Wednesday, October 6, 2010

Anës Europës "të paparë", pranë Europës "të panxënë"

Pas disa muajsh avionët që zbresin pasagjerët e ardhur nga Shqipëria, atje tej në Europën e rëndë nuk do të sjellin më heqjen në zemër të kontrollorëve, policëve, punonjësve të sigurisë, etj.: “Ah erdhën”. Pas disa muajsh nuk do të na plasin në cepin më të largët të aeroportit, duke na vonuar pa fund me qëllim “përgatitjen” e terrenit. Do të jemi vërtet si ai zogu i cliruar nga kafazi dhe ditën-natë e aviona pa fund për të na larguar bojën, duke i bërë naftën këtij vendi.

Pavarësisht se vetëm për 90 ditë.

Të dalim një herë matanë, pa le të bëhet c’të bëhet, trendy. Aman ore se na u plas buza dhe na u dogj xhani për pak Europë. Dhe ajo rri atje larg. Rri rëndë ashtu sic është mësuar të rrijë. Kushedi c’i pjellë mendja. Boll pjellore e ka patur me ne shqiptarët ndër vite, sa na katandisi 8 milionë pjesëtim për 4, (shtete d.m.th.), Se di se ç’farë, po mendoj të presim. E pra ne do të jemi të fundit që hymë në Europë pa viza. Po ëmbëlsira në fund lihet besa, anipse boll e pritëm dhe e lutëm të vijë kjo ditë.

Kush përfiton?
Më mirë për pensionistët, që do t’u hipin atyre avionëve me bastunin tak-tak nëpër shkallë për të takuar nipërit, fëmijët, pasardhësit, anipse ata do ti thonë: “benvenuto nonno”.
Jeta do t’u shtohet, madje atyre që bënë sevap për këta të vuajtur nëpër fabrika, ara, kantiere, zoti u dhëntë ymër. Më shumë për të parë fëmijët dhe të gëzohen me ta, qoftë edhe për 90 ditë, mendoj se nuk janë pak për ta dhe bijtë e tyre. Shumë ndoshta për nuset apo dhëndurët, namuzët thuaj, atje tej në Europë.
Por edhe për ata që vuajnë nga padituria se nga çfarë sëmundje vuajnë, dhe nuk u dha dum në këtë vendin tonë me shëndetësi bërnut, sa s’ka më keq. Stresi nga ankthi, është armiku më i madh që vjen nga paaftësia e mjekëve ta paspecializuar, veçanërisht në rrethe apo në fshat andej nga ku vjen pjesa dërrmuese e të sëmurëve. Pa le nga këto spitalet e lodhura private që janë të specializuar këto kohët e fundit më shumë në marrjet e jetëve të njerëzve. Kjo po që do të ishte pjesa shumë e rëndësishme dhe pikante e këtij procesi. Të shpëtosh jetën me një pasaportë pa vizë në xhep.
Një kategori tjetër që do të përfitojë mendoj se janë edhe studentët.
Boll radhë nëpër ambasada dhe sidomos shqetësime, kaluan këto vite bashkë me paditurinë e tyre se ku është Milano, Pavia, Sorbona, Berlini, Varshava, Praga, etj. Tashmë do të kenë mundësinë e rikonjiconit të terrenit më parë dhe nënat e tyre do të flenë më të qeta nga ankthi. Punësimet sezonale janë një tjetër kategori që do të përfitojnë veçanërisht për faktin që dihet se sa punëtorë dhe të zotë jemi ne shqiptarët në disa fusha si ndërtimi, bujqësia apo ndonjë tjetër. Kjo vjen edhe me pozicionimin e mirë dhe me korrektësi që shumë shqiptarë madje prej vitesh, kanë gjetur në Europë. Biznesi po kështu do të jetë më afër ofertës ekonomike më të mirë, natyrisht edhe kualitetit më të mirë. Pjesën më të lodhshme me miratimin në kohë apo jo të vizës, do ta zëvendësojë studimi i tregut dhe dërgimi i mallrave në kohë në vend sipas kërkesës dhe interesit të klientëve. Dhe pjesa e fundit mbeten turistët shqiptarë që shkojnë në vendet e BE-së për pushime. Ata vërtet mund të jenë pak, por janë ata të cilët privohen qoftë edhe për të harxhuar para në ato vende ku aplikojnë për vizë. Pak gazmore por edhe jo pa shkak.

A jemi ne shqiptarët të përgatitur për këtë proces të liberalizimit të vizave?
Pak a shumë do të mendoni, që s’ka gjë që ka të bëjë me Europën dhe nuk na u imponua dhe nuk u mësua. Mendoj se në çdo pikë kufitare, policia e shtetit duhet të informojë qytetarët për atë se ç’ka i pret, nëse nuk respektojnë ditët e qëndrimit në vendet e BE-së. Kaq për këtë pjesë dhe mendoj se do të kalohet pa problem. Nuk jemi aq hajvanë sa të mos i mendojmë detyrimet që dalin nga ky proces, në favorin tonë.

Por a kemi ne staf të mjaftueshëm në ambasadat tona që na përfaqësojnë në vendet e BE-së?
Shumë pak do të thosha, madje në ndonjë vend shumë qesharak kur ambasadori është edhe shofer edhe sekretar i vetvetes. Pra atij hallexhiut që bie fjala i humbet pasaporta, do të jetë e rëndë të mos i shkojë askush për ndihmë nga shteti i vet. Apo në ndonjë aksident qoftë larg, apo në rrethana të tjera pasi shqiptarë do të këtë pa fund duke lëvizur, pasi jo më kot quhet liberalizim. E pra, shteti duhet të marrë masa duke shtuar numrin e personelit, qoftë edhe me studentë part-time që studiojnë në këto vende, si dhe më shumë numra telefoni, dhe të përgjigjet dikush dreqi e morri se nuk është fundi i botës t’i përgjigjesh qytetarëve të tu, taksa-paguesve më shkoqur.
Një tjetër element negativ është mos-zgjidhja e problemit të monedhës vendase Lek, që dreqi e di përse nuk ndodhi ta zëvendësonim me kohë e me vakte me Euro-n. Kjo mund të kishte ndodhur që atëherë që na u dha mundësia kur Euro u hodh në treg dhe kur dërgesat e emigrantëve zinin një përqindje të madhe të GDP-së. Më e lehtë kjo për kosovarët, të cilët e kanë hedhur pas shpine këtë handikap. Një kërkesë për blerje në sasi të madhe në Euro, nisur kjo edhe nga lëvizja e lirë e shqiptarëve për në vendet e BE-së, do të sillte zhvlerësim të menjëhershëm të Lek-ut. Rënia e interesit për përdorimin e tij, pra vetëm në tregun e brendshëm mund të sjellë edhe destabilitet të politikës monetare në vendin tonë. Po kështu mund të përmendim edhe regjimet doganore, për të cilat nuk jam ende i sigurt nëse janë ato në nivelet e duhura. Lëvizja e lirë e tregtarëve të vegjël dhe të mesëm, deri tani të privuar nga vizat dhe si rrjedhojë nga lëvizja në Europë, do të jetë më e madhe, dhe gama e artikujve të importit do të jetë më e gjerë.

A ka staf të mjaftueshëm në dogana dhe a ka kontrollorë të cilësisë së mallrave që priten të vijnë, sidomos ato ushqimore?
Si pasojë e krizës në vendet e BE-së, raportet tregojnë se ka një rritje të stokut dhe gjendjes së mallrave në magazina nga grosistët e mëdhenj dhe prodhuesit. Nuk është çudi që etja e tregtarëve tanë, deri tani të pamësuar me këtë lloj tregtie, të na sjellë ushqime të skaduara kur dihet që ende nuk kemi qoftë edhe një laborator, i cili provon cilësinë e vërtetë të ushqimit që konsumojmë të gjithë ne. Zoti na ndihmoftë edhe për këtë?!
Ministria e Trasporteve ende nuk ka zgjidhur problemin e përdorimit të patentave, pasi vetëm shteti italian i njeh ato, edhe pse tashmë këto janë sipas standardeve europiane. Mos do të na duhet të shkojmë sërish me patenta sa një fletë A4 në Europë, dhe jo me dinjitetin e një patentë që e paguajmë jo po për këto standarde.
Këtu mund të shtohen edhe elementë të tjerë akoma jo të plotësuara por që mendova se këto ishin më themeloret. Analizë ekonomike mbi elementë plotësues të këtij procesi. Nga ato që do të preken më shumë nga liberalizimi i vizave, mund të përmendim investimet në spitalet private kur dihet që shqiptarët të zhgënjyer nga shërbimi i tyre spitalor, do të përpiqen të udhëtojnë jashtë për t’u kuruar. Kjo vjen sidomos nga diletantizmi që po shoqëron disa prej këtyre strukturave spitalore private të sapo ngritura, çmimet mjaft të kripura si dhe klientelizmi i fëlliqur i cili po merr edhe jetët e njerëzve në këto spitale.

Një tjetër pikë kyçe e procesit është edhe ajo universitare, pra arsimi i lartë.
Familjet të cilat nga mos-njohja nga mos-pasja e një vize, besoi në universitetet jo-publike pra private në vendin tonë, tashmë do të ndërrojnë kurs duke i dërguar fëmijët në vendet e BE-së. Këtu duhet përmendur fakti, që vetëm dy-tre prej tyre janë sipas standardeve dhe të profilizuar, për atë pjesë të shoqërisë sonë që nuk aspiron vetëm për një fletë diplome. Kjo e fundit më e dhimbshmja që po ndodh kohët e fundit. Nga ana tjetër një bum të ardhurash do të shënonte industria e udhëtimit ose ndryshe agjensitë të cilat do të kenë mundësi të shtojnë linja fluturimesh nga kërkesa për bileta udhëtimi. Pra thënë më shkoqur, hapja e një biznesi të tillë në këto momente do të ishte mjaft fitimprurëse. Rreth kësaj vishen dhe adoptohen edhe një seri shërbimesh të tjera si ato taksi, agjencitë e shpërndarjes të letrave apo zarfeve, si dhe pikat e këmbimit monetar, ex-change.  
Këto mund të ishin disa nga elementët sadopak iluminues apo informues të gjithë këtij procesi, me qëllimin për të mos e parë dhe kuptuar me ngjyrat e ylberit qiellin blu me 27 yje të Europës, pa viza.

Eno Cacaj, T. Observer

No comments: