët pas luftës së dytë botërore. Për ironi të fatit, përsëri na ra për pjesë socializmi më i egër i kohës.
Le ta krahasojmë Rusinë, djepin e socializmit, dhe Rumaninë, me vendin tonë.
Tek ne, njerëzit u zhveshën nga gjithshka: nga e drejta e pronës, fjalës, e mendimit të lirë [bile as rrobaqepëset nuk lejoheshin të punonin në shtëpitë e tyre] pra populli u bë ushtar i shtetit.
Në Rusi ekzistonte prona private, ekonomia e kufizuar fshatare dhe tregu i lirë. Njerëzit lëviznin lirshëm brënda kampit socialist. Po kështu edhe në Rumani, edhe nën diktaturën e Çausheskut, liria e pronës dhe personit qe e madhe në krahasim me ne.
Kjo jetë e ashpër plot privime dhe denigrime vazhdon edhe sot e kësaj dite, mjafton të kesh parasysh faktin e dhënies së vizave, pamundësia e së cilës e bën popullin e shkretë «të marrë detin me këmbë».
Kujto faktin që ne çamërit nuk kemi të drejtë as të njohim vendlindjen e të parëve tanë që ndodhen në një shtet «demokratik» ku edhe ata çamë që kanë mbetur s’guxojnë të flasin shqip, e ku shqiptarët për të gjetur punë, u detyruan të ndërrojnë emrin.
Të gjitha këto, e kanë egërsuar e varfëruar shpirtin tonë në kohë. Disave ju janë errësuar sytë dhe merren me të gjitha pisllëqet. Por mos të harojmë se profesorat dhe organizatorët e këtyre pisllëqeve, janë pinjollët e vëndeve të kulturuara e demokratike dhe kriminaliteti shqiptar nuk ja kalon atij italian, rus, rumun apo aziatik etj.
Dje dëgjova në media se para disa vitesh fallcifikatorët më të mëdhenj në botë të dollarit kishin qenë bullgarët.
Gjithashtu të mos harojmë se kanë kaluar vetëm 15 vjet nga dita kur u çliruam nga diktatura, që për historinë e një vendi është një kohë e papërfillshme për ndryshime shpirtërore të një populli. E megjithatë, sot emra shqipëtarësh dëgjohen në shkollat më prestigjoze, në skenat më me famë, në nivele të larta punësimi në fusha të shkencës dhe ekonomisë, në vende të para të sporteve të ndryshme etj.
E me gjithë ato që ka hequr e heq ky popull i shkretë e me merita të pallogaritshme jo vetëm për vendin tonë, por edhe për vendet europiane e me gjerë, arrihet deri aty sa disa nga bijtë e tij të flasin me neveri për të, e të mos dëshirojnë të takojnë mundësisht asnjë shqiptar aty ku jetojnë e të mos shkelin në vendin e tyre, në atë tokë ku lindën fillesat e filozofisë, letërsisë e kulturës botërore, asaj kulture që grekërit padrejtesisht [po jo për shumë kohë sepse të vërtetat historike, vetë shqiptarët do t’i bëjnë të njohura vetes dhe botës] i quajnë si të vetat.
Ledi, për sa më sipër, mos mendo se nuk vlerësoj kontributin dhe vlerat e mëdha të popullit francez si dhe ndihmesën direkte dhe indirekte që na kanë dhënë në fusha të ndryshme në kohë. Gjyshi, sikurse edhe breza të shumtë të rinjsh të shumë vendeve, u shkollua dhe u ushqye nga kjo kulturë e madhe, por kur flasim për disa dukuri të popujve, apo duam t’i krahasojmë në ditët e sotme, duhet të shohim edhe të vërtetat dhe kushtet historike të kaluara dhe të sotme të tyre.
Të përqafoj, Mami
Fatbardha Demi
No comments:
Post a Comment